Që nga viti 2019 flitet rreth nevojës për miratimin e Ligjit për Lobim. Derisa, sipas zyrës së BE-së, ky ligj do ta afronte më shumë Kosovën me Bashkimit Evropian. Por, pushteti aktual është skeptik.
“Në vendet kur ka një praktikë më të gjatë të rregullimit të lobimit, faktori financiar koha dhe natyrisht resurset e tjera që mbështesin lobimin janë shumë më të rregulluara. Kjo do të nënkuptonte krijimin e një disbalanci më të madh në shoqërinë kosovare”, tha deputetja e LV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Megjithatë, sipas opozitës me Ligjin për Lobim do të rritej transparenca dhe llogaridhënia ndaj ekzekutivit, por edhe Kuvendit. Këtu u përmend rasti i këshilltarit të jashtëm të Ministrisë së Jashtme, Gani Jakupi, i cili paguhet mbi 7 mijë euro për lobim, por s’dihet qartë se çfarë bën.
Ligji për Lobim u diskutua si pjesë e një tryeze të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Komandanti i KFOR-it, Ozkan Utulas, tha se trupat e NATO-s kanë marrë masa të nevojshme për t’iu përgjigjur çdo lloje dhune të mundshme.
Ai deklaroi se zgjidhja e problemeve duhet të bëhet me diplomaci duke i dhënë përparësi dialogut Kosovë-Serbi.
“Mandati i KFOR-it është i qartë, të mbajë mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë njerëzit e saj. Pa marrë parasysh se nga vjen kërcënimi. Më lejoni t’u sigurojë se ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide”, deklaroi ai, në një intervistë për RTK.
Komandanti i KFOR-it tha se tensionet në rajon janë rritur, pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në maj.
“Si pasojë, NATO-ja ka vendosur forca shtesë rezervë me kapacitete plotësuese. Tani po mbajmë më shumë aktivitete. Kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë”, deklaroi numri një i KFOR-it.
Ndryshe, në Kosovë sot është vendosur batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ky batalion është vendosur në kuadër të misionit paqeruajtës të udhëhequr nga misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë.
Instituti parashkollor “Gëzimi ynë” është e vetmja çerdhe publike në Fushë Kosovë.
Mirëpo, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë vlerëson se duhet të ndërtohen edhe disa të tjera, për çka, sipas tyre, kërkesë kanë bërë edhe te niveli qendror.
“Fushë-Kosova ka rreth 60 mijë banorë me ardhjet e reja dhe është numër shumë i lartë në raport me numrin e çerdheve…”, tha drejtori i arsimit në komunën e Fushë-Kosovës, Fatlum Berisha.
Por, ditë më parë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, fajin për mosndërtimin e çerdheve të reja ua hodhi komunave.
“Problem na ka mbetur caktimi i pronave nga komunat…”, tha Nagavci.
Deklaratën e Nagavcit e ka quajtur të pavërtetë drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha.
“Jo, ne e kemi ndarë tokën, i kemi plotësuar të gjitha dokumentacionet me afat të caktuar kohor”, tha Berisha.
Situatë e ngjashme është edhe në komunën e Klinës. Sipas Drejtorisë së Arsimit, parcela është gati.
“Ne të gjitha i kemi gati, vetëm presim reagimet e Ministrisë, por edhe ato të cilat kanë qenë duke u ndërtuar kanë stagnuar”, tha drejtori i arsimit në komunën e Klinës, Qemajl Sejdija.
Për t’i shmangur mosdakordimet mes nivelit lokal e qendror, nga Asociacioni i komunave të Kosovës kërkojnë ndryshim te ndarjet financiare dhe sistem më të koordinuar.
“Fondet nga qeveria për realizim të projekteve të tilla më mirë kishte qenë t’iu ishin bartur drejtpërsëdrejti komunave…”, tha Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
ATV-ja ka tentuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Arsimit në lidhje me premtimin për ndërtimin e çerdheve publike, por gjatë të martës nuk ka marrë asnjë përgjigje.
I vetmi reagim nga Qeveria për këtë çështje është një postim i zëdhënësit të partisë në Pushtet – Arlind Manxhuka. Sipas tij, javën e kaluar u vendosën gurthemelet e çerdheve në Podujevë e në Deçan, ndërkaq të hënën në Prizren.
Që nga viti 2021 kur u premtuan 160 çerdhe, vetëm 4 prej tyre janë finalizuar, kurse 26 prej tyre janë në proces të punës.
Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën. Këtë vit nxënësit që përfaqësuan Kosovën performuan edhe më dobët se herën fundit, në vitin 2018.
Nga 80 vende pjesëmarrëse, Kosova u rendit e 77-a në shkencë, në lexim e 76-a por pak më mirë u performua në matematikë, duke u renditur e 73-ta.
Për ministren e Arsimit rezultatet ishin të pritshme derisa fajin, Arbërie Nagavci ia la pandemisë.
Por pohimet e ministres i kundërshtojnë ekspertët e arsimit.
Megjithatë, në këtë test vajzat kanë performuar më mirë se djemtë.
Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve është vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. Për herë të parë, në testin PISA Kosova mori pjesë në vitin 2015. Ndërkaq, në vitin 2018 Kosova u rendit në vendin e 76-të nga 79 vende.
Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Akt të drejtë e ka quajtur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rivarrimin e Liridona Ademajt. Në nderim të gruas, e cila dyshohet se u vra me kërkesë të bashkëshortit të saj, Naim Murseli, me një minutë heshtje, filloi konferenca e cila u thirr si pjesë e angazhimit për luftimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore.
Sipas kryeministrit, është duke u punuar në krijimin e një mjedisi ligjor të fuqishëm.
Për udhëheqësen e dikasterit të drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila bëri bashkë në një diskutim homologët e saj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe përfaqësues nga Ministria e Kroacisë, krimi mbi Liridonën është alarm që nuk duhet të pushojë.
Me Kodin e ri Penal, i cili pritet të miratohet në Maqedoninë e Veriut, femicidi do përfshihet si term i veçantë teksa ministri i Shqipërisë bëri thirrje që të ndërtohet raporti i besimit mes institucioneve dhe qytetarëve.
Gjatë kësaj konference, e cila do t’i vazhdojë punimet edhe të mërkurën, u tha ndër të tjera se ashpërsimi i masave ndëshkuese do të ndikojë në adresimin dhe parandalimin e vrasjes së grave.
Me ndryshimet në Kodin Penal, secili person që dënohet për dhunë seksuale i ndalohet ndër të tjera punësimi në institucionet publike, një deri në dhjetë vjet.
Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Me arsyetimin se është jotransparent dhe jo i strukturuar mirë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon të ndryshojë Ligjin për Rezervat Shtetërore të Mallrave.
Krahas këtij konstatimi, koncept-dokumenti i kësaj ministrie, i nxjerrë në diskutim publik javën e kaluar, në krye të përkufizimit të problemit përmend, siç thuhet, paqartësinë në disa nga termat dhe përkufizimet në ligjin aktual.
Por, emri i parë në grupin punues për hartimin e këtij dokumenti është Hafiz Gara, i cili ishte një nga tre të arrestuarit në muajin Gusht, nën dyshimet për keqpërdorime në rezervat shtetërore.
Ai ishte liruar pas dy javësh dhe është duke vazhduar punën në Ministri, ndërsa është konfirmuar se ndaj tij po vazhdojnë hetimet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Teksa konstatoi se propozimi është në kundërshtim me veprimet e Qeverisë, e cila kishte vendosur për blerje konfidenciale, drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ngre dyshime për mënyrën dhe kohën kur është nxjerrë koncept-dokumenti.
“Ky ligj nuk është paraparë fare për plotësim-ndryshim apo ligj të ri në programin e LV-së, që është miratuar në Kuvend. Po ashtu, nuk është paraparë në agjendën legjislative për vitin 2023 apo vitet e mëhershme, kjo është diçka e re, që duket se është si rezultat i ngjarjeve të fundit, kur patëm arrestime në këtë ministri”, tha Miftaraj.
Pa paragjykuar verdiktin për dyshimet dhe hetimet ndaj Garës, Miftaraj vlerëson se përfshirja e tij në procesin e hartimit të dokumentit, nga i cili mund të burojë një ligj, cenon integritetin e procesit.
“Edhe përkundër se zotëria në fjalë është në proces hetimor, nuk kemi ende as aktakuzë dhe nuk mund të themi se ai është ose jo fajtor, prapëseprapë, në sytë e publikut ngjall reagime, ngjall dyshime, që ky proces të udhëhiqet ose të marrë pjesë një person, i cili gjatë këtij viti është arrestuar nga institucionet e drejtësisë”, tha Miftaraj.
Nën dyshime për keqpërdorime me rezervat shtetërore, krahas Garës, në muajin Gusht ishin arrestuar Irfat Lipovica, po ashtu, zyrtar i MINT-it, dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Tre muaj pas hartimit të Udhëzimit Administrativ, banorët serbë në katër komunat veriore kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kërkesat për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë përmes peticionit.
“Mund të konfirmoj se gjatë ditës, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur, të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të Komunës nga funksioni”, i ka thënë ATV-së zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Grupe të qytetarëve serbë, fillimisht kërkesat për peticion tentuan t’i dorëzojnë në Kuvendet Komunale përkatëse, por siç pretendojnë ata, autoritetet lokale kanë refuzuar “iniciativën” e tyre.
“Ne erdhëm në cilësinë e qytetarëve për të dorëzuar iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore. Njësoj ndodhi edhe në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Pas disa orësh, negociatash me organet e komunës nuk ia dolëm të dorëzojmë këtë peticion. Iniciativa jonë u refuzua”, tha Sanja Krtinic, qytetare .
“Kjo çfarë ndodhi është shkelje brutale e të drejtave të njeriut. Ne nuk ia dolëm të paraqesim një kërkesë të thjeshtë në recepsionin e komunës si përfaqësues të qytetarëve serbë në veri”, tha Milan Milosavljevic, qytetar.
Megjithatë, ky pretendim u mohua nga Kryetari i Kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglanin.
Ndërkohë, kryetari i Zubin Potokut më shumë preferon një marrëveshje politike sesa shkarkimin përmes peticionit.
Sidoqoftë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal tha se nuk është në dijeni për kërkesat që kanë paraqitur serbët në veri të Kosovës për inicimin e peticionit.
Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal qysh në muajin shtator publikoi udhëzimin administrativ, i cili u mundësonte qytetarëve të dorëzojnë peticion për shkarkim të kryetarëve të komunave në veri.
Ndryshe, faktori ndërkombëtar, dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë e kishte theksuar si rrugë më të shpejtë, për mbajtjen e zgjedhjeve në veri.
Më shumë detaje gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:
Sonte para objektit të Shtëpisë së Kulturës “Xheladin Kurtaj” në Kaçanik, janë ndezur qirinj në kujtim të Liridona Ademajt, e vrarë në Sinidoll të Prishtinës, më 29 nëntor.
Aktiviteti u organizua nga Grupi Joformal i Grave Asambleiste të Komunës së Kaçanikut, ndërsa morën pjesë edhe anëtare nga ekzekutivi komunal dhe qytetarë të tjerë.
Përmes këtij aktiviteti, u shpreh solidarizimi me familjen Ademaj dhe me të gjithë qytetarët e vendit, të cilët u tronditën nga kjo ngjarje e rëndë.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se Italia ka dislokuar trupa shtesë të tyre në Kosovë.
KFOR-i bëri të ditur se trupat shtesë i përkasin batalionit italian të Forcave Rezervë Operacionale të NATO-s.
“Batalioni italian nga Forca Rezervë Operacionale e NATO-s është dislokuar në Kosovë, si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s – KFOR”, thuhet në njoftim.
Ata nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të ushtarëve italianë që janë dislokuar në Kosovë, teksa Zvicra ishte shteti i fundit që e ka shtuar numrin e pjesëtarëve të KFOR-it në vend.
Protesta e nisur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, e organizuar nga Kolektivi për Veprim Feminist, kundër vrasjes së grave, është zhvendosur tani përballë stacionit policor “Qendra”. Protestuesit kanë hedhur ngjyrë të kuqe para kordonit të policisë teksa kanë kërkuar drejtësi për vrasjen e Liridonës.
Protesta deri tani ka kaluar pa incidente ndërsa policia ka bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve ne rrugën “Luan Haradinaj”.
Protesta e nxitur nga vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit, nisi me thirrjet “Liri, barazi, solidaritet”.