ATV

Category: Lajme

  • Vazhdojnë garat me vetura, dënohen me nga 150 euro dy të rinj në Ferizaj – Policia publikon pamjet

    Vazhdojnë garat me vetura, dënohen me nga 150 euro dy të rinj në Ferizaj – Policia publikon pamjet

    Përkundër që vetëm para pak ditësh një garë me vetura përfundoi tragjikisht në Autostradën “Ibrahim Rugova”, të rinjtë po vazhdojnë me organizime të tilla. Kështu ka ndodhur edhe të hënën në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

    Sipas Policisë, shoferët H.A., i moshës 24-vjeçare dhe S.A., i moshës 21-vjeçare, me veturat e tyre me datën 18.12.2023 rreth orës 22:35, po bënin gara të shpejtësisë, duke rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në komunikacion.

    Ndaj tyre, policia shqiptoi gjobë kundërvajtëse sipas ligjit të komunikacionit rrugor, me dënim 150 euro dhe nga 1 pikë negative.

  • Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dëshmitari thotë se s’ka dëgjuar asnjëherë për grup kriminal të organizuar

    Gjykimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dëshmitari thotë se s’ka dëgjuar asnjëherë për grup kriminal të organizuar

    Në gjykimin për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, ish-shefi i Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut, dëshmitari Streqko Banoviq, ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar se ka pasur grup të organizuar kriminal.

    “Unë nuk kam pasur asnjë informacion”, tha dëshmitari Banoviq, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokatit Faruk Korenica, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

    Po ashtu, Banoviq tha se gjatë periudhës sa kishte qenë në pozitën- shef i Njësisë Hetuese Regjionale në Mitrovicën e Veriut, nuk ka dëgjuar se i akuzuari Spasojeviq ka qenë pjesë e ndonjë grupi kriminal të organizuar.

    “Kam thënë se kam pasur 14 hetuesit e mi, stacioni ka pasur mbi 100 njerëz, nuk kam pasur kohë të merrem me zërat e njerëzve, ashtu që diçka të tillë për Spasojeviq nuk kam dëgjuar, kam pasur punët e mija”, tha ai.

    Fillimisht, dëshmitari Banoviq është përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Rade Basara, i cili edhe e ka propozuar këtë dëshmitar, e që ky i fundit tregoi se ka qenë shef i të akuzuarit Basara.

    Ai e ka treguar edhe organizimin e brendshëm të kësaj njësie, si dhe ka treguar edhe detyrat e policëve hetues. Sipas tij, Njësia Rajonale Hetuese nuk ka pasur të drejtë ta mbikëqyr punën e Stacionit Policor.

    Banoviq ka thënë se nuk ka ndodhur asnjëherë që i akuzuari Basara të refuzojnë ndonjë punë që i është caktuar dhe se për punën e tij nuk ka pasur asnjëherë ankesa, as nga prokurori e as nga qytetarët.

    “Nuk kam pasur vërejtje as me shkrim, as nuk më ka thirrur prokurori, as nuk ka qenë me vërejtje disiplinore”, tha Banoviq.

    Sa i përket procedurës së dërgimit të provave materiale në Laboratorin Qendror në Prishtinë, ai tha se kjo bëhet me urdhër të prokurorit.

    “Prokurori jep urdhër hetuesit që t’i dorëzojë provat në Laborator në Prishtinë, me të cilat unë gjithmonë kam qenë i njoftuar dhe atje nuk e kam lënë asnjëherë askënd që t’i çojë provat përveç atij i cili është i ngarkuar me këto prova, secila kërkesë e jona te prokurori, e gjitha kjo është e dokumentuar në evidencë”, ka thënë ai.

    Sipas tij, është obligim i prokurorit që gjatë një çështjeje të caktojë se kush është i dyshuari, kush dëshmitari, e cilat veprime hetuese duhet të ndërmerren.

    Ditën kur kishte ndodhur ngjarja kritike, Banoviq ka thënë se kishte qenë në pushim vjetor dhe po ashtu theksoi se ka qenë ai që ka miratuar pushimet vjetore për të akuzuarin Basara.

    Por, konkretisht në dhjetor të vitit 2017, ai tha se nuk i kujtohet saktësisht data se kur ka miratuar pushimin vjetor për Basarën.

    “Rade Basares shumicën e rasteve ia kam miratuar pushimin vjetor për Vitin e Ri, për arsye se e ka pasur familjen në Republikën e Kroacisë. Nuk më kujtohet data saktë e miratimit, mirëpo nuk do ta shfrytëzonte nëse unë nuk do ta miratoj”, tha i njëjti.

    Banoviq deklaroi se kur ishte kthyer nga pushimi vjetor, rasti në fjalë ende nuk ishte marrë në kompetencën e hetuesve për Krime të Rënda në Prishtinë, por sipas tij ata e kanë udhëhequr hetimin.

    Po ashtu, ai tha se kur ishte kthyer nga pushimi vjetor, i akuzuari Basara ka qenë duke punuar në grupin punues për këtë rast. Ai shtoi se nuk ka dijeni se cilat veprime në ditën kritike kishte ndërmarr njësia regjionale deri sa kishin ardhur Njësia e Krimeve të Rënda nga Prishtina.

    Banoviq ka thënë se sa herë kur kishte shkuar në pushim vjetor, si zëvendësues të tij e kishte lënë Mirsada Mustafa.

    Krejt në fund, dëshmitari Banoviq tha sot në gjykatë ka ardhur së bashku me të akuzuarin Basara, e për këtë dha një arsyetim.

    “Kam ardhur me Rade Basaren sepse as nuk e kam ditur se ku është kjo gjykatë”, tha ai.

    Paraprakisht, në sallë u lëshua edhe video-incizimi që përfshinte pamjet tek bastroja “Brazil”, por teknikisht nuk pati mundësi që të shikohej. Megjithatë, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se nuk ka nevojë që të shikohet.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj, në këtë video shihet një sekuencë e shkurtër teksa tani i ndjeri Ivanoviq kalon rreth bastores “Brazil”, duke shkuar në drejtim të selisë së partisë së tij.

    Mbrojtësi i të akuzuarit, Marko Roshiq, avokati Mahmut Halimi pasi pa një fotografi nga ky video-incizim nga prokurori Burim Çerkini deklaroi se në të gjithë foto-dokumentacionin dhe video-incizimet që kanë parë deri tani, asnjëherë në asnjë vend nuk është parë as i mbrojturi i tij Roshiq e as vetura e tij.

    “Edhe pse i akuzuari Marko Roshiq e ka banimin shumë afër ndërtesës së subjektit, asnjëherë në asnjë vend e as vetura e tij Santa-Fe KIA nuk shihet, pra as vetura e as i akuzuari Marko Roshiq për të cilin sipas akuzës pretendohet se i paska përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit dhe i paska njoftuar të personat të cilët e kanë kryer krimin”, tha Halimi.

    Në këtë seancë, trupi gjykues ka aprovuar pjesërisht propozimin e avokatit Korenica që në cilësi të dëshmitares të ftohet për të dëshmuar Mirsada Mustafa.

    Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.

    Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

    Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

    I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

  • Familja e Liridona Ademajt i kërkon takim urgjent Prokurorisë

    Familja e Liridona Ademajt i kërkon takim urgjent Prokurorisë

    Familja e Liridona Ademajt, 30-vjeçares që u vra në mënyrë mizore më 29 nëntor në Prishtinë, i është drejtuar me një letër Prokurorisë, duke kërkuar takim urgjent, që të informohen rreth hetimit të rastit.

    Letra është publikuar nga vëllai i Liridonës, Leonardi, i cili ka thënë se zyrtarisht ende nuk janë informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kanë nga raportimet në media.

    “Ju njoftojmë se sapo i jemi drejtuar prokurorisë për një takim urgjent që të informohemi rreth rastit të vrasjes së më të dashurës tonë Liridona Ademaj. Ne jemi thellësisht falenderues për punën e bërë deri më tani nga policia dhe prokuroria. Mirëpo, jemi të shqetësuar që deri më tani prokuroria nuk ka kontaktuar fare me neve. Ne ende zyrtarisht nuk jemi informuar se kush është prokuror i rastit dhe informacionet e vetme i kemi nga raportimet në media. Ne duam të sqarojmë që nuk kërkojmë qasje në informacione konfidenciale mirëpo kërkojmë që si familjarë të jemi të informuar, e drejtë kjo e garantuar ligjërisht”, ka shkruar Ademaj.

  • ​Zvicra dhuron 11.5 milionë dollarë për fëmijët në Gaza

    ​Zvicra dhuron 11.5 milionë dollarë për fëmijët në Gaza

    Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim njoftoi sot se kontribuon me mbi 11.5 milionë dollarë Fondin Ndërkombëtar të Emergjencave të Fëmijëve të OKB-së (UNICEF) për të mbuluar nevojat e fëmijëve dhe familjeve në Rripin e Gazës.

    “Përshkallëzimi i armiqësive në #Gaza po ka një ndikim katastrofik mbi fëmijët dhe familjet,” njoftoi agjencia në një postim në rrjetin social X.

    Agjencia shtoi se kontribuon me 10 milionë franga zvicerane për UNICEF-in për të “mbuluar nevojat e fëmijëve dhe familjeve në fushën e ujit, kanalizimeve, higjienës, shëndetit, të ushqyerit dhe arsimit”.

    Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore si hakmarrje për një sulm ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze, Hamasi, më 7 tetor.

    Të paktën 19.667 njerëz janë vrarë dhe 52.586 të tjerë janë plagosur që atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

    Gati 1.200 izraelitë besohet se janë vrarë në sulmin e Hamasit, ndërsa më shumë se 130 pengje mbeten në robëri. /AA

  • ​Abramovich humb betejën ligjore ndaj sanksioneve të BE-së

    ​Abramovich humb betejën ligjore ndaj sanksioneve të BE-së

    Miliarderi rus Roman Abramovich të mërkurën humbi një sfidë ligjore kundër sanksioneve të vendosura ndaj tij nga BE për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

    Blloku 27 anëtarësh sanksionoi zyrtarët dhe biznesmenët rusë, duke ngrirë miliarda dollarë asete ruse, pas luftës së Moskës kundër Ukrainës në shkurt 2022. Abramovich, një ish-pronar i klubit britanik të futbollit Chelsea, i kishte sfiduar këto kufizime.

    “Gjykata e Përgjithshme rrëzon padinë e ngritur nga z. Abramovich, duke mbajtur kështu masat kufizuese të marra kundër tij”, tha Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian në një deklaratë.

    Ajo vuri në dukje se BE-ja “në fakt nuk gaboi në vlerësimin e saj” duke vendosur të përfshijë më pas emrin e Abramovich në listat në fjalë.

    “Gjykata vëren, për më tepër, se përfshirja dhe ruajtja e emrit të Abramovich në listat në fjalë nuk përbën një shkelje të pajustifikuar dhe disproporcionale të të drejtave të tij themelore, të cilat përfshijnë, në veçanti, të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare, lirinë për të kryer një biznes dhe lëvizjen e lirë”, shtohet në deklaratë.

    Në mars 2022, BE tha se Abramovich kishte “lidhje të gjata dhe të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, duke e ndihmuar atë “të ruante pasurinë e tij të konsiderueshme”. /AA

  • ​Vëzhguesi i PE: Askund s’kam parë atë që pashë në zgjedhjet në Serbi, të përsëriten votimet në Beograd

    ​Vëzhguesi i PE: Askund s’kam parë atë që pashë në zgjedhjet në Serbi, të përsëriten votimet në Beograd

    Deputeti socialist dhe demokrat Andreas Shider tha sot se nuk ka parë kurrë parregullsi sikur ka parë në zgjedhjet në Serbi dhe kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në Beograd.

    “Unë vëzhgova shumë zgjedhje, por ato që u zhvilluan në Serbi ishin larg çdo standardi evropian,” tha Shider për N1, i cili ishte gjithashtu anëtar i misionit të Parlamentit Evropian që vëzhgoi zgjedhjet në Serbi.

    Ai mendon se do të ishte e nevojshme të bëhet një hetim ndërkombëtar, ose së paku të përsëriten zgjedhjet në Beograd, por në kushte të reja. Ai shtoi megjithatë se në Serbi është problem i madh të kryhet një hetim i pavarur dhe i hapur, sepse ndarja në shoqëri është e thellë, dhe sistemi gjyqësor dhe media shtetërore nuk janë mjaftueshëm të pavarura.

    Shider tha në emisionin N1 se dita e zgjedhjeve në Serbi ishte shumë specifike dhe se vëzhguesit e huaj tashmë ishin të informuar nga misioni parazgjedhor se kushtet nuk ishin të barabarta, se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Partia e tij Progresive Serbe ishin të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale në mediat shtetërore, ndërkohë që opozita kishte qasje të kufizuar, si dhe se njerëzit silleshin në zgjedhje nga jashtë.

    Ai shprehu besimin se të paktën në zgjedhjet në Beograd, rezultati do të ishte ndryshe nëse zgjedhjet do të ishin organizuar më mirë dhe do të kishte pasur më pak mashtrime.

    “Së pari, më lejoni të jem i qartë, kjo nuk është në përputhje me standardet evropiane, kjo është larg çdo standardi. Unë kam vëzhguar shumë zgjedhje, këto janë larg standardeve me të cilat jemi mësuar. Ata që kanë pushtet dhe kontroll mbi këto zgjedhje po shkojnë keq dhe nuk po punojnë në interes të vendit të tyre”, tha Shider.

    Shider po ashtu ka rikujtuar se Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian janë shumë kritikë ndaj procesit zgjedhor në Serbi dhe kjo, siç paralajmëroi, ka një ndikim negativ në negociatat për anëtarësim në BE.

    Shider tha gjithashtu se është e vërtetë se në periudhën e kaluar zyrtarët e BE-së ishin shumë të sjellshëm ndaj autoriteteve në Serbi, gjegjësisht se komisionari për Zgjerim dhe disa zyrtarë të tjerë evropianë ishin “shumë të butë”.

    “Jo në kuptimin që nuk e dënuan Serbinë dhe popullin serb, por kur folën për sundimin e ligjit, lirinë e mediave. Ata duhet të jenë më të rreptë,” beson ai.

    Sipas tij, BE-ja duhet të jetë shumë e qartë dhe e mprehtë kur bisedon me zyrtarët serbë për sundimin e ligjit, gjyqësorin e pavarur, lirinë e mediave dhe zgjedhjet funksionale dhe të ndershme, sepse “standardet evropiane nuk janë në shitje”.

    “E gjithë kjo në Serbi nuk është e mirë dhe duhet të themi se duhet të jemi të ashpër, se nuk e pranojmë atë që po ndodh. Ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe duhet të ketë një ndryshim në qëndrim dhe sjellje”, tha Shider.

    Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE) njoftoi të hënën se raportet e besueshme të mashtrimit zgjedhor në Serbi shkaktojnë shqetësim serioz dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara.

    Në një deklaratë të publikuar në ueb sajtin e saj, grupi i Socialistëve dhe Demokratëve shprehu mbështetjen e tij të plotë për njerëzit në Serbi që kërkojnë drejtësi, demokraci dhe të ardhmen evropiane. /BETA

  • Sekuestrohet një armë në bagazhin e një autobusi të udhëtarëve në Merdar

    Sekuestrohet një armë në bagazhin e një autobusi të udhëtarëve në Merdar

    Policia e Kosovës njofton se sot (e mërkurë) në Pikë Kalimin Kufitar në Merdar, në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarë policorë kufitar së bashku me zyrtarët doganor gjatë kontrollimit në bagazhin e autobusit të një kompanie vendore, i linjës ndërkombëtare Itali-Kosovë, me vozitës m/k dhe ndihmës vozitës m/k kanë gjetur një armë (revole me gas), e cila kishte qenë e fshehur në një valixhe udhëtarësh.

    “Arma e gjetur është sekuestruar, me autorizim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti në procedurë të rregullt “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, thuhet në komunikatë.

  • ​Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i hap rrugë arrestimit të Sali Berishës

    ​Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i hap rrugë arrestimit të Sali Berishës

    Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e disa deputetëve të PD, për të shpallur antikushtetues kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

    Padia ishte firmosur nga 30 deputetë të PD, mes tyre edhe Gazment Bardhi, ndërsa vetë Berisha nuk e ka firmosur padinë e grupit të “Rithemelimit”.

    Dy ditë më parë, Oerd Bylykbashi, Ivi Kaso dhe Franci Nuri përfaqësues të Grupit të Rithemelimit depozituan në Gjykatën Kushtetuese padinë lidhur me “konfliktin e kompetencave midis pushtetit Gjyqësor dhe pushtetit Legjislativ për imunitetin e deputetëve”.

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 2 muaj më parë vendosi masë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha me akuzën e korrupsionit pasiv kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i K.Penal”.

    Bëhet fjalë për një pronë me rreth 10.000 metra katrorë, në qendër të Tiranës që në vitin 2008 është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Klubi sportiv “Partizani” ka qenë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, jo shumë larg nga qendra e Tiranës, ku sot janë ngritur 17 kulla. /tch

  • ​Ambasadori serb i shoqëruar me kriminelë

    ​Ambasadori serb i shoqëruar me kriminelë

    Drejtori i Institutit Octopus, Agim Musliu ka publikuar sot (e mërkurë) disa fotografi ku shihet ambasadori serb në ShBA, Marko Gjuriq përkrah kriminelit dhe terroristit serb, Stevan Paviceviq.

    Musliu ka shkruar në X se fotografitë janë shkrepur në vitin 2019, dhe se të njëjtit kanë qenë duke u përpjekur që ta kthejnë banjën termale në Banjskë të Zveçanit në pronë të Serbisë.

    Ai ka sjellë një rikujtim se makina e Paviceviqit është gjetur plot me armë në qershor të këtij viti.

    “Ambasadori aktual i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, në vitin 2019, i rrethuar nga kriminelë, duke u përpjekur ta kthejë banjën termale në Banjska në Kosovë në pronë të Serbisë. Në foto shihet edhe terroristi Stevan Paviceviq, makina e të cilit u gjet plot me armë në qershor 2023”, ka shkruar Musliu.

  • Autoriteti i Konkurrencës i shqipton gjobë MTS-së mbi 1.5 milion euro

    Autoriteti i Konkurrencës i shqipton gjobë MTS-së mbi 1.5 milion euro

    Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës njofton se duke u bazuar në legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës, më saktësisht në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ka marrë vendim që Ndërmarrjes MTS d.o.o Dega në Kosovë t’i shqiptohet masa e sanksionit administrativ-gjoba në shumë prej 1 milion e 563 mijë e 959 e 26 cent.

    “AKRK njofton se Ndërmarrja MTS d.o.o ka shkelur dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke mos parashtruar kërkesën për njoftimin e detyruar për përqendrim për blerjen e 100 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve: VGN NET d.o.o, LIKA d.o.o, PP. PRKDS-IMPULS në emër të I. R. – B.I. dhe Herc International”, thuhet në komunikatë.

    Në fund thuhet se Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës si institucion publik, i pavarur në kryerjen e detyrave të veta të përcaktuara në ligj, do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe në mbrojtje të ligjit të konkurrencës.