ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani: Vrasjet e grave do të mund të parandaloheshin nëse institucionet do të vepronin shpejt

    ​Osmani: Vrasjet e grave do të mund të parandaloheshin nëse institucionet do të vepronin shpejt

    Gjatë periudhës janar-tetor, mbi 80 për qind të viktimave të dhunës kanë qenë gra. E sipas presidentes, Vjosa Osmani, këto vrasje kanë mundur të parandaloheshin nëse institucionet do të vepronin shpejt.

    Kështu deklaroi e para e vendit në takimin e radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, teksa foli për barazinë gjinore.

    Siç tha ajo, institucionet përgjegjëse duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.

    “Në takimin e fundit të këtij këshilli tema themelore ka qenë dhuna mbi bazë gjinore, që për fat të keq edhe në fund të vitit të kaluar kishe përfunduar me vrasje të grave. Njësoj ka ndodhur edhe këtë vit ku humbëm jetë të çmuara dhe kjo tregon se dhuna mbi bazë gjinore vazhdon të jetë një këmbanë alarmuese për të gjithë ne, si për institucionet ashtu edhe për shoqërinë tonë. Kishim rastin e Liridona Ademajt dhe raste tjera që janë shndërruar në tragjedi të ditëve tona, dhe ky ballafaqim me femicid që përsëri ndodhi gjatë 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës mbi baza gjinore tregon se ka rritje të dhunës në këtë aspekt. Është alarmuese kur kuptojmë se nga viti 2019 e tutje kemi pasur vazhdimisht rritje te rasteve të dhunës të raportuara në polici, ende nuk janë statistikat finale për vitin 2023, besoj se shumë shpejtë do dalin. Por, megjithatë siç shihet gjatë periudhës janar-tetor, mbi 80 për qind e viktimave të dhunës kanë qenë gra. Përgjegjësia padyshim se bie mbi kryerësin e veprës, por duhet të sigurohemi që të fuqizohen gjithë mekanizmat përgjegjës. Shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë ishin viktima të bashkëshortëve ose partnerëve të tyre kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershme të institucioneve përgjegjëse”, tha Osmani.

    Ajo apeloi përfshirjen e grave edhe në listat zgjedhore, por edhe në institucione publike.

    “Dua të shpreh pakënaqësinë time që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme i amandamentuar në Republikën e Kosovës nuk mori parasysh rekomandimet e këtij grupi, në mënyrë që edhe në lista por edhe në Kuvendin e Kosovës të ketë gra aq sa parashihet me ligjin për barazinë gjinore dhe këtu edhe njëherë për gjithë burrat e partive politike një inkurajim që kjo çështje të rregullohet sa më parë që të jetë e mundur”, shtoi Osmani.

  • ShBA-ja dhe Venezuela këmbejnë të burgosur

    ShBA-ja dhe Venezuela këmbejnë të burgosur

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës e liruan një aleat të ngushtë të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në këmbim të lirimit të 10 amerikanëve të burgosur në vendin e Amerikës Jugore dhe të kthimit të një të arratisuri të njohur si “Fat Leonard”, i cili është në qendër të një skandali të madh të ryshfetit, njoftoi të mërkurën administrata Biden.

    Kjo marrëveshje është lëvizja më e guximshme deri tani e administratës së presidentit Joe Biden për t’i përmirësuar marrëdhëniet me prodhuesin e madh të naftës.

    Lirimi më i madh i të burgosurve amerikanë në historinë e Venezuelës ndodhi disa javë pasi Shtëpia e Bardhë u pajtua për t’i pezulluar disa sanksione ndaj saj, pasi Maduro u zotua për të punuar për të mbajtur zgjedhje të drejta dhe të lira presidenciale më 2024.

    Maduro e festoi kthimin në shtëpi të Alex Saab, duke e cilësuar si “triumf të së vërtetës ndaj një fushate gënjeshtrash, kërcënimesh dhe torturash të udhëhequr nga SHBA-ja” ndaj një personi që ai e vlerëson si diplomat venezuelas të arrestuar jashtëligjshëm bazuar në një urdhërarrest amerikan.

    “President Biden, ne nuk do të jemi kolonia e askujt”, tha Maduro derisa ia organizoi Saabit një pritje prej heroi në pallatin presidencial.

    Lirimi i Saab, i cilësuar për kohë të gjatë nga Uashingtoni si financues i Maduros, është një lëshim i madh i SHBA-së për Maduron. Administrata e ish-presidentit Donald Trump e kishte mbajtur Saabin si trofe, duke i shpenzuar miliona dollarë për ta ndjekur biznesmenin e lindur në Kolumbi, në një pikë madje duke e dërguar një luftanije të marinës në bregdetin e Afrikës Perëndimore pas arrestimit të tij në Kape Verde për ta parandaluar arratisjen e tij të mundshme.

    Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi i Bidenit për ta liruar atë ishte i vështirë, por i nevojshëm, në mënyrë që amerikanët e burgosur të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

    “Këta njerëz kanë humbur shumë kohë të çmuar me më të dashurit e tyre, dhe familjet e tyre kanë vuajtur çdo ditë mungesën e tyre. Unë jam mirënjohës se vuajtjet e tyre kanë marrë fund”, tha presidenti Biden për amerikanët e liruar.

    Marrëveshja bëri, po ashtu, që të kthehet në paraburgim në SHBA edhe Leonard Glenn Francis, pronari malajzian i një kompanie të servisimit të anijeve, i cili është në qendër në njërin prej skandaleve më të mëdha të ryshfetit në historinë e Pentagonit.

    Në tetor, Shtëpia e Bardhë i lehtësoi sanksionet ndaj industrisë së naftës së Venezuelës, pas premtimeve nga Maduro se do të mundësonte zgjedhje të lira dhe të drejta më 2024, kur do të kërkojë t’i fitojë edhe gjashtë vjet pushtet në sundimin e tij dekadësh.

    Afati i fundit skadoi më 30 nëntor dhe Maduro nuk e ka hequr një ndalesë e cila nuk e ka lejuar kundërshtaren e tij kryesore, Maria Corina Machado, të garojë në zgjedhje./REL/

  • Shefi i ushtrisë zvicerane viziton sot Kosovën, takon komandantin e KFOR-it

    Shefi i ushtrisë zvicerane viziton sot Kosovën, takon komandantin e KFOR-it

    Më 21 dhe 22 dhjetor 2023, shefi i Forcave të Armatosura të Zvicrës, Komandanti i Korpusit Thomas Sussli, do të vizitojë trupat e dislokuara në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë në kuadër të ndërtimit të paqes ushtarake. Me këtë rast ai takohet edhe me komandantin e Forcës së Kosovës (KFOR).

    Gjatë vizitës së tij, siç njofton qeveria zvicerane, Shefi i Forcave të Armatosura synon të zhvillojë bisedime me Forcat e Armatosura të Zvicrës të dislokuara atje dhe të marrë një pasqyrë të përditësuar të shërbimeve të ndryshme të ofruara për KFOR-in.

    “Me këtë rast është planifikuar edhe një takim dypalësh me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash të Forcave të Armatosura të Turqisë. Në vitin 2023, misioni i Ushtrisë Zvicerane në KFOR u zgjat deri në fund të vitit 2026”, thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se kreu i ushtrisë do të udhëtojë në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë një ide mbi situatën në rajon. Atje ai do të takohet me pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Zvicrës që po marrin pjesë në misionin Althea të Forcave të Bashkimit Evropian (EUFOR).

    Shefi i Forcave të Armatosura do të shoqërohet nga Këshilltaret e Qeverisë Laura Dittli (ZG) dhe Kathrin Schweizer (BL) si dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura.

    “Ndërtimi i paqes ushtarake në shkallë ndërkombëtare është një nga tre misionet e Forcave të Armatosura të Zvicrës. Aktualisht, rreth 300 burra dhe gra të gradave të ndryshme në 19 vende po kontribuojnë për paqen”, u tha në fund të njoftimit.

  • Kurti me kritika për mosngritje të aktakuzave për sulmuesit në veri: 10 ligje janë ngujuar në Kushtetuese

    Kurti me kritika për mosngritje të aktakuzave për sulmuesit në veri: 10 ligje janë ngujuar në Kushtetuese

    Kryeministri Albin Kurti, tha se të arriturat e Qeverisë në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit janë të njohura si në Kosovës dhe në arenën ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online. Ai në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriu, shtoi se gjatë këtij viti janë mbyllur shumë rrugë kriminale e janë sekuestruat substanca narkotike.

    Kurti pati kritika sa i përket mosngritjes së aktakuzave ndaj paramilitarëve serbë për barrikadat dhe sulmet që kanë ndodhur në veri të vendit. Ai tha se brenda një viti mbi 10 ligje për reformë kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese.

    Madje tha se këto ligje janë ngujuar në këtë Gjykatën duke pamundësuar reformën në sistem.

    “Progresin ynë në luftimin e korrupsionit është vlerësuar edhe nga organizatat ndërkombëtare. Ka vetëm grupe të organizuara kriminale ata nuk kanë mbështetje në popull. Ajo çfarë me duhet të theksho se ka shumë informata për krimet vjet edhe sivjet”.

    “Ajo çfarë më duhet të theksoj është se ka shumë informata për krimet vjet dhe sivjet, vjet kur kishim barrikada paramilitare, sivjet kur kishim sulme paramilitare, por këto informata të shumta ndonëse janë shndërruar në hetime të shumta, nuk janë reflektuar në aktakuza të shumta”, është shprehur Kurti.

    “Kemi shumë pak aktakuza për krimet e panumërta të kryera ndaj qytetarëve, rendit tonë kushtetues e juridik, integritetit territorial dhe ligjit në Kosovë, si në vitin 2022 ashtu edhe në 2023”, ka shtuar ai.

    Sipas tij, edhe atëherë kur ka pasur arrestime dhe akuza, ka pasur lirime në arreste shtëpiake.

    “Ka pasur trajtim i cili nuk ka dekurajuar kriminelët. Në anën tjetër një sfidë si Qeveri që e kemi pasur, është fakti që reformat tona kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nga 16 nëntori i vitit 2022 deri më 2 nëntor të këtij viti, pra një vit minus dy javë, i kemi 10 ligje super të rëndësishme të reformës sonë me të cilin kemi marrë besimin e qytetarëve në shkurt të vitit 2021”.

    “Ne të gjithë e dimë, Kuvendi i Kosovës e ka komisionin parlamentar për legjislacion dhe të gjitha çështjet e ligjeve të cilat sponsorizohen nga Qeveria dhe pastaj votohen nga Kuvendi, trajtohen aty; mirëpo kemi një lloj aktivizmi të çuditshëm i cili na i vonon neve reformat dhe humbet kohen e çmuar të popullit të Kosovës”.

  • Ministri Sveçla: Gjendja në veri është përmirësuar dukshëm

    Ministri Sveçla: Gjendja në veri është përmirësuar dukshëm

    Ministri i Punëve të Brendshme (MPB) Xhelal Sveçla, tha se sfida më e madhe për këtë vit ka qenë ruajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe ruajtja e integritetit territorial në gjithë vendin, raporton Ekonomia Online.

    Madje tha se tejet sfiduese ka qenë shtrirja e sovranitetit në veriun e vendit pas sulmit të grupeve paramilitare atje dhe kulmi i këtyre sulmeve ka qenë ai i 24 shtatorit.

    Ai në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, shtoi se edhe dje nga një sulm është rrezikuar jeta e një polici.

    Sipas tij, së fundi situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm në veriun e vendit.

    “Atje institucionet e sigurisë janë ballafaquar me sulme ekstremiste, sulmi i 24 shtatorit u menaxhua mjaft mirë edhe pse humbëm heroin Afrim Bunjakun”.

    “Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovë është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është se një sulm kemi pasur edhe dje ku është rrezikuar jeta e një polici. Megjithatë situata e sigurisë atje është përmirësuar ndjeshëm”, tha ai.

  • Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës, dikush tentoi ta godasë me veturë

    Sulmohet një polic në veri të Mitrovicës, dikush tentoi ta godasë me veturë

    Një zyrtar policor është sulmuar të martën në veri të Mitrovicës.

    Policia ka njoftuar në raportin 24 orësh se zyrtari ka thënë se dikush ka tentuar ta godasë me veturë e më pas ka goditur veturën e tij.

    “Ankuesi ka informuar se deri sa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godas dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtar të Policisë”, thuhet në raport.

    Aty nuk jepen detaje tjera lidhur me sulmin që i është bërë zyrtarit policor.

  • Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha

    Pas votimit për heqjen e imunitetit, deklarohet Sali Berisha

    Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka folur nga ambientet jashtë sallës së Parlamentit për mediat, pasi me 75 vota pro, socialistët i hoqën këtë të enjte imunitetin duke i hapur rrugë arrestimit të tij nga Prokuroria e Posaçme.

    Votimin në Kuvend, Berisha e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike përballë atij që ai e konsideron një plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend.

    “Sot narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Parlamenti sot vazhdoi veprën që tentoi më datën 9 shtator dy vite më parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton ‘O sot o kurrë’ do t’i japë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie. Sot Parlamenti përfundoi në Parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot në parlament jo nga duart zyrtare por nga tunelet që lidhin Parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja e nisur vijon fuqishëm si kurrë më parë dhe ju garantoj se kjo opozitë do të qëndroj e pamposhtur në ruajtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha.

    Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij

  • Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij

    Kuvendi i Shqipërisë i heq imunitetin Sali Berishës – i hapet rruga arrestimit të tij

    Sali Berisha do të përballet me drejtësinë pa imunitetin e deputetit. Në më pak se 8 minuta, pa asnjë surprizë, me 75 votat e mazhorancës, Kuvendi i Shqipërisë miratoi heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit, pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK) për ashpërsim të masës së sigurisë ndaj tij, nga detyrim paraqitje në “Arrest me burg/shtëpie”, me akuzën për korrupsion pasiv.

    Ashtu siç e parashikonte rregullorja, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i dha fjalën Sali Berishës, por ky i fundit refuzoi. Ai kërkoi që të hiqej garda e Republikës nga Foltorja, mirëpo një kërkesë e tillë nuk u mor parasysh, e për pasojë ish-kryeministri zgjodhi të heshtë, raporton A2CNN.

    As protesta jashtë parlamentit dhe as kaosi i në seancën plenare, skenar i parë edhe në të kaluarën nga opozita, me karrige pirg në Foltore dhe flakadanë blu, nuk e ndalën mazhorancën që me fuqinë e kartonit t’i hiqnin imunitetin kryetarit të opozitës.

    Tashmë, pas këtij vendimi të Kuvendit, SPAK ka rrugë të lirë për t’i bërë kërkesë Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për llojin e masës së sigurisë, nëse do të jetë arrest shtëpie apo arrest me burg.

    Berisha akuzohet se ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Përgjatë gjithë retorikës së tij, ish-kryeministri ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si politike.

  • Osmani u kërkon qytetarëve t’i respektojnë rregullat e liberalizimit: Fokus sivjet ishte ruajtja dhe garantimi i sigurisë, shkak agresioni i Serbisë

    Osmani u kërkon qytetarëve t’i respektojnë rregullat e liberalizimit: Fokus sivjet ishte ruajtja dhe garantimi i sigurisë, shkak agresioni i Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të respektojnë rregullat që kanë të bëjnë më liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

    E para e vendit në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, tha se fokusi në këtë vit e sidomos në pjesën e dytë të vitit ka qenë ruajtja dhe garantimi i sigurisë në vend për shkak të agresionit të Serbisë.

    Ajo ka thënë se Kosova ka pasur arritje në këtë vit, duke përmendur rangimin në disa fusha. Po ashtu ka përmendur edhe aplikimin në Këshill të Evropës dhe kalimin në fazën e parë në këtë rast. E para e endnit tha se dhe aplikimi për statusin e kandidatit për BE.

    “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë rregullat që janë pjesë e këtij sistemi të liberalizimit të vizave”.

    “Siç e dini fokusi gjatë këtij viti ka qenë tekë ruajtja dhe garantim i sigurisë në vend për shkak të sfidave që paraqiten nga fqinji jonë Serbia. Në takimin e fundit të këtij Këshilli tema ka qenë dhuna në baza gjinore. Dhuna vazhdon që të jetë një kambanë alarmuese, kishim rastin e Liridona Admejat që janë shndërruar në tragjedi”.

    “Viti përpara kërkon koordinim të vazhdueshëm institucional dhe veprime të mëtejme konkrete me qëllim të arritjes së objektivave dhe shënimit të sukseseve të fusha të ndryshme të cilat ua kemi borxh qytetarëve tanë”.

    Ajo tha se gjatë periudhës janar-tetor mbi 80 për qind e rasteve të dhunës kanë qenë gra, sipas saj, shumica dërmuese e rasteve që kanë ndodhur kanë mundur që të parandaloheshin nëse do të kishte veprim të menjëhershme të institucioneve, rapton EO.

    “Siç shihet gjatë periudhës janar-tetor mbi 80 për qind gra, duhet të sigurohem që të fuqizohen të gjitha mekanizmat përgjegjës. Shumica dërmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershëm të institucioneve.”

    “Me lejoni që ta shpreh pakënaqësinë time që ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk mori parasysh rekomandimet e këtij grupi”, tha ajo.

  • Arrestohet e dyshuara që kërcënoi një grua në Prishtinë

    Arrestohet e dyshuara që kërcënoi një grua në Prishtinë

    Policia njoftoi se ka arrestuar një grua në Prishtinë, nën dyshimin se ajo kishte kanosur një grua tjetër.

    “Prishtinë 20.12.2023-11:10.Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që dyshohet se e kishte kanosur viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit kujdestar, e dyshuara është dërguar në qendrën e mbajtjes.