ATV

Category: Lajme

  • Stuhia e borës shkakton ndërprerje masive të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën

    Stuhia e borës shkakton ndërprerje masive të energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën

    Stuhitë e borës dhe erërat e forta kanë lënë më shumë se 2000 qytete dhe fshatra pa energji elektrike në shumë rajone të Ukrainës, thonë zyrtarët lokalë.

    Ata thonë se 48 persona, duke përfshirë fëmijë, janë evakuuar nga automjetet e bllokuara në rajonin e Odesa-s më të prekur në jug-perëndim, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Të paktën gjashtë persona kanë vuajtur nga hipotermia. Aktualisht trafiku është i bllokuar në 14 autostrada.

    Stuhia po godet gjithashtu Moldavinë, Rusinë, Gjeorgjinë dhe Bullgarinë.

    Në një deklaratë të hënën në mëngjes, shërbimi i emergjencave të Ukrainës tha se moti i keq la 2019 vendbanime pa energji elektrike në 16 rajone të vendit. Të paktën 1,370 kamionë mallrash janë bllokuar aktualisht.

    Rajoni jugor i Mykolaiv është gjithashtu i goditur keq.

    Më shumë se 1500 shpëtimtarë janë vendosur tani në të gjithë vendin në një operacion masiv pastrimi. Ata po ndihmohen nga policia, rojet kufitare dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare.

    Në gadishullin jugor të Krimesë të Ukrainës – i aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014 – zyrtarët nga Moska raportuan përmbytje në zonat bregdetare.

    Një gjendje e jashtëzakonshme është tani në disa komuna në Krime.

    Në qytetin rus të Detit të Zi të Soçit, janë shfaqur pamjet që supozohet se tregojnë një ndërtesë trekatëshe duke u shembur. Nuk raportohet për të lënduar.

    Në Moskë, autoriteteve iu desh të vendosnin makineri të specializuara për të pastruar rrugët pas një reshje të madhe bore.

    Moti ekstrem vjen mes raporteve se Rusia po përgatit sërish sulme masive me raketa dhe drone në rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën tjetër kritike.

    Vjeshtën dhe dimrin e kaluar, Moska kreu valë të tilla sulmesh vdekjeprurëse, duke lënë miliona njerëz në të gjithë Ukrainën pa energji elektrike dhe ngrohje.

    Të shtunën e kaluar, Rusia nisi sulmin e saj më të madh me dron në Kiev që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022, thanë zyrtarët ukrainas.

  • ​Tahiri kritikon Kurtin: Asociacioni me kompetenca paralele me nivelin qendror

    ​Tahiri kritikon Kurtin: Asociacioni me kompetenca paralele me nivelin qendror

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti, në lidhje dialogun me Serbinë dhe draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga emisarët euro-amerikanë më 21 tetor. Sipas PDK-së, ky lloj Asociacioni do të ketë kompetenca paralele me nivelin qendror, pasi do të ketë pushtet vendimmarrës. Në anën tjetër, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thonë se sfidat më të mëdha në dialog janë mosvullneti i Serbisë për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Kurti ka bërë kapërcim të madh politik duke pranuar një Asociacion të dëmshëm për Kosovën.

    Ai tha se në bazë të draftit të Asociacionit të publikuar nga ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili nuk është mohuar dhe as pohuar nga zyrtarët qeveritar, krijohet një pushtet paralele që i merr pushtet nivelit lokal.

    “Ky draft-statut i Asociacionit gjitha këto kompetenca të zgjeruara që i kanë komunat serbe nëse i vendos në një ombrellë ku ka vendimmarrje politike, ku ka një lider që trajton dhe kryeqendrën e saj e bënë shumë problematike, pasi automatikisht e krijon një pushtet paralel. Pra kompetencat e zgjeruara kanë qenë vetëm për faktin me integru komunitetin serb në kuadër të këtij rendi kushtetues me kompetenca të zgjeruara vetëm për faktin që të integrohen. Në anën tjetër me marrë një ombrellë të tillë si Asociacioni, pasi atë e quajnë kështu për shkak të përbërjes, pasi realisht është një pushtet paralel. Asociacionet kudo në botë nuk kanë karakter vendimmarrës, janë këshillues. Këtu nuk po flitet më për Asociacion, pasi në kompetenca është një institucion paralel me Kosovën. Ky është kapërcimi i madh që e ka bërë Albin Kurti. Vetëmenaxhimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit është rregulluar shumë mirë me draft-statutin aktual që është i dëmshëm”, tha ai.

    Kritik në lidhje me këtë çështje u shfaq edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se kryeministri Kurti po tenton vetëm të blej kohë dhe mos të krijojë asnjë zgjidhje.

    “Zotëri Kurti në të gjitha proceset ka ble kohë nuk ka krijuar zgjidhje. Ka akumuluar probleme dhe nuk ka bërë asnjë zgjidhje. AAK-ja kur e ka mbështet në marrëveshjen e Brukselit e ka parë si shumë problematike çështjen e sigurisë në vend. Krejt zhvillimet e sigurisë që ndodhin në Ballkanin Perëndimor nuk mund të shkojnë pa u ndikuar në Kosovë, siç ishte rasti i sulmit terrorist të 24 shtatorit”, shtoi Tahiri.

    Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Armend Muja, duke folur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se sfida kryesore është mosvullneti i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit.

    “Sfidat kryesore në procesin e normalizimit janë mosvullneti i Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes. Siç po e shihni edhe nga diskutimet dhe deklarimet që i bën Vuçiq, i ka dy linja të argumentit. E para thotë se nuk e nënshkruaj dhe e dyta se do të zbatojë vetëm copëza të saj. Është jashtë parimeve të marrëveshjeve dhe dakoridmit që kemi arritur në Bruksel. Kosova është e gatshme për normalizim dhe është e gatshme të kontribuojë në emër të paqes dhe integrimit evropian”, theksoi Muja./kp/

  • ​Projektligji për fondin sovran, opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese

    ​Projektligji për fondin sovran, opozita paralajmëron dërgimin në Kushtetuese

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca plenare gjatë kësaj jave. Deputetët do të diskutojnë paraditen e së enjtes për raportin e progresit, kurse pasdite në një seancë të veçantë do të hidhen në votim disa marrëveshje ndërkombëtare dhe Projektligji për fondin sovran. Ndërkaq, të premten do të mbahet seancë e veçantë me pyetjet parlamentare të deputetëve karshi kabinetit qeveritar. Në lidhje me Projektligjin për fondin sovran, dy partitë opozitare, PDK dhe AAK e kualifikuan si të dëmshëm për vendin dhe antikushtetues.

    Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, theksoi nevojën e miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Projektligjit për fondin sovran.

    “Kemi dakordim që të enjten të mbahen dy seanca, ndërkohë edhe të premten do të mbahet një seancë e posaçme për pyetjet parlamentare. Të enjten seanca e parë fillon në orën 10:00 dhe do të diskutohet për raportin e progresit dhe seanca e dytë do të fillojë në orën 16:00 ku do të hedhen në votim marrëveshjet ndërkombëtare, Projektligji për fondin sovran dhe Projektligji për artin dhe kulturën”, tha ai.

    Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Projektligji për fondin sovran është i padobishëm dhe që nuk mundet të akomodohen brenda sistemit kushtetues.

    Ai paralajmëroi se nëse miratohet në lexim të dytë të enjten do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Ne si Grup Parlamentar i PDK-së e kemi kundërshtuar këtë projektligj. Konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit dhe rendit tonë kushtetues është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë. Në anën tjetër edhe sa i përket benefiteve ne konsiderojmë se është vetëm një strukturë burokratike në kuadër të vendimmarrjes që lidhet me çështje ekonomike, me ndërmarrjet publike dhe AKP-në. Konsiderojmë se është një strukturë ekonomike e padobishme…Ne do të dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi të bindur se kjo strukturë e ka vetëm një formë që të ndërtohet, vetëm me ndryshime kushtetuese”, tha Tahiri.

    Kundërshtimin ndaj këtij projektligji e shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Është një ligj që e dëmton në esencë funksionimin e çfarëdo logjike ekonomike në këtë vend. Aleanca e kundërshton dhe është ligj kundër kushtetues që do të adresohet në instancat më të larta kushtetuese”, theksoi Tahiri.

    Krahas kësaj, ai kërkoi nga qeveria që të mbështesë më shumë kategoritë e dala nga lufta./kp/

  • Kryetari i Preshevës e vendos flamurin shqiptar në objektin e komunës

    Kryetari i Preshevës e vendos flamurin shqiptar në objektin e komunës

    Në objektin e Komunës së Preshevës është vendosur sot flamuri kombëtar shqiptar.

    Flamuri është vendosur aty nga kryetari i komunës Shqiprim Arifi.

    Arifi ka publikuar videon e momentin të vendosjes së flamurit kombëtar të shqiptarëve në objekt.

    “Vendosja e flamurit kombëtarë në godinën e komunës së Preshevës”, ka shkruar ai në përshkrimin e videos.

  • Arrestohet Xhevdet Selimi, dyshohet për shpërthimin në Prizren

    Arrestohet Xhevdet Selimi, dyshohet për shpërthimin në Prizren

    Policia e Kosovës e ka kapur sot të dyshuarin për gjuajtje të granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren.

    Policia tha sot se i dyshuari është arrestuar sot.

    “Me datën 27.11.2023 hetues policor nga sektori rajonale i hetimeve Prizren përmes rrugëve operacionale dhe falë bashkëpunimit me media dhe qytetarë ka arritur që të lokalizoj dhe arrestoj të dyshuarin XHEVDET Shaban SELIMI i lindur me 23.03.1986 fshati Uglar/ Gjilan ndaj të cilit prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë”, tha policia.

    Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim në lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

    Selimi është i dyshuari kryesor për shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren të mërkurën e javës së kaluar.

  • ATV në Selinë e NATO-s në Bruksel: Po shqyrtohet një rritje më e qëndrueshme e kontingjentit paqeruajtës në Kosovë

    ATV në Selinë e NATO-s në Bruksel: Po shqyrtohet një rritje më e qëndrueshme e kontingjentit paqeruajtës në Kosovë

    Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nga sot deri me 29 nëntor në Bruksel dhe në qendër të bisedimeve do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.

    Gazetarja e ATV-së, Flaka Vitaku, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE nga selia e NATO-s në Bruksel, tha se në këto takime të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të diskutohet edhe situata në Ballkanin Perëndimor.

    Këtë e përmendi edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në fjalimin e tij, ku tha se është duke u shqyrtuar mundësia nëse duhet të shtohen më shumë trupa të NATO-s në Koosvë si dhe nëse këta trupa duhet të jenë për një kohë permanente në Kosovë.

    “Ai tha që edhe pas vizitës të cilët pati në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë, Serbi dhe vendet e tjera, ai u takua me liderët e vendeve duke potencuar se diskutimet dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë e gjithë kjo e fasilituar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, përmendi që NATO ka ndërmarrë pra shtimin e njëmijë trupave më shumë, prezenca e NATO-s është rritur në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, siç është KFOR-i dhe janë duke shqyrtuar ende mundësinë nëse duhet të shtohen më shumë trupa apo nëse këta trupa duhet të jenë për një kohë permanente në Kosovë. E gjithë kjo do të diskutohet edhe gjatë këtyre takimeve të cilat do t’i mbajnë ministrat e Punëve të Jashtme, pra të vendeve anëtare të NATO-s”, tregon Vitaku.

    Ajo tregon se Stoltenberg, në fjalimin e tij tha se Ballkani Perëndimor është një rajon shumë i rëndësishëm për NATO-n dhe se kjo e fundit do të sigurohet që ta ruajë sigurinë edhe paqen në këtë pjesë të Evropës.

    “Sipas Stoltenberg, e gjithë kjo mund të zgjidhet përmes dialogut dhe kërkon nga të dy vendet, nga Prishtina dhe nga Beogradi që të ruhen nga çfarëdolloj aksioni dhe veprimi, i cili mund të dërgojë tek tensionimi i situatës dhe ka bërë thirrje që të dy vendet, edhe gjatë takimeve të cilat i kanë mbajtur, ditëve të kaluara të cilat edhe ne jemi të informuar, nga liderët që situata të mos tensionohet, sepse është shumë e rëndësishme edhe për NATO-n edhe misionin të cilën e ka pra pjesën në Kosovë. Sidomos, ai përmendi edhe Bosnjë-Hercegovinën si një pjesë tjetër e brishtë e Ballkanit Perëndimor”, tregoi gazetarja e ATV-së.

    Ekipi i ATV-së është duke qëndruar në Selinë e NATO-s në Bruksel, ku për shikuesit do të ofrojë informacionet e fundit që do të dalin nga takimet e ministrave të jashtë të vendeve anëtare të NATO-s për gjatë dy ditëve të ardhshme.

  • Kërkohet anulimi i konkursit për kryeshefin ekzekutiv të “Trepçës”

    Kërkohet anulimi i konkursit për kryeshefin ekzekutiv të “Trepçës”

    Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me konkursin për pozitën Kryeshef Ekzekutiv në Trepça Sh.A dhe kërkon anulimin e këtij konkursi.

    Përmes një reagimi publik, CorrWatch apelon të anulohet procesi rekrutues për kryeshef ekzekutiv në “Trepça” për shkak të paligjshmërisë.

    CorrWatch konsideron që kërkesat e përgjithshme të paraqitura në konkurs janë në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

    Në komunikatë thuhet se CorrWatch konsideron se kërkesa për dokumentin “Certifikatën (dëshminë) nga gjykata kompetente që dëshmon se nuk është nën hetime jo më të vjetër se gjashtë muaj” është në kundërshtim me këtë ligj duke qenë se ligji përcakton që kandidati do të duhet të mos jetë i dënuar nga një gjykatë kompentente. Pra, do të duhej të kërkohej dokumenti që e vërteton këtë gjë dhe jo dëshmia që nuk është nën hetime.

    “Në kriteret e kualifikimit, nuk është cekur niveli i shkollimit, vetëm fusha/drejtimi i kërkuar. Në të njëjtën kohë, kërkesa për ndërlidhje mes veprimtarisë biznesore të ndërmarrjes me drejtimet duhet të specifikohet pasi kjo lë hapësirë për interpretim të gjerë gjatë vlerësimit të kandidatëve. Te pjesa ku është cekur se “preferohet kandidatët me përvojë pune në ndërmarrjet/korporatat tjera të mëdha dhe me kompleksitet të lartë”, një kriter i tillë nuk është theksuar se si mund të vlerësohet, e përderisa nuk është kriter obligativ është dashur të ketë sqarime shtesë për vlerësimin e këtij kriteri”, thuhet në reagim.

    Në të njëjtën kohë, CorrWatch ka identifikuar se te kriteri lidhur me përvojën e punës, është bërë vetëm referimi në nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike por jo edhe zbërthimi i këtij neni në aspektin e kritereve që duhet të plotësohet nga kandidatët. Aq më tepër, kur ky nen bën referencë te një nen tjetër (neni 21) e që mund të shkaktojë huti te kandidatët.

    Sipas njoftimit, të njëjtat shqetësime janë ndarë me menaxhmentin e Trepça Sh.A, por që nuk janë adresuar. Përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon që ndërmarrja të anulojë konkursin për shkak të shkeljeve ligjore si dhe i njëjtit të rishpallet në bazë të kritereve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi të cilat garantojnë proces transparencë dhe të bazuar në meritokraci.

  • Kjo është agjenda e festës së 28 Nëntorit nesër në kryeqytet

    Kjo është agjenda e festës së 28 Nëntorit nesër në kryeqytet

    Për nder të festës së 28 Nëntorit, komuna e Prishtinës ka organizuar disa aktivitete të rëndësishme.

    Më poshtë është agjenda e ngjarjeve në kryeqytet:

    10:00 Seanca solemne në Kuvendin Komunal

    Respektimi i himneve

    – Himni i Kosovës – Himni i Shqipërisë

    – Dy pika muzikore

    10:10 Hapja e seancës nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajçinovci

    10:15 Fjala e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj 10:30 Fjala e kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama

    10:45 Foto në grup 10:50 Përfundimi i seancës 12:00 Libri dhumëngjyrësh- teatri “Dodona” Shfaqje për fëmijë. 12:30 Ecje e kryetarit përgjatë sheshit në festimet e Kryeqytetit 13:00 Koncerti në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe shpalosja e flamurit – Performansë nga Nusret Muçiqi – Shpalosja e flamurit te hoteli “Grand” – Performansë nga grupi “Çamëria” – Performansë nga grupi “Labëria”.

  • Izraeli thotë se i ka dhënë Hamasit opsionin për të zgjatur armëpushimin

    Izraeli thotë se i ka dhënë Hamasit opsionin për të zgjatur armëpushimin

    Një zëdhënës i qeverisë izraelite ka thënë se Hamasit i është dhënë opsioni për të zgjatur armëpushimin.

    “Hamasi është në njoftim – ai opsion për një zgjatje është i hapur”, tha Eylon Levy.

    “Ne duam të marrim edhe 50 pengje të tjera përtej natës së sotme, në rrugën tonë për t’i sjellë të gjithë në shtëpi. Sapo të përfundojë kjo kornizë, Izraeli do të vazhdojë me forcë të plotë”.

    Zëdhënësi tha se 392 ushtarë izraelitë “ranë në betejë” deri më tani. Ndërsa më shumë se 9 mijë izraelitë janë plagosur që nga fillimi i luftës.

  • Parashikimi i motit për shtatë ditët e ardhshme

    Parashikimi i motit për shtatë ditët e ardhshme

    Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, për emisionin e mëngjesit ALARM në ATV, tha se temperaturat e ulëta do të vazhdojnë të mbretërojnë në vendin tonë edhe gjatë kësaj jave.

    Ai tha se nga e marta, reshjet e borës do të kalojnë në reshje shiu në vise të ulëta, ndërsa në vise të larta, sërish do të bie borë.

    “Gjatë ditës së sotme do të kemi rreze dielli, pak vranësira, por që nesër, ditën e marte pas dite, do të kemi sërish kushte të tjera atmosferike, me që këto masa polare kanë ardhur që para 3 apo 4 ditëve në vendin tonë, ato paksa do të jenë pak më pak të qëndrueshme. Reshjet e borës që ishin do të kalojnë në reshje shiu në vise të ulëta, kurse në viset të larta, prapë do të kemi reshje bore për shkak të temperaturave më të ulëta”, tha Aliu.

    Ai tregoi se vikendin që lamë pas, kishte reshje bore në pothuajse gjithë territorin e Kosovës, me përjashtim të qytetit të Pejës.

    Sasia e borës më e madhe u regjistrua në qytetin e Ferizajt me mbi 25 centimetra trashësi.

    “Kishim reshje në pothuajse në gjithë territorin e Kosovës, përjashtuar qytetin e Pejës, ku atje nuk kemi pasur reshje të borës, vetëm reshje të shiut. Sasi të reshjeve të regjistruara në qytetin e Ferizajt, ishin 22 centimetra, do të thotë trashësia e borës ka qenë 22 centimetra, në viset e larta kemi mbi 25 centimetra, do të thotë reshje të borës, atje kemi pasur edhe më herët reshje të borës. Temperaturat më të ulëta ishin -7 gradë Celsius, kurse gjatë ditës do të kalojmë edhe në vlerat pozitive diku 3 apo 4 gradë Celsius në rrafshin e Kosovës dhe diku 5 gradë Celsius në rrafshin e Dukagjinit”, tregoi Aliu. /atvlive.tv

    Parashikimin e plotë të motit për shtatë ditët e javës e gjeni në videon më poshtë: