ATV

Category: Lajme

  • Aksident trafiku me fatalitet në Podujevë, vdes një person ndërsa një tjetër lëndohet rëndë

    Aksident trafiku me fatalitet në Podujevë, vdes një person ndërsa një tjetër lëndohet rëndë

    Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar në një aksident që ka ndodhur mbrëmë, në fshatin Llapashticë të Podujevës.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Llapashticë të Podujevës.

    Ai ka bërë të ditur se personi i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti.

    “Rreth orës 20:00, është raportuar për një aksident trafiku të ndodhur në rrugën “Qëndresa” në fshatin Llapashticë të komunës së Podujevës. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë dy vetura. Një person ka humbur jetën ndërkaq një tjetër është dërguar në QKUK, ku po vazhdon trajtimin mjekësor për shkak të lëndimeve të marra nga aksidenti. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, ka thënë Borovci.

  • Punëtorë të pesë institucioneve publike bëhen bashkë në protestë

    Punëtorë të pesë institucioneve publike bëhen bashkë në protestë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Punëtorë të pesë institucioneve kulturore u bënë bashkë për një qëllim.

    Dhjetëra persona erdhën para komunës së Prishtinës për të protestuar për shkak të pakënaqësive që kanë në vendet e punës. Kërkesat ndërkaq i vlerësuan minimale.

    Sipas tyre, kërkesat janë të njëjta tash e dy vjet, por asnjëherë nuk u bë asgjë në plotësimin e tyre.

    Nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre dhe nuk ka ndonjë reflektim nga ana kryetarit Përparim Rama, ata thanë se do të vazhdojnë me masa të tjera, duke përmendur edhe grevën.

    Në protestën e së martës morën pjesë punëtorë të Teatrit “Dodona”, Arkivit të Komunës së Prishtinës, Bibliotekës “Hivzi Sylejmani”, Qendrës Kulturore për Rini dhe Zjarrfikësit.

  • S’respektohet kontrata, shtëpizat e tregut të fundvitit mbesin pa rrymë

    S’respektohet kontrata, shtëpizat e tregut të fundvitit mbesin pa rrymë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për disa orë, të hënën shtëpizat e tregut të fundvitit ishin pa energji elektrike.

    Si pasojë e kësaj, disa nga afaristët u detyruan ta hedhin në mbeturina mallin që kishin planifikuar ta shisnin.

    “Krejt çfarë kam pasur është dashur me i hedh, kemi qenë për 6 orë pa energji elektrike…”, tha Shpat Hashani, pronar.

    “Prej se jemi vendos ne këtu nuk jemi bërë rehat, asnjëherë me energji elektrike, gjë e cila po ndikon drejtpërsëdrejti në punën tonë, financa, numrin e klientëve e shumë faktorë të tjerë, ndërkohë që pagesat i kemi kryer”, tha Shkëlzen Rugova, pronar.

    Mirëpo, KEDS-i, ekipet e të cilëve dolën në terren pasi ATV-ja u interesua për një përgjigje në lidhje me shqetësimin e pronarëve, tha se reduktimet janë si pasojë e mbingarkesës.

    “Nuk bëhet fjalë për ndërprerje të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, por për instalime elektrike të brendshme në ato shtëpiza”, tha zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.

    Për t’i evituar këto telashe, edhe në kontratën e Komunës së Prishtinës ndërmjet bizneseve pjesëmarrëse të tregut të Vitit të Ri, potencohet se përgatitjet e ushqimeve dhe pijeve duhet të bëhen me anë të lëndës së gazit.

    Duke u nisur nga kjo edhe vetë pronarët i bëjnë thirrje njëri-tjetrit që të mos përdorin pajisje që nuk parashihen në kontratë.

    “Ata që nuk duan të punojnë le të del inspektorati le t’i kontrollon edhe t’i dënojë kush nuk është ligjshëm le t’i gjobit edhe asgjë askujt, se për të punuar kemi dal t’i shfrytëzojmë këto kohë të mira, pasi klientët nuk vijnë të qëndrojnë në terr”, tha Adnan Sylejmani, pronar.

    “Tregu i Fundvitit” është aktivitet i organizuar nga Komuna e Prishtinës, i cili ofron shërbime për qytetarët deri më 8 janar 2024.

  • Inagurohet parku industrial në Viti

    Inagurohet parku industrial në Viti

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në hapësirë prej 15.5 hektarësh është inauguruar parku industrial në Budrigë të Vitisë.

    Përmes këtij investimi kapital në vlerë prej 1.7 milion eurove po synohet mbështetja për investime në biznese dhe nxitja e veprimtarisë prodhuese.

    Për investime të ngjashme nga ekzekutivi u premtuan edhe 33 milionë euro gjatë tri vjetëve të ardhshme.

    Investimi u bë në kuadër të Ministrisë së Industrisë.

    Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kërkoi që kjo zonë ekonomike të rritet.

    Në këtë park industrial në Budrigë, do të vendosen 30 biznese.

  • Ushtarët e FSK-së ka vite që s’u pajisën me çizme, tenderi prapë në OSHP

    Ushtarët e FSK-së ka vite që s’u pajisën me çizme, tenderi prapë në OSHP

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë rrezikojnë që edhe këtë dimër ta kalojnë me çizme të vjetra. Teksa OSHP-ja, tenderin e hapur në qershor të vitit të kaluar, e ka kthyer dy herë në rivlerësim, Ministria e Mbrojtjes për herën e tretë e rekomandoi fitues operatorin ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”

    Mirëpo, tenderi për “Furnizim me Çizme Ushtarake” ka përfunduar përsëri në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    Grupi i operatorëve “Furkan Rada B.I & OZKAN KUNDURA” që nga Ministria e Mbrojtjes ishte shpallur fitues dy herë, ka paraqitur ankesë.

    Kompania ankuese pretendon se buxheti i Kosovës mund të dëmtohet nga vendimi i Autoritetit Kontraktues.

    Ministria e Mbrojtjes në anën tjetër i ka mohuar të gjitha këto pretendime.

    “Është rekomanduar Operatori Ekonomik më i lirë, sipas kriterit të dhënies “Tenderi i Përgjegjshëm me çmimin më të lirë” dhe i gjithë procesi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

    Tenderi 2 milionë eurosh, parashihte që brenda 36 muajve ushtarët të pajisjen me 8500 palë çizme verore dhe 8500 palë çizme dimërore.

  • Nënkalimi afër QKUK-së, i mbushur me ujë

    Nënkalimi afër QKUK-së, i mbushur me ujë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Pas reshjeve të shiut ditëve të fundit, nënkalimi në hyrje të lagjes Veternik është bërë gati i pakalueshëm.

    Përveç ujit, aty janë grumbulluar edhe mbeturina, gjë e cila vështirëson lëvizjen e qytetarëve.

    “A m’patë si e kalova. Njerëzit që vinë me gjendje të keqe shëndetësore, ose fëmijët. Është e tmerrshme ky nënkalim sa oshtë ndërtu, oshtë e tmerrshme”, thotë një qytetar.

    “Oshtë e vështirë se p.sh., unë vi e shkoj në shkollë përmes këtij nënkalimi e shpesh kur është me ujëra mujna me rrëshit e me u rrëzu… plot herë po duhet me ecë nëpër rrugë, nëpër rrugë kryesore me kalu”, tha një nxënës.

    Megjithatë, Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, nëpërmjet një përgjigje me shkrim, tha se do të intervenohet për pastrimin e nënkalimit.

    “Ne si Drejtori e Shërbimeve Publike do të kujdesemi për pastrimin e nënkalimit gjithmonë, ndërkohë për të investuar në pjesën e Infrastrukturës duhet të intervenojë Drejtoria e Investimeve Kapitale”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu.

    Me telashe të njëjta qytetarët po përballen edhe nëpër nënkalime të tjera, në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

  • Kategoritë e dala nga lufta insistojnë se janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë

    Kategoritë e dala nga lufta insistojnë se janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pas publikimit të lajmit nga ATV-ja se disa kategori të dala nga lufta janë përjashtuar nga subvencionimi i energjisë, ka reaguar Ministri i Financave Hekuran Murati.

    Por, postimi i ministrit Murati nuk e sqaron situatën për këto kategori.

    Sipas ministrit këto kategori të dala nga lufta duhet të aplikojnë për subvencionim. Por, Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, specifikon se këto kategori gëzojnë të drejtën për tarifë më të lirë të energjisë.

    Vendimi të cilit i referohej ministri Murati, e që është miratuar në Qeveri më 19 tetor, as nuk ishte i publikuar në ueb-faqen e Qeverisë e as në atë të Ministrisë së Financave.

    Ministri Murati, në reagimin e tij publikoi vetëm një faqe të vendimit, duke përmendur pikën B, ndryshe definimin e termeve të vendimit të ri, sipas të cilit vetëm invalidët e luftës përjashtohen nga aplikimi për subvencion për familje me të hyra mujore prej 150 eurosh për person dhe nuk përmenden kategoritë e tjera.

    ATV-ja madje kishte tentuar të sqarojë pretendimet e organizatave të dala nga lufta, duke kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave, por askush nuk dha sqarime. Madje edhe tentimi për të pyetur vetë ministrin nuk ishte i mundur.

    Në mungesë të përgjigjes së ministrit, shqetësimet e kategorive të dala nga lufta u adresuan me email. Por, Ministria e Financave asnjëherë nuk ktheu përgjigje, ndërkaq ATV-ja mori përgjigje vetëm nga zëdhënësi i Qeverisë, përgjigje e cila ishte e përgjithshme dhe nuk sqaronte situatën e kategorive të dala nga lufta.

    Ndërkaq nga Shoqata e Invalidëve të Luftës thirren në ligj me qëndrimin se dispozita ligjore nuk shfuqizohet me vendim.

    Andaj, sipas Qeriqit, ministri Murati po manipulon, pasi subvencionimin e gëzonin pa asnjë kriter dhe, sipas tij, janë përjashtuar si kategori të luftës.

    Sipas ligjit neni 8 parasheh reduktim të tarifës për rrymë për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, neni 9 përfshin invalidët e UÇK-së dhe neni 13 përfshin familjet e viktimave civile të luftës.

  • Pjetër Shalës i refuzohet kërkesa për vizitë tek psikologu

    Pjetër Shalës i refuzohet kërkesa për vizitë tek psikologu

    Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, me vendimin e 14 dhjetorit 2023, ka refuzuar kërkesën e Pjetër Shalës për një vizitë psikologjike, me arsyetimin se mbrojtja është dashur t’i drejtohet regjistruesit të paraburgimit përpara se ta përfshijë panelin në këtë çështje.

    Në vendim, thuhet se paneli i trupit gjykues, më 11 dhjetor 2023 mori kërkesë urgjente për vizitë të psikologut për të akuzuarin Pjetër Shala, por kjo kërkesë është refuzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “REFUZON Kërkesën; dhe b. URDHËRON palët dhe mbrojtësin e viktimave që të respektojnë udhëzimet e Panelit siç janë përcaktuar në këtë vendim”, thuhet në dispozitivin e këtij aktvendimi.

    Në arsyetimin e këtij vendimi, thuhet se më 25 tetor 2023, trupi gjykues vendosi se në rast që Shala shpallet fajtor për një ose më shumë nga krimet për të cilat akuzohet, do t’i përcaktojë dënimin përkatës me shpalljen e aktgjykimit.

    Si rrjedhojë, paneli udhëzoi mbrojtjen e Shalës që të paraqesë çfarëdo dëshmie për dënimin, më së voni deri në mbylljen e rastit. Kurse, më 29 nëntor 2023, paneli vendosi që data e mbylljes së këtij afati për mbrojtjen të jetë deri më 15 janar 2024.

    Por, thuhet se më 11 dhjetor 2023, paneli kishte marrë kërkesë urgjente nga mbrojtja e Pjetër Shalës për një vizitë psikologjike, së bashku me njoftimin për kërkesën për thirrje të provave relevante për dënim.

    Gjithnjë sipas vendimit, mbrojtja e Shalës kishte parashtruar se ka kontaktuar me një eksperte psikologjike, me qëllim që të kryejë një vlerësim për të akuzuarin dhe të prodhojë një raport mbi shëndetin e tij mendor, si dhe ndikimin që kanë pasur procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës tek ai.

    “Mbrojtja për Pjetër Shalën (Mbrojtja) parashtron se ka kontaktuar me një eksperte psikologjike, e regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Ekspertëve në Gjykatën Belgjike, znj. Vanessa Milazzo (Znj. Milazzo), me qëllim që të kryejë një vlerësim të të akuzuarit dhe të prodhojë një raport mbi shëndetin e tij mendor, ndikimin e procedurave para Dhomës së Specializuar në jetën e tij , dhe sjelljen e tij pas ngjarjeve të pretenduara në aktakuzën e konfirmuar deri më sot. Mbrojtja synon ta prezantojë raportin si provë me qëllim të dënimit dhe/ose të dëshmojë znj. Milazzo para trupit gjykues”, thuhet në vendim.

    Tutje, thuhet se mbrojtja i kërkoi panelit që të krijohen rrethanat që psikologja ta vizitojë Shalën më 18 dhe 19 dhjetor 2023 dhe t’i jepet asaj të paktën tri orë kohë në vizita.

    “Për këtë qëllim, mbrojtja i kërkon Panelit që të udhëzojë Sekretarin dhe Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit që: (i) të lejojnë znj. Milazzo të vizitojë të akuzuarin më 18 dhe 19 dhjetor 2023; (ii) heq dorë nga kërkesa që vizitat të organizohen 15 ditë përpara; (iii) të lejojë znj. Milazzo të sjellë një fletore dhe mjete shkrimi në vizitë, për të mbajtur shënime nga bisedat e saj me të Akuzuarin; dhe (iv) t’i japë asaj të paktën tre orë gjatë çdo vizite për të kryer vlerësimin e saj. Më 12 dhjetor 2023, për të siguruar një zhvillim të shpejtë të procedurave, Paneli e refuzoi kërkesën përmes emailit, me arsye dhe udhëzime të mëtejshme për t’u ndjekur, dhe udhëzoi Mbrojtja t’i bëjë kërkesat e nevojshme Kryeshefit të Paraburgimit pa vonesë”, thuhet në vendim.

    Aty thuhet se paneli kërkoi informacion shtesë nga mbrojtja, nëse raporti i Milazzos do të përgatitej në anglisht ose në një gjuhë tjetër, kurse mbrojtja e informoi panelin se raporti do të përgatitej në frëngjisht dhe do të përkthehej në anglisht.

    Pas kësaj, vendimi ofron arsyet e panelit për refuzimin e kësaj kërkese, si dhe cakton afatet kohore për paraqitjen e provave nga eksperti i thirrur nga mbrojtja dhe parashtresat eventuale si përgjigje nga ZPS-ja dhe mbrojtja e viktimave.

    Sipas kësaj, paneli ka theksuar se asgjë në kërkesë nuk sugjeron që mbrojtja i është drejtuar shefit të paraburgimit me ndonjë kërkesë përkatëse dhe se një kërkesë e tillë të është refuzuar. Po ashtu, thuhet se paneli nuk ka vendosur ndonjë kufizim në kontaktet dhe komunikimet e të akuzuarit që do të kërkonte ndërhyrjen e panelit për të autorizuar ndonjë vizitë.

    Rrjedhimisht, paneli ka konstatuar se mbrojtja e Shalës është dashur që së pari t’i drejtohet Regjistruesit të Paraburgimit përpara se ta përfshijë panelin dhe nuk gjen ndonjë arsye për të ushtruar mbikëqyrje gjyqësore në këtë situatë.

    “Rrjedhimisht, Paneli konstaton se Mbrojtja është dashur së pari t’i drejtohet Kryeshefit/Regjistruesit të Paraburgimit para se të kontaktojë Panelin dhe nuk gjen ndonjë arsye për të ushtruar mbikëqyrje gjyqësore në këtë situatë. Për këto arsye, Paneli e refuzon kërkesën dhe e udhëzon mbrojtjen që t’i bëjë kërkesat e nevojshme Kryeshefit të Paraburgimit pa vonesë”, thuhet në vendim.

    Kryetarja e trupit gjykues, Veldt-Foglia përmes këtij vendimi ka sqaruar se është vendosur mbi këtë kërkesë të mbrojtjes pa iu dhënë mundësia për t’u dëgjuar ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave.

    “Paneli është i vetëdijshëm për hapat e ndryshëm që duhet të ndërmerren në mënyrë që të prodhohet raporti i ekspertit dhe fakti që data e synuar për mbylljen e çështjes së mbrojtjes është caktuar më 15 janar 2024. Nuk u shkaktua asnjë paragjykim ndaj ZPS-së ose mbrojtësit të viktimave duke e shfuqizuar kërkesën pa i dëgjuar”, thuhet në vendim.

    Ndërsa sa i përket udhëzimeve të mëtejshme mbi paraqitjen e dëshmive të ekspertes, paneli ka konstatuar se mbrojtja nuk ka vepruar me shpejtësi, por në fakt ka treguar mungesë të kujdesit.

    “Mbrojtja duhet të kishte kontaktuar ekspertin sapo Paneli të kishte komunikuar vendimin e tij, më 25 tetor 2023, se dënimi, nëse ka, do të shqiptohej së bashku me aktgjykimin gjyqësor, dhe jo vetëm pasi Paneli të caktonte datën e synuar për mbylljen të çështjes së mbrojtjes. Paneli e udhëzoi mbrojtjen në atë kohë që të paraqesë çfarëdo dëshmie mbi dënimin gjatë prezantimit të rastit të saj dhe më së voni, deri në mbylljen e rastit. Kur Paneli cakton datën e synuar për mbylljen e çështjes së një pale, të gjitha provat që ende duhen dëgjuar duhet të dihen dhe… duhet të përgatitet të mbyllë çështjen e saj. Pasi të përcaktohet, data e synuar mund të ndryshojë vetëm nëse lindin rrethana të paparashikuara”, thuhet në vendimin mbi kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës.

    Për këto arsyeje, paneli ka vendosur që të shkurtojë afatet kohore përkatëse për ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave në mënyrë që të sigurohet që provat e mbrojtjes të paraqiten përpara datës së përcaktuar.

    Si rrjedhojë, paneli ka udhëzuar që në rast që mbrojtja vendos të paraqes provat e ekspertes psikologjike në këtë çështje gjyqësore, jo më larg se 4 janari 2024 duhet t’i prezantojë ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave raportin përfundimtar të psikologes së bashku me përkthimin në anglisht.

    Po ashtu, jo më larg se data e lartpërmendur, mbrojtja u obligua që të bëjë kërkesën për të shtuar psikologen dhe raportin e saj në listën e dëshmitarëve dhe të informojë panelin, ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave në rast që synon që ta thërras psikologen për të dëshmuar personalisht apo ka për qëllim të shtojë në listën e provave vetëm raportin e saj.

    Po ashtu, në rast që psikologja Milazzo ftohet për të dëshmuar, mbrojtja duhet të sigurojë që ajo të jetë e disponueshme në datat specifike.

    “Mbrojtja do të sigurojë gjithashtu që znj. Milazzo të jetë e disponueshme për të dëshmuar, nëse ajo do të thirret për të dëshmuar, në një nga datat e mëposhtme: 11, 12, 19 dhe 22 janar 2024”, thuhet në vendim.

    Ndërsa për ZPS-në dhe mbrojtjen e viktimave, gjykatësja Veldt-Foglia udhëzoi që jo më vonë se 9 janari 2024 t’i përgjigjen kërkesës së mbrojtjes për të shtuar Milazzon në listën e dëshmitarëve apo raportin e saj në listën e provave.

    Po ashtu, thuhet se ZPS-ja dhe mbrojtja e viktimave mund t’i bëjnë parashtrimet e tyre edhe më 9 janar 2024, pra gojarisht gjatë seancës dëgjimore të kësaj date.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

  • Vullkani i Islandës: Ky shpërthim vullkanik mund të mos jetë jetëshkurtër

    Vullkani i Islandës: Ky shpërthim vullkanik mund të mos jetë jetëshkurtër

    Islanda ka qenë në gatishmëri të lartë për një shpërthim të mundshëm vullkanik prej javësh. Tani, me llavë që derdhet nga një çarje e gjatë dy milje në sipërfaqen e Tokës, shkencëtarët nuk mund të bëjnë gjë tjetër veçse të vazhdojnë të monitorojnë situatën.

    Shkëmbi i shkrirë që është krijuar nën jugperëndim të Islandës ka shpërthyer në burime spektakolare llave.

    Në gadishullin Reykjanes është hapur një gropë e gjatë dy milje, duke nxjerrë nga 100 deri në 200 metra kub lavë çdo sekondë. Kjo është shumë më tepër se në shpërthimet e tjera të fundit në zonë.

    Kishte pasur një pauzë të gjatë në zhurmat vullkanike.

    Kanë kaluar pesë javë që kur 4,000 njerëz u evakuuan nga qyteti i afërt i peshkimit Grindavik në mes të natës pas disa tërmetesh.

    Por aktiviteti sizmik u dobësua në ditët në vijim dhe shkencëtarët filluan të pyesin veten nëse magma do të ngurtësohej dhe nuk do të arrinte kurrë në sipërfaqe.

    Por të hënën mbrëma pati një tjetër tërmet dhe sipërfaqja u hap menjëherë pastaj.

    Lava aktualisht po rrjedh rreth gjysmë milje në orë në veri dhe në perëndim, larg qytetit, i cili është pak më shumë se një milje nga fundi jugor i shpërthimit.

    Por çarja në Tokë ka qenë duke u zgjeruar dhe nëse arrin një shpat me pamje nga jugu, atëherë qyteti mund të jetë në rrezik.

    Termocentrali Svartsengi, i cili siguron energji elektrike për mijëra shtëpi, duket gjithashtu se është i sigurt për momentin. Autoritetet kanë ndërtuar një mur guri dhe dheu për të mbrojtur objektin nga çdo rrjedhje llave.

    Ka të ngjarë që presioni i madh që e ka shtyrë magmën drejt sipërfaqes është zvogëluar.

    Shkencëtarët do të duan të kenë një vështrim nga afër në zonën e shpërthimit gjatë ditës për të marrë një ide më të mirë të asaj që po ndodh.

    Autoritetet kishin shumë paralajmërime se kjo mund të ndodhte dhe njerëzit janë larguar nga rreziku.

    Tani është një çështje që thjesht ta lini natyrën të marrë rrugën e saj. /SkyNews/

  • Një 60-vjeçar kapet në flagrancë nga Policia në Skenderaj

    Një 60-vjeçar kapet në flagrancë nga Policia në Skenderaj

    Të hënën në fshatin Prelloc të Skenderajt, një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë, ka hasur në një veturë të dyshimt.

    Gjatë kontrollit, te shoferi është gjetur një armë pa leje, një mjet i mprehtë dhe disa fishekë.

    Pas përfundimit të kontrollit policor, arma dhe mjeti i mprehtë janë sekuestruar, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

    Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, sipas sinjalit.

    Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.