ATV

Category: Lajme

  • SHBA nis tërheqjen ushtarake nga Europa, alarm në NATO

    SHBA nis tërheqjen ushtarake nga Europa, alarm në NATO

    Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar aleatët europianë për vendimin e tyre për të reduktuar praninë ushtarake në Europë. Administrata amerikane do të rikthejë në atdhe brigadën shtesë të dislokuar në Gjermani pas pushtimit rus në Ukrainë, duke e çuar numrin e brigadave amerikane në kontinent në vetëm tre, secila me rreth 5 mijë trupa.

    Ky vendim e rikthen praninë ushtarake amerikane në nivelet e vitit 2021, kur Europa konsiderohej ende në një periudhë stabiliteti dhe tensionet në lindje nuk perceptoheshin si kërcënim real.

    “America First” dhe sinjali politik ndaj Europës

    Njoftimi u bë përmes një deklarate teknike të Pentagonit dhe jo nga vetë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjë që sipas analistëve tregon distancimin dhe mungesën e interesit të Shtëpisë së Bardhë ndaj aleatëve europianë.

    Reduktimi i trupave justifikohet me doktrinën “America First” të Donald Trump dhe me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve europiane. Megjithatë, Pentagoni ka lënë të kuptohet se do të vlerësojë individualisht kontributin e secilit aleat, duke krijuar ndarje mes “partnerëve të mirë” dhe atyre më pak të besueshëm.

    Një nga pasojat konkrete është pezullimi i zëvendësimit të një brigade që duhej të qëndronte në Poloni, ndërsa po shqyrtohen alternativa të tjera për praninë amerikane në Europën Lindore.

    “D-Day” në të kundërt

    Megjithëse nga pikëpamja ushtarake Gjermania dhe Polonia kanë forcuar ndjeshëm kapacitetet e tyre, largimi i trupave amerikane konsiderohet një goditje e fortë politike për NATO-n.

    Sipas raportimeve, vendimet janë marrë pa konsultim të plotë me aleatët europianë dhe pa një kalendar të qartë për ndryshimet, duke shkaktuar irritim në shtabet ushtarake të vendeve anëtare.

    Në qarqet diplomatike dhe ushtarake po flitet tashmë për një “D-Day të kundërt”, ku SHBA po nis gradualisht tërheqjen nga Europa. Mes skenarëve të përfolur janë edhe rikthimi në SHBA i skuadroneve të avionëve F-16 nga baza gjermane Spangdahlem dhe transferimi i mjeteve detare amerikane nga baza spanjolle e Rotës.

    Po ashtu, pritet të përshpejtohet kalimi i komandave të NATO-s nën drejtimin europian, përfshirë komandën e Napolit që do t’u kalojë italianëve deri në pranverën e vitit 2027.

    Frika më e madhe: Më pak përforcime amerikane në rast lufte

    Sipas burimeve pranë Pentagonit, administrata Trump po shqyrton edhe reduktimin e forcave që SHBA do të dërgonte në Europë në rast konflikti.

    Aktualisht besohet se Uashingtoni ka planifikuar dërgimin e rreth 200 mijë ushtarëve, tankeve dhe armatimeve të rënda brenda 15-20 ditëve nga nisja e një lufte në Europë. Ky konsiderohet elementi kryesor parandalues ndaj çdo agresioni të mundshëm, veçanërisht nga Rusia.

    Reduktimi i këtij “ombrellë sigurie” do të ndikonte drejtpërdrejt në balancat strategjike të NATO-s dhe do të shtonte shqetësimet në kryeqytetet europiane, ku Moska shihet gjithnjë e më shumë si kërcënim real.

    Goditje edhe për Gjermaninë

    Një tjetër vendim i Pentagonit lidhet me pezullimin e vendosjes në Gjermani të raketave amerikane me rreze të gjatë “Tomahawk”, të planifikuara nga administrata Biden si masë frenuese ndaj Rusisë.

    Ky zhvillim konsiderohet veçanërisht problematik për Berlinin, pasi Gjermania nuk disponon sisteme raketore të ngjashme dhe mbetet më e ekspozuar përballë Moskës.

    Europa përballë faturës së mbrojtjes

    Ekspertët paralajmërojnë se mbrojtja e Europës pa mbështetjen amerikane do të ketë një kosto shumë të lartë. Vlerësimet flasin për nevojën e rekrutimit të 300 mijë ushtarëve shtesë dhe për shpenzime ekstra prej rreth 250 miliardë eurosh.

    Në këtë situatë, vendet europiane po përpiqen të mbajnë gjallë Aleancën Atlantike, duke shpresuar se NATO do t’i mbijetojë një mandati të ri të Donald Trump. Megjithatë, kjo strategji pritet të shoqërohet me rritje të mëtejshme të buxheteve ushtarake, deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

  • Sot fillon votimi jashtë vendit për 105 mijë votuesit e regjistruar për votim me postë

    Sot fillon votimi jashtë vendit për 105 mijë votuesit e regjistruar për votim me postë

    Sot më 21 maj do të fillojë votimi jashtë vendit për shtetasit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar paraprakisht për të votuar përmes postës.

    Bëhet fjalë për rreth 105 mijë votues, që gjenden në shete të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre është kryesisht në shtete evropiane.

    Një ditë më herët, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka mbajtur konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku shërbimi votues i këtij institucioni ishte duke bërë gati pakot e fundit me fletëvotime të cilat do t’ju dërgohen votuesve të regjistruar.

    Sipas Elezit, para ditës së mërkurë, KQZ ka përgatitur 75,000 pako individuale dhe ato pritet që të fillojnë të shpërndahen nga data 21 maj, ndërsa rreth 30 mijë të tjera do të dërgohen në aeroport gjatë së enjtes dhe nga aty për t’u nisur jashtë vendit.

    Sipas KQZ-së, çdo pako është individuale dhe secila prej tyre përmban: 1. Udhëzuesin për procedurën e votimit; 2. fletëvotimin; 3. zarfin e fshehtësisë; dhe zarfin kthyes.

    Sipas KQZ-së, në çdo dërgesë postare operatori ekonomik ka vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim.

    Votimi përmes postës do të përfundojë më 6 qershor, ndërsa KQZ u ka bërë thirje votuesve që të mos presin ditën e fundit për ta dërgar pakon e tyre me fletëvotim, në mënyrë që të arrijë me kohë në kutinë postare dhe më pas të tërhiqet për t’u sjellur në Kosovë për numërim.

    Për votimin me postë jashtë Kosovës, KQZ ka funksionalizuar kutitë postare në 22 shtete, si: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali të Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare KQZ-së në Kosovë.

  • Gjobat e Ministrisë së Tregtisë ndaj KEDS-it për njehsorët, Azemi: Qytetarët janë dëmtuar, kthejauni paret

    Gjobat e Ministrisë së Tregtisë ndaj KEDS-it për njehsorët, Azemi: Qytetarët janë dëmtuar, kthejauni paret

    Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka shkruar për dënimet që Ministria e Tregtisë po i jep KEDS-it për shkak të njehsorëve.

    Azemi ka thënë se nuk është dëmtuar Ministria por qytetarët, duke kërkuar që paratë t’i kthehen qytetarëve.

    “Ministria po e denon KEDS-in, por paratë nuk po ua kthen qytetarëve. Nuk është dëmtuar ministria, janë dëmtuar qytetarët e Republikës. Kthejauni paret e vjedhura qytetarëve”, ka thënë ai.

  • Lushaku për premtimet e Kurtit: Pas 6 vitesh qeverisje, çerdhet s’ekzistojnë e asnjë shujtë falas s’u është ofruar fëmijëve

    Lushaku për premtimet e Kurtit: Pas 6 vitesh qeverisje, çerdhet s’ekzistojnë e asnjë shujtë falas s’u është ofruar fëmijëve

    Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka rikujtuar një premtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se do hapeshin 160 çerdhe të reja, dhe do jepej ushqim falas për çdo fëmijë nga klasa e parë deri në të pestën.

    Lushaku, ka theksuar se, sot, pas 6 vitesh qeverisjeje, çerdhet e premtuara nuk ekzistojnë, e asnjë shujtë falas nuk u është ofruar fëmijëve nga Qeveria.

    ‘’ Me miliona euro suficit buxheti, që i kanë tepruar qeverisë çdo vit, ka mundur t’i ushqejë fëmijët në shkolla nga tri herë në ditë!’’, ka shkruar Lushaku.

    Postimi:

    ÇERDHET e USHQIMI FALAS PËR FËMIJË

    “160 çerdhe të reja” dhe “ushqim falas për çdo fëmijë nga klasa e parë deri në të pestën”.

    Kështu pati premtuar ish-kryeministri Kurti. Jo nga kafeneja, as nga ndonjë debat televiziv, por premtime publike nga foltorja e Kuvendit, përpara qytetarëve të Kosovës, në emër të ndryshimit.

    Ndërsa sot, pas 6 vitesh qeverisjeje, çerdhet e premtuara nuk ekzistojnë, e ASNJË shujtë falas nuk u është ofruar fëmijëve nga Qeveria.

    Me miliona euro suficit buxheti, që i kanë tepruar qeverisë çdo vit, ka mundur t’i ushqejë fëmijët në shkolla nga tri herë në ditë!

    Por, jo ka vendosur që t’i investojë në propagandë për t’ua shpërlarë trurin prindërve të fëmijëve.

    Për fëmijët tanë, çerdhet e mësimin tërëditor me ushqim të ngrohtë e garanton veç LDK.

  • Djali i Jakup Krasniqit-Gërvallës: Ti jo vetëm e respekton, por edhe e dëshiron atë që tha Fatos Geci

    Djali i Jakup Krasniqit-Gërvallës: Ti jo vetëm e respekton, por edhe e dëshiron atë që tha Fatos Geci

    Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka reaguar ndaj ministres së Drejtësisë në detyrë dhe bashkëkryetares së Partisë Guxo, Donika Gërvalla-Schwarz, pas deklaratës së saj se e respekton qëndrimin e Fatos Gecit lidhur me ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Altin Krasniqi i është drejtuar Gërvallës duke thënë se ajo jo vetëm që e respekton atë që ka thënë Geci, por edhe e dëshiron atë.

    “Ti, Donikë, jo veç që e respekton atë që e thotë Fatosi, por edhe e dëshiron atë që e thotë Fatosi”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai tha se beson në drejtësi dhe se, nëse drejtësia ekziston, ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të kthehen në Kosovë.

    “Epilogun e kësaj gjykate unë nuk e di. Di vetëm se besoj në drejtësi, e nëse drejtësia ekziston, babi, Hashimi, Kadria dhe Rexha kanë me u kthy”, ka deklaruar ai.

    Krasniqi tha se historia do të ndajë qartë ata që, sipas tij, do të mbeten në anën e ndritur të saj dhe ata që do të mbeten në anën e errët.

    “Janë dy anë të historisë: ajo ana e bardhë dhe e ndritur, në të cilën babi, Hashimi, Kadria dhe Rexha kanë me jetu përjetësisht me lavdinë më të madhe që mundet me e pasë njeriu; atë të heroit dhe të çlirimtarit.”

    “Po është edhe ana e errët e historisë, ana e zezë apo Schwarz; aty, kokëulur, ti ki me jetu gjatë”, ka përfunduar Krasniqi.

  • Deklarata e Gërvallës për ish-krerët e UÇK-së, Çitaku: Ka me të mbulu turpi, Donikë

    Deklarata e Gërvallës për ish-krerët e UÇK-së, Çitaku: Ka me të mbulu turpi, Donikë

    Kandidatja e PDK-së për deputete, Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministres në detyrë, Donika Gërvalla, lidhur me ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

    Gërvalla ka thënë sonte se e respekton deklaratën e bashkëpartiakun të saj, Fatos Geci se “shpreson që Hashim Thaçi të dënohet me burgim të përjetshëm në Hagë”.

    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, ka thënë se një deklaratë e tillë dhemb shumë.

    “Ka me të mbulu turpi, Donikë. Çfarë neverie. Çfarë gërrdije. Me qenë Ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës, me përfaqësu këtë shtet para botës, e sot si Ministre e Drejtësisë me ua uru burgimin e përjetshëm Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Kjo dhemb. Thellë.”, ka thënë Çitaku.

    Ajo ka thënë se me një gjuhë të tillë nuk po sulmohen katër njerëz, por UÇK-ja.

    “Sepse në fakt, ju nuk po sulmoni vetëm katër njerëz. Ju po doni me dënu UÇK-në, luftën çlirimtare dhe krejt sakrificën mbi të cilën është ndërtu kjo Republikë. Ata burra mund t’i mbani larg Kosovës fizikisht, por nuk mund ta burgosni historinë. Nuk mund ta zhbëni sakrificën, gjakun dhe idealin e mijëra grave e burrave që u ngritën për liri. Marre ju qoftë.”, ka shkruar Çitaku.

  • Parashikimi i motit për të enjten

    Parashikimi i motit për të enjten

    Të enjten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa gjatë orëve të pasditës pritet të ketë ndonjë rrebesh të izoluar dhe kalimtar në zona të caktuara.

    Era do të fryjë nga veriu dhe herë pas here pritet të të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-51 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 8 deri në 12°C, ndërsa maksimalet prej 20 deri në 24°C. /MeteoKosova/

  • Osmani i reagon Kurtit: Nëse kisha dashur pushtet do të garoja për kryeministre

    Osmani i reagon Kurtit: Nëse kisha dashur pushtet do të garoja për kryeministre

    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili kishte thënë se ajo ka ambicie politike.

    Në emisionin “Click” në RTV21, Osmani deklaroi se roli i presidentit nuk lidhet me pushtetin ekzekutiv, por me ruajtjen e balancës institucionale dhe funksionimin demokratik të shtetit.

    Sipas saj, presidenca është institucioni që garanton ekuilibrin mes pushteteve dhe ndërhyn kur është e nevojshme për të korrigjuar gabimet institucionale.

    “Institucioni i presidencës nuk do pushtet. Është shtylla që e mban balancën e pushteteve të tjera, e ruan demokracinë në kohë të rënda dhe siguron që kur të tjerët bëjnë gabime, ato të përmirësohen”, ka deklaruar Osmani.

    Ajo shtoi se, nëse do të kishte synuar pushtetin ekzekutiv, do të kishte kandiduar për postin e kryeministres.

    “Nëse do të doja pushtet, do të kandidoja për kryeministre. Jam e bindur që ka qenë vullnet i popullit që unë të jem presidente”, u shpreh ajo.

    Duke iu përgjigjur deklarimeve të Kurtit lidhur me interpretimin e Kushtetutës, Osmani tha se autoriteti për interpretimin kushtetues i takon Gjykatës Kushtetuese dhe jo kryeministrit.

    “Kurti mund të mendojë që është autoritet për interpretimin e Kushtetutës, por nuk është, është Gjykata Kushtetuese. Unë kam marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës dhe e di shumë mirë çfarë po flas. Institucioni i presidencës e mban balancën, këtë e kam bërë”, deklaroi Osmani.

  • Befason Trump: Mund të kandidoj për kryeministër të Izraelit

    Befason Trump: Mund të kandidoj për kryeministër të Izraelit

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një deklaratë të pazakontë duke sugjeruar se mund të kandidojë për postin e kryeministrit të Izraelit.

    “Unë tani jam në 99% në Izrael. Mund të kandidoj për kryeministër, kështu që ndoshta pasi ta bëj këtë, do të shkoj në Izrael dhe do të kandidoj për kryeministër. Netanyahu do të bëjë gjithçka që unë dua që ai të bëjë,” tha Trump.

    Deklarata e tij ka tërhequr vëmendje për shkak të tonit politik dhe pretendimeve të drejtpërdrejta për ndikim në udhëheqjen izraelite.

    Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

    Ndryshe, zgjedhjet parlamentare në Izrael tashmë janë planifikuar të mbahen jo më vonë se 27 tetor 2026, kur përzgjidhen të 120 deputetët e Knesset-it (parlamentit izraelit).

    Zgjedhjet mbahen në Izrael zakonisht çdo 4 vjet, por shpesh mund të ndodhin më herët për shkak të krizave politike ose rrëzimit të qeverisë.

  • Çitaku: Sikur Sami Lushtaku të vritej në luftë, Kurti do shkonte te varri i tij për të vendosur lule

    Çitaku: Sikur Sami Lushtaku të vritej në luftë, Kurti do shkonte te varri i tij për të vendosur lule

    Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë në “Pressing”, se sikur Sami Lushtaku të vritej në luftë, edhe Albin Kurti do shkonte te varri i tij e t’i vendoste lule.

    Ajo tha se Sami Lushtaku është plagosur disa herë në luftë dhe se i është treguar nga miqtë e tij që natën atij i ndodh të shkojë t’i vizitojë varret e shokëve të tij të vrarë në luftë.

    “Unë e shoh më shumë si reflektim i deficitit të tij personal, për shkak se është e pashpjegueshme ky obsesion që e kanë ata me Sami Lushtakun. Mund ta gjykosh si politikan, por t’i thuash atij Sami Lushtakut po jokorrekte, por edhe jonjerëzore. Samiut ende i ndodh të zgjohet e të shkojë t’i vizitojë varrezat e shokëve të tij që janë vrarë në luftë, është plagosur disa herë. Sikur të ishte i vdekur edhe vetë Albin Kurti do shkonte te varri i tij e do t’i vendoste lule”, ka thënë ajo.