ATV

Category: Lajme

  • Zjarrfikësit sot do të protestojnë para Qeverisë

    Zjarrfikësit sot do të protestojnë para Qeverisë

    Zjarrfikësit sot do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës.

    Në njoftimin e lëshuar nga ata thuhet se protesta vjen si shenjë pakënaqësie me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin zjarrfikës dhe shpëtimit.

    “Mos plotësimi i kërkesave te parashtruara me kohë, kërkesa të drejta dhe legjitime, të bazuara në ligje dhe se fundi edhe vendimi që zjarrfikësve të ju anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë, vendim i pa analizuar mirë dhe shumë probleme tjera rreth organizimit, statusi juridik ende i pa zgjidhur, mos definimi i kompetencave menaxhuese mes komunave dhe MPB/AME, mos planifikimi buxhetor për zjarrfikës, kushtet e dobëta të punës, numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mosha mesatare në prag të viteve 50”, këto janë në njoftimin për protestë.

    Tutje thuhet se protesta do të nisë nga ora 11:00.

  • Kuvendi sot voton shqyrtimin e dytë të buxhetit për vitin 2024

    Kuvendi sot voton shqyrtimin e dytë të buxhetit për vitin 2024

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancën e radhës plenare.

    Në njoftimin e lëshuar thuhet se në rend të ditës është vetëm një pikë, “Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-260 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024”.

    Seanca do të nisë nga ora 10:00.

  • Maqedonci: O’Brien ma konfirmoi se ShBA-ja do të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Kosovës

    Maqedonci: O’Brien ma konfirmoi se ShBA-ja do të angazhohet për integrimin euro-atlantik të Kosovës

    Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci që ndodhet për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, pati një takim të mërkurën me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien, ku u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

    Maqedonci shprehu në një intervistë me Zërin e Amerikës, vlerësimin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës. Lidhur me kërkesën e Shteteve të Bashkuara për formimin e shpejtë të Asociacionit, ai tha se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet si nga Kosova dhe Serbia në tërësi dhe se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.

    Zëri i Amerikës: Zoti Maqedonci, cilat ishin çështjet kryesore që u ngritën në takimin me zotin O’Brien?

    Ejup Maqedonci: Vizitën time zyrtare në Shtetet e Bashkuara sot e fillova me takimin me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë. Do të kem edhe takime të tjera në ditët në vijim. Nesër do të takohem me Zëvendës Sekretarin e Mbrojtjes Sasha Baker dhe me zonjën Wallander, e cila është zëvendës ndihmës sekretare për çështjet ndërkombëtare. Në takimin me zotin O’Brien diskutuan për shumë gjëra, për shumë çështje të përbashkëta. Në veçanti, theksuam nevojën e vazhdimit të raporteve të shkëlqyera midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe thellimin e këtyre të raporteve. Mora edhe një herë konfirmimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe personalisht O’Brien do të angazhohen në mbështetjen e Kosovës në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë integrimet euro-atlantike, programin e partneritetit të paqes dhe programe të tjera rajonale, ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rol të veçantë. Sipas Ndihmës Sekretarit të Shtetit O’Brien, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë. Zhvillimi i këtyre kapaciteteve është bërë tashmë për disa vite në bashkëpunim të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë të NATO-s.

    Zëri i Amerikës: Siç e dëgjuam edhe nga të rejat e fundit nga Prishtina, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë themelimin sa më të shpejtë të Asociacionit. Si e vlerësoni këtë kërkesë?

    Ejup Maqedonci: Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes Kryeministrit Kurti dhe autoriteteve të Serbisë, vlerësojmë dhe kjo është thënë edhe nga Kryeministri, që duhet të zbatohet nga të dyja palët, normalisht. Të gjitha marrëveshjet brenda marrëveshjes kryesore duhet të zbatohen pa përjashtim. Ne vazhdojmë të theksojmë faktin që çdo marrëveshje, që do të nënshkruhet, normalisht që bazë kryesore duhet të ketë kushtetutën e Kosovës. Pra, duhet të jetë e padiskutueshme çështja se do të jenë ato në përputhje me kushtetutën e vendit tonë. Pavarësisht se ky proces u dëmtua rëndë nga sulmi terrorist i 24 shtatorit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, qeveria e Kosovës vazhdon ta ketë në fokus dialogun si mjet i vetëm për zgjidhjen e çështjeve të diskutueshme mes dy vendeve.

    Zëri i Amerikës: Zoti ministër, sulmi i 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës në veri, nxiti shqetësime për situatën e sigurisë në rajon. Nga pikëpamja juaj si paraqitet kjo situatë aktualisht?

    Ejup Maqedonci: Situata e sigurisë në atë zonë tashmë është shumë më e qetë. Ne kemi prani të vazhdueshme të shtetit në atë pjesë, veçanërisht të policisë së Kosovës, e cila në vazhdimësi edhe para sulmit të 24 shtatorit ka qenë e pranishme atje, duke mundësuar jetesën për qytetarët dhe mirëqenien e qytetarëve atje. Por gjithashtu, duke penguar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme ilegale dhe terroriste, përfshirë edhe në rrugët ilegale, të cilat janë përdorur nga shumë grupe atje për sjelljen e armatimit ilegal në Kosovë, që u përdor nga grupi i udhëhequr nga Rajdoiçiq në sulmin ndaj institucioneve të vendit tonë. Tani situata është më e qetë. Megjithatë rreziku vazhdon të jetë i pranishëm. Kërcënimi vazhdon të jetë i pranishëm, ndërsa vazhdon qasja hegjemoniste dhe agresive e Republikës së Serbisë në raport me vendin tonë dhe për aq sa vazhdon militarizimi i Serbisë, duke përfshirë edhe blerjet nga Kina dhe Rusia, që janë blerje të vazhdueshme që Serbia është duke realizuar. Por edhe duke pasur parasysh militarizimin e pjesës kufitare me Kosovën, ku Serbia tashmë ka të vendosura 48 baza të përparme operacionale.

    Zëri i Amerikës: A pati pasoja tek Forca e Sigurisë përjashtimi i Kosovës nga Defender Europe 2023?

    Ejup Maqedonci: Pavarësisht dëmtimit të imazhit me largimin nga “Defender Europe 23”, më saktësisht mund të them me pezullimin e ditës së vizitorëve të shquar, sepse gjithë procesi i trajnimit, të gjitha objektivat e “Defender Europe 23” të realizuar në Kosovë janë arritur. Ne kemi vazhduar edhe pas pezullimit bashkëpunimin me ekipet ushtarake amerikane për të validuar kapacitetet tona që kanë qenë të angazhuara në këtë ushtrim. Pra ushtrimi “Defender Europe 23” ka përfunduar me sukses pavarësisht pezullimit të ditës, që ka qenë pezullimi i ditës së vizitorëve të shquar, që është normalisht një aktivitet i rëndësishëm. Mirëpo me të vërtetë në përmbajtje nuk është dëmtuara fare.

    Zëri i Amerikës: Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në të paktën dy raste pas 24 shtatorit ritheksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it, duke iu referuar një marrëveshjeje me NATO-n. A e lë pa ndonjë rol në veri Forcën tuaj një gjë e tillë?

    Ejup Maqedonci: Në fakt ka qenë zotimi i vitit 2013 për mospërfshirje të Forcës së Sigurisë së Kosovës në operacione në veri të territorit të Kosovës, zotim i cili respektohet nga të gjithë ne sot. Normalisht, është çështje tjetër a pajtohemi apo nuk pajtohemi me atë zotim. Mirëpo ne jemi të vetëdijshëm për zotimet ndërkombëtare dhe vazhdojmë ta respektojmë zotimin e 2013-ës dhe do ta respektojmë në vazhdimësi. Në të saktësohet se Forca e Sigurisë së Kosovës do të mund të operojë në veri të vendit, duke bërë koordinim paraprak me forcat e KFOR-it, gjë që ne e bëjmë në vazhdimësi. Është për t’u theksuar se edhe pas zotimit të 2013-ës, ne kemi pasur në të kaluarën operacione në bashkëpunim me KFOR-in të njësive të veçanta, kryesisht të kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit. Pra ne pavarësisht kufizimit që e kemi në veri, në bashkëpunim me KFOR-in, jemi në koordinim të vazhdueshëm që në rast se cenohet territori dhe sovraniteti i vendit apo jeta e qytetarëve, ne do të jemi të gatshëm të mbështesim operacionet e policisë së Kosovës apo KFOR-it në veri të vendit. Gjithmonë duke pasur parasysh që do të bëhet në koordinim paraprak me KFOR-in. Përndryshe Forca e Sigurisë së Kosovës ka mandate të ushtrojë detyrat e saj në të gjithë territorin e vendit tonë dhe trajnohet, zhvillohet, përgatitet për të kryer tri detyrat kyçe të saj që është mbrojtja e territorit të vendit, mbështetja ushtarake për autoritetet civile si dhe pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare.

  • Ferizaj, arrestohet një burrë për sulm seksual

    Ferizaj, arrestohet një burrë për sulm seksual

    Është arrestuar një person në Ferizaj nën dyshimin se ka kryer veprën penale “sulm seksual”.

    I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    “Ferizaj / 08.12.2023-16:30. Lidhur me rastin është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Kurti udhëton për në Bruksel

    Kurti udhëton për në Bruksel

    Me ftesë të Presidentit të Partisë së Socialistëve Evropianë, Stefan Löfven, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot në kryeqytetin e Belgjikës.

    Kurti do të marrë pjesë në takimin përgatitor të Këshillit të Bashkimit Evropian me kryeministra, liderë partiakë dhe komisionerë nga radhët e familjes së PES dhe për të diskutuar rreth agjendës së Këshillit.

  • 25-vjetori i rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

    25-vjetori i rënies së Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij

    Sot mbushen 25 vjet nga rënia heroike e komandantit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Mujë Krasniqi – Kapuçi dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij, në kufirin shqiptaro-shqiptar.

    25 vjet më parë, gjatë mëngjesit të acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998 luftëtarët e UÇK-së derisa sillnin armë në Kosovë, kishin rënë në pritën e organizuar nga ushtria dhe policia e armikut, në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.

    Gjatë luftimeve të pabarabarta të zhvilluara në borën e dhjetorit, veç dëshmorëve të rënë, u plagosën edhe dhjetëra luftëtarë, ndërsa disa luftëtarë u zunë rob lufte, por pas një aksioni të zhvilluar nga luftëtarët e UÇK-së 8 ushtarë të ushtrisë serbe ishin kapur nga luftëtarët e UÇK-së dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së u bë këmbimi i ushtarëve të të dyja palëve.

    Dëshmorët e UÇK-së të rënë në brezin kufitar shqiptaro-shqiptar u varrosën në Polac të Drenicës me nderime larta ushtarake, më 21 dhjetor 1998./KP

  • ​Sot shqiptohet aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

    ​Sot shqiptohet aktgjykimi i Apelit për Salih Mustafën

    Paneli i Gjykatës së Apelit të Gjykatës Speciale në Hagë sot do ta shqiptojë aktgjykimin në rastin e Salih Mustafës, duke nisur nga ora 09:30.

    Seanca do të jetë publike dhe e hapur për media, sipas njoftimit të kësaj gjykate.

    Mustafa u shpall fajtor për krime lufte nga kjo gjykatë më 16 dhjetor 2022, duke u dënuar me 26 vjet.

    Ndërkaq, më 2 shkurt mbrojtja kishte apeluar kundër këtij aktgjykimi.

  • ​Pesë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

    ​Pesë vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

    Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018 miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

    Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

    Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

    Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”./kp/

  • Agjencia për inteligjencë e FSK-së, ende larg themelimit

    Agjencia për inteligjencë e FSK-së, ende larg themelimit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Derisa ushtarët vazhdojnë të përballen me mungesë transporti nga shtëpia në kazermë, Qeveria, për Forcën e Sigurisë gjatë ditës ndau edhe dhjetëra miliona euro.

    “Me këtë ndarje, prej 40 milionë eurove, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje tejkalon nivelin 200 milionë euro, apo mbi 2 % të bruto produktit vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Por, pavarësisht buxhetit të lartë për ushtrinë, ende nuk është arritur të themelohet Agjencia e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri, meqenëse ligji për këtë institucion vazhdon të jetë në Kuvend.

    Derisa Kuvendi është në pritje të seancës për leximit të dytë, anëtarët e Komisionit për Siguri po mësojnë nga praktikat e shteteve në rajon, që Agjencia kurdo që themelohet, të jetë sa më funksionale.

    “Ishim në Shqipëri për të marrë praktikë, meqë ata e kanë që prej kohësh një institucion të tillë”, tha kryetari i Komisionit për Siguri, Enver Dugolli.

    Kryetari i Komisionit për Siguri nuk jep ndonjë datë se kur mund të themelohet Agjencia, por ministri i Mbrojtjes u shpreh më optimist.

    VOX: ENVER DUGOLLI, KRYETAR I KOMISIONIT PËR SIGURI
    “Vitin e ardhshëm besoj se kalon në lexim të dytë… pastaj themelimi besoj se do ndodhë”, tha Dugolli.

    Ligji për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri, në Qeveri u votua në fund të muajit mars, ndërsa në Kuvend në lexim të parë kaloi në fillim të korrikut.

  • ASK-ja në përgatitje të tabletëve për regjistrimin e popullsisë

    ASK-ja në përgatitje të tabletëve për regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Tabletët, për shkak të të cilëve u shty për disa herë procesi i regjistrimit të popullsisë, i morën. Më një ekip prej 45 personash, Agjencia e Statistikave e Kosovës ka filluar punën për funksionalizimin e 3 mijë e 500 tabletëve, me të cilët do të bëhet regjistrimi i popullsisë, proces që pritet të nisë më 5 prill të vitit të ardhshëm.

    Tabletët për të qenë të gatshëm do t’iu nënshtrohen disa proceseve, duke filluar nga vendosja e një kodi.

    Pas kësaj, tablatëve iu bëhet konfigurimi e instalimi i aplikacionit.

    Pasi tabletët të jenë gatshëm, ata do të shpërndahen me afro 1 mijë kuti, të cilat ASK-ja i mori nga Komisioni qendror i zgjedhjeve.

    Funksionalizmin e mbi 50 për qind të tabletëve, Limolli thotë se e kanë bërë derisa shton se në radhë është pranimi dhe trajtimi i regjistruesve.

    Regjistrimi i popullsisë me tablet do të bëhet për herë të parë në Kosovë.

    Ky proces është shtyrë për disa herë, pasi Agjencia e Statistikave nuk ishte e gatshme ta fillojë, ndër të tjera edhe për shkak të vonesave në pranimin e tabletëve.