ATV

Category: Lajme

  • Vit i zi për Kosovën, 103 persona humbën jetën në trafik

    Vit i zi për Kosovën, 103 persona humbën jetën në trafik

    Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka prezantuar disa të dhëna mbi aksidentet që kanë ndodhur gjatë vitit 2023.

    Hoxha ka thënë se gjatë periudhës 1 janar-18 dhjetor, kanë vdekur 103 persona, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se 46 nga personat e vdekur në aksidente kanë qenë shoferë, 29 persona kanë qenë këmbësorë dhe 28 kanë qenë pasagjerë.

    Hoxha ka bërë të ditur edhe shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve. Ai ka treguar edhe për aktivitetet dhe inspektimet që janë bërë. Hoxha ka shfaqur të dhënat për aksidentet fatale nga viti 2002.

    Gjatë këtij viti, Hoxha ka thënë se më së shumti të vdekur në aksidente ka pasur në muajin korrik, 18 persona.

    LEXONI EDHE:

    Aksidenti në Prizren – Sveçla: Ky grup organizoi gara të tilla edhe më herët, janë marrë masa ndaj policëve

  • Aksidenti në Prizren – Sveçla: Ky grup organizoi gara të tilla edhe më herët, janë marrë masa ndaj policëve

    Aksidenti në Prizren – Sveçla: Ky grup organizoi gara të tilla edhe më herët, janë marrë masa ndaj policëve

    Personat që mbrëmjen e së shtunës organizuan gara me vetura duke shkaktuar aksidentin që ua mori jetën tre të rinjve, në magjistralen “Ibrahim Rugova”, e kishin bërë të njëjtën gjë edhe më herët.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media se pas këtij aksidenti, kanë biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën për “masat që duhet të ndërmerren, sidomos nga Policia e Kosovës në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”.

    Ai la të kuptohet se drejtori i Policisë ka marrë masa “Lidhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.

    “Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim i këtyre garave”.

    Këtë vit, ministri tha se 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.

    Në mesin e masave të ndërmarra, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.

  • 20 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor

    20 Dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor

    Sot e më çdo 20 dhjetor shënohet Dita Ndërkombëtare e Solidaritetit Njerëzor për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e solidaritetit, veçanërisht në arenën globale.

    Rezoluta për shënimin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor’, është miratuar në vitin 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila po ashtu krijoi Fondin Botëror të Solidaritetit, me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi social.

    Sipas Kombeve të Bashkuara solidariteti është një nga konceptet themelore të njerzimit, derisa janë në themel të marrëdhënieve mes njerëzve në shekullin e 21-të.

    Ideja e solidaritetit në të cilën mbështetet trupi global për “bashkëpunimin në zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare me karakter ekonomik, social, kulturor ose humanitar”, e ka shtyrë atë të besojë se solidariteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar janë thelbësore në luftimin e sëmundjeve globale si varfëria.

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vlerëson solidaritetin si një nga vlerat themelore dhe universale”, e cila përcakton marrëdhëniet midis popujve dhe vendeve anembanë globit, prandaj vendosi që datën 20 dhjetor ta shpall si ‘Ditë Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor.
    Dita e Solidaritetit Njerëzor’ inkurajon nisma dhe plane të reja për zhdukjen e varfërisë dhe çështjeve të tjera globale.
    Kjo ditë, rithekson rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, siç është çrrënjosja e varfërisë.

    Në rritjen e pandemisë së korona virusit, solidariteti ndërkombëtar është bërë edhe më vendimtar.

    Për këtë ditë kërkohet që të shpërndahen foto me mesazhe që nxisin solidaritetin dhe qëndrimin e njerëzve së bashku./atvlive.tv/

     

     

  • Dhunohet një e mitur në Podujevë, i dyshuari në arrati

    Dhunohet një e mitur në Podujevë, i dyshuari në arrati

    Një e mitur në Podujevë ka raportuar në polici se është dhunuar nga një person që gjendet në arrati.

    Policia njoftoi se rasti dyshohet të ketë ndodhur më 18 dhjetor, ndërkohë që bëri të ditur se janë duke kryer hetimet.

    “Podujevë 18.12.2023 – 12:45. Me 20.12.2023 viktima e mitur femër kosovare ka raportuar se pa dëshirën e saj është dhunuar nga i dyshuari mashkull kosovar i cili ende gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.

  • Ndalohet një shtetas serb në Leposaviq, tentoi ta kalojë ilegalisht kufirin Kosovë – Serbi

    Ndalohet një shtetas serb në Leposaviq, tentoi ta kalojë ilegalisht kufirin Kosovë – Serbi

    Një shtetas serb është ndaluar në Joshanicë të Leposaviqit sepse kishte tentuar të kalojë ilegalisht kufirin Kosovë – Serbi.

    Policia njoftoi se po ashtu, një sasi e mallit i është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor në mungesë të dokumenteve

    “Fsh. Joshanicë, Leposaviq 19.12.2023 – 17:55. Policia gjatë patrullimit ka ndaluar të dyshuari mashkull serb shtetas i Serbisë i cili me automjetin tij ka tentuar të kalojë ilegalisht kufirin Republika e Kosovës – Serbi. Një sasi e mallit i është sekuestruar dhe dërguar në terminalin doganor në mungesë të dokumenteve. Me urdhër të prokurorit rasti në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Vdes një person në Shtime, policia nis hetimet

    Vdes një person në Shtime, policia nis hetimet

    Në Shtime është raportuar se ka vdekur një person, për të cilin rast Policia e Kosovës ka hapur hetimet.

    Siç njofton policia me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

    “Fsh. Mollopolc- Shtime 19.12.2023 – NN. Viktima mashkull kosovar është dërguar në QKMF-Shtime e më pas në emergjencën e Ferizajt, nga ku është konfirmuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Kurti: Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë

    Kurti: Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vizitoi ekspozitën “Bebëzat e mallit”, të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë.

    Krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë, është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

    “Në qorrsokakun e përgjakshëm

    Ku e vranë foshnjën e sapolindur

    Dhe babanë e saj

    U desh të kalojnë 20 vjet

    Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet

    Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,

    I afroi tek gjiri i saj.

    Më paska pritur a?
    Se nuk qenka rritur fare tha

    E buzëqeshi

    Mu para se të hapej toka

    E ta përpinte.”

    Këto janë vargje të poetit tonë të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.

    Këtë po e gjejmë edhe sonte, këtu, në një dimension të veçantë, me kujtimet për fëmijët dhe kujtimet e fëmijëve në luftë.

    E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,

    E nderuar kuratore e ekspozitës, znj. Vesa Sahatçiu,

    I nderuar z. Korab Krasniqi,

    Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

    na ka mbledhur kjo ekspozitë me titull poetik “Bebëzat e mallit”, kushtuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë. Na flet për “fëmijëri të rrëmbyera”. Sikurse titulli i libër kujtimit mbi të cilin bazohet ajo.  

    Krahas së qenurit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë është edhe ftesë për reflektim e përfshirje në diskutim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.

    Mirënjohje e falënderim për bashkërendimin e përpjekjeve të institucioneve dhe partnerëve tanë që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.

    Ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.

    Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre.

    Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri. Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë.

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë!

    Falemnderit.

  • Ministri Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë mbajnë konferencë për media

    Ministri Sveçla bashkë me drejtorin e Policisë mbajnë konferencë për media

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën sot do të mbajnë konferencë për media.

    MPB-ja ka njoftuar se konferenca do të mbahet në orën 10:00 në objektin qendror të ministrisë.

  • Shefi i AKI-së raporton sot para deputetëve

    Shefi i AKI-së raporton sot para deputetëve

    Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, do të raportojë sot në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së.

    Në mbledhjen që pritet të fillojë në orën 10:00, janë në rend dite edhe tri pika tjera.

    Ndryshe, Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së udhëhiqet nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, teksa anëtarë janë pesë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, një nga PDK-ja, një nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës.

  • Haradinaj: Aleanca e gatshme për zgjedhje

    Haradinaj: Aleanca e gatshme për zgjedhje

    Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato të ndodhin.

    Haradinaj këtë deklaratë e ka dhënë pas takimit që ka pasur me degët e AAK-së në Klinë e Gjilan të martën.

    “Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato mund të ndodhin. Mbetemi të vendosur në mbrojtje të të arriturave që Kosova ka shënuar gjatë rrugëtimit të saj e që sot janë të rrezikuara nga mentaliteti i tanishëm politik që qeverisë me vendin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Me kolegët e Aleancës nga Klina dhe Gjilani zhvilluam një diskutim përmbajtësor për situatën aktuale politike dhe aspektet organizative në parti.

    Klina mbetet storje suksesi në qeverisje lokale, kjo falë punës së palodhshme të kryetarit Zenun Elezaj dhe kolegëve tjerë nga dega.

    Aleanca në Gjilan është më e fuqishme se kurdo herë më parë. Kuadro të shumta i janë bashkuar degës në rrugëtimin tonë politik dhe kjo na jep garanci se Aleanca në Gjilan do ta ketë pushtetin pas zgjedhjeve të ardhshme lokale, sikurse do të jetë e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

    Aleanca është e gatshme për zgjedhje nacionale kurdo që ato mund të ndodhin. Mbetemi të vendosur në mbrojtje të të arriturave që Kosova ka shënuar gjatë rrugëtimit të saj e që sot janë të rrezikuara nga mentaliteti i tanishëm politik që qeverisë me vendin.