ATV

Category: Lajme

  • KEDS-i zë më shumë se 600 persona duke vjedhë rrymë gjatë muajit nëntor

    KEDS-i zë më shumë se 600 persona duke vjedhë rrymë gjatë muajit nëntor

    Zvogëlimi i humbjeve në rrjet, krahas investimeve, vazhdon të mbetet prioritet fondamental i KEDS-it. Aksionet për kontrolle te keqpërdoruesit e dyshimtë të energjisë elektrike vetëm sa po shtohen, tashmë kur jemi futur në sezonin e dimrit.

    Ekipet e kontrollit të KEDS-it të shpërndarë gjithandej Kosovës vetëm gjatë muajit nëntor kanë realizuar afër 8,500 kontrolle, prej të cilave më shumë se 600 sosh janë zënë në vepër duke e vjedhë energjinë elektrike. Të gjithë këtyre konsumatorëve, me t’u zënë, u faturohet rikthimi i humbjeve i barasvlershëm me faturën 6 mujore, nëse janë konsumatorë të amvisërisë, dhe me faturën njëvjeçare nëse janë biznese, pra konsumatorë komercialë.

    Pos kësaj, keqpërdorimi i energjisë elektrike hyn në kuadër të “Vjedhjes së Shërbimeve”, e cila, sipas nenit 314 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e dënueshme deri në tri vjet burg.

    Se KEDS e ka përnjëmend në luftimin e kësaj dukurie deri tek identifikimi i rastit të fundit, tregojnë faktet në terren. Shifrat flasin vetë! Për 11 muajt e parë të këtij viti, përkatësisht në periudhën janar-nëntor janë realizuar rreth 80 mijë kontrolle, prej të cilave janë identifikuar 6 mijë raste të keqpërdorimeve.

    Të njëjtën kohë, me qëllime të vetëdijesimit të publikut, KEDS kohën e fundit ka ndërmarrë një fushatë informimi për opinionin publik lidhur me pasojat që mund të ketë kushdo që keqpërdor energjinë elektrike.

    Fushata “Rryma t’kushton ma lirë” do të thotë përdorim legal i energjisë elektrike dhe, sado që një konsumator shpenzon në muaj, atij i del më lirë sesa nëse e konsumon atë ilegalisht, pra më lirë sesa pagesa që duhet të bëjë në formë të rikthimit të humbjeve të shkaktuara ndaj kompanisë, më lirë sesa dënimi me gjobë dhe me burg nga gjykata dhe më lirë se sa rrezikimi i sigurisë personale dhe i ambientit përreth që vjen nga vandalizmi i infrastrukturës elektroenergjetike.

  • Shtetasi suedez mori me qera dy vetura në aeroport dhe nuk i ktheu më

    Shtetasi suedez mori me qera dy vetura në aeroport dhe nuk i ktheu më

    Një shtetas i Suedisë ka marr dy vetura në “rent car” dhe nuk i ka kthyer në kohën që është dashur t’i kthejë.

    Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më datë 26.11.2023 rreth orës 14:13 në aeroportin “Adem Jashari”.

    Tutje bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.

    “Raportohet se i dyshuari mashkull shtetas i Suedisë, ka marr dy vetura në ‘Renta Car’ dhe nuk i ka kthyer në kohën që është dashur t’i kthejë. Sipas ankuesit mashkull kosovar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • Kreu pagesë në KEDS me 500 monedha nga 2 euro të falsifikuara, policia nis hetimet

    Kreu pagesë në KEDS me 500 monedha nga 2 euro të falsifikuara, policia nis hetimet

    Një zyrtare e KEDS-it në Shtërpcë ka informuar policinë se një klient ka kryer pagesë ku gjatë numërimit kanë dalë 500 monedha nga 2 euro të falsifikuara.

    Sipas policisë, monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

    Kujtojmë se javëve të fundit në treg janë shtuar rastet me monedha të falsifikuara, ku ditë më parë policia i ka sekuestruar mbi 85 mijë euro të falsifikuara.

  • Vdes një foshnje në QKUK, policia po e heton rastin si “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”

    Vdes një foshnje në QKUK, policia po e heton rastin si “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”

    Një person ka raportuar në polici se pasi e ka dërguar bashkëshorten e tij për në repartin e gjinekologjisë në QKUK e ka kuptuar se foshnja ka vdekur.

    Policia e ka cilësuar rastin si “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, ndërsa bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Kryeministri Kurti viziton sot Gjilanin

    Kryeministri Kurti viziton sot Gjilanin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të vizitojë komunën e Gjilanit.
    Sipas njoftimit, Kurti do të pritet nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni.
    Bëhet e ditur se pas takimit do të ketë prononcim për media.
    Derisa kryeministri Kurti do t’i vizitojë punimet në fillimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”.
    ”Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, viziton Komunën e Gjilanit, ku do të takohet me kryetarin Alban Hyseni. (Zyra e kryetarit, Gjilan. Prononcimi për media në ora 09:15) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do t’i vizitojë punimet në fillimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”. (Ora 09:30)”, thuhet në njoftim.
  • Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite janë pyetjet parlamentare

    Kuvendi sot mban seancë plenare, në rend dite janë pyetjet parlamentare

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të re plenare.

    Në rend të ditës në këtë seancë janë pyetjet parlamentare të deputetëve për kabinetin qeveritar.

    Kujtojmë se dje, kuvendi mbajti seancë ku u diskutua për Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën.

    Gjatë seancës së djeshme pati përplasje të ashpra mes deputetëve të pozitës e opozitës.

  • Kuvendi diskuton per Raportin e Progresit, Bislimi: Masat ndikuan në vlerësimin ndaj Kosovës

    Kuvendi diskuton per Raportin e Progresit, Bislimi: Masat ndikuan në vlerësimin ndaj Kosovës

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Raporti i Progresit për Kosovë ngjalli debat e përplasje mes deputetëve, por edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

    Derisa, Kosova vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, pikërisht ato, sipas Bislimit, ndikuan në vlerësimin ndaj Kosovës.

    Por, opozita ka mendim tjetër. Derisa thotë se vlerësimi ishte më i dobëti i bërë ndonjëherë, raportin e cilësoi shqetësues.

    Deklaratat e Bislimit i kundërshtoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    Sipas Raportit të Progresit për këtë vit, Kosova ka bërë “përparime të kufizuara” në përmbushjen e standardeve të nevojshme evropiane.

    Vëmendje e shtuar i është kushtuar edhe përmbushjes së detyrimeve që dalin nga dialogu i Brukselit dhe në këtë çështje Kosova u kritikua për moszbatim të marrëveshjeve.

  • Lavrov: Serbisë iu mor Kosova pa referendum, bojkotohet fjalimi i ministrit të Jashtem rus

    Lavrov: Serbisë iu mor Kosova pa referendum, bojkotohet fjalimi i ministrit të Jashtem rus

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ende pa i filluar punimet, Samiti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u largua nga Shkupi.

    Blinken u largua menjëherë pas takimit me nikoqirin e samitit, ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, Bujar Osmani, para se në këtë samit të vinte shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov.

    Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Samiti i OSBE-së është njëri prej takimeve të rralla në nivel global, në të cilat mori pjesë edhe Rusia. Teksa kryediplomati rus përmendi Kosovën, fjalimi i Sergei Lavrovit u bojkotua nga disa prej ministrave të vendeve pjesëmarrëse.

    “Ka qenë në traditën tonë që të kemi fjalime pozitive, por kjo nuk po ndodh sepse OSBE-ja është bërë vegël e Bashkimit Evropian. Në vitin 1999, NATO-ja kreu një agresion brutal të pamaskuar kundër Jugosllavisë – një anëtare e OSBE-së dhe OKB-së. Dhe, në vitin 2008, duke shkelur Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe parimin e paprekshmërisë së kufijve në Evropë nga akti final i Helsinkit, Serbisë iu hoq Kosova pa asnjë referendum”, tha Lavrov.

    Ndërkohë, Ndihmës-sekretari-amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane, James O’Brien, i ka bërë thirrje Rusisë që t’i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.

    “Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t’i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, tha O’Brien.

    Për sfidat, me të cilat është përballuar OSBE-ja pas agresionit të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, si nikoqir i samitit, foli edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dmitri Kovacevski.

    “Kam tri mesazhe kyçe si paraardhës. Maqedonia e Veriut mori përsipër kryesimin me OSBE-në, në një kohë lufte aktive dhe një kërcënimi për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe shkeli sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta”, tha Kovacevski.

    Në ditën e parë të takimit është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore. Ndërkaq, në këtë samit nuk ishte pjesëmarrëse e Kosova pasi kjo organizatë nuk e njeh statusin e saj.

  • Hovenier: Takimet e Kryenegociatorëve në Bruksel kanë ngushtuar dallimet, përparimi është urgjent, s’duhet pritur 2024-ta

    Hovenier: Takimet e Kryenegociatorëve në Bruksel kanë ngushtuar dallimet, përparimi është urgjent, s’duhet pritur 2024-ta

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, në Pressing te T7 ka folur për nevojën urgjente që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën Drejtë Normalizimit. Diplomati amerikan ka përmendur disa herë kërkesën e Sholc, Makron e Meloni që Kosova të nis Asociacionin e Serbia ta japë njohjen de-facto.

    Hovenier teksa ka folur për takimet e fundit në Bruksel të kryenegocaitorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, ka thënë se është në dijeni të asaj që dallimet mes palëve po ngushtohen. Sa i përket frikës se Asociacioni mund të çrregullojë shtetin e Kosovës, Hovenier ka specifikuar parimet mbi të cila SHBA përkrah themelimin dhe ka potencuar se as Uashingtoni zyrtar s’është i interesuar të bëhet pjesë e një procesi që e prish funksionimin e shtetit të Kosovës.

    Ai ka thënë se është urgjente që Qeveria të ecë përpara me procesin dhe të kryejë punën e saj duke aprovuar Draftin dhe që të njëjtin ta procedojë për në Gjykatë Kushtetuese.

    Numri një i SHBA-së në Prishtinë kur ka folur për parashikimin e diplomatëve për vitet 2024-2025 si kohë kur mund të pritet përparim mes Kosovës e Serbisë, ka thënë se është çështje e vullnetit të palëve por që s’do të dëshirojë të pritet për afatin kohor të përmendur. Sa i përket aspektit të sigurisë në Veri dhe deklaratës së fundit të Stoltenberg për dislokimin e forcave serbe në afërsi të kufirit, Hovenier ka thënë se e bën gjumin rehat duke e ditur që NATO dhe ushtarët amerikanë janë në Veri.

  • Hovenier për sigurinë në Kosovë: Unë fle mjaft rehat duke e ditur që NATO dhe ushtarët amerikanë janë në veri

    Hovenier për sigurinë në Kosovë: Unë fle mjaft rehat duke e ditur që NATO dhe ushtarët amerikanë janë në veri

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë, pas paralajmërimeve për një destabilizim të mundëshëm në Ballkan.

    Hovenier ka komentuar deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në Beograd foli për dislokimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.

    Hovenier tha pasiqë në Kosovë gjenden trupat ushtarake të NATO-s dhe ato amerikane ai fle rehat natën.

    “Ne i përcjellim shumë për së afërmi një varg gjëra që mund të jenë burim jostabiliteti në rajon. Dhe natyrisht, shpesh kemi folur publikisht kur ishim të shqetësuar për dislokimin specifik ushtarak rreth zonës kufitare. Dhe kjo vazhdon të jetë diçka që ne e përcjellim nga afër. Por, do të thosha gjithashtu se një nga mënyrat si e shprehim se sa seriozisht e marrim këtë është përkushtimi ynë afatgjatë për sigurinë e Kosovës, që më së mirë shprehet përmes misionit të KFOR-it dhe pjesëmarrjes së ShBA-së në të”, tha ai , për Pressing te T7.

    “Ne besojmë se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë shumë, shumë e fortë, por unë qëndroj prapa saj. Dhe fakti që keni një mision të NATO-s në Kosovë, me përgjegjësi për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes është tregues, përkushtim shumë, shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Kosovës. Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”, tha Hovenier.