ATV

Category: Lajme

  • Ukraina thotë se ka rrëzuar tre avionë luftarakë rusë Su-34

    Ukraina thotë se ka rrëzuar tre avionë luftarakë rusë Su-34

    Ushtria e Ukrainës thotë se ka rrëzuar tre avionë luftarakë Su-34 rusë të premten në jug të vendit.

    Presidenti ukrainas, Volodymr Zelensky falënderoi ushtarët që kishin rrëzuar aeroplanët, duke thënë se incidenti kishte ndodhur në rajonin Kherson të shkatërruar nga lufta, raporton BBC.

    Moska nuk ka komentuar mbi pretendimet, por blogerët me ndikim rusë kanë raportuar humbje.

    Në fjalimin e tij të natës, Zelensky tha se rrëzimi i avionëve do t’i bënte pilotët rusë që sulmonin objektivat në Ukrainë të vetëdijshëm se “asnjë prej tyre [nuk do të] kalonte pa u ndëshkuar”.

    Ai tha gjithashtu se kishte folur me kryeministrin holandez, Mark Rutte për dorëzimin e ardhshëm të avionëve F-16, si dhe një paketë të re mbështetjeje nga BE-ja.

  • Kushtetuesja para 8 vjetësh vendosi për Asociacionin

    Kushtetuesja para 8 vjetësh vendosi për Asociacionin

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 ka marrë vendim në lidhje me asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

     

    Kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje u dërgua në Kushtetuese nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga.

    Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

    “(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhet në vendim.

  • 34 vjet nga themelimi i LDK-së

    34 vjet nga themelimi i LDK-së

    Sot mbushen 34 vjet nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Në shtator dhe tetor 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtua që të themelonin një parti politike.

    Ky grup e caktoi kryesinë e LDK-së me kryetar Dr. Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë: dr. Fehmi Agani, dr.Bujar Bukoshi, dr.Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e shumë figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh të asaj kohe.

    “Në kohën e represionit më të egër serb e jugosllav kundër popullit të Kosovës, LDK-ja organizoi rezistencën politike e qytetare, jetën sociale, politike e publike, duke promovuar lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes, tolerancën e humanitetin, duke promovuar vlerat autentike e universale. LDK-ja, që nga fillimi u shfaq si forcë politike institucionale, duke punuar me mund e sakrifica për ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, si bazë fundamentale e shtetit, në mënyrë që të mos rrëshqitet në anarki, arbitraritet e diktaturë”, thuhet në historikun e kësaj partie.

    Menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, LDK në krye Ibrahim Rugovën fitoi zgjedhjet bindshëm.

    Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se angazhohet për demokraci, e cila do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia kombëtare, gjinore apo fetare.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës përqafon pluralizmin politik që shpreh struktura dhe interesa të ndryshme, që mundëson garën e koncepcioneve dhe të opsioneve të ndryshme politike përmes sistemit parlamentar dhe shumë partiak; angazhohet për mbrojtjen e plotë dhe për zgjerimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e organizimit politik. LDK-ja lufton kundër çdo forme të urrejtjes, të dhunës e jo tolerancës kombëtare e fetare, kundër çdo forme të diskriminimit dhe gjenocidit, kundër çdo tentative të ndryshimit të dhunshëm të strukturave ekzistuese etnike. Angazhohet kundër çdo monopoli politik dhe ekskluziviteti ideologjik, për lirinë e ndërgjegjes dhe të bindjeve politike, angazhohet për pavarësi të gjyqësorit”, thonë në këtë parti.

    LDK-ja thotë se përshëndet dhe përkrah proceset integruese në Evropën e sotme. Aktualisht lider i LDK-së është Lumir Abdixhiku.

  • Kryeministri Kurti së bashku me ministrin Sveçla mbajnë konferencë për media

    Kryeministri Kurti së bashku me ministrin Sveçla mbajnë konferencë për media

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të mbajë një konferencë të përbashkët për media me ministrin e punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Nga Kryeministria kanë njoftuar se konferenca do të mbahet në orën 12:00, ndërsa nuk është bërë publike tema e kësaj konference.

    ”Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbajë një konferencë për media, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë dërguar mediave.

     

  • “OSHP-ja po i amniston shkelësit e ligjit”

    “OSHP-ja po i amniston shkelësit e ligjit”

    Përgatiti: Artoni Hamiti

    Tenderin 2 milionësh “Për furnizim me Çizme për nevoja të FSK-së” Ministria e Mbrojtjes ia dha operatorit ekonomik “RUNWAY SH.P.K.”

    Në dokumentet e siguruara nga ATV-ja, del që kjo kompani është regjistruar në ARBK, vetëm tre muaj para hapjes së tenderit.

    Televizioni, po ashtu, posedon dëshmi që njërit prej aksionarëve i ndalohej pjesëmarrja në aktivitete të prokurimet, meqë sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit, ai paraprakisht falsifikoi dokumente në një tender të Policisë.

    Vetë Sabit Makiqi, aksionar në kompaninë fituese, tha se kjo nuk paraqet asnjë problem, pasi në kohën kur është hapur tenderi, ai nuk ishte i sanksionuar nga OSHP-ja.

    “Në biznesin “Runway SHPK” është e vërtetë që jam bashkëpronar, por kjo është krejtësisht ligjore. Ndërkaq, biznesi Sabit Makiqi B.I., asnjëherë nuk ka qenë në listën e zezë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me ketë biznes nuk është ofertuar në aktivitetin e prokurimit “Furnizim me Çizme”. Në këtë aktivitet është ofertuar në konsorcium me kompani mjaft serioze turke”, tha Makiqi.
    Sidoqoftë, për Diana Metushin nga KDI-ja, situata është dashur të merret parasysh nga Ministria e Mbrojtjes.

    Sipas saj, Organi Shqyrtues i Prokurimit duke shqiptuar ndëshkime të buta, po i amniston shkelësit e ligjit.

    Teksa operatorit ekonomik “Sabit Makiqi B.I” për falsifikim të dokumenteve iu ndalua pjesëmarrja në aktivitet të prokurimit për 9 muaj, ditë më parë Gjykata Komerciale pezulloi punimet në “Rrugën A”, ndërkaq Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Naim Sallahut pikërisht për të njëjtën arsye.

  • Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Komisioni qeveritar për persona të zhdukur prezanton raportin për 2023

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Normalizim të raporteve me Serbinë s’mund të ketë derisa ka mungesë të përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur gjatë luftës, tha kryeministri Albin Kurti.

    Gjatë prezantimit të raportit për këtë vit të Komisionit Qeveritar për të Zhdukurit, Kurti gjithashtu shtoi se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, nuk është çështje statistikash, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.

    “Shumë varre të hapura e të zbrazëta anekënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre, duke qenë brengë e Kosovës, sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike, por problem kombëtar, shtetëror e humanitar”, tha Kurti.

    Derisa, gjatë këtij viti, respektivisht më 2 maj, Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – kanë arritur marrëveshje për një Deklaratë për Personat e Zhdukur, më shumë është gërmuar në Kosovë sesa në Serbi.

    “Personalisht vlerësoj që asnjë angazhim nuk është i mjaftueshëm përderisa ne ende vazhdojmë të kërkojmë për më të dashurit tanë tash e 24 vite. Në rrafshin vendor kemi gërmuar në 15 lokacione të ndryshme në territorin e Kosovës. Kanë rezultuar me zhvarrosjen e 20 trupave dhe disa pjesë të tjera kockore”, tha kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

    Zbardhja e fatit të të zhdukurve është proces që ecën shumë ngadalë e sipas Qeverisë së Kosovës, faji qëndron te pala tjetër, e cila nuk është e gatshme për bashkëpunim.

  • Përplasja në distancë e Kurtit me Lajçakun për draftin e asociacionit

    Përplasja në distancë e Kurtit me Lajçakun për draftin e asociacionit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Gati dy muaj pasi në prani të liderëve evropianë shprehu gatishmërinë për nënshkrim në pako të draft-statutit të Asociacionit, kryeministri Albin Kurti është gati që vitin e ardhshëm ta shkruajë një draft tjetër.

    Këtë propozim, kryeministri kosovar e shpalosi në reagimin e tij, pas deklaratës së të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

    “Draft-statutin e Asociacionit, mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vucici). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian, Miroslav Lajcak, meqë draft-statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës. Në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi, Nenad Rasic (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, tha Kurti.

    Por, ideja e shkrimit të një drafti nga Kosova, po konsiderohet si e vonë nga dy partitë më të mëdha opozitare.

    Tash, pasi që i ka parë rezultatet shkatërruese të politikës së tij të jashtme dhe udhëheqjes amatoreske të dialogut, Kryeministri çohet dhe propozon 7 pika dhe kthehet pikërisht aty ku kemi qenë para 3 vitesh, duke thënë se vetë do ta draftojë statutin”, tha nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

    “Dy muaj më pas, te pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, del me propozim që tani Kosova ta shkruajë statutin e Asociacionit vetë. Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Megjithatë, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se është e vështirë që të shkruhet një draft nga Kosova, meqenëse Bashkimi Evropian tash është në pritje të zbatimit të marrëveshjes.

    “Mendoj se janë deklarata për konsum publik e jo një mundësi reale. Mendoj se faktori ndërkombëtar ua ka bërë të qartë se marrëveshja duhet të zbatohet në terren, pavarësisht se nuk ka nënshkrim”, tha njohësi i çështjeve politike, Fidan Ukaj.

    Në statusin e titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, Kurti po ashtu kërkoi të publikohen konkluzionet e hetimeve për sulmin në Bansjkë. Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës dhe krahas ndëshkimit të Serbisë, evropianët të merren më shumë me Vucicin, i cili, sipas Kurtit, i vodhi zgjedhjet e fundit.

  • Presidenti bullgar: S’do ta lëmë Kosovën në plan të dytë

    Presidenti bullgar: S’do ta lëmë Kosovën në plan të dytë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Vizitën e tij dyditore në Kosovë, Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, e nisi duke takuar homologen e tij, presidenten Vjosa Osmani.

    Dialogu Kosovë-Serbi, procesi integrues, por edhe siguria, ishin disa prej temave që u diskutuan në takimin e dy presidentëve.

    Sipas presidentit bullgar, shteti i tij do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në procesin e anëtarësimit dhe sa i përket dialogut, Radev tha se pala që nuk e respekton marrëveshjen duhet të ndëshkohet.

    “Ne vazhdojmë të ngulim këmbë për dialogun si mënyrën e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe paralelisht zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani. BE-ja duhet të ketë një rol aktiv për gjetjen e zgjidhjes së pranueshme për të gjitha palët. Për çdo palë të përfshirë duhet të ketë masa ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimet”, tha Radev.

    Po ashtu, ai ka theksuar se Serbia nuk duhet të harrojë që është në proces integrues në BE dhe kjo mund të ndikojë varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.

    Në konferencë u përmendën edhe masat e BE-së ndaj Kosovës për të cilat Presidentja Osmani ka thënë se ka tendencë që ato janë të vendosura nga Bashkimi Evropian, të përdoren për ta kushtëzuar Kosovën për çështje të ndryshme.

    “Gjithashtu, u theksua nevoja e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë”, tha Osmani.

    Presidenti i Bullgarisë është takuar gjatë të premtes edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ia ka dorëzuar presidentit bullgar “Çelësin e Qytetit”.

  • Protestojnë sërish punëtorët e KEK-ut

    Protestojnë sërish punëtorët e KEK-ut

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës përsëri kanë protestuar para zyrave të KEK-ut në Prishtinë.

    Kërkesa e tyre ishte e njëjta, rritja e pagave.

    Në rast se nuk arrihet një marrëveshje sa i përket kërkesës së tyre, ata kanë paralajmëruar grevë.

    “Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, përveç se të mbulojmë pagën bazë të inflacionit… po na detyrojnë për grevë”, tha kryetari i sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica.

    Veç rritjes së pagave, në këtë protestë u kërkua dorëheqje e menjëhershme e menaxhmentit të KEK-ut.

    “Po të kisha qenë si ta, kisha dhënë dorëheqje menjëherë, mos t’u dalin zot punëtorëve”, tha nënkryetari i sindikatës së KEK-ut, Selatin Sadiku.

    Në mbështetje të punëtorëve të KEK-ut, kishin dalë edhe përfaqësues të sindikatave të tjera në vend.

    “Në këtë shi pe dini kush na ka detyruar të dalim këtu sot…”, tha kryetari i Sindikatës së Sigurimit Fizik, Avni Mziu.

    “Marre, gjithë ky inflacion, ndërkohë që pagat e punëtorëve të KEK-ut nuk u rriten nga viti 2018…”, the kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi.

    Protesta e radhës nga punëtorët e KEK-ut është paralajmëruar për të mërkurën.

  • Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Publikohet opinioni i komisionit të Venecias për rritjen e numrit të anëtarëve të këshillit prokuror

    Përgatiti: Nora Luta

    Përveç këtyre arsyeve që i dha të hënën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Komisioni i Venecias ka argumentuar edhe një tjetër se pse nuk e përkrah rritjen e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial në 21.

    Në opinionin e publikuar nga ky komision, nuk kontestohet fakti që ka rrezik të korporatizmit në përbërjen aktuale të KPK-së, por theksohet se shtimi i tetë anëtarëve rrit rrezikun e politizimit të Këshillit.

    “Edhe nëse ndryshimi i përbërjes mund të thuhet se është projektuar si një masë e jashtëzakonshme, e vetme për të eliminuar kulturën e korporatizmit, një ndryshim i tillë po futet në një klimë polarizimi, do të jetë funksional vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, (më pak se dy vjet në skenarin më të mirë), është i mbushur me rreziqe bllokimesh dhe politizimi dhe krijon dyshimin se “KPK-ja e zgjeruar” do t’i nënshtrohet një ndikimi të konsiderueshëm politik përpara se të krijohet një “KPK” e reduktuar. Dhe më e rëndësishmja, siç theksohet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është rritja e ndjeshme e anëtarëve dhe rreziku potencial që vjen nga politizimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës që rrjedh nga rritja e mundshme e anëtarëve, por e cila do të zbehte kërkesën për integritet, pavarësi dhe stabilitet të mandateve të organeve kushtetuese, si KPK-ja, ushtrimi i funksioneve i të cilit s’duhet varur nga shumica kontingjente apo vullneti i shumicës parlamentare”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni ka dhënë rekomandime rreth kuorumit dhe përzgjedhjes së tre anëtarëve që do të zgjidhen nga Kuvendi, pasi thekson se nuk është bindur që është janë marrë parasysh rekomandimet e kaluara rreth procedurës.

    “Komisioni nuk është bindur se mënyra dhe procedura e përzgjedhjes së tre (3) anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi ka trajtuar thelbin e rekomandimit të mëparshëm, i cili kërkonte të sigurohej një përbërje pluraliste e KPK-së me qëllim për të reduktuar rrezikun e politizimit në zgjedhjen e anëtarëve joprokurorë”, thuhet më tej në opinionin e Komisionit të Venecias.

    Komisioni i Venecias ka rekomanduar, gjithashtu, që ligji të parashohë masa disiplinore më të rrepta për anëtarët që do të mungonin në mbledhjet e KPK-së pa arsyetim të vlefshëm.

    Ligji i kaluar për KPK-në u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm Ministria e Drejtësisë ka paralajmëruar se do të nisë ndryshimet bazuar në rekomandimet e Venecias për projektligjin e ri.