ATV

Category: Lajme

  • Sami Lushtaku padit Albin Kurtin për shpifje, kërkon dëmshpërblim për deklaratat rreth “rrezikimit të eskortës”

    Sami Lushtaku padit Albin Kurtin për shpifje, kërkon dëmshpërblim për deklaratat rreth “rrezikimit të eskortës”

    Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka dorëzuar një padi për shpifje dhe kompensim të dëmit moral kundër Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Padia vjen pas deklaratave të Kurtit , ku ai pretendoi se Lushtaku kishte tentuar të bënte ndeshje komunikacioni me eskortën kryeministrore.

    Sipas dokumentit të publikuar nga Lushtaku, padia e ushtruar përmes avokatit Labinot Vata, e cilëson deklaratën e Kurtit si të pavërtetë, shpifëse dhe me qëllim dëmtimin e rëndë të reputacionit dhe integritetit të Lushtakut.

    Në argumentet e paraqitura në padi, pala mbrojtëse e Lushtakut thekson se këto deklarata e paraqesin klientin e tyre si person që ndërmerr veprime “të rrezikshme, të dhunshme dhe potencialisht kriminale”, pa pasur asnjë bazë faktike.

    “Nuk ka asnjë vendim apo provë. Nuk ekziston asnjë aktgjykim, aktvendim, procesverbal apo sanksion administrativ nga organet e rendit që mbështet pretendimet e kryeministrit.”, thuhet në deklaratë.

    Padia specifikon se Sami Lushtaku “prej vitesh nuk drejton personalisht automjete”, çka sipas mbrojtjes e bën deklaratën e Kurtit krejtësisht të pabazuar dhe absurde, duke qenë se ai paraqitet si shofer i mjetit që ka rrezikuar eskortën.

    Para se t’i drejtohej gjykatës, avokati i Lushtakut i kishte dërguar Kurtit një kërkesë zyrtare përmes postës elektronike për tërheqjen e deklaratave dhe kërkim falje publike, në pajtim me Nenin 12 të Ligjit për Shpifjen dhe Fyerjen. Pasi nuk kanë pranuar asnjë përgjigje apo reagim nga ana e Kryeministrit, pala paditëse ka iniciuar procedurën gjyqësore.

    Vlera e dëmit moral në këtë padi është lënë *e papërcaktuar*, ndërsa kërkohet që gjykata t’i cilësojë këto deklarata si shpifje që kanë cenuar nderin dhe dinjitetin e Lushtakut në opinionin publik.

    Baza e kësaj padie është një intervistë e Kryeministrit Albin Kurti.

    “Kryetari i Komunës së Skenderaj, me veturë zyrtare, 2Z, ka synuar që të bëjë ndeshje komunikacioni me eskortën ku isha unë… ka synu që ta ndërpresë qarkullimin e eskortës tonë, në mënyrë të dhunshme, me veturë zyrtare të Komunës së Skenderaj… ka pas tentim për rrezik.”, ka deklaruar Kurti.

  • Musliu e zhgënjyer nga policia, rrëfen detaje nga “rrethimi” i Skenderajt

    Musliu e zhgënjyer nga policia, rrëfen detaje nga “rrethimi” i Skenderajt

    Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur për natën e 15 prillit kur telefonoi Policinë e Kosovës, kur Skenderaj ishte “rrethuar”, dhe se të njëjtit i ishin përgjigjur se “ka shumë vetura të paregjistruara dhe meqë po vjen vera ka numër më të madh të automjeteve”.

    Ajo shtoi se ishte e zhgënjyer nga reagimi i Policisë dhe se nuk kishte ditur për praninë e mediave në vendngjarje.

    “Ky moment për mua ka qenë zhgënjyes me institucionin në këtë rast dhe kjo telefonatë ka zbardhur shumë anomali që s’kisha desht as me i verifikuar, pa dashje, nuk ka qenë qëllimi im me nxjerr këtë joseriozitet të Policisë së Kosovës. Asnjëherë s’kam dasht me bë politikë me institucionet e sigurisë, s’kisha dasht me dëgju një komunikim të tillë.

    Derisa, shtoi se atë natë kishte shkuar në Skenderaj nga Prishtina rreth orës 1 pasmesnate.

    “Isha në shtëpi, dhe më vjen një mesazh një fotografi dhe më thotë një qytetarë hyn lexoj portalet, dhe hyra në media dhe i pashë. Dhe kam shku prej Prishtinës në Skenderaj. As s’e kam ditë që ka media atje fare. Kam shku atje, në momentin e parë, ka ardhur një makinë e Policisë dhe është ndalur para turmës”, tha Musliu.

  • Komuna e Prishtinës njofton për Shërbime Falas Shëndetësore në Germi, çdo të shtunë

    Komuna e Prishtinës njofton për Shërbime Falas Shëndetësore në Germi, çdo të shtunë

    Çdo të shtunë në orën 09:00, një ekip i urgjencës mobile i Kryeqytetit i përbërë nga mjek dhe staf teknik, do të jetë i pranishëm në Germi për të ofruar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë, njofton komuna e Prishtinës.

    Në njoftim theksohet se çdo të shtunë, në orën 09:00, në Parkun e Gërmisë, organizohen ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash.

    “Pjesëmarrja është falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike”, thuhet në njoftim.

    Detaje:

  • Shënimi i 70 vjetorit të lindjes së Fehmiut e Xhevës organizohet në Prishtinë, Lladrovci falënderon Ramën

    Shënimi i 70 vjetorit të lindjes së Fehmiut e Xhevës organizohet në Prishtinë, Lladrovci falënderon Ramën

    Kryeqendra e Kosovës dhe kryetari i saj, Përparim Rama, kanë marrë përsipër organizimin e shënimit të 70 vjetorit të lindjes së heroit dhe heroinës, Fehmi e Xhevë Lladrovci.

    Lladrovci shkurt e ka falënderuar Ramën dhe Prishtinën:

    Faleminderit Përparim, faleminderit Prishtinë, zemra e shqiptarisë!

  • Donika Gërvalla për deklaratën skandaloze të Fatos Gecit për ish-krerët e UÇK në Hagë: E respektoj atë që ka thënë

    Donika Gërvalla për deklaratën skandaloze të Fatos Gecit për ish-krerët e UÇK në Hagë: E respektoj atë që ka thënë

    Donika Gërvalla, ministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka komentuar deklaratën e Fatos Geci, kandidat për deputet në listën e Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me të akuzuarit në Hagë.

    Duke folur në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Gërvalla u pyet për deklaratën që Geci kishte bërë në një seancë të Kuvendit të Kosovës, në ditën kur ishte shpallur vendimi përfundimtar për rastin e Liridona Ademaj.

    Në atë seancë, gjatë një debati për Partia Demokratike e Kosovës, Geci kishte deklaruar se edhe personat që ndodhen në Hagë duhet të marrin “vendim të njëjtë”, duke iu referuar dënimit me burgim të përjetshëm të Naim Murseli.

    Lidhur me këtë deklaratë, Gërvalla tha se e respekton atë që ka thënë Geci, duke përmendur historinë dhe sakrificën e familjes së tij.

    “Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë pa dashur të bëjë avokatin, e as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.

  • Tërheqja e trupave amerikane nga Evropa, Rutte: Kjo lëvizje nuk e dëmton sigurinë e NATO-s

    Tërheqja e trupave amerikane nga Evropa, Rutte: Kjo lëvizje nuk e dëmton sigurinë e NATO-s

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën kërkoi të qetësonte frikën e evropianëve lidhur me tërheqjen e trupave amerikane në kontinent, duke thënë se zvogëlimi i pranisë së trupave amerikane në Evropë nuk do të dëmtojë gatishmërinë mbrojtëse.

    “Kur bëhet fjalë për njoftimin, 4,000 deri në 5,000, janë forca që nuk kanë ndikim në planet mbrojtëse të NATO-s”, u tha udhëheqësi i aleancës ushtarake gazetarëve.

    Komentet e Rutte vijnë pas sulmit më të fundit të Presidentit të SHBA- së Donald Trump ndaj aleancës, i cili u nxit nga kritikat e kancelarit gjerman Friedrich Merz ndaj luftës SHBA-Izrael në Iran.

    Në përgjigje të vërejtjeve të udhëheqëses gjermane, Trump tha se SHBA-të do të tërhiqnin menjëherë 5,000 trupa amerikane nga vendi, diçka që është praktikisht e pamundur dhe do ta ulte shumë projektimin e fuqisë së SHBA-së, pasi këto trupa nuk e mbrojnë kryesisht Gjermaninë, por janë të stacionuara si njësi operative të avancuara, të gatshme për vendosje kryesisht në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

    Anëtarët e kabinetit të Trump, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio, janë përpjekur të sqarojnë konfuzionin mbi kërcënimin e presidentit për të tërhequr forcat nga Gjermania dhe më vonë nga Polonia.

    Të martën, Vance tha se vendosja e 4,000 trupave në Poloni ishte shtyrë dhe jo anuluar. Ndërkohë, Rubio do të takohet me anëtarët evropianë të NATO-s në Suedi këtë javë.

    Megjithatë, pavarësisht se sa të tronditur duket se janë aleatët evropianë nga kërcënimi i Trump, SHBA-ja ka planifikuar të orientojë mbrojtjen e saj drejt teatrove të tjera, kryesisht Azisë, për më shumë se një dekadë.

    Rutte e përmendi këtë në fjalën e tij, duke thënë: “Ne e dimë që do të ketë rregullime. SHBA-të duhet të orientohen më shumë drejt, për shembull, Azisë. Kjo do të ndodhë me kalimin e kohës dhe në një mënyrë të strukturuar.”

    Edhe Pentagoni e trajtoi situatën, duke thënë se do ta zvogëlonte numrin e brigadave të trupave amerikane në Evropë nga katër në tre, që do të thotë se nivelet e trupave do të binin në nivelet e vitit 2021 .

  • Admirali i NATO-s viziton Shqipërinë dhe Malin e Zi, për të “treguar përkushtimin ndaj aleatëve në rajonin e Ballkanit”

    Admirali i NATO-s viziton Shqipërinë dhe Malin e Zi, për të “treguar përkushtimin ndaj aleatëve në rajonin e Ballkanit”

    Komanda e Përbashkët Aleate e Forcave – Napoli, ka njoftuar se komandanti George Wikoff, ka vizituar Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku ka takuar udhëheqësit e lartë ushtarakë dhe Presidentin e Shqipërisë.

    Gjatë takimeve, siç njoftohet, diskutimet janë përqendruar në forcimin e sigurisë rajonale, dhe përmirësimin e ndërveprueshmërisë.

    ”Këto diskutime të rëndësishme u përqendruan në forcimin e sigurisë rajonale, përmirësimin e ndërveprueshmërisë dhe riafirmimin e angazhimit të palëkundur të JFCNaples ndaj Aleatëve tanë të NATO-s në rajon”, thuhet në njoftim.

    Postimi:

    Forcimi i aleancave

    Komandanti i JFC Naples, Admirali George Wikoff, vizitoi së fundmi Malin e Zi dhe Shqipërinë për t’u takuar me udhëheqësit e lartë ushtarakë dhe Presidentin e Shqipërisë.

    Këto diskutime të rëndësishme u përqendruan në forcimin e sigurisë rajonale, përmirësimin e ndërveprueshmërisë dhe riafirmimin e angazhimit të palëkundur të JFCNaples ndaj Aleatëve tanë të NATO-s në rajon.

    Së bashku, qëndrojmë më të fortë dhe më të bashkuar.

  • Ebola në Kongo, OBSH: 139 vdekje të dyshuara, numri pritet të rritet

    Ebola në Kongo, OBSH: 139 vdekje të dyshuara, numri pritet të rritet

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur të mërkurën se aktualisht janë regjistruar 600 raste të dyshuara me Ebolë dhe 139 vdekje të dyshuara.

    Sipas OBSH-së, shifrat pritet të rriten.

    Komiteti i Emergjencës i OBSH-së është mbledhur të martën në Gjenevë dhe ka konfirmuar se shpërthimi i fundit i Ebolës i llojit të rrallë Bundibugyo të virusit ishte një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar, por jo një emergjencë pandemie, ka thënë Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    “OBSH-ja e vlerëson rrezikun e epidemisë të lartë në nivelet nacionale dhe rajonale, dhe të ulët në nivel global”, ka deklaruar Tedros.

    Ai ka thënë se e ka shpallur të dielën shpërthimin si emergjencë globale dhe se ishte hera e parë që OBSH-ja ka marrë një hap të tillë pa u konsultuar fillimisht me ekspertë, për shkak të urgjencës së situatës.

    “Prioriteti jonë absolut tani është të identifikohen të gjitha kanalet ekzistuese të transmetimit, gjë që do të na mundësojë ne të definojmë shkallën e shpërthimit dhe të ofrojmë kujdes”, ka thënë Chikwe Ihekweazu, drejtor i emergjencave në OBSH.

    Shpërthimi në vitet 2018–2020 i variantit Zaire të Ebolës në të njëjtin rajon ka shkaktuar vdekjen e rreth 2,300 njerëzve.

    Lloji Bundibugyo i Ebolës, i cili përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore nga njerëz ose kafshë të infektuara, ka një shkallë mesatare vdekshmërie prej rreth 40%, sipas OBSH-së.

  • Shefi i OSBE-së takon Radoniqin: Po vazhdojmë ta mbështesim dixhitalizimin e proceseve kryesore zgjedhore

    Shefi i OSBE-së takon Radoniqin: Po vazhdojmë ta mbështesim dixhitalizimin e proceseve kryesore zgjedhore

    Shefi i misionit të OSBE-së, Gerard McGurk, ka takuar kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin.

    Siç njofton OSBE, të dy ata kanë diskutuar për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, takim i cili është cilësuar ‘’produktiv’’.

    ”Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të mbështesë dixhitalizimin e proceseve kryesore zgjedhore”, thuhet në njoftim, përcjell Gazeta Express.

    Postimi:

    Ambasadori Gerard McGurk: “Takim produktiv me partnerët e KQZ-së, Kryetarin Kreshnik Radoniqi, para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të mbështesë dixhitalizimin e proceseve kryesore zgjedhore.

    Zgjedhjet transparente varen nga institucionet e forta dhe infrastruktura moderne.”

  • Von der Leyen: Evropa do të përgjigjet ndaj incidenteve të përsëritura me dronë rusë

    Von der Leyen: Evropa do të përgjigjet ndaj incidenteve të përsëritura me dronë rusë

    Incidentet e përsëritura me dronë në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s në lindje të Evropës kanë rritur tensionet mes BE-së dhe Rusisë, pas paralajmërimeve të reja nga liderët evropianë.

    Në Vilnius, kryeqytetin e Lituanisë, u krijua alarm dhe panik pasi u raportua një ndërhyrje e mundshme me dronë.

    Për pasojë, aeroporti u mbyll përkohësisht dhe u evakuuan udhëheqësit shtetërorë, përfshirë presidentin Gitanas Nausėda dhe kryeministren Inga Ruginienė. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi duke thënë se këto kërcënime janë të papranueshme dhe deklaroi se “Evropa do të përgjigjet”, duke fajësuar Rusinë dhe Bjellorusinë për rrezikimin e sigurisë në kufijtë lindorë të BE-së.

    Sipas artikullit, vetëm gjatë muajit janë raportuar rreth gjashtë incidente të dyshuara me dronë në hapësirat ajrore të vendeve baltike dhe Finlandës, gjë që ka rritur shqetësimet për sigurinë rajonale. Kryeministri polak Donald Tusk i quajti këto incidente “provokim të koordinuar”, duke theksuar se situata nuk mund të injorohet, sidomos pas rasteve të mëhershme kur dronë kanë hyrë edhe në hapësirën ajrore të Polonisë.

    Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se këto ngjarje janë pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe se aleanca po reagon shpejt dhe sipas planit të saj të mbrojtjes.

    Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha të martën, pas një incidenti me dron në Letoni, se Rusia po teston “forma” të reja presioni mbi vendet e Krahut Lindor – me qëllim “frikësimin e njerëzve të rajonit”.

    Ai propozoi rritje të shpenzimeve për mbrojtje dhe mbështetje më të madhe për Ukrainën, shkruan Euronews.