ATV

Category: Lajme

  • Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

    Stoltenberg: Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë

    Rusia e ka “humbur Ukrainën përgjithmonë” dhe nuk do të jetë në gjendje të arrijë qëllimet e saj të luftës, pavarësisht përpjekjeve masive ushtarake që ka bërë që kur pushtoi vendin shkurtin e kaluar, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    “I gjithë qëllimi i këtij pushtimi ishte të parandalonte Ukrainën të bashkohej me NATO-n dhe Bashkimit Europian. Ukraina tani është më afër se kurrë me NATO-n dhe Bashkimin Europian”, theksoi ai.

    “Kjo është një humbje e madhe strategjike për Rusinë. Presidenti Putin e ka humbur Ukrainën përgjithmonë,” shtoi ai, duke iu referuar faktit se Rusia e ka konsideruar Ukrainën pjesë të sferës së saj të influencës për dekada.

    Stoltenberg refuzoi të komentojë perspektivën e një mandati të dytë për Donald Trump si president i SHBA-së, pasi ish-presidenti aktualisht kryeson pjesën tjetër të kandidatëve republikanë në sondazhet për nominimin e partisë. ndërsa ka mbetur më pak se një vit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

    Gjatë mandatit të Trump si president i SHBA-së, tensionet me NATO-n janë rritur, veçanërisht për shpenzimet e mbrojtjes.

    “Jam i bindur se kushdo që zgjidhet president, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit transatlantik”, përfundoi Stoltenberg.

  • BBC: Sulmuesi që kreu dje sulmin në Çeki, ka vrarë veten

    BBC: Sulmuesi që kreu dje sulmin në Çeki, ka vrarë veten

    Policia çeke bëri të ditur se sulmuesi që vrau 14 persona dje në universitetin e Pragës kreu vetëvrasje.

    Një zyrtar policor tha se sulmuesi vrau veten pasi pa policinë që e rrethonte “nga të gjitha anët”, raporton BBC.

    Siç ka thënë ai, kjo ka ndodhur rreth orës 15:19 me orën lokale.

    BBC raporton se 25 persona të tjerë u plagosën në sulmin kur një student hapi zjarr në kryeqytet

    Të shtënat filluan rreth orës 15:00 me orën lokale (14:00 GMT) në ndërtesën e Fakultetit të Arteve të Universitetit Charles. Besohet se sulmuesi D.K. (24) ka vrarë babanë e tij në një vend tjetër.

  • E rëndë: Vdes 27-vjeçari në QKUK, u rrëzua nga lartësia

    E rëndë: Vdes 27-vjeçari në QKUK, u rrëzua nga lartësia

    Punëtori i kompanisë “N.N.T Çlirimi” që u rrëzua të enjten nga një lartësi prej disa metrash dhe për pasojë mori lëndime të rënda, ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë. Përkundër intervenimeve të mjekëve, 27-vjeçari nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve dhe vdiq.

    Posa Policia është njoftuar për rastin, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku është tërhequr trupi i pajetë, për t’u dërguar në IML për obduksion.

    Sinjali mbrëmë raportoi se lidhur me këtë rast, tashmë është arrestuar menaxheri i kompanisë, Avdullah Xhema.

    Xhema është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Rasti ka ndodhur në punishten e kompanisë “Dijari Estate” që e kishte nënkontraktuar kompaninë “Çlirimi” për të kryer punime.

    Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit është iniciuar hetimi për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

  • “Isha vetëm një kat më poshtë ku ndodhi sulmi”, ligjëruesja shqiptare rrëfen tmerrin e sulmit në Pragë

    “Isha vetëm një kat më poshtë ku ndodhi sulmi”, ligjëruesja shqiptare rrëfen tmerrin e sulmit në Pragë

    Të paktën 14 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë. Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi.

    Shqiptarja Sidorela Kalemi, ligjëruese në këtë universitet, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tregoi se në momentin kur ndodhi sulmi, ajo ndodhej vetëm një kat më poshtë.

    “Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, unë kam qenë brenda godinës ku kam dhënë mësim, por për fatin tim të mirë kam qenë një kat më poshtë, ngjarja është zhvilluar në katin e katër, unë kam qenë në katin e tretë dhe diku kah ora 3:00 kemi dëgjuar një të shtënë arme, por nuk po bënim dot lidhjen nëse kjo e shtënë ishte jashtë apo ishte brenda godinës sonë edhe pse për të vrojtuar dola në dritare dhe pashë njerëz të cilët po vraponin. Në momentin e parë mendova që kjo ngjarje nuk ishte në fakultet, por më pas filluam dëgjuam të shtëna të tjera brenda godinës, të bërtiturat e studentëve dhe ndërkohë edhe zhurmat e tavolinave dhe karrigeve që më vonë besoj ashtu siç edhe unë me studentët që isha në dhomë, mbyllëm dyert, për të mundësuar edhe izolimin e dhomave”, tha Kalemi.

    Ajo tregoi se autori i sulmit ka qenë student i historisë në këtë universitet, ndërsa motivet vazhdojnë të jenë ende të paqarta.

    “Me thënë të drejtën, askush në këto momente nuk po merret me motivet ekzakte, por po merren më saktësisht me gjendjen tonë psikologjike, por edhe fizike të personave të cilët janë të dëmtuar dhe një numër i tyre janë detyruar që të lënë të gjitha sendet e tyre personale në fakultet dhe është pak e vështirë edhe lidhja që kanë tashmë me familjarët. Për sa i përket motiveve, nuk është se dihet ndonjë informacion i saktë se pse mund të ketë ndodhur kjo gjë”, tregoi Kalemi.

    Ligjëruesja Kalemi rrëfen se në momentin e sulmit, së bashku me studentin e huaj që kishin qenë në zyrë kishin qëndruar për një kohë të konsiderueshme të mbyllur deri në momentin kur kishte
    ardhur policia.

    “Ne kemi qëndruar një kohë të konsiderueshme sepse nuk dinim, nuk dëgjonim trokitje dyersh dhe në dyert tona dhe nuk dinim nëse ishte policia ose edhe dikush sepse shumë studentë kanë kaluar nga dritarja siç i kemi parë dhe kjo na ka bërë të frikësuar sepse nuk kuptonim nëse ishin studentë të tmerruar apo ishte ndonjëri nga studentët që po kryente këtë lloj gjëje, por në momentin që kjo gjë ka përfunduar, policia ka shpërthyer dyert e zyrave ku ishim dhe na ka evakuuar në një vend tjetër. Pasi na u dha ndihma sigurisht, aty u ndamë në personat të cilët e kishin parë ngjarjen dhe studentët të cilët ishin në hapësira të caktuara të fakultetit. Në momentin që ngjarja ka ndodhur, në zyrën në të cilën unë japë leksionet e mia, kam qenë me një student të huaj nga Danimarka, i cili studion për gjuhën shqipe dhe realisht ka qenë tepër vështirë sepse edhe vet studenti pati një gjendje paniku, u transferua tek mua dhe veprimi i tij paraprak ishte i menjëhershëm drejt dritares për shkak se dritaret në pjesën e tyre të jashtë kanë një bordurë goxha të gjerë edhe kjo ishte gjëja kryesore që ne menduam paraprakisht për të bërë, por më pas u strehuam poshtë tavolinave të punës”, rrëfeu Kalemi.

    Mënyra se si personi kishte arritur të futej me armatim në objekt, sipas saj është ende se e paqartë, mirëpo ajo beson se pasi ky ka qenë student, kjo e ka bërë me të lehtë për të që të futet në godinë më me lehtësi.

    Kalemi tregon se autoritetet janë duke u marrë me identifikimin e studentëve të cilët janë lënduar dhe gjenden nëpër spitale të ndryshme.

    “Dimë që një numër i konsiderueshëm janë nëpër spitale, një pjesë e tyre sigurisht që është edhe me plagë shumë të rënda, por për momentin më tepër jemi duke u marrë me gjithë gjetjen e personave, në cilat spitale janë dërguar sepse ka mungesë informacioni, duke qenë se sendet personale si telefonat apo mjetet e identifikimit janë lënë pas”, tha ajo. /atvlive.tv

  • Holanda do t’ia japë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16

    Holanda do t’ia japë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16

    Holanda do t’ia dërgojë Ukrainës 18 avionë luftarakë F-16, për t’i ndihmuar në betejën kundër pushtimit rus, ka njoftuar qeveria holandeze, të premten.

    “Sot kam informuar presidentin [e Ukrainës, Volodymyr] Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur 18 avionët e parë luftarakë F-16 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Mark Rutte, nëpërmjet një shkrimi në platformën sociale X, e njohur më parë si Twitter.

    “Dërgimi i F-16-shave është një ndër elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të arritura për mbështetje ushtarake për Ukrainën”, është shprehur ai.

    Dërgimi i avionëve luftarakë ende varet nga aprovimi për eksportim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, dhe nga përmbushja e kritereve për stafin dhe infrastrukturën në Ukrainë, ka shtuar Rutte, pa përmendur afate për këto vendime, raporton Reuters.

    Por, njoftimi i ndihmës ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe njerëzve për përgatitjen e avionëve për dërgim, ka thënë qeveria holandeze.

    “Kam folur me Mark Rutten për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për të filluar përgatitjen e 18 avionëve të parë F-18 për dërgim në Ukrainë”, ka thënë presidenti ukrainas, Zelensky, në X.

    Holanda ka dërguar F-16-shin e parë, prodhim amerikan, në një qendër të re trajnimi për pilotët dhe stafin ukrainas, në Rumani, muajin e kaluar.

    Danimarka, Norvegjia dhe Belgjika, po ashtu, kanë njoftuar se do t’i japin Ukrainës avionë F-16, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara ka aprovuar dërgimin e tyre që Kievi të mbrohet kundër Moskës, sapo të jetë përfunduar trajnimi i pilotëve.

    Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

    Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Çitaku komenton 7 pikat e Kurtit: S’po e marrin seriozisht ndërkombëtarët

    Çitaku komenton 7 pikat e Kurtit: S’po e marrin seriozisht ndërkombëtarët

    Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili renditi shtatë pika përmes së cilave synon “normalizimin e Marrëdhënieve drejt vitit 2024” me Serbinë. Kurti për nxjerrjen e këtyre pikave u nxit nga deklaratat e fundit të emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

    Çitaku tha se kjo mënyrë e hartimit të kushteve e të cilat s’po merren parasysh nga ndërmjetësit e bën Kurtin “palaço”.

    “Kryeministri Kurti i paska postu edhe nja 7 pika të reja: janë joserioze! Në fakt, ai vetë është joserioz. Një palaço jo-qesharak”, ka shkruar Çitaku.

    Ajo tha se kryeministrin “s’po e merr askush seriozisht”, derisa tha se ai është vonuar dhe se për këtë qytetarët e Kosovës po i vuajnë pasojat.

    Postimi i plotë:

    Kryeministri Kurti i paska postu edhe nja 7 pika të reja: janë joserioze!

    Në fakt, ai vet është joserioz. Një palaço jo-qesharak. Qe një kronologji:

    1. Për 6-7 vjet, Albin Kurti ka përdorur dhunë kundër çfarëdo marrëveshje të ndihmuar nga aleatët, duke mos kursyer asgjë dhe askënd: Është derdhur edhe gjak nëpër rrugë, janë hedhur bomba, gaz lotsjellës dhe është thirrur në luftë vëllavrasëse.
    2. Pas ardhjes në pushtet, tash Albin Kurti thotë që nuk e ka prioritet dialogun, dhe zbulon formula të ndryshme, përfshi “pesë kushte”, “tre principe”, “gjashtë pika” dhe zbulime të tjera të cilat janë harruar ca ditë më pas, ngase askush s’i ka marrë seriozisht – madje as ai.
    3. Për dy vjet aleatët perëndimorë dhe qytetarët e presin Kryeministrin Kurti të marrë vendim dhe t’i japë drejtim dialogut, i cili ka pasur synim njohjen e ndërsjellë. E vonon procesin dhe krijon drama të përditshme, duke reduktuar dialogun në çështje teknike.
    4. Pasi që përlahet me Lajçak, Borrell dhe gjysmën tjetër të botës, e si pasojë Kosovës i sjell edhe sanksione ndërkombëtare të cilat ende janë në fuqi, në një aksham pazar, pa kurrfarë koordinimi dhe me një paturpësi të pashoq, e pranon një statut të draftuar nga vetë Lajçak, të cilin e quante pro-serb, për autonomi pa njohje të ndërsjellë.
    5. Tash, pasi që i ka parë rezultatet shkatërruese të politikës së tij të jashtme dhe udhëheqjes amatoreske të dialogut, Kryeministri çohet dhe propozon 7 pika dhe kthehet pikërisht aty ku kemi qenë para 3 vitesh, duke thënë se vetë do ta draftojë statutin.

    Kryeministër, je edhe vonë edhe i vonshëm. Askush nuk po të merr seriozisht. Të gjithë, e më së shumti aleatët ndërkombëtarë, i injorojnë fjalimet dhe pikat e tuaja të shumta që propozon tash e sa vjet.

    Kosova ende vuan nën sanksione bashkë me Rusinë dhe Bjellorusinë.

    Fokusohu, merr vendime, e mos u merr me fjalime dhe postime. Facebooku nuk është mjet adekuat për “face-saving”.

  • Rritet skema për pensionet paraplegjik dhe tetraplegjik në nëntor të këtij viti

    Rritet skema për pensionet paraplegjik dhe tetraplegjik në nëntor të këtij viti

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në muajin nëntor të këtij viti, nga skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike kanë përfituar 2 mijë e 961 persona, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 2 mijë e 516 përfitues, vërehet një rritje prej 17. 7 për qind.

    Ndërsa, gjatë muajt nëntor krahasuar me muajin nëntor të vitit 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore me 21. 7 për qind, skema për pensionet e “Trepçës” me 18,7 për qind, skema e ndihmës sociale me 11. 9 për qind, skema për pensionet familjare me 9 për qind, skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës me 1. 5 për qind rënie.

    “Në muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike me 17,7 për qind, skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara me 13,7%; skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) (10,0%); skema e pensioneve bazike të moshës (6,2%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,8%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (5,0%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (2,9%); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,9%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (1,7%); skema për veteranët e luftës (0,1%)”, thuhet në raport.

  • LDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

    LDK-ja e dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

    Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran, raporton Ekonomia Online.

    Dorëzimin e bënë deputeti Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, që thanë se presin vendim në kohë reale.

    Të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në mbrëmje në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.

    62 deputetë votuan pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.

    Sipas Qeverisë, Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës.

    Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.

  • ​Maqedonci në takim Sareq: Prapa sulmit të 24 shtatorit qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë

    ​Maqedonci në takim Sareq: Prapa sulmit të 24 shtatorit qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur në takim bilateral ministrin e mbrojtjes të Sllovenisë, Marjan Sareq, ku u diskutua rreth situatës së sigurisë në vend por dhe më gjerë.

    Maqedonci gjatë këtij takimi theksova se sulmi i 24 shtatorit, është shqetësues për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendecën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor.

    “Krahas situatës së sigurisë ministrin Sarec e njoftova për të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin tonë për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund t’i zhvillojmë përtej planit bilateral. Shpreha qëndrimin e Kosovës sa i përket luftës në Ukrainë dhe synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në BE, A5 dhe në NATO. Nga homologu Sarec kërkova mbështetjen e Sllovenisë në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike, për të cilin objektiv ministri garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven. E kaluara e përbashkët dhe qëndrimi pro vlerave perëndimore janë lidhja e pashkëputshme ndërmjet dy shteteve tona”, ka shkruar ai.

  • ​Abdixhiku-Kurtit: Je vonuar dy vjet për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, tani e ke pranuar autonominë

    ​Abdixhiku-Kurtit: Je vonuar dy vjet për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, tani e ke pranuar autonominë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është vonuar dy vjet për ta hartuar draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Abdixhiku ka thënë se LDK dhe të gjithë miqtë e Kosovës ka dy vite që i kërkojnë Kurtit ë të hartojë draft statutin e Asociacionit, si një dokument të brendshëm të Kosovës dhe si obligim ndërkombëtar.

    Numri një i LDK-së duke e quajtur Kurti si “kryeministër të shtetit të përkohshëm”, thotë se tashmë është shumë vonë për ta hartuar një Draft për Asociacionin.

    “Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e ‘kryeministrit të shtetit të përkohshëm’, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës. Ka dy vite që ‘kryeministri i shtetit të përkohshëm’, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”, ka shtuar ai.

    “Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, ‘nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë’”, ka thënë më tej i pari i LDK-së.

    Sipas Abdixhikut, qëndrimi i sotëm i Kurtit për ta shkruar Draftin e Asociacionit vitin e ardhshëm është shumë i vonuar dhe kjo vonesë sipas Abdixhikut është e kushtueshme meqë thotë se Kurti “e ka pranuar autnominë”

    “Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, ka thënë ai.

    “Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë”, ka potencuar i pari i LDK-së.

    “A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë”, ka shkruar në fund Lumir Abdixhiku.