ATV

Category: Lajme

  • ​Hovenier kërkon adresimin e vrasjes së grave në nivel të shoqërisë

    ​Hovenier kërkon adresimin e vrasjes së grave në nivel të shoqërisë

    Ambasadori i ShBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka komentuar vrasjen e Liridona Ademajt, të orkestruar nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    Ai tha se ky rast i femicidit në Kosovë tregon nevojën për adresimin e kësaj çështjeje në nivel të shoqërisë.

    Hovenier, në konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI, theksoi nevojën që në Kosovë të ketë një demokraci të fortë dhe promovim të drejtave të njeriut.

    Përkitazi me këtë, ai shtoi kërkesën për pjesëmarrje të sigurt të grave në shoqëri. /KosovaPress

  • ​Shkyçet nga ujësjellësi Qendra Tregtare në Podujevë, kishte borxh 26 mijë euro

    ​Shkyçet nga ujësjellësi Qendra Tregtare në Podujevë, kishte borxh 26 mijë euro

    KRU Prishtina ka ndërmarrë sot një aksion për shkyçjen e borxhlinjve në disa komuna të Kosovës.

    Aksionet janë duke u zhvilluar në Podujevë, Shtime, Lipjan, Graçanicë, Fushë Kosovë dhe Prishtinë.

    Për shkak të borxhit të papaguar në shumën 26 mijë euro nga rrjeti i ujësjellësit është shkyçur Qendra Tregtare në Podujevë.

    “S’ka ujë pa paguar faturat”, ka thënë KRU Prishtina në një postim në Facebook.

  • Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

    Kurti: Të drejtat e njeriut janë thelbi dhe themeli i qytetërimit

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, të organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).

    Në njoftim thuhet se Kurti shprehu kënaqësinë që ishte për të tretin vit radhazi në konferencën hapëse të Javës së të Drejtave të Njeriut, që këtë vit shënon edicionin e dhjetë, ndërkaq i përgëzoi për përkushtimin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë përgjatë kësaj dekade.

    Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti tha se beson se të drejtat e njeriut, janë edhe thelbi edhe themeli i qytetërimit. Gjithçka bëhet aq e vështirë sa që e pamundur nëse nuk besojmë në të drejtat e njeriut dhe gjithçka bëhet aq e lehtë pothuajse, menjëherë e realizueshme atëherë kur besojmë në të drejtat e njeriut, shtoi më tej.

    Në frymë të partneritetit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile, kryeministri Kurti bëri thirrje që të vazhdojmë të kemi diskutim të hapur për mënyrat e operacionalizimit të rekomandimeve të raporteve dhe analizave të këtyre organizatave për të drejtat e njeriut, e sidomos për aty ku konstatohen shkeljet e të drejtave të njeriut, të pakicave etnike, të komunitetit LGBTIQ+, të atyre që janë të varfër, të atyre të cilët për një arsye ose tjetër kanë ngelur të pashkolluar, të paarsimuar dhe të atyre që i kanë aftësitë e kufizuara apo nevojat e veçanta dhe të atyre të cilët konsiderojnë pse janë fatkeq në jetë meqenëse kanë pasur një aksident ose edhe kanë bërë një zgjedhje të gabuar në jetë që po ju kushton për tërë jetesën e mëtutjeshme.

    “Me të gjithë këta, solidaritet, bashkëpunim për barazi edhe për dinjitet. E uroj që këto platforma për diskutim sikurse edhe kjo konferencë të shërbejnë për shkëmbime të dobishme e frymëzim të ri”, tha Kurti në përfundim të fjalës së tij.

  • KQZ votoi regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”

    KQZ votoi regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e sotme ka votuar për regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”, raporton ATV.

    Kush është “Srpska Demokratija”?

    Iniciativa qytetare “Srpski opstanak” (Mbijetesa serbe) është shndërruar në parti politike “Srpska Demokratija”.

    Kryetar i kësaj partie politike është zgjedhur Aleksandar Arsenijeviq.

    Në kryesinë e partisë “Srpska Demokratija”, përveç Arsenijeviqit, janë zgjedhur edhe Ivan Orloviq, Valentina Ćerkoviq, Marinko Angjelkoviq dhe Stefan Veljkoviq.

    Kjo parti është themeluar më 2 shtator 2021 dhe kishte konkurruar në zgjedhjet lokale të organizuara në Kosovë, të cilat u mbajtën me 17 tetor 2021, ku lideri i “Srpska Demokratija”, Aleksandar Arsenijeviq, ishte i vetmi kundërshtar politik nga komuniteti serb ndaj kandidatit të atëhershëm të “Srbska Lista”, Milan Radojeviq, për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. /atvlive.tv

  • ​Manja për vrasjen e Liridonës: Naimi nuk meriton të quhet shqiptar

    ​Manja për vrasjen e Liridonës: Naimi nuk meriton të quhet shqiptar

    Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja deklaron se ndëshkimi meritor është përgjigja më e mirë për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas tij, vrasja e të rejës nga Prishtina është rasti i parë që ndodhë një krim i përmasave të tilla në vendet e rajonit. Manja në intervistën për KosovaPress teksa komenton inskenimin e vrasjes nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, konsideron se i njëjti nuk meriton të quhet shqiptar. Ai flet edhe për rastet e dhunës mbi baza gjinore në Shqipëri dhe masat që janë duke ndërmarrë për të parandaluar raste të tilla.

    Ministri i Drejtësisë së Shqipëri ka ngushëlluar familjen dhe të afërmit e Liridona Ademaj, e cila u vra javën e kaluar në Prishtinë.

    “Thirrja ime në rastin konkret shkon për organet e drejtësisë. Ky rast do të duhet të trajtohet në mënyrë transparente në të gjithë dimensionin e saj kriminal që ka. Sepse është rasti i parë që në vendet tona të rajonit, aty ku jetojnë dhe banojnë shqiptarët që ndodhë një krim i përmasave të tilla. Ai meriton ndëshkim meritor por edhe rasti i Liridonës dhe i ndëshkimit meritor që do të duhet të marrë nga organet e drejtësisë do të duhet të jetë një rast përgjithësues për të mos ndodhur më në shoqëritë tona një krim i tillë i shëmtuar. Le të themi, ai nuk meriton për mendimin tim të quhet shqiptar. Tani i takon drejtësisë që të jap përgjigjen. Dhe përgjigjen duhet ta jap shpejt në mënyrë objektive, për të mos e lënë që rastit t’i vihet pluhuri i harresës. Një drejtësi që jepet shpejt, në kohë dhe në mënyrë objektive është përgjigja më e mirë që marrin monstrat e tilla”, deklaron ai për KosovaPress.

    Tutje, shton se nuk mjaftojnë vetëm 16 ditë të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore për të adresuar këto probleme.

    Ministri Ulsi Manja tregon se gjatë këtij viti, autoritetet gjyqësore në Shqipëri kanë lëshuar mbi dy mijë urdhra mbrojtjeje për gratë dhe vajzat.

    “Janë 2373 urdhra mbrojtje nëse nuk gaboj dhe më shqetëson ky numër i urdhrave të mbrojtjes që kanë dhënë gjykatat në Shqipëri. Por nga ana tjetër unë e konsideroj si një rritje të ndërgjegjësimit të viktimave të dhunës në familje. Fakti që nënat dhe gratë, motrat, denoncojnë dhunën në familje dhe drejtohen në gjykatë për të marrë një urdhër mbrojtje, është një fenomen që duhet përshëndetur. Unë do të dëshiroja që të mos ketë asnjë urdhër mbrojtje, por është një luftë e përditshme”, shton ministri Manja.

    Ai deklaron se roli i institucioneve në luftimin e këtyre rasteve është i pazëvendësueshëm, ku tregon se cilët janë hapat që po ndërmarrin në adresimin e këtyre çështjeve.

    “Shqipëria në këtë drejtim me ratifikimin e Konventës së Stambollit ka një kuadër të plot për adresimin e dhunës me baza gjinore dhe dhunës në familje. Jemi në fazat e miratimit të strategjisë së viktimave 2023-2030, të cilën do ta qojmë shumë shpejt në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, jemi në fazën e miratimit të Kodit të ri Penal, ku kemi paraparë masa të tjera shtesë penale për adresimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje”, përfundon Manja.

    Javën e kaluar në rrugën “Dalip Alshiqi” është vrarë 30-vjeçarja, Liridona Ademaj. Policia e Kosovës rastin e kishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, kurse dy ditë më vonë, policia kishte njoftuar për arrestimin e tre personave të dyshuar për rastin.

    Njëri nga ta ishte bashkëshorti i tashmë të ndjerës, Liridonës, Naim Murseli, kurse tjetri i identifikuar ishte Granit Plava – i cili dyshohet se kreu vrasjen “me porosi”.

    Granit Plava, i cili është edhe bashkëfshatarë me Naim Murselin, dyshohet se për kryerjen e vrasjes u pagua 30.000 euro nga Murseli, ku 15 mijë euro i kishte marrë para kryerjes së vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’i merrte pas vrasjes së Liridonës. Policia arrestoi edhe një person të tretë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, i cili është Kushtrim Kokalla – pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. /kp

  • Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë ‘një nga vendet më të rrezikshme’ në botë

    Agjencia e OKB-së: Gaza është bërë ‘një nga vendet më të rrezikshme’ në botë

    Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha të mërkurën se Rripi i Gazës është bërë “një nga vendet më të rrezikshme” në botë, mes sulmeve të vazhdueshme izraelite në enklavën e rrethuar palestineze.

    “I gjithë Rripi i Gazës është bërë një nga vendet më të rrezikshme në botë”, tha UNRWA në një deklaratë në X.

    UNRWA tha gjithashtu se “nuk ka ku të shkojë për strehim” në Gaza, duke shtuar se strehimoret e saj janë “mbushur” me palestinezë të zhvendosur.

    Të hënën, UNRWA tha se mbi 85% e popullsisë së Gazës janë aktualisht të zhvendosur – gati 1.9 milion nga 2.3 milion njerëz gjithsej – dhe se pothuajse 1.2 milion persona të zhvendosur brenda vendit janë strehuar në 156 pikat e saj.

    Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në territorin palestinez të premten pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

    Të paktën 16,248 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 43,616 të tjerë janë plagosur në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në enklavë që nga 7 tetori pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi.

    Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë në sulmin e Hamasit është 1200./AA/

  • Kush është Lupço Palevski, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup?

    Kush është Lupço Palevski, i dyshuari për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup?

    I ekspozuar në media, aktiv në politikë dhe biznesmen i dyshuar, kështu mund të përshkruhet profili i Lupço Palevskit – Palço, i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit, Pançe Zhezhovski nga Velesi.

    Palevski ishte aktiv në rrjetet sociale me podkastin e tij “Krsh”, si drejtues i lëvizjes “E treta”, një grupim politik me bindje pro-ruse ku ai përçonte mesazhe me nxitje nacionaliste.

    Mbrëmjen e 21 nëntorit, një ditë para rrëmbimit të 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski, ai kishte bërë një njoftim në rrjetin social Facebook se emisioni i radhës i paraparë për të dielën, do të shtyhej për të martën, më 23 nëntor.

    Ditën e rrëmbimit të Zhezhovskit ai nuk bëri asnjë postim, ndërsa pas rrëmbimit të 14-vjeçares në disa raste ka shkruar se fëmijërinë e kishte kaluar pranë shkollës “Pestaloci”, e njëjta ku mësonte Vanja Gjorçevska.

    Derisa vazhdonin kërkimet për Vanjën, në postimet e tij, i dyshuari për rrëmbimin dhe vrasjen e saj, përdorte gjuhë të urrejtjes dhe nacionalizëm ekstrem.

    Lupço Palevski dhe katër persona të tjerë, përfshirë dhe të atin e vajzës, pas një hetimi intensiv nga policia dhe prokuroria maqedonase, rezultuan të jenë autorët e rrëmbimit, ndërsa Palevski edhe ekzekutor i tyre.

    Një ditë para publikimit të hetimeve, Palevski ishte arratisur nga Maqedonia e Veriut, ndërsa më 5 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, njoftoi se ai ishte arrestuar në Turqi dhe se tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, derisa të dyshuarit e tjerë tashmë ndodhen në paraburgim në Shkup.

    Lupço Palevski-Palço, ish-themelues i javores “Start”, përmes së cilës ai donte të ishte i pranishëm në media, kështu që përveç podkast-it të tij personal, i cili ka 2500 ndjekës, ai mori hapësirë edhe në portalin pro-rus “Infomax”, sipas hulumtimeve mbi ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut.

    Palço për opinionin e gjerë njihet që nga viti 1998 kur u bë kryetar i degës së Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM) në Shkup, e cila tani drejtohet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

    Ekspertët e kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se pikërisht kjo është periudha kur atij i jepet mundësia të afrohet me ish-drejtorin e policisë sekrete në atë periudhë, Zoran Verushevski./REL/

  • Rezultatet e PISA-s, Partia Socialdemokrate organizon aksion simbolik para MAShTI-t

    Rezultatet e PISA-s, Partia Socialdemokrate organizon aksion simbolik para MAShTI-t

    Partia Socialdemokrate ka njoftuar se sot në orën 15:00 do të mbajë një aksion simbolik në lidhje me dështimin në PISA.

    Aksioni do të mbahet pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    “Sot, nga ora 15:00, PSD do të mbajë një aksion simbolik në lidhje me dështimin e qeverisë në fushën e arsimit. Aksioni do të mbahet pranë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në njoftim.

    PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Nagavci të jap dorëheqje

    LDK-ja i quan shqetësuese rezultatet e PISA-s: Qeveria s’ka kujdes as minimal për arsimin

  • Rumania shpall epidemi të fruthit

    Rumania shpall epidemi të fruthit

    Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë ka shpallur epidemi të fruthit në nivel kombëtar pas rritjes alarmante të rasteve në të gjithë vendin.

    “Ministria shpall një epidemi kombëtare për të lehtësuar vaksinimin e fëmijëve mes 9 dhe 11 muajsh dhe të fëmijëve më të rritur që nuk janë vaksinuar ende”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë rumune të Shëndetësisë më 5 dhjetor.

    Ndër tjerash, aty shtohet se ishin afër 2.000 raste të reja në 29 nga 41 qarqet e Rumanisë.

    Rumania është përballur me rënie të vazhdueshme të numrit të fëmijëve të vaksinuar kundër fruthit, që është nxitur nga fushatat kundër vaksinimit të fëmijëve nëpër mediat sociale./REL/

  • Rukiqi: Mbi 26 mijë kosovarë janë shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit

    Rukiqi: Mbi 26 mijë kosovarë janë shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit

    Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për të ndarë 5 milionë euro në përkrahje të qytetarëve në nevojë për blerjen e druve për ngrohje gjatë dimrit.

    Rukiqi e ka quajtur Qeverinë Kurti si “OJQ” dhe ka thënë se Kurti nën presionin e skandaleve po i kthehet populizmit, duke marrë vendim për shpërndarje të ndihmave për dru.

    Ai tutje ka thënë se 26 mijë qytetarë ia në shtuar listës së qytetarëve të varfër gjatë qeverisjes së Kurtit dhe shton se qytetarët s’kanë nevojë për lëmoshë por për jetë të përballueshme dhe të dinjitetshme.

    Reagimi i plotë:

    Organizata Joqeveritare “Qeveria Kurti”

    Kryemashtruesi, nen presion nga skandalet, me deshtime ne çdo fushe qe i prek qytetaret e vendit dhe nen sanksione, i kthehet edhe njehere kartes te popullizmit.

    E ka shendrruar qeverisjen ne nivelin e nje organizate qe shperndan ndihma.

    Duhet te ja rikujtojme prape, qe me ndihma nuk ka zhvillim e as punesim. Mbi 26,000, eshte numri i qytetareve, qe i jane shtuar listes te te varferve, ne dy vite te qeverisjes te levizjes Vetevendosje.

    Qytetaret nuk kane nevoje per lemoshe. Kane nevoje per vende pune, si dhe jete te perballueshme dhe te dinjitetshme