ATV

Category: Lajme

  • ​Mbahet takim në mes prokurorëve që trajtojnë veprat penale kundër dhunës në familje

    ​Mbahet takim në mes prokurorëve që trajtojnë veprat penale kundër dhunës në familje

    Me ftesë të koordinatores për veprat penale kundër dhunës në familje nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Sevdije Morina, është mbajtur takim në mes prokurorëve që trajtojnë këto vepra penale nga të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.

    Në njoftim thuhet se në këtë takim u diskutua për problemet dhe sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen prokurorët e shtatit në trajtimin e rasteve që kanë të bëjnë me veprat penale kundër dhunës në familje.

    Githashtu, u diskutua edhe për Ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, i cili ka për qëllim të parandalojë dhe trajtojë dhunën ndaj grave, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, të mbrojë dhe të kontribuojë në eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave, promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave si dhe të ndërtojë mekanizmat e nevojshëm për ofrimin e mbështetjes ndaj viktimave të të gjitha formave të dhunës të rregulluara me këtë ligj.

    Në këtë takim, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, të gjithë prokurorët koordinatorë u zotuan që do të vazhdojnë me përkushtim edhe më të madh, me urgjencë dhe me efikasitet të trajtojnë të gjitha rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër dhunës në familje.

  • Ministri Aliu: Lajm i mirë, linja hekurudhore “Prishtinë- Aeroport”, po bëhet

    Ministri Aliu: Lajm i mirë, linja hekurudhore “Prishtinë- Aeroport”, po bëhet

    Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu e ka quajtur lajm të mirë që linja hekurudhore “Prishtinë-Aeroporti Ndërkomëbtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë- Caralevë”, po bëhen.

    Aliu ka njoftuar për mbajtën e takimit të Këshillit Ministror, ku bashkë me ministrat e transportit nga shtetet fqinje, është diskutuar për progresin që është bërë në rrugë e hekurudha.

  • ​Bislimi për Asociacionin: Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese

    ​Bislimi për Asociacionin: Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Gjykata Kushtetuese vendos nëse draft-statuti i Asociacionit ka kompetenca ekzekutive apo jo. Sipas tij, Qeveria nuk ka garantuar që në përmbajtjen e draft-statutit të asociacionit nuk ka shkelje kushtetuese.

    “Gjykata Kushtetuese e vendos nëse draft-statuti i asociacionit parasheh kompetenca ekzekutive për komunat me shumicë serbe. Qeveria nuk ka garantuar që nuk ka shkelje kushtetuese. Ne kemi thënë se ky është draft që na është sjellë nga ndërkombëtarët dhe nuk është përpiluar nga ne, ndërkombëtarët kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive dhe ne nuk jemi Gjykatë Kushtetuese, rrjedhimisht ata e kanë për detyrë me tregua ka apo nuk ka. Në qoftë se ka ata duhet të thonë kjo duhet të ndryshohet. Është mirë që opozita ka vërejtjet dhe sugjerimet e tyre për draftin, për këtë është edhe roli i opozitës. Nuk ka zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim nga pala serbe” ka thënë zëvendëskryeministri Bislimi për RTV21.

  • Rohde: Asociacioni është obligim për Kosovën

    Rohde: Asociacioni është obligim për Kosovën

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se nuk është diskutimi nëse duhet të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit, por zbatimi i saj si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia. Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes është shumë rëndësishme.

    “E kam thënë edhe më parë, ajo që na duhet tani është zbatimi dhe jo diskutimi se si do të arrijmë atje. Sepse më parë kishte shumë marrëveshje që janë nënshkruar por nuk janë zbatuar. Prandaj jemi përqendruar tani në zbatim. E shohim tani zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, gjithashtu edhe zbatimin që nënkupton që njerëzit po i ndërrojnë targat e makinave. Për ne zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është e rëndësishme. Kosova duhet të bëjë detyrat e saj dhe gjithashtu edhe Serbia”, ka thënë ai.

    Rohde ka kërkuar nga Qeveria që ta kryej obligimin e saj për themlimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    ”Kjo është ajo që BE-ja, Gjermania dhe të gjithë partnerët e afërt të Kosovës presin nga ajo. Obligimi i Kosovës nga viti 2015 është themelimi I Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe pjesë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit për Kosovën e pjesa kryesore është themelimi i AKSHS. Siç e kemi thënë sapo ka nisur dhe gjithashtu edhe pala tjetër, Serbia, duhet të bëjë detyrat e saj”, ka shtuar Rohde.

    Sipas ambasadori të Gjermanisë zgjidhja e tensioneve në veri të vendit është përmes procesit të normalizimit dhe themelimit të asociacionit.

    “Pjesë e zgjidhjes dhe zgjidhja është procesi i normalizimit dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të sjellë dhe është synim i normalizimit të jetës për të gjithë në Kosovë dhe kjo përfshinë veriun”, ka thënë tutje ambasadori gjerman./21Media/

  • ​Kelmendi e Selimi diskutojnë mbi bashkëpunimin e prokurorisë mes Policisë Ushtarake të FSK-së

    ​Kelmendi e Selimi diskutojnë mbi bashkëpunimin e prokurorisë mes Policisë Ushtarake të FSK-së

    Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka zhvilluar sot një takim me komandantin e Policisë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, nënkolonel Besnik Selimi dhe zyrtaren ligjore nga Shtabi i Përgjithshëm, Albana Çeku.

    Në takim u diskutua mbi autorizimet dhe mandatin që Policia Ushtarake e ka të përcaktuar me ligj në hetimin e veprave penale, të cilat kryhen nga pjesëtarët e FSK-së, bashkëpunimin profesional dhe ligjor ndërmjet institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe hetuesve të Policisë Ushtarake në fazat e procedurës penale, si dhe ofrimin e mbështetjes së ndërsjellë në çështjet që bien në kompetencë të institucioneve respektive.

    Kelmendi dhe Selimi diskutuan edhe për nevojën e mbajtjes së trajnimeve të përbashkëta dhe nënshkrimit të një memorandumi të bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet të dyja institucioneve, thuhet në komunikatë.

  • ​I dyshuar për krime lufte, ftesë e aktakuzë për gjykim në mungesë për të akuzuarin Milan Jovanoviq

    ​I dyshuar për krime lufte, ftesë e aktakuzë për gjykim në mungesë për të akuzuarin Milan Jovanoviq

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ftuar për gjykim në mungesë të akuzuarin Milan Jovanoviq, i dyshuar për krime të luftës kundër popullatës civile.

    Në komunikatë thuhet se gjykata i bën thirrje të akuzuarit Milan Jovanoviq, të dorëzohet dhe të paraqitet sa më parë pranë kësaj gjykate, që kjo çështje penale të zhvillohet me prezencën e tij në seancën e caktuar.

    Ftohet i akuzuari Millan Jovanoviq, nga i ati Stojan, i lindur në Ferizaj, ku edhe ka jetuar, tani me vendbanim të panjohur, me nacionalitet serb, ish polic në Stacionin policor në Ferizaj, me numër personal 0407976964759 i lëshuar nga Sekretariati i Punëve të Brendshme në Ferizaj, të marrë pjesë në seancë fillestare të caktuar më datës 21.02.2024, e mërkurë, në ora 9:30, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për çështjen penale të proceduar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të datës 27.11.2023, për shkak se i njëjti dyshohet të ketë kryer veprën penale në bashkëkryerje me persona tjerë të pa njohur, të uniformuar dhe të armatosur, krime lufte kundër popullsisë civile.

    Gjykata i bën thirrje çdo personi që ka informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit Millan Jovanoviq, që t’ia komunikojë atë informacion Policisë së Kosovës, me qëllim të sigurimit të prezencës së akuzuarit Millan Jovanoviq në këtë çështje juridiko-penale.

  • Shoqata e të Drejtave të Pacientëve letër Kurtit, kërkon hapa konkretë drejt reformave në shëndetësi

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve letër Kurtit, kërkon hapa konkretë drejt reformave në shëndetësi

    Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti në të cilën kërkohen të ndërmerren hapa konkretë për reformat në sistemin e shëndetësisë dhe sigurimet shëndetësore.

    Në Ditën ndërkombëtare të mbulimit universal me shërbime shëndetësore, Shoqata e të drejtave të Pacientët në Kosovë rikujton kryeministrin Kurti se qe nga takimi i fundit që ata kishin më 12 dhjetor 2019 e deri më tash, shumë pak është vepruar në drejtim të sigurimeve shëndetësore për qytetarët.

    “Qeveria sot as nuk është duke e bërë ndonjë matje rreth nivelit të mbulimit të popullatës me shërbime dhe as të nivelit të mbrojtjes nga risku financiar. Sot nuk kemi të dhëna se sa janë nevojat e paplotësuara me kujdes shëndetësor dhe as se sa janë shpenzimet katastrofike të qytetarëve në marrjen e këtyre shërbimeve”, thotë Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vërehet se për një periudhë pesëvjeçare, shërbimet në kujdesin parësor kanë rënë për mbi 20% ose rreth një milion vizita mjekësore më pak, ndërsa shërbimet stomatologjike kanë rënë për trefish apo mbi 60%. Kjo, sipas Shoqatës, tregon se rritja e buxhetit për shëndetësi nuk po ndikon në përkrahjen e qytetarëve në marrje të shërbimeve.

    “Qytetarët ose po drejtohen kah sektori privat dhe barrën e shërbimeve po e marrin vet, ose po heqin dorë nga marrja e shërbimeve, po vazhdojnë jetën me një shëndet më të lig e mbase po lëngojnë e edhe vdesin në heshtje, pa i hetuar sistemi”, thuhet në letrën e Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë.

    Për më tepër, Shoqata e të Drejtave të Njeriut konsideron se sistemi shëndetësor sot në Kosovë, lëngon nga mos zbatimi i ligjeve.

    “Sado që Ligji për Shëndetësi e kërkon një Sistem të Integruar të Informimit Shëndetësor (SIISh), Kosova akoma vazhdon të mos e ketë një të tillë. Kjo edhe e pamundëson krijimin e një pasqyre të besueshme rreth gjendjes shëndetësore të popullatës në Kosovë. Për më keq, në këtë gjendje Kosova nuk mundet as të bëjë krahasime me vendet tjera. Sado që Ligji për Shëndetësi kërkon mbikëqyrje të institucioneve shëndetësore, ajo nuk ndodh, sepse institucionet publike hartojnë raporte që nuk janë sipas standardit të Llogarisë Kombëtare Shëndetësore. Si të tilla, janë të varfra, të pasakta dhe të pakrahasueshme me vendet tjera. Institucionet private nuk raportojnë dhe nuk ka të dhëna se çka ndodh në atë sektor. Sado që Ligji kërkon që të gjitha institucionet të jenë të licencuara, sektorin publik e kemi të pa licencuar. Këtu nuk po zbatohet as Ligji, e as rekomandimi i Avokatit të Popullit për t’i licencuar institucionet publike shëndetësore,” thotë Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë.

    Sipas Shoqatës, reformat në sistemin e shëndetësisë po e pengojnë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, ku ende pa hyrë në fuqi ky ligj ka nisur ndryshimi i tij.

    Shoqata del edhe me rekomandimet e saj në lidhje me reformimin në sektorin e shëndetësisë.

    “Dita 1 për reformën do të jetë kur të fillojnë institucionet shëndetësore të fusin të dhëna në SIISH. Dita 2 për reformën do të jetë kur do të publikohet raporti vjetor i punës dhe shpenzimeve të sistemit shëndetësor sipas modelit të rekomanduar nga OBSH. Dita 3 do të jetë hartimi i Paketës përfituese dhe kostimi i saj. Pas definimit të paketës përfituese do të duhej të fillojë pilotimi i saj që normalisht do të duhej të zgjaste jo më pak se 3 e jo më shumë se 5 vjet. Brenda kësaj periudhe do të duhej të kryheshin edhe shumë punë të tjera si rregullimi i regjistrit civil, rregullimi i trungut familjar, riorganizimi i institucioneve shëndetësore, hartimi i listave të pacientëve – përzgjedhja e mjekut familjar, licencimi i institucioneve publike shëndetësore, themelimi i Këshillit të pacientëve. Çdo aktivitet i shpalosur në skenë me pompozitet se “Këto janë sigurimet”, na bënë të dyshojmë se qasja ndaj reformës është joadekuate. Ne e patëm vlerësuar shumë krijimin e Komisionit Ekzekutiv për shëndetësi, pasi që parakushtet që u përmenden më lartë për të filluar në sigurim shëndetësor të mirëfilltë, shkojnë shumë përtej Ministrisë së Shëndetësisë, prandaj duhet të ketë një gjithëpërfshirje në këtë drejtim. Është dekurajuese pse ai Komision nuk e ka vazhduar punën”, përfundon letra.

  • Përplasje për importin e produkteve serbe, deputetë të opozitës lëshojnë mbledhjen e Komisionit

    Përplasje për importin e produkteve serbe, deputetë të opozitës lëshojnë mbledhjen e Komisionit

    Gjatë raportimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari në Komisionin për Ekonomi pati përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës për importet e mallrave nga Serbia. Këta të fundit madje lëshuan sallën.

    Gjatë diskutimit të Ligjit për tregti me jashtë, përplasja ndodhi për shkak të deklaratës së deputetit nga AAK, Pal Lekaj, i cili akuzoi mazhorancën se ka ‘lulëzim’ të importit në Kosovë nga Serbia.

    “Mendova a thua me ty ka filluar bota e tregtisë a po ka filluar bota e tregtisë së jashtme. Nuk mund të lavdëroheni, sa i përket eksportit, sepse nëse krahasojmë me vitin 2023 deficiti tregtar është 3.1 për qind edhe atë në gusht. Nëse e shohim edhe eksportin në gusht të këtij viti, e ke një distancë tepër të madhe sa i përket importit…Nuk e di se si Kosova mund të zhvillohet…Mund të krenoheni me lulëzimin e importit nga Beogradi, shifrat kështu tregojnë”, tha Lekaj.

    Për këtë deklaratë pati reagime nga deputetët e partisë në pushtet.

    Deputeti nga LVV, Driton Hyseni ka akuzuar Lekajn për dezinformim të publikut, derisa ka kundërshtuar deklaratën e tij, ai tha se importi me Serbinë nga 25 për qind ka shënuar në 6 për qind me Qeverinë Kurti.

    “Po të informoj që në pjesën e mallit të viteve para se Qeveria VV të vije në udhëheqjet e Qeverisë, një për qindje e importeve të Serbisë e kemi pasur në nivelin 25 për qind e afër 30 për qind me raste…Prej 25 për qind, niveli i importeve të Serbisë ka arrit në 6 për qind dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe nuk mundesh një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës t’i japësh kaq shumë… importeve të Serbisë se gjoja qenkan duke u rrit përderisa ato janë zvogëluar”, tha Hyseni.

    Po ashtu kritika për këtë deklaratë pati edhe shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, e cila kërkoi nga deputeti Lekaj që të kërkoj falje dhe t’i shikojë statistikat e ASK-së.

    “Statistikat e ASK-së, deputeti Pal Lekaj jo vetëm që është duke i keqinterpretuar, është duke abuzuar me fjalën e lirë. Nëse din të lexosh shqip, ASK në faqen zyrtare ka informacionet në gusht për vitin 2023…Ule zërin e dëgjo, pse po fol për Serbinë, pse po e sjellë në tavolinë, pse po dezinformon, 1.3 për qind ka ra me Serbinë…Duhet të të vijë turp, e të kërkosh falje publikisht para gjithë këtyre njerëzve që dezinformon”, ka reaguar Kusari-Lila.

    Për këtë, ministrja Rozeta Hajdari është shprehur e befasuar me zërin e lartë të deputetit Lekaj.

    “Unë po befasohem me zërin e lartë të deputetit Lekaj”, tha Hajdari.

    Ndërsa, deputetja e LDK Valentina Bunjaku – Rexhepi, kërkojë që ministrja Hajdari të përgjigjet në pyetje konkrete e të mos komentoj zërat e deputetëve.

    “A jeni normal. Ministrja s’ka nevojë me na tregu çfarë zëri kemi. Ministrja nuk ka të drejtë këtë qasje, ja të edukohet, ja lë të përgjigjet ne pyetjet konkrete”, tha ajo.

    Ndërkaq, deputeti nga PDK, Ferat Shala ka adresuar disa pyetje karshi ministres Hajdari për strategjinë për hulumtim dhe zhvillim. I njëjti ka kërkuar të dijë edhe për ekspertin që ka marr 1 mijë euro në ditë për hartimin e kësaj strategjie.

    “A kemi strategji për hulumtimin, zhvillimin e industrisë dhe mbështetje të bizneseve, kur është miratuar dhe nga kush…Kush kanë qenë autorët e jashtëm të kësaj strategjie dhe sa ka kushtuar hartimi i kësaj nga ministria juaj?…Kush është ky ekspert që në Kosovë ka marr 1 mijë euro në ditë për hartimin e strategjisë…”, ka pyetur Shala.

    Për këtë Hajdari tha se nuk mban mend emrin e ekspertit.

    “Strategjia për zhvillimin industrial dhe mbështetjen e bizneseve është rezultat i një viti punë të Grupit punues nga MINT me anëtar ndërinstitucional të shteteve tjera, me ekspertizë të jashtme. Kjo strategji që është politikë e parë industriale synon që Kosova deri në vitin 2030 të jetë e integruar globalisht përmes mundësisë që bizneset tona të jenë ta afta të prodhojë produkte me vlerë të lartë dhe konsum të denjë…Krahasuar me planet e mëhershme që janë zhvilluar prej qeverive ku ka kushtuar një plan për Kosovën 2 milionë euro, me këtë strategji janë shpenzuar 100 mijë euro për një grup të ekspertëve nga inkubatori i hartimit të politikave në Berlin…Nuk janë shumë 20 mijë euro për 20 ditë. Për një politikë industriale, për të shpalosur potencialin e Kosovës ne kemi pasur mundësi që të investojmë 100 mijë euro. Nuk e mbaj mend as emrin e eksperteve”, tha ajo.

    Mes tjerash, Hajdari duke folur për Ligjin për tregti të jashtme ka theksuar se ky ligj përcakton parimet dhe rregullat e përgjithshme të importit, eksportit dhe për ushtrimin e tregtisë me jashtë, duke shtuar se ka ndikime statistikore në përmirësim të bilancit tregtar që ishte para 3 viteve në 1 me 10, ndërsa tash është 1 me 6.

    Në këtë drejtim, ajo shtoi se vështirësi ka në CEFTA, në paraqitjen e shtetit të Kosovës në mënyrë të barabartë.

    “Kemi ndikime statistikore në përmirësim të bilancit tregtar që ishte para 3 vitesh në 1 me 10, ndërsa tash është 1 me 6. Për investimet e huaja vetëm në vitin 2022 kemi mbi 83.3 për qind rritje krahasuar me vitin 2021, po ashtu kemi tashmë 514 milionë euro investime të huaja për periudhën janar-gusht 2023…Vështirësi kemi në CEFTA, në paraqitjen e shtetit të Kosovës në mënyrë të barabartë, sepse ende ekziston përfaqësimi UNMIK në këtë marrëveshje, ndonëse komiteti nacional për lehtësimin e tregtisë po koordinon punën me këtë mekanizëm por që nuk është adresuar kërkesa jonë për herë të parë që është dërguar në shtator të vitit 2021 për përfaqësim të barabartë të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm. Këtu shumë është politizuar mekanizmi CEFTA dhe presim bashkëpunimin sa më të afërt me anëtarët e kësaj për interesim që Kosova të jetë bashkë me shtete tjera anëtare në kuadër të procesit për integrim sa më të shpejtë në tregun e përbashkët, sepse ndryshe nuk mund të funksionojë nëse nuk arrihet konsensuse”, tha Hajdari.

  • Reagon djali i Haxhi Shalës: Sot u informuam për transferimin e tij në Hagë, por nuk e dimë arsyen – jemi të bindur për pafajësinë e tij

    Reagon djali i Haxhi Shalës: Sot u informuam për transferimin e tij në Hagë, por nuk e dimë arsyen – jemi të bindur për pafajësinë e tij

    Djali i Haxhi Shalës, Flakroni ka reaguar për arrestimin e babait të tij nga Gjykata Speciale.

    Në një njoftim të bërë në Facebook, Flakroni thotë se ka marrë informacione se babai i tij është transferuar sot në Hagë.

    Tutje ai thotë se familja janë të bindur në pafajësinë e tij, pasi sipas tyre gjykata është e njëanshme.

    “Përshëndetje të gjithëve. Prej ditës së djeshme dhe sot kemi marrë shumë telefonata për gjendjen e babit nga media dhe nga miqtë e babit. Kërkoj falje që nuk e hapa telefonin pasi ne si familje kemi qenë në një situatë që nuk kishim asnjë informacion që nga intervista e prindërit. Sot kemi marrë informacione për transferimin e tij në Hagë me urdhër të prokurorit, e ne si familje ende nuk kemi informacion për arrestimin apo ndalimin,e as arsyet se pse ai po transferohet në Hagë. Ne jemi të bindur për pafajësinë e tij dhe të të gjithë çlirimtarëve që janë në atë gjykatë, sepse kjo gjykatë është e njëanshme sepse gjykon çlirimtarët që mbrojten vendin dhe të drejtat e tyre për liri. Me respekt, Familja Shala”, ka shkruar djali i Haxhi Shalës në Facebook.

  • Motra e Liridona Ademajt flet për herë te parë publikisht rreth vrasjes

    Motra e Liridona Ademajt flet për herë te parë publikisht rreth vrasjes

    Vrasja e Liridona Admeajt mbetet e rrethuar nga misteri, teksa bashkëshorti i saj Naim Murseli akuzohet si organizatoi i krimit.

    Motra e të ndjerës, në një deklarim në News 24, ka deklaruar se nuk di asnjë sekret për çiftin, e po ashtu se motra e saj nuk i kishte folur për ndonjë problem që ajo kishte me Naimin. Ajo e përshkroi Naim Murselin si një njeri të mbyllur e jo shumë social, por që me familjen sillej shumë mirë.

    Po ashtu, e reja theksoi se asnjë familjar i saji nuk ka kërcënuar Shaban Murselin, me gjakmarrje për vrasjen e Liridonës.

    “Unë di vetëm që ka pasur jetë të lumtur, ajo ka pasur një jetë të mirë me Naimin. Na kanë thënë të gjithë për këto që përfliten, ne nuk kemi asnjë sekret. Ne i kemi dëgjuar tani vonë fjalët se ai mund ta tradhtonte por nuk e dimë a është e vërtetë. Ajo ishte njeri i mbyllur por ajo nuk na ka treguar asgjë ne si familjarë, as mua personalisht. Të gjithë kemi debate me burrat, por kjo është temë tjetër. Ajo gjithmonë fliste në praninë tonë me të. Ata nuk kanë pasur ansjë debat të rëndë që të të bënte me dyshime se mund të ndodhte diçka e rëndë. Ata s’kanë pasur asnjë debat me Shaban Murselin, pra babain e Naimit. Asnjëherë nuk i ka përzënë nga shtëpia.

    Ne ja kemi lënë në dorë drejtësisë, nuk kemi dërguar fjalë as për besë. Emrat e përmendur janë të afërmit tanë, këto janë thjesht gënjeshtra, duan të na fusin në kurth. Ne ia kemi lënë drejtësisë. Xhaviti dhe Dervishi na kanë thënë që të gjithë bashkë do e kalojmë këtë, nuk kanë bërë as kërcënime asgjë. Asnjë gjë nga ato që thuhen nuk është vërtetë as sekrete as lidhjet intime. Ai ishte kunati im, kemi pasur marrëdhënie normale. Liridona dhe Naimi jetonin veç Shabanit në Suedi. Të gjitha këto dëshmi janë të rreme çfarë po thuhen.

    Me fëmijët e Liridonës nuk jemi takuar fare ne. Nuk e di por nuk kemi pasur fare mundësi, ata janë larguar. Naimi ka qenë njeri i mbyllur më parë. Nuk është se ka pasur shumë miqësi. Ai sillej shumë mirë me ne, me gjithë familjen. Nuk ka pasur xhelozi për njëri-tjetrin, kanë qenë të lumtur. Nuk e dimë pse Liridona qëndroi shumë ditë së fundmi tek ne. Por ajo ka pasur shtëpinë e re në Kosovë pa mobilje fare dhe prandaj qëndroi tek ne”, tha ajo.