ATV

Category: Lajme

  • Policia arreston dy persona në Jarinjë, iu gjen cigare në kombi në vlerë 113 mijë euro

    Policia arreston dy persona në Jarinjë, iu gjen cigare në kombi në vlerë 113 mijë euro

    Policia e Kosovës, respektivisht njësitë policore nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të patrullimit, me qëllim të parandalimit dhe identifikimit të rasteve kriminale kanë ndaluar një automjet të dyshuar me targa vendore, në të cilin ndodheshin dy persona të dyshuar dhe kishin të ngarkuara në mjet mall/cigare në vlerë të konsiderueshme.

    Me datën 06.12.2023 rreth orës 21:10 njësitë kompetente policore në rrugën magjistrale Mitrovicë – Jarinje, konkretisht në fshatin Bistricë, kanë ndaluar automjetin e lartcekur, në të cilin ishin të ngarkuara rreth 6850 boksa të cigareve të 11 llojeve të ndryshme në vlerë rreth 113.000 euro (njëqind e trembëdhjetë mijë euro).

    Lidhur me rastin janë njoftuar Hetimet Rajonale, ku janë intervistuar palët e përfshira në rast, dy personat e dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë pasur për qëllim shitjen e mallit në mënyrë ambulantive në pika të ndryshme të shitjeve në Leposaviq dhe Leshak, mall i cili pas verifikimit ka rezultuar me banderola të Republikës së Kosovës.

    Pas konsultimit me prokurorinë e shtetit rasti është cilësuar si ‘tregti e ndaluar’ dhe malli i është dorëzuar Doganës së Kosvës për procedura të mëtutjeshëme.

  • 2 eurot false – Trafiku Urban del me një thirrje për qytetarët

    2 eurot false – Trafiku Urban del me një thirrje për qytetarët

    Në mënyrë që të shmanget përdorimi i parave të gatshme, e veçanërisht i monedhës 2 euro false në Kosovë, trafiku Urban në Prishtinë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të pajisen me bileta përmes SMS-ve.

    Pikërisht për këtë arsye, Trafiku Urban ka thënë se kondukterët po përballen me sfida shtesë në pranimin dhe kthimin e parave të imta gjatë inkasimit të biletave.

    “Duke pasur parasysh se kohët e fundit është rritur numri i monedhave të falsifikuara, punonjësit tanë në terren, konkretisht kondukterët, po përballen me sfida shtesë në pranimin dhe kthimin e parave të imta gjatë inkasimeve të biletave”, thuhet në njoftimin për media.

    Prandaj, janë qytetarët të kenë mirëkuptim për procesin e verifikimit të monedhave nga punonjësit gjatë kryerjes së pagesave dhe të shfrytëzojnë sa më shumë mundësinë e pajisjes me bileta përmes SMS, “formë kjo e cila është më e lehtë dhe më e sigurt”.

    “Bashkëpunimi dhe mirëkuptimi juaj do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve tona”, bëhet e ditur tutje.

  • Lansohet masa për punësimin e grave të dhunuara, 70 % e pagës subvencionohet nga Qeveria

    Lansohet masa për punësimin e grave të dhunuara, 70 % e pagës subvencionohet nga Qeveria

    Të gjitha gratë që janë të mbijetuara të dhunës në familje do të mund të përfitojnë nga masa e punësimit, ku 70 për qind e pagës së tyre për gjashtë muaj do të subvencionohet nga Qeveria. Deri më tani, shumica e grave të cilat janë viktima të dhunës në familje nuk janë të punësuara dhe përballen me kushte të rënda financiare. Kështu u tha në lansimin e kësaj mase në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku u tha se do të kujdesen për ruajtjen e konfidencialitetit të secilës grua.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësia ekonomike e grave është një shkallë e rëndësishme drejt zhvillimit dhe lirisë individuale, sikurse edhe sigurisë dhe mirëqenies.

    “Nga sot të gjitha gratë të cilat ishin viktima të dhunës në familje do të mund të jenë përfituese të kësaj skeme. Ajo çfarë duhet të bëjnë është të drejtohen në Zyrën e Punësimit në komunën e tyre përkatëse. Pas regjistrimit, këshilltarët e punësimit do të sigurohen se ato ndërmjetësohen në biznese të regjistruara të cilat ofrojnë pozitat të lira të punës. Pasi që të bëhet ky ndërmjetësim e të fillojnë punën, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të subvencionojë 70 për qind të pagës të të punësuarave për gjashtë muaj me radhë. Duke iu dhënë mundësinë për të punuar dhe një burim të të ardhurave, atyre u jepet një shans i ri për të rimarrë kontrollin e jetës së tyre. Kur gratë janë në gjendje të sigurojnë vetën financiarisht ato kanë më shumë mundësi të largohen nga marrëdhënie e mundshme dhe të fillojnë një jetë të re normale”, deklaroi Kurti.

    Shefi i ekzekutivit u zotua se do të punojnë për të eliminuar pabarazitë sociale që pengojnë pavarësimin ekonomik të grave dhe vajzave në Kosovë.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se ky lansimi i kësaj mase është aktiviteti më i rëndësishëm në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore. Ajo shtoi se të mbijetuarat e dhunës në familje për shkak të kushteve të rënda financiare detyrohen që të kthehen në vendin e krimit.

    “Edhe në bazë të kontakteve tona me të mbijetuarat e dhunës, në kontaktet që i kemi në terren me to por edhe nga informacionet që i kemi marrë nga strehimoret por edhe nga databaza e MD-së, sepse siç e dini Ministria e Drejtësisë e ka databazën ku adresohen rastet e dhunës në familje, shumica e grave të cilat janë të mbijetuara të dhunës në familje janë të pa puna. Pra, sfida më e madhe e tyre është mungesa e një vendi të punës sikurse edhe e strehimit. Dhe sot lansohet masa për punësimin e të mbijetuarave të dhunës, ndërsa ne urojmë shumë shpejt që Gjykata Kushtetuese të jap vendimin edhe për Ligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Sepse edhe në komunikim me ministrin e Financave kemi theksuar që është e rëndësishme që pasuritë të cilat konfiskohen nga persona të cilët i kanë krijuar në mënyrë të pajustifikueshme të ju jepen kategorive që kanë më së shumti në nevojë dhe që janë edhe të mbijetuara të dhunës në familje”, u shpreh Haxhiu.

    Ajo shtoi se në këtë nismë, Ministria e Drejtësisë do të ketë rol kyç në bashkëpunim me Agjencinë e Punësimit dhe strehimoret.

    Avancimi i rolit të gruas në shoqëri, siç tha ministri i Financave, Hekuran Murati, janë thelbësore për një shoqëri më të avancuar. Me masën e punësimit të viktimave të dhunës në familje, ai shtoi se do të ruhet konfidencialiteti i grave.

    “Ne si Ministri e Financave jemi kujdesur që ta përshtatim me masa që siç u tha, që në të njëjtën kohë edhe i mbështesim këto gra, mirëpo përmes një procesi të mirë dizajnuar, që ka marrë kohë derisa e kemi gjetur atë mënyrën se si ta ruajmë edhe konfidencialitetin, por edhe identitetin e këtyre grave duke e ditur që biznese të caktuara, apo pjesëtar tjerë të shoqërisë nëse e kuptojnë që kemi të bëjmë me një grua e cila është viktimë e dhunës në familje mund të ketë pra edhe më tej raste ku mund të ketë keqtrajtim apo abuzim, apo sjellje ndoshta që nuk do të bëhej në një rast tjetër. Siç e përmendi edhe kryeministri kemi të bëjmë me një masë e cila subvencionon 70 për qind të pagës për biznesin që punëson një grua që është viktimë e dhunës në familje, deri në masën 300 euro në muaj subvencioni, paga mund të shkojë edhe më lartë dhe për gjashtë muaj e parë ”, përfundoi ai.

    Në të ardhmen, ai shtoi se do të punohet që këto gra të jenë në prioritet edhe në trajnime, programe e kurse për rritjen e shkathtësive të tyre.

    Ministri Hekuran Murati theksoi se 190 mijë gra janë përfituese direkte të shtesave të fëmijëve. Ai theksoi se në fillim të mandatit të tyre kanë qenë mbi 111 mijë gra të punësuara, ndërkaq sipas tij, aktualisht janë të deklaruara mbi 142 mijë të punësuara.

  • Digjet “Burger King” në Prishtinë, pamje nga vendngjarja

    Digjet “Burger King” në Prishtinë, pamje nga vendngjarja

    Është përfshirë nga zjarri lokali i “Burger King” që ndodhet te kompleks “Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

    Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekipet e policisë dhe zjarrfikësve.

    Raporto24 ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.

  • Projektbuxheti në Kuvendin e Shqipërisë, deputetë të opozitës përmbysin karriget para foltores

    Projektbuxheti në Kuvendin e Shqipërisë, deputetë të opozitës përmbysin karriget para foltores

    Deputetë të opozitës vijuan edhe sot (e enjte) bllokimin e seancave plenare të Kuvendit në Shqipëri. Teksa pritet nisja e seancës plenare, ku do të votohet nen për nen dhe në tërësi projektbuxheti i vitit 2024, një grup deputetësh të opozitës u përpoqën të vendosin karrige në foltoren e Kuvendit, por janë ndaluar nga Garda e Republikës, e cila nuk lejoi deputetët t’i afrohen foltores.

    Deputetët e opozitës vijuan të qëndrojnë përballë punonjësve të Gardës, duke debatuar, shkruan ATSh.

    Për shkak të trazirave në sallën e seancave plenare ditën e hënë, u përjashtuan 6 deputetë të opozitës për 10 ditë. Kështu pjesë e seancës sot nuk do të jenë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti.

  • Dështon seanca ndaj Enver Sekiraqës

    Dështon seanca ndaj Enver Sekiraqës

    Seanca e sotme e paraparë të mbahej ndaj Enver Sekiraqës, i akuzuar për shtytje në vrasje të policit Triumf Riza ka dështuar të mbahet.

    Kjo si shkak i mungesës së avokates, Kosovare Kelmendi.

    Sot ishte planifikuar që të jepej fjala perfundimtare e mbrojtjes. Avokatja është arsyetuar se nuk ka qenë mirë me shëndet.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

    Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

    Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

    Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

    Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

    Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

    Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

    E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

    Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

    Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

    Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

    Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

    Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

  • ​Arrestohet personi i arratisur nga burgu

    ​Arrestohet personi i arratisur nga burgu

    Një person i cili ishte arratisur nga burgu, është arrestuar dje në Gjakovë.

    Policia nuk ka dhënë shumë detaje por i dyshuari ishte arratisur më 23 nëntor.

    Me vendim të prokurorit i njëjti është dërguar në mbajtje.

  • Ulen me 7.2 për qind eksportet në Kosovë, thellohet deficiti tregtar

    Ulen me 7.2 për qind eksportet në Kosovë, thellohet deficiti tregtar

    Eksportet e mallrave të Kosovës u ulën ndjeshëm këtë vit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

    Në raportin për statistikat e sektorit të jashtëm të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës thuhet se eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 7.2 për qind dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro deri në shtator.

    Ndërsa, sipas BQK-së deri në shtator të këtij viti kishte deficit tregtar në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8 për qind.

    “Bilanci tregtar në mallra deri në shtator të këtij viti kishte deficit në vlerë 3.29 miliardë euro, që është për 4.8% më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Eksporti për këtë periudhë është zvogëluar për 7.2% dhe shënoi vlerën 645.5 milionë euro (695.5 milionë euro ishte deri në shtator 2022). Ndërsa, importi i mallrave shënoi rritje të lehtë prej 2.6% duke arritur vlerën 3,935.6 milion euro (3,835.3 milion euro ishte deri në shtator 2022)”, thuhet në raportin e BQK-së.

  • Aksident me fatalitet në Viti, humb jetën një grua

    Aksident me fatalitet në Viti, humb jetën një grua

    Jehona Sylejmani është viktima e radhës në komunikacion. Ajo mbrëmë ka pësuar lëndime të rënda trupore, pasi ka humbur kontrollin mbi veturën që e drejtonte, duke u përplasur frontalisht me një autobus që po lëvizte në kahjen tjetër të rrugës. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor ku nga mjekët është konstatuar se ka ndërruar jetë.

    Rasti ka ndodhur në fshatin Gërmovë të Vitisë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.

    Ndërkohë, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i ka shprehur ngushëllime familjes Sylejmani.

    “Me dhembje të thellë pranuam lajmin për humbjen tragjike të Jehona Sylejmanit nga fshati Gërmovë e Vitisë. Në këto çaste të vështira, të pikëllimit ne iu shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë atyre që e njohën atë dhe bashkëndjejmë me ju në këto çaste të pikëllimit”, ka shkruar ai.

  • Sulmuesit e Valon Sylës dënohen me nga 2 vjet burg

    Sulmuesit e Valon Sylës dënohen me nga 2 vjet burg

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani, për sulmin fizik kundër gazetarit Valon Syla, duke i dënuar me nga dy vite burgim efektiv (secilin veç e veç).

    Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

    Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.

    Të akuzuarve iu ndalohet masa e arrestit shtëpiak. Ndërsa, refuzohet kërkesa pasurore-juridike e palës së dëmtuar, pasi që gjykata vlerëson se nga të dhënat e grumbulluara në procedurë penale, nuk ka prova të mjaftueshme për realizimin e kësaj të drejte.

    Aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve, pasi në seancën e kaluar kishin deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në shpallje të aktgjykimit.

    Aktakuza ndaj Lum Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ishte ngritur më 4 gusht 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me arsyetimin se më 11 prill 2023, rreth orës 23:00, të njëjtit, të ndikuar nga ideologjitë ekstreme radikale të islamit, kishin lënduar lehtë të dëmtuarin gazetarin Valon Syla, pasi që ky i fundit paraprakisht kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook” për profetin Muhamed dhe profetin Isa.

    Prandaj, me këto veprime Dërvishi, Kenan dhe Okan Hasani ngarkoheshin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, vepër kjo e dënueshme nga gjashtë muaj deri në tri vite burgim sipas cilësimit juridik të bërë në aktakuzë.