ATV

Category: Lajme

  • Sveçla: Për grabitjen e armatosur në Suharekë janë arrestuar 8 persona, një është në kërkim

    Sveçla: Për grabitjen e armatosur në Suharekë janë arrestuar 8 persona, një është në kërkim

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njofton se deri më tani numri i të arrestuarve për grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë, ka shkuar në 8-të. Ai tha se policia është në kërkim edhe të një personi tjetër, i përfshirë në këtë rast.

    Ai deklaron se krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar dhe se “vendi i kriminelëve është burgu”.

    I njëjti u ka uruar shërim policëve që u plagosën ga të dyshuarit.

    Reagimi i tij i plotë:

    Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar.

    Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.

    Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intenzive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njejti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar tetë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë.

    Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë.

    Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj.

  • IPK-ja nis hetim për reagimin e Policisë në protestën e PSD-së

    IPK-ja nis hetim për reagimin e Policisë në protestën e PSD-së

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Të padrejta e të jashtëligjshme i konsiderojnë anëtarë të Partisë Socialdemokrate arrestimet që iu bënë të mërkurën 6 aktivistëve të saj.

    PSD-ja të mërkurën protestoi kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në Prishtinë.

    “Dje nuk u kursyen as mediat, dhuna e pushtetit eskaloi dhe nuk kishte për qëllim as të mbronte objektin e as të menaxhonte situatën. Por kishte për qëllim ta pengonte transmetimin e kundërshtimin tonë ndaj vizitës së Trendafilovas në Kosovë”, tha aktivistja e PSD-së, Donjeta Demolli.

    E duke kërkuar lirimin e 6 anëtarëve, PSD-ja në një konferencë për media prezantoi fotografi që, sipas saj, dëshmonin dhunën e Policisë.

    “Ajo çka është përdoruar prej anës protestave nuk janë përdoru armë. Mjete piroteknike ato që jenë petarda. Ato janë tymos që përdoren në ndeshje sportive atë zhurmë që e keni ndje këto nuk përbëjnë armë. Nuk ka vepër penale, nuk janë përdor prej anës tonë armë. Frikën që e kem duam me nda me ju. Bombolat e gazit kanë qenë të përdorura prej anës së Policisë kundër protestuesve””, tha aktivisti i PSD-së, Dren Kukaj.

    Gjatë ditës, Inspektorati Policor ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar reagimin policor në menaxhimin e protestës.

    Në njoftim thuhet se lidhur me reagimin policor ka pasur ankesa dhe reagime publike edhe nga gazetarë, përfshirë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

  • 2 euro false, bizneset nuk i pranojnë më

    2 euro false, bizneset nuk i pranojnë më

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Para janë, por s’kryejnë punë.

    Tash e një kohë, qytetarët nuk mund të paguajnë me monedhën metalike 2 euro. Prania e madhe e parave të falsifikuara në tregun kosovar, bëri që shumë biznese të mos i pranojnë ato.
    Megjithatë, kjo po vlerësohet si rrugë jo e drejtë për t’u mbrojtur nga paratë false.

    “Në këtë situatë shpesh i kemi pa bizneset që nuk po i pranojnë monedhat prej 2 eurosh, çka është e kundërligjshme dhe e dëmshme në përgjithësi për tregun dhe e dëmton konsumatorin, sepse ai nuk mund të paguajë edhe nëse i ka monedhat origjinale”, tha njohësi i ekonomisë, Zekrija Shabani.

    Ky vendim i bizneseve, sipas njohësit të ekonomisë, Zekirja Shabani, e dëmton ekonominë kosovare në masë të konsiderueshme.

    “Në këtë mënyrë nëse nuk gaboj janë mbi 2 milionë euro para prej 2 eurove që janë në qarkullim dhe automatikisht pra nga ekonomia hiqen 2 milionë euro”, tha Shabani.

    Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës nuk parasheh ndonjë veprim konkret për ta luftuar këtë dukuri.

    “Në kuadër të përgjegjësive të saj, BQK-ja është duke u koordinuar në aspektin ndërinstitucional me organet përgjegjëse, për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale. Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

    Ndërkohë, të mërkurën tre persona nga Kosova dhe tre të tjerë nga Maqedonia e Veriut janë arrestuar, në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale. Në këtë operacion u sekuestruan 85 mijë euro në monedha 2-euroshe, që dyshohet se ishin të falsifikuara.

  • Grabitja në Suharekë, një i vrarë, dy policë të plagosur dhe shtatë persona të arrestuar

    Grabitja në Suharekë, një i vrarë, dy policë të plagosur dhe shtatë persona të arrestuar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Tetë ditë pas grabitjes së armatosur në një argjendari në Suharekë, një operacion i gjerë i Policisë, në shtatë lokacione të ndryshme në tri komuna, rezultoi me një të dyshuar të neutralizuar, disa të arrestuar, ndërsa një person mbetet në kërkim.

    Sipas Policisë, i dyshuari shtiu me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve, derisa përpos Prishtinës operacioni është kryer edhe në Fushë-Kosovë dhe Carralevë.

    “Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar ta përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë.

    Polici i plagosur, sipas njoftimit zyrtar, është jashtë rrezikut për jetën.
    Personi i eliminuar nga Policia gjatë aksionit është Dukagjin Gashi.
    Në mesin e të arrestuarve janë: K.G., B.B., L.C. dhe T.B.

    “Personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale, si: vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje etj”, thuhet në njoftimin e Policisë dhe Prokurorisë.

    Më 22 Nëntor, katër persona të maskuar kryen një grabitje të armatosur në Suharekë, në të cilën një polic ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar.

    Lidhur me rastin, më herët janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, dy prej të cilëve janë ende në paraburgim dhe një është liruar në procedurë të rregullt.

  • Të shtunën testohet alarmi publik në Prishtinë

    Të shtunën testohet alarmi publik në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës njofton se këtë të shtunë do të bëhet testimi i radhës i Sistemit të Alarmit Publik.

    Testimi është menduar që të bëhet në orën 12:05 dhe të bëhet dy herë nga 30 sekonda.

    “Të nderuar qytetarë, Ju njoftojmë se testimi i radhës i sistemit të Alarmit Publik do të bëhet me datë 02.12.2023 (e shtunë) ora 12:05 më zë të një trajtshëm dy here nga 30 sek.”, thuhet në njoftimin e komunës.

  • Largohet nga vendi i ngjarjes trupi i pajetë i të vrarit sot nga aksioni i Policisë

    Largohet nga vendi i ngjarjes trupi i pajetë i të vrarit sot nga aksioni i Policisë

    Është larguar nga vendi i ngjarjes trupi i pa jetë i personit të vrarë sot nga Policia e Kosovë i dyshuar për grabitjen e argjendarisë në Suharekë.

    Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka njoftuar se sot ka zhvilluar aksionin për kapjen e të dyshuarve për grabitjen e argjendarisë në Suharekë. Sipas njoftimit për media gjatë operacionit, ka pasur shkëmbim të zjarrit ndërmjet Policisë dhe të dyshuarit. I dyshuari Dukagjin Gashi është vrarë nga Policia e Kosovës, ndërkaq një polic është plagosur gjatë të shtënave me armë. Polici i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

    Policia e ka arrestuar të dyshuarit e tjerë për përfshirje në grabitjen e armatosur në Suharekë, Bujar Basha dhe Leutrim Cakolli. Njëri nga grabitësit e argjendarisë në Suharekë është arratisur pas shkëmbimit të zjarrit mes grupit të grabitësve me Policinë e Kosovës të enjten në Prishtinë.

    Më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

    Gjykata e Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim për dy të dyshuarit në lidhje me rastin e grabitjes në një argjendari në Suharekë.

    Të dy të dyshuarit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur.

    Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit gjatë një seance paraprake në Gjykatën e Prizrenit, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.

  • MD-ja memorandum me Bashkësitë fetare për të realizuar sesione informuese kundër dhunës

    MD-ja memorandum me Bashkësitë fetare për të realizuar sesione informuese kundër dhunës

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bën të ditur se sot ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me Bashkësitë Fetare.

    Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka njoftuar se qëllimi i memorandumeve është ndër të tjerash për të realizuar sesione informuese kundër dhunës për komunitetin fetar.

    “Me Myftiun, Naim Tërnava nga Bashkësia Islame, Imir Gashi nga Kisha Protestante Ungjillore dhe Don Kolë Dedaj nga Ipeshkvia Prizren-Prishtinë, të bashkuar kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj vajzave dhe grave. Sot, nënshkrova memorandume bashkëpunimi me Bashkësitë Fetare, përmes së cilave u pajtuam për realizimin e sesioneve informuese kundër dhunës për komunitetin fetar, dhe mobilizimin e liderëve në komunitet, si partner e bashkëpunëtorë në veprimet kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Sot dhe çdo ditë tjetër!”, ka theksuar ajo.

  • Kryeqyteti i Kinës raporton mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive

    Kryeqyteti i Kinës raporton mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive

    Autoritetet shëndetësore kineze thanë të enjten se mbi 72.000 raste të sëmundjeve infektive u raportuan në kryeqytetin Pekin gjatë javës së kaluar.

    Sipas Qendrës së Pekinit për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjithsej 72,475 raste të 16 sëmundjeve infektive të njoftueshme u raportuan në Pekin midis 20 dhe 26 nëntorit.

    “5 sëmundjet kryesore ishin gripi, infeksioni i ri i koronavirusit, sëmundje të duarve, këmbëve dhe gojës, sëmundje infektive të diarresë dhe sifilizi, që përbëjnë 99.4% të rasteve të raportuara të sëmundjeve infektive të njoftueshme”, raportoi e përditshmja me bazë në Pekin, Global Times, duke cituar qendrën.

    Të mërkurën, autoritetet shëndetësore u kërkuan qytetarëve të marrin masa paraprake pas disa rajoneve, përfshirë Tianjin verior, Zhejiang lindor dhe Guangdong jugor, raportuan një rritje të rasteve të gripit.

    Javën e kaluar, Shoqata Ndërkombëtare për Sëmundjet Infektive tha se sëmundjet e frymëmarrjes dhe pneumonia e padiagnostikuar janë në rritje në Kinë. Spitalet e fëmijëve në Pekin dhe Liaoning verior janë të mbingarkuar me raste “të papërcaktuara” të ngjashme me pneumoninë që besohet se kanë origjinën nga infeksionet bakteriale. /Anadolu Agency/

  • Gjykata ruse e shpall “ekstremiste” lëvizjen LGBT

    Gjykata ruse e shpall “ekstremiste” lëvizjen LGBT

    Gjykata Supreme e Rusisë e ka shpallur “ekstremiste” lëvizjen LGBT, një vendim i cili, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, do t’ia mundësojë vendit t’i luftojë edhe më shumë homoseksualët dhe transgjinorët.

    Pas një seance me dyer të mbyllura, gjykata tha më 30 nëntor se e ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për ta quajtur ekstremiste “lëvizjen ndërkombëtare LGBT”, duke ia ndaluar aktivitetet në Rusi.

    Grupet ruse për të drejtat e njeriut i kishin kërkuar gjykatës ta hidhte poshtë kërkesën e Ministrisë, duke thënë se “është e pamundur ta quash një grup njerëzish ‘lëvizje shoqërore’ thjesht sepse ata i takojnë një grupi shoqëror, apo sepse ata janë të bashkuar nga disa karakteristika personale”.

    Ky vendim është më i fundit në një sërë vendimesh kundër të drejtave të LGBT-së në Rusi.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e vazhdoi një ligj të vitit 2013, i cili e ndalon përhapjen e “propagandës homoseksuale” tek fëmijët, përfshirë tek njerëzit e të gjitha moshave.

    “Ky vendi i turpshëm dhe absurd përfaqëson një front të ri në fushatën e autoriteteve ruse kundër komunitetit LGBTI”, tha Marie Struthers, drejtoreshë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore në Amnesty International.

    “Vendimi rrezikon të ketë për pasojë ndalimin e të gjitha organizatave LGBTI, me shkelje shumë më të mëdha të lirisë së shprehjes dhe grumbullimit të lirë dhe paqësor, si dhe të të drejtës për të mos qenë i diskriminuar. Do të ketë ndikim ndaj shumë njerëzve”, shtoi ajo.

    Ligji rus ua ndalon qytetarëve dhe organizatat t’i mbështesin apo promovojnë organizatat ekstremiste, përfshirë shpalosjen e simboleve të tyre online. Ndëshkimet nisin nga gjoba deri te dënimi me burg.

    Ekspertët thonë se Putini po i sulmon LGBT dhe minoritetet e tjera për ta kënaqur bazën e vet konservatore para zgjedhjeve presidenciale në mars./REL/

  • Vendos qeveria, zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale

    Vendos qeveria, zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që të zgjatet afati për konvertimin e targave ilegale, deri më 15 dhjetor.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr.01/170 të datës 30 tetor 2023 , duke zgjatur kështu afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me denominimet “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” deri me 15 dhjetor 2023”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

    Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme tanimë ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

    Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit.

    Çështja e heqjes së targave, që Serbia lëshon për qytetet e Kosovës, ka shkaktuar një sërë krizash në dy vjetët e fundit, si dhe largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022.