ATV

Category: Lajme

  • Navalny thotë se po përballet me një rast të ri penal

    Navalny thotë se po përballet me një rast të ri penal

    Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili është duke shërbyer 19 vjet burgim nën akuza për ekstremizëm dhe akuza të tjera të cilat ai i cilëson si të motivuara politikisht, më 1 dhjetor tha se autoritetet kanë hapur një rast të ri penal ndaj tij.

    Në postimet e bashkëpunëtorëve të tij në X, që më herët njihej si Twitter, Navalny tha se ka pranuar një letër nga Komiteti Hetues i Rusisë përmes së cilës është informuar për hapjen e një rasti të ri ndaj tij për “krime sipas pikës dy të nenit 214 të Kodit Penal”, që ka të bëjë me vandalizëm.

    “Shumë rrallë ndodh që një i burgosur që gjendet në izolim për më shumë se një vit, ka pasur një ekzistencë vibrante sociale dhe politike”, thuhet në një nga postimet në X, që iu atribuua Navalnyt.

    “Kjo nënkupton se ata kanë iniciuar një rast të ri penal ndaj meje çdo tre muaj”.

    Më 21 nëntor, ai u fut në izolim 15-ditor për shkelje të paspecifikuara, pasi kishte përfunduar qëndrimin në izolim një ditë më herët. Ishte hera e 23-të që Navalny është vendosur në qeli të izoluar që nga gushti i vitit 2022, apo thënë ndryshe, ai ka qëndruar 266 ditë në izolim.

    Navalny, një prej kritikëve më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin, në gusht iu rrit dënimi në 19 vjet burgim, pasi u gjet fajtor për krijimin e një organizate ekstremiste dhe u transferua në një burg “me regjim më të ashpër”.

    Dënimi paraprak i ishte shqiptuar më 2021, pasi kishte arritur në Moskë nga Gjermania, ku ishte trajtuar nga një helmim, për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin.

    Para se të burgosej, ai ishte opozitari më i zëshëm që organizoi protesta të mëdha kundër Qeverisë ruse.

    Tre prej avokatëve të Navalnyt – Vadim Kobzev, Igor Sergunin dhe Aleksei Lipster – janë arrestuar në tetor dhe po ndiqen penalisht për pjesëmarrje në një komunitetit ekstremist, për shkak të lidhjeve të tyre me Navalnyn dhe me fondacionin e tij kundër korrupsionit./REL/

  • Katari kritikon Izraelin për bombardimet në Gazë

    Katari kritikon Izraelin për bombardimet në Gazë

    Katari tha se po vazhdon përpjekjet për të ringjallur armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke shprehur “keqardhje të thellë” për rinisjen e bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës.

    Katar, që ka luajtur rolin e ndërmjetësuesit, duket se ka veçuar vetëm rolin e Izraelit në rikthimin e dhunës.

    Ministria e Jashtme e Katarit tha se “bombardimet e vazhdueshme në Rripin e Gazës në orët e para pas përfundimit të pauzën [së luftimeve], ndërlikojnë përpjekjet ndërmjetësuese dhe përkeqësojnë katastrofën humanitare” në Gazë.

    Kjo ministri i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të veprojë menjëherë që të ndalet dhuna”.

    Mëngjesin e 1 dhjetorit, Izraeli nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, pasi marrëveshja njëjavore e armëpushimit përfundoi.

    Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, akuzuan njëri-tjetrin për dështim të arritjes së një pajtimi për zgjatjen e armëpushimit.

    Katari ka luajtur rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes së parë të armëpushimit, që hyri në fuqi më 24 nëntor. Marrëveshja fillestare ishte paraparë të zgjaste katër ditë, por ajo u zgjat deri më 1 dhjetor, me ndërmjetësimin e Katarit dhe Egjiptit.

    Marrëveshja parashihte lirimin e pengjeve që Hamasi mori gjatë sulmit fillestar të 7 tetorit, në këmbim të lirimit të palestinezëve që mbahen në burgjet izraelite.

    Gjatë shtatë ditëve armëpushim u liruan 83 izraelitë, përfshirë persona me shtetësi të dyfishtë. Po ashtu, 24 pengje të tjerë – 23 tajlandezë dhe një filipinas – u liruan, përfshirë edhe disa burra.

    Është e paqartë se në mesin e pengjeve të mbetura në Gazë sa prej tyre janë gra e sa ushtarë.
    Izraeli ka thënë se afër 125 burra janë ende duke u mbajtur peng.

    Lufta midis Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 240 të tjerë.

    Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë të pareshtur ajrore dhe tokësore në Gazë, duke vrarë mbi 13.300 persona. Si pasojë e luftimeve, mbi tri e katërta e popullsisë prej 2.3 milionë banorëve në Gazë është zhvendosur.

    Sulmet fillestare të Izraelit u përqendruan në veri të Gazës, por me rinisjen e luftimeve, zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar banorët në jug të territorit palestinez që të largohen, duke sugjeruar se Izraeli po e zgjeron ofensivën e saj edhe në jug./REL/

  • Kurti thotë se nuk ka takim të caktuar këtë vit në Bruksel

    Kurti thotë se nuk ka takim të caktuar këtë vit në Bruksel

    Kryeministri Albin Kurti, tha se nuk është në dijeni për ndonjë takim të planifikuar në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq gjatë muajt dhjetor.

    Kurti tha se ai si kryeministër, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë gjithmonë të përkushtuara, konstruktive dhe kreative, por sipas tij, nga sulmi terrorist në Banjskë, duhet theksuar se prioriteti i Kosovës është siguria.

    “…si kryeministër, Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë qenë gjithmonë të përkushtuara, konstruktive dhe kreative, por nga sulmi terrorist në Banjskë, prioriteti i Kosovës është siguria”.

    “E siguria është siguria e kufijve. Ne duam normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por nuk mund të kemi normalizim pa siguri, e siguria nënkupton që kriminelët nuk duhet të jenë të lirë siç po ngjanë në Serbi”.

    Takimi i fundit në Bruksel i Kurtit me krerët e BE-së në kuadër të dialogut ishte më 26 tetor.

    Ai nuk ka pranuar që të komentojë rezultatin e zgjedhjeve në Serbi dhe mundësi që shqiptarët të fitojnë ndonjë mandat në Kuvend, por që tha se ndihmat për shqiptarët atje nuk do të mungojnë nga 2 milionë sa ishte këtë vit, 3 milionë euro do të ndahen vitin tjetër.

  • 53-milionëshi, eksperti thotë se s’është kompetencë e KRPP-së të bëjë interpretimin e kushteve dha as kontratës së autostradës

    53-milionëshi, eksperti thotë se s’është kompetencë e KRPP-së të bëjë interpretimin e kushteve dha as kontratës së autostradës

    Përfaqësuesi i Komisionit Rreglativ të Prokurimit Publik (KRPP), eksperti Ismail Rushiti ka deklaruar se ky institucion nuk e ka nën kompetencë të bëjë interpretimin e kushteve dha as kontratës së nënshkruar me “Bechtel&Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

    Këtë qëndrim Rushti, në cilësi të dëshmitarit, e ka dhënë të premten në rastin e njohur si “53 milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik, Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Rushiti ka deklaruar se është jashtë funksionit të KRPP-së çfarëdo interpretimi i kushteve apo dispozitave të kontratës së nënshkruar për autostradën ”Arbën Xhaferi”

    Ndërkaq, edhe eksperti i prokurimit publik, Agim Sheqiri, është duke dhënë dëshminë e tij në këtë seancë.

    Sheqiri po shpjegon ekspertizën financiare që e ka hartuar për këtë rast.

    Në seancën e fundit, e mbajtur më 23 nëntor, është kërkuar që për këtë rast të hetohet edhe ish-ministri Lutfi Zharku për deklarim të rrejshëm.

    Ndryshe, në seancën e mbajtur më 29 shtator 2023, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe shefi i kabinetit të ish-ministrit Lekaj, dëshmitari Argjend Zejnaj.

    Ndërkaq, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj 2022, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale që iu vihet në barrë.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2022, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

    Ndërsa, më 9 shkurt 2022, PSRK njoftoi se lidhur me këtë rast, më ç8 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

  • Haradinaj me urim të veçantë për ditëlindjen e Rifat Jasharit

    Haradinaj me urim të veçantë për ditëlindjen e Rifat Jasharit

    Rifat Jashari, vëllai i komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, feston sot ditëlindjen e tij të 75-të.

    Me këtë rast, Ramush Haradinaj i ka dedikuar Jasharit një urim të veçantë.

    Kryetari i AAK-së, në një postim në rrjetet sociale të premten, i ka uruar Jasharit shumë ditëlindje të tjera pranë nipërve dhe mbesave të tij.

    “I dashur baca Rifat, Të uroj edhe shumë ditëlindje të tjera pranë nipërve e mbesave tuaja, me shëndet e mbarësi!”, ka shkruar Haradinaj.

  • Presidentja Osmani më 15 dhjetor i drejtohet Kuvendit me fjalimin vjetor

    Presidentja Osmani më 15 dhjetor i drejtohet Kuvendit me fjalimin vjetor

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me 15 vjetor do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, në fjalimin vjetor, raporton EO.

    Këtë e ka konfirmuar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Besnik Tahiri, duke sqaruar se me 14 dhjetor do të ketë seancë për votimin në lexim të dytë të buxhetit.

    Tahiri e ka kritikuar Qeverinë që asnjë nga amendamente e propozuar nga opozita nuk i kanë marrë parasysh.

    “Sot është thirrur një mbledhje e Kryesisë e cila nuk ka kuorum për t’u mbajtur megjithatë u diskutuar për mbajtjen e dy seancave, atë të buxhetit me 14 dhjetor dhe me 15 për raportim e presidentes Osmani”.

    “Ajo që unë dua të them lidhet me buxhet fatkeqësi e madhe është për këtë vend që amendament të cilat janë dorëzuar nga shumica e deputetëve nuk do të trajtohen nga Komisionin për Buxhet dhe nuk do të marrin mbështetjen e kuvendit. Buxheti i miratuar në këto rrethana nuk përkon me kërkesat as të sektorit publik e privat”.

  • Abdixhiku i reagon Aliut: Kosova është e përhershme

    Abdixhiku i reagon Aliut: Kosova është e përhershme

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

    Abdixhiku në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se Kosova sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj.

    “Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit? Republika e Kosovës, sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë. Prandaj betimi mbi Republikë është farsë. Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri. Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje. Këta kanë atdhe të dytë. Ne kemi vetëm Kosovën”, ka shkruar ai.

    Kreu i LDK-së gjithashtu është shprehur se Kosova është e përhershme.

    “LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë. Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik! Prandaj dhe zgjedhja juaj është fare e lehtë. Sepse Kosova është e përhershme”, shkroi tutje Abdixhiku.

  • Kurti s’e komenton deklaratën e ministrit Aliu – për autostradën e Gjilanit thotë se dolën disa probleme

    Kurti s’e komenton deklaratën e ministrit Aliu – për autostradën e Gjilanit thotë se dolën disa probleme

    Kryeministri Albin Kurti, nuk e ka komentuar deklaratën e vartësit të tij, ministrit Liburn Aliut, që tha se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë, raporton Ekonomia Online.

    Kurti nga Gjilani kur u pyet për komentet rreth kësaj deklarate shtoi se nuk e ka pa dhe se në Gjilan është për punën dhe projekte të tjera.

    “Nuk po më duhet e përshtatshëm që unë të komentojë emisione televizive që nuk i ka pa, por zëdhënësi im Përparim Kryeziu më tha që ai ka qenë emision festiv, por këtu sot jemi për punë që po bëhen për qytetarët në të mirën e tyre dhe ky është përqendrimi ynë”.

    Përderisa kur foli për autostradën e Gjilanit, tha se kanë dal probleme me rrëshqitjen e dheut, për çka sqaroi se duhet të riformatohet kontrata dhe të bëhen edhe disa shpronësime, raporton EO.

    “Edhe unë e ndaj me juve brengën për autostradën munguar të Gjilanit tash e 7 vjet. Kohëve të fundit ajo çfarë është shqetësim është fakti se janë paraqitur disa problem të rrëshqitjes së dheut na duhet ta riformtimin e kontratës që të bëhet edhe disa shpronësime që të sanohen këto probleme që na janë shfaqur”.

    “Përderisa po eci me shpejtësi na është shfaqur ky problem. Për vazhdimin e autostradës nga Bresalci në Dheun e Bardh e kemi ndarë buxhetin dhe në prill fillon tenderimi”.

  • Tahiri i kërkon Qeverisë të reflektojë karshi kërkesave të Policisë, zjarrfikësve dhe veteranëve

    Tahiri i kërkon Qeverisë të reflektojë karshi kërkesave të Policisë, zjarrfikësve dhe veteranëve

    Shefi i Grupi Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit foli për buxhetin, duke thënë se mazhoranca duhet të reflektojë karshi disa kërkesave.

    Ai tha se duhet reflektim ndaj kërkesave të policisë, zjarrfikësve dhe veteranëve.

    “Sa i përket buxhetit, si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i kërkojmë mazhorancës që të reflektojë karshi kërkesave të Policisë së Republikës së Kosovës, karshi kërkesave të zjarrfikësve, karshi kërkesave të disa kategorive sociale të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme, karshi kërkesave të veteranëve, që të plotësohen ato dhe të amandamentohet buxheti tash pra ku janë amandamentet në komision, që do të vije në lexim të dytë, të plotësohen këto kërkesa”, tha ai.

  • Tajani: Hamasi nuk dëshiron dialog, ne duhet të punojmë për pengjet

    Tajani: Hamasi nuk dëshiron dialog, ne duhet të punojmë për pengjet

    Hamasi nuk dëshiron dialog, por Izraeli dhe Perëndimi duhet të vazhdojnë të negociojnë për lirimin e pengjeve izraelite, tha të premten zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani.

    Duke folur për Radio24 pasi Hamasi vrau tre izraelitë në një sulm në Izrael të enjten, Tajani tha se “në këto orë fatkeqësisht ka pasur një përkeqësim të situatës midis Izraelit dhe Hamasit”.

    Ai tha se “pas armëpushimit ne shpresonim se mund të zgjatej, të gjithë këmbëngulëm që duhet të kishte edhe disa ditë, për të lejuar ndihmën për civilët në Gaza.

    “Por qartësisht Hamasi me sulmin e djeshëm dhe lëshimin e raketave këtë mëngjes ka vendosur të komunikojë qartë se nuk ka mundësi për dialog.

    “Por tani ne duhet të vazhdojmë të punojmë sepse ka shenja se mund të ketë ende dialog falë Katarit.

    “Dialogu ndërkombëtar vazhdon, por nuk është i lehtë, le të shpresojmë se mund ta zgjidhim çështjen e pengjeve”. /ANSA/