ATV

Category: Lajme

  • Zyra e Presidentes: Z.Haradinaj s’ka dashur të presë, dera e Presidencës mbetet e hapur

    Zyra e Presidentes: Z.Haradinaj s’ka dashur të presë, dera e Presidencës mbetet e hapur

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se kryetari i partisë, Ramush Haradinaj, shkoi në Presidencë për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani, pas ftesës së saj për të diskutuar rreth draftit për Asociacionin, por se Osmani u vonua dhe takimi s’u realizua për këtë arsye.

    Por, nga Presidenca thonë se nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka informuar presidenten Osmani për arritjen e tij.

    “Takimi ishte paraparë të mbahet, por për shkaqe protokollare nuk është realizuar. Z.Haradinaj nuk ka dashur të presë derisa protokolli e ka njoftuar Presidenten për arritjen e tij”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes.

    Ai shtoi se ftesa e Osmanit për Haradinaj qëndron e hapur.

    “Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani ka lënë të hapur mundësinë e takimit ditëve në vazhdim, kurdo që kreu i AAK-së e vlerëson se duhet diskutuar dhe adresuar çështjet e rëndësisë nacionale. Dera e Presidencës vazhdon të mbetet e hapur”.

    Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka thënë se kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për t’u takuar rreth Asociacionit, por se Osmani është vonuar dhe se Haradinaj s’e ka pritur.

    “Dje e kishim një vullnet të mirë për të biseduar me Presidenten Osmani për çështjet me rëndësi për vendin, veçanërisht për draft-statutin e Asociacionit. Kryetari Ramush Haradinaj si dhe Sekretari i Përgjithshëm Muharrem Nitaj ishin në Presidencë në orarin e përcaktuar nga Presidentja Osmani, por fatkeqësisht Presidentja nuk respektoi orarin e caktuar nga vetë ajo dhe për këtë arsye takimi nuk është realizuar”, ka thënë Xhemaili.

    Osmani ka ftuar tre liderët e partive opozitare parlamentare për të diskutuar rreth draftit të Asociacionit të propozuar nga ndërmjetësit.

    Deri më tani ajo është takuar vetëm me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

  • ​Pendarovski: Sanksionet e huaja për të korruptuarit nuk mjaftojnë, nëse nuk ndiqen nga institucionet vendase

    ​Pendarovski: Sanksionet e huaja për të korruptuarit nuk mjaftojnë, nëse nuk ndiqen nga institucionet vendase

    Pastrim i gjyqësorit, prokurorisë dhe politikës, ishte thirrja që bëri presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski në fjalimin e fundvitit para deputetëve, të fundit të këtij mandati.

    Ai tha se lihet përshtypja se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë luftëtarë më të vendosur kundër korrupsionit te ne sesa institucionet e vendit. Ai shtoi se sanksionet e huaja për të korruptuarit nuk mjaftojnë, nëse nuk ndiqen me sanksione vendase.

    “Dua t’i rekomandoj parlamentit të ardhshëm atë që tashmë e kam propozuar publikisht disa herë: menjëherë pas zgjedhjeve të zbatojmë pastrim edhe te gjykatësit edhe te prokurorët, por së pari, te ne – politikanë. Dhe për secilin, për të cilin nuk ka arsyetim logjik si është bërë milioner me rrogë shtetërore, duhet të ketë menjëherë jo vetëm dorëheqje por edhe procedurë penale”, tha Pendarovski.

    Ai tha se fundi i vitit 2023 na e solli hidhërimin më të madh në dekadën e fundit, meqë nëpërmjet tragjedisë personale të Vanjës së vogël dhe të familjes së saj, mund ta shihnim si në pëllëmbë të gjithë patologjinë e tranzicionit, ambientin të cilin, siç tha ai, të gjithë e krijuam në 32 vitet e kaluara.

    “Ambient në të cilin, në hapësirën publike toleruam jo-njerëzit të cilët propagandonin urrejtje dhe intolerancë ndëretnike, ideologji agresive, gjuhë të urrejtjes, kanë bërë publikisht kërcënime për linçim të individëve dhe likuidime të kundërshtarëve politikë. Duhej secili prej nesh, kurse veçanërisht ne politikanë, të flasim më shpesh dhe më zëshëm kundër këtyre dukurive, në vend që të besojmë në fuqinë e sistemit tonë demokratik se do të mund t’i tolerojë dhe absorbojë ekstremet e tilla”, deklaroi Pendarovski.

    Ai tha se marrëdhëniet e mira ndëretnike dhe orientimi properëndimor janë dy gjëra që duhet t’i ruajmë edhe pas zgjedhjeve.

    “Entuziazmi midis qytetarëve për anëtarësim në BE po bie dramatikisht, gjendemi në pikën kritike dhe ky është shansi i fundit që ta ruajmë mbështetjen shumicë për negociatat të cilat kanë gjithmonë efekt neutralizues përkundrejt strukturave të cilat duan ta minojnë demokracinë. Në raport me ndryshimet kushtetuese, përbërja e ardhme parlamentare duhet ta vazhdojë debatin mbi baza reale dhe me një raport shumë më të ndershëm ndaj opinionit maqedonas. Është e qartë si kristal se korniza evropiane nuk mund të ndryshojë për më mirë, as marrëveshja bilaterale me Bullgarinë, pavarësisht se kush është në pushtet në Bruksel apo në Sofje”, tha Stevo Pendarovski, President.

    Pendarovski u fokusua edhe në ikjen e popullsisë. Sipas tij, të gjitha bashkësitë etnike janë më pak në numra absolutë dhe se asnjë bashkësi etnike nuk “e rrezikon” tjetrën, por “se të gjithë jemi të rrezikuar”. Ai tha se nevojitet urgjentisht strategji demografike, por e mbështetur nga pushteti dhe opozita.

    Ai foli edhe për ruajtjen e identitetit gjatë negociatave me BE-në, si dhe për rëndësinë që kishte anëtarësimi në NATO. /Alsat.mk

  • ​Paralajmëron Shtëpia e Bardhë: Ndihma për Ukrainën do të përfundojë në fund të muajit

    ​Paralajmëron Shtëpia e Bardhë: Ndihma për Ukrainën do të përfundojë në fund të muajit

    Një paketë ndihme e planifikuar për Ukrainën më vonë këtë muaj do të jetë e fundit nëse Kongresi nuk miraton ndihmë shtesë, paralajmëroi Shtëpia e Bardhë të hënën, shkruan CNN, transmeton KosovaPress.

    Ndërsa ndihma e ofruar për Ukrainën deri më tani ka qenë thelbësore për t’i rezistuar pushtimit rus të Ukrainës, vendi “ende ka nevojë për ndihmën tonë”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

    Ai vuri në dukje një letër drejtuar Kongresit nga zyrtari financiar i Departamentit të Mbrojtjes, Mike McCord, duke paralajmëruar se departamenti kishte ndarë plotësisht të gjitha fondet e mbetura nën autoritetin e rimbushjes së departamentit të caktuar për Ukrainën.

    “Ne jemi ende duke planifikuar një paketë tjetër ndihme për Ukrainën në fund të këtij muaji. Megjithatë, kur kjo të ketë mbaruar, siç e bëri të qartë z. McCord në shënimin e tij për Kongresin sot, ne nuk do të kemi më autoritet rimbushjeje në dispozicion dhe do të kemi nevojë që Kongresi të veprojë pa vonesë, siç kemi thëne deri tani”, tha Kirby.

    Në atë shënim, një kopje e së cilës u sigurua nga CNN, McCord shkruante se departamenti do të transferonte “1.071.117 milionë dollarë” në llogaritë e tij për të zëvendësuar stoqet e tij dhe për të rimbursuar për “shërbimet e mbrojtjes” që i ofron Ukrainës.

    Kongresi deri më tani ka miratuar 113 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë, ekonomike dhe humanitare për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus të vendit në shkurt të vitit 2022, duke përfshirë 46.6 miliardë dollarë ndihmë direkte ushtarake.

    ShBA i ofron Ukrainës më shumë ndihmë se çdo vend tjetër.

  • ​Stuhitë në verilindje të SHBA-së lënë të vdekur katër persona

    ​Stuhitë në verilindje të SHBA-së lënë të vdekur katër persona

    Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e një stuhie masive që ka goditur në lindje të SHBA-së, duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike, përmbytje dhe vonesa të fluturimeve.

    Një grua vdiq nga përmbytjet jashtë Charleston, Karolina e Jugut, dhe tre burra në shtetet verilindore u vranë ndërsa stuhia u zhvendos drejt Kanadasë.

    Miliona banorë të Bregut Lindor ishin nën vëzhgimin e përmbytjeve dhe më shumë se 600.000 ishin pa energji të martën në mëngjes. Duke u zgjatur deri të martën, stuhia pritej të pengonte udhëtimet për pushime.

    Moti solli shi të madh që çoi në përmbytje të lumenjve, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA (NWS).

    Shkollat në të gjithë rajonin e New England janë detyruar gjithashtu të anulojnë ose vonojnë mësimet për shkak të kushteve të rrugës. Mot më i thatë pritet në ditët në vijim, sipas NWS. /BBC

  • Dështon të nis rigjykimi ndaj katër të akuzuarve në rastin “Subvencionet 3”

    Dështon të nis rigjykimi ndaj katër të akuzuarve në rastin “Subvencionet 3”

    Për shkak të mungesës së të akuzuarit Sadush Kabashi, të martën ka dështuar të nis në Gjykatën Themelore në Prishtinë rigjykimi për pjesën e veçuar në rastin “Subvencionet 3”, raporton BetimipërDrejtësi.

    Në këtë pjesë të veçuar, akuzohen Bejtush Gashi, Arbër dhe Halit Avdijaj dhe Sadush Kabashi.

    Lidhur me mungesën e të akuzuarit Kabashi, mbrojtësi i tij, avokati Berat Tmava deklaroi se në momentin e pranimit të ftesës e ka njoftuar të mbrojturin e tij, mirëpo ka pasur një keqkuptim rreth pjesëmarrjes në seancë.

    “Në momentin që e kam pranuar ftesën nga ana juaj, për hir të korrektësisë kam njoftuar klientin tim, mirëpo e kemi pasur një keqkuptim edhe tash bisedova ne telefon me të njëjtin, ai tha për momentin jam duke i bërë disa analiza në Pejë dhe nuk e kam dit që duhet me qene edhe unë prezent. Keqkuptim, sepse gjyqtare ai m’tha, se ka na thënë gjyqtarja atëherë mos hajdeni hiç për shpallje e ka menu që aty u kry gjithçka edhe për atë arsye”, tha avokati Tmava.

    Po ashtu, në këtë seancë, nuk ishte i pranishëm askush nga Avokatura Shtetërore, për të cilët, gjykatësja e rastit Valbona Musliu-Selimaj tha se iu është dërguar ftesa, mirë sipas saj fletëkthesa ende nuk është kthyer në shkresat e lëndës.

    Ndryshe, mbrojtësja e të akuzuarit Halit Avdijaj, avokatja Merita Stublla-Emini ngriti pretendimin se çështja ndaj të mbrojturit të saj ka arritur parashkrimin absolut, gjë të cilën prokurori special Rafet Halimi e mohoi.

    Por, meqenëse nuk kishte kushte që të procedohej tutje, të gjitha pretendimet gjykatësja Musliu-Selimaj tha se do të shqyrtohen në seancat e ardhshme.

    Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 shkurt 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve të lartcekur, duke i dënuar me 28 muaj burgim dhe me 3 mijë euro gjobë (së bashku).

    Ndaj këtij vendimi të Themelores ishin parashtruar ankesa nga mbrojtësit e 4 të akuzuarve me ç’rast më 29 nëntor 2023 ishte mbajtur seanca në Apeli duke u elaboruar kështu ankesa e mbrojtësve të akuzuarve.

    Ndërsa, më pas Gjykata e Apelit, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve ashtu që ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje.

    Ndryshe, në Gjykatën Themelore procedura penale ndaj katër të akuzuarve ishte veçuar në seancën e 6 shtatorit 2023, pasi të njëjtit e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.

  • “Jemi duke zhvilluar hetime intensive”- Deklarohen nga Prokuroria për vrasjen e Liridona Ademajt

    “Jemi duke zhvilluar hetime intensive”- Deklarohen nga Prokuroria për vrasjen e Liridona Ademajt

    Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke zhvilluar hetime intensive rreth rastit të vrasjes së Liridona Ademajt. Deri më tani për vrasjen e saj janë arrestuar katër persona përfshirë bashkëshortin, Naim Murseli që dyshohet se ka porositur vrasjen e saj. E në paraburgim bashkë me Murselin gjenden edhe dorasi, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dodaj. Ajo u vra më 29 nëntor, në mënyrë makabre në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Bërnicë, të Prishtinës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke kryer hetime intensive lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor të këtij viti.

    Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Liridona Ademaj ka thënë për Express, se policia me institucionet relevante po punojnë në mënyrë intensive që ky rast ta merr epilogun përfundimtar.

    Ndërkaq tha se në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje të tjera.

    “Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për këtë çështje penale mund t’iu njoftojmë se prokuroria në koordinim të plotë me policinë e institucionet relevante po punojnë intensivisht që ky rast ta merr epilogun përfundimtar. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim detaje nga hetimet, deri në një fazë tjetër”, ka thënë ajo.

    Ndërkaq ishte kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi ai që deklaroi se hetimet kanë marrë drejtimin e duhur, por ka shtuar se ato se mund të zgjasin deri në dy vjet.

    Munishi theksoi në Euronews Albania se rasti po trajtohet nga një prokurore serbe, pasi prokurorja e mëparshme e ka dorëzuar vetë rastin.

    “Hetimet kanë marrë drejtimin e duhur dhe puna që është bërë deri tani është një punë e arrirë. Nuk mund të them saktësisht se sa kohë do të marrë specifikisht kjo ngjarje, por për hetime dhe dosje të tilla mund të duhen deri në dy vite kohë as sa dhe është e parashikuar ligjërisht. Hetimet kanë një afat njëvjeçar por mund të shtyhen edhe në afat dyvjeçar. Hetimet kanë arritur në një pikë të caktuar, por nuk mund të kemi një datë të saktë për përfundimin e tyre dhe nuk mund të ndajmë detaje se çfarë kemi zbuluar deri tani për shkak të sekretit hetimor”, tha Munishi në Euronews.al.

    Kryeprokurori deklaroi tutje se nuk mund të ketë informacione nëse pritet që të arrestohet edhe ndonjë person tjetër për këtë rast.

    “Nuk mund të them nëse do të ketë persona të tjerë që do të shoqërohen apo arrestohen për këtë ngjarje që tronditi mbarë opinionin publik. Sa i përket prokurores së çështjes, është e vërtetë që ajo është serbe dhe po e heton e vetme rastin. Nëse do të ketë nevojë për shtimin e ekipit, sigurisht që kjo do të ndodhë. Prokurorja e mëparshme e ka dorëzuar vet çështjen, pasi ngjarja ndodhi kur ishte ajo në turn, ajo ka bërë hetimet paraprake dhe aty ka përfunduar puna e saj. Më pas bazuar në procedurat ligjore, shqyrtohen numra rendor të planifikuar më herët dhe kësaj radhe rasti i takonte prokurores aktuale. Në përfundim të të gjithë procesit hetimor do të ketë dhe një njoftim nga Prokuroria e Prishtinës për vrasjen e Liridona Ademajt” tha ai.

    Si ndodhi rasti – çka tha Gjykata kur u caktoi nga një muaj paraburgim?

    Tre të dyshuarit për krimin e rëndë, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ndodhen në paraburgim. Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Murseli dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për veprën penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.

    Caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji për secilin veç e veç, Gjykata e ka arsyetuar “ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, të njëjtit mund të ndikojnë në të bashkëpandehur, në të dëmtuar dhe në dëshmitarët si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprës penale”.

    Në këtë njoftim, Gjykata kishte treguar edhe dyshimet se si kishte ndodhur rasti.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në njoftim.

    Së fundmi Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim edhe të dyshuarit të katërt për këtë rast. Fjala është për Tomë Dodaj.

    Dodaj dyshohet t’ia ketë shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës në ditën kur është kryer vrasja.

    Kështu thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

    “Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D me datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve N.M dhe G.P, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës- tani të ndjerës L.M”, thuhet në vendim.

  • Ekskluzive: Xhuli i kundërpërgjigjet Fifit, teksa kjo e fundit e akuzoi se i dha këmbëve e jo gojës

    Ekskluzive: Xhuli i kundërpërgjigjet Fifit, teksa kjo e fundit e akuzoi se i dha këmbëve e jo gojës

    Juliana Nura, ishte e ftuar në emisionin “LIBERO” dhe ekskluzivisht rrëfeu për mosmarrëveshjet e saj me këngëtaren e njohur Fifin, ku të dyja ishin pjesë e Dancing With the Stars Albania (DWS), në këtë sezonë.

    Mosmarrëveshja mes Xhulit dhe Fifit ndodhi pas eleminimit të Xhulit nga DWTS. Ajo u shpreh se spektaklin e kërcimit do ta fitojë Fifi, duke marrë parasysh se çfarë ka ndodhur mes saj dhe Top Channel.

    Në lidhje me keqkuptimet që patën njëra me tjetrën, Juliana ndau me ne sqarimin dhe diskutimin që patën të dyja.

    “…Unë kurrë nuk kam kundërshtuar jurinë e DWTS, kurse Fifi ka qenë e para që ka kundërshtuar, mua më vjen keq sepse jemi dy goca nga Kosova të kemi keqkuptime të tilla…Unë e respektoj Fifin si artiste mirëpo ende nuk jemi sqaruar plotësisht…”, shtoi ajo.

    Kutjojmë se artistja Fifi doli me një reagim publik ku ndër tjerash tha se:“ Xhuli i jepi më shumë gojës se sa këmbëve”.

    Për të ndjekur intervistën e plotë, mund të klikoni në linkun e mëposhtëm:

  • Kurti takoi 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian

    Kurti takoi 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian

    Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, takuan sot 55 studentë përfitues të bursave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, arritje të cilën e festuan nën ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”.

    Kurti para studentëve u shpreh shumë krenar që ata janë pjesë e universiteteve publike të Kosovës, derisa i uroi suksese të mëtejme.

    “Në vitin akademik 2022/2023 kemi ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1.000 euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem”, tha kryeministri duke kujtuar se synimi për vitin e ardhshëm është dyfishimi i numrit.

    Përveç studentëve, përfitues të bursave në shumë prej 300 eurosh kanë qenë edhe nxënësit e shkollave të mesme. Njëkohësisht, vazhdon të ketë lehtësime për regjistrimin në klasën e 10-të në shkolla profesionale e gjimnaze, si dhe vende te rezervuara për regjistrim të kandidatëve nga komunitetet jo shumicë në institucionet e arsimit të lartë.

    Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbëri Nagavci, tha se një qeveri e cila ofron mbështetjen e merituar për secilin dhe një shtet që i krijon kushtet të rinjve ta arrijnë maksimumin e potencialit të vet, “kanë qenë jo vetëm zotimet tona, por edhe ajo që na ka prijë në programin tonë dhe në jetësimin e këtyre politikave në praktikë”.

    Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh se kjo është Qeveria e parë që i mbështet studentët jo vetëm deklarativisht dhe jo vetëm me rezervimin e një vendi në fakultetet publike, mirëpo edhe një bursë përcjellëse.

    Me arsimin në prioritet, Qeveria e Republikës së Kosovës vazhdon të angazhohet që për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, të ketë kushte më të mira për mësim dhe mbështetje të nevojshme për të vazhduar studimet dhe ngritjen akademike e profesionale.

    Pas fjalimeve hyrëse, u zhvillua edhe bashkëbisedim ndërmjet kryeministrit Kurti, ministrave të pranishëm dhe studentëve përfitues të bursës nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilët ndanë përvojat e tyre, dhe në të njëjtën kohë falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen.

  • ​Pacolli paditë për shpifje Lumir Abdixhikun, Përparim Ramën dhe Doarsa Kica-Xhelilin

    ​Pacolli paditë për shpifje Lumir Abdixhikun, Përparim Ramën dhe Doarsa Kica-Xhelilin

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka dorëzuar padi kundër kryetarit të kryeqytetit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetares së kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, të cilët po i akuzon për shpifje ndaj saj në lidhje me rastin e rrugës A.

    Pacolli para se të dorëzonte padinë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka thënë se po ngrit padi për shpifje dhe fyerje ndaj saj.

    “Jam këtu që të dorëzoj një padi kryetarit të komunës, Përparim Rama, kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku dhe kundër nënkryetares së Lidhjes Demokratike, Doarsa  Kica-Xhelili në lidhje me rastin e rrugës “A” dhe me vendimin e Gjykatës Komerciale, ku ata shfrytëzojnë vendimin e Gjykatës Komercial, shpifin, fyen dhe denigrojnë personalitetin tim duke më akuzuar për diçka që nuk është as nuk kanë fakte për të, kështu që sot do të padis këta tre persona për shpifje dhe fyerjen që kanë bërë ndaj meje, sepse me statuset e tyre publike, kanë nxitur opinionin publik kundër meje, kanë nxitur qytetarët e Prishtinës që të reagojnë në lidhje me rrugën “A” dhe të reagojnë kundër meje pa pasur asnjë fakt dhe në mënyrë shumë të padrejtë, kështu që unë pres nga gjykata të marrë vendim dhe të trajtojë lëndën time me kujdes”, tha ajo.

    E pyetur se si e ka pritur akuzën e kryetarit Rama drejte motrës së saj, ajo u shpreh se “edhe pse jemi motra biologjike, të dyja bëjnë punën tonë”.

    “Tani motra ime ka punën e vet, unë kam punën time, të dyja bëjmë punën tonë profesionale, pavarësisht nga ajo që jemi motra biologjike, kështu që ata e kanë shfrytëzuar rastin për të përfituar politikisht dhe kanë akuzuar pa bazë dhe padrejtësisht mua veç që jam motra e gjyqtares, Vlora Pacolli”, u shpreh ajo.

    Ajo shtoi se Vlora Pacolli motra e saj nuk mundet të merr vendime vet sepse rastet caktohen sipas rregullave dhe jo veç e veç.

    “Ajo e ka pasur rastin e rrugës “A”, është gjyqtare në Gjykatën Komerciale dhe rastet ju e dini se si ndahen në Gjykatën Komerciale, pra nuk iu jepen personave veç e veç, por caktohen në bazë të rregullave që janë në gjykatë… Ne presim, mund t’ia dorëzoj gjykatës këtë dhe presim që gjykata të marrë vendim”, përfundoi ajo.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kjo është një çmenduri që të lë pa fjalë.

    “Sot, një gjykatëse vendosi ta ndalojë atë. Ta ndalojë punën e ndërtimit të rrugës ‘Jim Xhema’ në gjysmë të saj. Gjykatësja, del të jetë motra e deputetes në pushtet.” – ka shkruar Abdixhiku, duke aluduar në motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli. Këta janë përplot mllef e urrejtje; dhe fatkeqësisht urrejnë qytetarët e vet. Punë s’bëjnë vet por punën e tjetrit se durojnë dot. Prishtina dhe qytetarët e kryeqytetit, le ta shohin këtë çmenduri. Fillimisht me bllokim buxheti deri në gusht; tani me bllokim projekti me familjarë. Punë e palodhshme, në kohë rekord e në afat. Dhjetëra mijëra banorë pa kolektor e në kundërmim, një kryeqytet pa projektin më të madh kapital. Nuk do t’i lejojmë. Rrua e Re dhe rruga A nuk ndalen. Prishtina dhe Kosova do të bëhen ”, kishte shkruar kohë me parë kreu i LDK-së.

  • Tejkaluan në vijë të plotë, policia gjobit dy kundërvajtës

    Tejkaluan në vijë të plotë, policia gjobit dy kundërvajtës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjobitur dy persona pasi kishin bërë tejkalim në vijë të plotë.

    “Zyrtarët policor të stacionit në Kamenicë gjatë kontrollit në trafik, kanë hasur në dy kundërvajtës të cilët kanë bërë tejkalim në vijë të plotë me të cilin veprim kanë rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe kanë rënë ndesh me ligjin për rregullat në trafikun rrugor”, thuhet në njoftim.

    Bëhet e ditur se për secilin nga ta janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 150 euro, 2 pikë negative dhe masën e përkohshme të ndalim vozitjes në afat prej 3 muaj.