ATV

Category: Lajme

  • Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për kultivimin e narkotikëve

    Deklarohen të pafajshëm dy të akuzuarit për kultivimin e narkotikëve

    Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Millosh Maksimoviq dhe Sinisha Nedeljkoviq u deklaruan të pafajshëm për prodhimin e narkotikëve. Ndërkaq, Nedeljkoviq e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje. Në këtë seancë po ashtu u dha fjala hyrëse nga palët në procedurë dhe u dëgjua dëshmitari Goran Sankoviq.

    Në seancën e shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për prodhimin dhe kultivimin e narkotikëve. Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari Nedeljkoviq për këtë vepër, por ky i fundit e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Pas marrjes së mendimit të palëve, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Lutfi Shala mori aktvendim me të cilin e aprovoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Nedeljkoviq për pikën dy të aktakuzës, ndërsa kundërshtoi propozimin e mbrojtjes për veçimin e lëndës, duke njoftuar se Gjykata për këtë pikë do të vendosë në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor.

    Në fjalën hyrëse, prokurorja speciale Arbresha Raça-Shala deklaroi se kjo Prokuori ka prova të mjaftueshme materiale dhe personale me të cilat do të dëshmohet fajësia e dy të akuzuarve, e cila lidhet me përshkrimin e dispozitivit të parë të aktakuzës dhe kualifikimin juridik të saj.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Maksimoviq, avokati Mahmut Halimi deklaroi se si mbrojtje qëndrojnë fuqishëm në anën e së vërtetës materiale, e cila do të vërtetojë se klienti i tij nuk ishte pronar i laboratorit dhe nuk kishte të bënte fare me të.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljkoviq, avokati Ljubomir Pantoviq deklaroi se aktakuza nuk është e bazuar në prova, duke theksuar se të gjitha provat janë bazuar në dëshmitarë që janë zyrtarë policorë dhe raporte policore që kanë të bejnë me atë se çfarë është gjetur në atë laborator.

    Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Goran Sankoviq, i cili deklaroi se lëvizte kohë pas kohe pasi që familjen e ngushtë i kishte në Kragujevc, ndërsa prindërit në fshatin Rudine.

    Sankoviq theksoi se kishte vizituar shtëpinë e vikendit të të akuzuarit Nedeljkoviq, ndërsa mohoi të ketë qenë afër apo përreth laboratorit.

    “Në atë objekt s’kam qenë asnjëherë, as afër atij objekti nuk kam pas nevojë me shku atje, asnjëherë nuk kam qenë”, tha Sankoviq.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 11 shkurt 2025, të pandehurit Millosh Maksimoviq dhe Sinisha Nedeljkoviq, akuzohen se pas marrëveshjes paraprake dhe me dashje e me qëlim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore më 23 maj 2022, në fshatin Rudine afër PKK Izvor/Porta 33, në pronën e familjes Nedeljkoviq ku gjendet shtëpia dhe objektet përcjellëse me oborr, pa autorizim kanë prodhuar dhe kultivuar narkotik të llojit kanabis/marihunë me përmbajtje tetrahidrokanabinol/THC.

    Tutje, në këtë dispozitiv thuhet se Maksimoviq dhe Nedeljkoviq pasi që më parë kanë përgatitur laboratorin me pajisje dhe kushte për kultivimin e bimëve narkotike, me datën e lartcekur, me rastin e zbatimit të kontrollit nga policia e sipas urdhrit të Gjykatës, janë gjetur paijisjet për përgatitjen dhe kultivimin narkotikëve, dhe sasi e konsiderueshme e bimëve narkotike të mjella- mbi 10 mijë bimë/rrënië kanabis (marihuanë) të cilat i janë nënshtruar sekuestrimit automatik dhe janë shkatërruar/asgjësuar në afersi të vendit të ngjarjes nga njësitet policore.

    Për këtë, po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike” nga neni 268, paragrafi 1, lidhur me nenin 31, dhe lidhur me nenin 275, paragrafi 1, pika 1.9, të Kodit Penal të Kosovës.

    Në dispozitivin e dytë të kësaj aktakize, thuhet se i pandehuri Sinisha Nedeljkoviq, në fshatin Rudine, në pronën e tij/familjes, në shtëpi/vikendicë-Ranq San, në kundërshtim me Ligjin për Armë Nr. 05/L-022, pa leje përkatëse ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën- një pushkë të gjuetisë “TOZ”, e kalibrit 12 bore me dy tyta, e cila ka qenë funksionale dhe është gjetur e konfiskuar me rastin e kontrollit nga ana e Policisë, më 23 maj 2022.

    Për këtë, Nedeljkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.

  • Alarm nga Policia: Një klikim i vetëm po ua zbraz qytetarëve llogaritë bankare

    Alarm nga Policia: Një klikim i vetëm po ua zbraz qytetarëve llogaritë bankare

    Policia e Kosovës ka ngritur alarmin për rritjen e rasteve të mashtrimeve financiare përmes mesazheve telefonike (SMS), duke apeluar te qytetarët që të kenë kujdes maksimal ndaj lidhjeve të dyshimta që u dërgohen në telefonat e tyre.

    Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kohëve të fundit është vërejtur shtim i rasteve ku qytetarët pranojnë mesazhe të rreme, përmes të cilave paralajmërohen se xhirollogaritë e tyre bankare do të bllokohen nëse nuk ndërmarrin veprime të menjëhershme.

    Në këto mesazhe përfshihet një lidhje e dyshimtë, ku qytetarëve u kërkohet të japin të dhënat personale dhe bankare. Pas futjes së të dhënave, persona të paautorizuar arrijnë të kenë qasje në llogaritë bankare të viktimave dhe t’ua marrin mjetet financiare.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos hapin dhe të mos klikojnë në linqe të panjohura të pranuara përmes SMS-ve apo email-eve, si dhe të mos ndajnë fjalëkalime, kode identifikuese apo të dhëna bankare në platforma të pasigurta.

    Po ashtu, autoritetet kanë kërkuar që çdo rast i dyshuar të raportohet menjëherë në polici, me qëllim të parandalimit të mashtrimeve të tjera dhe identifikimit të personave përgjegjës.

  • Haxhiu vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes: FSK është një nga dëshmitë më të qarta të rrugës që ka bërë Republika jonë

    Haxhiu vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes: FSK është një nga dëshmitë më të qarta të rrugës që ka bërë Republika jonë

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së stome ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes, me ç’rast është takuar me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, dhe Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.

    Gjatë vizitës, U.D. Presidentja Haxhiu u njoftua nga afër me zhvillimet në Ministri të Mbrojtjes dhe FSK, me punën e përditshme të ushtarakëve tanë dhe me prioritetet që lidhen me ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës është një nga dëshmitë më të qarta të rrugës që ka bërë Republika jonë. Ëndrra e shumë brezave për ta mbrojtur shtëpinë tonë është bërë forcë e organizuar, e përgatitur dhe e rreshtuar me partnerët tanë. Përkushtimi i pjesëtarëve të saj është dëshmi e seriozitetit me të cilin Kosova po e ndërton sigurinë e vet, në bashkërendim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Mirënjohje për secilën grua dhe secilin burrë në uniformë që i shërben Republikës me nder”, ka thënë Haxhiu.

  • Rasti i ngacmimit në Gjakovë, KOMF kërkon nga organet e drejtësisë të ndërmarrin veprime

    Rasti i ngacmimit në Gjakovë, KOMF kërkon nga organet e drejtësisë të ndërmarrin veprime

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës, ku drejtori i një shkolle dyshohet për ngacmim seksual ndaj një vajze 17-vjeçare, nxënëse e shkollës.

    Përmes një postimi në Facebook, KOMF u bërë thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke garantuar trajtim me prioritet të rastit, mbështetjen e menjëhershme të fëmijës dhe vendosje të drejtësisë. KOMF thotë se kërkon llogaridhënie të plotë dhe transparencë në trajtimin e rastit, në mënyrë që raste të tilla të mos mbeten pa ndëshkim.

    “KOMF kërkon forcimin e mekanizmave për verifikim të personelit arsimor, përmes vlerësimit të integritetit profesional, respektimit të standardeve etike dhe mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve në institucionet arsimore, si dhe zbatimin e trajnimeve të detyrueshme dhe të vazhdueshme për stafin mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe parandalimin e abuzimit”, thuhet në postimin e KOMF.

    Tutje, KOMF u ka bërë thirrje fëmijëve dhe bashkëmoshatarëve që të raportojnë çdo sjellje, veprim apo situatë që cenon integritetin, dinjitetin dhe sigurinë e tyre.

  • Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Këtë të premte do të varroset e ndjera Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan të New Yorkut.

    Cocaj humbi jetën pasi ka rënë në një pusetë në mes të rrugës.

    Në lidhje me varrimin e kanë bërë të ditur familjarët e saj, derisa për tragjedinë kanë raportuar edhe mediat e njohura në SHBA.

  • Milaim Zeka dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe gjobë për shmangie tatimi, duhet t’ia kompensojë ATK-së 81 mijë euro

    Milaim Zeka dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe gjobë për shmangie tatimi, duhet t’ia kompensojë ATK-së 81 mijë euro

    Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka duke e dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë lidhur me akuzën për shmangie nga tatimi. Po ashtu, në emër të kompensimit të dëmit, i njëjti obligohet t’ia kompensojë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) shumën prej 81 mijë euro.

    Kurse, për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, ku Zeka akuzohej bashkë me Ilir Krasniqin për “Shmangie nga tatimi”, Gjykata mori aktgjykim refuzues.

    Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjyqtarja e çështjes, Edita Çanta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, për dy të akuzuarit Zeka dhe Krasniqi lidhur me veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, lidhur me nenin 31, Gjykata merr aktgjykim refuzues, për shkak se prokurori i shtetit është tërhequr nga kjo pikë e aktakuzës.

    Kurse, për veprën penale si në dispozitivin 5 të aktakuzës, i pandehuri Milaim Zeka u shpall fajtor për “Shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 3 dhe 1 të Kodit Penal, dhe u dënua me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti në periudhën e verifikimit në kohëzgjatje prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale.

    Po ashtu, Zeka u dënua edhe me 3 mijë euro gjobë, të cilën obligohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Milaim Zeka gjithashtu obligohet që në emër të kompensimit të dëmit, palës së dëmtuar- Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) t’ia kompensojë dëmin prej 81 mijë euro, në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

    I njëjti detyrohet që në emër të shpenzimeve procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor t’i paguajë 100 euro dhe në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 20 euro.

    Po ashtu, obligohet t’i paguajë shpenzimet procedurale sipas listës shpenzimore të gjykatës, të cilat Gjykata me aktvedim të veçantë dhe në aktgjykim do t’i listojë.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Ndërkaq, sa i përket dispozitivit të dytë të aktakuzës, për të cilin u mor aktgjykim refuzues, shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës.

    Pala e dëmtuar- ATK, për dispozitivin 2 të aktakuzës, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridik.

    Në seancën e 15 majit 2026, prokurori Ali Ajdini tha se Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale sa i përket pikës 2 të aktakuzës, në të cilën Ilir Krasniqi dhe Zeka akuzohen për “Shmangie nga tatimi”, për arsye se super-ekspertiza ka përcaktuar se biznesi “Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka OP” nuk ka obligime tatimore.

    Ndërkaq, për pikën 5 (e cila po ashtu ka të bëjë me “Shmangie nga tatimi”, por jo në bashkëkryerje ngase këtu akuzohej vetëm Zeka), prokurori kërkoi që i akuzuari Milaim Zeka të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

    Të pranishëm në shpallje ishin, i akuzuari Milaim Zeka me mbrojtësin e tij, avokatin Dren Kukaj dhe i akuzuari Ilir Krasniqi me mbrojtësin e tij, avokatin Qendrim Arifaj.

    Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 prill 2022 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-deputetit Milaim Zeka dhe dy të akuzuarve- Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu për veprat penale “Mashtrimi”, “Shmangie nga tatimi” dhe “Pastrimi i parave”. Por, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Milaim Zekës dhe Ilir Krasniqit sa i përket veprës penale “Shmangie nga tatimi”, kurse pjesën tjetër të aktgjykimit të Themelores e ka vërtetuar.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 28 gusht 2018 ka ngritur aktakuzë me pretendimin se të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, kanë kryer disa vepra penale.

    Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se prej vitit 2016 deri në mars të vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z. Op”, si agjenci punësimi. Sipas aktakuzës së përpiluar nga ana e prokurorit Afrim Shefkiu, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat tyre në lagjen “Pejton”, të Prishtinës.

    Tutje, thuhet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit Krasniqi, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

    Krasniqi dhe Zeka akuzoheshin se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3 mijë e 50 euro, duke i ndarë proporcionalisht mes vete. Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83 mijë e 850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261 mijë e 850 euro.

    Me këtë, Krasniqi dhe Zeka ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335 i Kodit Penal.

    Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me ç’rast akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

    I pandehuri Ilir Krasniqi akuzohej po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta. Me ç’rast, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

    Ndërsa, të pandehurit Zeka dhe Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer edhe veprat penale “Pastrim i parave”, “Mashtrimi” dhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. Kurse, i pandehuri Zekaj akuzohej se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

  • Albin Kurti e merr në ekip ish-nënkryetaren e LDK-së

    Albin Kurti e merr në ekip ish-nënkryetaren e LDK-së

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ish-nënkryetarja e LDK’së, Shqipe Mjekiqi, i është bashkuar në ekip, shkruan Reporteri.net.

    Kurti ka thënë se ajo do të kontribuojë me ekspertizën e saj në politikën e jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

    “Në ekipin tim si Kryeministër, nga sot u bashkua Shqipe Mjekiqi, për të kontribuar me ekspertizën e saj në politikë të jashtme dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Ishte kënaqësi të bashkëbisedojmë mbi nevojat e Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, të arriturat tona socio-ekonomike dhe vlerat demokratike, zhvillimet politike në vendin tonë e në rajon dhe situatën e sigurisë”, ka shkruar Kurti.

    Mjekiqi ka qenë nënkryetare e LDK’së. Ajo ka dhënë dorëheqje në mars 2023.

  • Pensionimi i hershëm në Polici/ Sveçla njofton themelimin e grupit punues

    Pensionimi i hershëm në Polici/ Sveçla njofton themelimin e grupit punues

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar themelimin e grupit punues për modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.

    Grupi në fjalë mbajti sot takimin e parë dhe pritet të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të PK-së.

    “Në kuadër të kësaj analize, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale” shkroi Sveçla.

    Ky është postimi i plotë i tij:

    Sot, me vendim, kam themeluar grupin punues i cili, duke analizuar të gjitha aspektet e nevojshme ligjore, financiare dhe organizative, deri në fund të muajit korrik të këtij viti do të propozojë modalitetet e programit të pensionimit të parakohshëm në Policinë e Kosovës.

    Grupi punues i cili sot mbajti takimin e parë, do të organizojë konsultime, takime pune dhe sesione dëgjimore me strukturat organizative të Policisë së Kosovës në nivel qendror dhe lokal, me qëllim të identifikimit të sfidave operative dhe nevojave reale që ndërlidhen me pensionimin e parakohshëm.

    Në kuadër të kësaj analize, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit gradual të programit, duke filluar nga mosha 63 vjeç dhe duke u ulur progresivisht deri në moshën 55 vjeç, në përputhje me kapacitetet financiare dhe nevojat institucionale.

    Ky proces synon të krijojë mundësi për një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore, të rrisë efikasitetin operacional dhe të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë publike në vendin tonë.

    Përmes këtij programi, do të ndërtojmë një polici më funksionale, më të balancuar në strukturë dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore të sigurisë, duke respektuar njëkohësisht kontributin dhe dinjitetin e secilit zyrtar policor.

  • Kush është trashëgimtari ‘fatal’ i Mango-s, i arrestuar për vdekjen e babait të tij?

    Kush është trashëgimtari ‘fatal’ i Mango-s, i arrestuar për vdekjen e babait të tij?

    Në faqen zyrtare të Mango-s, profili i Jonathan Andic shoqërohet me titullin e tij, nënkryetar i bordit drejtues dhe me një fotografi ku ai pothuajse buzëqesh.

    Kjo foto bie në kontrast të plotë me pamjet që bënë xhiron e botës dje, ku djali i themeluesit të fuqishëm të kompanisë së veshjeve, Isak Andic, ecën me kokën ulur mes policëve.

    Autoritetet, të cilat e konsideronin të dyshuar për vrasjen e të atit, i cili ra nga një humnerë 100 metra të thellë gjatë një ecjeje me djalin e tij më 14 dhjetor 2024 në malin Montserrat, dje proceduan me arrestimin e tij.

    Arrestimi erdhi pas muajsh hetimesh nga policia për mbledhjen e provave, ndërsa gjyqtari i Martorellit që merret me çështjen urdhëroi paraburgimin e tij të përkohshëm. Megjithatë, ai i dha mundësinë të mos kalojë asnjë ditë në burg duke caktuar një garanci prej 1 milion eurosh, kështu që djali i madh i njeriut që ndërtoi një perandori u largua i lirë, të paktën për momentin.

    Nga Zvicra në Amerikë

    Familja Andic e mbështet plotësisht, pavarësisht akuzave të autoriteteve, dhe përmes përfaqësuesve të saj, sipas gazetës El Pais, deklaroi se është e bindur se “nuk ekzistojnë dhe nuk do të gjenden prova ligjore kundër tij” dhe se “pafajësia e tij është absolute”.

    Megjithatë, asgjë nuk duhet konsideruar e sigurt për fëmijën që lindi në vitin 1981 dhe u rrit në një mjedis familjar që i ofroi gjithçka, edhe pse Mango ende nuk ekzistonte.

    Gjatë rritjes, ai ndoqi disa shkolla, mes tyre internatin zviceran Beau Soleil, që pranon nxënës nga 11 deri në 18 vjeç, i cili ndodhet në një lartësi prej 1.350 metrash në fshatin Villars-sur-Ollon. Më pas, Jonathan Andic studioi komunikim audioviziv në Amerikë dhe i përfundoi studimet në Spanjë, në IESE Business School në Barcelonë, duke u fokusuar në ekonomi dhe menaxhim biznesi.

    Pavarësisht se prindërit e tij u divorcuan, ai ruajti marrëdhënie të ngushta me dy motrat e tij, Judith dhe Sara, si edhe me të ëmën, të cilat morën role të caktuara në kompani.

    Por roli i tij ishte më i vështiri.

    Pasardhësi, përgjegjësitë dhe konflikti

    Djali i madh i Isak Andic hyri në Mango në vitin 2005 si drejtues ekzekutiv, në moshën 24-vjeçare, duke kaluar gradualisht në departamente të ndryshme të kompanisë dhe duke punuar në dizajnin e koleksioneve, procesin krijues dhe menaxhim.

    Pas dy vitesh përvoje, atij iu besua lançimi i koleksionit të parë për meshkuj të Mango-s dhe mbikëqyrja e zhvillimit të tij në mbarë botën. Ai punoi shumë dhe deri në vitin 2024 koleksionet mashkullore të kompanisë kishin 600 pika shitjeje në 90 tregje ndërkombëtare dhe kontribuonin me 12% të xhiros vjetore të perandorisë që nisi nga një dyqan në Barcelonë dhe arriti në 2 mijë e 700 dyqane në 110 vende.

    Që nga viti 2012, pasardhësi ishte tashmë anëtar i bordit drejtues të kompanisë dhe në vitin 2014 mori drejtimin nga i ati, bashkë me përgjegjësitë. Megjithatë, nuk i gëzoi për shumë kohë. Isak Andic ia hoqi praktikisht drejtimin e kompanisë, gjë që sipas mediave spanjolle shkaktoi një përplasje mes babait dhe birit, e cila vitet e fundit dukej se ishte shuar.

    Por më pas erdhi ajo shëtitja fatale e fundit e babait dhe birit në shpellat e Montserrat-it dhe rënia e të parit nga një lartësi prej 100 metrash, që shkaktoi vdekjen e menjëhershme të miliarderit.

    Fillimisht u konsiderua aksident, por autoritetet konstatuan kundërshtime serioze në dëshmitë e trashëgimtarit dhe të martën në mëngjes proceduan me arrestimin e tij, duke hapur një kapitull të ri në çështje.

    Një kapitull për të cilin, të paktën për momentin, askush nuk e di se si do të përfundojë.

  • Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten varroset Donikë Cocaj, e cila humbi jetën në Manhattan

    Të premten, më 22 maj do të mbahet ceremonia mortore për Donike Gocajn, e cila humbi jetën në Manhattan të New Yorkut, pasi ra në një pusetë në mes të rrugës.

    Ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 11:00, sipas kohës lokale atje.

    Njoftimi u bë përmes rrjeteve sociale.

    Për tragjedinë, kanë raportuar edhe mediat e njohura në ShBA.