ATV

Category: Lajme

  • Nxënësit në Ponoshec të Gjakovës, mësojnë në një objekt shkollor që ka probleme me ngrohje

    Nxënësit në Ponoshec të Gjakovës, mësojnë në një objekt shkollor që ka probleme me ngrohje

    Përgatiti: Sara Shehu

    Tash e disa muaj ka nisur ndërtimi i një objekti të ri për nxënësit e shkollës “Ganimete Tërbeshi”, në fshatin Ponoshec të Gjakovës, ndërsa deri në përfundimin e projektit, rreth 70 nxënës po i mbajnë orët mësimore në një shkollë e cila ka probleme me ngrohje.

    “Na kemi qenë ne një shkollë të vjetër po tani ajo osht rrënu e tani osht tu u ba ndërtimi i shkollës së re, e ne për momentin jemi te një objekt te ish gjimnazi për të vazhduar procesin mësimor. Ngrohemi me dru, nuk e kemi ndryshu ngrohjen, gjithmonë kjo shkollë ka qenë me dru, pasi ka mbet një sasi e druve, për atë arsye nuk kom dasht me i lon drut anash, sepse buxheti shkollës ka qenë i pamjaftushëm, andaj duhet tendera se peleti ma i shtrenjtë, e drut ma lirë”, tha drejtoresha e shkollës “Ganimete Tërbeshi”, Nergjivane Imeri.

    Megjithatë, Drejtoresha e Arsimit në këtë komunë, Eranda Kumnova-Baçi, tha se në koordinim me MASHT-in do të bëjnë të pamundurën që në vitin e ardhshëm të përfundojnë punimet e objektit të ri.

    “Kushtet s’janë tepër te mira por të mira me mbajt mësim, ndërkohë shkolla e re së shpejti do të ndërtohet, mendojmë vitin tjetër të kryhet. Kemi kryer investime të shumta edhe në shkolla të tjera, kemi siguruar 15 psikologë nëpër shkolla, kemi arrit të sigurojmë staf për nxënësit për nevoja të veçanta”, tha drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi.

    Ministria e Arsimit ka ndarë mbi 1 milion euro për ndërtimin e shkollës në fshatin Ponoshec. Ndërkohë në kuadër të investimeve kapitale, komuna e Gjakovës, vetëm arsim ka investuar 600 mijë euro, kryesisht për renovime të shkollave përfshirë çerdhet.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • MASHT-i s’ka evidentuar keqpërdorime të mjeteve për blerjen e teksteve

    MASHT-i s’ka evidentuar keqpërdorime të mjeteve për blerjen e teksteve

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Tre muaj pas kësaj deklarate, Ministria e Arsimit nuk ka evidentuar asnjë rast të keqpërdorimit të mjeteve financiare të ndara për prindërit, për blerjen e teksteve shkollore.

    “Nga Drejtoritë Komunale, shkollat dhe organizatat që kanë monitoruar këtë proces nuk është raportuar ndonjë rast i tillë. Në anë tjetër janë prindërit e njëjtë që përfitojnë nga skema për shtesat e fëmijëve dhe kjo përgjegjësi prindërore nuk ka ndonjë të dhënë që është keqpërdorur”, thuhet në njoftimin nga MASHT-i.

    Por, monitoruesit e arsimit nuk janë të bindur në këtë. Sipas Argjend Osmanit, MASHTI edhe mund të mos i publikojë të dhënat për shkak të tentimit për t’i mbuluar gabimet e veta.

    “Nëse do të evidentoheshin këto padyshim do të ishte një hije e zezë për idenë e shpërndarjes së mjeteve, që është bërë sivjet dhe për ta mbuluar idenë e tyre të dështuar nuk janë të gatshëm për t’i mbledhur këto të dhëna fare”, tha Argjend Osmani, njohës i arsimit.

    Në anën tjetër, Sindikata e Arsimit nuk e përjashton mundësinë se ka ende nxënës pa tekste shkollore. Ndërkaq, kryetari Rrahman Jasharaj vlerëson se metoda e shpërndarjes së teksteve duhet të ndryshojë.

    “Le t’i kthehet formës së kaluar, le t’i kemi tekstet në shkolla dhe në këtë mënyrë anulohen dhe hidhen poshtë dyshimet se ndonjëri prej prindërve nuk e ka kryer detyrën e prindit, siç duhet me ato para që i ka marrë për të blerë tekstet shkollore”, tha Jasharaj.

    Qeveria kishte ndarë nga 80 euro për secilin nxënës nga klasa e 1 deri në të 5-tën 50 për tekste shkollore, ndërsa 30 euro për materiale të tjera. Nga 30 euro iu takonin nxënësve të klasës së 6-të deri në të 9-tën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mungesë e parkingjeve në Podujevë

    Mungesë e parkingjeve në Podujevë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Një premtim madhor i qeverisjes lokale në komunën e Podujevës ishte edhe ndërtimi i parkingut nëntokësor, për të cilin ende nuk kanë filluar punimet.

    Në mungesë të tij, qytetarët, veturat e tyre po detyrohen t’ i parkojnë skaj rrugëve, për çka edhe po gjobiten.

    Andaj qytetarët thonë se ndërtimi i parkingut nëntokësor është më së i nevojshëm.

    Në mungesë të parkingjeve, vështirësi në lëvizje po kanë edhe këmbësorët.

    Ndërkaq, nga komuna e Podujevës thonë se për ndërtimin e parkingut ende nuk kanë kontraktuar as kompaninë ndërtuese.

    “Kanë përfunduar të gjitha procedurat në letër, por ende nuk kemi gat as operatorin ekonomik për ti filluar punimet, por shpresoj që një kohë të shkurtë të përfundoj e gjitha”, tha Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës.

    Ndërtimi i parkingut nëntokësor në komunë së Podujevës pritet ti ketë 260 vend parkingje dhe do t’i kushtojë komunës rreth 3 milionë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vazhdon parkimi i veturave në trotuare në Lipjan

    Vazhdon parkimi i veturave në trotuare në Lipjan

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kjo hapësirë e dedikuar për këmbësorë në Lipjan po shfrytëzohet për parkim të automjeteve, madje këtë po e praktikojnë edhe mërgimtarët, që rëndom nuk lejohet në vendet ku jetojnë.

    Për t’i dhënë fund këtij problemi, Kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, tha se tashmë kanë nisur ndërtimin e një parkingu nëntokësor.

    “Parkingu nëntokësor do bëhet janë duke u zhvilluar punimet me dinamike jashtëzakonshme do të zgjidhet problemi ma kryesor i Lipjanit, sepse parkingjet janë problem. Rreth 270 parkingje do të shtohen. Do të këtë park mbi at parking do te jete i zgjeruar”, tha Ahmeti.

    Teksa po u vështirësohet qarkullimi nëpër trotuare për shkak të veturave të parkuara në to, qytetarët mezi presion realizimin e planit të komunës.

    Komuna e Lipjanit për ndërtimin e parkingut nëntokësor ka planifikuar të investon rreth 6 milion euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Invalidët e luftës pa proteza, ankohen se qeveria nuk po iu ndihmon

    Invalidët e luftës pa proteza, ankohen se qeveria nuk po iu ndihmon

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Qeveria nuk saktësoi se sa proteza për invalidët e luftës janë dhënë gjatë këtij viti.

    Realisht, sipas ekzekutivit, aplikimet janë ende në fazën e shqyrtimit.

    “Sa i përket pyetjeve se sa proteza janë dhënë për këta invalidë gjatë këtij viti, e kemi të pamundur këto ditë të nxjerrim të dhënat e sakta meqenëse është periudhe e fundvitit dhe jemi të angazhuar në shqyrtimin e shumë aplikimeve”, thuhet në njoftimin nga Qeveria e Kosovës.

    Por, nga Shoqata e Invalidëve të Luftës thonë se tash e disa vjet nuk është dhënë asnjë protezë.

    “Nga ardhja e kësaj qeverie, edhe në Qeverinë Kurti 1 dhe Kurti 2, deri më sot nuk është rregulluar, nuk është bërë asnjë protezë për invalidët e luftës. Kjo d.t.th se këta nuk kanë interesim që këto kategori t’i rregullojnë sa më shpejt dhe të mos kemi probleme me proteza”, tha kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj.

    Kritike për qasjen e Qeverisë me kategoritë e dala nga lufta është edhe opozita, teksa thotë se qeveria po i lufton çlirimtarët e vendit.

    Sipas shoqatës së invalidëve, aktualisht janë mbi 20 invalidë që kanë nevojë urgjente për ndërrim protezash e numri është vazhdimisht në rritje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 70-vjeçja Trendafilova, në krye të gjykatës së Kosovës ku pensionimi arrihet me 65 vjeç

    70-vjeçja Trendafilova, në krye të gjykatës së Kosovës ku pensionimi arrihet me 65 vjeç

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më 20 qershor të këtij viti, Ekaterina Trendafilova i mbushi 70 vjeç.

    Ditëlindjen, bullgarja e festoi në krye të Gjykatës Speciale, derisa kolegët e saj në gjykatat në Kosovë, në këtë moshë e festojnë vitin e pestë të pensionimit.

    Derisa vetë organi me seli në Hagë, por që punon me ligje të Kosovës, nuk u përgjigj për këtë situatë, avokatët e akredituar nga ky institucion kanë mendime të ndryshme.

    “Në botë mosha e pensionimit është kur e arrin moshën 65-vjeçare… Kjo vlen edhe për gjykatësit e Gjykatës Speciale”, tha avokatja e Akredituar nga Gjykata Speciale, Fehmije Gashi-Bytyqi.

    “Në këtë rast do duhej që në moshën 65, atyre t’iu pushojnë funksionet sepse ligji për punën e ka paraparë moshën, se kur një person duhet të jetë I frytshëm në profesion…”, tha Gashi-Bytyqi.

    “Pranë kësaj gjykate ligjet e Kosovës nuk zbatohen, përveç ligjit për dhomat e specializuara dhe ato nenet e kodit penal që e rregullojnë pengimin e drejtësisë…”, tha avokati i Akredituar nga Gjykata Speciale, Taulant Hodaj.

    “Ata i kanë disa kritere kur zgjidhet një gjykatës, por që nuk është mosha një prej tyre…”, tha Hodaj.

    Sidoqoftë, udhëheqja në këtë moshë e një institucionit që gjykon krimet e luftës e që shqipton dënime edhe mbi 20 vjet, nuk konsiderohet shumë problem.

    “Si krijesë e Bashkimit Evropian që është nuk e di çfarë rregulla kanë vendosë, dhe si është e mundur që në këtë moshë ta udhëheqë një organ kaq me përgjegjësi.. por nëse e kanë pa të drejtë, nuk mund ta kontestojmë…”, tha Gashi-Bytyqi.

    “Zakonisht në tribunale ndërkombëtare, gjyqtarët shërbejnë në moshë të shtyrë, atë praktikë e ka marrë edhe gjykata speciale…”, tha Hodaj.

    “Meqenëse nuk ka një limit, varet nëse eventualisht ajo nuk mund t’i kryejë detyrat: këtë mund ta kërkojë vetë apo organi…”, u shpreh Hodaj.

    Pas marrjes së detyrës në Janar të 2017, Ekaterina Trendafilova u riemërua në nëntor të 2020-tës nga shefi i misionit të EULEX-it.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • 119 raste të operimeve ilegale për dy vite

    119 raste të operimeve ilegale për dy vite

    Përgatiti: Armand Hoti

    Referuar informacioneve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, I.M, është personi i parë në Kosovën e pasluftës që u arrestua si rezultat i aktiviteteve ilegale të shfrytëzimit dhe përpunimit të resurseve minerare.

    Në vitin e fundit, sipas dosjes së KPMM-së, I.M, qe aktiv në eksploatimin ilegal të rërës dhe zhavorrit, në shtratin e degraduar të lumit Ibër në Zupç të Zubin Potokut.

    I.M, i cili u arrestua në fund të nëntorit, u lirua pa u bërë tre javë. Ndërsa, sipas Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, makineritë me të cilat dyshohet se u krye operimi ilegal janë sekuestruar.

    “Rasti ka shkuar në procedurë të rregullt. Janë sekuestruar mjetet me të cilat dyshohet që është kryer vepra penale. Rasti është ndarë për trajtim”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

    Megjithatë, i arrestuari për herë të parë u evidetua si operator ilegal në vitin 2017.

    Në total, sipas KPMM-së, ai qe përgjegjës për 10 operime të jashtëligjshme të nxjerrjes dhe përpunimit të rërës dhe zhavorrit, me ç’rast autoritetet inspektuese kishin shqiptuar gjoba financiare ndaj tij.

    Nga KPMM-ja, bëjnë të ditur se gjatë këtij viti dhe atij paraprak janë evidentuar saktësisht 119 operime të jashtë-ligjshme në të gjitha rastet.

    Ndërkohë, kryeinspektori në detyrë i KPMM-së, theksoi se ka raste të shuma kur operatorët ilegal janë përsëritës të veprës.

    “Kemi shumë raste kur operatorët ilegal në sektorin minerar janë operator recidivistë”, tha kryeinspektori në KPMM, Naim Sejdiu.

    Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, shpreh kritika ndaj prokurorisë dhe policisë.

    “Nëse flasim për një të arrestuar, në anën tjetër flasim për qindra raste të evidentuara që kanë qenë ilegal që kanë eksploatuar rërën dhe zhavorrin kjo tregon se insitutcionet relevante nuk po e kryejnë punën e tyre”, tha Demhasaj.

    Sipas Demhasajt, ekzistojnë raste ku produktet e përfituara jashtë-ligjshëm shiten në treg legal.

    “Produktet që këta i marrin në mënyrë ilegale nga lumenjtë e Kosovës, ata i shesin në një treg të bardhë”, tha Demhasaj.

    Në raportin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, të realizuar në vitin 2022 konstatohet se Lumi më i degraduar në Kosovë si pasojë e eksploatimit ilegal të zhavorrit është Drini i Bardhë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Analistët politikë paralajmërojnë zgjedhje të reja në Kosovë

    Analistët politikë paralajmërojnë zgjedhje të reja në Kosovë

    Barrë të rëndë për kryeministrin Kurti e kanë cilësuar njohësit politikë çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    Kjo sipas analistëve politik pritet të bëhet shkak që vitin e ardhshëm të ketë zgjedhje të reja në Kosovë.

    “Asociacioni është shndërruar në një element të patejkalueshëm dhe çdo humbje kohe në realizmin e tij praktik shkon në dëm të qeverisë dhe të shtetit të Kosovës. Kjo nënkupton izolimin, alternativa e mosrealizimit të Asociacionit është izolimi dhe vazhdimi i masave ndëshkuese që janë aktualisht. Kryeministri Kurti është në pozitë të palakueshme sepse përderisa ka qenë krye opozitar ka qenë kundërshtari më i madh i Asociacionit, ndërsa tani si kryeministër është vetëdijesuar se s’ka asnjë mundësi tjetër që të bllokojë procesin, por mund të neglizhojë dhe të humbas kohë”, tha Artan Muhaxhiri, analist politik.

    Njohësi i rrethanave politike, Dritëro Arfi, vlerëson se kryeministri Kurti, me pranimin e Asociacionit dhe me themelimin e tij, duhet t’i drejtohet sovranit për legjitimet të ri.

    “Unë mendoj se do të krijohen zgjedhje të reja sepse qeveria e ka një problematik, pasi një mënyrë e ka deligjetimuar vetveten me pranimin e Asociacionit. Kjo nuk është gjë e keqe, por tash duhet të kërkojë votën për ri legjitimim dhe jo vetëm qeveria, por duhet të kemi një konsensus shoqëror, pasi këtu edhe partitë opozitare e kanë një pjesë të përgjegjësisë, jo vetëm qeveria. Ky është një problem shoqëror dhe nacional, ku nuk duhet t’i lihet përgjegjësia vetëm qeverisë. Qeveria e ka përgjegjësinë është e vërtet, por duhet të gjejë mekanizmat që të unifikojë faktorin shqiptar dhe shoqëror se si të shkojmë tutje”, tha Arfi.

    Ditë më parë, në samitin BE – Ballkani Perëndimor, presidentja Vjosa Osmani tha se fillimisht draft-statuti i Asociacionit duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse del të jetë në pajtim me Kushtetutën, Kosova do ta zbatojë atë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mesazhi i Papa Françeskut për Krishtlindje: Të kujdesemi për të tjerët, falni sa më shumë mirësi!

    Mesazhi i Papa Françeskut për Krishtlindje: Të kujdesemi për të tjerët, falni sa më shumë mirësi!

    “Duhet të kujdesemi për të tjerët me dashamirësi”, kështu është shprehur Papa Françesku ndërsa ka uruar besimtarët për Krishtlindje.

    “Të veprojmë me mirësi dhe dashur. Pa dhunë dhe pa cënuar lirinë. Mirësia e Zotit është ajo që ne duhet të përçojmë mes miqve, mes të dashurve, bashkëshortëve, prindërve, fëmijëve. Të jemi delikatë, të respektueshëm, të kujdesshëm me të tjerët. Në këto ditë duhet të mblidhemi nëpër kisha, të bëhemi bashkë në shtëpi, me të afërm apo miq që nuk i kemi parë prej kohësh, të dëgjojmë dhe vizitojmë njëri-tjetrin”, tha në mesazhin e tij Papa Françesku.

    Gjithashtu ai bëri thirrje edhe që lufta në botë të marrë fund.

    “Ne jemi pranë vëllezërve dhe motrave tona që vuajnë nga lufta, mendojmë për Palestinën, Izraelin, Ukrainën. Ne mendojmë gjithashtu për ata që vuajnë nga varfëria, uria, skllavëria”, përfundoi Papa Françesku.

  • Thyhen xhamat e zyrave të UNMIK-ut në veri, Policia: Ne ekzaminuam vendin, s’e dimë çka ka pasur brenda

    Thyhen xhamat e zyrave të UNMIK-ut në veri, Policia: Ne ekzaminuam vendin, s’e dimë çka ka pasur brenda

    Sot gjatë ditës është raportuar e në veri janë thyer dhe vjedhur zyrat e UNMIK-ut, në Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Lidhur me rastin është deklaruar policia.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë në veri, Veton Elshani, tha se policia i ka gjetur xhamat e thyera.

    Elshani tha se nuk ka ende informacione se çka është vjedhur atje.

    “Ne ekzaminuam të gjitha, por s’e dimë çka ka pasur brenda. Nuk kemi informacione përveç asaj se çka është raportuar, nuk e di”, tha ai.