ATV

Category: Lajme

  • Vrasja e Liridona Murselit, Policia arreston dy persona – po bastisen dy lokacione në Gjakovë

    Vrasja e Liridona Murselit, Policia arreston dy persona – po bastisen dy lokacione në Gjakovë

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për rastin e vrasjes së Liridona Murselit, vrasje kjo e cila tronditi vendin më 29 dhjetor në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Prishtinë.

    E ndjera është gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.

    Familja Murseli dyshohet se u përballën fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 33-vjeçare.

    Siç bën të ditur Policia e Kosovës, pas arrestimit të personave të dyshuar janë duke vazhduar bastisjet në dy lokacione të qytetit të Gjakovës.

    Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar. Njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës në koordinim me Prokurorinë është duke e vazhduar operacionin e bastisjes në dy lokacione në Gjakovë.”, thuhet në komunikatë.

  • Kurti vizitoi punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” dhe mori pjesë në përurimin e Parkut “Banja” në Gjilan

    Kurti vizitoi punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi” dhe mori pjesë në përurimin e Parkut “Banja” në Gjilan

    Vizitën e tij në Komunën e Gjilanit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e vazhdoi duke i përcjellë nga afër punimet në rrugën “Hamdi Kurteshi”.

    Ky projekt, arrin vlerën totale prej 2,4 milionë eurove dhe është bashkëfinancim nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 2 milionë euro dhe nga Komuna e Gjilanit me 400 mijë euro.

    Ai parasheh zgjerimin e rrugës përgjatë kazermës së FSK-së, nga 2 korsi sa ka qenë në 4, me gjatësi 600 metra. Gjithashtu, përfshin edhe mbulimin e shtratit të lumit Stanishorka, trotuare në dy anët e rrugës, si dhe shtegun për biçikleta.

    Pas vizitës së punimeve rrugore, kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Parkut “Banja”. Komunës së Gjilanit, me këtë investim prej 250 mijë eurove, iu shtua edhe një hapësirë e re me 17,000 metra katrorë e cila do të shërbejë për argëtim, sport dhe aktivitete të tjera rekreative.

    Jetësimi i Parkut “Banja” ka siguruar për qytetarët gjilanas dhjetëra drunj e një rrjedhë uji nga burimi nëntokësor. Gjithashtu ka edhe terrene sportive, përfshirë atë të tenisit e një fushë të basketbollit, 6 tavolina shahu, lodra për fëmijë dhe amfiteatër që ofron mundësi për aktivitete të ndryshme kulturore.

    Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, lidhur me përurimin e Parkut “Banja”, tha se tashmë kjo hapësirë është në shfrytëzim të qytetarëve tanë, të familjarëve, të fëmijëve, të sportistëve, të atyre që e duan gjelbërimin e që e duan ecjen.

    Një ndalesë tjetër të shkurtër, kryeministri e pati edhe tek vendpunishtja ku është duke u bërë rigjenerimi i ish-parkingut tek Posta e Vogël, duke integruar Xhepat e Gjelbër, për t’u shndërruar në Park Urban.

    Kryeministri Kurti gjatë kësaj dite ishte i shoqëruar nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Arbreshë Kryeziu Hyseni, si dhe ish-deputeti nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Ismajl Kurteshi.

  • Rrëshqitje dheu në aksin Elbasan-Qafë Thanë, thirrje drejtuesve për kujdes të shtuar

    Rrëshqitje dheu në aksin Elbasan-Qafë Thanë, thirrje drejtuesve për kujdes të shtuar

    Një sasi e madhe dheu e gurësh ka rrëshqitur sot në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Pishkash.

    Autoritetet shqiptare janë duke punuar për pastrimin e rrugës, ndërsa drejtuesve të automjeteve iu bëhet thirrje për kujdes të shtuar në atë zonë.

    Ky aks rrugor është një ndër më problematikët në vend për shkak të ngarkesës në qarkullim, por edhe si pasojë e rrëshqitjeve të dheut e gurëve gjatë periudhave me shira të rrëmbyer. /A2

  • ​Moti i keq, pezullohen lundrimet nga Durrësi drejt Italisë

    ​Moti i keq, pezullohen lundrimet nga Durrësi drejt Italisë

    Si pasojë e motit të keq, autoritetet detare shqiptare në bashkëpunim me kompanitë e lundrimit kanë vendosur pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së trageteve në të dyja drejtimet për linjat Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindizi e kthim gjatë ditës së premte.

    Krahas trageteve të këtyre linjave, është ndaluar edhe lundrimi i anijeve të tonazhit të vogël, përfshirë dhe flotën e peshkimit.

    Drejtoria e Përgjithshme Detare me qendër në portin e Durrësit bën me dije se ndërprerja e lundrimeve për tragetet e këtyre linjave dhe anijet e peshkimit bëhet pasi deti regjistron një forcë prej 7-8 ballësh dhe dallgëzimi në det të hapur arrin deri 3.5 metra.

    “Jemi njoftuar që për linjën Durrës-Bari-Durrës në të dy krahët do të ndalohet lundrimi i trageteve për arsye të forcës së detit që arrin deri në 7-8 ballë në det të hapur. Linja e Ankonës vazhdon normalisht. Në port situata është normale dhe ditën e nesërme do të normalizohet situata detare me nisjet drejt Barit në orën 22:00. Që ditën e djeshme, DPD ka njoftuar ekuipazhet e anijeve të vogla dhe ato të peshkimit që ndodhen në port të forcojnë masat e sigurisë në mjetet e tyre detare”, tha Tauland Allka, kapiten i Portit Detar Durrës.

    Në kushte të tilla detare, ndërprerja e lundrimit konsiderohet një masë e nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e pasagjerëve, ekuipazheve, anijeve dhe mallrave në det, pavarësisht se ajo ka pasojat e veta në aktivitetin detar dhe ekonominë lokale dhe më gjerë.

    Autoritetet përgjegjëse monitorojnë vazhdimisht kushtet detare, në mënyrë që të marrin vendime të qëndrueshme që të ulin pasojat negative dhe rrisin sigurinë. /tch

  • Policia në Ferizaj shqipton rreth 5 mijë gjoba në trafik gjatë muajit nëntor

    Policia në Ferizaj shqipton rreth 5 mijë gjoba në trafik gjatë muajit nëntor

    Gjatë muajit nëntor 2023, policia rajonale e Ferizajt ka shqiptuar 4841 gjoba për kundërvajtje, ndërsa ka hequr edhe 120 patentë shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion, ku parashihet masa mbrojtëse heqje e patentë shoferit.

    Disa nga kundërvajtjet e shkaktuara në komunikacionin rrugor janë tejkalim i shpejtësisë, 1894 gjoba, mos përdorimi i rripit të sigurisë, 514 gjoba, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, 268 gjoba, xhamat e errët, vendosja e foljes ose materialit tjetër, 201 gjoba, drejtimi i mjetit pa patentë shofer, 186 gjoba, skadimi i afatit të regjistrimit të automjetit, 168 gjoba.

    Po ashtu, për tejkalim në vijë të plotë janë shqiptuar 33 gjoba, mjetet pjesëmarrëse në trafik pa sinjalizim të duhur ndriçues – 19, kyçja e pa rregullt në rrugën kryesore- 16, drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit- 15 dhe të tjera 1527 gjoba.

    Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelon te ngasësit e automjeteve që të bëjnë kujdes, ndërsa fton qytetarët të bashkëpunojnë më policinë.

    Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë.

  • ​Komuna e Obiliqit dhe USAID mbajnë takim për themelimin e Këshillit Publiko-Privat

    ​Komuna e Obiliqit dhe USAID mbajnë takim për themelimin e Këshillit Publiko-Privat

    Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me organizatën USAID, kanë ftuar në takim konsultativ sektorin privat për të diskutuar lidhur me themelimin e Këshillit Publiko-Privat, i cili parashihet të përmirësojë kornizën ligjore në fushën e së drejtës së pronës për të nxitur investimet në këtë komunë.

    Themelimi i Këshillit Publiko-Privat ka për qëllim të lehtësojë dialogun në konsultim për rregulloret komunale të cilat ndikojnë në të bërit biznes, buxhetin komunal, planin e prokurimit, dokumente strategjike komunale dhe dokumente e çështje të tjera që propozohen nga komuna dhe sektori privat.

    Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi u shpreh i nderuar për inicimin e themelimit të këtij këshilli, të cilin e vlerëson si shumë të rëndësishëm për dialogun privat në nivel lokal.

    Gashi potencoi se për dy vite rresht përmes vendimeve të kuvendit komunal, janë liruar nga taksat komunale të gjitha bizneset.

    Ai theksoi se kanë marrë vendim pro faljes së tatimit në pronë në vlerën prej 100 eurove për qytetarët.

    Jam jashtëzakonisht i nderuar që sot në emër të institucionit komunal po iniciojmë themelimin e një mekanizmi shumë të rëndësishëm për dialogun publiko-privat në nivel lokal. Këtë traditë e patëm filluar edhe para disa viteve, por fatkeqësisht për shkak të Covidit që ndodhi në glob por njëjtë ka pasur impakt edhe në komunën tonë. I kanë ndërprerë këto mundësi që të vazhdojmë më tutje. Por, fatmirësisht bashkërisht ia kemi dalë që sado pak ta zbusim problemin ekonomik në situata e asaj kohe…Për dy vite rresht përmes vendimeve të kuvendit komunal kemi liruar nga taksat komunale të gjitha bizneset. Këtë vit kemi marrë vendim të falim deri në 100 euro në tatimin në pronë, kemi hartuar rregulloren komunale për lehtësirat e bizneseve”, tha Gashi.

    Kryetari i Obiliqt, Xhafer Gashi theksoi se falë punës së kryer është arritur që shpenzimet në total për këtë komunë të jenë mbi 90 për qind, për çka shtoi se investimet kapitale kalojnë mbi 94 për qind.

    Ai shtoi se themelimi i Këshillit Publiko-Privat do të përfshijë të gjitha bizneset, duke përfshirë ato të vogla, të mesme dhe të mëdha.

    Tutje, Gashi potencoi se faza e parë e projektit për zgjerimin e nxemjes qendrore po shkon në hapa mirë.

    “Falë angazhimit të ekzekutivit, gjithashtu edhe punë kryerësve në komunën tonë, kemi arritur që shpenzimet në total të jenë mbi 90 për qind e fatmirësisht te investimet kapitale e kalojnë 94.93 për qind, ndërsa të hyrat vetanake janë analizuar 93.5 për qind …Themelimi i Këshillit Publik-Privat që do të përbëhet edhe nga ekzekutivi edhe nga bizneset, duke i përfshirë të gjitha bizneset, edhe bizneset e mëdha dhe të mesme dhe të vogla. Zona industriale në komunën tonë tanimë veç ka filluar edhe pse ka shumë mangësi për t’u përmbyllur si proces…Një ndër projektet më madhore është zgjerimi apo nxemja qendrore, një projekt që në fazën e parë realizimi i tij është duke shkuar jashtëzakonisht mirë”, theksoi Gashi.

    Ndërkaq, zëvendësdrejtori në Aktivitetin e USAID-it “Qeverisja e Pronës”, Ramadan Klisurica tha se ky aktivitet pesë vjeçar që synon të përmirësojë sistemin e të drejtave pronësore në Kosovë për të reduktuar korrupsionin, rritur fuqizimin e grave dhe përmirësuar të drejtat formale të pronës dhe investimet në pronën e pa luajtshme.

    Klisurica shtoi se ky aktivitet synon që në partneritet me shoqërinë civile, sektorin privat dhe akterë të tjerë, të avancojë zhvillimin ekonomik dhe demokratik në Kosovë.

    “Aktiviteti jonë është aktivitet pesë vjeçar, ka synim formalizimin e të drejtave pronësore, standardizimin e shërbimeve kadastrale dhe shërbimeve të tjera pronësore që ofrohen në komuna në Kosovë… Komuna e Obiliqit është një nga komunat e reja partnere që i kemi në aktivitet…Ne synojmë edhe rritjen e angazhimit të sektorit privat në procese që ndërlidhen me qeverisjen e pronës dhe angazhohemi për rritjen e angazhimit të shoqërisë civile, qytetarëve…Këndvështrimi jonë në këtë segment ndërlidhet me themelim të një dialogu të drejtpërdrejtë të kryetarit të komunës me bizneset me qëllim të diskutimit të formave të menaxhimit më të mirë me pronat në përgjithësi me theks të veçantë në çështjet që ndërlidhen me pronën komunale, menaxhimit më të mirë, avancimit të procedurave për menaxhimin më të mirë të pronës komunale , dhënies në shfrytëzim, kontrollit të mbikëqyrjes së kontratave dhe çështje të tjera”, tha Klisurica.

    Po ashtu, në këtë takim konsultativ, pjesë e diskutimit ishin edhe përfaqësues të shumë bizneseve private.

    Përfaqësuesja e një kompanie private, Martina Dedaj-Kçira tha se nga marsi i këtij viti kanë filluar një bashkëpunim me Komunën e Obiliqit, për të ndërmjetësuar gratë që të aplikojnë në këtë kompani, për çka tha se është ndarë e kënaqur nga ky bashkëpunim.

    Dedaj-Kçira theksoi se presin bashkëpunim të mëtutjeshëm me këtë komunë, për të fuqizuar këtë kompani e cila përbëhet nga mbi 97 për qind gra.

    “Kompania jonë ka 330 punëmarrës në mesin e tyre janë 97,7 gra, konsideroj që në mes të sfidave, pandemia ka kthyer shumë mbrapa edhe biznese por edhe projekte shtetërore dhe mbështetëse. Prej marsit 2023 ne kemi filluar një bashkëpunim me Komunën e Obiliqit gjegjësit me Drejtorinë për Mirëqenien Sociale dhe zyrën e punësimit që i ka ndërmjetësuar gratë që të vijnë të aplikojnë…Presim tutje bashkëpunim edhe më të mirë, duke e marrë parasysh që pronarja ime vjen prej komunitetit grua, konsiderojmë që në 2024 të bashkëpunojmë edhe më tutje me Komunën Obiliqit”, potencoi Dedaj-Kçira.

    Ndërkaq, rezultatet e pritura nga aktiviteti “Qeverisja e Pronës”, janë përmirësimi i kapaciteteve, proceseve dhe praktikave komunale për menaxhimin dhe regjistrimin e pronës, ofrimi i shërbimeve të unifikuara të shërbimeve të lidhura me pronën në komunat e përzgjedhura.

    Rezultate tjera nga themelimi i këtij këshilli pritet që të jenë përmirësimi i proceseve të trashëgimisë me barazi gjinore të integruar në të gjitha reformat e të drejtave pronësore. /kp/

  • 2 euroshja false – BQK del me udhëzime

    2 euroshja false – BQK del me udhëzime

    Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me disa udhëzime pas shpeshtimit të rasteve të qarkullimit të parave të falsifikuara në tregun vendor.

    BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

    “Për aq sa është e mundur, rekomandohet shmangia e përdorimit te parasë se gatshme dhe përdorimi i mjeteve elektronike të pagesave, por pa penguar dhe kufizuar te drejtën e secilit për të zgjedhur instrumentin ligjor te pagesës me rastin e kryerjes së pagesave”, thuhet në komunikatë.

    BQK duke përmendur monedhën 2-euroshe thotë se asnjë monedhë apo kartëmonedhë origjinale nuk mund të përjashtohet nga përdorimi.

    “Asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave”.

  • Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Hagë pa masa mbrojtëse, dëshmitari i parë Sadik Halitjaha

    Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Hagë pa masa mbrojtëse, dëshmitari i parë Sadik Halitjaha

    Javën e ardhshme të gjithë dëshmitarët në Gjykatën Speciale në Hagë do të dëshmojnë pa masa mbrojtëse

    Zëdhënësi për media, Christopher Bennett, tha për Reporterin se dëshmitari i parë javën e ardhshme do të jetë Sadik Halitjaha.

    “Dëshmitarët e javës së ardhshme do të dëshmojnë të gjithë pa masa mbrojtëse. Prandaj, procedurat duhet të jenë kryesisht publike. Dëshmitari i parë është edhe dëshmitari i fundit (Sadik Halitjaha), i cili do të përfundojë dëshminë e tij. Dy dëshmitë tjera do të jenë po ashtu me interes”, u shpreh Bennett.

    Halitjaha, ka dëshmuar në Hagë më 16 nëntor.

    Avokatët Emmerson dhe Venkateswari e pyetën dëshmitarin lidhur me strukturat komanduese dhe organogramët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Prokurori James Pace në pyetjet shtesë drejtuar dëshmitarit Halitjaha, paraqiti një dokument të ri, dokument i cili u kundërshtua nga pala mbrojtëse e Thaçit, por ky kundërshtim nuk u aprovua nga trupi gjykues.

    Sipas prokurorit Pace, ky dokument ka të bëjë me një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim dhe mbledhje të automjeteve të ndryshme për nevojat e ushtrisë.

    Lidhur me këtë dokument, dëshmitari Halitjaha tha se ky vendim nuk është zbatuar sepse është nënshkruar nga personat jokompetentë.

    Edhe pse ishte paraparë që dëshmia e këtij dëshmitari të përfundojë sot, kjo nuk ndodhi sepse nuk pati kohë të mjaftueshme për pyetjet shtesë të prokurorit Pace dhe për pyetjet eventuale të trupit gjykues dhe mbrojtësit të viktimave, por edhe ato shtesë të palës mbrojtëse, andaj dëshmia e dëshmitari Halitjahaj do të vazhdojë edhe në seancën e 4 dhjetorit.

    Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

  • ​Pyetjet parlamentare, përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës

    ​Pyetjet parlamentare, përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës

    Ka përfunduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në rendin e ditës ishin vetëm pyetjet parlamentare.

    Të pranishëm në sallën plenare ishin vetëm disa ministra të kabinetit qeveritar dhe deputetë të legjislativit.

    Deputetët opozitarë kritikuan ministrat për mos prezencën e tyre në seancë, derisa thanë se kjo është papërgjegjshmëri e tyre.

    Në anën tjetër, ministrat e pranishëm nuk u përgjigjen në pyetjet parlamentare të deputetëve të PDK-së, siç thanë për shkak të mos votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Kjo nxiti që deputetët opozitarë të lëshojnë seancën plenare, derisa e njëjta për rreth një orë vazhdoi me prezencën e vetëm deputetëve të mazhorancës, të cilët parashtruan pyetje për ministrat e pranishëm.

  • Policia e “bllokon” argjendarinë, pronari i së cilës u arrestua për përfshirje në grabitjen në Suharekë

    Policia e “bllokon” argjendarinë, pronari i së cilës u arrestua për përfshirje në grabitjen në Suharekë

    Zyrtarët policor, edhe të premten e kanë mbajtur të “bllokuar” argjendarinë “Baraku”, pronari i së cilës u arrestua dje për përfshirje në grabitjen në Suharekë, raporton EO.

    Aksioni është kryer nga katër zyrtarë policorë, të cilët kanë larguar klientët që ndodheshin në lokal, dhe pastaj kanë arrestuar pronarin. Më pas është mbyllur argjendaria.

    Përderisa një të dyshuarve për grabitje është vrarë, meqë ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë. Katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar, derisa një është arratisur.