ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani mban sot takimin e Këshillit për Demokraci

    Presidentja Osmani mban sot takimin e Këshillit për Demokraci

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të mbajë sot (e enjte) takimin e radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

    Sipas njoftimit, takimi do të fillojë nga ora 9:30.

  • Plagoset me armë zjarri një burrë në Fushë-Kosovë

    Plagoset me armë zjarri një burrë në Fushë-Kosovë

    Është plagosur mbrëmë një person me armë zjarri në Fushë-Kosovë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas policisë deri tek ky incident ka ardhur pas një mosmarrëveshje në mes të dy grupeve me nga dy persona.

    Lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona, teksa dy të tjerë mbetën të ende të panjohur për policinë.

    I dyshuari i plagosur gjendet në QKUK-së për trajtim mjekësor me përcjellje policore, ndërsa tek i dyshuari i dytë është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.

    Për këtë rast policia ka identifikuar edhe një person që gjendet në arrati.

    “Rr.Nëna Terezë-Fushë Kosovë,20.12.2023-22:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që pas një mosmarrëveshje me dy të dyshuar të tjerë për momentin të panjohur ka ardhur deri tek incidenti i plagosjes me armë zjarri te njërit prej të dyshuarve të lartcekur. I dyshuari i plagosur gjendet në QKUK-së për trajtim mjekësor me përcjellje policore, ndërsa tek i dyshuari i dytë është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë. Lidhur me rastin është identifikuar edhe i dyshuari i tretë i cili deri me tani gjendet në arrati. Është konsultuar prokurori kujdestar i cili ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave te dyshuar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.

  • Gjenerali gjerman: Situata e sigurisë në Kosovë po përkeqësohet

    Gjenerali gjerman: Situata e sigurisë në Kosovë po përkeqësohet

    Gjeneral brigade Bundeswehr-it Ralf Hammerstein, ka thënë se siguria në Kosovë po përkeqësohet dukshëm dhe NATO po e shton praninë e saj në pranverë, edhe me ndihmën e Bundeswehr-it – forcat e armatosura të Gjermanisë.

    Gjeneral brigade Bundeswehr-it Ralf Hammerstein, ka thënë për Die Welt se si nacionalistët po mobilizohen në Serbi dhe se situata e paqëndrueshme në Ballkanin Perëndimor po plotëson dëshirat e Rusisë së drejtuar nga Vladimir Putin, raporton rtk.

    “Kanë kaluar gati 25 vjet që kur NATO ndërhyri në ish-Jugosllavi në vitin 1999 dhe detyroi trupat serbe të tërhiqeshin nga Kosova. Më pas, Aleanca instaloi misionin KFOR për të stabilizuar situatën dhe vazhdon ta bëjë këtë edhe sot e kësaj dite. Edhe më shumë ushtarë do të nevojiten përsëri në të ardhmen”, ka theksuar gjeneral brigade Ralf Hammerstein.

    Hammerstein ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk po përparon siç duhet, teksa shton se asnjë kufi në Ballkanin Perëndimor nuk do të mund të ekzistojë me mirëbesim./rtk

  • Nënshkruhet sot marrëveshja për efiçiencë të energjisë

    Nënshkruhet sot marrëveshja për efiçiencë të energjisë

    Sot mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve lidhur me projektin për efiçiencë të energjisë në ndërtesa publike në Prishtinë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Komuna e Prishtinës.

    Në takim do të kenë fjalë hyrëse ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, Drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë Sergiy Maslichenko si dhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

    Takimi do të mbahet në ora 13:00, në ndërtesa e qeverisë.

  • Shqipëria po e forcon ushtrinë, shkak edhe situata në veriun e Kosovës

    Shqipëria po e forcon ushtrinë, shkak edhe situata në veriun e Kosovës

    Siguria në rajonin e Ballkanit është e brishtë, prandaj dhe Shqipëria po forcon ushtrinë. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se nuk jemi para një rreziku konkret, por konfliktet në veri të Kosovës ndikojnë që të shtohen masat.

    Luftërat e hapura në botë dhe situata e tensionuar në rajonin e Ballkanit, për ministrin e Mbrojtjes të Shqipërisë Niko Peleshi duhet të jenë gjithmonë një alarm për Shqipërinë. Duke folur nga Shkodra, Peleshi tha se Shqipëria është një vend i sigurt si shtet anëtar i NATO-s, por gjithsesi kërkon që Forcat e Armatosura të jenë vigjilente dhe në gatishmëri.

    “Jemi në moment të rëndësishëm sepse siguria është prioritet për shkak të konflikteve që po zgjerohen në mbarë botën. Ne jemi në një rajon të brishtë, pra në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, fati i mirë është që jemi anëtar të NATO-s por gjithsesi konfliktet e fjetura të rajonit tonë delikat janë të lidhura me situatën e sigurisë në botë. Ne përgatitemi për më të keqen dhe shpresojmë për më të mirën”, tha Peleshi, raporton. Ju i keni ndjekur ngjarjet, s’ka ndonjë sekret, dy janë pikat e nxehta në Ballkan: veriu i Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina për shkak të lidershpit të Republika Sërpskas. Ju i keni ndjekur zhvillimet e fundit, për fat të keq, një pjesëtar i policisë së Kosovës mbeti i vrarë nga një sulm terrorist në veri të Kosovës”, tha ai më tej, raporton “ReportTv”.

    Ministri tha se qëllimi është për të rritur interesin e të rinjve për t’u bërë pjesë e ushtrisë shqiptare.

  • Trump e krahason veten me Lincolnin: Edhe atij iu ndalua të kandidonte

    Trump e krahason veten me Lincolnin: Edhe atij iu ndalua të kandidonte

    Hera e fundit që demokratët ndaluan dikë të kandidonte ishte viti 1860, kur ata nuk donin emrin e Abraham Linkolnit në shtetet e skllevërve. Kështu u shpreh Donald Trump në faqen e tij të rrjeteve sociale Truth, duke sulmuar vendimin e Gjykatës së Lartë të Kolorados, i cili, në emër të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës Amerikane, e pengoi atë të kandidonte për president në këtë shtet, pasi ishte bashkëpunëtor në një kryengritje.

    Manjati vazhdon të fajësojë demokratët për qeverisjen dhe, si përgjigje, publikon një sondazh që i jep atij një epërsi të madhe ndaj rivalëve të tij republikanë.

    Sipas Interactive Polls, ish-presidenti amerikan do të kishte 67% të preferencave të votuesve të partisë së vjetër Grand, krahasuar me 11% për Ron DeSantis dhe Nikki Haley.

    Por përpjekjet e ish-Presidentit Donald Trump për të rifituar Shtëpinë e Bardhë janë vënë në rrezik nga dy fjali që i janë shtuar Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara 155 vjet më parë.

    Gjykata e Lartë e Kolorados mori një vendim historik të martën që e ndalon zotin Trump që të përfshihet në fletën e votimit në atë shtet në bazë të pikës 3 të Amendamentit të 14. Kjo shtesë ligjore e ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.

    Kjo është hera e parë në histori e përdorimit të kësaj dispozite për të ndaluar dikë që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të ketë fjalën e fundit nëse vendimi i gjykatës së Kolorados qëndron.

    Nëse ndodh, gjë që shumë ekspertë ligjorë thonë se ka gjasa të pakta, kjo do t’i jepte fund fushatës së zotit Trump, sepse vendimi i Gjykatës së Lartë do të zbatohej në të gjitha shtetet.

    Po ashtu, kjo hap shtegun e një lufte të re politike, pasi politikanët në të ardhmen do të shfrytëzonin vendimet gjyqësore për të skualifikuar rivalët e tyre në bazë të së njëjtës dispozitë.

    Madje, disa konservatorë kanë menduar ta përdorin dispozitën kundër Nënpresidentes Kamala Harris, e cila mblodhi para për lirimin me kusht nga burgu të të ndaluarve gjatë dhunës pas vrasjes së zotit George Floyd në Minneapolis. Ata thanë se edhe kjo duhet të konsiderohet si një “kryengritje” kundër Kushtetutës. /A2CNN

  • Nënshkruhet kontrata 263 mijë euro për këpucat standarde të policisë

    Nënshkruhet kontrata 263 mijë euro për këpucat standarde të policisë

    Tenderi që peshon 263 mijë euro do t’i sigurojë Policisë së Kosovës 10 mijë palë këpucë. Kontrata është nënshkruar më 14 dhjetor me kompaninë vendase “Solid”.

    Policia e Kosovës do të furnizohet më 10 mijë palë këpucë të reja së shpejti.

    Kështu thotë kontrata e nënshkruar më 14 dhjetor, e cila është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

    Ato do të punohen nga ndërmarrja vendore për prodhimin e këpucëve “Solid”, kompani kjo e cila e ka bazën në Suharekë sipas Sinjalit.

    Për këtë prokurim publik, Policia e kishte parashikuar vlerën e kontratës prej 265 mijë eurove, po firma suharekase e këpucëve e ka ofruar çmimin me të ulët, atë prej 263 mijë eurove.

  • Kurti, Çeku dhe Tërnava vizitojnë xhaminë e Çarshisë së Novobërdës

    Kurti, Çeku dhe Tërnava vizitojnë xhaminë e Çarshisë së Novobërdës

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan xhaminë e “Osman Efendiut” apo Xhaminë e Çarshisë së Novobërdës, për të parë nga afër punimet në restaurimin e kësaj xhamie, ka njoftuar BIK’u, të mërkurën.

    “Xhamia e “Osman Efendiut” është rikonstruktim i shekullit XVIII dhe është në proces të restaurimit që nga fundviti i kaluar. Procesi i restaurimit është duke u mbështetur nga BE-ja dhe duke u implementuar nga zyra e UNDP-së në Kosovë”.

    “Ajo është ndër së paku pesë xhamitë sa ishin ndërtuar në periudhën osmane, 1455, shek. XX në qytetin e Novobërdës”, thuhet në njoftim.

  • Ibishi: Vlerësimet se në Kosovë ekziston rreziku për kërcënime, janë reale

    Ibishi: Vlerësimet se në Kosovë ekziston rreziku për kërcënime, janë reale

    Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vlerësimet nga qarqet e ndryshme se në Kosovë ekziston rreziku për kërcënime, janë reale.

    “Këto vlerësime që vijnë nga qarqet edhe lokale, nacionale por edhe rajonale, por gjithashtu dhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe përgjithësisht liderët e Bashkimit Evropian, sidomos përfaqësuesit për politikë të jashtme dhe siguri e SHBA-ve në veçanti që vlerësojnë situatën, mendoj që ende është një rrezik potencial dhe mirë është edhe lidershipi i ynë pra ka ngritë vëmendjen në kuptim të paralajmërimit të rreziqeve dhe kërcënimeve që janë reale pa marrë parasysh që situata duket që është e qetë dhe stabile”, tha Ibishi.

    Sipas tij, presidenti i Serbisë është një promotor dhe pasardhës i Millosheviqit, i cili me ideologjinë e tij të re, po e mban në tension Bosnjë Hercegovinën, Kosovën dhe Malin e Zi.

    “Presidenti i një vendi fqinj vazhdon të jetë një promotor, një pasardhës i Millosheviqit në kuptim tash që ky i një ideologjie të re që po mban në sistem edhe Bosnjë Hercegovinën në një sistem tensioni me ekstremist Dodik, por edhe Kosovën me gjithë atë luftën hibride çfarë tentoi ta bëjë me grupin e Rdojiçiqit, por njëkohësisht edhe Malin e Zi me bllokun pro rus”, tha Ibishi.

    Ai tha se Serbia po e shfrytëzon politikën e perëndimit për të mbajtur vendet e Ballkanit larg Lindjes, dhe se Kosova në këtë situatë gjendet në një pozicion më të pa definuar.

    “Serbia po e shfrytëzon këtë balancë apo këtë mbajtjen në sistem kur e ka shpallë neutralitetin edhe ndaj perëndimit apo NATO-s por edhe ndaj Lindjes, Rusisë, është armatosë gjithandej e ka bërë një debalancë të kuptimit të shtimit të forcave, pajisjeve duke u armatosë edhe sipas standardeve të NATO-s por njëkohësisht edhe nga Lindja, pra Rusia, mandej Kina dhe vende tjera, pra edhe Irani”, tha Ibishi. /atvlive.tv

  • Gashi: Perëndimi po e humb durimin karshi obstruksionit politik që po e bën Serbia

    Gashi: Perëndimi po e humb durimin karshi obstruksionit politik që po e bën Serbia

    Kosova ishte në qendër të mesazhit të fund-vitit, të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa foli për tensionet në Ballkanin Perëndimor. Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së paqes në kohën kur, siç tha, bota është më e rrezikshme, Stoltenberg falënderoi ushtarët e KFOR-it.

    “Muajin e kaluar, takova trupat e NATO-s në veri të Kosovës. Ndihma në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelës i stabilitetit të gjerë, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Stoltenberg.

    Duke komentuar këtë deklaratë të kreut të NATO-s, profesori Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se kjo dëshmon se po i vie fundit durimit të perëndimit karshi obstruksionit politik që po e bën Serbia ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtarë.

    “Deklarata e sotme e Stoltenberg që do të thotë edhe takimi i ministrave të Jashtëm dhe vendimet për rritjen të shkalles së angazhimit të KFOR-it në komunat veriore, flasin se tashmë nuk është dhe nuk është që nuk e ka ditur perëndimi se cila është Serbia e vërtetë, por thjeshtë ka qenë politika e tillë e mbajtjes në njëfarë mënyrë të një balance në raportet Kosovë – Serbi e ndonjëherë duke e rënduar stegën nga Kosova, duke e mbajtur Kosovën nën sanksione dhe duke mos nxjerrë sanksione për një agresion të hapur. Mendoj që mund të lexohet edhe se po i vie fundi i këtij lloj durimi të perëndimit karshi këtij obstruksionit politik që po e bën Serbia ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtarë në pjesën e Evropës ku ajo është aktive”, tha Gashi.

    Ai komentoi edhe zgjedhjet e fundit në Serbi, për të cilat tha janë shumë dekurajuese për bashkësinë ndërkombëtare.

    “Sigurisht që zhvillimet e fundit në Serbi janë shumë dekurajuese për bashkësinë ndërkombëtare, për pjesën e shteteve demokratike të Evropës dhe përgjithësisht të botës për shkak se atje kem një proces zgjedhor jo demokratik tashmë të konstatuar si të tillë nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe rrjedhimisht mendoj që Serbia çdo ditë e më shumë, në njëfarë mënyrë, politika zyrtare serbe, çdo ditë e më shumë po demaskohet në sy të opinionit perëndimor se nuk po lëvizë drejtë një evolumi pozitiv që do të mund të quhej edhe si rezultat i asaj përkëdhelje që ia ka bërë deri tash bashkësia ndërkombëtare ose të përmbushte pritjet e bashkësisë ndërkombëtare për të ndryshu politika serbe sa i takon proceseve integrative, ruajtjes së paqes në rajon. Mendoj që sa më shumë të vazhdojë kështu, kjo do ta ndërgjegjësojë më shumë perëndimin”, theksoi Gashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë: