ATV

Category: Lajme

  • Kush është trashëgimtari ‘fatal’ i Mango-s, i arrestuar për vdekjen e babait të tij?

    Kush është trashëgimtari ‘fatal’ i Mango-s, i arrestuar për vdekjen e babait të tij?

    Në faqen zyrtare të Mango-s, profili i Jonathan Andic shoqërohet me titullin e tij, nënkryetar i bordit drejtues dhe me një fotografi ku ai pothuajse buzëqesh.

    Kjo foto bie në kontrast të plotë me pamjet që bënë xhiron e botës dje, ku djali i themeluesit të fuqishëm të kompanisë së veshjeve, Isak Andic, ecën me kokën ulur mes policëve.

    Autoritetet, të cilat e konsideronin të dyshuar për vrasjen e të atit, i cili ra nga një humnerë 100 metra të thellë gjatë një ecjeje me djalin e tij më 14 dhjetor 2024 në malin Montserrat, dje proceduan me arrestimin e tij.

    Arrestimi erdhi pas muajsh hetimesh nga policia për mbledhjen e provave, ndërsa gjyqtari i Martorellit që merret me çështjen urdhëroi paraburgimin e tij të përkohshëm. Megjithatë, ai i dha mundësinë të mos kalojë asnjë ditë në burg duke caktuar një garanci prej 1 milion eurosh, kështu që djali i madh i njeriut që ndërtoi një perandori u largua i lirë, të paktën për momentin.

    Nga Zvicra në Amerikë

    Familja Andic e mbështet plotësisht, pavarësisht akuzave të autoriteteve, dhe përmes përfaqësuesve të saj, sipas gazetës El Pais, deklaroi se është e bindur se “nuk ekzistojnë dhe nuk do të gjenden prova ligjore kundër tij” dhe se “pafajësia e tij është absolute”.

    Megjithatë, asgjë nuk duhet konsideruar e sigurt për fëmijën që lindi në vitin 1981 dhe u rrit në një mjedis familjar që i ofroi gjithçka, edhe pse Mango ende nuk ekzistonte.

    Gjatë rritjes, ai ndoqi disa shkolla, mes tyre internatin zviceran Beau Soleil, që pranon nxënës nga 11 deri në 18 vjeç, i cili ndodhet në një lartësi prej 1.350 metrash në fshatin Villars-sur-Ollon. Më pas, Jonathan Andic studioi komunikim audioviziv në Amerikë dhe i përfundoi studimet në Spanjë, në IESE Business School në Barcelonë, duke u fokusuar në ekonomi dhe menaxhim biznesi.

    Pavarësisht se prindërit e tij u divorcuan, ai ruajti marrëdhënie të ngushta me dy motrat e tij, Judith dhe Sara, si edhe me të ëmën, të cilat morën role të caktuara në kompani.

    Por roli i tij ishte më i vështiri.

    Pasardhësi, përgjegjësitë dhe konflikti

    Djali i madh i Isak Andic hyri në Mango në vitin 2005 si drejtues ekzekutiv, në moshën 24-vjeçare, duke kaluar gradualisht në departamente të ndryshme të kompanisë dhe duke punuar në dizajnin e koleksioneve, procesin krijues dhe menaxhim.

    Pas dy vitesh përvoje, atij iu besua lançimi i koleksionit të parë për meshkuj të Mango-s dhe mbikëqyrja e zhvillimit të tij në mbarë botën. Ai punoi shumë dhe deri në vitin 2024 koleksionet mashkullore të kompanisë kishin 600 pika shitjeje në 90 tregje ndërkombëtare dhe kontribuonin me 12% të xhiros vjetore të perandorisë që nisi nga një dyqan në Barcelonë dhe arriti në 2 mijë e 700 dyqane në 110 vende.

    Që nga viti 2012, pasardhësi ishte tashmë anëtar i bordit drejtues të kompanisë dhe në vitin 2014 mori drejtimin nga i ati, bashkë me përgjegjësitë. Megjithatë, nuk i gëzoi për shumë kohë. Isak Andic ia hoqi praktikisht drejtimin e kompanisë, gjë që sipas mediave spanjolle shkaktoi një përplasje mes babait dhe birit, e cila vitet e fundit dukej se ishte shuar.

    Por më pas erdhi ajo shëtitja fatale e fundit e babait dhe birit në shpellat e Montserrat-it dhe rënia e të parit nga një lartësi prej 100 metrash, që shkaktoi vdekjen e menjëhershme të miliarderit.

    Fillimisht u konsiderua aksident, por autoritetet konstatuan kundërshtime serioze në dëshmitë e trashëgimtarit dhe të martën në mëngjes proceduan me arrestimin e tij, duke hapur një kapitull të ri në çështje.

    Një kapitull për të cilin, të paktën për momentin, askush nuk e di se si do të përfundojë.

  • Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten, më 22 maj do të mbahet ceremonia mortore për Donike Gocajn, e cila humbi jetën në Manhattan të New Yorkut, pasi ra në një pusetë në mes të rrugës.

    Ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 11:00, sipas kohës lokale atje.

    Njoftimi u bë përmes rrjeteve sociale.

    Për tragjedinë, kanë raportuar edhe mediat e njohura në ShBA.

  • Asgjësohen 190 krerë, shtohet numri i bagëtive me murtajë në Dajç të Shkodrës

    Asgjësohen 190 krerë, shtohet numri i bagëtive me murtajë në Dajç të Shkodrës

    Sëmundja e murtajës ka prekur edhe një kope tjetër me bagëti të imta në fshatin Mali i Gjymtit në Shkodër, ku një ditë më parë u konstatuan dhe u asgjësuan disa krerë bagëti.

    Sipas Shërbimit Veterinar në Shkodër, deri më tani janë evidentuar dy ferma të prekura me rreth 190 krerë bagëti të imta, të cilat gjatë ditës së sotme do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit sipas protokolleve veterinare.

    Sakaq, ende nuk është bërë e mundur të përcaktohet origjina e infeksionit, pasi mungojnë të dhënat për hyrje-daljet e kafshëve në fermat e prekura.

    Ndërsa si masë parandaluese, tregjet e kafshëve të imta vijojnë të mbeten të mbyllura. Autoritetet loke të bujqësisë bëjnë me dije se fermerët që kanë të matrikulluar bagëtitë do të përfitojnë nga skema e dëmshpërblimit, sipas legjislacionit në fuqi./A2CNN

  • Zyrtari i NATO-s Kevin Hamilton vjen për herë të parë në Kosovë, takon Kurtin

    Zyrtari i NATO-s Kevin Hamilton vjen për herë të parë në Kosovë, takon Kurtin

    Zëvendës Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm për Partneritete në NATO, ambasadori Kevin Hamilton ka vizituar Kosovën për herë të parë.

    Gjatë qëndrimit të tij në vend, Hamilton zhvilloi një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

    Sipas komunikatës për media, gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit me NATO-n.

    “Kryeministri në detyrë Kurti foli për zhvillimet në vend, përfshirë ato në fushën e teknologjisë dhe të mbrojtjes, si dhe për prodhimin e municionit në Kosovë. Po ashtu, biseduan për marrëdhëniet e mira me NATO-n, sigurinë në rajon dhe në Kosovë, si dhe zhvillimet politike aktuale”.

    “U diskutua gjithashtu për themelimin e Xhandarmërisë së Kosovës, ku në pyetjen e z. Hamilton, kryeministri në detyrë Kurti shpjegoi konceptin dhe theksoi nevojën e kësaj strukture në forcimin e sigurisë dhe koordinimit me KFOR-in dhe NATO-n në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin zyrtar.

  • Përurohet rezervuari i Radoniqit, investim 9.15 milionë euro që rrit ndjeshëm ujitjen në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit

    Përurohet rezervuari i Radoniqit, investim 9.15 milionë euro që rrit ndjeshëm ujitjen në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, mori pjesë sot në ceremoninë e shënimit të përfundimit me sukses të Projektit IRIS dhe funksionalizimit të sistemit të rehabilituar të ujitjes në Radoniq të Gjakovës.

    Ky projekt, me vlerë totale prej 9.15 milionë euro, është financuar përmes një donacioni nga Komisioni Evropian dhe administruar nga Banka Botërore, ndërsa është udhëhequr dhe menaxhuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

    Përmes këtij projekti do të përfitojnë drejtpërdrejt dhe bujqit e komunave të Gjakovës, Rahovecit dhe Prizrenit.

    Aktualisht, sistemi i ujitjes mbulon rreth 5,000 hektarë tokë bujqësore, ndërsa me përfundimin e projektit janë shtuar edhe 6,000 hektarë të tjerë, duke e çuar sipërfaqen totale të përfshirë në rreth 11,000 hektarë që do të përfitojnë nga furnizimi më i sigurt dhe më efikas me ujë për ujitje.

  • “E kishte fiksim”, dënohet me vdekje TikTok-eri që vrau 17 vjeçaren

    “E kishte fiksim”, dënohet me vdekje TikTok-eri që vrau 17 vjeçaren

    Është dënuar me vdekje Umar Hayat, personi që akuzohet për vrasjen e influencueses së TikTok, Sana Yousaf.

    Ai u shpall fajtor për vrasjen e 17-vjeçares në qershor të vitit 2025. Hayat, po ashtu TikTok-er dhe djali i një ish-zyrtari qeveritar, u arrestua shumë shpejt pas krimit makabër që e kreu në shtëpinë e së resë.

    Fillimisht e pranoi atë që kishte bërë, më pas e mohoi në gjykatë, duke thënë se ishte i pafajshëm dhe se ishte përfshirë padrejtësisht në çështje.

    Vendimi u shpall nga gjyqtari Muhammad Afzal Majoka, i cili e dënoi me vdekje për “vrasje me paramendim”, megjithatë vendimi duhet të konfirmohet nga Gjykata e Lartë e Islamabadit.

    Përveç dënimit kapital, gjykata urdhëroi që i dënuari të paguajë 2.5 milion rupi kompensim për familjen e viktimës. Në rast mospagese, ai do të vuajë edhe 6 muaj burg shtesë.

    Gjykata i dha gjithashtu dënime të tjera për vepra të ndryshme penale, përfshirë 10 vite burg për grabitje, 10 vite për shpifje dhe 1 vit për vjedhje mallrash, por të gjitha dënimet do të ekzekutohen njëkohësisht.

    Gjatë gjykimit, Hayat ka mohuar akuzat, duke deklaruar se është implikuar padrejtësisht dhe se rasti është ndikuar nga presioni publik në rrjetet sociale. Më herët, në rrëfimin e tij, ai kishte përshkruar në detaje krimin dhe motivin, duke theksuar fiksimin e tij dhe xhelozinë ndaj 17 vjeçares.

    Çështja ka ngjallur debat të gjerë në Pakistan për sigurinë e grave dhe dhunën e lidhur me rrjetet sociale.

  • Si u ndaluan studentët shqiptarë në Bllatë teksa udhëtonin për protestën në Shkup

    Si u ndaluan studentët shqiptarë në Bllatë teksa udhëtonin për protestën në Shkup

    Një autobus me studentë shqiptarë nuk u lejua të kalojë kufirin në pikën doganore të Bllatës në Dibër, në kufi me Maqedoninë e Veriut, 2 ditë më parë.

    Autobusi me studentë nga Shqipëria, i cili po shkonte drejt Shkupit për t’ju bashkuar protestës së studentëve shqiptarë në RMV, u ndalua dhe më pas u shoqërua nga policia drejt Kumanovës.

    Të hënën studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut organizuan protestën e radhës, me kërkesë kryesore të drejtën për zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

    Kërkesa e tyre buron nga studentët e drejtësisë që prej dy vitesh kërkojnë të japin provimet në gjuhën amtare, pa gjetur zgjidhje.

  • 17 raste të fruthit brenda një muaji në Kosovë, IKShPK me apel për vaksinim të fëmijëve

    17 raste të fruthit brenda një muaji në Kosovë, IKShPK me apel për vaksinim të fëmijëve

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 19 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar 17 raste të fruthit- kryesisht të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundër fruthit, shytave dhe rubellës).

    Sipas komunave, 7 raste janë regjistruar në Ferizaj, 4 raste në Prishtinë, 3 raste në Kaçanik, dhe nga një rast në Lipjan, Gjilan, Shtime dhe Fushë Kosovë.

    Nga IKShPK kanë thënë se janë duke vazhduar aktivitetet për rritjen e vaksinimit në të gjitha nivelet.

    Ky institucion u kishte bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare në komunën përkatëse.

    Në fund të muajit prill u bë e ditur për regjistrimin e tetë rasteve të fëmijëve me fruth në Kosovë.

    IKSHPK kishte theksuar se fëmijët e prekur janë duke marrë trajtim spitalor, duke dëshmuar për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi.

    Falë vaksinimit, Kosova kishte qenë një ndër shtetet shembull në rajon sa i përket rasteve të prekura me fruth. Sipas të dhënave, në vitin 2019, Kosova kishte 95% mbulueshmëri me vaksinën kundër fruthit.

    7 vite pas mbulueshmëria me vaksinën kundër Fruthit, Shytave dhe Rubellës (MMR) për dozën e parë ka rënë në 82%.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) thotë se mbulueshmëria me dozën e parë të vaksinës MMR ende nuk ka arritur nivelin e nevojshëm për imunitet kolektiv.

    Ndërkaq mbulueshmëria për dozën e dytë të kësaj vaksine e cila jepet tek fëmijët e moshës 5–6 vjeç është 94%.

    Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.

    Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë.

    Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.

    Komplikimet janë më të shpeshta tek fëmijët në moshën nën 5 vjet ose tek të rriturit mbi 20 vjet.

    Si komplikime më të rënda janë: encefaliti (infeksion i cili shkakton ënjtje të trurit), verbërimi, diarre e rëndë e shoqëruar me dehidrim, infeksionet e veshit dhe infeksionet e rënda të organeve të frymëmarrjes, si për shembull pneumonia.

  • “Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë” – Osmani reagon pas debatit për “frizerkat”

    “Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë” – Osmani reagon pas debatit për “frizerkat”

    Pas publikimit të një videoje ku zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca, dëgjohet duke ironizuar me shprehjen “kur jena te frizerkat”, që u interpretua si referencë ndaj presidentes Vjosa Osmani, ka ardhur një reagim i ashpër nga e ish e para e shtetit.

    Osmani ka theksuar se asnjë grua që punon nuk duhet të jetë objekt përqeshjeje apo nënçmimi, duke e quajtur të papranueshme çdo formë të përçmimit ndaj grave në çdo profesion.

    “Veç puna e çon përpara Kosovën, jo urrejtja e përçmimi. Asnjë grua që punon nuk duhet të jetë objekt përqeshjeje. As gruaja në sallon, as në market, as në shkollë, as në spital, as në zyre, as në universitet, as gruaja që mban biznes apo familje,” thuhet në reagimin e saj.

    Ajo shtoi se gratë në Kosovë janë shtylla të shoqërisë dhe punojnë çdo ditë në heshtje, duke ndërtuar jetë dhe duke kontribuuar në ekonomi e familje.

    “Gratë janë shtylla e Kosovës. Janë heroinat tona të përditshme… Gruaja e lodhur nga puna vlen më shumë se mijëra fjalët tuaja boshe,” ka deklaruar Osmani.

    Pas reagimeve, zëvendëskryeministri në detyrë Glauk Konjufca, ka mohuar se deklarata e tij ishte e drejtuar apo ofenduese ndaj presidentes Vjosa Osmani apo profesionit të parukieres.

    Ai sqaroi se fjala e tij është nxjerrë nga konteksti dhe nuk ka pasur qëllim nënçmimi.

    “Nuk kam pasur asnjë qëllim ofendues. Konteksti është keqinterpretuar dhe nuk lidhet me nënçmim të askujt,” ka deklaruar Konjufca.

  • FSK po forcohet, Jashari dhe Haxhiu flasin për të ardhmen euroatlantike

    FSK po forcohet, Jashari dhe Haxhiu flasin për të ardhmen euroatlantike

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar u.d. Presidenten e Republikës së Kosovës Albulena Haxhiun.

    Fillimisht gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje u.d. Presidentes Haxhiu të cilën e informoi në lidhje me proceset nëpër të cilat po kalon Forca e Sigurisë së Kosovës, të arriturat e saj dhe rrugën përpara.

    Gjithashtu ata diskutuan për planifikimet e FSK-së, duke përfshirë fazën aktuale të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit (PGJT), procesin e planifikimit afatgjatë të zhvillimit si dhe sfidat aktuale të Forcës.  Për më tepër u theksua rëndësia e pjesëmarrjes së FSK-së në operacione ndërkombëtare jashtë vendit, e cila e shndërron Republikën tonë në një eksportues të sigurisë në konflikte të ndryshme globale.

    Në anën tjetër u.d. Presidentja Haxhiu e përgëzoi Gjeneral Jasharin për të arriturat e deritanishme të FSK-së dhe për rezultatet e treguara në sfera dhe aktivitete të ndryshme në të cilat FSK ka qenë pjesëmarrëse.

    Në fund të takimit palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe nevojën e zhvillimit dhe avancimit të FSK-së në forcë moderne, profesionale në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.