ATV

Category: Lajme

  • Ish ministri i Mbrojtjes, Bejtush Gashi: Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e qetë, nuk ka vend për panik

    Ish ministri i Mbrojtjes, Bejtush Gashi: Situata në Kosovë është jashtëzakonisht e qetë, nuk ka vend për panik

    Ish ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar deklaratën e kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili në mesazhin e fund vitit përmendi edhe Kosovën, vlerësoi se situata e krizës në vend është qetë dhe se nuk ka vend për panik.

    “Deri tani, reagimi i shpejtë, përforcimi i trupave të misionit të NATO-s në ato komuna, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikuar që tensionet të ulen, të krijohet një situatë më e favorshme për të gjithë ata që jetojnë atje pa përjashtim dhe mbështetur në vendimet që Qeveria e Kosovës ka marrë, për faktin se për kundër lëshimeve që ka pasur në disa procese, situata e krizës në ato pjesë është menaxhuar jashtëzakonisht mirë dhe si rezultat i një bashkëpunimi me misionet ndërkombëtare atje, misionin e NATO-s dhe EULEX-it, aktualisht situata është jashtëzakonisht e qetë dhe mund të themi se nuk ka vend për panik”, tha ish-ministri Gashi.

    Megjithatë, deklaratat e fundit për çështjen e sigurisë në Kosovë, sipas tij krijojnë shqetësime tek opinioni publik fillimisht si dhe në rrafshin ndërkombëtar,

    “Të gjitha deklaratat që po jepen kohëve të fundit krijojnë një shqetësim në opinionin publik që mund të ketë impakt në ambientin e sigurisë në Republikës së Kosovës. Ky impakt përpos që ka ndikim të drejtpërdrejt të qytetarët, mund të ketë ndikim edhe në rrafshin ndërkombëtar, sepse mund të hezitojnë edhe investitorët potencial që janë të interesuar që të investojnë në Kosovë dhe aty ku nuk ka stabilitet, pastaj mungon interesimi për investimin”, tha Gashi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Grabitje në një pompë derivatesh: Hajnat e armatosur s’arrijnë të kapin shumë para – ikin me monedha metalike

    Grabitje në një pompë derivatesh: Hajnat e armatosur s’arrijnë të kapin shumë para – ikin me monedha metalike

    Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Veda Petrol’ në rrugën “Agim Bajrami” në Kaçanik, raporton Gazeta Sinjali.

    Sinjali mëson se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda dhe nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar të holla nga punëtorët.

    Por, sipas informacioneve të para, hajnat nuk kanë arritur të ‘avullojnë’ para nga arka e pompës, por kanë kapur vetëm disa monedha metalike, që ua kanë gjetur punëtorëve.

    Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

    Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar dy punëtorë të kompanisë, të cilët kanë deklaruar se të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

  • “Gjuetarët” e zhavorrit, “vrasës” të lumenjve

    “Gjuetarët” e zhavorrit, “vrasës” të lumenjve

    Përgatiti: Armand Hoti

    I vendosur në fshatin Zupç të Zubin Potokut, ky separacion i palicencuar i rërës dhe zhavorrit ndërpreu aktivitetin së fundmi.

    Në mënyrë që ky seperacion të funksiononte u desh të degradohej shtrati i lumit Ibër meqë nga aty furnizohej me resurse.

    Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, kishte lëshuar disa herë urdhër për ndërprerjen e aktivitetit të këtij separacioni, por nuk u respektua.
    Ndërkaq, kështu duket lumi Ibër në muajin dhjetor.

    Referuar dosjeve të KPMM-së, i njëjti operator ilegal, vetëm gjatë këtij viti, është përfshirë katër herë në aktivitete ilegale, të shfrytëzimit dhe të përpunimit të resurseve minerare, në fshatin Zupç.

    KPMM-ja konfirmoi për ATV-në, se operatori i vetëm ilegal i evidentuar në këtë zonë është ai i personit fizik, I.M. Sipas njohësit të çështjeve mjedisore, Faton Berisha, degradimi i lumenjve për eksploatim, si dukuri, mes tjerash, rezulton me fatkeqësi natyrore.

    Pasojat e asaj po i vuajmë në çdo vit, po ndodhin vërshime ku ka lumenj, ku ka vendbanime, pikërisht për këtë arsye sepse është prishur rrjedha natyrore e lumit”, tha Berisha.

    Bazuar në të dhënat e raportit të publikuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në vitin e kaluar, lumi më i degraduar në Kosovë, është Drini i Bardhë.
    Sipas raportit, lumenjtë e tjerë të prekur nga degradimi, janë Lumbardhi i Pejës, Ereniku dhe të tjerë më të vegjël.

    “Këtu ka ndodhur eksploatim i zhavorrit, ka ndërruar rrjedha e lumit, janë zhdukur lloje të peshqve, lloje të tjera shtazore, janë zhdukë lloje bimore, tani po i vuajmë pasojat pikërisht për këtë arsye, sepse është prishur rrjedha natyrore e lumit… Me një fjalë mund ta përmbledh se kemi bërë ekocid”, tha Berisha.

    AMMK-ja konstaton se sipërfaqja e lumenjve të degraduar, nga viti 2008 deri në atë 2018, është mbi 1760 hektarë.

  • Dëgjim i përgjithshëm publik, qytetarët ankohen për shumë çështje në kryeqytet

    Dëgjim i përgjithshëm publik, qytetarët ankohen për shumë çështje në kryeqytet

    Përgatiti: Donisa Fazliu

    Ankesat që kishin, i shpalosën para kryetarit e zyrtarëve të tjerë të komunës së Prishtinës. Kështu, dhjetëra përfaqësues të lagjeve e fshatrave, u bënë bashkë në diskutimin e përgjithshëm publik me qytetarë.

    “Është problem me ashensorë, në banesën përballë meje e kemi një person që është me karrocë dhe banon në katin e katërt, ne kemi bërë kërkesa në komunë, na kanë thënë që do të shqyrtohet, por asnjë gjë nuk është ndërmarrë, kur pritet të rregullohet”, tha një qytetar.

    “Problemi ynë është me mungesë të parkingut, do të ishte mirë që në Dragodan te hekurudha mu afru, që njerëzit mos me pritu me ardhë deri në periferi në qendër, për shkak që po shkaktohet shumë komunikacion, janë edhe mbeturinat që po na shkaktojnë shumë probleme, ju lutemi që të ndërmerrni diçka”, tha një qytetar tjetër.

    Për gjithë këto ankesa të qytetarëve, kryetari Përparim Rama dhe përfaqësuesit e drejtorive përkatëse dhanë përgjigje, derisa premtuan edhe zgjidhje të problemeve.
    “Besoj e keni parë që një numër i madh i pjesëve që kanë qenë në qendër i kemi ndërlidhë, kemi ende punë dhe besoj që aspekti i bizneseve aty do të ketë një pakt pozitiv”, tha Rama.

    Javë më parë, Komuna e Prishtinës ka lansuar platformën e ankesave, përmes të cilës qytetarët në mënyrë elektronike kanë mundësi të adresojnë problemet e tyre.

  • Ideja e Ramës s’kreu punë, vetëm 70 qytetarë adoptuan qen

    Ideja e Ramës s’kreu punë, vetëm 70 qytetarë adoptuan qen

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për ta ulur numrin e qenve endacakë, komuna e Prishtinës e pati një ide.

    Secilit qytetar që do ta adoptonte një kafshë, do të kompensohej çdo muaj me nga 50 euro.

    Por, 4 muaj pas marrjes së vendimit, rrugëve ende ka shumë qen, meqë nga 5000 sa llogaritej të jenë gjithsej, u adoptuan vetëm 70.

    “Janë adoptuar SHUMË PAK, as 100, jemi të dëshpëruar…”, tha nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj.

    Ndërkaq, ideja për adoptimin e qenve endacakë në këmbim të parave po konsiderohet e paqëlluar.

    E të shqetësuar nga numri i madh i qenve endacakë vazhdojnë të jenë qytetarët.

    Komuna e Prishtinës planifikon të ndërtojë një strehimore për qentë endacakë me kapacitet për mbi 1 mijë qen endacakë.

  • Juristët thonë se ministri Murati veproi kundërligjshëm me kategoritë e luftës

    Juristët thonë se ministri Murati veproi kundërligjshëm me kategoritë e luftës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Vendimi i Ministrit të Financave, Hekuran Murati, sipas të cilit, kategoritë e dala nga lufta të aplikojnë, për të qenë përfitues të subvencionit të energjisë, sipas juristëve është i kundërligjshëm.

    Këtyre familjeve, të drejtën për subvencionim ua garantonte Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ushtrisë çlirimtare, viktimave civile dhe familjeve të tyre, që është në fuqi edhe më tutje.

    Vendimi i Qeverisë, sipas të cilit familjet që kanë të ardhura mujore më të ulëta se 150 Euro në muaj për anëtar të familjes, mund të aplikojnë për subvencionim të shpenzimeve të energjisë elektrike, u publikua dje, ndonëse u miratua para dy muajve.

    Publikimit të vendimit i parapriu raportimi i ATV-së për përjashtimin e familjeve të kategorive të dala nga lufta nga skemat për subvencionim të rrymës.

    Sipas juristëve, Ministri Murati shkeli ligjin edhe më herët pikërisht për këto kategori, kur u kërkoi që në rast se duan pensionin si kategori të luftës duhet të heqin dorë nga pensioni i pleqërisë apo punës.

    Ministri Murati e ka pranuar se një numër i konsiderueshëm i familjeve që kanë përfituar nga subvencionimi në të kaluarën, nuk kanë aplikuar fare për subvencion sipas skemës së re.

  • Kosova në qendër të mesazhit të fundvitit të sekretarit të NATO-s

    Kosova në qendër të mesazhit të fundvitit të sekretarit të NATO-s

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kosova ishte në qendër të mesazhit të fund-vitit, të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa foli për tensionet në Ballkanin Perëndimor.

    Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së paqes në kohën kur, siç tha, bota është më e rrezikshme, Stoltenberg falënderoi ushtarët e KFOR-it.

    “Muajin e kaluar, takova trupat e NATO-s në veri të Kosovës. Ndihma në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelës i stabilitetit të gjerë, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Stoltenberg.

    Pa treguar nëse ka informacione për sulme të mundshme nga Serbia, presidentja Vjosa Osmani theksoi se Kosova është vigjilente.

    “Unë jam në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë dhe me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që ta mbrojmë Kosovën, që ta mbrojmë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin. Serbia nuk është që mendon mirë, nuk është që planifikon mirë. Me rëndësi është që ne jemi të gatshëm për çdo skenar”, tha Osmani.

    Krahas shtimit të numrit të përgjithshëm të ushtarëve në kuadër të KFOR-it, NATO-ja shtoi praninë në veri të Kosovës, pas sulmit terrorist-paramilitar në Banjskë, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, heroi Afrim Bunjaku.

    Përgjegjësinë për sulmin terrorist-paramilitar e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojcic, i cili vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.

    NATO-ja kishte rritur përkohësisht kapacitetet në veri edhe në muajin Qershor, pas ngjarjeve të dhunshme në të cilat grupe serbësh plagosën dhe lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it, sulmuan policinë dhe mediat.

  • Mbi 50 mijë vetura do të hyjnë në Kosovë këtë fundvit

    Mbi 50 mijë vetura do të hyjnë në Kosovë këtë fundvit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbi 50 mijë vetura më shumë, pritet të lëvizin rrugëve të Kosovës gjatë ditëve të ardhshme. Ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit, sipas Byrosë Kosovare të Sigurimeve, do të shtojë me të madhe qarkullimin rrugor.

    “55 mijë bashkatdhetarë, kur themi kështu duhet të përfshijmë numrin e veturave duke i përfshirë të gjitha llojet e kategorive, mirëpo rreth 52 mijë deri 55 mijë polica lëshohen gjatë kësaj periudhe”, tha Sami Mazreku, drejtor i BSK-së.

    Andaj me shtimin e veturave thuhet se automatikisht shtohen edhe rreziqet për aksidente. E të tilla ndodhën shumë gjatë këtij viti.

    Sipas Policisë, plot 104 qytetarë vdiqën në aksidente trafiku brenda një viti kalendarik. Andaj edhe ajo paralajmëron se do ketë masa më të rrepta, për siguri të përgjithshme.

    Sipas statistikave të përgjithshme, që nga viti 2002 e deri tash, plot 2930 qytetarë vdiqën në 2573 aksidente trafiku.

  • Mungon Konjufca e disa dëshmitarë, shtyhet seanca gjyqësore

    Mungon Konjufca e disa dëshmitarë, shtyhet seanca gjyqësore

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Salla qe gati, andaj në orën 10:00 pritej të niste seanca ndaj Glauk Konjufcës, i cili akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend në vitin 2016.

    E para erdhi avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri.

    Disa minuta më vonë arriti edhe dëshmitari Sabri Hamiti, i cili në kohën kur ka ndodhur vepra ishte nënkryetar i Kuvendit.

    Por, i akuzuari Konjufca nuk ishte prezent, e për fatin e tij nuk dihej gjë, derisa pas disa tentimeve, asistentët ia hapën telefonin avokates.

    “Sapo me njoftuan që Konjufca nuk e ka vendosë në agjendë seancën, meqë nuk ka pasë fesë të rregullt…”, tha Zeqiri.

    Kështu, gjykatësja mori vendim ta shtyjë seancën.

    “Meqenëse mungon i pandehuri dhe disa dëshmitarë: Pal Lekaj, Valdete Bajrami e Slobodan Petrovic…”, tha gjykatësja Edita Çanta.

    Por, me vendimin nuk u pajtua dëshmitari Sabri Hamiti.

    “Pse kam ardh? Unë dua të flas sot…”, tha Hamiti.

    Prokuroria akuzon Konjufcën për veprën penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe për veprën “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”. Sipas aktit akuzues, në seancën e 10 gushtit të 2016-ës, në cilësi të deputetit, Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, duke pamundësuar qëndrimin në sallë.

  • Sveçlës i dorëzohen 14 kërkesat e pjesëtarëve të policisë

    Sveçlës i dorëzohen 14 kërkesat e pjesëtarëve të policisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    14 kërkesat e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese dhe njësive të tjera, Sindikata e Policisë ia paraqiti të mërkurën ministrit të Brendshëm.

    Kreu i sindikatës, takimin me Xhelal Sveçlën e cilësoi konstruktiv dhe shpresëdhënës, por shtoi se kërkesat e parashtruara nuk mund të plotësohen menjëherë.

    “Është shumë normale që të gjitha këto kërkesa, edhe ne po deklarohemi që nuk mund të realizohen menjëherë. Mirëpo, ne kërkuam dhe u dakorduam bashkë me ministrin që në takimin e ardhshëm të vendosim se prioritete për të cilat kërkesa janë të mundshme që të realizohen për Policinë e Kosovës. Ka qenë një bisedë konstruktive dhe shpresëdhënëse, të gjitha këto kërkesa dhe pakënaqësitë të realizohen me dialog. Unë po shpresoj se kështu do të rrjedhë edhe situata në vazhdimësi dhe në takimin e ardhshëm do t’i vendosim prioritet për cilat kërkesa mund të realizohen tani e cila nuk munden”, tha kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri.

    Deklarime nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, pas takimit nuk pati, por paraprakisht në një konferencë për media, thanë se do t’i shqyrtojnë mundësitë se cilat kërkesa mund të realizohen e cilat jo.

    Teksa ky takim u mbajt pas dy protestave të mbajtura nga NJSI-ja, përmirësimi i kushteve të punës në përgjithësi, rritja e shtesave për rrezikshmëri, ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare dhe sigurimi jetësor janë disa prej kërkesave që sindikata i ka paraqitur.