ATV

Category: Lajme

  • Dy trupat e fundit të zhytësve italianë gjenden në Maldive, përfundon operacioni i kërkimit

    Dy trupat e fundit të zhytësve italianë gjenden në Maldive, përfundon operacioni i kërkimit

    Dy trupat e fundit të zhytësve italianë që humbën jetën në aksidentin më vdekjeprurës të zhytjes në Maldive janë gjetur, ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë të mërkurën, duke përmbyllur operacionin e kërkimit.

    Zhytësit ishin pjesë e një grupi prej pesë personash që kishin hyrë në një shpellë të thellë për eksplorim javën e kaluar, pasi iu ishte dhënë leja e nevojshme për të hulumtuar koralet e buta në zonën Devana Kandu.

    Autoritetet e Maldiveve po hetojnë shkaqet e mundshme që çuan në vdekjen e tyre, përfshirë edhe nëse grupi është zhytur më thellë se sa ishte planifikuar.

    “Një identifikim paraprak ka konfirmuar identitetin e italianëve dhe puna do të vazhdojë për ta konfirmuar atë nëpërmjet ADN-së nëpërmjet Interpolit dhe partnerëve të tjerë”, ka thënë zëdhënësi Mohamed Hussain Shareef për Reuters.

    “Ndërkohë, të gjithë trupat do të riatdhesohen në Itali”, ka thënë ai, duke shtuar se autoritetet e Maldiveve do të vazhdojnë hetimet për të “gjetur faktet e asaj që ka ndodhur”.

    Grupi drejtohej nga Monica Montefalcone, 51 vjeçe, profesoreshë në Universitetin e Gjenovës dhe ekologe detare, e cila ishte zhytëse e rregullt në ujërat e Maldiveve në Oqeanin Indian, së bashku me vajzën e saj.

    Trupi i instruktorit të grupit ishte gjetur të premten, ndërsa mbetjet e dy zhytësve të tjerë janë gjetur të martën, pasi një ekip specialistësh nga Finlanda u angazhua për të ndihmuar në përpjekjet e kërkimit.

    Një zhytës i Forcave Kombëtare të Mbrojtjes së Maldiveve që merrte pjesë në kërkim ka vdekur gjithashtu nga sëmundja e dekompresionit, ndërsa ekipet po përpiqeshin të gjenin trupat të shtunën.

  • Hungaria thotë se ish-zëvendësministri i kërkuar nga Varshava mund të jetë larguar nëpërmjet Serbisë

    Hungaria thotë se ish-zëvendësministri i kërkuar nga Varshava mund të jetë larguar nëpërmjet Serbisë

    Një ish-zëvendësministër polak i qeverisë, i kërkuar me akuza për keqpërdorim të fondeve publike, mund të jetë larguar nga Hungaria nëpërmjet Serbisë, tha kryeministri hungarez Peter Magyar në një intervistë me transmetuesin privat TVN24 të transmetuar vonë të martën.

    Magyar ndodhet në Poloni për një vizitë dyditore dhe çështja se si ish-ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro dhe zëvendësi i tij Marcin Romanowski, të cilët kërkohen të dy nga prokurorët në Varshavë, arritën të largoheshin nga Hungaria para se ai të merrte detyrën, mund të ngrihet në bisedime të mërkurën, transmeton Telegrafi.

    Ziobro dhe Romanowski, të cilët prokurorët thonë se keqpërdorën para nga një fond i krijuar për të ndihmuar viktimat e krimit dhe për të synuar kundërshtarët politikë me spiunazh, kishin marrë azil në Hungari nga paraardhësi i Viktor Orban.

    Ziobro ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe Reuters raportoi të hënën se Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau udhëzoi zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që të lehtësonin dhe miratonin një vizë për të.

    Megjithatë, vendndodhja e Romanowski mbetet e paqartë.

    “Nga sa kuptoj, Ziobro… u largua përmes Zonës Shengen rreth një ditë para inaugurimit tim”, tha Magyar për TVN24, duke folur nëpërmjet një përkthyesi, duke iu referuar zonës pa pasaporta të Bashkimit Evropian.

    “Sapo fola me kolegët e mi dhe… ka shenja se edhe zoti Romanowski u largua përmes Serbisë, por ky informacion nuk është konfirmuar ende”, shtoi ai.

    Magyar do të takohet me kryeministrin polak Donald Tusk dhe presidentin Karol Nawrocki në Varshavë të mërkurën.

    Magyar dhe Tusk do të udhëtojnë më pas në qytetin portual verior të Gdanskut, ku do të takohen me ish-presidentin dhe laureatin e Çmimit Nobel për Paqen, Lech Walesa.

    Varshava planifikon t’i ofrojë Budapestit qasje në LNG-në amerikane nëpërmjet një terminali të ri në Gdansk, i cili do të fillojë operacionet në vitin 2028, tha një burim me njohuri për çështjen.

    Orlen tashmë ka shitur LNG amerikane në Ukrainë. Megjithatë, Magyar i tha TVN24 se Hungaria donte të shihte çmime më të ulëta për gazin që vjen si LNG.

    “Nuk është ende një çmim i shkëlqyer dhe konkurrues. Do të ishim më të lumtur nëse do të kishte një tarifë më të ulët tranziti, ose nëse Bashkimi Evropian mund të bindej ta bënte gazin që vjen nëpërmjet LNG-së më konkurrues”, tha ai. /Telegrafi/

  • LDK organizon mbledhje komemorative për Alush Gashin

    LDK organizon mbledhje komemorative për Alush Gashin

    Nën patronatin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të enjten do të organizohet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar, anëtarit të Kryesisë, një prej themeluesve të LDK-së e bashkëpunëtorit të Presidentit Rugova, Alush Gashi.

    Në njoftimin zyrtar theksohet se mbledhja komemorative mbahet nga ora 11:00, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë (ish-ASK).

    Gashi vdiq më 15 maj në moshën 75-vjeçare.

  • Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës ‘arrest në burg’, mbyllet pa vendim seanca në Kushtetuese

    Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës ‘arrest në burg’, mbyllet pa vendim seanca në Kushtetuese

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi shfuqizim të masës së sigurisë ‘arrest në burg’ në Gjykatën Kushtetuese.

    Top Channel raporton se seanca në Kushtetuese ka përfunduar, por sot nuk ka një vendimmarrje nga gjykata.

    Gjykimi u bë me prova shkresore, pra ishin vetëm gjykatësit, pa prezencën e vetë kryebashkiakut apo SPAK.

    Më herët të dyja palët kanë depozituar prapësimet e tyre, Veliaj përmes avokatit ku argumenton se përse duhet shfuqizuar masa dhe SPAK ka depozituar qëndrimet e vetë.

  • Arifi: Përderisa ekzistojnë Haradinajt e Jasharajt, Serbia do t’i luftojë gjithmonë

    Arifi: Përderisa ekzistojnë Haradinajt e Jasharajt, Serbia do t’i luftojë gjithmonë

    Mërgimtari Naser Xhylani, militant i Lëvizjes Vetëvendosje, ka lëshuar deklarata të rënda dhe kërcënuese në drejtim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj. Në një video të publikuar në Facebook, Xhylani e ka krahasuar Haradinajn me kryeterroristin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin në Banjskë, duke iu referuar me mbiemrin e tij, “Daut Radoiçiq”.

    Në fund të videos, ai ka përdorur edhe gjuhë të drejtpërdrejtë kërcënuese, duke përmendur “kanunin” dhe persona që, sipas tij, janë “të gatshëm për sakrificë”.

    Në emisionin “Ora Shtatë”, kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Avni Arifi tha se ka dyshime që këtë narracion e ka krijuar vetë Lëvizja Vetëvendosje.

    “Një familje, njerëz, që e kanë oborrin plotë me varre heronjsh, jo vetëm të vrarë nga regjimi, por luftëtarësh, njerëz që i kanë pri procesit për çlirimin e Kosovës. Ramush Haradinaj akuzohet nga qeveria serbe se është fajtor për vrasjen e 3000 ushtarëve të saj që janë ardh këtu për me na vra”, tha Arifi në Klan Kosova.

    “Përderisa të ekzistojnë Haradinajt, përderisa të ekzistojnë Jasharajt, gjithmonë Serbia do t’i luftojë, Serbia me çdo instrument po i lufton. Fatkeqësisht, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me apo pavetëdije, në krah të kësaj propagande, dhe jo Haradinajve, por të të gjithë njerëzve të lirisë”, u shpreh Arifi.

  • 7 njehsorë pa afat, KEDS gjobitet me 40 mijë euro

    7 njehsorë pa afat, KEDS gjobitet me 40 mijë euro

    Është mbajtur mbledhja e radhës e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, ku është prezantuar edhe Draft Programi për Mbrojtjen e Konsumatorit 2026–2030, si dhe janë diskutuar masat për mbikëqyrjen e tregut.

    Në këtë takim janë prezantuar edhe informata lidhur me aksionet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, të fokusuara në monitorimin e çmimeve të derivateve, njehsorëve elektrikë dhe produkteve të qumështit me bazë bimore në treg.

    Sipas njoftimit, procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë për konsumatorët që kanë paraqitur ankesa po vazhdon.

    “Vlen të theksohet se po vazhdon procesi i verifikimit të njehsorëve elektrikë të konsumatorëve që kanë paraqitur ankesa. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, në laboratorin e Agjencisë së Metrologjisë janë verifikuar 19 njehsorë, prej të cilëve 7 kanë rezultuar pa afat të vlefshmërisë, ndërsa një njehsor është konstatuar pa lejim tipi,” thuhet në njoftim.

    Raportet e laboratorit janë proceduar për masa ligjore dhe gjoba ndaj KEDS-it.

    “Raportet zyrtare të laboratorit janë proceduar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për ndërmarrjen e masave ligjore dhe shqiptimin e gjobave ndaj KEDS-it, në vlerë prej 40,000 eurosh,” theksohet në komunikatë.

    Në mbledhje është diskutuar edhe për kompensimin e dëmeve ndaj konsumatorëve.

    “Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit gjithashtu ka diskutuar për adresimin sa më të shpejtë të rasteve dhe mënyrat e kompensimit të dëmit ndaj konsumatorëve,” thuhet më tej.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka theksuar se gjatë tre muajve të fundit janë ndërmarrë masa proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit gjatë tre muajve të fundit ka ndërmarrë një sërë masash proaktive për trajtimin e ankesave të konsumatorëve,” thuhet në njoftim.

    Po ashtu, sipas ministrisë, është rritur edhe numri i ankesave të qytetarëve.

    “Si tregues i rritjes së besimit institucional të qytetarëve konsiderohet edhe rritja prej 35% e numrit të ankesave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar,” përfundon njoftimi.

  • ‘‘Krejt Kosova si VVushtrria’’, Kurti kërkon nga qytetarët që VV’ja të arrijë 60% në zgjedhjet e 7 qershorit

    ‘‘Krejt Kosova si VVushtrria’’, Kurti kërkon nga qytetarët që VV’ja të arrijë 60% në zgjedhjet e 7 qershorit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndarë një video nga takimi që ka pasur me qytetarë në Vushtrri.

    Kurti, ka kërkuar që VV’ja të fitojë në zgjedhjet e 7 qershorit, si në Vushtrri.

    ‘’Vushtrria duhet me mbet qysh është, a Kosova duhet me u bo si Vushtrria. 116 me 7 qershor, veç ky numri tjetër 51.1%, ose 487 mijë vota sa i patëm, le ti tejkalojmë 500 mijë vota e le të mbërrijmë 60%’’, ka thënë ai mes tjerash.

    Postimi i tij:

    61% ishte rezultati i VETËVENDOSJE!-s me partnerë në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Vushtrri. Më 7 qershor krejt Vushtrria edhe një herë 116, e gjithë Kosova si VVushtrria.

    Në kuadër të punëve tona të mira për këtë qytet të vjetër me traditë në sport e kulturë, javën e kaluar nënshkruam kontratën për rindërtimin e stadiumit “Ferki Aliu”. Klubit të Futbollit “Vushtrria” i urojmë suksese në rrugën drejt rikthimit në Superligë.

    Ju faleminderit për mikpritjen e ngrohtë mbrëmë dhe mbështetjen e vazhdueshme.

  • Qirinj në letra, fishekzjarre në kuti – Dogana e Kosovës zbulon tentim mashtrimi në Prizren

    Qirinj në letra, fishekzjarre në kuti – Dogana e Kosovës zbulon tentim mashtrimi në Prizren

    Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë një kontrolli doganor në Zyrën Doganore në Prizren.

    Sipas komunikatës zyrtare, gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje mes deklarimit dhe gjendjes reale të mallit.

    “Gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje ndërmjet deklarimit doganor dhe gjendjes faktike të mallit. Malli ishte deklaruar si qirinj, ndërsa pas kontrollit fizik është vërtetuar se bëhej fjalë për fishekzjarre,” thuhet në njoftim.

    Po ashtu, Dogana ka bërë të ditur se për këtë lloj malli kërkohet edhe licencë e veçantë për import.

    “Përveç klasifikimit të gabuar tarifor, është konstatuar se për mallin në fjalë kërkohet edhe licencë për import të mjeteve plasëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi,” theksohet në komunikatë.

    Sipas vlerësimeve preliminare, dëmi i shkaktuar nga shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore kap vlerën mbi 2,500 euro.

    “Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore si rezultat i deklarimit të gabuar arrin në mbi 2500 euro,” thuhet më tej.

    Ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore.

    “Lidhur me rastin është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore sipas dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave,” përfundon njoftimi.

    Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e deklarimeve të pasakta dhe mbrojtjen e sigurisë publike./Telegrafi/

  • Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Ambasada e Gjermanisë: Është thelbësore që kjo të mos ndodhë

    Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e Kosovës, Ambasada e Gjermanisë: Është thelbësore që kjo të mos ndodhë

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se është thelbësore që Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet e jashtëzakonshme paralemntare në Kosovë.

    Pas thirrjeve të Beogradit ndaj serbëve të Kosovës që në zgjedhjet e 7 qershorit të votojnë për Listën Serbe, Ambasada tha se është thelbësore që të mos ketë këso ndërhyrje.

    “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 7 qershor janë një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre duke përdorur të drejtën e tyre për të votuar në një mënyrë të informuar dhe të vetëdijshme. Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit (qytetar)”, tha për RTV21 Payam Ghalehdar, zëdhënës i Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

    Përveç thirrjeve për votim të Listës Serbe së fundmi një numër zyrtarësh serb u shkarkuan nga puna në institucionet ku udhëheq Lista Serbe.

  • Përplasja mes dy ligjeve që po i bllokon investimet në Kosovë

    Përplasja mes dy ligjeve që po i bllokon investimet në Kosovë

    Një pronë është gjëja e parë që duhet ta sigurojë dikush kur vendos të investojë në Kosovë. Por, kur ajo është e shtetit, situata bëhet e ndërlikuar.

    Një përplasje mes Ligjit për pyjet dhe Ligjit për pronën publike ka krijuar një ngërç institucional në Kosovë, duke e bërë të vështirë marrjen në shfrytëzim të pronave shtetërore – dhe duke vonuar projektet investuese.

    Të dy ligjet u miratuan nga legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës në vitin 2023, me një diferencë prej rreth shtatë muajsh.

    Si është problemi?

    Ligji për pyjet, i miratuar më 9 mars 2023, i jep Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) kompetencën për menaxhimin e kullotave dhe të tokave pyjore shtetërore, rrjedhimisht të shqyrtojë edhe kërkesat për të marrë tokat shtetërore me qira.

    Sipas këtij ligji, deri në 20 hektarë të tokës pyjore jepen me qira me miratim të vet Agjencisë. Për 20 deri në 50 hektarë vendos Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kurse mbi 50 hektarë jepen vetëm me vendim të Qeverisë së Kosovës.

    Por, pas miratimit të Ligjit për pronën publike, më 26 tetor të po atij viti, situata u bë e paqartë.

    Ky ligj parasheh që pëlqimin paraprak për ta marrë një pronë në shfrytëzim ta japë Zyra për Administrimin e Pronës Publike (ZAPP).

    Ky organ tashmë është krijuar si zyrë e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

    Vetëm pasi ZAPP-ja të jetë siguruar se prona që po kërkohet nga një investitor potencial nuk është në interes për t’u përdorur nga asnjë institucion publik, i vazhdon procedurat e dhënies me qira të saj.

    Këto procedura përfundojnë me miratimin final nga institucionet e larta të shtetit.

    Sipas këtij ligji, prona shtetërore mund të jepet me qira deri në 15 vjet, me vendim në mbledhjen e Qeverisë apo të kuvendeve komunale.

    Kurse për dhënien me qira për 99 vjet të një prone publike duhet të vendosë Kuvendi i Kosovës.

    Çka shkaktoi kjo?

    Për shkak të mungesës së harmonizimit ligjor, APK-ja ka pezulluar shqyrtimin e kërkesave për shfrytëzim të përkohshëm të tokave publike.

    Në një përgjigje zyrtare të Agjencisë për kërkesën e një investitori të huaj të interesuar – të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë – thuhet se pa u bërë një qartësim ligjor rreth kompetencave, ajo nuk mund të vazhdojë me procedurat.

    “E kemi të pamundur të vazhdojmë me procedura të mëtejme pa u marrë veprimet për plotësimin/ndryshimin dhe harmonizimin ligjor, dhe cilat mund të jenë kompetencat që ka Agjencia Pyjore e Kosovës lidhur me menaxhimin dhe administrimin e pyjeve, kullotave, dhe tokave pyjore publike në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e APK-së, të datës 19 mars 2025.

    Tash e një vit, investitori potencial nuk ka arritur të marrë me qira pronën shtetërore të kërkuar.

    Disa investitorë të huaj të interesuar, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, u ankuan për pritje të gjata në shqyrtimin e kërkesave për marrje me qira të pronave publike, por hezituan të flasin publikisht për rastet e tyre, nga frika se kjo mund t’u krijojë probleme në procesin e marrjes së pronës në shfrytëzim.

    APK-ja i tha Radios Evropa e Lirë se në lidhje me atë se si po veprohet me kërkesat në pritje të investitorëve duhet të pyetet MBPRZH-ja.

    Por, as kjo e fundit nuk u përgjigj.

    Ndërkaq, Zyra e Kryeministrit i tha Radios Evropa e Lirë se ZAPP-ja, si njësi e re e krijuar, ka trajtuar secilën kërkesë që i është përcjellë nga APK-ja, duke shtuar se “involvimi i Agjencisë së Pyjeve brenda kësaj teme është i pashmangshëm”.

    Në përgjigje thuhet edhe se Qeveria ka zhvilluar takime mes institucioneve, përfshirë APK-në dhe bizneset që shfrytëzojnë tokë pyjore me qira, për të sqaruar paqartësitë ligjore dhe për të mbrojtur interesin publik.

    Dekurajim për investitorët e huaj

    Në praktikë, kjo situatë ka krijuar vonesa të mëdha për bizneset që synojnë investime në prona publike.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se pezullimi i shqyrtimit të kërkesave po i lë investitorët në pasiguri.

    “Nuk ka ndonjë kufi që është i vendosur brenda të cilit kthehet përgjigja. Ka biznese që po presin që shtatë muaj e deri në një vit, dhe nuk kanë ende përgjigje, për shkak të këtyre paqartësive”, tregon ai për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, kjo situatë po i dekurajon investitorët e huaj të zhvillojnë biznes në Kosovë.

    “Kemi investitorë të huaj që kanë ardhur ta bëjnë një studim për investim potencial dhe menjëherë kanë hasur në këtë sfidë ligjore. Dhe, në njëfarë forme, kjo i ka bërë të pasigurt që ata të investojnë në Kosovë”, thotë Rafuna.

    Shembulli i Shqipërisë

    Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe në Shqipëri ka pasur raste kur investimet vendëse dhe të huaja janë shtyrë për shkak të moskoordinimit institucional, por që është punuar në mënjanimin e pengesave përmes digjitalizimit të shërbimeve.

    Pavarësisht kuadrit ligjor të konsoliduar, bizneset në Shqipëri vazhdojnë të kërkojnë më shumë qartësi rreth konceptit “one-stop authority” për dhënien në përdorim të pronës publike, tregon ai.

    Sipas këtij koncepti, një investitor në Shqipëri mund të kryejë disa procedura administrative në një zyrë të vetme, pa pasur nevojë të shkojë në shumë institucione.

    Jaka pohon se Shqipëria sot është vend i favorshëm për investime, teksa përmend se “nuk ka kufizime të mëdha për kapitalin e huaj”.

    “Kostot konkurruese të punës dhe procedurat më të avancuara digjitale për regjistrimin e biznesit dhe licencimet”, por edhe “pozicionin strategjik” të Shqipërisë dhe “afërsinë me tregun e Bashkimit Evropian” ai i numëron si lehtësira të tjera.

    “Në terma praktikë, investitori në Shqipëri sot mund të regjistrojë biznesin relativisht shpejt edhe online”, shprehet Jaka.

    Ndërkohë, investitorët në Kosovë duhet të presin edhe më tutje një qartësim ligjor për të shfrytëzuar pronat publike – vendi aktualisht nuk ka një qeveri me kompetenca të plota, dhe as Kuvend që mund të miratojë ndryshime të ligjeve./REL/