ATV

Category: Lajme

  • Hiqet ndalesa, avionët shtetërorë rusë mund të zbresin në Shkup

    Hiqet ndalesa, avionët shtetërorë rusë mund të zbresin në Shkup

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut hoqi ndalimin e fluturimeve dhe uljeve të avionëve shtetërorë rusë mbi dhe në vend. Kjo është vendosur në seancën e sotme. Seanca u mbajt në formatin online në orët e paradites.

    Kjo do të thotë se nuk ka asnjë pengesë formale që një aeroplan, në pronësi të shtetit rus, të ulet në një nga aeroportet në Maqedoni. Vendimi, ose më mirë ndryshimet në masat aktuale kufizuese për Federatën Ruse të miratuara pas agresionit të Ukrainës, vjen në prag të Këshillit Ministror të OSBE-së, i cili duhet të mbahet nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor në Shkup.

    Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim se kjo nënkupton ardhjen e shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, në takimin ministror të OSBE-së./Tv Globi/

  • Katër vjet nga tërmeti në Shqipëri

    Katër vjet nga tërmeti në Shqipëri

    Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fuqishëm prej 6.4 ballë të Rihterit, me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në ora 03:54 CET (UTC +1) më 26 nëntor 2019.

    Njëmbëdhjetë bashki u prekën, duke përfshirë dy nga më të mëdhatë e të populluarat si Tirana dhe Durrësi. Pasojat u ndjenë, gjithashtu, në bashkitë e Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.

    Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3.000 të tjerë u plagosën. Në mesin e viktimave ishin edhe dy vëllezër nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, Shemsedin e Isa Abazi të cilët humbën jetën tragjikisht nën gërmadhat e njërit nga hoteleve që u shembën në orët e para të 26 nëntorit. Raportohet se tërmeti preku në mënyrë direkte dhe indirekte 202 mijë persona.

    Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.

    Dëme u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe fshatin e Kodër-Thumanës, të cilat ndodhen afër epiqendrës së tërmetit. Dy hotele dhe dy pallate u shembën në Durrës. Katër ndërtesa, përfshirë një pallat 5-katësh u shembën në Kodër-Thumanë e cila u godit më rëndë nga tërmeti.

    Qyteti i Laçit u dëmtua gjerësisht. Gjendja e jashtëzakonshme që do të zgjaste 30 ditë u shpall nga qeveria shqiptare për Durrësin, Thumanën dhe Tiranën e më vonë u zgjerua për Laçin dhe Lezhën.

    Tërmeti u ndoq nga pasgoditje të cilat drodhën strukturat e dëmtuara gjatë tërmetit dhe shkaktoi frikë midis qytetarëve.

    Rrjedhimisht një numër shtëpish nuk ishin më të banueshme. Qindra ushtarë shqiptarë dhe rreth 2.000 oficerë policie u dërguan në zonat e prekura nga tërmeti. Ata u ngarkuan me detyrën e ndihmesës në operacionet e kërkim-shpëtimit, si dhe në ngritjen e çadrave dhe kampeve të strehimit për njerëzit e mbetur tashmë pa shtëpi. 300 çadra emergjencash u ngritën pranë stadiumit të Durrësit dhe në Thumanë për të strehuar rreth 1.000 persona.

    Kosova bëri detyrën duke i dalë në ndihmë Shqipërisë. Në mënyrë individuale u mblodhën ndihma ndërsa në mënyrë institucionale u ofrua të strehonte familje. Njësia e kërkim-shpëtimit të FSK-së, dhe ajo e K9, njësia e cila operon me qentë, do t’u dilnin në ndihmë banorëve të Durrësit dhe Thumanës, vende këto në të cilat tërmeti kishte goditur më shumë.

    Shumë njerëz të pastrehë në Kodër-Thumanë kaluan dy net në çadra duke refuzuar për të qëndruar në hotelet në Detin Adriatik. Forcat Speciale RENEA vijuan të kërkonin për disa njerëz që u raportuan të humbur dhe të paktën 45 persona u nxorën të gjallë nga rrënojat.

    Sipas informacioneve zyrtare 51 vetë humbën jetën – 25 në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç. Pas tërmetit, humbën jetën edhe 2 persona nga Kurbin, njëri nga plagët dhe tjetri i dha fund jetës për shkak të stresit post-traumatik.

  • Sot zbulohet shtatorja e veprimtarit Adem Demaçi në Podujevë

    Sot zbulohet shtatorja e veprimtarit Adem Demaçi në Podujevë

    Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi sot nga ora 13:00 në sheshin e qytetit në Podujevë mbahet manifestimi dhe zbulimi i shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

    Për ta madhështuar këtë ngjarje pjesëmarrës në këtë manifestim do të jetë edhe kryeministri Albin Kurti, familja e bacës Adem dhe bashkëveprimtarë të bacës nga të gjitha trevat shqipfolëse.

    Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik 2018 ndërroi jetë.

    Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai u quajt edhe Nelson Mandela i Evropës.

    Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995.

    Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

    Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, u shndërrua në një personalitet të përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare. Ai ka shkruar romanin “Gjarprijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjetë. /KP/

  • Moti sot në Kosovë

    Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj mot i vranët dhe vende-vende me fjolla të dobëta bore.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius. “Ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0 deri 2 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes dhe veriperëndimit”, thuhet në njoftim.

  • Dialogu Kosovë-Serbi, skepticizëm për zbatim të marrëveshjes gjatë këtij viti

    Dialogu Kosovë-Serbi, skepticizëm për zbatim të marrëveshjes gjatë këtij viti

    Përkundër përpjekjeve të shtuara së fundmi nga euro-amerikanët, ka pak shpresë se gjatë këtij viti do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pozitë dhe opozitë janë skeptike për një gjë të tillë, derisa e fajësojnë Serbinë për qasje destruktive. Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut, akuzojnë Bashkimin Evropian si ndërmjetës të dialogut se nuk kanë mekanizma të duhur për të vendosur në binarë dialogun.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se pa pasur një nënshkrim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, po ashtu edhe të planit të sekuencimit nuk mund të ketë zbatim të tyre.

    Skeptik është edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili thotë se negociatat për planin e sekuencimit të zbatimit të marrëveshjeve mund të vazhdojnë gjatë, deri pas themelimit të qeverisë së re në Serbi. Megjithatë, ai e vë në mëdyshje edhe pranimin real të kryeministrit Kurti të propozimit euro-amerikan për draftin e Asociacionit, duke thënë se edhe në Kosovë mund të ketë zgjedhje të reja.

    Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekajm, thotë se ngecja dhe pasiguria për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është për shkak se Serbia nuk është e interesuar të zbatojë asgjë në atë ujdi, përveç Asociacionit.

    Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët vetëm e akuzojnë njëra-tjetrën, pasi BE-ja nuk po ka mekanizma për t’i detyruar të zbatojë ujdinë e dakorduar.

    Ai thotë se as themelimi i Asociacionit nuk beson se do të ndodh, përkundër që kryeministri Kurti ka thënë se e pranon draftin e emisarëve euro-amerikanë për të njëjtin.

    Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.

    Drafti nga institucionet kosovare nuk është publikuar ende, megjithatë, një të tillë e ka publikuar ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët

    Gjatë kësaj jave shqetësime për draftin e Asociacionit ngriti edhe presidentja e Kosovës, e cila tha se janë dy-tri elemente që kanë dykuptimësi dhe që duhen sqaruar. /KosovaPress/

  • Ramadani: Kosova s’është e rrezikuar nga një sulm klasik ushtarak nga Serbia, patrullimet të shtohen në kufi

    Ramadani: Kosova s’është e rrezikuar nga një sulm klasik ushtarak nga Serbia, patrullimet të shtohen në kufi

    Kosova nuk është e rrezikuar nga një sulm klasik ushtarak nga Serbia, po vlerëson ish-inspektori Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani. Ai një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Serbia është duke bërë çmos që në Kosovës të krijoj grupe të armatosura dhe të struktura paramilitare, që të krijojë kryengritje në vend.

    Pasi sipas tij, në këtë mënyrë ajo ndërton situatë de-stabilizuese të cilat kërkojnë një zgjidhje tjetër politike nga e cila përfiton vetë Serbia.

    Ish-inspektori i AKI-së duke komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jon Stoltenberg, i cili ka potencuar se janë duke shqyrtuar mundësin për shtim të përhershëm të trupave të KFOR-it në Kosovë, tha se ai qëndrim është një shenjë treguese për seriozitetin e situatës në Kosovë.

    “Deklarimi i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s është një shenjë treguese për seriozitetin e situatës së sigurisë në Ballkan duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Dhe sa seriozisht e ka marr NATO mirëmbajtjen e situatës së sigurisë në rajon, sepse është rajon i cili drejtpërdrejt lidhet edhe me NATO-n duke ditë që shumica e shteteve të Ballkanit perëndimorë janë edhe shtete anëtare të NATO-së. Është tepër e qartë se orientimi mbete tek faktori destabilizues në Ballkan që është Serbia dhe synimet e saj për të destabilizuar Ballkanin sikurse tha sekretari i NATO-së vlerësimet e përgjithshme janë për tensionet e ngritura në Kosovë dhe Bosnje dhe në të dy rastet kemi të bëjmë me ndërhyrje direket të Serbisë dhe qëllime territoriale dhe politike që ka Serbia”.

    Ramadani shtoi se edhe pse shteti serb është fajtor për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ende nuk është dënuar, ai madje pret që NATO ta ndëshkojë Serbinë edhe me përjashtimin e saj nga partneritetit për paqe.

    Ai tha se mendon që Kosova nuk është në një rrezik lartë të një sulmi ushtarak nga Serbia, por që sipas tij, shteti serb nuk është duke hequr dorë nga tentimit për të destabilizuar Kosovën nga brenda, duke përdorur “mashat” e saja për të krijuar grupe të armatosura dhe të strukturuar paramilitare, për të shkaktuar situat de-stabilizuese të cilat kërkojnë zgjidhje tjera politike nga e cila përfiton vetë Serbia.

    “Është jashtëzakonisht e qartë se Serbia e ka kryer aktin e parë që ka qenë me 24 shtator normalisht se nuk i ka dalur ashtu siç ka planifikuar operacionin. Ajo që mund të pritet është se Serbia nuk ka marr ndëshkimin e merituar unë pres që NATO të vendos veprime të caktuara të cilat e ndëshkojnë Serbinë, duke përfshirë edhe përjashtimin e saj prej partneritetit për paqe. Situata e tashme është që Serbia nuk ka hequr dorë nga kjo formë e veprimit dhe e tentimit për të destabilizuar Kosovën nga brenda. Unë nuk jam prej atyre që mendoj që ka rrezik të lartë të sulmit klasik ushtarak të Serbisë brenda territorit të Kosovës.

    Ajo tenton që përmes mashave të veta të ndërtoj situat de-stabilizuese në të cilën një zgjidhje tjetër politike do të ishte e domosdoshme për të cilën do të përfitonte Serbia. Serbia po bënë çmos që të ndërtoj grupe të armatosura dhe të strukturave paramilitare, kryesisht me serbët e Kosovës por jo vetëm, në mënyrë që të këtë njëlloj kryengritje e cila do të sponsorizohej drejtpërdrejt nga Serbia”.

    Ai duke komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili potencoj se kufiri ndërmjet Kosovës e Serbisë është jashtë kontrollit dhe që është në shërbim të trafikut të armëve e drogës.

    Ramadani tha se është e qartë se në kufi mund të futen lehtë grupe kriminale, duke marr parasysh hyrjen e grupit prej 90 paramilitareve serb me kolona automjetesh, duke përfshirë këtu edhe autoblinda në sulmin e 24 shtatorit.

    Për këtë ai bëri thirrje që Policia e KFOR të shtojnë më shumë patrullimet në atë pjesë si dhe të bashkëpunojnë më shumë ndërmjet veti.

    “Një gjë është e qartë grupi paramilitare prej rreth 90 paramilitarëve ka hyrë në Kosovë me kolon automjetesh duke përfshirë edhe autoblinda dhe kjo është një prej shenjave të qarta dhe shembujve të pastër se si mund të futen grupe të tilla të cilat kanë synime territorial dhe të nxitjes se konflikti brenda Kosovës. Për këtë normalisht institucionet e Kosovës domosdoshmërisht, edhe KFOR do të duhet që të jenë edhe më sy qelë edhe më bashkëpunues ndërmjet veti dhe të vendoset një kontroll i kufirit sepse po bëhet fjalë për një grup që kanë synime konflikte dhe jo vetëm kontrabandimi”, tha ai.

  • Arrestohen dy persona, dyshohet se ndihmuan grabitësit në Suharekë

    Arrestohen dy persona, dyshohet se ndihmuan grabitësit në Suharekë

    Dy persona janë arrestuar sot, pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në rastin e grabitjes së armatosur në argjendarinë ‘Diakos’ në Suharekë, ku si pasojë e konfrontimit mes grabitësve dhe Policisë, ka mbetur i plagosur një zyrtar policor, raporton Gazeta Sinjali.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Sinjalin se të arrestuarit dyshohet se janë përfshirë në ndihmë të kryerjes së veprës penale të grabitjes në Suharekë.

    “Të dyshuarit, tanimë të arrestuar janë shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, tha Kelani, teksa shtoi se Policia po vazhdon të kryejë hetime intensive për arrestimin e të gjithë personave të përfshirë në rast.

    Ndërsa Prokurorja e Shtetit, Ervehe Gashi, konfirmoi për Sinjalin se ka udhëruar ndalimin e të dyshuarve.

    “Interesi i hetimit është sa më pak informata aq më mirë, nuk janë grabitësit por ndihmësit. Dy persona janë arrestu. Të dy janë në ndalim. Jemi në identifikim e sipër të të dyshuarve tjerë”, tha shkurtimisht prokurorja Gashi.

    Ndryshe, gjatë ditës së djeshme u gjet vetura e të dyshuarve, e cila ishte braktisur në një bjeshkë.

    Sinjali mëson se automjeti me të cilin ata kanë arritur të arratisen, me targa të vjedhura të rajonit të Prishtinës “01”, që sipas pamjeve duket të jetë e tipit “Chevrolet Cruze” u gjet në një bjeshkë.

    Nga Policia e kanë konfirmuar se të akoma nuk është zbuluar identiteti i të dyshuarve, por hetimet për identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së tyre po vazhdojnë.

  • Arrestohet një person në Zubin Potok, ishte në kërkim për grabitje

    Arrestohet një person në Zubin Potok, ishte në kërkim për grabitje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Zubin Potok, i cili ishte në kërkim për grabitje.

    Siç thuhet në njoftim, i dyshuari është arrestuar sot rreth orës 12:40.

    “Sot, më 25.11.2023, në ora 12:40 në fshatin Zupqë, komuna Zubin Potok, nga njësia policore e Stacionit Zubin Potok është arrestuar i dyshuari D. B., (viti i lindjes 1983, mashkull serb kosovar). Personi i arrestuar kërkohej nga Gjykata Themelore Mitrovicë, pasi më 20.05.2020 , është shpallur fajtor për veprën penale ‘Grabitja’ dhe i është shqiptuar dënim me burg”, bëhet e ditur në njoftim.

    I dënuari është dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

  • Rrugët me plot borë, reagon Daut Haradinaj: Qeveritarë, dilni shihni gjendjen e rrugëve

    Rrugët me plot borë, reagon Daut Haradinaj: Qeveritarë, dilni shihni gjendjen e rrugëve

    Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar për rrugët e pa pastruara në Kosovë, veçmas për atë Prishtinë – Pejë.
    Daut Haradinaj i ka bërë thirrje qeveritarëve me dalë në terren me pa gjendjen e rrugëve.
    “Rruga Prishtinë – Pejë po i demanton institucionet përgjegjëse. Dilni në terren pak o qeveritarë e shihni si është gjendja, me kilometra kolonë”, ka thënë Daut Haradinaj.
    Ai ka shtuar se nëse vazhdojnë reshjet kështu, vaj halli për neve.

    “Nëse vazhdon me ra borë kësisoj, vaj halli për ne! Mos thoni që reshjet e borës janë të befasishme, sepse borë në Gusht nuk bjen, vetëm dimrit!”, është shprehur ai.

  • Parada e 28 Nëntorit në Tiranë, Rama zbulon detaje: Mbledh shqiptarët nga të gjitha anët

    Parada e 28 Nëntorit në Tiranë, Rama zbulon detaje: Mbledh shqiptarët nga të gjitha anët

    Për herë të parë do të mbahet në Tiranë “Parada e shqiptarëve”. Aktiviteti zhvillohet më 28 Nëntor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe mirëpret shqiptarët për të festuar 111 vjetorin e Pavarësisë.

    Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video në rrjetin social Facebook, përmes të cilës tregon se si do të organizohet parada, ndërsa shprehet se është një ide e propozuar nga një grup të rinjsh në diasporë.

    “Një ide e ardhur nga një grup të rinjsh në diasporë, do të mbledhë shqiptarët nga të katër anët në një paradë të vetme më 28 nëntor Nëse moti do të ndihmojë pak, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nis në mesditë”, shkruan Rama.

    Në këtë paradë do të marrin pjesë 125 bashki nga trojet shqiptare, përfshirë arbëreshët e Italisë. Parada e kthyer në traditë në New York, pas Tiranës parashikohet të shkojë në Prishtinë, Shkup e Ulqin.