ATV

Category: Lajme

  • Naser Pajazitaj i refuzon mbi 61 mijë euro dëmshpërblim nga KGjK-ja, pasi ai i kërkon mbi 1 milion

    Naser Pajazitaj i refuzon mbi 61 mijë euro dëmshpërblim nga KGjK-ja, pasi ai i kërkon mbi 1 milion

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka vendosur që Naser Pajazitajn, i cili akuzohej për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, ta dëmshpërblejë me 61 mijë e 777 euro e 16 centë, përkundër se i njëjti kishte kërkuar shumën prej 1 milion e 150 mijë e 985 euro, për privim nga liria pa bazë.

    Këtë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar Koordinatori i Njësisë për Çështje Ligjore, në KGjK, Astrit Hoti.

    Mirëpo, i njëjti tha se ky vendim i KGjK-ës është refuzuar nga Naser Pajazitaj.

    Po ashtu, i pakënaqur me këtë vendim u shpreh edhe mbrojtësi i Pajazitajt, avokati Ahmet Tahiri i cili për “Betimi për Drejtësi” tha këtë vendim e kanë refuzuar dhe tutje do të ushtrojnë padi në gjykatë.

    Gjykata Supreme më 6 prill 2023, e ka liruar nga Naser Pajazitajn nga akuza për vrasjen e D.P., me arsyetimin se nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e Pajazitajt.

    Më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e kishte dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e D.P., në nëntor të 2015-ës.

    Kundër këtij aktgjykimi, në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar ankesë mbrojtësit e Pajazitajt, avokatët Gëzim Kollçaku dhe Ahmet Tahiri me pretendimin se ka shkelje esenciale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe për shkak të vendimit mbi dënimin. Ndërsa, Prokuroria me parashtresë kishte propozuar që ankesa e mbrojtësve Kollçaku dhe Tahiri të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    Kurse, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, kishte marrë vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim, Naser Pajazitajt.

    Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

    Ndërsa, më 27 maj 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, kurse Gjykata e Apelit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ktheu në rivendosje në Gjykata Themelore në Ferizaj.

    Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e D.P., por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.

    Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

    Por, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

    Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

    Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë. Më pas, Apeli e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën D.P., nga po i njëjti fshat.

  • MD-ja në përgatitje të padisë për gjenocid ndaj Serbisë – Qorrolli numëron pengesat politike

    MD-ja në përgatitje të padisë për gjenocid ndaj Serbisë – Qorrolli numëron pengesat politike

    Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë (MD), Vigan Qorrolli, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se institucionet e Kosovës çdo ditë janë duke mbledhur materiale për dokumentimin e krimeve të luftës për të paditur Serbinë për gjenocid. Por që sipas tij, padia për gjenocid nuk mund të bëhet pasi Kosova nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) dhe pjesë e OKB-së.

    Qorrolli sa i përket parapërgatitjes se padisë për gjenocid ndaj Serbisë, tha se me themelimin e Instituti për krime të Luftës do të bëhet grumbullimi i fakteve të cilat më pastaj do të dërgojnë drejt hartimit ligjor të një padie.

    Ai ka thënë se duke marr parasysh që Kosova nuk është anëtare e GjND-së dhe OKB-së është një vështirësi procedurale për ta bërë një padi të tillë, por sipas tij, përgatitjet kanë filluar dhe se ky do të jetë një synim afatmesëm.

    “Së fundi është themeluar edhe Instituti për krime të Luftës dhe tashmë në ridizajnimin e tij institucional kompetenca e tyre do të jetë edhe çështja e grumbullimit të fakteve më të mëdha të cilat do të dërgojnë pastaj drejt hartimit ligjor të një padie. Ju e dini që duke qenë se Kosova nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë palë e statuti dhe nuk është anëtare e OKB-së, është një vështirësi procedurale për ta bërë të njëjtën gjë. Por ne kemi filluar përgatitjet dhe se ky do të jetë një synim afatmesëm i parapërgatitjes së padisë në GjND. Por për momentin që nuk jemi palë e statutit të GJND-së kjo është një çështje ende e parakohshme, por sigurisht që padia, komisionet, MD, Instituti për krime luftës , zyra e kryeministrit mbledhin materiale dhe çdo ditë punohet që të bëhet dokumentim sa më i mirë i krimeve të luftës dhe kjo do të qoj një ditë sigurisht në paraqitjen e padisë në GjND”, tha ai.

    Ani në këtë intervistë ka folur edhe në lidhje me hapa që ka marr MD-ja për të parandaluar rastet e dhunës në familje e dhunës në baza gjinore, për të cilën tha se me legjislacionet në fuqi dhe më ashpërsimin e dënimeve, institucionet ligj-zbatuese do të kenë më të lehtë që ta luftojnë këtë fenomen.

    “Tash Instituti pas themelimit dhe konsolidimit të tij do të grumbulloj të gjitha faktet të cilat do të jenë fakte shteruese, pastaj edhe me autoritete gjyqësore dhe me autoritete politike, gjithmonë qeveri e Kosovës do të përgatis dokumentacionin. Nuk ka një rrugë të dytë në rast se përgatitet një padi për tu paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Legjitimimi para GJND-së është të qenurit e statutit dhe palë e OKB-së. Duke qenë se ne nuk jemi si shtet atëherë ne duhet të presim momenti kur ajo do të ndodhë”, tha ai.

    Zëvendësministri Qorrolli, tha se në muajin tetor me hyrjen në fuqi të ligjit kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje dhe më ashpërsimin e dënimeve të cilat i parasheh Kodi Penal dhe ligji përkatës, tani më Policia, Prokuroria dhe gjykata do të kenë shumë më të mundur që ta luftojnë këtë fenomen tragjikë.

    “Ministria e Drejtësisë në kudër të kompetencave të saj ka ndërmarr gjitha veprimet dhe së fundmi në muajin tetor ka hyrë në fuqi ligji kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Kosova për herë të parë ka një ligj special i cili e rregullon institucionalisht dhe ligjërisht çështjen e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje. Tash më bashkë me kodin penal i cili e ka kriminalizuar po themi dhunën në familje. Ne me gjithë këto legjislacione i cili është në fuqi, bashkohore dhe më ashpërsimin e dënimeve të cilat i parasheh kodi penal dhe ligji përkatës të cilin e përmenda. Institucionet të cilat janë ligj zbatuese këtë rast policia, prokuroria dhe gjykatat do të kenë shumë më të mundur që ta luftojnë këtë fenomen tragjikë i cili vazhdon të ndodhë në Kosovë dhe përgjithësisht po thuajse në çdo shoqëri tjetër dhe dhuna në familje. Ne po synojmë që në kuadër të këtyre fushatave sensibilizuese ta vetëdijesojmë opinioni që dhuna me bazë gjinore, dhunë në familje nuk kanë vend në shoqërinë tonë”.

    Qorrolli tha se janë duke synuar që përmes ashpërsimit të dënimeve të parandalohet dhuna, kjo pasi sipas tij, kjo mund të parandalohet vetëm atëherë kur njerëzit të jenë të vetëdijshëm që nëse e bëjnë një vepër do të kenë pasoja të rënda gjatë gjithë jetës.

    “Ne e dimë që është problematike që ta çrrënjosim tërësisht për shkak se ato janë dinamika të cilat zhvillohen, qoftë brenda familjeve qoftë brenda suazave të tjera të sociologjisë tonë kulturore. Por megjithatë ne po synojmë që njerëzit të cilët qojnë dorë, qoftë ndaj grave të tyre ose e kundërta gratë ndaj burrave, përveç dënimeve që do ti marrin nga institucionet kompetente ata ose ato mos të kenë të drejtë as të marrin punë në të ardhëm dhe mos të zhvillojë jetë normale dhe të bartin pasoj legale dhe konsekuenca të jenë të ashpra dhe të parapare me ligj”.

    “Për shkak se ne vetëm me këtë mundësi, me preventivën ligjore do të mundohemi ose kjo është intenca, që në bazë të preventivës ligjore dhe duke qenë njerëzit të vetëdijshëm që nëse e bëjnë një vepër do të kenë pasoja të rënda. I cili nuk është vetëm burgu, pro edhe pas daljes nga burgu, ata nuk do të mund të ri-integrohen në shoqëri po themi normalisht për shkak se duhet të bartin pasoj për atë çështje dhe vetëm kësisoj nëpërmjet ashpërsimit të dënimeve ne kemi paraparë mundësin që këta njerëz të mos ndjehen komod në jetën e tyre”, tha ai.

    Ai tha se njëra nga pasojat që mund ta bartin ata që shkaktojnë dhunë është që pas vuajtjes së dënimit, me Ligjin e ri ri-integrimi i tyre do të ketë pasoj edhe me mosmundësinë e punësimit, raporton EO.

    “Pasojat janë të parapara me ligj por një prej pasojave ose një prej atyre mundësive të cilën e kemi paraparë që ata të mos kandidohen për një zyre publike, të mos keni të drejtën e kandidimit nëpër zyra publike. Kandidimi nëpër zyra publike nuk nënkupton vetëm parlament edhe qeveri, por sidomos në administratën publike shtetërore pas vuajtjes të vendimit gjyqësor i cili mund të jetë alternativ ose me burg. Ne kemi paraparë që ri-integrimi i tyre të ketë edhe një pasoj të punësimit të tyre në të ardhmen sepse ideja është që ata të jenë të vetëdijshëm Në shoqëri të tilla si e jona është vërejtur se nuk është vetëm burgu zgjidhja”, tha ai.

  • ​Dibrani: Të dyshuarit për vrasjen e Liridonës janë vendosur në katër institucione të ndryshme

    ​Dibrani: Të dyshuarit për vrasjen e Liridonës janë vendosur në katër institucione të ndryshme

    Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani deklaron se katër të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt po qëndrojnë në katër institucione të ndryshme korrektuese. Ai mohon se të njëjtit kanë pasur mundësi të komunikojnë mes vete gjatë qëndrimit në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

    Pas caktimit të masës së paraburgimit për Naim Murselin, Granit Plavën e Kushtrim Kokallën, u raportua se të njëjtit gjatë shëtitjeve po qëndrojnë së bashku.

    Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Ismail Dibranit bën të ditur se bashkë me Prokurorin e Shtetit, kanë vendosur që të shpërndajnë të njëjtit në institucione të ndryshme.

    “Në asnjë rrethanë, në asnjë moment, personat që janë të njëjtës vepër nuk vendosën në të njëjtën dhomë. Mund të vendosin në të njëjtin burg por natyrisht edhe rutinat edhe shëtitjes duhet të organizohen në mënyrë që ata mos të kenë kontakt njëri me tjetrin. Njëjtë për shkak të situatës së rëndë dhe debatit që është zhvilluar pothuajse në të gjitha mediat në Kosovë, ne fillimisht i kemi vendosur sepse vepra e tyre ka qenë e rëndë dhe është dashur që ata të vendosën në Burgun e Sigurisë së Lartë. Si rezultat i kësaj ata vlerësohen me rrezikshmëri shumë të lartë deri në takimin e komisionit për kategorizim, komision i cili vendos për të ardhmen se si ata do të trajtohen. Por duke marrë parasysh debatin që është zhvilluar në opinion dhe rasti tashmë kishte marrë përmasat edhe jashtë Kosovës, ne është dashur në konsultim me Prokurorin e Shtetit që t’i shpërndajmë në institucione të ndryshme”, deklaron ai.

    Edhe personi i katërt, i cili dyshohet që ka furnizuar me armën e krimit, Naim Murselin dhe Granit Plavën, Dibrani shton se është dërguar në burg tjetër.

    “Në katër institucione të ndryshme, në Burgun e Sigurisë së Lartë, në Burgun e Prishtinës, në Qendrat e Paraburgimit në Gjilan dhe në Qendrën e Paraburgimit në Pejë”, shtoi Dibrani.

    Ai thotë se personat të cilët akuzohen për të njëjtin vepër nuk kanë mundësi kontakti me njëri-tjetrin.

    “Në asnjë moment ata nuk kanë qëndruar në një dhomë, në asnjë moment ata nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë shëtitje të përbashkëta por për të qenë më të sigurt dhe për të pasur mundësi as stafi të përcjell ndonjë mesazh tek njëri-tjetri, edhe pse këto nuk ndodhin, por për t’u siguruar në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ne kemi vendosur që këta persona të t’i ndajmë në institucione… Jo vetëm këta persona, por secilin person që vije në grup dhe është i së njëjtës vepër, ata shpërndahen në institucione të ndryshme apo në të njëjtën institucion por që nuk kanë mundësi kontakti me njëri-tjetrin”, përfundoi ai.

    Vrasjen e Liridona Ademajt dyshohet se e ka organizuar bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ajo u vra më 29 nëntor në Bërnicë të Prishtinës.

  • Gjendet i vdekur një person në Malishevë

    Gjendet i vdekur një person në Malishevë

    Një person është gjetur pa shenja jete në Malishevë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas njoftimit të Policisë, një person është gjetur i shtrirë para një lokali në rrugë, në fshatin Bellanicë të Malishevës, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekja e viktimës.

    Njësitë relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Ndalohen dy shtetas serbë, tentuan ta kalojnë kufirin ilegalisht

    Ndalohen dy shtetas serbë, tentuan ta kalojnë kufirin ilegalisht

    Policia e Kosovës ka ndaluar dy shtetas serb, të cilët dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

    Në raportin e Policisë thuhet se të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

    “Fsh. Koshuticë 21.12.2023 – 13:00. Njësia policore, ka ndaluar një kamionetë në të cilin ishin dy të dyshuar serb, shtetas të Serbisë, që dyshohet se kanë hyrë ilegalisht nga Serbia në territorin e Republikës së Kosovës. Të dyshuarit janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin, pas inicimit të rastit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Për 11 muaj, 142 mijë pacientë morën shërbime nga Radiologjia – Nuza: Katër muaj lista e pritjes, kërkohet staf shtesë

    Për 11 muaj, 142 mijë pacientë morën shërbime nga Radiologjia – Nuza: Katër muaj lista e pritjes, kërkohet staf shtesë

    Më shumë se 142 mijë pacientë kanë marrë shërbime nga Klinika e Radiologjisë në QKUK për 11 muaj. Kështu ka thënë për Ekonomia Online drejtoresha e kësaj klinike, Shkëndije Nuza.

    Ndërsa si çdo klinikë edhe Onkologjia ka nevojë për staf shtesë pasi ka mungesë të theksuar të mjekëve dhe infermierëve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha e Radiologjisë, Shkëndije Nuza ka thënë se me funksionalizimin e Rezonancës në Prizren e Pejë, pret që të ulët ngarkesa në këtë klinikë.

    Nga 142 mijë pacientët për këtë vit, Nuza ka deklaruar se nuk llogaritën pacientët nga Klinika e Onkologjisë, për të cilët kanë prioritet.

    “Klinika e Radiologjisë është një prej klinikave që ka frekuencën më të madhe të numrit të pacientëve spitalor, qoftë paciente ambullantorë. Për 11 muaj kemi diku rreth 142 mijë e 595 pacientë, dhe këtu nuk hyn numri i përgjithshëm i pacientëve të muajit dhjetor që do behet në raportin vjetor që do i dorëzohet drejtorisë. Shërbimet që ofrohen në Klinikën e Radiologjisë janë duke filluar nga rentgenët që është numri më i madh i ekzaminimeve, është ultrazëri, janë dy kabinete të ultrazërit për ambulante dhe emergjencë, është kabineti për doktor biopsi dhe kabineti i ultrazërit më katër aparate të ultrazëri punon Klinika e Radiologjisë pastaj është ekzaminimet me CT, ekzaminimet me rezonancë magnetike, fluroskopia është një prej metodave tjera diagnostike që përdorët në kliniken tonë”, ka thënë Nuza.

    E për të kryer një rezonancë magnetike, pacientët duhet të presin katër muaj. Por pritje nuk ka edhe për pacientët onkologjik.

    “Çfarë do doja për vitin 2024 është të bëhet Klinika e Radiologjisë t’i përkushtohet sa më shumë shërbimeve që u takojnë dhe në këtë mënyrë të shpërndajmë, sepse derisa kemi spitalet që janë të pajisura me aparatet e CT-së dhe tash besoj që në vitin 2024 do kemi edhe dy rezonanca në teren një që është Peja dhe së shpejti do funksionalizohet edhe Prizreni dhe po shpresojmë që do të ulën ngarkesa e Klinikës së Radiologjisë duke pasur parasysh që jemi afër muajit të katërt, pra 4 muaj pritje për rezonance magnetike për pacientët ambulatorë ndërsa pacientët onkologjik dhe rastet që janë me diagnozë të komisionit ata shpërndahen gjatë ditëve nuk është lista e pritjeve varet nga Onkologjia sipas kërkesës së mjekut dhe raste të tjera pastaj sipas përparësisë që ka diagnoza që është e caktuar nga mjeku klinicist”, u shpreh Nuza.

    Ndonëse këtë vit kanë arritur t’i marrin këtë vit edhe 10 teknikë, Nuza ka deklaruar se ende kanë nevojë për staf shtesë, e sidomos për mjekë, pasi disa e kanë lëshuar punën për sektorin privat e disa kanë dalë në pension.

    “Me staf jemi mirë kemi pasur 10 teknikë që janë punësuar dhe na kanë zbutur mungesën e stafit por kemi mjek që janë pensionuar që po presim që në 2024 të zëvendësohen me staf të rijnë sepse nëse do rrisim shërbimin terciar dhe të fusim shërbime të reja në Radiologji do duhej edhe të kemi staf numër më të madh të stafit. Në vitin 2023 kemi pasur vetëm një mjek që ka shkuar në pension dhe para një viti një tjetër pra dy vite në pension, dhe një që e ka lëshuar klinikën i cili ka kaluar në sektorin privat pra jemi në minus 3 mjek që i kemi mungesë dhe shpresoj që në të ardhmen të shtohen”, u shpreh Nuza.

  • HANDIKOS sot mban konferencë të jashtëzakonshme

    HANDIKOS sot mban konferencë të jashtëzakonshme

    Shoqata e personave me aftësi të kufizuara, HANDIKOS, sot nga ora 13:30 do të mbajë konferencë të jashtëzakonshme.

    Përmes kësaj konferencë do të adresohet çështja që prek mirëqenien e fëmijëve dhe të rriturve me aftësi të kufizuara.

  • Auditori i Përgjithshëm ka kryer 123 auditime – Spanca Janë zbatuar 49% e rekomandimeve të dhëna

    Auditori i Përgjithshëm ka kryer 123 auditime – Spanca Janë zbatuar 49% e rekomandimeve të dhëna

    Auditori i Përgjithshëm për vitin 2023 ka përfunduar 123 auditime në institucionet publike, duke përfshirë edhe ministrinë, komunat, dhe agjencitë e pavarura dhe ndërmarrjet publike, ka konfirmuar për Ekonomia Online, Vlora Spanca, auditore e përgjithshme.

    Ajo gjithashtu tha se kanë realizuar edhe 15 raporte të performancës, duke dhënë 900 rekomandime.

    “Vitin 2023 e kemi përmbyllur më 123 auditime të cilat kanë përfshirë të gjitha institucionet publike, këtu përfshihen ministrit komunat dhe agjencitë e pavarura, si dhe ndërmarrjet publike, përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë të cilat i kryejmë më baza vjetore, ne kemi kryer edhe auditime të performacës që vitin 2023 e kemi përmbyllur më 15 raporte të auditimit të perfomancës në fusha me interes publik, për këto raporte kemi dhënë 900 rekomandime prej tyre janë diku 195 rekomandime që kanë rezultuar vetëm nga auditimet e përfomancës”.

    Spanca, tha se rezultatet e auditmit tregojnë mangësi në prokurorimin publik lokal dhe sfida në disa ministri si ajo e Infrastrukturës, Arsimit dhe Kulturës. Sipas saj, fusha e prokurorimit publik mbetet kritike, me rreth 198 gjetje në institucionet publike.

    “Në bazë të rezultateve të auditimit ne kemi parë që mangësitë ato që përsëriten nga viti në vit, janë pothuajse në fushën e prokurimit publik në nivelin lokal, ka edhe ministri të cilat mirën dhe kanë një buxhet të ndarë për investimet kapitale dhe mallrat dhe shërbime të cilat procedohen nga prokurimi publik, janë edhe ministria e infrastrukturës, ministria e arsimit, ministria e kulturës rinisë dhe sportit, të cilat në fushën e prokurorimit publik kanë ende manksi, fusha e prokurorimit publik vazhdon të mbetët si një prej fushave më kritike, diku 198 gjetje të cilat kanë rezultuar nga auditimi që e kemi kryer në të gjitha institucionet publike”.

    Ndër të tjera ajo tha se zbatueshmëria e rekomandimeve edhe pse ka rezultuar me një progres të lehtë, që do të thotë se janë realizuar 49% e rekomandimeve, raporton EO.

    Ndërkaq ajo shtoi se nëse krahasojmë nivelin qendror më atë lokal, niveli lokal mbetet një prej institucioneve që zbatushmërin e rekomandimeve e ka në nivel të ulët.

    “Zatushmëria e rekomandimeve edhe pse ka rezultuar një progres i lehtë në zbatimit e rekomandimeve nga viti në vit, nëse marrim parasysh një vite paraprak është një ulje prej 1%, në total është 49% zbatushmëria e rekomandimeve të cilat i kemi dhënë, nëse e krahasojmë nivelin qendror më atë lokal, niveli lokal mbetet një prej institucioneve që zbatushmërin e rekomandimeve e kanë në nivelin më të ulët”.

  • Kryetari i Prizrenit tregon nëse do t’ua falë tatimin në pronë qytetarëve

    Kryetari i Prizrenit tregon nëse do t’ua falë tatimin në pronë qytetarëve

    Sikurse disa komuna në vend, edhe Komuna e Prizrenit nuk ua ka fal tatimin në pronë qytetarëve. Kështu ka bërë të ditur, kryetari i kësaj komunë, Shaqir Totaj.

    Derisa vet kryetari Totaj kishe dorëzuar në kushtetuese ligjin për tatimin në pronë, thotë se vendimi i Gjykatës po i ngarkon dhe dëmton komunat.

    I pari i Prizrenit, Totaj ka akuzuar Qeverinë për ndërhyrje që po bënë në laminë e financave komunale.

    “Komunat e kanë të garantuar pavarësinë financiare, e këtë garancion ja mundëson ligji për financa publike dhe ligji për vetëqeverisje lokale dhe çdo tentim i qeverisë të ndërhyjë në laminë e financave komunale është një hap në drejtim të gabuar. Komunat kanë qenë të atakuara vazhdimisht nga qeveria qendrore sa i përket buxhetit. Nuk duhet fare të merret qeveria me çështjet e të hyrave komunale të buxhetit që në këtë rast vjen prej tatimit në pronë, por kanë tentuar të ndërhynë. Në anën tjetër kemi pas më herët situatë ku kanë tentuar t’i marrin të hyrat nga burimet vetanake të pashpenzuara në vitin aktual fiskal që po ashtu është e kundërligjshme”, thotë Totaj.

    Ai derisa thotë se nuk është për faljen e tatimit në pronë, sqaron se me këtë prishet edhe planifikimi buxhetor që mund ta lë komunën me minus 4 milionë euro në buxhet, shkrun KP.

    “Tash e kemi një mendim të Gjykatës Supreme që po ashtu i ngarkon komunat, imagjinoni edhe tatimin në pronë të bëjnë me fal dëmtohet seriozisht buxheti, jo vetëm i Komunës së Prizrenit, por i gjitha komunave tjera. Nuk jam për këtë punë, sepse na prish edhe planifikimin buxhetor, na lënë rreth minus 4 milionë në buxhet, kurse për ato të hyra veçse janë planifikuar projektet. Sikur ato të hiqen nga buxheti, mbesin me mungesë projektet që janë planifikuara…Konsideroj si performancë e keqe është në qoftë se ato mjete nuk shfrytëzohen për interes të qytetarëve… Për sa i përket të hyrave nga burimet vetanake komunale, sigurisht do të kemi rritje, sepse kemi një performancë të mirë, duke iu falënderuar së pari ndërgjegjësimit të tatim paguesve për tatim në pronë, sepse ata e dinë që mjetet që paguhen shkojnë për interesa tyre, por anën tjetër edhe Drejtoria për Financa e ka bërë punën mirë”, shton Totaj.

    Kujtojmë se në gusht të këtij viti, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese, Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.

    Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka vendosur që komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se Ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

  • Gjendet pa shenja jete një burrë në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një burrë në Prishtinë

    Policia e Kosovës njoftoi se është gjetur pa shenja jete një burrë në shtëpinë e tij, në Prishtinë.

    Sipas raportit të Policisë, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

    “Rr. Ali Hadri, Prishtinë 21.12.2023 – 05:30. Një mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.