ATV

Category: Lajme

  • Dështon mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, mungojnë deputetë të LVV-së

    Dështon mbledhja e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, mungojnë deputetë të LVV-së

    Ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore për shkak të mungesës së kuorumit. Në këtë mbledhje kanë munguar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Kryetari i këtij Komisioni, Rashit Qalaj theksoi se fatkeqësisht kjo mbledhje nuk mund të mbahet pa prezencën e anëtarëve të partisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Ai tha se në këtë mbledhje në rend dite ishte paraparë të diskutohet për buxhetin e Komisionit dhe për angazhimin e ekspertëve.

    “Fatkeqësisht kemi mungesë të deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk kemi kuorumin e duhur. Sot kemi pasur të diskutojmë dy pika të rëndësishme të rendit të ditës, që ka pasur të bëjë me buxhetin për këtë Komision si dhe për angazhimin e ekspertëve, të cilët do të na duheshin. Dhe po ashtu kemi pasur një pikë tjetër ku kemi pasur me diskutuar për çështjen e dokumentacionit për punën e këtij komisioni, mirëpo më pamundësi që të vazhdojmë me punë, ne duhet ta mbyllemi këtë tentativë të takimit, duke shpresuar që do ta mbajmë një takim tjetër shumë shpejt, ani se këto varen shumë nga prezenca e kolegëve nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse ne si deputet të opozitës nuk e kemi numrin e mjaftueshëm të votave. Kështu me keq ardhje do të mbyllim këtë takim për shkak të mungesës së deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje”, theksoi Qalaj.

    Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore ishte konstituar pas 7 tentimeve. /KP

  • ​SPAK i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e Sali Berishës

    ​SPAK i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizim për arrestimin e Sali Berishës

    Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon autorizimin nga Kuvendi për të ekzekutuar ndryshimin e masës së sigurisë nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” ose “Arrest me Burg” për ish-Kryeministrin Sali Berisha, i cili po hetohet nga struktura e posaçme anti-korrupsion mbi procedurat e ndjekura për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”.

    Sipas burimeve zyrtare nga SPAK, bëhet me dije se ndryshimi i masës së sigurisë nga “Detyrim Paraqitje” në “Arrest Shtëpie” apo “Arrest me burg”, ka ardhur pasi Ish Kryeministri Berisha nuk ka zbatuar masën shtrënguese të caktuar fillimisht nga organi posaçëm i akuzës, atë të detyrimit të paraqitjes. Kësisoj, në bazë dhe të parashikimeve ligjore të kodit të procedurës penale për këto raste, SPAK ka të drejtë të kërkojë dhe ashpërsimin e masës së sigurisë arrest shtëpie apo arrest me burg.

    “Kemi bërë kërkesë për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, bën me dije SPAK për ATSH.

    Berisha akuzohet nga SPAK se ka konsumuar veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Sipas SPAK, Sali Berisha i cili në atë kohë mbante postin e kryeministrit, ka ushtruar presion ndaj administratës për përfundimin sa më parë të procedurave të privatizimit të ish-klubit “Partizani” nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro. /atsh/

  • Njoftim i rëndësishëm nga Ministria e Financave për pensionistët që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ’90

    Njoftim i rëndësishëm nga Ministria e Financave për pensionistët që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ’90

    Ministria e Financave ka bërë të ditur se të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë 15 vite stazh pune, mund të regjistrohen për kalim në pension parcial kontribuiv deri më 31 dhjetor të këtij viti.

    Sipas njoftimit, të gjithë ata që s’kanë pasur mundësi të aplikojnë përmes formularit elektronik, kanë mundësi që të aplikojnë duke u paraqitur fizikisht në Zyrat Pensionale në rajonin e tyre përkatës, duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

    “Vëmendje: pensioni parcial kontributiv do të jetë skemë e përhershme. Qytetarët që duan të përfitojnë në mënyrë retroaktive nga korriku 2023 duhet të aplikojnë deri më 31 dhjetor 2023. Ndërsa, për aplikimet pas kësaj date, kompenzimi bëhet nga muaji prej kur aplikuesi kualifikohet për pension parcial kontribuiv”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

    📣 Njoftojmë të gjithë qytetarët se mund të regjistrohen për kalim në pension parcial kontribuiv deri më datë 31 dhjetor 2023

    Të gjithë pensionistët që për shkak të largimit të dhunshëm nga puna në vitet 90-ta nuk kanë pasur mundësi të plotësojnë 15 vite stazh pune kanë mundësinë të kalojnë në kategorinë e pensionit parcial kontribuiv.

    Të gjithë ata të cilët nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë përmes formularit elektronik, kanë mundësinë që akoma të aplikojnë duke u paraqitur në Zyrat Pensionale në Rajonin e tyre përkatës dhe dorëzuar dokumentacionin si në vijim:

    🔹Kopjen e letërnjoftimit të vlefshëm të Republikës së Kosovës; dhe
    🔹Dëshmi se janë larguar nga puna si rezultat i aplikimit të masave të dhunshme e cila mund të jetë njëra nga dokumentet në vijim:
    🔸Libreza e punës e mbyllur në vitet e aplikimit të masave të dhunshme, nga 01.01.1989 e tutje;
    🔸Vendimi i largimit nga puna si rezultat i aplikimit të masave të dhunshme;
    🔸Lista e punëtorëve të institucioneve dhe organizatave/sindikatave të pavarura, të larguar nga puna si pasojë e masave të dhunshme pas 01.01.1989, e vërtetuar nga institucioni përkatës;
    🔸Regjistri i protokollit të organizatave punuese që janë privatizuar, i vërtetuar nga institucioni përkatës;
    🔸Dëshmi nga ish BVI-ja e punësimit;
    🔸Dëshmi për reduktim të vendeve të punës, për shkak të masave të dhunshme të tepricës teknologjike;
    🔸Formulari M-2 për ndërprerjen nga sigurimi;
    🔸Çdo dëshmi tjetër të cilën pala e posedon dhe e cila dëshmon se i njëjti është larguar nga puna në vitet 90-ta si rrjedhojë e masave të dhunshme.

    ℹ️ Të gjithë qytetarët që kanë pyetje në lidhje me kalimin në pension parcial kontribuiv mund të kontaktojnë zyrat e pensioneve në rajonin e tyre përkatës.
    • Rajoni i Prishtinës: 038 213 268
    • Rajoni i Prizrenit: 0290 242 454
    • Rajoni i Pejës: 039 431 217
    • Rajoni i Gjilanit: 0280 324 555
    • Rajoni i Gjakovës: 0390 326 999
    • Rajoni i Mitrovicës: 028 533 010
    • Rajoni i Ferizajt: 029 320 403

    Vëmendje: pensioni parcial kontributiv do të jetë skemë e përhershme. Qytetarët që duan të përfitojnë në mënyrë retroaktive nga korriku 2023 duhet të aplikojnë deri më 31 dhjetor 2023. Ndërsa, për aplikimet pas kësaj date, kompenzimi bëhet nga muaji prej kur aplikuesi kualifikohet për pension parcial kontribuiv.

  • ​Papunësia në Shqipëri ulet në shifra historike

    ​Papunësia në Shqipëri ulet në shifra historike

    Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10.5%, në tremujorin e tretë 2023, duke pësuar një rënie historike.

    Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

    Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

    Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, raporton Monitor.

    Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje.

    Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.

    Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve.

    Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Punësimi ulet me 2,5% në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

    Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2%.

    Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8%.

    Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2%.

    Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

    Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5%, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

    Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

    Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

    Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%.

    Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%. /TopChannel/

  • Sondazhi: Kosova, më e padëshiruara nga evropianët në BE, Ukraina më e pranueshme

    Sondazhi: Kosova, më e padëshiruara nga evropianët në BE, Ukraina më e pranueshme

    Evropianët janë përgjithësisht të hapur ndaj idesë për anëtarësimin e Ukrainës në BE pavarësisht nga kostot dhe rreziqet, por më të ftohtë ndaj pranimit të Gjeorgjisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos Kosovës, sipas një ankete.

    Komisioni Evropian muajin e kaluar e rekomandoi fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Ukrainën dhe Moldavinë. Qeveritë e 27 vendeve të BE-së pritet që ta diskutojnë këtë propozim në një samit në Bruksel javën e ardhshme, edhe pse kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, disa herë ka thënë se e kundërshton hapjen e bisedimeve me Kievin, raporton gazeta “The Guardian”.

    Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të hënën se do të ishte “shkatërruese” për Kievin dhe për BE-në, nëse në samitin e bllokut nuk mbështetet fillimi i bisedimeve për anëtarësim. “Nuk mund ta imagjinoj… Nuk dua as të flas për pasojat”- tha kryediplomati ukrainas.

    Sipas anketës së zhvilluar në gjashtë shtete të BE-së për Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme [ECFR], pjesëmarrësit shfaqën përkrahje të konsiderueshme për kandidaturat e Ukrainës dhe, në nivel më të ulët, për ato të Moldavisë dhe Malit të Zi, por edhe shqetësime të thella ekonomike e të sigurisë.

    Megjithatë, në anketë pati kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit të mundshëm të Turqisë në veçanti, si dhe përgjigje dukshëm të ftohta ndaj anëtarësimit të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Gjeorgjisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

    Piotr Buras, zyrtar i lartë i politikave në ECFR, tha: “Retorika gjeopolitike nga Brukseli po i maskon shqetësimet e thella në shtetet anëtare rreth pasojave të mundshme të zgjerimit dhe skepticizmin e gjerë për aftësinë e BE-së për të absorbuar anëtarë të rinj.”

    Sipas anketës, përkrahja më e lartë për anëtarësimin e Ukrainës është në Danimarkë (50 për qind) dhe në Poloni (47 për qind). Mendimet janë më të përçara në Rumani (32 për qind për, 29 për qind kundër), Gjermani (37 për qind për, 39 për qind kundër) dhe Francë (29 për qind për, 35 për qind kundër). Në Austri, shumica e pjesëmarrësve në anketë (52 për qind) ishin kundër hyrjes së Ukrainës në BE.

    Në bazë të të dhënave të sondazhit, 51 për qind e pjesëmarrësve në gjashtë shtetet e BE-së ishin kundër hyrjes së Turqisë në Bashkimin Evropian.

    Evropianët u shfaqën të ftohtë edhe ndaj Shqipërisë, Kosovës, Bosnjës, Gjeorgjisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në përgjithësi, më pak se 30 për qind përkrahje u dha në anketë për anëtarësimin e këtyre tetë shteteve në BE.

    Përkrahja më e ulët ishte për anëtarësimin e Kosovës. Vetëm 20 për qind e të anketuarve e përkrahën hyrjen e vendit tonë në BE, ndërsa 37 për qind ishin kundër. Për Shqipërinë, 24 për qind e përkrahën anëtarësimin, ndërsa 35 për qind kundër këtij veprimi. Për Serbinë, 25 për qind ishin për, ndërsa 35 për qind kundër.

    Për Maqedoninë e Veriut, 26 për qind e përkrahën anëtarësimin, ndërsa 27 për qind ishin kundër. Për Malin e Zi, 30 për qind e përkrahën anëtarësimin e këtij vendi në BE, ndërsa 25 për qind ishin kundër kësaj mase.

  • Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

    Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

    Ministrat e Bashkimit Evropian janë duke diskutuar të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, për paketën e zgjerimit të bllokut evropian.

    Pritet që më vonë gjatë ditës në këtë takim të miratohen edhe konkluzat, ndonëse ka pasur paralajmërime se ato nuk do të kalojnë, pasi Hungaria ka paralajmëruar se do t’i bllokojë me veto.

    Por, në versionet e fundit të draftit të konkluzave janë hequr rekomandimet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe i është lënë Këshillit Evropian, i cili takohet të enjten dhe të premten, që të vendosë për një hap të tillë.

    Hungaria ka kërkuar që ky vendim për Ukrainën të hiqet tërësisht nga rendi i ditës, pasi nuk ka konsensus mes vendeve anëtare, ndonëse të 26 vendet tjera anëtare janë të gatshme të marrin një vendim të tillë.

    Në konkluzat e përgatitura për takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, BE-ja do të përsërisë përkushtimin për zgjerim, si një proces gjeostrategjik të rëndësishëm për forcimin e paqes në Evropë.

    Ajo do t’iu bëjë ftesë të gjitha vendeve të përfshira në këtë proces që të vazhdojnë procesin e reformave të nevojshme për të përparuar në këtë proces, me fokus të veçantë në sundimin e ligjit.

    Në pjesën e konkluzave, ku flitet për Kosovën, Këshilli i BE-së do të ftojë Kosovën që të bëjë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që mirëpret hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, që do të nisë më 1 janar të vitit të ardhshëm.

    Pjesa më e madhe e konkluzave, që i kushtohet Kosovës, ka të bëjë me situatën e sigurisë në veri dhe me dialogun me Serbinë.

    Këto porosi janë edhe në pjesën e konkluzave për Serbinë.

    “Këshilli është thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës, përfshirë edhe atë të sigurisë. Disa veprime të njëanshme nga Kosova dhe Serbia, sikur edhe dorëheqja kolektive e serbëve të Kosovës nga institucionet, dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kanë shtuar edhe më shumë tensionet”, thuhet në tekst.

    Këshilli do të dënojë ashpër “sulmet e dhunshme të protestuesve serbë të Kosovës ndaj trupave të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj 2023. Zgjedhjet e reja në veri të Kosovës duhet të zhvillohen sa më parë që të jetë e mundur dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në to pa asnjë parakusht. Serbët e Kosovës, po ashtu, duhet të kthehen në institucionet nga të cilat janë larguar. Kjo duhet të lehtësohet nga Kosova dhe të inkurajohet nga Serbia”, thuhet në këtë draft.

    Sa u përket masave, të cilat BE-ja i ka vendosur ndaj Kosovës, të cilat janë arsyetuar me “mungesën e hapave të vendosur për të shtensionuar situatën në veri”, shprehet gatishmëria që ato masa të hiqen, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

    “Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”, thuhet në tekst.

    Këshilli, edhe përmes këtyre konkluzave, do të përsërisë se nuk ka justifikim për dhunën, dhe do të dënojë sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.

    “Këshilli nënvizon përmirësimin e bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës dhe EULEX-it lidhur me këtë sulm. Këshilli mirëpret forcimin e pranisë së KFOR-it, posaçërisht në vijën kufitare/administrative mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në tekst dhe i bëhet thirrje edhe Kosovës edhe Serbisë që të përmbahen nga retorika nxitëse.

    Rikujtohet se BE-ja mund të ndërmarrë masa edhe ndaj Kosovës edhe ndaj Serbisë, në rast se nuk përmbahen nga nxitja e tensioneve.

    “Këshilli pret nga Kosova dhe Serbia që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila do të garantonte siguri dhe demokraci përfaqësuese për të gjithë qytetarët”, thuhet në tekst.

    “Këshilli kërkon nga Kosova që të angazhohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën, për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit“, thuhet në këtë dokument, dhe rikujtohet se të dyja palët do të rrezikojnë rrugëtimin e tyre evropian, në rast se nuk e shfrytëzojnë këtë rast.

    Këshilli do të shprehë keqardhje për mungesën e implementimit nga të dyja palët të Marrëveshjes dhe aneksit për zbatimin e saj, sikur edhe çështjeve tjera të arritura në dialog.

    “Kërkojmë nga Kosova që në tërësi dhe pa vonesa tjera t’i implementojë ato. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draftin e paraqitur nga lehtësuesi i BE-së, që nënkupton se puna e mëtejme duhet të bëhet në bazë të tij”, thuhet në tekst.

    Këshilli do ta ftojë Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, që të plotësojë agjendën për takimin e radhës të Grupit Special për Normalizim, për të marrë parasysh obligimet e Kosovës që dalin nga Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit.

    Kosova do të ftohet urgjentisht, dhe në mënyrë konstruktive, të angazhohet në aktivitetet e bashkëpunimit rajonal dhe të respektojë obligimet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë – CEFTA dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, përfshirë edhe duke hequr vendimin për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

    Këshilli i BE-së do të përshëndesë orientimin e qartë gjeostrategjik të Kosovës, që është dëshmuar edhe përmes dënimit të ashpër të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, dhe përshtatjen vullnetare të qëndrimeve të saj në politiken e jashtme me ato të Bashkimit Evropian.

    Drafti i konkluzave përmban edhe thirrjen që Komisioni Evropian dhe Përfaqësuesi i Lartë që, sa më parë, më së voni deri në janar të vitit 2024, të bëjë propozimin për ndryshimin e kritereve të kornizës negociuese të Serbisë, për të përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si kusht.

    Pikërisht përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën, në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, është përmendur nga zyrtarët e lartë të BE-së si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel, më 27 shkurt, dhe aneksi i implementimit në Ohër, të bëhen, siç thonë në BE, “ligjërisht obliguese“.

    Por, deri më tani, korniza e negociatave nuk është ndryshuar formalisht. /REL

  • Haxhi Shala është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit

    Haxhi Shala është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit

    Gazetarja e ATV-së, Donisa Fazliu, e cila po qëndron në fshatin Bajnë të Malishevës tek shtëpia e Haxhi Shalës, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, raportoi se ai është nisur për në Hagë në orët e hershme të mëngjesit.

    Këtë e ka konfirmuar për ATV-në edhe avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.

    Haxhi Shala është intervistuar gjatë tërë ditës dje nga zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në selinë e EULEX-it në Prishtinë, derisa nga familjarët e tij dje kanë thënë që nuk kanë qenë në dijeni se për çfarë është intervistuar.

    Bastisje në shtëpinë e Haxhi Shalës është kryer në Prishtinë, por edhe këtu në fshatin Bajnë të komunës së Malishevës.

    Kujtojmë se Haxhi Shala është intervistuar edhe gjatë verës nga zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me ç’rast i është konfiskuar vetëm telefoni, derisa për rastin nga ZPS nuk kanë dhënë detaje për ATV-në, përveçse janë duke kryer aksione të vazhdueshme.

    Kujtojmë se zyrtarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kanë kryer bastisje muaj më parë edhe tek pronat e ish-këshilltarit ish-ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit, me ç’rast kanë kryer bastisje edhe te prona e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, edhe ky i fundit është arrestuar për pengim të drejtësisë. /atvlive.tv

  • Rishikimi i teksteve – Nagavci: Janë gjetur shumë mangësi, tekstet ishin pa mesazh e të padëshirueshme për nxënësit

    Rishikimi i teksteve – Nagavci: Janë gjetur shumë mangësi, tekstet ishin pa mesazh e të padëshirueshme për nxënësit

    Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Projektin “KosEd: Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë” kanë prezantuar gjetjet dhe rekomandimet për procesin e rishikimit të teksteve shkollore, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se procesi i rishikimit të teksteve shkollore të gjuhës shqipe dhe matematikës në arsimin e obligueshëm nga MAShTI është dëshmi drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit parashkollor.

    Sipas saj, tekstet shkollore ndër vite janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtjesor dhe atë teknik. Prandaj edhe kanë ndërmarrë hapa duke e marrë për bazë që cilësia e teksteve shkollor ka impakt të drejtpërdrejtë në formësimin e aspekteve madhore në jetën e një individi.

    Në këtë proces ajo tha se janë përfshirë ekspertë arsimorë dhe mësimdhënës nga shkollat në mënyrë që të arrihen rezultatet konkretet. Madje tha se mënyra më e mirë për përmirësimin e cilësisë është duke u rritur përfshirjen me bazë të gjerë e të gjithë komunitetit arsimor në të gjitha proceset relevante.

    Nga të gjeturat tha ajo është konstatuar se tekstet shkollore nuk janë shumë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve, madje shumë tekstet janë të gjata dhe shpeshherë pa mesazh. Sipas saj, këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës duke sjell edhe mesazh për historinë tonë.

    “Përmirësimi i cilësisë në arsim është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Rishikimi i teksteve të lëndës së gjuhës dhe matematikës nga klasa 1-9 është incizuar nga MAShTI dhe tregon përkushtimin për cilësinë e rezultateve të nxënësve. Tekstet shkollore vazhdojnë të jenë burim kryesor për mësim dhe i përgatisin  nxënësit për një jetë të rëndësishme, ky raport për 38 tekste ka synuar të bëjë rekomandime për cilësi sepse çështja e teksteve shkollore ka qenë me interes edhe gjatë gjithë viteve të tjera, por kanë munguar disa analiza të hollësishme që tregojnë për gjerat që duhet ndryshuar”.

    “Ne kemi vendosur të përdorim një mekanizëm vlerësimi të bazuar në kritere gjithëpërfshirëse që të mund të bëjmë përmirësime në cilësi dhe është bërë rritja e kapaciteteve të teksteve shkollore pas përcaktimit  të kritereve të metodologjisë. Faza e parë ka synuar tekstet e gjuhës shqipe ku kemi marr në rishikim 21 tekste nga lënda e gjuhës shqipe dhe nga matematika 17 tekste, për këto tekste kemi krijuar raporte të detajuara”.

    “Disa nga sugjerimet kanë të bëjnë me kontekstet sepse shumica e teksteve shkollore janë teorike dhe rekomandimet do të ndihmojnë edhe zhvillimin e mendimit kritik ndërsa analiza ka treguar se tekstet shkollore nuk janë shumë të dëshirueshme për lexim nga ana e nxënësve dhe të mësuarit përmendësh, shumë nga tekstet janë tekste të gjata me jomjaftueshëm ilustrime dhe shpeshherë pa mesazh sepse këto tekste duhet të përmbajnë vlera të kulturës së Kosovës duke sjell edhe mesazh për historinë tonë”.

    Ajo ka falënderuar Bashkimin Evropian për ndihëm, gjithashtu edhe zyrtarët e DKA-ve, duke shtuar se edhe përkundër sfidave kanë arritur që me punë ekipore të arrihen qëllimet drejt rritjes së cilësisë, raporton EO.

    Alex De Roquefeuil, udhëheqës i ekipit të projekti “Përkrahje për arsimin fillor dhe të mesëm të lartë”, tha se bashkë me ekspertët e përfshirë në projekt kanë punuar në vazhdimësi në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore.

    “Përkushtimi për rishikimin e teksteve nga mësimdhënësit dhe ekspertet për tekstet shkollore ka qenë me rëndësi nga Zyra e Bashkimit Evropian e cila ka qenë në krye të rishikimit të tekste edhe pse e kemi ditur që ky proces do kërkojë resurse dhe punë të madhe kemi filluar këtë proces, dhe faza tjetër do jetë në vitin tjetër dhe do ketë një rëndësi të madhe për gjithë nxënësit”.

    “… pyetja sot është se si mund të mbështesim në mënyrë adekuate institucionet në këtë drejtim për të përmbushur obligimin e përbashkët dhe ne së bashku duhet të gjejmë zgjidhje të përbashkët dhe efikase me drejtorët e shkollave komunat dhe të gjithë do të përfshihen në ketë aktivitet, në përmirësimi të cilësisë së teksteve shkollore”.

    Anne Sophie Houee, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha e presin rezultate konkrete në këtë drejtim.

    Prezantimin e gjetjeve u bë nga ekspertët Florence Mihaela Singer, FadiLatifi dhe Osman Buleshkaj. Mihaela Singer, tha se qëllimi kryesor i gjetjeve është përmirësimi i cilësisë së teksteve shkollore.

    “Rrugëtimi për rishikimin e teksteve aktuale po vjen në një fazë finale për momentin dhe gjetjet kryesore tregojnë që kemi filluar që nga ide që cilësia e teksteve shkollore ka të bëjë me mësimnxënien, dhe ka pasur një proces për rishikimin e teksteve që e ka fuqizuar edhe legjislacioni në fuqi, procesi i rishikimit ka qenë i dyanshëm dhe jemi fokusuar në objektiva me tekste shkollore dhe ofrimin e rekomandimeve për ndërhyrje të ndryshme në tekstet shkollore”.

    “Faza e parë është bërë për tekstet shkollore në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës nga klasa e 1-9, dhe arsyeja që kemi zgjedhur këto dy lëndë është që nxënësit kanë treguar rezultate të dobëta edhe në testin PISA, duke pasur parasysh që ka pasur debat për rezultatet e PISA 2022 sot kam sjell një diagram që tregon që nxënësit e Kosovës kanë pasur rezultat nën nivel në matematikë dhe në gjuhën shqipe sepse ne lexim 83% kanë pasur bazë nën nivelin bazë krahasuar me shtetet e OSCD dhe këto rezultate na kanë bërë që të mendojmë se çfarë të behet dhe të gjejmë zgjidhje”.

    Eksperti Fadil Latifi, tha se tekstet nuk plotësojnë kushtet, prandaj edhe duhet të bëhen ndryshime patjetër.

    “Kemi parë që tekstet tona nuk janë aq të mira dhe mjaftueshme për nxënësit tanë, nga të gjeturat tona kemi parë që edhe në lëndën e gjuhës shqipe dhe matematikës ka probleme dhe rekomandimet tona për rritje të cilësisë”.

    Osman Buleshkaj, tha se duhet që të ketë çdo vit raporte te detajuar për kërkesat dhe ankesat e nxënësve dhe mësimdhënësve.

    “Kemi një mekanizëm të qëndrueshëm dhe funskional që do të na ofronte të dhëna për cilësinë e teksteve, dhe ky proces duhej të planifikohej që të ndodhte në faza të ndryshme gjatë vitit dhe ne ende sot nuk kemi një informatë të tillë pra na mungon. Ka nevojë  për ngritje të kapaciteteve në nivel shkollave, por edhe në komuna të Kosovës dhe ka nevoje për ekip që bëjnë raporte të detajuara madje çdo gjysmë vjetor dhe pastaj të komunikohet me shtëpitë botuese që këto tekste të përmirësohet dhe në këtë mënyrë cilësia do rritej”.

  • Guvernatori Ismaili zhvillon takim konsultues me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone

    Guvernatori Ismaili zhvillon takim konsultues me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Piero Cipollone

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Z. Ahmet Ismaili së bashku me Zëvendësguvernatorin, Z. Dardan Fusha zhvilloi takim virtual me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane, Z. Piero Cipollone, duke vijuar takimin e fundit në selinë e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) në Frankfurt.

    Temë e këtij diskutimi shqyrtimi i opsioneve dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sistemit të pagesave, me theks të veçantë mënyrën e anëtarësimi vendit tonë në skemën e pagesave SEPA dhe sistemin e pagesave të shpejta TIPS, projekt që mbështetet edhe nga BQE-ja si pjesë e Procesit të Berlinit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Po ashtu, është diskutuar edhe për rëndësinë që ka avancimi i infrastrukturës teknike dhe kornizës rregullative, për qasje në sistemin e pagesave të Bashkimit Evropian, ku BQK-ja ka bërë përgatitje dhe ka si objektiv strategjik anëtarësimin, me përfitime shumë të mëdha si për qytetarët, bizneset, mërgatën dhe gjithë ekonominë.

    Pjesë e diskutimi ishte dhe bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet BQK-së dhe BQE-së në fushën e menaxhimit të rezervave, mbikëqyrjes së bankave sistemike, si dhe çështje që lidhen me ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimi i përvojave brenda mandatit të BQE-së dhe BQK-së.

    Në fund të takimit u darkordua për intensifikimin e takimeve me propozime konkrete, dhe bashkëpunimit në arritjen e qëllimeve të përbashkëta të dy institucioneve.

    Kontributi i Z. Cipollone mbetet i rëndësishëm, si një mbështes i këtij procesi, i cili para se të emërohej në këtë pozicion ekzekutiv në BQE ka qenë zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Italisë, duke zëvendësuar kështu Z. Fabio Panetta, i cili tashmë është Guvernator i Bankës së Italisë (Banca d’Italia).

    BQK po punon me përkushtim në arritjen e objektivave strategjike afatgjata, që kërkojnë angazhim të përditshëm dhe koordinim të duhur institucional dhe ndërkombëtar.

  • KMDLNj reagon pas bastisjes dhe ndalimit të Haxhi Shalës nga Specialja

    KMDLNj reagon pas bastisjes dhe ndalimit të Haxhi Shalës nga Specialja

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMLDNj) ka reaguar pas bastisjes si dhe ndalimit së ish-deputetit dhe ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala nga Gjykata Speciale, në Hagë.

    Përmes një reagimi për media, KMDLNj tha se të hënën persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës kanë bastisur shtëpinë e Shalës dhe më vonë të njëjtin e kanë dërguar tek zyrat e EULEX-it, në Prishtinë.

    Në reagim tutje thuhet se “sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale nuk kanë shenja identifikuese”.

    Po ashtu nga KMLDNj thonë se arsyetimi i Gjykatës Speciale për bastisje dhe arrestime është e njëjta metodë që e ka zbatuar UDB-ja.

    Reagimi i plotë:

    Më 11 dhjetor, persona të paidentifikuar në Banjë të Malishevës bastisën shtëpinë e luftëtarit të UÇK-së dhe më vonë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala të cilin e dërguan në bazën burg të EULEX-it për ta marrë në pyetje. Kohë më parë i kishin konfiskuar telefonin. Haxhi Shala, i privuar nga liria natën e kaloi në bazën burg të EULEX-it, pa u informuar nga askush ai dhe familja e tij për fatin e tij. Dyshimet janë se sot do të dërgohet në Burgun e Gjykatës Raciste Speciale në Hagë ku po mbahen peng edhe 8 ushtarë të UÇK-së disa prej të cilëve në çastin e arrestimit ishin bartës të posteve më të larta politike dhe institucionale të Kosovës. Sipas informatave të KMDLNj-së, paramilitarët e Gjykatës Speciale që nuk kanë shenja identifikuese po tregohen të kujdesshëm gjatë bastisjeve për të krijuar një përshtypje se po i respektojnë standardet ligjore dhe të drejtave të njeriut gjatë këtyre inkursioneve kundër ushtarëve të UÇK-së dhe përkrahësve të tyre. Gjatë bastisjeve i pranishëm është edhe avokati të cilin e propozon i dyshuari. Është mbase jo vetëm koincidencë e rastit edhe kërcënimi që gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e shpërndau Ekaterina Trandafilova, kryetare e parapaguar e kësaj Gjykate se Hashim Thaçi, president i Kosovës, Jakup Krasniqi për dy mandate kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit dhe Rexhep Selimi, shef i GP të LVV–së mund të dënohen me burg të përjetshëm dhe se bastisjet dhe aksionet tjera inkursuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmën. Ky kërcënimi mbase u sforcua edhe pas takimit publik me disa ambasadorë sikur edhe pas takimit me disa udhëheqës politikë kosovarë e që takimet nuk u bënë publike. Kërcënimet i vazhdoi edhe pasi u kthye në Hagë pas së cilës ishin tre bastisje dhe një arrestim, ky i Haxhi Shalës. Sipas infprmatave të KMDLNj–së nga terreni pakënaqësitë me këto bastisje nga persona të pidentifikuar dhe të panjohur në kohën kur kjo Gjykatë policët e Kosovës i angazhon si “punëtorë krahu“ për të rregulluar trafikun dhe për të krijuar përshtypje krejtësisht mashtruese se edhe Policia e Kosovës është pjesë aktive e këtij inkuzicioni përndjekës është në rritje dhe mund të dalë jashtë kontrollit.

    Arsyetimi i kësaj Gjykate për arrestime dhe bastisje është “pengimi i administrimit të drejtësisë“ paraqet carta bianca për veprime të pakufizuara dhe të pakontrolluara nga askush e, më së paku nga institucionet e Kosovës që nominalisht janë themelues të kësaj Gjykate. Në kohën e regjimit të ish – Jugosllavisë, UDB-ja serbe dhe jugosllave kishte shpikur një nen inkriminues që sanksiononte fjalën e lirë dhe lirinë e mendimit duke dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri më 10 vjet të gjithë ata që flisnin për lirinë e shqiptarëve apo edhe që mendonin se duhet të jenë të barabartë me të tjerët. Ky nen ishte aq fleksibili sa krijonte mundësi të pakufishme për të burgosur, rrahur, vrarë dhe dënuar shqiptarë që e donin lirinë, qoftë edhe si ide, pa e ndërmarrë asnjë veprim konkret.

    Gjykata Speciale Raciste po e përdorë të njëjtën metodë që e ka zbatuar UDB-ja përmes ligjit për pengim të administrimit të drejtësisë mund të bastisë dhe arrestojë të gjithë ata që nuk duan të bëhen dëshmitarë, që përkrahin luftën e UÇK-së apo që nuk pajtohen me këtë Gjykatë. Mjafton që ndonjë dëshmitar i mbrojtur ta përmend emrin dhe paramilitarët e Speciales do t’i keni në shtëpi. Gjykata Speciale po përdorë dëshmitarë me dëshmi të sajuara, informatorë të BIA–së serbe dhe dëshmitarë të rekrutuar nga sigurimi serb, dëshmitarë të prokurorisë serbe dhe dëshmitarë nga Kosova të joshur me shumë përfitime, para, ndryshim të identiteti dhe strehim në një vend tjetër.

    KMDLNj –ë denoncon publikisht këto kërcënime nga kryetarja Trandafilova si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që po mbahen në Hagë për faktin se në mënyrë flagrante po e shkelë parimin e prezumimit të pafajësisë pasi i shpallë fajtorë të akuzuarit, ende pa përfunduar procesi gjyqësor.

    KMDLNj–ë denoncon botërisht sajimin e përgjimeve ndaj pengjeve që po mbahen në Hagë, të gjithë shtetas të Kosovës dhe të gjithë shqiptarë pas së cilave, me propozim të PS ndaj tyre janë marrë masa represive si ndalimi i vizitave të paprivilegjuara dhe bisedave telefonike. KMDLNj–ë denoncon publikisht deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk kërkojnë raport nga kjo Gjykatë për respektimin dhe shkeljen e identifikuara të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria çpasi po ky Kuvend ka votuar themelimin e kësaj gjykate.