ATV

Category: Lajme

  • Bora ndërprenë punimet në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë

    Bora ndërprenë punimet në zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punimet në zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Podujevë u ndërprenë për shkak të motit, e përveç reshjeve atmosferike, vështirësi në qarkullim po shkakton edhe mungesa e sinjalizimit.

    I vetmi sinjalizim përgjatë 30 kilometrave rrugë është vetëm vija ndarëse në mes.

    “Askund nuk pash asnjë shenjë sidomos gjatë dimrit bëhet edhe më vështirë qarkullimi është dashur të bëhej bile kjo qysh prej kohësh”, thotë Enver Berisha, qytetar.

    Edhe për Adil Humollin nga Podujeva, shqetësuese mbetet mos realizimi i projekteve të premtuara me kohë.

    “Tash shkaktohen 100 aksidente, telashe, është dashur moti të përfundohet kjo që sa ka filluar”, tha Humolli.

    Për zvarritje të projektit 38 milionësh, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, thotë se përgjegjësia kryesore mbetet te niveli qendror.

    “Rruga është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, ne si Komunë po e bëjmë punën tonë tu qëndrojmë afër me ndihmë për aq sa mundemi, me të vërtetë është projekt madhor”, tha Bulliqi.

    Ndryshe, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, ky projekt pritet të përfundojë në vitin 2024.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjendja e mjerueshme e objektit të ish-gjykatës në Vushtrri

    Gjendja e mjerueshme e objektit të ish-gjykatës në Vushtrri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Lista e orarit të kujdestarisë për avokatë ka mbetur ende në mur, ndonëse është e vitit 2012. Edhe libra e dokumente që atëkohë janë përdorur, janë gjithandej nëpër dysheme.

    Objekti në të cilin për një kohë ishte e vendosur Gjykata Themelore në Vushtrri, tashmë ka mbetur në gjendje të mjerueshme.

    Tejet shqetësuese, gjendjen aktuale të objektit e konsideron edhe komuna e Vushtrrisë.

    “Gjendja aktuale e atij objekti është shumë e keqe, e shohim se sot është bërë një deponi e mbeturinave, edhe pse ne e kemi pastruar tri herë, megjithatë hidhen mbeturina mandej është bërë një vend i narkomanëve”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Andaj kjo ka shtyrë komunën të kërkojë nga Ministria e Kulturës të marrë çfarëdo vendimi vetëm që objekti të mos mbetet në këtë gjendje.

    “Në qoftë se e vlerësojnë ata se duhet me e rrënu, ne do ta rrënojmë, në qoftë se e vlerësojnë se duhet me e restauru atëherë le të na ndajnë buxhet dhe e bëjmë restaurimin dhe ne e marrim në shfrytëzim”, tha Idrizi.

    Të të njëjtit mendim janë edhe qytetarët, ndonëse të arsyeshëm e shohin rrënimin.

    “Sigurisht, është prishur ambienti, ose me punu siç duhet ose me e hekë”, thotë Sabit Neziri, qytetar.

    “Gjithqysh duhet me e rrezu, këtu nuk ka kujtime të mira, kjo ka qenë gjykatë që janë dënuar njerëzit me vite, edhe këta duan me e bë monument historik, ky nuk është monument”, tha Bekim Januzi, qytetar.

    Në qershor të 2021-tës pushteti paraprak në Vushtrri kishte filluar rrënimin e objektit si projekt për zgjerimin e sheshit të qytetit, por Ministria e Kulturës kishte pezulluar punimet me arsyetimin se ky objekt duhet të ruhet si trashëgimi kulturore.

    Por, se çfarë do të ndodhë me fatin e këtij objekti, ende nuk dihet. Ministria e Kulturës nuk ktheu përgjigje as pas disa ditësh pritje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Salla në Pallatin e Rinisë fillon përgatitjet për festivalin e ardhshëm

    Salla në Pallatin e Rinisë fillon përgatitjet për festivalin e ardhshëm

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Salla e djegur në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në të cilën u mbajt për tre ditë Festivali i Këngës, është rikthyer në gjendjen e mëparshme.

    Mirëpo, sipas Kryetarit të Komunës Prishtinës, bukuria e sallës do të rikthehet në janar të vitit të ardhshëm.

    “ Nuk është kthyer për parking, vendi ku është mbajtur festivali do të përdoret edhe për evente të ndryshme të kulturës, artit, sporteve, pra ajo ka qenë një instilacione skenik dhe që ka treguar që mund të krijojmë hapësira fantastike në atë zonë. Në plan kemi organizimin për me pasë festë për liberalizimin e vizave, nuk është duke shndërruar në parking, makinat janë aty për ti larguar ose për ti future elementet e reja për një event të radhës që është i planifikuar”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Sipas Ramës, përveç rregullimit të sallës, është bërë edhe nënshkrimi i marrëveshjes me kompaninë “Termokos”, për instalimin e ngrohjes.

    “Me termokosin kemi nënshkruar marrëveshje për instalimin e ngrohjes duke siguruar të gjitha materialet, pasi që ajo sallë duhet të jetë me standarde evropiane, dhe që në të ardhmen të moj krijojë probleme me zjarrin dhe ngrohjen, për shkak që e dimë që më parë kjo sallë është përfshirë nga zjarri. Do të ketë edhe nxehtësi, për shkak që tani këto hapësira do të shfrytëzohet për evente të tjera”, tha Rama.

    Restaurimi i sallës së sporteve në Pallatin e Rinisë, i ka kushtuar Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes Publike Banesore, rreth 350 mijë euro. Derisa, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 300mijë euro për organizimin e Festivalit të Këngës.

    Pallati i Rinisë është pronë e Komunës së Prishtinës. Sidoqoftë, as ish Kryetari Shpend Ahmeti dhe as Kryetari aktual Përprim Rama, nuk kanë pasur projekt të detajuar për renovimin dhe punimet në këtë kompleks.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Renovohen disa qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë

    Renovohen disa qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Mbi 1 milion e 500 mijë euro, Komuna e Prishtinës ka investuar këtë vit në renovimet infrastrukturore të Qendrave të Mjekësisë Familjare të Kujdesit Parësor, ndërkohë që në total për këto shpenzime kishte në dispozicion 2 milion euro e gjysmë.

    Teksa QMF-të në Breg të Diellit, në Hajvali, Bardhosh, Bërnicë e Epërme, Mati 1 janë rinovuar, punimet në disa qendra të tjera ende po vazhdojnë.

    Nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, tha se deri në fund të vitit do të investojnë në shumicën e qendrave.

    “Sa i përket investimeve në kujdesin parësor shëndetësor drejtoria e shëndetësisë e ne së bashku si komunë qëndrojmë mirë, kemi investuar do të investojmë deri në kryerjen e punimeve….”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

    Edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia theksoi se e shohin të nevojshme rritjen e investimeve në nivelin parësor.

    “Ne do të rrisim kapacitetet tona për të rregulluar kujdesin parësor shëndetësor, për vite me radhë kane qenë të nevojshme që të bëhen rregullime të tilla, ne do të rregullojmë çdo qendër të mjekësisë nëpër të gjitha komunat e kosovës pa dallim”, tha Vitia.

    Sidoqoftë, Komuna e Prishtinës tash e sa vite në listën e investimeve kapitale gjithnjë e vendos edhe ndërtimin e Spitalit të Prishtinës. Mirëpo, edhe sivjet nuk është bërë asgjë për këtë projekt, për të cilin janë buxhetuar më shumë se një milion Euro. Ndërkohë gjysmë milion Euro kanë qenë të buxhetuara edhe për digjitalizimin e shërbimeve shëndetësore dhe në Prishtinë, mirëpo, as ky projekt nuk është zbatuar as sivjet.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Puna e komisioneve hetimore, pa rezultate

    Puna e komisioneve hetimore, pa rezultate

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në seancën e së enjtes u kërkua themelimi i Komisionit hetimor parlamentar lidhur me zjarrin që ditë më parë përfshiu Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Opozita gjatë kësaj legjislature ka insistuar në themelimin e disa komisioneve hetimore parlamentare. Në disa raste pati sukses, e në disa jo. Madje, njëri prej tyre, komisioni për rezerva shtetërore ka dy muaj që është themeluar, por nuk mbajti asnjë mbledhje në mungesë të kuorumit.

    “Ma shumë është për poenë politikë, pasi nëse një komision hetimor themelohet në opinion publik kuptohet se aty paska ndodh diçka e parregullt…”, tha Arton Demhaj nga organizata “ÇOHU”.

    Për monitorues të punës së Kuvendit, themelimi i komisioneve hetimore për çështje të cilat tashmë trajtohen nga institucione e tjera të drejtësisë nuk është hap i duhur.

    Që puna e komisioneve hetimore të jetë efektive, duhet të ndryshojë ligji.

    Vitin e kaluar me kërkesë të opozitës u themeluan dy komisione hetimore për energjinë elektrike. Puna 6-mujore e komisioneve përfundoi pa rezultat.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Marrëveshja e Brukselit pa nënshkrim e pa zbatim

    Marrëveshja e Brukselit pa nënshkrim e pa zbatim

    Përgatiti: Armand Hoti

    Implementimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, sipas politikanëve vendor dhe njohësve të procesit të dialogut, nuk do të ndodhë brenda një afati të shkurtër kohor.

    Nga paria në pushtet vazhdojnë të pohojnë se mos nënshkrimi i marëveshjes nga Serbia është telashja kryesore.

    “Është standard ndërkombëtar, por sidomos evropian se kur kemi një marrëveshje kemi edhe nënshkrim të marrëveshjes. Duhet të adresojmë këtë tendencën për të normalizuar këtë botëkuptim se kemi marrëveshje edhe kur nuk kemi nënshkrim. Nëse kemi nënshkrim dhe kemi dakordim atëherë duhet të kemi edhe nënshkrim. Nënshkrimi edhe garanton pranimin dhe zbatimin. Në fund të fundit është praktikë normale e BE-së nënshkrimi, kurse e kundërta është praktik jo normale që të kemi marrëveshje ndërkohë që nuk kemi nënshkrim. Për Kosovën është tërësia dhe marrëveshja”, tha deputeti i LV-së, Avni Rrustemi.

    Ndërkaq, Xhavit Haliti nga PDK, është i bindur se negociatat Kosovë-Serbi do vazhdojnë edhe për një kohë të gjatë.

    “Negociatat me siguri do të vazhdojnë edhe gjatë, po besoj deri pas zgjedhjeve në Serbi dhe do të fillojnë ndoshta me themelimin e qeverisë së re, nëse nuk ka zgjedhje edhe në Kosovë që pastaj të prolongohet edhe një katër-pesë muaj”, tha deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti.

    Kurse deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se Serbia është pala destruktive në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.

    “Ne kemi ngecje në këtë drejtim dhe kemi një pasiguri për marrëveshjet që janë bërë. Ju e dini që Serbia nuk është e interesuar që të implementojë asnjë marrëveshje dhe sidomos tani kohëve të fundit, kur kemi pa sulmin me 24 shtator. Serbia nuk ka ndryshuar fare sa i përket çështjes së Kosovës”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Analisti Dritëro Arifi, kritikon lehtësuesit Evropian për zvarritjet në zbatimin e marrëveshjes.

    “Dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët akuzojnë njëra-tjetrën. Fasilituesi nuk po i ka mekanizmat e duhur për të vendosur në një binarë të sigurt dialogun. Ky është krejt problemi që deri tash e kemi pa dhe një problem tjetër do të jetë zbatimi i kësaj marrëveshje, kjo është pikëpyetja e madhe, kur fillon, kush e fillon dhe çka zbaton. Fasilituesi nuk po e ka asnjë mekanizëm që me i detyruar palët me zbatu në një formë ligjore… Zbatimi i Asociacionit nuk besoj se do të ndodh nëse nuk kemi garancione dhe siguresa të fuqishme juridike nga BE-ja. Ne nuk e dina se si do të shkojë Kosova vitin e ardhshëm nëse nuk kemi minimumin njohjen nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së”, tha njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi.

    Së fundmi, diplomatë euro-amerikanë prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, ku flitet për themelimin e Asociacionit.

    Kryeministri Kurti shprehu gatishmëri të nënshkruajë në kuadër të marrëveshjes bazë të shkurtit të këtij viti dhe aneksit të muajit mars. Serbia ka refuzuar vazhdimisht nënshrkimin, por zyrtarët ndërkombëtare, përfshi krerët e shteteve ose qeverive të Gjermanisë, Francës e Italisë, marrëveshjen e konsiderojnë valide hde kanë kërkaur që të mos humbet kohë në teknikalitete.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Komunat janë përgatitur për stinën e dimrit

    Komunat janë përgatitur për stinën e dimrit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ndonëse komuna e Prishtinës ka angazhuar, kompani për mirëmbajtje të rrugës e njëjta nuk u përkujdes edhe për trotuaret.

    Kështu edhe të dielën qytetarët patëm vështirësi në lëvizje, madje disa prej tyre trotuaret i shfrytëzuan edhe për të rrëshqitur me saja.

    Por drejtori i shërbimeve publike Ilirik Musliu, për këtë thotë se pretendojnë të shtojnë numrin makinerive.

    “Do ti shtojmë numrin e makinerive, por edhe shpërndarëseve kripë edhe zhavorr. Rrugët do të jenë të kalueshme dhe të menagjueshme dhe gjithçka do të jetë nën kontroll”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu.

    Njëjte me Prishtinën është edhe komuna e Fushe Kosovës, edhe në këtë komunë trotuaret janë me akull.

    Ndërkaq në komunën e Vushtrrisë edhe në atë të Ferizajt, thonë se rrugët janë në gjendje të mirë.

    “Në Vushtrri edhe nëpër fshatra të gjitha rrugët, janë të kalueshme. Kemi intervenua deri vonë mbrëmë për ti hapur rrugët”, tha kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

    Ndërkaq, në rrjete sociale ka paur video të shumta të telasheve të shoeferëve për të kaluar në rrugë të komunave por dhe në ato nacionale, edhe pse që nga 15 nëntori e kanë të obligueshme vozitjen me pajisje dimërore.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Rreth 80 aksidente u shkaktuan vetëm për 24 orë

    Rreth 80 aksidente u shkaktuan vetëm për 24 orë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Mbrëmë në rrugën nacionale, Prishtinë- Ferizaj, për shkak të reshjeve të borës u shkaktua një aksident zinxhiror.

    Njëjte si ky aksident, Sipas Policisë se Kosovës për 24 orë u shkaktuan 78 të tjerë.

    “Gjatë 24 orëve, kanë ndodhur 79 aksidente, 24 aksidente me të lënduar dhe 55 me dëme materiale. Ndërsa gjatë kësaj kohe janë shqiptuar 892 tiketa”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Krejt këto aksidenete, sipas ekspertit të komunikacionit po ndodhin edhe për shkak që qytetarët nuk janë pajisur me goma të dimrit.

    “Gomat e kanë një rëndësi të madhe, se e dijmë që gomat e verës janë më të forta, ndërsa ato të dimrit janë më të thella dhe përshtaten me temperaturat. Nëse nuk ndërrohen gomat edhe aksidentet janë më të shpeshta”, Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.

    Sipas Ahmetit, përveç gomave të verës, shkaktar tjetër për aksidentet është edhe mos mirëmbajtja e rrugë nacionale.

    “Inistituti hidrometeorologjik, ka paralajmërua që të shtunën do të ketë reshje te bores, dhe mund të themi që operatorët ekonomik që largojnë borën janë totalisht neglizhent. E pamë edhe dje aksidentin në rrugën nacionale,”Ibrahim rugova” po edhe në akset tjera rrugore”, tha Ahmeti.

    Ndërkaq, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se gjendja e rrugëve që menaxhohen nga ministria, janë në gjendje të mirë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nga një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për dhënien e ndihmës gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

    Nga një muaj paraburgim ndaj të dyshuarve për dhënien e ndihmës gjatë grabitjes së armatosur në Suharekë

    Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën.

    Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Tashmë tre të dyshuar janë arrestuar, ndërsa dy nga ta sot kanë dalë para Gjykatës Themelore të Prizrenit.

    Kjo e fundit ka vendosur nga një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve që kanë dhënë ndihmë në grabitjen e argjendarisë në Suharekë tashmë ka përfunduar dhe pritet një vendim ndaj tyre.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

    “Caktohet masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, duke llogaritur nga data e arrestimit 25.11.2023”.

  • Shengeni ushtarak, NATO me një plan të ri për ta parandaluar luftën në Evropë

    Shengeni ushtarak, NATO me një plan të ri për ta parandaluar luftën në Evropë

    Peizazhi politik që e pret Evropën në vazhdim është i panjohur nga ai i një viti apo dy viteve më parë. Evropa është përballur me një realitet të ri gjeopolitik si pasojë e pushtimit të paligjshëm të Ukrainës nga Rusia dhe BE-ja është detyruar të rishqyrtojë gjithçka, nga qëndrimi i saj ushtarak dhe marrëdhëniet me Ukrainën, tek sfidat teknologjike dhe tregtare dhe institucionet e veta.

    Si do të vazhdojë BE-ja të forcojë sigurinë e saj me konfliktin e ndezur në oborrin e saj dhe një rend botëror në ndryshim? Duket se as vetë Brukseli dhe kontinenti i vjetër nuk kanë një përgjigje. Megjithatë, kohë pas kohe propozime të reja dalin në skenë, herë të mirëpritura, e herë jo. I tillë është propozimi për “Shengenin ushtarak”, një ide që ka ndezur polemika dhe ka tërhequr reagime të ashpra nga Rusia.

    Kremlini tha dje se dëshira e NATO-s për të krijuar një version ushtarak të zonës Shengen në Evropë, i cili do të lejonte forcat e armatosura të aleancës ushtarake perëndimore të lëvizin lirshëm për t’iu kundërvënë Rusisë më me forcë, ka rritur tensionet dhe ka ngritur shqetësime. Kreu i Komandës së Logjistikës së NATO-s për Evropë (JSEC), Gjeneral Letonton Alexander Sollfrank, i tha Reuters të enjten se do të dëshironte të shihte një zonë të tillë. “Po na mbaron koha,” tha Sollfrank.

    “Ajo që nuk e bëjmë në kohë paqeje nuk do të jetë gati në rast krize apo lufte”, theksoi ai. JSEC, e vendosur në qytetin gjerman të Ulm, koordinon lëvizjen e njerëzve dhe materialeve të bllokut të NATO-s në të gjithë kontinentin. Ndërsa JSEC u krijua në 2021 për të përmirësuar përgatitjet për një luftë të mundshme me Rusinë, burokracia mund të shkaktojë vonesa serioze në reagimin në rast të një lufte me Rusinë. NATO po ndihmon Ukrainën në luftën e saj me Rusinë dhe Kievi shpreson që një ditë të bashkohet me aleancën. Vetë NATO, megjithatë, nuk është në luftë me Rusinë, dhe presidenti i SHBA Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë pohojnë se po përpiqen ta shmangin atë për shkak të arsenalit të madh bërthamor të Moskës.

    Reagimi i ashpër rus

    Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Moska do të përgjigjet nëse ky “Shengen ushtarak” bëhet realitet. “NATO e ka konsideruar gjithmonë vendin tonë një të ashtuquajtur armik ideologjik. Tani haptas e konsideron atë një kundërshtar të dukshëm. Kjo deklaratë nuk i shërben asgjë tjetër veçse ngritjes së tensioneve në Evropë dhe kjo ka pasoja,” tha Peskov. Bisedimet për krijimin e një “Shengeni ushtarak” tregojnë edhe një herë se Evropa nuk është e gatshme të dëgjojë shqetësimet legjitime të Moskës, por është e gatshme të forcojë sigurinë e saj në kurriz të Rusisë, tha Peskov. “Është NATO ajo që po lëviz vazhdimisht infrastrukturën e saj ushtarake drejt kufirit tonë. Nuk jemi ne ata që lëvizim drejt infrastrukturës së NATO-s. NATO po afrohet më pranë nesh dhe kjo mund të shkaktojë vetëm shqetësim dhe të çojë në masa hakmarrëse për të garantuar sigurinë tonë,” tha Peskov.

    Planet e NATO-s

    Që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e ish-BRSS, NATO është zgjeruar rreth 1000 kilometra në lindje, duke pranuar Poloninë dhe shtetet baltike në aleancën e saj, duke zgjeruar krahun e saj lindor në një total prej 4000 kilometrash. NATO aktualisht ka 10,000 ushtarë në tetë grupe beteje të stacionuara në të gjithë Evropën Lindore. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi vitin e kaluar se ka plane për të përforcuar këto forca të dislokuara me 300,000 ushtarë të gatishmërisë së lartë në rezervë.Forca e reagimit të shpejtë të NATO-s aktualisht numëron deri në 40,000 dhe ndryshimi i propozuar përbën një rishikim të gjerë në përgjigje të militarizimit rus. Sipas planeve, NATO do të lëvizë gjithashtu rezervat e municioneve dhe furnizimeve të tjera më larg në lindje, një tranzicion që do të përfundojë brenda këtij viti.NATO mban tetë grupe beteje në të gjithë Evropën Lindore , që synojnë të veprojnë si një mbrojtje fillestare e vijës së parë në rast të një pushtimi rus. Katër janë në shtetet baltike dhe Poloni, dhe këto u plotësuan me krijimin e katër të tjerave në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki pas sulmit ndaj Ukrainës.