ATV

Category: Lajme

  • Ish-ushtari i UÇK-së vritet në Francë teksa flinte

    Ish-ushtari i UÇK-së vritet në Francë teksa flinte

    V.S., nga Kosova është vrarë në Dijon të Francës.

    55-vjeçari nga Kosova u qëllua me dy plumba derisa ishte duke fjetur ndërkohë që jashtë po zhvillohej një konflikt mes dy bandave rivale. Siç raportohet banesa e kosovarit gjendej në katin e parë të objektit.

    Për këtë ka treguar vetë familja e viktimës V.S., nga fshati Rashan i Mitrovicës.

    Ai ishte pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë luftës së fundit.

    Në lidhje me këtë rast ka shkruar edhe gazeta franceze “Le Figaro”, duke treguar se dy persona që qëlluan ishin në lëvizje me veturë. Ata janë arratisur dhe se S., është viktimë kolaterale nga kjo ngjarje, ka treguar prokuroria franceze.

    Familja e tij kishte 14 vite që jeton në Francë, ka raportuar “Le Figaro”.

  • Shpërthim në veri të Mitrovicës, policia jep detaje

    Shpërthim në veri të Mitrovicës, policia jep detaje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se në mesnatë ka ndodhur një shpërthim në Mitrovicën e Veriut.

    Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

    “Ankuesi kosovar, ka raportuar se pranë shtëpisë së tij është hedhur një mjet shpërthyes, dhe si pasojë i janë dëmtuar disa dritare të shtëpisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

    “Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për ndonjë person të lënduar”, vijon njoftimi.

    Rasti po vazhdon të hetohet nga policia.

  • Një shtëpi përfshihet nga zjarri në Rahovec

    Një shtëpi përfshihet nga zjarri në Rahovec

    Një shtëpi është përfshirë nga zjarri në Rahovec, si pasojë e ndezjes së stufës së druve, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Ekipet zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

    “Ankuesi kosovar, ka raportuar se si pasojë e ndezjes së stufës së druve, i është përfshi nga zjarri shtëpia e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse, ndërsa ekipi i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin”, thuhet në njoftim.

  • 42 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    42 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

    42 aksidente kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë.

    Një aksident ka qenë me fatalitet, 17 me të lënduar dhe 24 me dëme materiale.

    Gjatë kësaj periudhe gjithashtu janë shqiptuar edhe 1,001 gjovba trafiku.

  • Vuçiq: Serbia nuk do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në OKB

    Vuçiq: Serbia nuk do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në OKB

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia nuk “do të lejojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara” dhe se vendi ka “shumë gjëra të vështira përpara dhe ditë, javë dhe muaj jo të lehta”.

    “Do të përpiqen të zgjidhin shumë gjëra në Kosovë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe para zgjedhjeve evropiane. Nuk do të jetë e lehtë. Është detyra jonë të luftojmë dhe mbrojmë “vendin tonë” sa më shumë që të mundemi, gjithmonë dhe në çdo vend”, ka deklaruar Vuçiq para gazetarëve.

    Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me takimin e shefit të shtatmadhorisë së ushtrisë serbe me komandantin e KFOR-it, Vuçiq edhe me këtë rast ankohet:

    “Kur flet në kuptimin politik, gjatë gjithë kohës je dëshmitar i jo standardeve të dyfishta, por sjelljeve pothuajse të pamatura, hipokrite, në të cilat KFOR-i dhe NATO për mandatin e tyre i referohen Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kur i pyet për normat tjera nga kjo Rezolutë, atëherë përgjigja është “harroje, mos shiko nga e kaluara, shiko nga e ardhmja”, ka pretenduar Vuçiq.

    “Kjo është diçka me të cilën ne, të cilët nuk jemi mjaftueshëm të mëdhenj, duhet të mësohemi dhe të luftojmë për popullin dhe vendin tonë brenda kufijve të asaj që është e mundur”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar: “Qëllimi i tyre kryesor është të na vendosin në një situatë të kornizës ligjore në të cilën ne në një mënyrë apo tjetër do të njohim pavarësinë e Kosovës”.

    “Nuk janë çështje kyçe as zgjedhjet në veri, as votimet në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë, as dokumentet as targat…. por vetëm njohja.

    “Është lehtë për çdo njeri të thotë atë që dëshiron, vetëm duhet të dini se ka pasoja për këtë. Mos lejoni që t’ju gënjejnë se nuk do të ketë pasoja për këtë”, ka thënë Vuçiq, duke pretenduar se “kërkesat do të vazhdojnë për të nënshkruar atë që ai u ka thënë vazhdimisht se është e pamundur”.

    “Çdo ditë do t’ju ​​thonë: “Ju e dini që Kosova tashmë ka sanksione, ndaj të gjithë po kërkojnë që t’i ​​keni edhe ju”. Ju i pyesni “për çfarë?”, ata përgjigjen “Epo, Banjska”, ka pretenduar Vuçiq, duke iu referuar sulmit të fundit terrorist në Kosovë në të cilin u vra një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë më shumë se dy muaj më parë.

    Vuçiq, gjithashtu është “lavdëruar” se iu ka thënë në fytyrë presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Olaf Scholz, kryeministres italian Giorgia Meloni, Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Josep Borrell dhe të dërguarit special të BE-së. për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak se “nuk do të nënshkruajë”.

    “E kam thënë një mijë herë që nuk do ta bëj, edhe në vendet më të vështira”, ka përfunduar Vuçiq “lavdërimin” e tij para zgjedhjeve të përgjithshme serbe.

  • Nagavci e Haxhiu mbajnë ligjëratë në “Xhemail Mustafa” – kërkojnë të raportohet dhuna në bazë gjinore, premtojnë përkrahje

    Nagavci e Haxhiu mbajnë ligjëratë në “Xhemail Mustafa” – kërkojnë të raportohet dhuna në bazë gjinore, premtojnë përkrahje

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë mbajtur ligjëratë në shkollën “Xhemail Mustafa”, në kuadër të fushatës “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, raporton Ekonomia Online.

    Aty, Nagavci e Haxhiu, kërkuan që dhuna në bazë gjinore të raportohet, teksa u zotuan për përkrahje ndërinstitucionale.

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se për parandalimin e dhunës do të flitet në të gjitha shkollat.

    “Të vetëdijshëm për punën e mirë që bëhet në këtë shkollë do të shënojmë bashkërisht fushatën që adresojnë parandalimin dhe vetëdijesimin kundër dhunës në të gjitha format. Sot në të gjitha shkollat e Kosovës fillon dita me aktivitete të ndryshme të shprehura, të cilat kanë të bëjnë me vetëdijesimin edhe të nxënësve kundër dhunës”, u shpreh Nagavci.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dikasteri që ajp e drejton ka marrë përsipër këtë fushatë, me ç’rast do të ketë mbi 80 aktivitete nëpër shkolla.

    “Jam e bindur se bashkëpunimi ndërinstitucional do të jap efektet e saja në kuadër të kësaj fushate. Ministria e Drejtësisë e ka marrë përsipër udhëheqjen e kësaj fushate me dikastere të ndryshme dhe me organizata të ndryshme. Kemi parapa diku mbi 80 aktivitete në shkolla. Dhuna në baza gjinore është dhunë vetëm pse është vajzë dhe e merr guximin ta cenojë integritetin e saj, prandaj jemi të shqetësuar se këto raste janë të shpeshta në Kosovë”, tha Haxhiu.

    “Asnjëherë nuk duet të zgjidhen problemet përmes dhunës. Jam e bindur se gjatë kohës që jeni në shkollë do të keni mospajtime por që do ta kaloni me qetësi dhe të bashkëpunoni me njëri-tjetrin. Dhuna duhet të raportohet, përgjegjëse është policia dhe po ashtu dhuna në familje është e shprehur shumë edhe te fëmijët”.

    Për fund, Nagavci e Haxhiu iu përgjigjën disa pyetjeve të nxënësve të kësaj shkolle. Pyetjet kishin të bëjnë me masat që ndërmerren ndaj dhunuesve dhe përkrahjen që e marrin viktimat e dhunës.

  • Nipi i Maliq Rabijës: Të mirat e shqiptarëve vijnë kur të anëtarësohemi në BE

    Nipi i Maliq Rabijës: Të mirat e shqiptarëve vijnë kur të anëtarësohemi në BE

    Eduart Zeneli, nipi i komandant Maliq Rabija ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë një dhe do të vijë ora dhe dita që me futjen e dy shteteve në Bashkimin Evropian, gjithçka do të vijë në të mirën e shqiptarëve.

    Zeneli thotë se Kosova e Shqipëria nuk janë dy shtete por një shtet.

    “Realisht ne nuk jemi dy shtete, ne jemi një shtet sepse ne flasim një gjuhë, duke folur një gjuhë ne jemi një shtet. Edhe shqiponja ka dy koka në flamur por faktkisht ajo është një trup. Ne jemi një komb, kemi një gjuhë dhe të gëzojmë këtë vendin tonë të bukur. Kosovë-Shqipëri ne jemi një, nuk ka asnjë lloj dallimi dhe unë mendoj qe do të vijë edhe ora dhe dita me futjen e dy shteteve në Bashkimin Evropian gjithëka do të vijë në të mirën e shqiptarëve… Jam i mendimit që të dyja shtetet bashkëpunojnë mirë dhe kryeministrat të dy i kemi shumë të mirë, ata punojnë dhe besoj se do të gjejnë rrugën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit për çdo lloj bashkëpunimi të mundshëm”, tha ai.

    Maliq Fejzaj (Zeneli), lindi në 3 maj 1886 në një familje të njohur atdhetare në fshatin Rabije të Tepelenës. Gjithë jetën e kaloi në dy luftëra botërore dhe në më shumë se tre dekada pune e përkushtim për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit.

    Maliq Rabija ka historinë e tij më të lavdishme si luftëtar e si komandat në krye të çetës buziote me mbi 70 vetë në Luftën e Vlorës të 1920-ës, e cila ishte si një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare, pasi nuk u fitua thjeshtë një betejë, por u shmang copëtimi i Shqipërisë. Maliq Rabija dhe çeta e tij e përmbushën me sukses detyrën në këtë luftë legjendare dhe për gjithë kontributin e dhënë në Luftën e Dytë Botërore, Presidiumi i Kuvendit Popullor, me datë 22.03.1950 e ka dekoruar Maliqin me Medaljen e Kujtimit.

    Maliq Rabija është ndarë nga kjo jetë në 2 maj 1982.

  • Qytetarët e Fushë Kosovës do të përballen me reduktime të ujit

    Qytetarët e Fushë Kosovës do të përballen me reduktime të ujit

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton se pas ngritjes së turbullirës së ujit në liqenin e Ujmanit, kjo kompani është detyruar të nis me reduktime të ujit për konsumatorët e Fushës Kosovës.

    Sipas njoftimit, reduktimet do jenë prej orës 10:00-16:00 dhe nga 23:00- 05:00.

    “Situata vazhdon deri në njoftimin e radhës. Deri atëherë situata mbetet e njëjtë. Nëse në ndërkohë situata përmirësohet, reduktimet ndërpriten”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.

  • Dyshimet e Qendrës ruse në Nish, bazë spiunazhi i Kremlinit

    Dyshimet e Qendrës ruse në Nish, bazë spiunazhi i Kremlinit

    Derisa paralajmërohet rreziku i ndikimit rus në Ballkan, Qendra humanitare serbo-ruse në Nish konsiderohet si një degë për aktivitetet e spiunazhit të Kremlinit. Ekspertët në Beograd konsiderojnë se kjo qendër duhet të mbyllet derisa në publik ngrihen dyshime se është një tjetër bazë e ndikimit rus. Edhe pse në misionin e tij ka mbrojtjen civile në situata emergjente dhe fatkeqësive natyrore, puna e kësaj qendre humanitare është e mbuluar me fshehtësi.

    Çfarë po bën qendra humanitare serbo-ruse në Nish? Kjo është pyetje e BE-se për Serbinë që ende nuk ka përgjigje. Perëndimi ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për qendrën ruse në Serbi, me vlerësime se ajo mund të jetë një degë për aktivitetet e spiunazhit të Kremlinit dhe të pengojë integrimin evropian dhe zgjerimin e NATO-s.

    Ekspertet vlerësojnë se qendra është më shumë një përpjekje e Rusisë të tregojë prani simbolike në Ballkan, dhe simboli i politikës se Serbisë të uljes në dy karrige në politikën e jashtme.

    “Mendoj se kemi një situatë kur dihet shumë pak, derisa asaj qendrës i kushtohet një vëmendje e madhe. Dihet se Rusia kryesisht ushtron ndikimin e saj përmes qeverisë serbe, kemi ministra që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me strukturat e sigurisë në Rusi, pastaj Ambasada ruse në Beograd, sipas raporteve të ndryshme, është bërë vend për diplomatët dhe anëtarët e shërbimeve të sigurisë ruse që janë dëbuar nga vendet e BE-së, dhe tani qendra humanitare është në fakt një dordolec që përdoret për ta trembur publikun”, deklaroi Bojan Ellek nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

    Krahas mosvendosje së sanksioneve kundër Rusisë, Serbia është nën kritika si një vend, kandidat për anëtarësim në BE, në të cilin ndikimi rus është i fortë. Për këtë partitë pro-evropiane kanë një qëndrim të qartë.

    “Problemi është kur Rusia kërkon që ajo qendër të marrë status diplomatik, pse një qendër humanitare të marre një status të tillë. Pra kjo qendër duhet të mbyllet sepse nuk sjell asgjë pozitive për Serbinë, vetëm na krijon probleme shtesë. Siç e pamë në raportin e fundit të Komisionit Evropian, përsëri shtrohet pyetja, se cili është qëllimi i kësaj qendre, dhe nuk po marrim përgjigje nga shteti, prandaj ne kërkojmë që qendra të mbyllet dhe Serbia të anëtarësohet në mekanizma të BE-së”, deklaroi Natan Allbahari nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.

    Situata e paqartë e kësaj qendre, e hapur dhjetë vjet më parë, ngre dyshimin se është një tjetër bazë e ndikimit rus. Edhe pse ne misionin e tij ka mbrojtjen civile ne situata emergjente dhe fatkeqësive natyrore, puna e kësaj qendre humanitare është e mbuluar me fshehtësi.

  • Haradinaj: Ushtria e Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm

    Haradinaj: Ushtria e Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Ushtria e Kosovës vazhdon të jetë institucioni më i besueshëm në vend.

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se është shumë i rëndësishëm anëtarësimi i Ushtrisë së Kosovës në NATO.

    “Sot, në “Ditën e Forcës”, e themi me zë të lartë sa i rëndësishëm është për për sigurinë në Kosovë e rajon, si dhe për paqen në botë, anëtarësimi i Kosovës në NATO. Dyert e hapura sot në FSK, mundësojnë me kuptu për jetën ushtarake, sukseset e vajzave dhe të djemve ndër më të mirët e atdheut, të cilët me përkushtim e vendosmëri janë në ballë të mbrojtjes të lirisë së fituar me sakrificë e të paqes po ashtu”, thekson Haradinaj.