ATV

Category: Lajme

  • Hamasi refuzon të lirojë prapë pengje derisa Izraeli të pranojë t’i jep fund luftës

    Hamasi refuzon të lirojë prapë pengje derisa Izraeli të pranojë t’i jep fund luftës

    Hamasi thotë se grupet palestineze kanë kundërshtuar mundësinë e lirimeve të mëtejshme të pengjeve derisa Izraeli të pranojë t’i jep fund luftës në Gaza.

    Në një deklaratë në gjuhën arabe të shpërndarë në Telegram, Hamasi tha: “Ekziston një vendim kombëtar palestinez që nuk duhet të flitet për të burgosur apo marrëveshje shkëmbimi, përveç pas një ndërprerjeje gjithëpërfshirëse të agresionit”.

    Është e paqartë se cilat fraksione të tjera palestineze i referohet deklarata. Xhihadi Islamik, një grup më i vogël në Rripin e Gazës, po mban gjithashtu pengje izraelite.

    Negociatat për arritjen e një armëpushimi të ri po zhvillohen aktualisht në Kajro, Egjipt, megjithëse bisedimet fillestare të mërkurën nuk dhanë rezultat, me Hamasin që thuhet se tha se nuk do të pajtohej me një pauzë tjetër të përkohshme të luftimeve.

    Gjatë një armëpushimi gjashtëditorë në fund të nëntorit, 105 pengje izraelite u liruan në këmbim të palestinezëve të mbajtur në burgje. Rreth 120 pengje izraelite besohet se janë ende në robëri.

    Izraeli ka refuzuar në mënyrë të përsëritur një armëpushim të përhershëm me Hamasin, me ministrin e sigurisë kombëtare Itamar Ben Gvir duke thënë në një postim në X, se ndalimi i forcave izraelite përpara se Hamasi të mposhtet dhe të gjitha pengjet të kthehen do të përbënte një “dështim”. /AA

  • Rregullorja e KPM-së: Të gjitha programet “Reality show” ku bën pjesë edhe “Big Brother”, duhet të kodohen

    Rregullorja e KPM-së: Të gjitha programet “Reality show” ku bën pjesë edhe “Big Brother”, duhet të kodohen

    Emisionet “Reality show” do të mund të shikohen në platformat televizive vetëm nëse e dini kodin sikurse ndodh me filmat për të rritur.

    Ky vendim është marrë sot nga Komisioni i Pavarur i Mediave ku është miratuar ndryshimi i Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audio dhe audiovizuele, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti ka thënë se është bërë vetëm plotësim ndryshimi i rregullores me qëllim të mbrohen fëmijët nga përmbajtjet që ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor e moral.

    Ai ka thënë se tashmë edhe bërë përkufizimi i qartë edhe se çka është dhuna si dhe janë bërë kategorizimi se cilat programe janë të përshtatshme për fëmijë e cilat jo.

    “Mbrojtja e fëmijëve nga zhanret e reja televizive të emëruara si “reality show”. Mund të ndikojnë në gjuhën e tyre, sjelljet e tyre. Të gjitha programet “reality show” duhet të jenë të koduara”, ka thënë Mehmeti, në mbledhjen e 12-të të KPM-së.

    Ai ka thënë se besojhnë se programet e tilla mund të minimizojnë çfarëdo ndikimi negativisht që mund të kenë te fëmijët.

    Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha ka thënë se rregullorja është shume e avancuar dhe do t’i mbrojë fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme.

    “Të zbatohen në përpikëmëri që të mbrohet interesi publik”.

  • Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave për kultivim të hashashit

    Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave për kultivim të hashashit

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të tre pandehurve me inicialet I.S., R.K dhe N.F.

    Dy të pandehurit e parë I.S., R.K., në bashkëkryerje edhe me të pandehurit e tjerë D.S., V.R dhe M.D., të cilët gjenden në arrati, pa autorizim kanë filluar të kultivojnë substancën narkotike të llojit kanabis në laboratorët e improvizuara.

    Me këtë të pandehurit I.S., R.K., në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit. Ndërsa, i pandehuri I.S. akuzohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    I pandehuri N.F., akuzohet se ka kryer veprën penale moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.

  • Çohu: 44% e qytetarëve mendojnë se liderët e partive janë të korruptuar, 40% ministrat e 39.5% deputetët

    Çohu: 44% e qytetarëve mendojnë se liderët e partive janë të korruptuar, 40% ministrat e 39.5% deputetët

    Organizata “Çohu”, ka prezantuar të gjeturat e Raportit për Vlerësimin e Korrupsionit në Kosovë për vitin 2023, raporton Ekonomia Online.

    Arton Demhasaj, drejtor i Organizatës “Çohu”, tha se raporti i vlerësimit të korrupsionit, qëndron mbi hulumtimin e perceptimit të qytetarëve mbi korrupsionin, i cili hulumtim është realizuar gjatë muajve korrik dhe gusht, 2023, në të cilin kanë marrë pjesë 1001 qytetarë nga të gjitha komunat e Kosovës.

    Sipas të dhënave del se 50% e qytetarëve mendojnë se shumica e zyrtarëve janë të përfshirën në korrupsion.

    44.1% e tyre i shohin si të korruptuar liderët e partive, 40% e ministrat kurse 39.5% tyre thonë se deputetëve janë pjesë e korrupsionit.

    47.4% e qytetareve mendojnë se disa prej gazetarët janë të përfshirë në korrupsion. 39.5% mendojnë se edhe mësimdhënësit janë të përfshirë në këtë dukuri.

    Përderisa thonë se 37.5% e zyrtarëve të sistemit të drejtësisë janë të korruptuar.

    Sipas tij, të gjeturat e hulumtimit të prezantuar reflektojnë një pasqyrë shumëdimensionale të perceptimit të qytetarëve lidhur me korrupsionin në sektorin publik, ku është vërejtur një shkallë e gjerë e perceptimit të qytetarëve për prezencën e korrupsionit në nivele politike dhe administrative, në sektorin e drejtësisë, komunave, sektorin shëndetësor, ATK-së dhe Doganave, etj.

    Megjithëse sipas tij, në nivelin e përgjithshëm të trendit të korrupsionit, Raporti e kanë nxjerrë Kosovën në pozitën më të mirë në rajon, krahasuar me vendet ku është realizuar matja e ngjashme nga partnerët implementues të projektit, si Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Bosnja dhe Shqipëria.

    “Hulumtimi ka nxjerrë edhe vlerësime lidhur me preferencat e qytetarëve të Kosovës në raport me vendet partnere, ku ShBA-të, Bashkimi Evropian dhe NATO vazhdojnë të jenë në krye të këtyre preferencave, njëkohësisht edhe vlerësime për ndikimet rajonale e globale në vend, përfshirë edhe perceptimet për rolin e Rusisë dhe Kinës në zhvillimet që reflektojnë në Kosovë”.

    Ai ka sqaruar se hulumtimi po ashtu ka nxjerrë të dhënat për nivelin e shikueshmërisë së televizioneve që transmetohen në nivel vendi, ku prijnë mediumet si Klan Kosova, RTK, RTV 21, RTV Dukagjini, KTV, ATV, T7, Kanal 10 dhe Tëvë1.

    “Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit rajonal të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të implementuar nga organizatat partnere në shtatë vende të Ballkanit në kuadër të Rrjetit Rajonal SELDI”.

  • Vrasja e gruas italiane shtatzënë nga 41-vjeçari kosovar, gazetarja jep detaje shokuese

    Vrasja e gruas italiane shtatzënë nga 41-vjeçari kosovar, gazetarja jep detaje shokuese

    Bujar Fandaj, 41-vjeçar me prejardhje nga Kosova është arrestuar në Itali pasi dyshohet se ka vrarë në banesën e saj 27-vjeçaren, Vanessa Ballan. Sipas mediave në Itali, e reja dyshohet se u godit të paktën shtatë herë me thikë, në kraharor dhe në duar.

    Lidhur me këtë ngjarje, ka folur nga Roma gazetarja shqiptare, Alba Alimehmeti-Kepi, për emisionin “A LIVE” në ATV.

    Ajo ka dhënë detaje, duke treguar se pas arrestimit, i dyshuari për vrasjen, Bujar Fandaj, nuk ka deklaruar asgjë, as për prokurorët dhe as për avokatët.

    “Sapo kanë folur dy avokatet të cilat kanë marrë përsipër mbrojtjen e Bujar 41-vjeçarit nga Kosova. Ato kanë thënë se ai është i lodhur, konfuz dhe nuk ka deklaruar asgjë as përpara prokurorëve as për avokatët, se çfarë ka ndodhur. Pra që nga nga momenti i arrestimit e deri më tani, ai nuk ka dhënë asnjë detaje lidhur me këtë vrasje, motiv apo edhe gjithçka tjetër se çfarë ka ndodhur. Nesër nga ora 09:00, do të nisë autopsia mbi trupin e viktimës 27-vjeçarës italiane e cila punonte si kasiere në një supermarket”, deklaroi gazetarja shqiptare.

    Tutje, ajo tregoi se viktima përderisa ishte e martuar ajo ishte në lidhje me të dyshuarin, Bujar Fandaj.

    “Këtu flitet se ajo ka qenë në një lidhje paralele, pra derisa ka qenw e martuar ka pasur një lidhje edhe me të dyshuarin, dhe kur ajo dhe Bujari ishin ndarë në muajin gusht të këtij viti, ai nuk e ka pranuar ndarjen dhe e ka përcjellë atë kudo, për çka ajo e kishte denoncuar Bujarin në Polici”, tha ajo.

    Alba përmendi se 41-vjeçari kosovar akuzohet për vrasje me paramendim, duke shtuar se Bujar Fandaj po ashtu e kishte dhunuar fizikisht 27-vjeçaren para se ta vriste atë, duke e goditur me grushte./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ​Shpallet i pafajshëm pasi kaloi gati 50 vjet në burg për vrasje që nuk e kishte kryer

    ​Shpallet i pafajshëm pasi kaloi gati 50 vjet në burg për vrasje që nuk e kishte kryer

    Një burrë që kaloi gati 50 vjet burg për vrasje është shfajësuar nga një gjykatës – duke u bërë i burgosuri që ka qenë i burgosur për kohën më të gjatë i cili pastaj shpallet i pafajshëm për një krim.

    Glynn Simmons, 71 vjeç, u lirua në korrik pasi prokurorët ranë dakord që provat kryesore në rastin e tij nuk iu dorëzuan avokatëve të tij mbrojtës.

    Gjyqtarja e qarkut të Oklahomas, Amy Palumbo e shpalli atë të pafajshëm të martën.

    “Kjo gjykatë konstaton me prova të qarta dhe bindëse se vepra për të cilën z. Simmons u dënua dhe u burgos… nuk është kryer nga z. Simmons”, thuhet në vendim.

    Z. Simmons tani ka të drejtë për deri në 175.000 dollarë si kompensim nga shteti për dënim të gabuar.

    Vendimi gjithashtu hap derën për një padi federale kundër Oklahoma City dhe zbatimit të ligjit të përfshirë në arrestimin dhe dënimin e Simmons, tha të mërkurën avokati mbrojtës Joe Norwood.

    Z. Simmons aktualisht po jeton me donacione ndërsa po trajtohej për kancerin që u zbulua pas lirimit të tij nga burgu.

    Z. Simmons kreu 48 vjet, një muaj e 18 ditë burg pas dënimit të tij, duke e bërë atë të burgosurin për kohën më të gjatë në SHBA që u shfajësua, sipas të dhënave të mbajtura nga Regjistri Kombëtar i Shfajësimeve.

    Ai e kishte mbrojtur gjithmonë pafajësinë e tij, duke thënë se ishte në Luiziana në kohën kur Carolyn Sue Rogers u vra brenda një dyqani pijesh alkoolike Edmond në 1974.

    Z. Simmons dhe i bashkëpandehuri Don Roberts u dënuan të dy në vitin 1975 për vrasjen dhe fillimisht u dënuan me vdekje.

    Dënimet e tyre u reduktuan në burgim të përjetshëm në vitin 1977 pas vendimeve të Gjykatës së Lartë të SHBA në lidhje me dënimin me vdekje.

    Roberts u lirua me kusht në vitin 2008.

  • Kurti e Nagavci inaugurojnë dy fakultete në Universitetin “Ukshin Hoti” – s’pati investime që nga vitet e 70-ta

    Kurti e Nagavci inaugurojnë dy fakultete në Universitetin “Ukshin Hoti” – s’pati investime që nga vitet e 70-ta

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë bërë inaugurimin e objektit të ri të Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit të Filologjisë në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, raporton Ekonomia Online.

    Nga aty, kryeministri Albin Kurti tha se ky Universitet nuk ka pasur investime që nga vitet e 70-ta.

    “Mësova se në këtë ndërtesë nuk kishte pasur investime që nga vitet e 70-ta. Pra gjysmë shekulli mungesë investimi dhe tash po e inaugurojmë investimin që shkon mbi gjysmë milioni euro. Pas këtyre investimeve, me infrastrukturë të re, me rrjetin e ri elektrik, me rrjetin e ri të internetit me salla të reja për profesorë, unë uroj që ky fakultet të vazhdojë dhe ta ngrisë atmosferën e re të punës dhe studimit”.

    “Universiteti juaj dhe i yni që na ka bërë bashkë këtu mban emrin Universiteti i Prizrenit ‘Ukshin Hoti’. Emrin e profesorit të filozofisë dhe aktivistit të shquar me origjinë prej këtyre anëve Ukshin Hotit, të cilin më vërtetë nuk e kemi mes nesh më fizikisht që nga maji i vitit 1999 kur policia serbe e zhduki nga burgu i Dubravës, por frymën e tij patriotike në tekst të shkruar dhe në të vepruar, e kemi më së miri të fiksuar në Universitet”.

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se janë ndarë 250 mijë euro për renovimin e objektit të këtij Universiteti. Kjo tha ajo po bëhet me synim të përmirësimit të cilësisë në arsim.

    “Qeveria e Kosovës, konkretisht MAShTI, zotimet i ka të shenjta dhe jemi këtu për t’i përmirësuar kushtet në arsim. Ky është një nga nismat tona për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës në arsim”.

    “Për Universitetin tuaj janë ndarë edhe 250 mijë euro për renovimin e këtij objekti. Duke e ditur që këtu nuk ka pasur investime që nga vitet 70-ta, kjo ngjarje e bën edhe në historike”, tha Nagavci, teksa përmendi edhe krijimin e kushteve për studentët me aftësi të kufizuara.

    E rektori i Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, tha se prezenca e zyrtarëve qeveritarë tha se është dëshmi e përkushtimit për përmirësimin e infrastrukturës, raporton EO.

    “Vetë prezenca e kryeministrit dhe ministres simbolizon qartë vëmendjen institucionale. Rëndësia e infrastrukturës është jetike për përmirësimin e arsimit në vend”.

    “Biblioteka të pastra, ambiente të pastra dhe kabinetet të pasuruara. Ky objekt i sapo rinovuar njihet për multi-funksional, ku operojnë shumë njësi”, tha ai.

  • Basha pro arrestimit të Berishës: Të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut

    Basha pro arrestimit të Berishës: Të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut

    Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pasi Parlamenti i dha autorizim SPAK-ut për arrestimin e deputetit Sali Berisha.

    “Deputetët e PD-së mbeten të vendosur në mbështetjen e SPAK-ut dhe heqjen e imunitetit të çdo personi që është kërkuar nga drejtësia. Ky është standard i vendosur dhe do të ndiqet gjithmonë nga PD dhe deputetët e saj. Mosfunksionimi normal i seancave parlamentare pamundësoi sot pjesëmarrjen dhe votimin e grupit parlamentar të PD pro heqjes së imunitetit për deputetin Sali Berisha”.

    “Deputetët e PD-së nuk do të bëhen kurrë pjesë e skenarëve të përgatitura nga Edi Rama dhe Sali Berisha për t’i përdorur si argument për t’i ikur drejtësisë. Ata bënë gjithçka për të bllokuar dhe defunksionalizuar drejtësinë por nuk ia dolën”, tha Basha mes tjerash, raporton Tch.

    “PD është e vendosur në mbështetjen ndaj SPAK-ut dhe hetimeve të thella, të drejta dhe të paanshme për të gjithë ata qeveritarë apo ish-qeveritarë që kanë shpërdoruar besimin e shqiptarëve dhe përvetësuar pasuritë e tyre. Çdo lloj aleance e dukshme e kullave, apo e padukshme për t’i bërë bisht drejtësisë nuk do mund ta mbajë peng PD-në dhe misionin e saj për t’i dhënë shqiptarëve normalitetin, sigurinë dhe mirëqenien që meritojnë”, thuhet në deklaratën e Lulzim Bashës.

  • Gërvalla: Përfaqësues të disa shteteve janë të befasuar me punën tonë në veri

    Gërvalla: Përfaqësues të disa shteteve janë të befasuar me punën tonë në veri

    Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz tha se institucionet e sigurisë janë dukë bërë punë të mirë në veri të vendit, për çfarë shtoi se me punën e tyre janë befasuar edhe të tjerët që kanë vizituar atë pjesë.

    Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ajo tha se përfaqësuesit e disa shteteve që kanë vizituar Kosovën janë shprehur të habitur se sa të pranishme janë institucionet e sigurisë në veri.

    “Dua ta ndaj me ju një përshtypje që ma kanë shfaqur shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë vizituar Kosovën edhe veriun gjatë muajve të fundit, e të cilët kanë shprehur një farë habie se sa, jo vetëm të pranishme por edhe sa të pranueshme janë institucionet tona të sigurisë në veri. Pritjet e tyre kur vinë në Kosovë janë që kanë një refuzim, që qytetarët serbë të Kosovës e shohin praninë e institucioneve tona si të sigurisë dhe të drejtësisë si të pa dëshirueshme, ndërsa eksperienca që kanë këtë njerëz që kanë më veri është krejt e kundërta e asaj. Pa dashur që të jem naive dhe të neglizhojë problemet e shumta që kemi. Por ka edhe një ndryshim edhe në perceptimin e qytetarëve edhe transmetimin e përshtypjeve të tyre sidomos pas 24 shtatorit”, tha Gërvalla.

    Mes tjerash, ajo tha se nevojitet një koalicion mbarëshoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

    “Dua të jem shumë transparente, na nevojitet një koalicion mbarë shoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave”, shtoi ajo.

  • Ministrja Haxhiu kritikon Gjykatën Kushtetuese për vonesa në trajtimin e ligjeve

    Ministrja Haxhiu kritikon Gjykatën Kushtetuese për vonesa në trajtimin e ligjeve

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për mosrespektim të afatit kohor për t’i trajtuar ligjet që po dërgohen në këtë Gjykatë.

    Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ajo tha se vettingu i cili është ndër reformat kryesore është në pritje qe 10 muaj për mendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Sa i përket çështjes së sundimit të ligjit ne kemi ndërmarrë disa veprime, në këtë rast fatkeqësisht vettingu në sistemin e drejtësisë, që është një nga reformat kryesore ende pret për mendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese e ka me ligj dy muaj afatin për t’i trajtuar ligjet që kontestohen nga Kuvendi i Kosovës. Por në ligjet e ndjeshme dhe as një ligj tjetër gjykata nuk e respekton këtë afat kohor. Pra dy muaj e ka me ligj në anën tjetër për vettingun e presim që 10 muaj, për byron për konfiskimin e pasurisë po ashtu presim që 10 muaj, Këshillin Prokurorial e ka shpallur të pa vlefshëm dhe e kemi pritur 9 muaj. Kjo tregon që Gjykata Kushtetuese nuk është në ndjeshmërinë e njëjtë siç janë qytetarët e Kosovës të cilët mezi presin jetësimin e këtyre formave”, tha ajo.

    Ndërkaq, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se deri më tani vetëm 20 për qind e rekomandimeve nga ky institucion janë zbatuar, ndërsa janë në pritje të zbatimit për 80 për qind të rekomandimeve tjera.

    Ai tha se ka një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritetet dhe institucionet e vendit.

    “Këtë vit të dhënat nuk janë edhe shumë inkurajuese, megjithatë jemi akoma herët për me ardhë në një përfundim. Deri më tani 20 për qind të rekomandimeve të avokatit të popullit janë zbatuar, 80 për qind e rekomandimeve janë në pritje të zbatimit. Pra, kemi një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritet dhe institucionet e vendit. Nëse rekomandimet e Avokatit të Popullit prekin gjitha sferat e drejtave të njeriut dhe pasqyrojnë vet gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, besoj se është përgjegjësi e gjitha autoriteteve që zbatimin e rekomandimeve të avokatit të popullit ta kenë prioritet”, tha Qelaj.