ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri Kurti mbledh ministrat

    Kryeministri Kurti mbledh ministrat

    Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Ministrat e Qeverisë Kurti do të mblidhen nga ora 10:00 për të diskutuar disa pika që janë në rend të ditës.

    Zyra për Komunikim e Kryeministrit nuk ka bërë të ditur akoma agjendën e këtij takimi.

  • Ministrja malazeze: Mali i Zi do t’i ofrojë mbështetje Kosovës në rrugën drejt BE-së

    Ministrja malazeze: Mali i Zi do t’i ofrojë mbështetje Kosovës në rrugën drejt BE-së

    Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq, ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje politike Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut për të intensifikuar proceset reformuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe zhvillimit të mëtejshëm ekonomik.

    Gorçeviq ka theksuar se kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, të bazuara në besimin reciprok dhe mbyllja e çështjeve të hapura midis dy vendeve, së bashku me mbështetjen aktive në procesin e realizimit të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, paraqesin një prioritet të rëndësishëm të politikës së jashtme të Malit të Zi, raporton mediumi malazez Pobjeda.

    Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë eurosh dhe akses në tregun e brendshëm evropian në fusha të caktuara.

    Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Bosnje-Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat në fund të vitit të kaluar. Maqedonia e Veriut ka ngecuar në zbatimin e reformave, kurse Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht lidere për sa i përket anëtarësimit në BE. E perspektiva e Serbisë është ende e paqartë.

  • Osmani sot në Bruksel, përfaqëson Kosovën në samitin e BE-së

    Osmani sot në Bruksel, përfaqëson Kosovën në samitin e BE-së

    Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë sot Kosovën në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

    Osmani ka udhëtuar me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

    “Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Tutje thuhet se liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

    Në kuadër të samitit, Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.

  • Haxhi Shala paraqitet sot para Gjykatës, aktakuza e tij lidhet me Januzin e Bahtijarin

    Haxhi Shala paraqitet sot para Gjykatës, aktakuza e tij lidhet me Januzin e Bahtijarin

    Haxhi Shala u arrestua të hënën, më 11 dhjetor 2023, në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimit, urdhrit për transferim dhe Aktakuzës së Konfirmuar, të lëshuara nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

    Haxhi Shala u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dje, më 12 dhjetor 2023.

    Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Versioni i redaktuar publik i Aktakuzës së Konfirmuar gjendet në faqen e internetit të DHSK-së. Ditën e arrestimit, i akuzuari mori një kopje të Aktakuzës në gjuhën e tij amtare. Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1.

    Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

    Sipas Aktakuzës, kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona  zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në Aktakuzën e Konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

  • OKB-ja kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza

    OKB-ja kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka miratuar me shumicë dërrmuese një rezolutë jodetyruese, e cila kërkon armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza.

    153 shtete anëtare votuan pro, 10 kundër e 23 abstenuan.

    Ishte përpjekja e dytë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për të arritur një armëpushim humanitar në Gaza. Në tetor OKB-ja kishte bërë thirrje për armëpushim humanitar në një rezolutë e cila u miratua me 121 vota pro, 14 kundër e 44 abstenime.

    “Edhe lufta ka rregulla”, ka thënë presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Dennis Francis.

  • Serwer: Vuçiqi s’është shumë i interesuar për dialog, nuk e përfill Perëndimin

    Serwer: Vuçiqi s’është shumë i interesuar për dialog, nuk e përfill Perëndimin

    Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka folur për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Serwer deklaroi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka bërë të qartë disa herë që nuk është i interesuar për dialog.

    Tutje, ai ka thënë se Vuçiqi nuk e përfill shumë Perëndimin.

    “Aleksandar Vuçiq e ka bërë të qartë disa herë se nuk është shumë i interesuar për dialog. Në anën tjetër edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka rezervat e tij, por megjithatë ka më shumë vullnet se Vuçiqi që procesi të ecë përpara. Nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëjnë më shumë presion, atëherë jam skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Vuçiq nuk po e përfill shumë perëndimin vetëm shikojeni raportet e tij të ngushta me Dodikun, Llukashenkon e Orbanin, kjo besoj flet shumë. Ai është shumë i zoti që vazhdon të bëjë politikë me disa karta”, deklaroi Serwer.

  • Këshilli i Ministrave i BE-së miraton konkluzat për Kosovën dhe Serbinë

    Këshilli i Ministrave i BE-së miraton konkluzat për Kosovën dhe Serbinë

    Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzat nëpërmjet të cilave, detyrimet e dala nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, do përfshihen në proceset evropiane të dy vendeve.

    Kjo nënkupton që në rastin e Kosovës do përditësohet agjenda e Grupit të veçantë të Kosovës për normalizim, ndërsa në rastin e Serbisë detyrimet do përfshihen në negociatat e anëtarësimit mes Brukselit e Beogradit.

    Nëpërmjet të konkluzave, Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen në dialog në mirëbesim dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme.

    Shprehet keqardhje për mungesën e zbatimit nga të dyja palët dhe ftohen si Prishtina ashtu edhe Beogradi që t’i respektojnë dhe zbatojnë të gjitha detyrimet, raporton RTK.

    “Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Këshilli mirëpret gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve, duke kuptuar se duhet të punohet më tej mbi këtë bazë”, thuhet në dokumentin e miratuar.

    Hapësirë e veçantë në konkluza i kushtohet situatës së sigurisë në veri. Në këtë rrafsh, Këshilli rithekson se nuk ka arsyetim për dhunën dhe dënon fuqishëm dhunën e 29 majit si dhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    Nga Kosova dhe Serbia kërkohet që të bëjnë përpjekje të qëndrueshme për de-përshkallëzimin, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokuese që mund të çojnë në tensione dhe dhunë dhe të ndalojnë retorikën përçarëse.

    Këshilli rikujton sërish se dështimi në de-përshkallëzim do të ketë pasoja. Gjithashtu konfirmohet gatishmëria e Bashkimit Evropian të vendosë masa shtesë ndaj Serbisë dhe Kosovës, nëse kjo është e nevojshme.

    Duke iu referuar masave që janë në fuqi ndaj Kosovës, në përmjet konkluzave pranohet se Kosova ka ndërmarrë hapa drejt përmbushjes së disa prej kërkesave, mirëpo paralajmërohet se masat do hiqen në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave ekzistuese.

    Këto konkluza të ministrave do konfirmohen edhe nga ana e shefave të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian të cilët do takohen me 14 dhe 15 dhjetor.

    Në lidhje më këtë, komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ka thënë se Këshilli i Ministrave i BE-së ka miratuar konkluzionet për Serbinë të martën.

    I pyetur nga Tanjug nëse organi ka diskutuar për Serbinë dhe nëse ai pret që konkluzionet të miratohen nga Këshilli Evropian, ai tha se përgjigja ishte shumë e qartë.

    Ai tha se konkluzionet për Serbinë tashmë janë miratuar dhe vuri në dukje se konkluzionet e miratuara përmbajnë mesazhe për Serbinë.

  • Sveçla: Kërcënimet e Serbisë vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën

    Sveçla: Kërcënimet e Serbisë vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën

    Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka pritur në takim Shefen e Operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s Ariella Viehe.

    Sveçla theksoi se me Viehen kanë biseduar për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës.

    “Sulmet e njëpasnjëshme viteve të fundit ndaj institucioneve tona dhe zyrtarëve tanë në veriun e Kosovës si dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit ishin çështjet e rëndësishme për të cilat biseduam me znj. Viehe, poashtu edhe për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e mirë e të vazhdueshëm mes KFOR dhe Policisë së Kosovës”, shkroi Sveçla.

    Ai theksoi se u dakorduam për bashkëpunim të mëtejmë.

    “Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj territoriale për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën por edhe të rajonit”.

    Sveçla gjithashtu potencoi në fund se Kosova aspiron rrugën drejt integrimit në NATO dhe në këtë kuptim, do të vazhdojnë përpjekjet si partner serioz në garantimin e sigurisë në vend dhe në rajon.

  • Ndizen qirinj në nderim të avokatit Andrew Strong, të pranishëm Haradinaj e Krasniqi

    Ndizen qirinj në nderim të avokatit Andrew Strong, të pranishëm Haradinaj e Krasniqi

    Në nderim të avokatit amerikan, Andrew Strong që vdiq mbrëmë, janë ndezur qirinj në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

    Në organizim morën pjesë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, Violeta Veseli – gruaja e Kadri Veselit, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e figura tjera të njohura nga politika.

    Ky aktivitet vjen nga platforma ”Liria ka Emër”, në nderim të veprës së Strong, si avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli në rastin e tij nga Gjykata Speciale.

    Njëherit, Strong ishte edhe pjesë e ekipit të dikurshëm të mbrojtjes në rastin e Ramush Haradinajt në Hagë. /Paparaci

  • Zgjatet afati i aplikimit për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për bizneset

    Zgjatet afati i aplikimit për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për bizneset

    Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se është shtyrë afati i aplikimit për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme me mbështetjen e Bashkimit Evropian në Kosovë.

    Sipas njoftimit, thirrja për këtë fazë do të jetë e hapur deri më 31 janar të vitit 2024.

    “Aplikoni për pajisjet efiçiente për ngrohje:Pompa termike subvencionohet me 20% të vlerës investive dhe deri në 2,000€, Kondicioneri/ klima efiçiente subvencionohet me 20% të vlerës investive dhe deri në 1,000€, Kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) subvencionohet me 40% të vlerës investive dhe deri në 2,000€, Stufa individuale me biomasë subvencionohet me 40% të vlerës investive dhe deri në 500€.’, thuhet në njoftimin e ministrisë.

    Ndërsa ndërmarrjet në pronësi apo bashkëpronësi të grave nga 51% e tutje, subvencionohen me 5% më shumë, bën të ditur ministria e Ekonomisë.