ATV

Category: Lajme

  • Lavrov: Serbia nuk do të hapë asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në, nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë

    Lavrov: Serbia nuk do të hapë asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në, nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë

    Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha sot në Shkup se Serbia nuk do të hapë asnjë kapitull të ri në negociatat me Bashkimin Evropian (BE) nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.

    “Nëse doni të anëtarësoheni në BE, nuk mendoj se do të hapni një kapitull të ri nëse nuk ndiqni të gjitha vendimet e BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë”, tha Lavrov në një konferencë për shtyp gjatë Këshillit Ministror të OSBE-së, duke u përgjigjur pyetja e një gazetari për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

    Siç theksoi kreu i diplomacisë ruse, kjo është “një mënyrë për të bindur BE-në”.

    “Kështu i bindin serbët të pranojnë që Kosova të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare. A është realiste”, shtoi Lavrov.

    Duke folur për dialogun e sponsorizuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Lavrov tha se 10 vjet më parë është arritur marrëveshja për statusin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe se asgjë nuk ka ndodhur pas 10 vitesh, sepse, siç pretendon ai, Pala kosovare refuzon kategorikisht të përmbushë obligimet e saj.

    “Njerëzit që janë emëruar si liderë të këtij rajoni serb refuzojnë kategorikisht të pranojnë zotimet. A ka kërkuar diçka BE-ja nga pala kosovare? Jo. BE-ja kishte kërkesa vetëm nga komuniteti serb. Ata tashmë kanë sjellë një dokument që ndryshon dhe përmban parime të ndryshme nga ato për të cilat është rënë dakord mes Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lavrov, transmeton Beta.

    Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008 dhe de facto ka humbur të gjithë kontrollin mbi atë krahinë që nga bombardimet e NATO-s, gjë që detyroi forcat serbe të tërhiqen pas luftës kundër luftëtarëve të pavarësisë së Kosovës.

    Beogradi e kundërshton pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, edhe pse atë e njohin më shumë se 110 shtete, duke përfshirë edhe shumicën e anëtarëve të BE-së, në të cilat ka mbështetjen e Rusisë.

  • Vuçiq viktimizohet: Shkaku i Kurtit serbët e Kosovës s’mund të votojnë në zgjedhjet tona

    Vuçiq viktimizohet: Shkaku i Kurtit serbët e Kosovës s’mund të votojnë në zgjedhjet tona

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten se zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit nuk do të mbahen në zonat serbe në Kosovë, sepse, siç u shpreh ai, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk dëshiron t’i lejojë serbët të kenë të drejta elementare”.

    “Perëndimi do të thotë se nuk ka mundësi për t’i bërë presion Kurtit dhe do të lëshojë një deklaratë. Tashmë ka pasur një deklaratë nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe kaq”, tha Vuçiq në Dubai, ku po merr pjesë në Samitin e liderëve për ndryshimet klimatike, raporton Beta.

    Ai tha se “Kurti insiston ekskluzivisht në njohjen e pavarësisë së Kosovës si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve”.

    “Ne duhet ta njohim Kosovën në mënyrë që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Pikë. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Dhe, këtë e dinë të gjithë në Serbi dhe në Evropë. Është mirë që ata do të reagojnë për këtë, por ne nuk do të kemi asgjë nga ai reagim”, tha Vuçiq.

    Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.

    Duke iu përgjigjur zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), i cili kritikoi Kosovën për ndalimin e mbajtjes së atyre zgjedhjeve në territorin e Kosovës, Bislimi tha se përpjekja për organizimin e zgjedhjeve të “një shteti tjetër në Kosovë” pa kërkesë paraprake, nuk është në frymën e dialogut.

    Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Më pas, ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.

    Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.

    Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

    Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.

    Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

    Vendet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca – dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës.

    Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

    Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020.

  • BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    BE-ja kërkon kushtëzimin e integrimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën

    Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

    Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme. Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

    REL ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitura për këtë takim, ku nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

    “Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

    Pikërisht, përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.

    Marrëveshja, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

    Deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht.

    Ministrat e BE-së duhet të miratojnë konkluzat e takimit të 12 dhjetorit, ndërkaq të njëjtat më pas duhet të miratohen edhe nga liderët e BE-së në samitin e Këshillit Evropian që do të zhvillohet më 14 dhe 15 dhjetor.

    Në draftin e konkluzave për Serbinë edhe një herë do t’i bëhet thirrje Beogradit që të bashkëpunojë plotësisht që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj civilëve, ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë protestës së dhunshme të serbëve lokalë më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

    Serbisë po ashtu i kërkohet që të sjellë para drejtësisë edhe sulmuesit e Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë.

    Gjatë sulmit, që Kosova e cilëson terrorist dhe e fajëson Serbinë për të, u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve të armatosura gjatë 24 shtatorit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë. Beogradi, ndërkaq ka mohuar se ka gisht në këtë sulm.

    “Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

    Në pjesën ku flitet për obligimet e Serbisë për të ndërmarrë masa për të sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve, thuhet se Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.

    Sipas draft-konkluzave, Këshilli kërkon nga Serbia që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa të tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”, thuhet në dokument.

    Po ashtu, në konkluza pritet që blloku të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia.

  • Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë

    Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për vrasjen e vjehrrit në Prishtinë

    Është arrestuar Edon Bujupi, personi i cili vrau vjehrrin e tij, Ali Kosova, në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur dy ditë më parë, më 29 nëntor.

    Bujupi po dyshohet se ka therur me thikë babanë e gruas, 52-vjeçar, në rrugën “Ali Vitia”, në Prishtinë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se viktima nuk ka mundur të ju bëj ballë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në QKUK.

  • Pse do të duhej përforcim i përhershëm i NATO-s në Kosovë?

    Pse do të duhej përforcim i përhershëm i NATO-s në Kosovë?

    E vendosur në Kosovë nga viti 1999, NATO-ja është duke shqyrtuar tani shtimin e përhershëm të trupave të saj. Sipas disa analistëve, ky zhvillim do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit, por se nuk do të jetë i mjaftueshëm.

    Lidhur me mundësinë e rritjes së prezencës së KFOR-it, ka folur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    “Kemi parë dhunë serioze në Kosovën veriore, ndarje e gjuhë përçarëse në Bosnjë-Hercegovinë, dhe përpjekje për ndërhyrje nga jashtë nga ana e Rusisë. Bashkë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për siguri do të diskutojnë për rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Kjo është me rëndësi për NATO-n”, ka thënë Stoltenbergu.

    Ai ka shtuar se pavarësisht zhvillimeve në rajonet e tjera të botës, NATO-ja nuk e ka humbur fokusin nga Ballkani Perëndimor.

    “Kemi histori atje, kemi prezencë dhe së fundi kemi rritur prezencën duke shtuar mijëra trupa të reja. Tani po vlerësojmë nëse duhet të ketë një rritje më të qëndrueshme dhe nëse ka nevojë për ndonjë aftësi të re të veçantë. Por tashmë i kemi ndërmarrë hapat e domosdoshëm duke rritur prezencën tonë”, ka theksuar Stoltenberg.

  • Draft-statuti i Asociacionit në duart e partive opozitare

    Draft-statuti i Asociacionit në duart e partive opozitare

    Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë pranuar një kopje të draft statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga zyra e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, raporton Gazeta Sinjali.

    Këtë e kanë konfirmuar zyrtarët e partive, por që nuk kanë dhënë detaje shtesë.

    Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, tha shkurtimisht për Sinjalin se kopjen e draftit e kanë pranuar dje.

    “Partia Demokratike e Kosovës dje e ka pranuar një kopje të draftit të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Zyra e të Dërguarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Abdullahu.

    Po ashtu, edhe zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, tha se partia ka pranuar draftin, por për detaje shtesë do të flasin më vonë.

    E, përmes një kumtese për media, AAK-ja ka njoftuar se kopjen e draftit e kanë shpërndarë te të gjithë anëtarët e partisë, të cilëve u kanë kërkuar që t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me dokumentin.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pranuar verzionin zyrtar të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Të njëjtin i ka shpërndarë gjithë anëtarëve të kryesisë së Aleancës. Është kërkuar nga anëtarët e kryesisë t’i bëjnë komentet e tyre lidhur me draft-statutin dhe të njëjtat do të diskutohen në mbledhjen e radhës së kryesisë së Aleancës, të thirrur më datë 7 dhjetor, në ora 17:00. Pas komenteve të anëtarëve të kryesisë, AAK do të dalë me qëndrim publik lidhur me draft-statutin e Asociacionit. Deri në atë kohë nuk do të ketë prononcime të tjera për këtë temë”, thuhet në njoftim.

  • Baerbock në Shkup i bëri thirrje Putinit që t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Baerbock në Shkup i bëri thirrje Putinit që t’i japë fund luftës në Ukrainë

    Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë menjëherë agresionin kundër Ukrainës, raporton agjencia gjermane e transmeton Meta.mk.

    “Ndaloni vuajtjet e papërshkrueshme që u keni sjellë miliona njerëzve,” këmbënguli Baerbock sot në Këshillin Ministror të OSBE-së të mbajtur në Shkup.

    Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov nuk ishte në sallë kur foli Berbok. Ministrja gjermane e theksoi veçanërisht këtë akt.

    “Lavrov me sa duket vjen sallë, si në seancat e tjera, vetëm për të folur, por jo për të dëgjuar të tjerët. Për të ndaluar luftën, nuk nevojiten negociata, nuk nevojiten mbetje të Ukrainës për këtë”, tha Annalena Baerbock.

    “Rusisë i mbetet vetëm të vendosë”, shtoi ajo, “për t’iu përmbajtur parimeve bazë të kësaj organizate, OSBE-së, për të tërhequr forcat ushtarake dhe për të sjellë paqe”.

    Baerbock kritikoi Rusinë për mbajtjen në burg të tre anëtarëve të misionit monitorues të OSBE-së në Ukrainë, një shkelje brutale e rregullave tona të përbashkëta të OSBE-së.

    Për të funksionuar OSBE-ja, është e nevojshme urgjentisht vazhdimi i mandatit të Sekretares së Përgjithshme Helga Schmid dhe përfaqësuesve të kësaj organizate për demokraci, liri mediatike dhe minoritete, tha ministrja gjermane.

    Ndryshe, Helga Schmid dhe tre kolegët e saj do të duhet të largohen nga pozitat e tyre në fillim të dhjetorit.

    “Nëse nevojitet një kompromis, ne jemi gati. Por një kompromis për hir të një kompromisi nuk është më një kompromis, por një bllokadë e plotë”, theksoi Baerbock.

    Ajo e mbylli fjalimin e saj në anglisht me fjalët “të shpëtosh OSBE-në do të thotë të mbrosh popullin tonë, është përgjegjësia jonë”.

    OSBE ka 57 vende anëtare dhe aktualisht është në një krizë të rëndë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe për shkak se Moska po bllokon punën e kësaj organizate.

    Në OSBE të gjitha vendimet merren me pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare. Me politikën e vetos, Rusia pengoi Estoninë të kryesonte Organizatën vitin e ardhshëm. Vetëm këtë të hënë, pas negociatave, u vendos që kryesia e Organizatës t’i jepet Maltës dhe ai vendim të zyrtarizohet në Shkup.

  • “Shtylla e fortë e familjes”, Bekim Jashari ia uron ditëlindjen axhës së tij Rifat Jasharit

    “Shtylla e fortë e familjes”, Bekim Jashari ia uron ditëlindjen axhës së tij Rifat Jasharit

    Bekim Jashari, djali i dëshmorit Hamëz Jashari, të premten, 1 dhjetor, ia ka uruar ditëlindjen kryefamiljarit të familjes së, Rifat Jashari.

    Ai përmes një postimi në Fcaebook, ka shprehur respektin ndaj mixhës së tij, duke e përshkruar si shtyllën e fortë të familjes, dhe duke thënë se ai ka qenë një mbështetje e pashoqe për babain dhe familjen gjatë gjithë jetës së tij.

    Në deklaratën e tij, Jashari paraqet mixhën si një njeri të fortë dhe krenar, i cili ka kontribuar në mbajtjen e familjes dhe ka qëndruar i fortë edhe në momentet e vështira, duke përmendur periudhën e betejave të 5, 6 dhe 7 marsit 1998.

    Po ashtu, ai ka theksuar rëndësinë e kontributit të mixhës në mobilizimin e komandantit Legjendar, Adem Jasharit dhe shokëve të tij, duke e vlerësuar rolin e tij thelbësor në këtë kontekst.

    “Që nga fëmijëria mixha Rifat ishte bërë krah i djathtë i babës Shaban, me të cilin ishin bërë si vëlla, duke ndihmuar atë në mbajtjen e familjes. Kështu na rrëfente nëna Zahide jetën dhe kontributin e mixhës tonë. Kontributi i tij në mobilizimin e Komandantit Legjendar Adem Jasharit, babushit Hamëzes dhe shokëve të tyre ishte thelbësor. Ai qëndroi i fortë edhe pas rënies së familjes duke qenë krenar me vëllezërit, babën Shaban, nipat dhe të gjithë familjen që ranë në betejën e 5,6 dhe 7 marsit 1998”, ka shkruar ai në Facebook.

    Jashari shpreh dëshirën për të uruar mixhën në ditëlindjen e tij dhe shprehet se ata do të vazhdojnë të kujtojnë dhe nderojnë amanetin e lënë nga të ndjerët.

    Urime datëlindjen mixhë i dashur, të urojmë edhe shumë vite tjera të lumtura bashkë me ne dhe nipat, mbesat e sternipat që aq shumë i do e të duan! Baba Shaban, Komandanti Legjendar Adem Jashari e babushi Hamëza pushojnë të qetë ngase t’i ua përmbushe me sukses amanetin e tyre për familjen dhe femijët që t’i kishin lënë amanet. Të paqim gjatë i dashur mixhë!”, ka shkruar djali i dëshmorit, Hamzë Jashari, Bekim Jashari.

  • Sveçla në Zagreb ia shpalos homologut kroat dëshmitë për sulmin terrorist në Banjskë

    Sveçla në Zagreb ia shpalos homologut kroat dëshmitë për sulmin terrorist në Banjskë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është pritur nga homologu i tij kroat në Zagreb, Davor Božinović, me të cilin foli për sigurinë në Kosovë, veçanërisht për atë në veri të vendit.

    Sveçla tha se e ka njoftuar atë për dëshmitë e institucioneve kosovare që tregojnë përfshirjen direkte të shtetit të Serbisë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

    “Z. Božinović e njoftova për përkushtimin dhe rezultatet tona në luftën kundër çdo lloj krimi që cenon sigurinë e vendit tonë dhe qytetarëve tanë dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë si dhe për gatishmërinë për të thelluar dhe më tutje bashkëpunimin mes dy ministrive tona. Biseduam për situatën e sigurisë dhe rreziqet e mundshme për destabilizim të rajonit, me fokus tek sulmet e njëpasnjëshme të strukturave kriminale të Serbisë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve tanë në veriun e vendit tonë e veçanërisht për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë Rreshter Afrim Bunjaku. E njoftova për dëshmitë e institucioneve tona që tregojnë lidhjen dhe angazhimin direkt të Serbisë me të gjithë mekanizmat e saj në realizimin e këtij sulmi”.

    Sveçla tha se institucionet e Kosovës gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer me ato të Kroacisë dhe tha se “duke njohur faktin që vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të kontribuojmë për sigurinë në rajon dhe më gjerë, u dakorduam për thellim të mëtejmë të raporteve tona shtetërore”.

  • Mungojnë ministrat, Musliu: Kjo është një seancë hajgare

    Mungojnë ministrat, Musliu: Kjo është një seancë hajgare

    Partitë opozitare kanë kritikuar ministrat për mos-prezencën e tyre në seancë plenare. Deputetët thanë se kjo është pa përgjegjshmëri dhe se nuk po arrijnë të parashtrojnë pyetjet parlamentare për kabinetin qeveritar.

    Paraprakisht, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujveci tha se kryeministri dhe disa ministra nuk janë të pranishëm për shkak të agjendës.

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se është e pakuptimtë të qëndrojë në këtë seancë plenare, meqë ministrat nuk janë të pranishëm.

    “E kam bërë një pyetje për ministrin Xhelal Sveçla me datën 5 qershor 2023. Sot jemi në dhjetor, 1 dhjetor dhe ai nuk vjen të përgjigjet. Vet fakti që unë kam pyetje parlamentare sot për Liburn Aliun dhe për Xhelal Sveçlën dhe as sot nuk janë këtu, nuk e di pse janë vlen ne të rrijmë këtu në këtë seancë më. Ose koordinohuni me kabinetin qeveritar, që ata të vijnë ta kryejnë obligimin ndaj kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ose mos i thirrni këto seanca koti. Kjo është një seancë hajgare, kjo është një seancë e cila edhe një herë përfundimisht e degradon Kuvendin e Republikës së Kosovës. Jemi bërë qesharak, asgjë nuk ka mbetur më në këtë kuvend”, deklaroi ajo.

    Më pas reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se është seancë e veçantë me pyetje parlamentare.

    “Deputetët sot të cilët kanë dërguar pyetje për ministrat janë këtu, nuk kërkohet kuorum. Prandaj secili t’i parashtron pyetjet për ministrat që janë. Në anën tjetër, zonja Musliu duhet ta kuptojë një gjë. Grupi i tyre parlamentar ka muaj të tërë që nuk marrin pjesë në asnjë votim. Nëse dikush i ka kontribuar degradimit në Kuvend të Kosovës janë këta, duke mos marrë pjesë në asnjë votim…Prandaj le t’i parashtrojnë pyetjet për këta ministra që janë dhe le të ecim tutje”, u shpreh ai.

    Edhe Musliu kërkoi të replikojë, megjithatë nënkryetarja Saranda Bogujevci tha se nuk lejohet një gjë e tillë.

    Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj u shpreh se është pa përgjegjësi e kabinetit qeveritar, meqë nuk po marrin pjesë në këtë seancë plenare.

    “Kjo seancë është caktuar prej qeverisë edhe sot kanë marrë zotim, është një seancë e veçantë që është caktuar nga kryesia e kuvendit që sot të parashtrohen pyetjet parlamentare. Nëse është marrë një vendim që të parashtrohen sot dhe të jetë dita e pyetjeve parlamentare, sot në këtë foltoren këtu para është dashur me qenë të gjithë ministrat, të cilët nga deputetët ju kanë parashtruar pyetjet. Nuk po i kuptoj këta të Vetëvendosjes, ne nëse kishim dashur të bëjmë pyetje parlamentare me deputetë dhe me u përgjigj deputetët s’kemi pasur nevojë të thërrasim një seancë të tillë fare”, përfundoi ajo.

    Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e quajti të papërgjegjshme qeverinë.

    “Është obligimi i juaj si udhëheqëse e kësaj seance së pari të siguroni kushtet për mbarëvajtjen, fillimin e një seance kuvendore. Pa marrë parasysh a janë në pyetje parlamentare, është një rend i ditës i cili duhet të plotësojë kushtet sipas rregullores së punës së kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës. E dyta, është tepër e papërgjegjshme dhe shumë e keqe për demokracinë nëse tentohet që instrumenti i mbikëqyrjes, siç janë pyetjet parlamentare, të ketë edhe minimumin e asaj që quhet relativizim ose njëfarë mënyre e injorimit të deputetëve”, u shpreh ai.