ATV

Category: Lajme

  • Gjermania thotë se s’do t’i detyrojë refugjatët ukrainas të kthehen dhe të luftojnë

    Gjermania thotë se s’do t’i detyrojë refugjatët ukrainas të kthehen dhe të luftojnë

    Ukrainasit që jetojnë në Gjermani nuk do të preken nga telashet e Ukrainës për grumbullimin e ushtarëve për ta parandaluar pushtimin rus, tha ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, të premten.

    “Ne nuk do t’i detyrojmë njerëzit të kryejnë shërbime të detyrueshme ushtarake, apo shërbime ushtarake kundër vullnetit të tyre”, tha Boschmann për agjencinë e lajmeve DPA.

    Ushtria ukrainase dëshiron t’i thërrasë 450.000 deri në 500.000 burra për të luftuar kundër Rusisë, e cila e nisi pushtimin e paprovokuar të saj në shkurt 2022.

    Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës është duke u bërë thirrje burrave ukrainas që jetojnë jashtë vendit të kthehen dhe ta mbrojnë atdheun.

    Duke folur të enjten në një konferencë për media në Kiev, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se komandantët e tij po kërkojnë “450.000 – 500.000 burra”, duke e pranuar se kjo çështje është “e ndejshme” dhe e kushtueshme.

    Komentet e tij kanë ardhur teksa rrezikohet ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për vendin e tij.

    Republikanët në Kongresin amerikan e kanë bllokuar fillimisht një paketë ndihme në vlerë të 60 miliardë dollarëve për Ukrainën.

    Këtë javë, përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se planifikojnë të dërgojnë më shumë pako të ndihmës për Ukrainën – mirëpo kanë pak kapacitet për të çuar diçka përpara, në mungesë të gatishmërisë së Kongresit.

    Bllokada në SHBA u përcoll me një bllokadë që Hungaria ia ka vënë BE-së për të dërguar ndihmë në vlerë të 50 miliardë eurove për Ukrainën.

    Ushtarët ukrainas duke luftuar forcat ushtarake ruse. Fotografi nga arkivi.
    LEXONI EDHE KËTË:
    Ukraina pranon ndihmë të re financiare nga evropianët
    Megjithatë, liderët e BE-së kanë thënë se Ukraina nuk do të mbesë pa mbështetje.

    Ukraina po përballet me mungesë municioni, teksa vazhdon të luftojë me ushtrinë ruse, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

    Kundërofensiva e Kievit nuk ka arritur rezultatet e kërkuara përgjatë verës.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, insiston se Moska do ta vazhdojë pushtimin dhe është zotuar se do të arrihen të gjitha synimet./REL/

  • Aktivisti 32-vjeçar i Vetëvendosjes që u gjet i vdekur dyshohet se kreu vetëvrasje

    Aktivisti 32-vjeçar i Vetëvendosjes që u gjet i vdekur dyshohet se kreu vetëvrasje

    Një rast i trishtë ka ndodhur sot në mëngjes, në rrugën “Ali Hadri” në Prishtinë, ku u gjet pa shenja jete një 32-vjeçar. I riu Arlind Shala, humbi jetën tragjikisht dhe sipas informacioneve të para dyshohet për vetëvrasje.

    Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, ku i riu u gjet i varur.

    Për motive akoma të panjohura, Shala dyshohet se i dha fund jetës në shtëpinë e tij.

    Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, teksa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Hetim i vdekjes”.

    Për vdekjen e Shalës kanë reaguar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi i riu ishte aktivist i kësaj partie.

  • Aksident zinxhiror në Arllat

    Aksident zinxhiror në Arllat

    Një aksident zinxhiror ka ndodhur në Arllat të Malishevës, ku janë përfshirë katër vetura.

    Nga ky aksident, pos dëmeve materiale, nuk ka të lënduar, raporton ATV.

  • Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave

    Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje të pagave

    Sindikata e Korporatës Energjetike të Kosovës ka protestuar sërish para zyrave të KEK-ut, raporton EO.

    Sipas sindikatës, kjo protestë vjen pas dështimit të marrëveshjes mbi ngritjen e pagave për punëtorët.

    Sindikata e KEK-ut vlerëson se ngritja e pagave është e domosdoshme për mirëqenien dhe drejtësinë e punëtorëve, dhe paralajmëron hapa të tjerë sindikalë nëse nuk ka përmirësime konkrete në këtë drejtim.

  • Tragjedi në Belgjikë/ Rrëzohet bredhi i qytetit, vdes një grua

    Tragjedi në Belgjikë/ Rrëzohet bredhi i qytetit, vdes një grua

    Një grua u mbyt nga një pemë e Krishtlindjeve 20 metra e lartë në një treg Krishtlindjesh në Belgjikë.

    Druri halor nuk mundi t’i rezistonte një ere të fortë të enjten në mbrëmje.

    Pema ka rënë mbi tre persona, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë pak kohë më vonë në spital nga plagët e rënda.

    Skena e aksidentit ndodhi në tregun e Krishtlindjeve në qytetin Oudenaarde.

  • ​Ka shkuar në 144 numri i të vdekurve nga tërmeti në Kinë

    ​Ka shkuar në 144 numri i të vdekurve nga tërmeti në Kinë

    Numri i të vdekurve për shkak të një tërmeti me magnitudë 6.2 që goditi Kinën mbrëmjen e së hënës është rritur në 144, thanë autoritetet të premten.

    Tërmeti goditi Kinën të hënën me epiqendrën e një vendbanimi në qarkun autonom Jishishan në Gansu, rreth 63 milje (101 kilometra) nga kryeqyteti provincial Lanzhou.

    Ai preku gjithashtu provincën fqinje Qinghai, ku numri i të vdekurve u rrit në 31 të premten, përveç 113 banorëve të tjerë që humbën jetën në Gansu, raportoi transmetuesi publik i Kinës CGTN, duke cituar zyrtarë provincialë.

    Të 31 vdekjet u raportuan në qytetin Haidong.

    Autoritetet zhvendosën mijëra njerëz në vende më të sigurta, kryesisht në Gansu, mes temperaturave në rënie të dimrit.

    Strehimore dhe tenda të përkohshme janë instaluar për njerëzit e goditur nga tërmeti në qytezën Zhongchuan, rreth 15 kilometra (9 milje) larg nga epiqendra e tërmetit.

    Tërmeti më vdekjeprurës që nga viti 2014 në Kinë kishte prekur furnizimet me ujë dhe energji elektrike në rajon, ku shumica prej tyre janë restauruar deri të premten./AA/

  • ​Aktakuzë për arkëtaren e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, përvetësoi afër 5 mijë euro

    ​Aktakuzë për arkëtaren e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren, përvetësoi afër 5 mijë euro

    Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës F.G., nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

    Sipas aktakuzës, e pandehura si person zyrtar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës apo pozitës së saj, në atë mënyrë që në cilësinë e Zyrtares financiare dhe të arkëtares, në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr Daut Mustafa”, në Prizren, prej periudhës kohore 28.06.2022 e deri me datë 12.08.2022 prej reparteve të Oftalmologjisë, Dializës dhe Emergjencës, në arkë ka inkasuar para në vlerë prej 36,143.38 euro, ndërsa në xhirollogarinë e Spitalit ka deponuar vetëm 31,385.00 euro dhe kësisoj ka përvetësuar shumën prej 4,758.38 euro dhe për shumën e njëjtë i ka shkaktuar dëm financiar Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”, në Prizren.

    Sipas një komunikate, Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

  • OKB: Më shumë se 1 ndër 4 vetë në Gazë vuajnë nga uria për shkak të luftës

    OKB: Më shumë se 1 ndër 4 vetë në Gazë vuajnë nga uria për shkak të luftës

    Një raport i OKB-së arrin në përfundimin se më shumë se gjysmë milioni njerëz në Gaza vuajnë nga uria për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm që nga shpërthimi i luftës më shumë se 10 javë më parë.

    Kryeekonomisti i Programit Botëror të Ushqimit Arif Husain tha se “është një situatë ku pothuajse të gjithë në Gazë vuajnë nga uria”. Ai paralajmëroi se nëse lufta midis Izraelit dhe Hamasit vazhdon në të njëjtat nivele dhe nuk rifillon dërgimi i ushqimit, popullsia mund të përballet me “një zi buke brenda gjashtë muajve të ardhshëm”.

    Nisma për Klasifikimin e Sigurisë Ushqimore (IPC) e mbështetur nga OKB-ja tha në një raport të enjten se luftimet, “përfshirë bombardimet, operacionet tokësore dhe rrethimin e gjithë popullsisë”, kanë shkaktuar “nivele katastrofike” të pasigurisë të mprehtë ushqimore.

    IPC tha se më shumë se 1 në 4 familje përballen me urinë e skajshme dhe ekziston rreziku i urisë nëse nuk rivendoset qasja tek ushqimi i nevojshëm, ujin i pastër, shërbimet shëndetësore dhe sanitare.

    Izraeli thotë se është në fazën përfundimtare të eliminimit të militantëve të Hamasit nga Gaza veriore, por se priten muaj të tërë luftimesh në jug.

    Ndërkohë luftimet u intensifikuan mes Hamasit dhe Izraelit të enjten me bombardime të rënda në Gazën veriore ndërsa avionë luftarakë goditën objektiva në pjesët qendrore dhe jugore të enklavës.

    Katër persona thuhet se u vranë në Gazën jugore në pikën kufitare të Rafahut me Egjiptin, sipas Hamasit.

    Ushtria izraelite tha se nuk kishte dijeni për incidentin.

    Dhjetë javë pas fillimit të luftës, Hamasi, një organizatë që SHBA e konsideron terroriste, tregoi se ka ende aftësinë për të lëshuar raketa ndaj Izraelit, ndërsa u dëgjuan sirena në Izraelin qendror.

    Forcat e Mbrojtjes të Izraelit postuan harta që tregonin alarme raketash nga Ashkeloni, në veri të Rripit të Gazës, deri në zonën e Tel Avivit.

    Nuk pati njoftime për viktima pasi sistemi mbrojtës i Kupolës së Hekurt i ndaloi raketat.

    Ushtria izraelite tha gjithashtu të enjten se forcat e saj kishin kryer sulme kundër 230 objektivave në Gazë gjatë ditës së kaluar.

    Kryeministri Benjamin Netanyahu përsëriti se ushtria e tij do të vazhdojë luftimet derisa Hamasi të eliminohet dhe pengjet e mbetura të lirohen.

    Lufta, që filloi pasi Hamasi kreu një sulm sulmi terrorist brenda Izraelit më 7 tetor që shkaktoi vdekjen e rreth 1,200 vetëve ndërsa rreth 240 të tjerë u morën peng, ka shkaktuar një situatë të tmerrshme humanitare në Gaza, ku ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se janë vrarë 20,000 palestinezë. Gati 2 milionë të tjerë janë zhvendosur.

    Ekspertët thonë se fushata ushtarake izraelite kundër Hamasit tani është ndër më vdekjeprurëset dhe më shkatërrimtaret në histori.

    Në pak më shumë se dy muaj, ofensiva ka shkaktuar më shumë shkatërrim sesa rrënimi i Alepos të Sirisë nga viti 2012 në 2016, Mariupoli i Ukrainës ose marrë proporcionalisht, bombardimet aleate të Gjermanisë në Luftën e Dytë Botërore. Ajo ka shkaktuar vdekjen e më shumë civilëve sesa koalicioni i udhëhequr nga SHBA në fushatën trevjeçare kundër grupit të Shtetit Islamik.

  • 7 muaj burg për afaristin kosovar: Ka çuar mbi dhjetë firma në falimentim

    7 muaj burg për afaristin kosovar: Ka çuar mbi dhjetë firma në falimentim

    Një burrë 36-vjeçar duhet të mbajë shtatë muaj burg, sepse, si një “varrosës kompanish”, ai ka marrë në dorë kompanitë e mbingarkuara me borxhe në kantonin e Lucernit dhe ngadalë i ka çuar ato në falimentim, transmeton albinfo.ch. Duke vepruar kështu, ai ka shkaktuar një dëm prej rreth 1 milion frangash.

    Gjykata Penale e Lucernit e ka dënuar kosovarin, i cili u arrestua në Shqipëri në gusht të vitit 2021 në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe u ekstradua në Zvicër, për keqmenaxhim të shumëfishtë dhe mosmbajtje kontabiliteti, shkruan sda.ch. Gjykata i ka shqiptuar atij një dënim të pjesshëm me burg prej 14 muajsh, nga të cilat ai duhet të vuajë gjysmën.

    Që nga viti 2011, i akuzuari kishte marrë përsipër rreth një duzinë kompanish që ishin në situatë të pasigurt financiare. Për të vonuar hapjen e falimentimit, ai krijonte distancën sa më të madhe hapësinore dhe kohore nga organi i mëparshëm, për shembull duke zhvendosur selinë e kompanisë ose duke ndryshuar emrin e saj.

    Ai merrte nga 2.000 deri në 5.000 franga për blerje, me të cilat, sipas gjykatës, kishte realizuar një fitim deri në 55.000 franga, transmeton albinfo.ch. Ndërsa dëmi i shkaktuar ishte të paktën 900 000 franga, i cili është akumuluar si pasojë e falimentimit ekonomik të kompanive.

    Gjykata vuri në dukje se ai ka anashkaluar sistematikisht rregulloret mbrojtëse që ishin vendosur për të mirën e kreditorëve, për të përmbushur motivin e tij thjesht financiar dhe egoist. Sjellja e tij karakterizohej nga një përbuzje ndaj sistemit juridik dhe një mungesë e theksuar skrupujsh.

    I dënuari ka pasur precedentë penalë përkatës. Aktgjykimi është marrë në procedurë të shkurtuar dhe është tashmë ligjërisht i detyrueshëm, përcjell albinfo.ch. Veç dënimit që do ta mbajë ai duhet të paguajë shpenzimet procedurale prej 9400 frangash.

  • Autori i masakrës në universitetin e Pragës nuk veproi i vetëm, dyshohet se u ndihmua nga e dashura e tij

    Autori i masakrës në universitetin e Pragës nuk veproi i vetëm, dyshohet se u ndihmua nga e dashura e tij

    Të paktën 15 persona u vranë dhe 25 u plagosën nga të shtënat me armë në universitetin Charles në Pragë. Autori, 24-vjeçari David Kozak, u vetëvra pas masakrës që shkaktoi, ndërsa më herët kishte qëlluar dhe vrarë të atin në fshatin Hostun, rreth 20 kilometra larg Pragës.

    Madje policia po shqyrton mundësinë që ai të ketë vrarë edhe dy persona të tjerë para masakrës në Pragë. Gjatë një konference për media, policia njoftoi se po heton nëse 24-vjeçari mund të jetë i lidhur me dy vrasje të ndodhura javën e kaluar.

    Një baba 32-vjeçar dhe vajza e tij dy-muajshe u qëlluan për vdekje në pyllin Klanovicky pranë Pragës të premten e kaluar, tha shefi i policisë Martin Vodrasek, por ende nuk është konfirmuar nëse Kozak në të vërtetë kishte ndonjë lidhje me vrasjet.

    Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë 24-vjeçarin David Kozak duke dalë në ballkon dhe duke hapur zjarr me armë. David Kozak mund të jetë ndihmuar nga e dashura e tij. Policia çeke e konfirmoi këtë për një gazetar holandez, i cili ishte në vendngjarje.

    E dashura, për të cilën nuk janë bërë të ditura detaje të tjera, mësohet se po tenton të arratiset jashtë vendit. Sipas ministrit të Brendshëm çek, Vit Rakusan, policia gjeti “një numër të madh armësh dhe municionesh” në ndërtesën e universitetit.

    Sipas dëshmive, Kozak ka qenë student i zellshëm, por ka pasur edhe probleme psikologjike. Në maj ai fitoi një çmim për tezën e tij. Studenti nuk kishte precedentë penalë, por, si pronar i ligjshëm i armëve, kishte një interes për armët.

    Ai ishte diplomuar për histori dhe studime europiane dhe vazhdoi masterin, duke u fokusuar në historinë e Polonisë. Megjithatë, mesazhet e postuara nga i riu në Telegram javët e fundit japin një pamje krejtësisht të ndryshme të tij.

    Studenti 24-vjeçar i Shkollës Filozofike të Universitetit Charles ishte ankuar për “jetën e tij të mjerueshme” dhe kishte shkruar ndër të tjera se “gjithmonë donte të vriste dikë”.

    Në një mesazh të datës 10 dhjetor, sulmuesi shkroi se ishte “shumë i frymëzuar nga Alina”.Ai i referohej 14-vjeçares Alina Afanaskina. Vajza qëlloi dhe vrau dy persona në shkollën e saj në qytetin rus të Bryansk më 7 dhjetor dhe më pas vrau edhe veten.

    “Dua të sulmoj një shkollë dhe ndoshta të vras veten. Alina Afanaskina më ndihmoi. Gjithmonë kam dashur të vras, kam menduar se në të ardhmen do të bëhem maniak”, dyshohet se ka shkruar ai ndër të tjera.