ATV

Category: Lajme

  • Çun Lajçi emocionon me vargjet kushtuar Mirush Kabashit

    Çun Lajçi emocionon me vargjet kushtuar Mirush Kabashit

    Miq dhe familjarë e kolegë kanë ndarë dhimbjen përmes postimeve të tyre në rrjete sociale për vdekjen e Mirush Kabashit.

    Artisti shqiptar, Çun Lajçi ka qenë një ndër ata që ka emocionuar ndjekësit e tij me vargjet kushtuar Mirush Kabashit.

    “Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshtëm e do ta përfeksionojmë ate grimcë arti që s’arritëm ta ngrehim kurrë n’majen e duhun!”

    Çun Lajçi ka ndarë disa nga momentet e tyre së bashku, duke qenë i pakënaqur me vlerësimin që iu është bërë për karrierën e tyre të bujshme.

    “Dije, se nga sot e tutje për ty do t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar!”, ka shkruar Çun Lajçi në rrjetin social Facebook.

  • ​Elbasan, arrestohet një 62-vjeçar për kontrabandë me bagëti

    ​Elbasan, arrestohet një 62-vjeçar për kontrabandë me bagëti

    Një 62-vjeçar është vënë në pranga për kontrabandë të bagëtive nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri.

    I.A. nga Prrenjasi u kap në Rrajcë, duke drejtuar automjetin tip “Mitsubishi”, ku mbante dy bagëti të trasha (viça) të dyshuara të kontrabanduara nga Maqedonia e Veriut.

    Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën gjashtë bagëti të tjera që dyshohet se janë marrë në të njëjtën mënyrë, duke qenë se ishin të pamatrikulluara konform rregullave përkatëse.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme. /Tch

  • ​Edward Joseph: Daçiq në Shkup shkeli Marrëveshjen e Ohrit, ShBA e BE të jenë të vëmendshme

    ​Edward Joseph: Daçiq në Shkup shkeli Marrëveshjen e Ohrit, ShBA e BE të jenë të vëmendshme

    Eksperti i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe profesori amerikan i Universitetit “John Hopkins” në Washington, Edward P. Joseph, ka thënë se Serbia ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit, duke iu referuar deklaratës së Ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili në Shkup ditë më parë kishte thënë se Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e e OSBE-së.

    “Me afrimin e Këshillit Evropian – me konkluzionet kyçe për Serbinë dhe Kosovën në ekuilibër – Ministri i Jashtëm serb Daçiq vazhdon të avancojë kërkesën e Kosovës që Beogradi në fakt të nënshkruajë të tre propozimet e mbështetura nga BE/SHBA. Më 4 dhjetor, Daçiq nënvizoi deklaratën e presidentit Vuçiq se ai nuk e kishte nënshkruar propozimin franko-gjerman. Prandaj, Daçiq tha se, “kjo do të thotë se ne nuk pranojmë asnjë interpretim që nënkupton njohjen e Kosovës dhe se nuk ka hyrje në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në platformën X.

    “Por bllokimi i Serbisë nuk kufizohet vetëm me hyrjen e Kosovës në OKB. Daçiq: “Ajo që është e mirë për OSBE-në është se Kosova nuk mund të bëhet kurrë anëtare e asaj organizate sepse për të kërkohet konsensus dhe Serbia nuk do të pajtohet kurrë me të. Procesi i vendimmarrjes është i tillë që vendimet merren unanimisht. Kjo do të thotë se Serbia duhet të pajtohet me të dhe Serbia kurrë nuk do të pajtohet me të. Është absolutisht e pamundur”, ka thënë Joseph.

    Ai tha se deklarata e ministrit serb është në kundërshtim ndaj Marrëveshjes së shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, teksa tha se ShBA e BE- duhet të jenë të vëmendshme ndaj kësaj deklarate.

    “Kjo është në kundërshtim flagrant me nenin 4 të Marrëveshjes së shkurtit BE/SHBA për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vërejtjet e Daçiqit në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup javën e kaluar shkojnë përtej retorikës zgjedhore. Ato janë deklarata të qarta të politikës së kahmotshme serbe. Zyrtarët e SHBA/BE: kini parasysh.”, është shprehur profesori amerikan.

  • ​Vullkani indonezian shpërthen sërish, përpjekjet për evakuim janë ndërprerë

    ​Vullkani indonezian shpërthen sërish, përpjekjet për evakuim janë ndërprerë

    Një vullkan në Sumatrën Perëndimore të Indonezisë shpërtheu sërish të martën, duke detyruar zyrtarët të ndërpresin përpjekjet e evakuimit në zonat e prekura.

    Sipas autoriteteve lokale, gjatë dy ditëve të fundit, kanë ndodhur 46 shpërthime, ndërsa një tjetër shpërthim ka ndodhur herët të martën, raportoi Antara News.

    Të paktën 11 alpinistë kanë vdekur për shkak të shpërthimit të vullkanit pranë malit Merapi, një nga vullkanet më aktivë në botë në Sumatrën Perëndimore. Ka raporte për gjashtë vdekje të tjera në mesin e gjithsej 35 alpinistëve që mbetën të bllokuar kur vullkani shpërtheu.

    Autoritetet po punojnë për gjetjen e 12 të tjerëve.

    Shpërthimi i vullkanit filloi në orën 14:54 sipas kohës lokale (0754 GMT) të dielën, duke dërguar hirin e nxehtë dhe mbeturinat e tjera vullkanike 3 kilometra në qiell.

    12 nga 35 alpinistë u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe u shtruan në spital.

    Njëmbëdhjetë të tjerë u deklaruan të vdekur dhe trupat e tyre po i zbresin nga mali, ndërsa kërkimet për 12 të tjerë po vazhdojnë.

    Mali Merapi është 2,891 metra i lartë dhe ndodhet në ishullin e Sumatrës, ku autoritetet i kanë ndaluar prej kohësh banorët dhe turistët të ecin brenda një rrezeje prej tre kilometrash në afërsi të tij. /AA

  • ​YouTube-ri Trevor Jacob u burgos pasi rrëzoi aeroplanin për shikime

    ​YouTube-ri Trevor Jacob u burgos pasi rrëzoi aeroplanin për shikime

    Një YouTuber është burgosur për gjashtë muaj për rrëzimin e qëllimshëm të aeroplanit të tij për shikime, dhe më pas ka gënjyer për këtë para hetuesve amerikanë.

    Trevor Jacob, 30-vjeç, postoi videon e rrëzimit të avionit në dhjetor 2021, duke lënë të kuptohet se ishte një aksident. Ai u hodh nga avioni duke incizuar me telefon, dhe zbriti me parashutë në tokë.

    Klipi është parë miliona herë.

    Në një marrëveshje për pranimin e fajësisë, Jacob tha se ai e filmoi videon si pjesë e një marrëveshjeje sponsorizimi produkti.

    Ai u deklarua fajtor në fillim të këtij viti për një akuzë të krimit të shkatërrimit dhe fshehjes së provave me qëllimin për të penguar një hetim federal.

    Jacob “me shumë mundësi e ka kryer këtë vepër për të firuar në mediat sociale, për të pasur lajme për të, dhe për të përfituar financiarisht”, thanë të hënën prokurorët federalë në Kaliforni.

    “Megjithatë, kjo lloj sjelljeje “guximtare” nuk mund të tolerohet”, thanë zyrtarët.

    Në nëntor të vitit 2021, Jacob u nis nga një aeroport të Santa Barbara, Kaliforni, me një fluturim të vetëm me kamera të montuara në aeroplanin e tij. Bashkë me kamerat, Jacob ka marrë me vete një parashutë, si dhe një shkop selfie.

    Ai “nuk kishte ndërmend të arrinte destinacionin e tij, por në vend të kësaj planifikoi të tërhiqej nga avioni i tij gjatë fluturimit dhe të incizoje veten duke u hedhur me parashutë në tokë dhe të incizonte aeroplanin e tij teksa u rrëzua”, tha Zyra e Prokurorit të SHBA për Qarkun Qendror të Kalifornisë.

    Avioni u rrëzua në Pyllin Kombëtar të Los Padres 35 minuta pas ngritjes. Jacob u ngjit në vend dhe gjeti pamjet.

    Ai më pas ngarkoi videon me titull “Unë rrëzova aeroplanin tim” në YouTube më 23 dhjetor, e cila përmbante një promovim për një kompani kuletash, thanë prokurorët.

    Disa shikues ishin skeptikë për rrëzimin, duke vënë në dukje se Jacob tashmë kishte veshur një parashutë dhe nuk bëri asnjë përpjekje për të ulur avionin në mënyrë të sigurt.

    Videoja mori pothuajse tre milionë shikime përpara se të hiqej. /BBC

  • ​”Nuk ka zona të sigurta në Gaza”

    ​”Nuk ka zona të sigurta në Gaza”

    Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, i cili ishte në Gaza deri në fillim të kësaj jave, ka ndarë mendimin e tij mbi situatën në Gaza me Newsday të BBC-së.

    Ushtria izraelite tha se po lëshonte fletëpalosje me kode QR që “hapin një hartë që udhëzon banorët e Gazës drejt zonave më të sigurta”, por Elder vëren se ndërprerjet në rrjetin elektrik do të thotë se shumë nuk do të kenë telefona funksionalë për të skanuar kodet.

    Ai thotë gjithashtu se të ashtuquajturat “zona të sigurta” janë një “rrëfim i rremë i rrezikshëm”: “Këto janë pjesë të vogla toke djerrë. Nuk kanë ujë, nuk kanë strehim nga i ftohti, nuk kanë kanalizime”.

    “Nëse do të evakuoni me forcë njerëzit, nuk mund të dërgoni qindra mijëra njerëz në vendet ku nuk ka ujë dhe nuk ka tualete. Me të vërtetë dua të them pa tualete. Në çdo cep që isha, kishte 5000 njerëz të tjerë që do të shfaqeshin brenda natës. Ata nuk kanë një tualet të vetëm, nuk kanë një pikë ujë”.

    Elder thotë se një mjek vendas i tha se “zonat e sigurta do të bëhen zona sëmundjesh”.

    “E vetmja siguri në Gaza tani është që ferri të ndalojë të bjerë shi nga qielli”, thotë Elder. /BBC

  • Rezultatet e testit PISA – Vjen reagimi i Jasharajt: Mos ta drejtojmë gishtin vetëm te mësimdhënësit

    Rezultatet e testit PISA – Vjen reagimi i Jasharajt: Mos ta drejtojmë gishtin vetëm te mësimdhënësit

    Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

    Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.

    Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.

    Për këtë rezultat që është arritur në testin PISA ka folur kryetari i Sindikatës së bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

    Sipas tij, kjo është shqetësuese, por se gishti nuk duhet të drejtohet vetëm tek njëra palë, pra tek mësimdhënësit.

    “Rezultatet që u publikuan në media sot janë shqetësuese dhe askush nuk mund të ndihet mirë veçmas ne që jemi të ndërlidhur drejtpërdrejtë me sistemin arsimor, por uroj që të mos ndodhë si herëve të kaluara që një javë rresht të drejtohet gishti vetëm në një anë, uroj të mos ketë deklaratë të ashpra ndaj njërës palë, në këtë rast vetëm ndaj mësimdhënësve”, është shprehur Jasharaj për Front Online.

    Jasharaj, ka kërkuar që të gjitha palët që janë të përfshira në arsim duhet të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë problemin se çfarë po ndodhë.

    E, jo për një javë rresht të fyhet, të shahet e të drejtohet gishti vetëm nga mësimdhënësit.

    “Uroj që MAShT-i të organizojë konferenca me të gjitha palët, me akademinë e shkencave, me ekspertët e arsimit, me SBASHK-un, me prindërit, pra me të gjithë që të ulemi dhe të shohim ku janë problemet në arsimin tonë që po dalim kaq keq ne testin PISA i cili është vetëm njëri nga instrumentet matëse. Mbase nxënësit nuk po gjinden si duhet në këtë test, mbase kurrikula nuk korrespondon me kërkesat e testit PISA. Pra, duhet të ulemi e jo një javë të fyhemi e të shahemi e të bëjmë me gisht vetëm nga mësuesi e nga shkolla por të ulemi bashkë dhe të shohim cilat janë defektet”, ka shtuar ndër të tjera i pari i SBAShK-ut.

    Sipas tij, nëse fyerjet dhe sharjet vazhdojnë sikurse herën e kaluar, atëherë rezultatet do të jenë përsëri të njëjta.

    Jasharaj e ripërsërit edhe njëherë se me shkumës e shpuza, pa llaptop e projektor në shkolla vështirë se mund të ketë rezultate.

    “Me shkumës dhe shpuza dhe me rastin siç ndodhi sivjet me shpërndarjen e librave, pa llaptop e projektor vështirë se mund të arrijmë rezultate që do të dëshironim ti kemi ngase nxënësit e Kosovës jashtë po dëshmohen tepër inteligjent, por këtu mund të jetë fajtor, kurrikula, tekstet shkollore, mund të jenë kushtet që i kanë. Nuk po dua t’i mbroj mësimdhënësit, pro duke u ulur bashkë me ta, duke u ulur me të gjitha palët besoj se mund të arrijmë një gjendje krejt tjetër edhe në testin Pisa por edhe në përpjekje tjera të vazhdueshme për rritje të cilësisë”, ka thënë ai.

    Rezultatet e testit “PISA 2022” janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.

    Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, tha se rezultatet kanë qenë të pritshme.

    “Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por, ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

    PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

  • Ish-ministrja e Arsimit, Bajrami: Rezultatet e PISA-s, të pritshme

    Ish-ministrja e Arsimit, Bajrami: Rezultatet e PISA-s, të pritshme

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), që e rendisin Kosovën në vendin e 76-të janë të pritshme.

    Ish-ministrja e Arsimit, ka theksuar se në tri vitet e fundit viti shkollor ka nisur me një muaj vonesë.

    Ajo ka renditur në katër pika, arsyet që sipas saj kanë ndikuar që Kosova të dalë kaq poshtë:

    “1. Ministrja e Arsimit punën e parë si ministre e ka bërë duke shkelur Kushtetutën me kthimin prapa të reformës në arsim që e pati nisur Komuna e Kamenicës. 2. Veprimi i dytë i Nagavcit dhe i gjithë Qeverisë ka qenë mposhtja e SBASHK-ut dhe jo ngritja e cilësisë në arsim. Këtë betejë Qeveri-SBASHK e kanë paguar nxënësit, duke humbur mijëra orë mësimore”, ka shkruar Bajrami.

    “3. Shkelësja e Kushtetutës, pra ministrja Nagavci, bëri eksperimentin tjetër këtë vit me libra. Dhe, jemi në fund të gjysmëvjetorit të parë dhe ende ka nxënës që shkon me libra të pakompletuar në shkollë. 4. Sot, kur po e komentojmë këtë rezultat të PISA-s, MASHT-i me të dhëna të veta konfirmon se në vendin tonë rreth 73% e paraleleve dhe 33 % e shkollave nuk i plotësojnë kriteret ligjore për zhvillim të mësimit dhe ministrja ende s’ka ndërmarrë asnjë veprim për riorganizimin e rrjetit të shkollave”, ka shtuar ajo.

  • ​PISA publikon rezultatet, Kosova pothuajse e fundit në listë

    ​PISA publikon rezultatet, Kosova pothuajse e fundit në listë

    PISA ka publikuar rezultatet e testit për vitin 2022, me Kosovën që ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtetet pjesëmarrës për lexim, kurse vendin e 77 për shkencë.

    Pak më mirë, Kosova ka performuar në matematikë, duke u renditur vë vendin e 73-të nga 80 shtetet pjesëmarrëse.

    Rezultatet e testit janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.

    Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale që konsiderohen të rëndësishme për pjesëmarrje efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës.

    PISA është një projekt i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD. Në Irlandë, projekti menaxhohet nga Qendra e Kërkimit Arsimor në emër të Departamentit të Edukimit dhe Aftësive.

  • Babai i dorasit të Liridonës: Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua

    Babai i dorasit të Liridonës: Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua

    Mursel Plava, babai i dorasit në vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plavës, ka thënë se djali i tij është i vdekur për të.

    Ai ka treguar se Graniti jetonte vetëm me gruan dhe fëmijët e tij, ndërsa ai vetë në Kroaci dhe se kishte dy ditë që kishte ardhur në Kosovë.

    “Është shumë e vështirë për tri shtëpitë. Nuk po mundem as me paramendu. Nuk mund ta besoj që djali im e ka bërë këtë. I them hetuesisë ta çojnë deri në fund, si ka ardhur deri te kjo, kush ka qenë iniciator. Me marrë dënimin e merituar”, tha ai.

    “Kurrë se kisha menduar që e bënë atë punë. Nëse Graniti e ka bo këtë rast le ta merr dënimin e merituar”, tha ai.

    “Gruaja e tij është e tronditur, nuk po mundet me besu. Nuk e kam takuar. Nuk du me shku me taku, du mu qetësu, nuk jam në gjendje me taku”, tha ai për Indeksonline.

    “Nëse Graniti e ka bërë këtë vepër, është i vdekur për mua, është i vdekur për jetë”, tha babai i dorasit.

    Ai gjithashtu i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerës.