ATV

Category: Lajme

  • Halitjaha përfundon dëshminë: Liri çlirimtarëve

    Halitjaha përfundon dëshminë: Liri çlirimtarëve

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të 36-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sadik Halitjaha është dëgjuar edhe sot nga trupi gjykues, derisa është marrë në pyetje nga trupi gjykues dhe mbrojtja.

    Ish-oficeri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pas përfundimit të dëshmisë së tij uroi lirinë e ish-krerëve që po mbahen në Hagë.

    “Uroj që kam dhënë një kontribut sado pak modest. Besoj që kanë qenë korrekte dëshmitë e mia dhe i uroj sukses këtij procesi. Liri çlirimtarëve”, përfundoi ai.

    Dëshmitari gjatë pyetjes së mbrojtjes Gregory Kehoe tha se gjatë luftës është takuar vetëm dy herë me Hashim Thaçin.

    Kehoe: Dëshmitar, pra ju asnjëherë nuk e keni parë Hashim Thaçin në Shtabin e Përgjithshëm, apo jo?

    Halitjaha: Budakovë edhe njëherë rastësisht e kam taku, nuk më kujtohet data në oborr të Shtabit tek çezma, tek kroni. Më larg, nga distanca, më larg se me juve. Dy herë e kam parë krejt gjatë luftës”, tha dëshmitari.

    Kehoe pyeti edhe për Blerim Kuçin, për të cilin Halitjaha tha se ka ikur rreth datës 22 apo 34 gusht 1998 nga Kosova.

    Kehoe: Fakti qëndron që Blerim Kuçi e dezertoi pozitën, i gjendur përballë sulmit serb në shtator të vitit 1998, apo nuk është kështu?

    Salitjaha: Data nuk mund të jetë 11 shtator, por ofensiva e madhe serbe ka qenë me 22 gusht 23, 24 dhe 25 gusht. Në këtë ofensivë ata kanë dezertuar, ata që përmendet. 11 shtatori është vonë, nuk e di ku kanë qëndruar deri më 11 shtator. Unë me sa e di në gusht, më së largu 24 gusht, ai nuk ka qenë më në Kosovë. Ai ka qenë komandant brigade, unë kam qenë komandant batalioni. Bile porosia e tij e fundit ka qenë ‘kujdes për civilët na kanë mbetur pa mbrojtje, nëse mundesh me ndërkombëtarët diku me Kryqin e Kuq. Nuk e kam dëgjuar kurrë më radiolidhjen e tij prej 24 gushtit”, u përgjigj ai.

    Gjatë pasdites ka nisur dëshmia e ish-zyrtares së OSBE-së në Kosovë, Sandra Mitchell.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. /kp

  • ​Ky është arsyetimi i ministres së Arsimit për rezultatet e dobëta në testin PISA

    ​Ky është arsyetimi i ministres së Arsimit për rezultatet e dobëta në testin PISA

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se shkaktar i rezultateve të dobëta të vendit tonë në testin PISA, janë kryesisht për shkak të problemeve që ka shkaktuar pandemia në mësimdhënie dhe mësim nxënie, por shtoi se janë edhe shumë faktor të tjerë që do të mundësonte rezultate të dëshiruara.

    Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, vendin e 77-të nga 80 për shkencë dhe më së miri ka performuar në matematikë, duke u renditur e 74-ta nga 80 vende. Matematika llogaritet si lënda kryesore në renditje.

    Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën, në të cilat Kosova ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2018, kur edhe ky test u mbajt për herë të fundit.

    “Në vitin 2022 kemi pas një situatë pas pandemisë me një adaptim dy vjeçare ku mësimi zhvillohej me vështirësi të mëdha nga distanca me ndërprerje jo të vogla dhe kjo ka ndikuar që për shkak të situatës me pandeminë, nxënësit kanë pësuar rënie në mësim nxënie dhe këto janë dëshmuar në studime të ndryshme. Kjo është treguar edhe në rezultatet e testit Pisa në përgjithësi, jo vetëm në vendet e rajonit por edhe te ne…në të gjitha vendet që kanë qenë pjesëmarrëse këtu, kanë pas rënie në krahasim me vetveten dhe përgjithësisht dhe beso se nëse i shmangim faktorët vendor në Kosovë që mund të kenë ndikuar, pandemia është faktori i përbashkët për të gjitha këto vende që ka ndikuar te këto rezultate që u prezantuan tashmë. Gjithsesi me politikat tona ne synojmë që të sjellim deri te përmirësimi i rezultateve dhe nuk mund të them se është një faktor por mendoj se ka më shumë se një faktor që ka ndikuar në këto rezultate”, ka thënë Nagavci.

    Ajo ka përmendur ndryshimet në legjislativ dhe mbështetjen që kanë bërë për shkollat dhe presin që të shohin rezultatet e para në vitin 2025.

    Kosova nuk ka regjistruar rezultate të mira në testin PISA ndër vite.

  • Kryetari i Prishtinës publikon propozimin për faljen e tatimit në pronë

    Kryetari i Prishtinës publikon propozimin për faljen e tatimit në pronë

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar të martën propozimin e tij për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023.

    Kryetari Rama ka propozuar që çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro të falet.

    “Pra, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro”, thuhet në propozimin e tij.

    Sipas tij, nëse një pronë ka pasur tatimin 120 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 300 euro, atëherë falja do të jetë 100 euro.

    “Ky propozim do t’u ndihmojë të gjithë qytetarëve të Prishtinës, dhe nuk do të dëmtojë qëndrueshmërinë buxhetore të Kryeqytetit. Njëherësh, nuk do të cenojë mundësinë e zhvillimit dhe transformimit të mirëfilltë të Kryeqytetit për të mirën e të gjithëve, prandaj lus secilin asamblist, pa dallim, që në seancën e radhës të votojë PËR”, ka shkruar Rama.

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar se më 7 dhjetor (e enjte) në orën15:00, Kuvendi Komunal do të mban seancë të jashtëzakonshme, me të vetëm pikë të rendit të ditës, “Propozim-vendimi për faljen e tatimit në pronë për pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023”.

  • ​Plagoset punonjësi në Elbasan, arrestohet një 72-vjeçar

    ​Plagoset punonjësi në Elbasan, arrestohet një 72-vjeçar

    Një 71-vjeçar me detyre drejtues teknik në kompaninë e përpunimit të hidrokarbureve në Elbasan është arrestuar.

    Mbi të rëndon vepra penale “Shkelja e rregullave të sigurisë në punë”. Një ditë më parë në këtë kompani është plagosur një 45-vjeçar i cili ishte duke punuar në një strukture metalike dhe është rrezuar. 45-vjeçari vazhdon të jetë në spital nën kujdesin mjekësor.

    “Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmë, për shtetasin F. M., 45-vjeç, që ishte paraqitur në spital, për të marrë mjekim, pasi ishte rrëzuar nga një strukturë metalike, gjatë kohës që kishte qenë duke punuar në një firmë për përpunimin e hidrokarbureve, në fshatin Balldren, informojmë se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin F.P., 71 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik në firmën e hidrokarbureve në të cilën ishte punësuar shtetasi F. M., i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë. /tch

  • ​Përndoqi një vajzë për disa muaj, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

    ​Përndoqi një vajzë për disa muaj, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

    Një 27-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi për disa muaj kishte përndjekur një vajzë në Shijak.

    Në kuadër të operacionit policor “Cross road”, u bë kontrolli në banesën e të riut A. C, ku u gjet një sasi municioni, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /tch

  • ​Shqipëri, në janar nis verifikimi i policëve të përfshirë në veprimtari kriminale

    ​Shqipëri, në janar nis verifikimi i policëve të përfshirë në veprimtari kriminale

    Në janar 2024 do të nisë plotësimi i formularit ku punonjësit e policisë do të duhet të vetëdeklarojnë nëse kanë përdorur rrjetin Sky dhe Encro Chat, duke specifikuar kohën dhe arsyen e përdorimit.

    Ky formular i cili duhet të plotësohet brenda 30 ditëve nga punonjësit e policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes policore do të jetë pjesë e dosjes së çdo punonjësi. Verifikimi për vërtetësinë e tij do të bëhet nga Agjencia e mbikëqyrjes policore.

    Gjatë veprimtarisë së saj mbikëqyrëse agjencia në bashkëpunim me institucionet e tjera ligj-zbatuese do të verifikoje vërtetësinë e të dhënave të deklarimit. Nëse konstatohet deklarim i rreme, sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë nga detyra.

    Për shkak të detyrës që mbajnë këta punonjës e kanë pasur detyrim edhe me parë për të deklaruar aparatet celularë që përdorin dhe rrjetet ku komunikojnë. Prandaj fshehja e përdorimit të Sky apo Encro Chat do t’i çojë ata drejt përjashtimit pasi këto rrjete janë përdorur masivisht nga grupet kriminale.

    Në rastet kur që në vitin 2020, 2021 kur ka funksionuar Sky, punonjësi i policisë e ka deklaruar se e përdor këtë rrjet duhet të bashkëlidhë me formularin motivet e përdorimit dhe prova për të faktuar deklarimet e tij.

    Përveç përdorimit të rrjeteve Sky dhe Encro Chat nga punonjësit e policisë, si dhe procesi i vettingut të gradave të larta, Agjencia e Mbikëqyrjes është para një sfide të madhe për të verifikuar informacionet në lidhje me një numër të konsiderueshëm punonjësish policie, të cilëve u është hequr certifikata e sigurisë apo nuk u është rinovuar pasi ka dyshime se janë të implikuar në aktivitete të paligjshme e grupe kriminale. /tch

  • Arrestohen dy persona të dyshuar për dy raste grabitje dhe lëndim trupor

    Arrestohen dy persona të dyshuar për dy raste grabitje dhe lëndim trupor

    Sot nga hetuesit policor të stacionit Qendra në Prishtinë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për dy raste grabitje dhe lëndim trupor që kanë ndodhë me datat 03.11.2023 dhe 01.12.2023 në platon e Pallatit të rinisë në Prishtinë.

    Në njoftimin e policisë thuhet se puna e hetuesve policor, është finalizuar sot (e martë), ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe arrestojnë personat të cilët dyshohet se në bashkëpunim edhe me disa bashkëmoshatarë të tjerë, duke i sulmuar fizikisht, nën kërcënimin e armës së ftohtë thikë nga viktimat kanë marrë me forcë shuma të parave (vlera e përgjithshme mbi 100 euro)

    “Personat e dyshuar që të dy të mitur me vendim prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 24 orë, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në rast”, thuhet në njoftim.

  • ​Ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev në listën e zezë të SHBA-së

    ​Ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev në listën e zezë të SHBA-së

    Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Koço Angjushev, është futur në listën e zezë të SHBA-së, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Angjushev është i papërshtatshëm për hyrje në SHBA, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.

    “Ndërsa shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev abuzoi me pozitën e tij zyrtare për të përfituar për interesat e tij private të biznesit, duke minuar besimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike. Hapi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pranë atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, thuhet në deklaratë.

    Departamenti i Shtetit gjithashtu ndaloi gruan e tij Elisabetta dhe fëmijët Angel dhe Ognen të hynin në Shtetet e Bashkuara. Sergej Samsonenko, Orce Kamçev, Ratka Kamçeva, Sasho Mijalkov, Nikolla Gruevski dhe Ramiz Merko janë në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit.

    Angjushev ishte zëvendëskryeministër nga viti 2017-2020, në qeverinë e udhëhequr nga Zoran Zaev. Ai është pronar dhe drejtor ekzekutiv i grupit Fero Invest dhe i fabrikës Brako. Në vitin 2014, revista ekonomike amerikane “Forbes” e shpalli Angjushev një nga pesë maqedonasit më të pasur./Alsat.mk

  • Abdixhiku shkon për ngushëllime te familja e Liridonës

    Abdixhiku shkon për ngushëllime te familja e Liridonës

    Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka shkuar për ngushëllime tek familja e së ndjerës Liridona Ademaj.

    Abdixhiku vrasjen e saj e ka cilësuar ngjarje makabër.

    “Vrasja e Liridonës na ka tmerruar të gjithëve. Në emër të LDK-së i shpreh ngushëllime familjes, të afërmve e shoqërisë’’, është shprehur Abdixhiku gjatë vizitës për ngushëllime në Rracaj.

  • Valmir Elezi e konfirmon për ATV-në: Kemi pranuar e-maila për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve të komunave në veri

    Valmir Elezi e konfirmon për ATV-në: Kemi pranuar e-maila për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarëve të komunave në veri

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për ATV-në e ka konfirmuar se kanë pranuar tre e-maila, në të cilat kanë qenë të bashkëngjitur formularë të plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetareve të komunave në veri.

    “Mund t’ju konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtarë, kemi pranuar katër e-maila, tri prej të cilëve kanë të bashkangjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund të ju them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’ju informojmë për këtë”, tha Elezi në përgjigjen e tij për ATV-në. /atvlive.tv