ATV

Category: Lajme

  • 22 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    22 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

    Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001 pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politikë të regjimit serb.

    Kurti u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

    Procesi gjyqësor ndaj Kurtit ka filluar më 9 mars 2000, ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.

    Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

    Prej nëntorit 2000 deri më 3 dhjetor 2001 ka qenë në burgun e Quprisë, ndërkaq prej 3 dhjetor 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.

    Përveç burgut në Serbi, Kurti është arrestuar disa herë edhe në Kosovë.

  • Policia bastis një shtëpi në veri, gjen uniforma policore e ushtarake dhe shok-bombë

    Policia bastis një shtëpi në veri, gjen uniforma policore e ushtarake dhe shok-bombë

    Pasditen e sotme, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në një shtëpi në Mitrovicë të Veriut, nën dyshimin për gjësende të kundërligjshme. Pas kontrollit janë sekuestruar prova të ndryshme, teksa tashmë kanë nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjalizuesi nga Veriu ka bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se në shtëpinë që u bastis janë gjetur disa uniforma policore dhe disa ushtarake, por edhe një shok bombë e pajisje të tjera.

    Sipas informacioneve të para, shtëpia që u kontrollua dyshohet se ka qenë e pabanuar dhe nuk dihen detaje të tjera nëse persona të caktuar e kanë shfrytëzuar për strehim apo si kanë përfunduar uniformat që u gjetën aty bashkë me mjetin shpërthyes.

    Njësitë policore që intervenuan në vendin e ngjarjes kanë sekuestruar të gjitha dëshmitë, ndërkohë që lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.

    Me urdhër të tij tashmë është iniciuar hetim dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren edhe veprimet e tjera të nevojshme.

  • Mimoza Kusari flet për tragjedinë që tronditi Kosovën: E kam njohur Naim Murselin në kohën kur jam zgjedhur kryetare e Gjakovës

    Mimoza Kusari flet për tragjedinë që tronditi Kosovën: E kam njohur Naim Murselin në kohën kur jam zgjedhur kryetare e Gjakovës

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, në emisionin CONTEXT në ATV, ka treguar se gjatë kohës kur ajo ishte zgjedhur kryetare e komunës së Gjakovës, e kishte njohur Naim Murselin, të dyshuarin për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

    “Unë e kam njoftë Naim Murselin shkurt, shumë shkurt. Ka qenë në periudhën kur unë pasi jam zgjedhë kryetare e Komunës së Gjakovës, ai është afru me presidentin e AKR-së, zotin Pacolli, edhe me AKR-në. Tash më tutje për angazhimin e tij nuk më ka ra”, thotë Kusari.

    Ajo thotë se kjo vrasje nuk duhet të trajtohet si rast i izoluar.

    “Ajo çka ka ndodhë çka ka ndodhë, kemi qenë gjithë pas tragjedisë dhe të shokuar pas vrasjes. E kemi pa një njëfarë forme jemi ndi të mbrojtur edhe pak ma konfident me faktin që janë zbulu shumë shpejt, por duhet të zbardhet deri në fund i gjithë rasti dhe tjetra nuk bën me u trajtu si një rast të izolum. Nëse është angazhu vrasës me pagesë për t’u vra një grua, duhet që të trajtohet me seriozitetin maksimal edhe pastaj çfarëdo pretendimi ose afërsie dikujt tjetër për me shku në ngjarje, me ripërsëritë skenar të njëjtë, me u parandalu. Parandalimi më shumë sesa pastaj veprimi, pasi të ndodhë krimi është shumë i rëndësishëm”, tha Kusari. /atvlive.tv

  • Danimarkës i rekomandohet anulimi i marrëveshjes me Kosovën për të burgosurit

    Danimarkës i rekomandohet anulimi i marrëveshjes me Kosovën për të burgosurit

    Përgatiti: Nora Luta

    Komiteti i Kombeve të Bashkuara për parandalimin e torturës i ka rekomanduar Qeverisë së Danimarkës të anulojë marrëveshjen me Kosovën për transferimin e të burgosurve.

    Në raportin e publikuar, shtetit danez i kërkohet një gjë e tillë me arsyetimin se mund të shkelen të drejtat e njeriut, pasi të dënuarit mund të kufizohen ndër të tjera edhe nga vizitat familjare.

    Megjithatë, për rekomandimet e Komitetit, Ministria e Drejtësisë thotë se nuk është në dijeni.

    MD-ja në një përgjigje për ATV, thotë se sipas marrëveshjes, e cila ende nuk është ratifikuar në Kuvend, në burgun e Gjilanit nuk do të vendosen danezë me dënime me të larta se 10 vjet.

    Por me vërejtjet e Komitetit, që janë paraqitur në raportin rreth zbatimit të Konventës kundër Torturës dhe Ndëshkimit Çnjerëzor, pajtohet edhe Këshilli për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Prishtinë, i cili që nga fillimi ishte kundër kësaj marrëveshjeje.

    Ndërkohë, edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi kërkon që kjo marrëveshje të mos ratifikohet, pasim sipas tij, është edhe në kundërshtim me konventën e Këshillit të Evropës.

    Me miratimin e këtij traktati, sipas Ministrisë së Drejtësisë, Kosova nga transferimi i 300 të burgosurve, do të përfitojë tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë eurosh dhe 6 milionë euro të tjera për energji të gjelbër.

  • Ende s’ka raport final për 24 shtatorin, Serbia mund të përfitojë

    Ende s’ka raport final për 24 shtatorin, Serbia mund të përfitojë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Institucionet e Kosovës ende nuk e kanë hartuar raportin hetimor përfundimtar për sulmin terrorist-paramilitar të 24 Shtatorit në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku.

    Pavarësisht fakteve të prezantuara nga Kosova, për rolin dhe përgjegjësinë e Serbisë në sulmin e udhëhequr nga Milan Radojicic, Bashkimi Evropian kërkon raportin përfundimtar, para se eventualisht të ndërmarrë masa ndëshkuese.

    I pamjaftueshëm është raporti preliminar, të cilin Qeveria ia kishte dërguar BE-së në Tetor.

    “Ne kemi pranuar informacione nga partnerët për sulmin e 24 Shtatorit, përfshirë Kosovën dhe presim raportin final”, ka thënë zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Policia, Prokuroria dhe Qeveria nuk treguan se kur do ta dorëzojnë raport final.
    Megjithatë, ATV-ja mësoi se punët për hartimin e tij po vazhdojnë dhe se synimet janë që ai të jetë gati në tremujorin e ngjarjes – më 24 Dhjetor.
    Mosfinalizimi i raportit para samitit të Këshillit Evropian, më 14 dhe 15 Dhjetor, vlerësohet se mund të çojë në humbje momentumi, pasi samiti i radhës, i pari në vitin 2024, është i paraparë tek në muajin Mars.

    “Këshilli Evropian është organi më i lartë që merr vendime, së bashku me Parlamentin Evropian. Do të ishte jashtëzakonisht pozitive që të dorëzohej para kohe, që ministrat dhe shefat e vendeve evropiane të kenë kohë të lexojnë dhe, mbi bazën e atij raporti, t’i marrin vendimet e duhura. Normalisht, kurdo që dorëzohet është mirë. Por, mendoj se në këtë rast shpejtësia është shumë e nevojshme, sepse në mars shumë gjëra mund të ndryshojnë”, tha profesori Dritëro Arifi.

    Veprimi më i shpejtë, sipas profesorit Dritëro Arifi do ta ndihmonte Kosovën edhe në procesin e dialogut me Serbinë.

    “Sa më shpejt të konkretizohet dhe të dorëzohet, sepse në njëfarë mënyre do të ishte edhe një element shtesë në dialog apo përfundimin e dialogut Kosovë-Serbi. Pra, do t’i kristalizonte shumë gjëra për disa vende që kanë ende mëdyshje se çka është dhe si sillet Serbia, si një vend kandidat i BE-së”, tha Arifi.

    Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë, lidhur me sulmin e 24 Shtatorit, me arsyetimin se po presin që hetimet e institucioneve të Kosovës të dëshmojnë rolin dhe përgjegjësinë e shtetit serb në këtë ngjarje.

  • Fajet i faturohen Qeverisë, për rezultatet në ‘PISA’

    Fajet i faturohen Qeverisë, për rezultatet në ‘PISA’

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Nxënësit që përfaqësuan Kosovën në testin e PISA-s, as këtë herë nuk arritën ta renditin vendin më lart krahasuar me herën e fundit në vitin 2018. Kosova këtë vit u rendit më keq në krahasim edhe me vendet e rajonit.

    Për rezultatet Ministria e Arsimit fajet ia la pandemisë.

    Reagime për rezultatet e testit PISA patën edhe partitë opozitare. Ato konsideruan se PISA është pasqyra e vërtetë e qeverisjes Kurti.

    Derisa numëruan edhe disa nga premtimet e qeverisë Kurti, para ardhjes në pushtet në aspektin e arsimit, nga PDK-ja u kërkua dorëheqja e ministres Arbërie Nagavci.

    Kritika për ministren e Qeverinë pati edhe PSD-ja.

  • KQZ-ja s’i merr parasysh kërkesat për shkarkim të kryetarëve në veri

    KQZ-ja s’i merr parasysh kërkesat për shkarkim të kryetarëve në veri

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu ka kthyer përgjigje banorëve serbë të cilët kërkuan shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

    Sipas KQZ-së kërkesat duhet të dorëzohen në Kuvendet Komunale përkatëse.

    “Mund t’iu konfirmoj se shkresat të cilat i kemi pranuar më 5 dhjetor përmes e-mailit, janë shqyrtuar dhe u kemi kthyer përgjigje, me anë të të cilave i kemi njoftuar se, sipas akteve nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kjo çështje duhet të adresohet te Kryesuesi i Kuvendit Komunal në komunat përkatëse, andaj i kemi udhëzuar që kërkesat e dorëzuara në KQZ t’i adresojnë tek autoriteti kompetent”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Faktin që serbët iu drejtuan KQZ-së me arsyetimin se autoritetet lokale refuzuan “iniciativën” e tyre, Selatin Kllokoqi nga Demokraci Plus i sheh më shumë si lojë politike.

    Megjithatë zgjedhje në katër komunat veriore zor që mund të ketë në një periudhë të afërt kohore.

    Sidoqoftë, kurdo që mbahen zgjedhjet, qytetarët në katër komunat veriore e kanë edhe një alternativë më shumë. Paraprakisht, KQZ-ja votoi për regjistrimin e partisë politike “Srpska Demokratija”.

    Ndërkohë, sipas Udhëzimit Administrativ, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, KQZ-ja njofton kryesuesin e kuvendit komunal, dhe grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

    Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht dhe t’i dorëzojë te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja.

    Nëse KQZ-ja konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e nevojshme, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani tha se nuk ka informacione rreth peticionit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

  • Pesë milionë euro për blerjen e druve për familjet me asistencë sociale

    Pesë milionë euro për blerjen e druve për familjet me asistencë sociale

    Rreth 21 mijë familje me rreth 81 mijë anëtarë përfitues do të subvencionohen për blerjen e lëndëve djegëse, në mënyrë që ta kalojnë dimrin më lehtë.

    Ministria e Financave ka prezantuar masën 1.2 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike përmes mbështetjes shtesë të njëhershme për blerjen e lëndëve djegëse për familjet përfituese të asistencës sociale.

    “Jemi në proces të verifikimit të listave, kur kryhet verifikimi, për familjet që janë aktualisht në asistencë sociale, rreth 21 mijë familje me rreth 81 mijë anëtarë përfitues, atëherë bëhet realizimi i mbështetjes. Besoj se do të bëhet gjatë ditëve në vijim”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    Këto mjete financiare janë pjesë e pakos mbështetëse të BE-së prej 75 milionë euro për energji që i ka bërë Kosovës.

    “Presim të vazhdojmë bashkëpunim në sektorin energjetik dhe reformat e zbatimit e investimeve për të siguruar të ardhme të mirë dhe për ta sjellë Kosovën më afër BE-së”, tha shefi për bashkëpunim në zyrën e BE-së, Johaness Madsen-Stenbaek.

    Në prezantimin e masës mori pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka treguar për masat mbështetëse që ka marrë gjatë qeverisjes së tij.

    “Qytetarët tanë e dinë se përballë vështirësive të kohës, ata asnjëherë nuk do të jenë të vetëm apo të vetmuar. Jemi dhe do të mbetemi Qeveri që udhëheq e mbështet, që prin dhe nuk e lë askënd prapa”, tha Kurti.

    Për të përfituar nga kjo masë familjet nuk kanë nevojë për aplikim, pasi përllogaritjet janë bërë nga Departamenti për Punë Sociale. /atvlive.tv

  • Propozimi i Ramës për faljen e tatimit në pronë s’mund të jetë në rend dite

    Propozimi i Ramës për faljen e tatimit në pronë s’mund të jetë në rend dite

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    3 ditë para përfundimit të afatit që Gjykata Kushtetuese ua ka dhënë komunave, për faljen e tatimit në pronë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë me një propozim.

    Sipas tij, nëse një pronë ka pasur tatimin 50 euro në vitin 2022 dhe në vitin 2023 është kalkuluar ta ketë 70 euro, atëherë falja do të jetë 20 euro, ndërsa nëse tatimi në pronë në vitin 2023 është mbi 300 euro, do t’i falen 100 euro.

    Kryetari Rama ka kërkuar që propozimi të votohet në seancën e së enjtes, mirëpo asamblistët nga opozita thonë se rendi i ditës për seancën e nesërme nuk mund të ndryshohet.

    “Ne kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për nesër me të vetmen pikë të rendit të ditës, falja e tatimit në pronë. Ndërkohë, dje e pamë që kryetari ka dalë me një propozim, por i cili fatkeqësisht nuk mund të inkorporohet në rend të ditës, për shkak se seancat e jashtëzakonshme e kanë të paracaktuar rendin e ditës, d.m.th. nuk mund të ketë ndryshime, nesër në seancë do të votohet vetëm për votimin tonë”, tha asambleisiti i LV-së, Gëzim Sveçla.

    Mirëpo, meqë procedurat nuk e lejojnë që të ndryshohet rendi i ditës, asamblistët e opozitës kanë kërkuar që të votohet propozimi i tyre për faljen e 100 eurove për të gjithë tatimpaguesit.

    “Unë iu bëj thirrje kryetarit dhe të gjitha partive, të cilat janë pjesë e kuvendit komunal, të marrin pjesë t’iu ndihmojnë pasi që kjo është një ndihmë, çdo gjë tjetër është mosrespektim i vullnetit dhe ne nuk dëshirojmë që nesër mbledhja të dështojë, sepse 100 euro janë shumë kursim për qytetarët e Prishtinës”, tha tha asambleisiti i AKR-së, Gëzim Mehmeti.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

    Deri më tani, 8 komuna kanë vendosur për faljen e tatimit në pronë për tatimpaguesit, derisa komuna e Pejës ka vendosur të mos bëjë falje.

  • S’dihet kur do të fillojë zbatimi i ligjit që mban dhunuesin larg viktimës

    S’dihet kur do të fillojë zbatimi i ligjit që mban dhunuesin larg viktimës

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Vrasja e Hamide Magashit në oborrin e Gjinekologjisë nga burri i saj, pati ngritur alarmin tek institucionet për zbatimin e Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike, i cili ishte miratuar qysh në vitin 2015.

    Një ditë pas varrimit të Magashit, Ministrja e Drejtësisë njoftoi se Qeveria do t’i ndajë 3 milionë euro për byzylykët që sinjalizojnë Policinë kur dhunuesi i afrohet viktimës.

    Ekzekutivi, për këtë ligj, në prill të 2023-tës, i ndau 600 mijë euro. Por, zbatimi ende nuk ka filluar. Derisa, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kthyer përgjigje se kur mund të vendosen hallkat e para, Ministrja e Drejtësisë, të martën foli vetëm për rëndësinë.

    Zvarritja e zbatimit të këtij ligji, sipas njohësve të fushës së drejtësisë, mund të çojë në viktima të tjera.

    “Derisa nuk zbatohet një ligj që është miratuar kaq moti, është tregues se mund të ketë raste të tjera të dhunës…”, tha avokati Yll Zeka.

    Megjithatë, një tjetër avokat propozon që vendosja e rrathëve sinjalizues, kurdo që ndodhë, të bëhet me kujdes.

    “Byzylykët nuk duhet të jenë të dukshëm, sepse kryerësit e veprave bëhen target i sulmeve…”, tha avokati Visar Rrecaj.

    Derisa Ligji për mbikëqyrje elektronike nuk është zbatuar disa gra të vrara në Kosovë viteve të fundit, u vranë derisa kishin urdhër mbrojte nga gjykata.