ATV

Category: Lajme

  • Psikologu paralajmëron se rastet e dhunës në familje po rriten për shkak të stresit financiar

    Psikologu paralajmëron se rastet e dhunës në familje po rriten për shkak të stresit financiar

    Niveli i lartë i stresit financiar mund të ndikojë në mirëqenien e njerëzve, duke rritur nivelet e shqetësimit psikologjik, ankthit dhe depresionit.

    Lidhur me këtë, në emisionin “LIBERO”, ishin të ftuar ekspertë të fushave të ndryshme të cilët dhanë opinione dhe informacione rreth stresit financiar dhe pasojat që mund të sjellë tek individët!

    Vlen të ceket se shqetësimi ekonomik konsiderohet se rritë rrezikun e dhunës në familje dhe sjellë një rrezik të lartë të dhunës në familje.

    Lidhur me këtë, psikologu Naim Telaku tha se stresi financiar dhe dhuna në familje janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe se rënia ekonomike sjellë dhunë brenda familjes.

     “…Nuk ka dyshim që zbehja e perspektivës sociale ndikon jo vetëm në krime, vjedhje apo grabitje por edhe në dhunën në familje…Krimet, vrasjet dhe dhuna në familje janë të  ndërlidhura me varfërimin e përgjithshëm të popullsisë…”,tha psikologu Telaku.

    Duke i kujtuar vetes se financat tuaja nuk ju përcaktojnë si person mund të zvogëlojë ndjenjat e trishtimit, turpit ose fajit dhe gjithashtu konsiderohet si një mënyrë e shmangies së stresit financiar.

    Për të ndjekur diskutimin e plotë në studio, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • 42 aktakuza kundër 60 personave për 24 orë

    42 aktakuza kundër 60 personave për 24 orë

    Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik, se gjatë 24 orëve të fundit, nga prokuroritë Themelore janë ngritur katërdhjetë e dy (42) aktakuza kundër gjashtëdhjetë (60) personave, për vepra të ndryshme penale. Ndërsa, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar dymbëdhjetë (12) persona, si dhe pranë gjykatave kompetente janë parashtruar tri (3) kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj tre (3) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar shtatë (7) persona dhe ka ngritur dymbëdhjetë (12) aktakuza kundër trembëdhjetë (13) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka parashtruar një (1) kërkesë për caktimin e paraburgimit kundër një (1) personi. Ndërsa, nga kjo prokurori janë ngritur njëmbëdhjetë (11) aktakuza kundër tetëmbëdhjetë (18) personave, për vepra të ndryshme penale.

    Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit ka ndaluar tre (3) persona të dyshuar, si dhe ka parashtruar dy (2) kërkesa për caktim të paraburgimit kundër dy (2) personave.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur një (1) aktakuzë kundër shtatë (7) personave, për veprën penale “Mashtrimi”.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar  një (1) person në kohëzgjatje prej 48 orëve, për kryerjen e veprës penale.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër shtatë (7) personave për vepra penale të ndryshme.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person të dyshuar dhe ka ngritur dymbëdhjetë (12) aktakuza kundër pesëmbëdhjetë (15)  personave, për vepra të ndryshme penale.

  • Nënshkruhet marrëveshja me vlerë 7 miliardë euro, Kosova përparon në teknologji

    Nënshkruhet marrëveshja me vlerë 7 miliardë euro, Kosova përparon në teknologji

    Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen Kornizë në vlerë 7 miliardë euro në fushën e teknologjisë.

    Marrëveshjen e ka nënshkruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    “Kosova po bëhet pjesë e programit në vlerë prej 7 miliardë euro “Evropa Digjitale” (#DigitalEurope)!

    Në emër të Republikës së Kosovës, nënshkrova Marrëveshjen Kornizë të këtij Programi, ndërsa nga ana e European Commission, marrëveshja është nënshrkuar nga Roberto Viola, Komisioner për Komunikim, Rrjete, Përmbajtje dhe Teknologji.

    Ky program ka për qëllim të rritë qasjen në digjitalizim tek qytetarët, bizneset dhe institucionet, dhe përmes granteve strategjike të avancojë katër fusha:
    Resurset kompjuterike me performancë të lartë, Inteligjenca artificiale (IA), Shkathësitë e avancuara digjitale, si dhe Përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria (interoperabiliteti).

    Pas miratimit nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, ne do të mund të bëhemi pjesë e projekteve të digjitalizimit të BE-së. Ky program synon t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e shoqërinë e BE-së, për të mbështetur digjitalizimin në përgjithësi, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme” shkruan Rizvanolli në njoftim.

  • Zjarrfikësit protestojnë përsëri nesër para Qeverisë

    Zjarrfikësit protestojnë përsëri nesër para Qeverisë

    Zjarrfikësit e Kosovës nesër do të protestojnë para Qeverisë, duke filluar nga ora 11:00.

    Kjo për shkak të mospërmbushjes, siç njoftojnë ata, të kërkesave të tyre rreth moskompensimit për rrezikshmëri në punë.

    “Ju njoftojmë se Kryesia e Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës dhe këshilli protestues ka vendosur që në shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e zjarrfikjes dhe shpëtimit, mosplotësimi i kërkesave të parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, moskompensimi për rrezikshmëri në punë, mosgatishmëria që Qeveria të zgjidh drejt problemet e krijuara edhe pas takimeve që kishim, zjarrfikësit e Kosovës kanë vendosur që me datën 14.12.2023 të riaktivizojë protestën si formë e presionit sindikal. Protesta do të organizohet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në ora 11:00 dhe do të vazhdojë deri sa të na informojnë për qëndrimin dhe të marrim një konfirmim dhe përgjigje nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Bëhet e ditur se protesta do të jetë paqësore.

    Ndryshe, Sindikata e Zjarrfikësve kishte protestuar edhe në muajin e kaluar.

    Fillon protesta zjarrfikësve para Qeverisë

  • Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

    Dhjetëra të plagosur nga sulmet me raketa në Kiev

    Mbetjet e raketave ruse të rrëzuara prej mbrojtjes ajrore ukrainase, kanë dëmtuar një spital dhe një ndërtesë banimi në kryeqytetin ukrainas Kiev, duke plagosur të paktën 50 persona, kanë thënë autoritetet e qytetit.

    Sulmi ka ndodhur teksa presidenti i shtetit, Volodymyr Zelensky ka qenë jashtë vendit, në një vizitë në Uashington, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar që Rusia po pret që Shtetet e Bashkuara ta braktisin Ukrainën.

    Kjo shifër përbën numrin më të madh të të plagosurve në Kiev, në muajt e fundit.

    Sergiy Popko, udhëheqës i administratës ushtarake të qytetit, ka thënë se 51 persona janë plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë.

    Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë se Rusia i ka nisur 10 raketa drejt Kievit, të cilat janë rrëzuar.

    Gazetarët kanë raportuar për shpërthime dhe lëshim të sirenave.

    Kryetari i Kievit Vitali Klitschko, ka thënë se si pasojë e mbetjeve të raketave është dëmtuar edhe një rrjet i furnizimit me ujë.

    Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel/

  • BE-së i kërkohet heqja e masave ndaj Kosovës dhe hetim i plotë për sulmin terrorist në Banjskë

    BE-së i kërkohet heqja e masave ndaj Kosovës dhe hetim i plotë për sulmin terrorist në Banjskë

    Kryesuesja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka njoftuar se 13 kryesues të komiteteve për punë të jashtme nëpër Evropë u kanë bërë thirrje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i largojnë të gjitha masat negative ndaj Kosovës.

    Pos kësaj, ata kanë kërkuar të bëhet një hetim i plotë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

    “Sot 13 kryesues të komiteteve parlamentare nëpër Evropë u kanë bërë thirrje Josep Borrellit dhe Miroslav Lajçakut që të njoftojnë në Samitin BE – Ballkan Perëndimor: fundin e gjitha masave negative ndaj Kosovës dhe hetimin e plotë ndaj sulmit në Banjskë dhe të publikojnë rezultatet”, ka shkruar Kearns në platformën “X”.

    Ajo thotë se krimineli serb, Millan Radojçiq, duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë.

    Sipas saj, nuk ja asnjë justifikim që Serbia ta mbrojë atë.

    “Milan Radojçiq ka rrëfyer sulmin. Ai duhet të ekstradohet në Kosovë për t’u përballur me gjyqin. Nuk ka asnjë justifikim që Serbia të mbrojë Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij nga përballja me drejtësinë për krimet e tyre”, shtoi Kearns.

    Ajo ka falënderuar kryesuesit që u mblodhën gjatë 24 orëve të fundit për të nxitur BE-në që të miratojë një qasje më të drejtë për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

    “Paqja kërkon drejtësi dhe llogaridhënie, të dyja aktualisht mungojnë”, shtoi deputetja britanike.

  • Shoqërohet në polici një grua për keqtrajtim të fëmijës

    Shoqërohet në polici një grua për keqtrajtim të fëmijës

    Një grua dje në Prishtinë është shoqëruar në stacionin policor për keqtrajtim apo braktisje të fëmijës.

    Në raportin e policisë thuhet se e dyshuara kishte sulmuar fizikisht një vajzë.

    “Prishtinë / 12.12.2023 – 01:00. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

  • Ish-presidentja e Zvicrës: Do ta kisha shumë të vështirë ta qeverisja sot Kosovën

    Ish-presidentja e Zvicrës: Do ta kisha shumë të vështirë ta qeverisja sot Kosovën

    Micheline Calmy-Rey, ish-presidente e Zvicrës tha se po të ishte kryeministre e Kosovës sot, do ta kishte shumë të vështirë të qeveriste me këtë vend.

    Për Kosovën, ajo tha në një intervistë për swissinfo.ch se tensioni me Serbinë mbetet “pengesa kryesore” drejt njohjeve të reja.

    “Po të isha kryeministre e Kosovës sot, do ta kisha shumë të vështirë ta qeverisja këtë vend”, tha Calmy-Rey.

    “Në veri të Kosovës, ku popullsia është kryesisht serbe, ekziston një sistem social paralel. Tekstet shkollore ofrohen nga Serbia. Disa komuna refuzojnë të pranojnë autoritetin e Prishtinës. Është një vend i vështirë për t’u qeverisur. Bashkimi Europian ndërmjetëson mes Serbisë dhe Kosovës, por udhëheqësit e tij – përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák dhe shefi i politikës së jashtme Josep Borrell, për shembull – vijnë nga vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, theksoi ish-presidentja helvetike.

    Para një viti, ish-presidentja zvicerane, Micheline Calmy-Rey u nderua në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani ia kishte dorëzuar asaj medaljen e “Urdhri i Pavarësisë”.

  • Bien çmimet e naftës në tregjet botërore

    Bien çmimet e naftës në tregjet botërore

    Në tregjet botërore, çmimet e naftës ranë edhe javën e kaluar, për të shtatën herë radhazi, pasi për shkak të dobësisë së ekonomive, është e mundur një rënie e mëtejshme e kërkesës për “arin e zi”.

    Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie ra me 3.9 për qind javën e kaluar, në 75.84 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i fuçisë ra me 3.8 për qind, në 71.22 dollarë.

    Të enjten, çmimet e naftës në të dy tregjet ranë në nivelin më të ulët që nga fundi i qershorit, por të premten ata u hodhën më shumë se 2 për qind, duke ulur humbjet javore.

    Kohët e fundit, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët e saj vendosën të ulin prodhimin në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me rreth 700 mijë fuçi në ditë.

    Por, kjo nuk i mbështeti çmimet e naftës sepse kompanitë në SHBA po prodhojnë sasi rekord fuçish dhe importet kineze të naftës po lëkunden, që do të thotë se furnizimi është i mjaftueshëm, thotë Tamas Varga nga PVM.

    Dhe një marrëdhënie e tillë midis ofertës dhe kërkesës mund të vazhdojë, duke pasur parasysh se rritja e ekonomive më të mëdha në botë është ngadalësuar, ndërkohë që vendet jo anëtare të OPEC-ut po rrisin prodhimin e naftës.

    Ndaj Varga e konsideron rritjen e çmimit të premten si një “korrigjim të thjeshtë”, pas rënies së mprehtë të ditëve të mëparshme.

    Çmimet aktualisht mbështeten vetëm nga besimi i tregtarëve se bankat qendrore të vendeve perëndimore kanë përfunduar ciklin e rritjes së normave të interesit, duke qenë se inflacioni është në rënie.

    Por, ekonomitë me siguri do të ngecin ose do të dobësohen në muajt e ardhshëm dhe do të kalojnë muaj para se bankat qendrore të fillojnë të ulin normat e interesit dhe në këtë mënyrë të stimulojnë rimëkëmbjen e ekonomive.

    Kjo është arsyeja pse çmimet e naftës janë në rrugën e humbjeve këtë vit. Në tregun e Londrës, çmimi i fuçisë aktualisht është në të kuqe në krahasim me fillimin e vitit me rreth 11.7 për qind dhe në atë amerikan me rreth 11.3 për qind.

  • Kryetari i AKB-së kërkon që monedha 2 euro të hiqet për një kohë nga qarkullimi

    Kryetari i AKB-së kërkon që monedha 2 euro të hiqet për një kohë nga qarkullimi

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka kërkuar që të hiqet nga qarkullimi në për një kohë monedha 2 euro, kjo ngase bizneset nuk posedojnë aparatura të veçanta për identifikimin e parave metalike false.

    Shahini i tha Ekonomia Online, se Banka Qendrore në këtë rast do të duhej që të bënte më shumë në mënyrë që qytetarët t’i njohin ato.

    “Ne duhet t’a dimë se Kosova nuk është prodhuese e monedhës, por importuese. Në kohët e fundit ka pasur disa raste të paraqitura qoftë dy euro, pesëdhjetë euro e të tjera, por që gjithmonë ka pasur falsifikim të parave përmes së cilave synohet fitimi i parasë pa punuar”.

    “Ndoshta metoda më e mirë kishte me qenë që për një kohë të caktuar monedha dy euro të tërhiqet nga Banka Qendrore duke e larguar nga tregu, pasi që ne nuk kemi aparat identifikimi, që të njihet ose dallohet nga bizneset ose qytetarët. Kjo metodë kishte me qenë e përshtatshme, por edhe duke i bërë promovim më shumë nga Banka Qendrore që ta njeh qytetari më mirë në përgjithësi”, ka deklaruar Shahini.

    Ai e ka mirëpritur iniciativën e Qeverisë  për lansimin e  Masës së Punësimit për Gratë e Mbijetuara të Dhunës.

    Shahini shtoi se Qeveria e vendit do të duhej të bënte më shumë në këtë drejtim, pasi që është një iniciativë praktike në mënyrë që këto gra të mos t’a ndiejnë vetën të stresuar pas gjithë atyre kohëve të vështira, raporton EO.

    “Punësimi i grave të dhunuara është një iniciativë e mirë por e vonuar dhe është një iniciativë që promovon përkujdes ndaj kësaj kategorie, e cila vazhdimisht është tentuar që këtyre tu shtohet një vëmendje por asnjëherë e duhur jo”.

    “…mendoj që Qeveria e vendit do të duhej të bënte më shumë, edhe pse është një iniciativë praktike në mënyrë që ato të mos t’a ndijnë vetën të stresuar pas gjithë atyre kohëve të vështira që kanë  kaluar ato”, deklaroi ai.