ATV

Category: Lajme

  • Gati një vit nga Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE

    Gati një vit nga Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Më 15 dhjetor bëhet një vit prej kur kryeministri Albin Kurti dorëzoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Megjithatë, rruga drejt anëtarësimit edhe nga opozita, por edhe nga njohës të politikave të Bashkimit Evropian, vlerësohet të jetë e gjatë.

    “Minimumi duhen 18 muaj kohë, derisa komisioni ta dorëzojë në këshill e duhet më pas një unanimitet i të gjitha vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian gjë të cilën nuk e ka Kosova këtë privilegj. Mandej nëse kalon një gjë e tillë duhet të kalojë në të gjitha parlamentet dhe më pas e autorizojnë komisionin për të shikuar nëse i kemi përmbushur kriteret”, tha profesori universitar, Dritëro Arifi.

    Përpos që ishte i vetmi shtet që aplikon për anëtarësim e njëkohësisht nuk njihet si shtet nga 5 shtete anëtare të BE-së, Kosova është larg anëtarësimit edhe në aspektin e politikës së brendshme.

    “Kriteri më i rëndësishëm është sundimi i ligjit e ne jemi larg. Edhe të gjitha raportet kanë kritika për sundimin e ligjit”, tha Arifi.

    Derisa, kryeministri e kishte quajtur ditë historike 15 dhjetorin e 2022-s, një vit pas rrugën drejt anëtarësimit e pengojnë edhe masat që Bashkimi Evropian vendosi ndaj Kosovës.

    “Nuk mund të flasim për anëtarësim kur prej vendeve që presim përkrahje jemi të sanksionuar. Anëtarësimi mund të jetë vetëm dëshirë aktualisht”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

    “Kosova gjendet nën masat e BE-së, me ç’rast edhe më shumë është larguar Kosova nga rruga evropiane në qeverisjen Kurtit”, tha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

    Në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kroacia dhe Mali i Zi mund të lavdërohen sa i përket progresit.

    Derisa Kroacisë iu deshën 10 vjet për anëtarësim të plotë, Mali i Zi qysh në vitin 2008 paraqiti kërkesën për anëtarësim. Deri më tani ka të hapur të gjithë 33 kapitujt e negociatave dhe zyrtarisht është shtet kandidat për anëtarësim.

  • Haxhi Shala del para trupit gjykues, nuk deklarohet për akuza

    Haxhi Shala del para trupit gjykues, nuk deklarohet për akuza

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Një ditë pas arritjes në Hagë, ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, u ul në bankën e të akuzuarit, në paraqitjen e tij të parë, para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.

    Sipas rregullores së punës dhe provave, Shalës iu lexua aktakuza, sipas të cilës ai akuzohet për frikësim dhe kërcënim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.

    “Në aktakuzën e konfirmuar, prokuroria e specializuar akuzon zotëri Haxhi Shalën për tentimin e pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta të një grupi e ndëshkueshme në bazë të Nenit 401, dhe pika 3 frikësim i procedurës penale. Marrëveshje për të kryer së bashku me zotërinë Ismet Bahtijari dhe zotërinë Sabit Januzi vepra penale në pikat 1 dhe 3. Këto vepra penale u kryen më së paku mes 5 dhe 12 prillit të vitit 2023”, tha sekretarja e Gjykatës Speciale.

    Në këtë seancë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nikola Giju, e ka njoftuar të pandehurin se mund të paraqitet për pafajësinë e tij brenda 30 ditësh, mirëpo ai
    nuk është deklaruar lidhur me fajësinë, apo pafajësinë e tij.

    “Pa i marr materialet nga prokuroria nuk mund të deklarohem sot, po e lëmë për seancën tjetër”, tha Haxhi Shala.

    Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Giju, tha se Shalës i është caktuar një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

    “E drejta juaj për mbrojtje do të respektohet, për këtë qëllim, duke marrë parasysh parashtrimin e protokolluar të zyrës administrative, ku më informojnë për caktimin e avokatit kujdestar, në kohën që presim emërimin e avokatit tuaj përfundimtar, ju është caktuar si avokat kujdestar zotëri Lorens Imbrug”, tha Giju.

    Në fund të kësaj seance gjyqtari i procedurës paraprake, Nikola Giju, tha se do të caktohet një seancë e re për vetëdeklarimin e Shalës lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij.

    Derisa tha se do të caktohet edhe data kur do të mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes.

    Haxhi Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

  • Qeveria i konsideron dezinformata pretendimet se komunat po diskriminohen

    Qeveria i konsideron dezinformata pretendimet se komunat po diskriminohen

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pretendimet se Qeveria ka ndarë më shumë mjete financiare për investime të reja kapitale për komunat në të cilat udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur të pavërteta.

    Megjithatë, Instituti GAP vlerëson se gjysma e mjeteve buxhetore të parapara për investime kapitale nga niveli qendror janë dedikuar për katër komunat që i udhëheq LV-ja.

    Ndarjet buxhetore për vitin 2024 për investimet e reja kapitale për komunat po konsiderohen diskriminuese në baza partiake edhe nga kryetari i Rahovecit që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

    Duke e konsideruar si diskriminimin më të egër institucional ndaj qytetarëve që nga paslufta, kryetari i PDK-së tha se për katër komunat që udhëhiqen nga subjekti i tij – Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik e Han i Elezit, nuk është ndarë asnjë cent.

    Ndryshe, nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja nga ministritë, mbi 13 milionë janë dedikuar për katër komunat që i udhëheq LV-ja.

  • Qeveria ndan 54 mijë euro buxhet për institutin e Leposaviqit, i cili s’e njeh shtetin e Kosovës

    Qeveria ndan 54 mijë euro buxhet për institutin e Leposaviqit, i cili s’e njeh shtetin e Kosovës

    Përgatiti: Nora Luta

    Një Institut kulturor paralel i ashtuquajtur i Kulturës Serbe-Prishtinë me seli në Leposaviq, i akredituar nga Serbia, po financohet edhe nga buxheti i Kosovës.

    Institutit, i cili ndodhet rreth 300 metra larg objektit të Komunës së Leposaviqit, nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm i janë ndarë 54 mijë e 778 euro.

    Ky Institut, i cili para periudhës së luftës kishte pasur selinë në Prishtinë, financohet nga Serbia dhe funksion me ligje të këtij shteti, e në hyrje të tij ndeshesh me simbole të strukturave paralele, sikurse Kosova dhe Metohija.

    Në ndarjen e buxhetit, vetëm për paga dhe shtesa për pesë të punësuar, siç thuhet për vitin 2024, janë planifikuar 38 mijë euro.

    Brenda tij janë më shumë se 5 punëtorë, të cilët refuzojnë të ndajnë informacione me televizionin.

    Ai është akredituar ndër vite nga Serbia si institut shkencor në fushën e shkencave sociale dhe humane, e së fundi në vitin e kaluar.

    “Përgjatë historisë së tij dhjetëvjeçare, Instituti ka evoluar në një institucion serioz shkencor që merret kryesisht me studimin e kulturës serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, thuhet ndër të tjera në përshkrimin rreth veprimtarisë së këtij institutit në web-faqen e tij.

    Në të, në mesin e linçeve të përdorshme, është bashkangjitur edhe ai që të dërgon në faqen elektronike të Ministrisë së Arsimit të shtetit serb.

    E ndër projektet e përfunduara gjatë dhjetë vjetëve të fundit është edhe ai, sikurse “Kultura materiale dhe shpirtërore e Kosovës dhe Metohisë”.

    Ministria e Arsimit e Kosovës, në një përgjigjeje për ATV ka thënë se kjo linjë buxhetore është e trashëguar tash e më shumë se 10 vjet, duke shtuar se buxhetin për vitin e ardhshëm Insitutit mund ta shfrtyëzojë vetëm nëse e njeh Republikën e Kosovës.

    “Për njohurinë tuaj, që nga koha kur e kemi marrë mandatin si Qeveri, këtij Instituti nuk i është ndarë asnjë cent. Buxheti për Institutin e Leposaviqit vazhdon të qëndrojë edhe për vitin e ardhshëm në mënyrë që nëse janë të gatshëm ta njohin Republikën e Kosovës, sistemin e arsimit në Kosovë si dhe të veprojnë sipas legjislacionin tonë, ta kenë buxhetin në dispozicion. Në të kundërtën nuk mund ta shfrytëzojnë këtë buxhet”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

    Deri në vitin 2026 vlera e buxhetit për këtë institutit sipas ndarjes buxhetore që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës parashihet të arrijë deri në shumën prej rreth 74 mijë eurosh.

  • Qeveria ndau nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Qeveria ndau nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Mbledhjen me më së shumti vendime deri më tani dhe më të gjatën në 33 muaj qeverisje, kabineti qeveritar e mbajti këtë të mërkurë.

    Në mbledhjen e 178-të Qeveria miratoi nga 100 euro shtesa për fëmijët. Po ashtu, u miratua edhe ndarja e një shtese njëherëshe prej 100 eurove për pensionistët.

    “Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve bazuar në të ardhurat e familjes. Besoj u kujtohet premtimi që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100, apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Për të gjithë pension marrësit, këtë fundvit me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës, për këto kategori të cenueshme do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 euro, përveç pensionit të rregullt mujor që marrin”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Për t’i marrë nga 100 euro, prindërit nuk kanë nevojë për aplikim, pasi mjetet do të kalojnë në xhirollogarinë e tyre.

    Qeveria e Kosovës, gjithashtu, ndau edhe 4 milionë euro për bizneset dhe bujqit që u prekën nga përmbytjet gjatë shtatorit 2022 dhe janarit 2023. Në mbledhjen e parafundit për këtë vit, ekzekutivi shqyrtoi edhe projektligjin për kontrollin e kufirit shtetëror.

    Kabineti qeveritar votoi edhe për themelimin e një Mekanizmi që do të mbikëqyrë lëvizjet e qytetarëve të Kosovës pas liberalizimit të vizave.

  • Serbisë mund t’i shtohet një kusht i ri për anëtarësim në BE

    Serbisë mund t’i shtohet një kusht i ri për anëtarësim në BE

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Bashkimi Evropian ka bërë një hap drejt kushtëzimit të rrugës së anëtarësimit të Serbisë me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

    Në konkluzionet për zgjerim, të miratuara të martën në Këshillin për Çështje të Përgjithshme, kërkohet që “Komisioni dhe Përfaqësuesi i Lartë urgjentisht t’i propozojnë Këshillit, para fundit të Janarit 2024, t’i ndryshojë kriteret në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim të Serbisë, për të pasqyruara detyrimet e Serbisë, të cilat rrjedhin nga Marrëveshja dhe Shtojca për Zbatim.”

    Konkluzionet pritet t’u paraqiten për diskutim dhe miratim liderëve të shteteve anëtare në kuadër samitit të Këshillit Evropian, më 14 dhe 15 dhjetor.

    Përkundër paralajmërimeve për bllokim nga Hungaria të këtij propozimi, konkluzionet kaluan hapin e parë.

    Shtimi përfundimtar i këtij detyrimi në Kapitullin 35 të negociatave për Serbinë, sipas Fitim Mulollit, do të bënte të pashmangshëm zbatimin.

    “Në qoftë se do të kemi miratim final dhe këto obligime do t’i futen Serbisë në kapitullin 35 për anëtarësim në BE, atëherë i bën të gjitha debatet për nënshkrim apo mosnënshkrimit jorelevant, sepse Serbia detyrohet që të zbatojë të gjitha marrëveshjet që i ka arritur me Kosovën”, tha Mulolli.

    Kjo kërkesë-propozim, sipas politologut Fidan Ukaj, tregon se Bashkimi Evropian është i vendosur që ta detyrojë Serbinë në zbatim, përkundër taktizimeve të saj.

    “BE-ja po mundohet të gjejë mekanizma dhe forma për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe tashmë e ka gjetë zgjidhjen duke e futur marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit në Kapitullin 35 dhe duke i treguar Serbisë se rruga për në BE është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit”, tha Ukaj.

    Javën e kaluar, presidenti serb Aleksandar Vucic tha se marrëveshja e 27 Shkurtit dhe shtojca e 18 Marsit, mund të shtohen si kushte për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

  • Voziti i dehur, gjobitet me 200 euro shoferi në Gjilan

    Voziti i dehur, gjobitet me 200 euro shoferi në Gjilan

    Policia e Kosovës njoftoi të mërkurën se në Gjilan gjatë kontrollit në trafik ka ndaluar një automjet, të cilën po e voziste një qytetar serb.

    Gjatë kontrollit policia ka dyshuar se vozitësi mund të jetë nën ndikim të alkoolit dhe të njëjtit pasi që i është bërë matja e alkoolit me alkool test, ka rezultuar se ka qenë nën ndikim të alkoolit me 0.98 promilë.

    “Zyrtarët policorë ndaj këtij kundërvajtësi kanë shqiptuar gjobën në vlerë prej dyqind (200) euro, dy (2) pikë negative dhe masën mbrojtëse të heqjes së drejtimit të mjeteve motorike në afat prej gjashtë (6) muaj”, thuhet në komunikatën për media.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj Dejan Pantiqit dhe 3 të dyshuarve të tjerë për veprën penale “Kryerja e veprave terroriste”

    Ngrihet aktakuzë ndaj Dejan Pantiqit dhe 3 të dyshuarve të tjerë për veprën penale “Kryerja e veprave terroriste”

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër katër të pandehurve me inicialet M.M, A.V, D.P dhe M.V.

    Në njoftimin e PSRK-së thuhet se të pandehurit në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut për derisa zyrtarët e KQZ-së së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur.

    “Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhorë në Mitrovicën e Veriut në rrugën “Kollashinska”, me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, të detyrimit të padrejtë të një organi publik në këtë rast KQZ-së, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës, për derisa zyrtarët e KQZ-së, së bashku me zyrtarë policorë kanë shkuar për të hapë zyrën, këta të pandehur me persona të tjerë ende të pa identifikuar kanë kryer sulm terrorist duke hedhur dy granata dore si dhe dy shok bomba në drejtim të zyrës së lartë përmendur me ç’ rast njëra granatë dhe dy shok bombat kanë shpërthyer ku si rezultat i kësaj janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale si dhe është rrezikuar seriozisht jeta e zyrtarëve të KQZ-së, dhe zyrtarëve policorë”, thuhet në njoftim.

    Dyshohet se njëri prej të pandehurve është Dejan Pantiq, të cilit pas një viti i është ngritur aktakuza.

    Me këtë në bashkëkryerje të pandehurit M.M, A.V, D.P dhe M.V., kanë kryer veprën penale ‘’Kryerja e veprës terroriste’’ nga neni 129 paragrafi 1 lidhur me nenin 128 paragrafi 1 nën paragrafi 1.7 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

  • Apeli i lë në paraburgim Naim Murselin dhe të dyshuarit tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

    Apeli i lë në paraburgim Naim Murselin dhe të dyshuarit tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit të të dyshuarit, Naim Murseli, Ahmet Ahmeti.

    Apeli ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë, të 3 dhjetorit të këtij vitit, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

    “Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri N.M, ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, i pandehurit G.P, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK dhe veprës penale secili veç e veç mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK, si dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale marrëveshja për të kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 35 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.

  • Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaça dhe Sejdiu do të dalin edhe njëherë para gjykatës

    Vrasja e Marigona Osmanit, Krivaça dhe Sejdiu do të dalin edhe njëherë para gjykatës

    Me burgim të përjetshëm ishte dënuar Dardan Krivaça, i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për ndihmë në vrasje, vendim ky i shpallur nga Gjykata Themelore në Ferizaj, më 4 gusht të këtij viti.

    Mirëpo, ndaj këtij vendimi, është ankuar pala e të akuzuarve, me ç’rast Krivaça dhe Sejdiu, do të dalin edhe njëherë para gjykate, veçse kësaj radhe në Gjykatën e Apelit, në Prishtinë.

    Sipas njoftimit të siguruar nga ATV-ja, ballafaqimi i Krivaçës dhe Sejdiut me gjykatën, do të jetë me datë 11 janar 2024, me fillim nga ora 10:00.

    “Njoftoheni që me datë 11.01.2024, në ora 10:00 në Gjykatën e Apelit-Pallati I Drejtësisë në Hajvali objekti 11D, është caktuar seanca e kolegjit në çështjen penale kundër të akuzuarit Dardan Krivaça për shkak të veprës penale dhunim nga neni 227 par.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale të bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 dhe 1.4 të KPRK-së, si dhe kundër të akuzuarit Arbër Sejdiu për shkak të veprës penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga nen 227 ar.4 nënpar.4.1 lidhur me par.1 dhe nenin 33 të KPRK-së dhe e veprës penale të bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 par.1 nënpar.1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke vendosur sipas ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj”, thuhet në dokument.

    Ndryshe, vendimi ndaj të akuzuarve Krivaça e Sejdiu, u shpall pothuajse 2 vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit.

    Marigona, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht të vitit 2021. Krivaça e Sejdiu e kishin lënë atë pa shenja jete te dyert e spitalit të Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Marigona ishte keqtrajtuar për më shumë se 72 orë. Gjykimi për vrasjen e saj filloi më 12 korrik të vitit të shkuar./atvlive.tv/