ATV

Category: Lajme

  • Remitancat shënojnë rritje, kaq para dërgoi diaspora gjatë këtij viti

    Remitancat shënojnë rritje, kaq para dërgoi diaspora gjatë këtij viti

    Mbi 1.2 miliard euro është vlera dërgesave të mërgatës që janë sjell në Kosovë deri në muajin nëntor 2023, gjë që paraqet rritje prej 10.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

    Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin nëntor 2023, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e tyre, sipas vlerësimeve, muaj ishin 101.3 milionë euro.

    Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 65 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.

    Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 300.6 milionë eurove dhe është rritje prej rreth 200 mijë euro krahasuar në tetor 2023.

    Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë euro, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro.

    Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit nëntor janë rritur për 2.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 499.4 milionë eurove.

  • Buleshkaj: Mbi 10 mijë zyrtarë e deklaruan pasurinë, 59 raste janë dërguar në Prokurori

    Buleshkaj: Mbi 10 mijë zyrtarë e deklaruan pasurinë, 59 raste janë dërguar në Prokurori

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka mbajtur konferencë për medie ku u bë rishikimi i punës së kësaj Agjencie gjatë këtij vit, raporton Ekonomia Online. Ylli Buleshkaj, udhëheqës i kësaj Agjencie tha se ka pasur dyfishim të regjistrimit të deklarimit të pasurisë, ku mbi 10 mijë zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë e tyre.

    Buleshkaj pohoi se i kanë dërguar në Prokurori 59 raste, duke sqaruar se Agjencia evitoi 206 raste të shkeljeve të mundshme të ligjit, ku 128 u dhanë si opinion, e 78 tjera si këshilla. Ai ka sqaruar se kontrolli i pasurisë do të bëhet për mbi 4 mijë subjekte, proces ky të cilin premtoi se do ta përmbyllin në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërkaq Buleshkaj tha se rritje ka pasur edhe te rastet e sinjalizimeve të jashtme, ku sivjet ka 30% më shumë.

    “I kemi 10  deklarime të pasurisë të cilat janë bërë përmes sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë. Kosova është ndoshta vendi i parë në glob, ku me futjen në funksion të deklarimit elektronik, i kemi mbi 99% të subjekteve deklaruese dhe zyrtarëve publik, të cilët i kanë kryer përmes sistemit elektronik”.

    Janë 19 raste të paraqitura si sinjalizime të jashtme, të gjitha janë trajtuar përveç një nga to. Dy janë përcjellë në Prokurori, një rast është dërguar në komunë për procedim të mëtutjeshëm, njëra në Ministri, 11 janë refuzuar për shkak të mos përmbushjes së kritereve ligjore, tri janë mbyllur sepse nuk ka rezultuar që veprimi i raportuar të përbëjë shkelje sipas ligjit”.

    “Në vlerësimin kundër korrupsionit u shqyrtuan 66 raste ku 59 prej tyre janë dërguar në prokurori, 7 kanë përfunduar. Gjatë 2023, Agjencia evitoi 206 raste të shkeljeve të mundshme të ligjit, ku 128 u dhanë si opinion, e 78 tjera si këshilla”.

    Buleshkaj përmendi edhe numrin e vogël të stafit, për çka tha se me një numër më të madh do të mundësohej kualiteti i punës së Agjencisë, raporton EO.

    Në fund Agjencia ka bërë ndarjen e certifikatave për kontributin e partnerëve në përhapjen e misionit të këtij institucioni, gjatë këtij viti.

  • PDK-ja thërret konferencë për media

    PDK-ja thërret konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media.

    Konferenca do të fillojë në orën 13:00 dhe do të mbahet në selinë qendrore të PDK-së, derisa nuk është bërë e ditur arsyeja e kësaj konference.

    “Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media, në orën 13:00. Vendi: Selia qendrore e PDK-së. Koha: 13:00”, thuhet në njoftim.

  • ​Lufta Izrael-Gaza: Hamasi raporton 241 të vrarë në Gaza brenda 24 orëve

    ​Lufta Izrael-Gaza: Hamasi raporton 241 të vrarë në Gaza brenda 24 orëve

    Ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, ka thënë se të paktën 241 persona janë vrarë në 24 orët e fundit, ndërsa operacioni ushtarak i Izraelit vazhdon në territor.

    Presidenti palestinez Mahmoud Abbas e ka quajtur luftën një “krim të rëndë” kundër popullit të tij.

    Shefi i ushtrisë izraelite Herzi Halevi tha se konflikti me Hamasin do të vazhdojë edhe për “shumë muaj të tjerë”.

    Izraeli thotë se ka goditur më shumë se 100 vende të martën, mes raporteve për operacione të afërta tokësore në Gazan qendrore, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

    Shpërthime të forta mund të dëgjoheshin nga Rripi i Gazës në të gjithë perimetrin me Izraelin në orët e para të së mërkurës.

    Në Bregun Perëndimor të pushtuar, burimet mjekësore palestineze thonë se gjashtë palestinezë u vranë në një sulm izraelit me dron gjatë natës në kampin e refugjatëve Nur Shams në Tulkarem.

    Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se 382 persona ishin lënduar gjithashtu gjatë 24 orëve.

    Sipas ministrisë, të paktën 20,915 palestinezë janë vrarë – kryesisht fëmijë dhe gra – në më shumë se 11 javë luftime.

    Pretendimet e palëve ndërluftuese nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

    Lufta filloi më 7 tetor pasi Hamasi udhëhoqi një valë sulmesh vdekjeprurëse ndaj komuniteteve brenda Izraelit. Rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, u vranë. Rreth 240 persona u kthyen në Gaza si pengje dhe një numër prej tyre u liruan më vonë.

  • Peci: Viti 2023 më i suksesshmi për bujqësinë, 31 mijë fermerë kanë përfituar 61 milionë euro

    Peci: Viti 2023 më i suksesshmi për bujqësinë, 31 mijë fermerë kanë përfituar 61 milionë euro

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, e ka quajtur vitin 2023 si të suksesshëm për bujqësinë kosovare, raporton Ekonomia Online. Në konferencën përmbyllëse të vitit, Peci ka thënë se këtë vit 31 mijë fermerë kanë përfituar në kuadër të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë euro.

    Ndërsa janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë euro.

    “Nëse vitit 2023 i vendosim një shifër për bujqësinë, ajo është vlera prej 85 milionë eurosh përmes së cilës është shpërblyer puna dhe mundi i bujkut tonë të vyer. Në kuadër të kësaj, janë miratuar 491 projekte të granteve në vlerë prej 24.2 milionë eurosh ndërsa 31 mijë është numri i përfituesve të subvencioneve në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh”.

    “Viti që po lëmë pas, ka qenë viti më i suksesshëm për sektorin e bujqësisë, një vit i mbarë dhe i begatisë. Ky vit është sinonimi i rekordeve në disa sfera si në të mbjella, në mbështetje ndaj fermerëve si dhe në rritje të numrit të përfituesve në Programet mbështetëse të Ministrisë”, u shpreh Peci.

    Peci foli edhe për përkrahjen që ky dikaster u ka dhënë bujqësve, duke sqaruar se sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore, raporton EO.

    “Sipërfaqet e mbjella janë rritur për 63 për qind, ndërsa është shënuar rritje e eksportit të produkteve bujqësore për 29% krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë kohore. Gjatë këtij viti 66 mijë hektarë mbjelle me grurë, dhe 42 mijë hektarë me miser. Nga ana tjetër, 35.5ha janë sipërfaqet e ngritura për prodhimin e perimeve në sera ndërsa 142.22ha është sipërfaqja totale e ngritur për frutat manore, arrore dhe drufrutore”, u shpreh Peci.

    “Kemi Ratifikuar në Kuvend Marrëveshjen mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë gjermane në vlerë prej 20.2 milion euro për grante në agroturizëm, ekoturizëm dhe zhvillim rural nga të cilat 10.2 milionë janë financim i Qeverisë së Gjermanisë. 9.2 milionë euro është vlera e grantit nga Komisioni Evropian për investime e ngritje të kapaciteteve në sistemin e ujitjes për vitet e ardhshme. Ndërsa 7 milionë është vlera me të cilën do të përkrahet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, për procesin e akreditimit që do të fillojë gjatë Janarit/Shkurtit të vitit 2024”.

    “Kjo do t’i mundësojë fermerit të Kosovës që nga viti 2026 të ketë qasje në fonde nga 50 milionë deri në 100 milionë euro krahas buxhetit vendor. Për të dytin vit me radhë jemi ballëhapur përballë fermerëve duke paguar deri në centin e fundit obligimet kontraktuale ndaj tyre. 7.2 milionë është vlera me të cilën kemi mbështetur gratë fermere në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, kemi thjeshtuar kriteret e aplikimit në Programet Mbështetëse duke shtuar numrin e kontrolleve në teren”, u shpreh ai.

  • Berisha në protestë: Po burgosem pa asnjë akuzë, kjo është diktaturë

    Berisha në protestë: Po burgosem pa asnjë akuzë, kjo është diktaturë

    Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se masat që po merren ndaj tij nga drejtësia janë pa asnjë akuzë. “Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë”, tha ai në protestë.

    Sipas tij, u shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqja e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend.

    “U shkelën ligjet dhe rregullorja e Kuvendit në mënyrën se si u votua heqja e imunitetit të tij. Nuk po përmend as standardin e dyfishtë dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese. Le t’i lëmë mënjanë këto, por më thoni ju mua, pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës?

    Kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë, shtoi ish-kryeministri.

    “Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë. Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë. Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë. Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, me Venezuelën e Maduros dhue juntën ushtarake të Mianmarit. Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë”.

    Berisha i qëndron bindjes se do ta fitojë këtë betejë:

    “Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre.
    A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po”.

  • 9 të vdekur pas stuhive që goditën Australinë lindore

    9 të vdekur pas stuhive që goditën Australinë lindore

    Nëntë njerëz u vranë në Australi pasi stuhitë e forta goditën pjesën lindore të vendit gjatë festave të Krishtlindjeve, thanë autoritetet të mërkurën. Dhjetëra mijëra shtëpi janë ende pa energji elektrike.

    Moti i egër goditi shtetet e Viktorias, Uellsit të Ri Jugor dhe Kuinsland më 25 dhe 26 dhjetor duke sjellë breshëri dhe shira të rrëmbyeshëm. Si pasojë e erërave të forta shpërthyen çatitë dhe u rrëzuan pemët në disa nga zonat më të prekura.

    Më shumë se 90.000 familje janë ende pa energji elektrike.

    Një jaht me 11 njerëz në bord u përmbys pranë Green Island në gjirin Moreton gjatë stuhisë dhe tre burra mbetën të vdekur, u tha gazetarëve shefja e Policisë së Kuinsland, Katarina Carrol.

    Dy gra u gjetën të vdekura pranë qytetit Gympie që është rreth 180 kilometra në veri të kryeqytetit të shtetit të Brisbane, tha policia. Një vajzë nëntë vjeçare u gjet e vdekur pasi u zhduk në një kanal kanalizimesh në jug të shtetit.

    Autoritetet paralajmëruan se lumenjtë dhe përrenjtë me rritje të shpejtë mund të shpërthejnë duke përmbytur kampet, të cilat zakonisht mbushen me njerëz gjatë javëve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.

    Një grua u gjet e vdekur në një kamp në Viktoria pasi ujërat e tërhoqën, tha policia. Dy mbetën të vdekura nga rënia e pemëve.

    Stuhia rrëzoi një linjë elektrike betoni, tha kryeministri i Kinsland, Steven Miles gjatë një konference për media. Miles tha se dëmet nga cikloni Jasper, i cili goditi shtetin në fillim të këtij muaji, dhe stuhitë e fundit mund të jenë në “miliarda”.

    Byroja e Meteorologjisë e Australisë ka parashikuar reshje të tjera shiu edhe pse moti i egër pritej të qetësohej më vonë të mërkurën.

    Stuhitë në Australi pasojnë të nxehtin e fortë të pranverës që rezultoi me disa zjarre.

    Ndërsa Australia lufton me shi në pjesën lindore, disa rajone në perëndim po luftojnë zjarret. Një zjarrfikës vullnetar mbeti i vdekur teksa po i përgjigjej një zjarri, raportojnë mediat./REL/

  • Ushtria izraelite thotë se e ka zgjeruar ofensivën në Gazën qendrore

    Ushtria izraelite thotë se e ka zgjeruar ofensivën në Gazën qendrore

    Forcat izraelite zgjeruan ofensivën e tyre të martën pasi bombarduan kampet palestineze të refugjatëve në Gazën qendrore dhe u kërkuan banorëve të evakuoheshin.

    Ofruesi kryesor i telekomit i Gazës njoftoi për një tjetër “ndërprerje të plotë” të shërbimeve në territorin e rrethuar.

    Izraeli thotë se lufta do të zgjasë për “shumë muaj” ndërsa zotohet të shtypë grupin militant Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

    Forcat izraelite janë përfshirë në luftime të rënda urbane në veri të Gazës dhe në qytetin jugor të Kan Junis, duke i shtyrë palestinezët në zona gjithnjë e më të vogla në kërkim të strehimit.

    Pavarësisht thirrjeve të SHBA-së për Izraelin që të reduktojë numrin e viktimave në mesin e civilëve dhe presionin ndërkombëtar për një armëpushim, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ushtria po thellonte luftimet. “Ne u themi terroristëve të Hamasit: Ne ju shohim dhe do të arrijmë tek ju”, tha Netanyahu.

    Ofensiva e Izraelit nisi si përgjigje ndaj sulmit të grupit terrorist Hamas më 7 tetor në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 persona dhe u morën peng rreth 240 të tjerë.

    Ndërsa shumë se 20.900 palestinezë, dy të tretat gra dhe fëmijë, janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Ministria tha se 240 njerëz u vranë gjatë 24 orëve të fundit.

    Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut tha se bombardimet e vazhdueshme të Gazës kishin marrë jetën e më shumë se 100 palestinezëve që në prag të Krishtlindjeve.

    Izraeli tha se nuk do t’u jepte më viza automatike punonjësve të OKB-së dhe akuzoi si “partnerë bashkëfajtorë” në taktikat e grupit palestinez Hamas.

    Zëdhënësi i qeverisë, Eylon Levy tha se Izraeli do të shqyrtojë kërkesat për viza rast pas rasti. Kjo mund të kufizojë përpjekjet e ndihmës në Gaza./REL/

  • 27 dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë për Epideminë

    27 dhjetori – Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë për Epideminë

    Më çdo 27 dhjetor shënohet” Dita Ndërkombëtare e Gatishmërisë për Epideminë”. Kjo ditë u shpall nga Organizata e Kombeve të Bashkuara më 2020 për shkak të pandemisë së korona virusit.

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që tërheq vëmendjen për nevojën për të marrë mësim nga pandemia COVID-19 dhe për t’u përgatitur për çdo shpërthim që mund të ndodhë në të ardhmen, krejt kjo pasi sëmundja e vazhdueshme e korona virusit dhe epidemitë e mëdha infektive kanë pasur ndikim shkatërruese në jetët e njerëzve, duke shkaktuar pasoja në zhvillimin afatgjatë social dhe ekonomik, krizat globale shëndetësore duke mposhtur sistemet shëndetësore.

    Organizata e Kombeve të bashkuara në një komunikatë të gjatë në web faqen e tyre, thanë se “Ne duhet të theksojmë rëndësinë e partneritetit dhe solidaritetit midis çdo individi, komuniteti dhe shteti, si dhe organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, në të gjitha fazat e menaxhimit të epidemisë, si dhe rëndësinë e shqyrtimit të një perspektive gjinore në këtë drejtim’’.

    Në rast të mungesës së vëmendjes ndërkombëtare, epidemitë e ardhshme mund të tejkalojnë shpërthimet e mëparshme për sa i përket intensitetit dhe gravitetit, derisa kjo ditë është parë si nevojë e madhe për rritjen e ndërgjegjësimit, shkëmbimin e informacionit, njohurive shkencore dhe praktikave më të mira, edukim cilësor mbi epidemitë në nivel lokal, kombëtar, rajonal dhe global si masa efektive për parandalimin dhe reagimin ndaj epidemive.

    Sipas OKB-së, është e rëndësishme të forcohet parandalimi i epidemisë duke zbatuar mësimet e nxjerra mbi menaxhimin e epidemisë dhe si të parandalohet ndalimi i shërbimeve bazë, dhe të rritet niveli i gatishmërisë në mënyrë që të kemi përgjigjen më të hershme dhe më adekuate ndaj çdo epidemie që mund të shfaqet, dhe duke njohur gjithashtu vlerën e një qasjeje të integruar “One Health” që nxit integrimin e shëndetit të njerëzve, shëndetit të kafshëve dhe shëndetit të bimëve, si dhe mjedisit dhe sektorëve të tjerë përkatës.

    Sistemi i Kombeve të Bashkuara, në veçanti Organizata Botërore e Shëndetësisë, luan një rol kryesor në koordinimin e reagimeve ndaj epidemive, në përputhje me mandatin e tij, dhe në mbështetjen e përpjekjeve kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare për të parandaluar, zbutur dhe adresuar ndikimet e sëmundjeve infektive dhe epidemive. në përputhje me qëllimin për avancimin e Agjendës 2030.

    Po ashtu shtetet anëtare të OKB-së angazhohen të sigurojnë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse, të barabartë dhe jo diskriminuese, me vëmendje të veçantë për ata që janë të prekshëm ose në situata të pambrojtura me shanset më të larta të infeksionit epidemik.
    Në Ditën Ndërkombëtare të Përgatitjes Epidemike çdo vit në mënyrë të përshtatshme qëllimi që theksohet është rëndësia e parandalimit, gatishmërisë dhe partneritetit kundër epidemive./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Vetëplagoset një 21-vjeçar në Kaçanik

    Vetëplagoset një 21-vjeçar në Kaçanik

    Një 21-vjeçar është vetëplagosur me armë zjarri në mesnatën e së mërkurës.

    Rasti, ka ndodhur në Kaçanik, në rrugën “Mejdi Dalloshi”.

    Sipas njoftimit të policisë, viktima me inicialet A.B, u dërgua për trajtim në QKUK dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

    Lidhur me rastin hetimet i ka nisur Prokuroria Themelore e Ferizajt.

    “Arma e zjarrit dhe 3 fishkë janë konfiskuar, ndërsa si provë materiale është gjetur edhe një gëzhojë. Rasti është cilësuar ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi të pa autorizuar të armës’’, thuhet në njoftimin e policisë.