ATV

Category: Lajme

  • Më 14 dhjetor shqiptohet Aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

    Më 14 dhjetor shqiptohet Aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

    Paneli i Gjykatës së Apelit do ta shqiptojë Aktgjykimin e Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës më 14 dhjetor.

    Seanca do të jetë publike dhe e hapur për media, sipas njoftimit të Gjykatës Speciale.

    Mustafa u shpall fajtor për krime luftë nga kjo gjykatë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, duke u dënuar me 26 vjet.

    Ndërkaq, më 2 shkurt Mbrojtja kishte apeluar kundër këtij Aktgjykimi.

  • Përndoqi një vajzë për disa muaj, arrestohet 33-vjeçari në Lushnjë

    Përndoqi një vajzë për disa muaj, arrestohet 33-vjeçari në Lushnjë

    Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Following”.

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të tyre, pas kallëzimit të bërë nga një shtetase 24 vjeçe se ish i dashuri i saj e kishte përndjekur në mënyrë të vazhdueshme, kishte ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kishte kanosur për të tërhequr kallëzimin që ajo kishte bërë ndaj tij, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Following”. Në kuadër të këtij operacioni, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lushnjë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit:

    E. C., 33 vjeç, banues në Lushnjë.

    Ky shtetas dyshohet se ka përndjekur 24-vjeçaren, ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe e ka kanosur që të tërhiqte kallëzimin që ajo ka bërë ndaj tij, disa ditë më parë.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

  • Avokati Gashi: Motivi i vrasjes së Liridonës kurrë nuk do të dihet

    Avokati Gashi: Motivi i vrasjes së Liridonës kurrë nuk do të dihet

    Avokati Tomë Gashi ka reaguar në lidhje me teoritë e fundit që po qarkullojnë në media rreth shkaqeve të vrasjes së Liridona Ademajt.

    Gashi në reagimin e tij i quan “ekspertë” kujdestarë të motiveve teksa thotë se motivi i vërtetë i vrasjes së Liridonës nuk do të dihet kurrë. Kjo sepse Naim Murseli e organizoi vrasjen në mënyrë të tillë, që motivet e vërteta të mos merren vesh kurrë.

    Postimi i tij i plotë:

    Keshille per “expertet“ kujdestare te motiveve:

    – Motivi i vrasjes se Liridona Ademaj kurre nuk do te dihet. Hamendesime edhe mund te keni, por motivin e vertete kurre nuk do ta dini!

    – Naim Murseli e organizoi vrasjen e Lirdones ne ate menyre qe mos te dihet motivi kurre.

    Po ju “experta”, si po e dini motivin?

    Jua ka thene kete Naimi apo si?

  • Arrestohet një person për kanosje të zyrtarëve policorë në Prishtinë

    Arrestohet një person për kanosje të zyrtarëve policorë në Prishtinë

    Në Prishtinë një person është arrestuar të martën pasi që ka kanosur zyrtarë policorë.

    “Prishtinë 05.12.2023-10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti kishte kanosur zyrtarët policor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Policia konfiskon para false në Prishtinë e Suharekë

    Policia konfiskon para false në Prishtinë e Suharekë

    Policia e Kosovës njofton se një qytetare në Suharekë ka raportuar se nga persona të panjohur janë pranuar para të metalta në vlerë rreth 418 euro.

    Sipas policisë paratë e dyshuara janë konfiskuar si prova materiale për hetime të mëtutjeshme

    “Suharekë 05.12.2023-09:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se nga persona të panjohur janë pranuar para të metalta në vlerë rreth 418 € që dyshohet se janë të falsifikuara. Paratë e dyshuara janë konfiskuar si prova materiale për hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu sipas policisë në Prishtinë, ankuesja femër kosovare ka raportuar se janë hasur dy kartëmonedha si dhe tri monedha, të gjitha në vlerë totale prej 556 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Prishtinë 29.11-05.12.2023-NN. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se janë hasur dy kartëmonedha si dhe tri monedha, të gjitha në vlerë totale prej 556 € që dyshohet të jenë të falsifikuara. Paratë e dyshuara janë konfiskuar për hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin e policisë.

  • ​Zelensky anulon papritmas konferencën e Senatit të ShBA-së për shkak të bllokimit të fondeve

    ​Zelensky anulon papritmas konferencën e Senatit të ShBA-së për shkak të bllokimit të fondeve

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka anuluar një konferencë të profilit të lartë me ligjvënësit amerikanë mes një ngërçi mbi financimin e ardhshëm të SHBA për Ukrainën.

    Paraqitjet virtuale në Senat ishin planifikuar për të martën, por u anuluan në momentin e fundit, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Kjo erdhi pasi një zyrtar i lartë ukrainas paralajmëroi se ata rrezikojnë të humbin luftën kundër Rusisë nëse nuk miratohen më shumë ndihma ushtarake amerikane.

    Udhëheqësi i Senatit, Chuck Schumer, nuk shpjegoi pse Zelensky nuk u paraqit.

    Ai tha se presidenti ukrainas ishte i zënë me një çështje “të minutës së fundit”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Shefi i shtabit të Zelensky, Andriy Yermak, tha më herët të martën se ekzistonte një “rrezik i madh” i humbjes së Ukrainës pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve.

    “Do të jetë e vështirë të qëndrosh në [të njëjtat] pozicione dhe që njerëzit të mbijetojnë me të vërtetë,” shtoi ai, në një fjalim në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington DC.

    Vlerësimi i tmerrshëm i Yermak u dha vetëm disa orë përpara se Zelensky të tërhiqej nga një video-konferencë e planifikuar me senatorët amerikanë për t’i informuar ata mbi përpjekjet e luftës.

    Ambasada e Ukrainës në Uashington DC nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje të BBC që kërkoi shpjegime të mëtejshme për anulimin.

    Ajo vjen pas një shtytjeje të përtërirë nga Shtëpia e Bardhë për mbështetje shtesë për Ukrainën. Kongresi i SHBA, megjithatë, nuk është ende afër një marrëveshjeje mbi një paketë shpenzimesh kompromisi që do të ndihmonte në financimin e përpjekjeve të luftës.

    “Ne jemi pa para – dhe pothuajse pa kohë,” shkroi Shalanda Young, drejtoresha e buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, në një letër drejtuar udhëheqësve republikanë dhe demokratë të botuar të hënën.

    Ajo paralajmëroi se dështimi i Kongresit për të miratuar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën para fundit të vitit do ta “gjunjëzonte” kombin në luftën e tij kundër Rusisë dhe se nuk kishte mbetur një “mënyrë magjike e financimit”.

    Të hënën, megjithatë, Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, dukej se nuk pranoi kërkesat e fundit për të siguruar dhjetëra miliarda dollarë më shumë financim.

    “Administrata e Bidenit ka dështuar të adresojë në mënyrë thelbësore asnjë nga shqetësimet legjitime të konferencës sime në lidhje me mungesën e një strategjie të qartë në Ukrainë, një rrugë për zgjidhjen e konfliktit ose një plan për të siguruar në mënyrë adekuate përgjegjësinë për ndihmën e ofruar nga taksapaguesit amerikanë”, shkroi ai në mediat sociale.

    Bllokimi i financimit vjen pasi luftimet në vijën e parë duket se kanë arritur në një ngërç praktik.

    Kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës në jug duket se është ngadalësuar, ndërkohë që forcat e Kievit po përpiqen të mbajnë një terren që kishin vendosur në bregun lindor të lumit të madh Dnipro.

    Që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit 2022, Kongresi i SHBA ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë (87 miliardë £) ndihmë ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën.

  • Mblidhet sot KQZ-ja, rekomandohet regjistrimi i një partie serbe

    Mblidhet sot KQZ-ja, rekomandohet regjistrimi i një partie serbe

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë sot mbledhjen e radhës e ku pritet rekomandimi për regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”.

    Përveç kësaj në rend dite janë edhe disa pika të tjera.

    Rendi i plotë i ditës:

    1. Hyrje: z.Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së

    2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes së KQZ Nr.31 dhe 32/2023

    3. Aktivitetet e Zyrës -Rekomandimi për regjistrim të partisë politike “Srpska Demokratija”

    4. Raportet e Këshillave të KQZ

    3.1.Këshilli për Operacione Zgjedhore

    1. Njoftim lidhur me numrin e kërkesave për ndërrimin e Qendrës të Votimit;

    2. Njoftim për ndryshimin e lokacionit të Qendrës së Votimit në Besi;

    3. Njoftim me rekomandimet nga raportet, analizat dhe publikimet e KQZ-se 2023;

    4. Shqyrtimi dhe miratimi i Historikut të Zgjedhjeve;

    5. Njoftim me vlerësimin paraprak të zbatimit të planit të punës së KQZ për vitin 2023 – periudha Janar – Nëntor 2023;

    6. Njoftim për draft Planin e Punës së KQZ 2024;

    3.2.Këshilli për Çështje Ligjore

    -Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës për zëvendësimin e anëtarit të kuvendit komunal në Fushë Kosovë

    3.3.Këshilli për Personel

    – Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për organizimin e punëtorisë për Rregulloret e brendëshme të KQZ

    5. Të ndryshme

  • Ali Ahmeti: Më 28 janar do të ketë kryeministër shqiptar në Maqedoni

    Ali Ahmeti: Më 28 janar do të ketë kryeministër shqiptar në Maqedoni

    Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka paralajmëruar se nga 28 janari i vitit të ardhshëm në RMV do të ketë kryeministër shqiptar, duke e zbatuar marrëveshjen e koalicionit të partisë së tij dhe LSDM-së.

    Këto komente Ahmeti i bëri nga ceremonia ku e pranoi çmimin “Qytetar Nderi i Tropojës” në qytetin e Bajram Currit.

    “Azgan, s’ka besoj. Më 28 janar do të ketë kryeministër shqiptar në Maqedoni”, tha mes të tjerash Ali Ahmeti.

  • Mbi 4 mijë konvertime të targave ilegale

    Mbi 4 mijë konvertime të targave ilegale

    Kur kanë mbetur edhe 10 ditë që nga përfundimi i aftit shtesë për konvertimin e targave ilegale në ato të Republikës së Kosovës, serbët lokal në veriun e vendit kanë shtuar interesimin për regjistrimin e automjeteve të tyre. Deri me tani afër 5 mijë qytetarë serbë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Qeverisë së Kosovës.

    Ka mbi një muaj që një pamje e tillë, po shihet tek qendra për kontrollim teknik të automjeteve.

    Janë këta qytetarët lokal serbë të veriut të Kosovës.

    Këta të fundit iu përgjigjën në mënyrë masive thirrjes për konvertimin e targave ilegale KM në RKS.

    E kur kanë mbetur edhe 10 ditë që nga përfundimi i afatit shtesë, numri i atyre që i konvertuan targat, ka shkuar në mbi 4 mijë.

    “Tash i kemi mbi 3 mijë e 200 automjete që janë regjistruar (në RKS) dhe 800 me herët, pra numri ka shkuar në mbi 4 mijë, ne konsiderojmë që 15 ditori do të jetë afat i mjaftueshëm që gjithë ata që e kanë shanse që t’i regjistrojnë veturat e tyre nga targat ilegale në ato të Kosovës, do ta kenë këtë shanse”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për Veri, Veton Elshani.

    Elshani shtoi se afati shtesë prej 15 ditësh është i mjaftueshëm për këtë proces.

    “Është duke vazhduar me një tempo më të ulët tash, për arsye se jemi në afatin shtesë prej 15 ditësh, sidoqoftë ky afat shtesë është më shumë për ata që nuk kanë pasur mundësi t’i regjistrojnë deri tani për ndonjë problem teknik apo diçka të tillë”, u shpreh Elshani.

    Se ka një interesim të shtuar për t’i konvertuar targat para se të përfundoj afati shtesë, e thonë edhe në komunën e Mitrovicës veriore.

    “Po shoh shumë interesim, ne informatat i kemi që janë 4 mijë e 700 targa në pjesën veriore, dhe sot kam pas rastin me pa që është interesimi i madh nga komuniteti serb për me i kry në afat kohor regjistrimin e automjeteve dhe puna në kuadër të komunës po ec mirë, shërbimet janë adekuate nga stafi”, deklaroi kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin.

    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka shtyrë afatin për regjistrimin me benefite financiare për pronarët e automjeteve me targa ilegale deri me 15 dhjetor.

  • Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Parashikimi i motit për sot dhe nesër

    Gjatë ditës së sotme në vendin tonë parashihet të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje shiu.

    Temperaturën minimale për ditën e sotme do ta mbajë Gjilani me 2 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prizreni me 9 gradë Celsius.

    Edhe dita e nesërme do të jetë me kushte të njëjta atmosferike. Temperaturën minimale për ditën e nesërme do ta mbajë Peja me -3 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale përsëri Prizreni me 8 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot të vranët dhe me kthjellime të herëpashershme. Temperaturën minimale do e ketë Kukësi me 3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Vlorë dhe Durrës me nga 15 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë mund ta ndiqni në videon e mëposhtme: