ATV

Category: Lajme

  • Dalin rrogat e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pezullohet greva

    Dalin rrogat e punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë, pezullohet greva

    Punëtorët teknikë në disa shkolla të Prishtinës kishin hyrë dje në grevë për shkak se sipas tyre nuk kanë pranuar pagat e muajit prill.

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka mbajtur mbledhje sot me kryetarët e shoqatave të Sindikatës të punëtorëve teknik të shkollave të Komunës së Prishtinës aty ku u njoftua se është pezulluar greva pasi punëtorët sot kanë pranuar pagat e tyre.

    Greva është pezulluar deri me datën 25 maj, ndërsa është paralajmëruar se nëse nuk lidhin kontratat e punës deri me këtë datë, ata do ta ndërpresin punën.

    Jusuf Azemi tha se greva e mbajtur dje ka pasur efektet e saj pasi pagat e punëtorëve janë ekzekutuar sot, duke potencuar se efektet e veprimeve sindikale kishin efekt.

    Në grevën e djeshme kishin hyrë punëtorët teknikë të shkollave: “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet./

  • Abdixhiku njofton mërgatën: Të dielën do të jem në Cyrih të Zvicrës – Ejani, Kosova na do bashkë

    Abdixhiku njofton mërgatën: Të dielën do të jem në Cyrih të Zvicrës – Ejani, Kosova na do bashkë

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se të dielën e kësaj jave, do të jetë në Cyrih të Zvicrës.

    Abdixhiku, ka shtuar se tubimi do të fillojë nga ora 14:00.

    Postimi:

    Bashkëatdhetarë,

    Këtë të diel, nga ora 14:00, jemi në Cyrih të Zvicrës, në një ndër tubimet më të mëdha elektorale të këtij rrugëtimi.

    Ejani. Ju presim!

    Kosova na do bashkë!

  • Gjini reagon ashpër, shkarkon drejtorin pas skandalit në “Piranja”: Akt i turpshëm, nuk përfaqëson as Gjakovën e as Aleancën!

    Gjini reagon ashpër, shkarkon drejtorin pas skandalit në “Piranja”: Akt i turpshëm, nuk përfaqëson as Gjakovën e as Aleancën!

    Ardian Gjini, ka reaguar ashpër ndaj rastit të publikuar në emisionin investigativ “Piranjat”, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe thellësisht të rëndë.

    Gjini ka theksuar se siguria dhe dinjiteti i fëmijëve janë “vija të kuqe të pakontestueshme” për institucionet, mbi të cilat “nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë kompromis”.

    Në reagimin e tij, Gjini ka bërë të ditur se personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës, sipas procedurave ligjore në fuqi.

    “Në emër të Komunës së Gjakovës dhe në emrin tim personal, distancohem plotësisht dhe pa asnjë rezervë nga ky individ dhe çdo veprim i tij i turpshëm, i cili bie ndesh me moralin njerëzor dhe misionin e shenjtë të arsimit. Personi në fjalë është pezulluar menjëherë nga pozita e drejtorit të shkollës sipas procedurave ligjore në fuqi, ndërsa komuna ka ofruar dhe do të vazhdojë të ofrojë bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar për organet e rendit dhe prokurorinë me qëllim që ky rast të marrë dënimin maksimal ligjor”, ka deklaruar Gjini.

    Ai gjithashtu ka sqaruar se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021.

    “Dua të sqaroj opinionin publik se personi në fjalë nuk ka qenë pjesë e strukturave të Aleancës që nga viti 2021. Megjithatë, si kandidat për Kryeministër dhe nënkryetar i Aleancës, kam kërkuar menjëherë konfirmimin zyrtar nga kryetari i Degës në Gjakovë, Flamur Fetahaj, për të siguruar se ky individ nuk ka asnjë lloj lidhjeje apo angazhimi me ne”, ka shtuar ai.

    Gjini ka thënë se institucionet arsimore në Gjakovë do të mbeten të sigurta për fëmijët dhe se çdo shkelje e tillë do të përballet me ligjin.

    “Dua të siguroj të gjithë qytetarët, prindërit dhe nxënësit se sistemi arsimor në Gjakovë do të mbetet një mjedis i sigurt për fëmijët tanë, dhe kushdo që tenton ta cenojë këtë siguri do të përballet me forcën më të rreptë të ligjit dhe me largim të menjëhershëm nga institucionet tona”, ka përfunduar Gjini.

  • Muharremi: 2026 mund të jetë fatale për LVV-në

    Muharremi: 2026 mund të jetë fatale për LVV-në

    Analisti Shenoll Muharremi ka shkruar se viti 2026 mund të jetë fatal për Lëvizjen Vetëvendosje.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Muharremi ka shkruar se kjo parti më 7 qershor do të pësoj rënie.

    “Sigurisht që LVV ka me pësu rënie më 7 qershor. Nëse do të korrigjohet në 43%, apo 39%, e 35%… këtë duhet me pritë dhe me kuptua sa është vetëdijesuar votuesi kosovar”, ka shkruar ai.

    Sipas tij, më 7 qershor do të konfirmohet rënia e LVV-së dhe do të rikuperohen disa parti opozitare.

      Postimi i tij i plotë:

    2026 Mund të Jetë Fatale për LVV-në

    Sigurisht që LVV ka me pësu rënie më 7 qershor. Nëse do të korrigjohet në 43%, apo 39%, e 35%… këtë duhet me pritë dhe me kuptu sa është vetëdijësuar votuesi kosovar.

    Rënia dhe korrigjimi i LVV-së aty ku e ka bazën reale është më shumë një proces dhe kjo do të arrihet mesiguri me dy akte, jo me të parën. Kur fillon rënia, nuk ndalet më.

    Edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, votuesi vendas e ka ndëshkuar për rritje të çmimeve, varfëri, krizë të energjisë dhe kapje të shtetit, por Kurti atëherë bëri një inxhinieri elektorale, ku e bllokoi Kosovën me muaj që zgjedhjet të caktohen në festa të fundvitit.

    Arriti sukses, për shkak se i solli rreth 160,000 vota nga jashtë, derisa supozohet që rreth 90,000 votues të klasës së mesme, që votojnë partitë ish-opozitare, ishin jashtë vendit. Por kjo nuk ndodh më.

    Personalisht, nuk e njoh më asnjë person që voton për LVV. Me siguri se ka ende, por përderisa në vitin 2021 thuajse gjysma e personave që i njoh ishin me këtë parti, tani nuk janë më.

    Përshtypja është që zgjedhjet e 7 qershorit do të konfirmojnë rënien e përkrahjes për LVV dhe do të rikuperohen disa nga partitë opozitare. Por vendi, përsëri, nuk do të gjejë zgjidhje. Kjo për shkak se LVV e Kurti nuk bashkëpunojnë me askënd. Por edhe sikur të ndryshojnë, ata nuk kanë më miq e parti që do të bashkëpunojnë me ta.

    Kështu që, sipas të gjitha gjasave, 7 qershori është vetëm akti i parë, ku konfirmohet rënia e LVV-së, por nuk do të gjenerojë zgjidhje që i nevojitet Kosovës. Por zgjedhjet tjera, të dytat në 2026, mund të jenë fatale për LVV. Për shkak se kur votuesit e kuptojnë që LVV po humb përkrahjen, rënia mund të përshkallëzohet.

    Deri në fund të vitit 2026, LVV mund ta gjejë veten me vetëm rreth 30%-35% përkrahje, por edhe në opozitë.

  • Kurti dhe Pacolli prezantojnë pakon për largimin e deponive ilegale

    Kurti dhe Pacolli prezantojnë pakon për largimin e deponive ilegale

    Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, bashkë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë duke prezantuar pakon e re për largimin e deponive ilegale të mbeturinave në gjithë vendin.

    Në këtë prezantim do të shpalosen masat konkrete dhe veprimet institucionale për mbrojtjen e mjedisit, pastrimin e hapësirave publike dhe adresimin e ndotjes nga deponitë ilegale.

    Sipas Pacollit, janë ndarë 1 milion euro për këtë pako, e cila është më e madhja për largimin e deponive dhe mbulon hapësirat jashtë kufijve të vendbanimeve.

    “Janë nënshkruar 4 marrëveshje me kompanitë rajonale në Kosovë. Ne po synojmë largimin e rreth 500 deponive të mbeturinave në mbarë Kosovën. Nuk do të ketë tolerance për dëmtuesit e natyrës. Çdo ndotës do të përballet me forcën e ligjit” deklaroi ajo.

    Kurti deklaroi se qëllim i këtij aksioni janë dy pika të rëndësishme.

    “E para, të intervenojë ne vendet ku hedhja e mbeturinave rrezikon ambientin dhe shëndetin. Po ashtu, kërkon të shtrojë një rrugë të re, ku qeveria nuk rrin duarkryq por është prijëse e organizimit…” deklaroi Kurti.

  • Nasim Haradinaj: Këto zgjedhje e mbështes AAK-në, ja cila është arsyeja

    Nasim Haradinaj: Këto zgjedhje e mbështes AAK-në, ja cila është arsyeja

    Bashkëluftëtari i Ramush Haradinaj, Nasim Haradinaj, ka bërë të ditur se në zgjedhjet e 7 qershorit do ta mbështesë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e cilësuar këtë subjekt si një zë të fuqishëm opozitar dhe të domosdoshëm për Kuvendin e Kosovës.

    Postimi i tij i plotë:

    Këto zgjedhje janë ndoshta ndër më të rëndësishmet në historinë tonë të pasluftës. Më 7 qershor, kam vendosur ta mbështes Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Pse? Sepse Aleanca, si subjekt politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka qenë një zë i fuqishëm opozitar.

    Ka qëndruar përballë çdo qeverie me argumente të forta, por njëkohësisht ka treguar konstruktivitet kur ka qenë në pyetje interesi i shtetit tonë. Aleanca, e edhe Ramushi me shokë i duhet Parlamentit të Republikës së Kosovës. Prezenca e këtij subjekti politik është garanci për vendin, për lirinë dhe për shtetin tonë.

    Si subjet parlamentar janë dëshmuar se dinë të bëjnë dallimin kur duhet të jenë të ashpër dhe të palëkundur ndaj agjendave kundër shtetit, por edhe kur duhet maturi politike dhe përgjegjësi kombëtare.

    Kosova ka nevojë për njerëz që e kanë dëshmuar veten në kohët më të vështira dhe që nuk janë lëkundur kurrë përballë sfidave të shtetit.Përherë dhe gjithmonë me gjithë çlirimtarët dhe ndërtuesit e mbrojtësit e shtetit e kombit !.Nasim Haradinaj

  • Dy trupat e fundit të zhytësve italianë gjenden në Maldive, përfundon operacioni i kërkimit

    Dy trupat e fundit të zhytësve italianë gjenden në Maldive, përfundon operacioni i kërkimit

    Dy trupat e fundit të zhytësve italianë që humbën jetën në aksidentin më vdekjeprurës të zhytjes në Maldive janë gjetur, ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë të mërkurën, duke përmbyllur operacionin e kërkimit.

    Zhytësit ishin pjesë e një grupi prej pesë personash që kishin hyrë në një shpellë të thellë për eksplorim javën e kaluar, pasi iu ishte dhënë leja e nevojshme për të hulumtuar koralet e buta në zonën Devana Kandu.

    Autoritetet e Maldiveve po hetojnë shkaqet e mundshme që çuan në vdekjen e tyre, përfshirë edhe nëse grupi është zhytur më thellë se sa ishte planifikuar.

    “Një identifikim paraprak ka konfirmuar identitetin e italianëve dhe puna do të vazhdojë për ta konfirmuar atë nëpërmjet ADN-së nëpërmjet Interpolit dhe partnerëve të tjerë”, ka thënë zëdhënësi Mohamed Hussain Shareef për Reuters.

    “Ndërkohë, të gjithë trupat do të riatdhesohen në Itali”, ka thënë ai, duke shtuar se autoritetet e Maldiveve do të vazhdojnë hetimet për të “gjetur faktet e asaj që ka ndodhur”.

    Grupi drejtohej nga Monica Montefalcone, 51 vjeçe, profesoreshë në Universitetin e Gjenovës dhe ekologe detare, e cila ishte zhytëse e rregullt në ujërat e Maldiveve në Oqeanin Indian, së bashku me vajzën e saj.

    Trupi i instruktorit të grupit ishte gjetur të premten, ndërsa mbetjet e dy zhytësve të tjerë janë gjetur të martën, pasi një ekip specialistësh nga Finlanda u angazhua për të ndihmuar në përpjekjet e kërkimit.

    Një zhytës i Forcave Kombëtare të Mbrojtjes së Maldiveve që merrte pjesë në kërkim ka vdekur gjithashtu nga sëmundja e dekompresionit, ndërsa ekipet po përpiqeshin të gjenin trupat të shtunën.

  • Hungaria thotë se ish-zëvendësministri i kërkuar nga Varshava mund të jetë larguar nëpërmjet Serbisë

    Hungaria thotë se ish-zëvendësministri i kërkuar nga Varshava mund të jetë larguar nëpërmjet Serbisë

    Një ish-zëvendësministër polak i qeverisë, i kërkuar me akuza për keqpërdorim të fondeve publike, mund të jetë larguar nga Hungaria nëpërmjet Serbisë, tha kryeministri hungarez Peter Magyar në një intervistë me transmetuesin privat TVN24 të transmetuar vonë të martën.

    Magyar ndodhet në Poloni për një vizitë dyditore dhe çështja se si ish-ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro dhe zëvendësi i tij Marcin Romanowski, të cilët kërkohen të dy nga prokurorët në Varshavë, arritën të largoheshin nga Hungaria para se ai të merrte detyrën, mund të ngrihet në bisedime të mërkurën, transmeton Telegrafi.

    Ziobro dhe Romanowski, të cilët prokurorët thonë se keqpërdorën para nga një fond i krijuar për të ndihmuar viktimat e krimit dhe për të synuar kundërshtarët politikë me spiunazh, kishin marrë azil në Hungari nga paraardhësi i Viktor Orban.

    Ziobro ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe Reuters raportoi të hënën se Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau udhëzoi zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit që të lehtësonin dhe miratonin një vizë për të.

    Megjithatë, vendndodhja e Romanowski mbetet e paqartë.

    “Nga sa kuptoj, Ziobro… u largua përmes Zonës Shengen rreth një ditë para inaugurimit tim”, tha Magyar për TVN24, duke folur nëpërmjet një përkthyesi, duke iu referuar zonës pa pasaporta të Bashkimit Evropian.

    “Sapo fola me kolegët e mi dhe… ka shenja se edhe zoti Romanowski u largua përmes Serbisë, por ky informacion nuk është konfirmuar ende”, shtoi ai.

    Magyar do të takohet me kryeministrin polak Donald Tusk dhe presidentin Karol Nawrocki në Varshavë të mërkurën.

    Magyar dhe Tusk do të udhëtojnë më pas në qytetin portual verior të Gdanskut, ku do të takohen me ish-presidentin dhe laureatin e Çmimit Nobel për Paqen, Lech Walesa.

    Varshava planifikon t’i ofrojë Budapestit qasje në LNG-në amerikane nëpërmjet një terminali të ri në Gdansk, i cili do të fillojë operacionet në vitin 2028, tha një burim me njohuri për çështjen.

    Orlen tashmë ka shitur LNG amerikane në Ukrainë. Megjithatë, Magyar i tha TVN24 se Hungaria donte të shihte çmime më të ulëta për gazin që vjen si LNG.

    “Nuk është ende një çmim i shkëlqyer dhe konkurrues. Do të ishim më të lumtur nëse do të kishte një tarifë më të ulët tranziti, ose nëse Bashkimi Evropian mund të bindej ta bënte gazin që vjen nëpërmjet LNG-së më konkurrues”, tha ai. /Telegrafi/

  • LDK organizon mbledhje komemorative për Alush Gashin

    LDK organizon mbledhje komemorative për Alush Gashin

    Nën patronatin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të enjten do të organizohet mbledhje komemorative në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar, anëtarit të Kryesisë, një prej themeluesve të LDK-së e bashkëpunëtorit të Presidentit Rugova, Alush Gashi.

    Në njoftimin zyrtar theksohet se mbledhja komemorative mbahet nga ora 11:00, në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë (ish-ASK).

    Gashi vdiq më 15 maj në moshën 75-vjeçare.

  • Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës ‘arrest në burg’, mbyllet pa vendim seanca në Kushtetuese

    Veliaj kërkoi shfuqizimin e masës ‘arrest në burg’, mbyllet pa vendim seanca në Kushtetuese

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kërkoi shfuqizim të masës së sigurisë ‘arrest në burg’ në Gjykatën Kushtetuese.

    Top Channel raporton se seanca në Kushtetuese ka përfunduar, por sot nuk ka një vendimmarrje nga gjykata.

    Gjykimi u bë me prova shkresore, pra ishin vetëm gjykatësit, pa prezencën e vetë kryebashkiakut apo SPAK.

    Më herët të dyja palët kanë depozituar prapësimet e tyre, Veliaj përmes avokatit ku argumenton se përse duhet shfuqizuar masa dhe SPAK ka depozituar qëndrimet e vetë.