ATV

Category: Lajme

  • Çeku thotë se janë duke u hetuar bizneset që dyshohen për përfitime të paligjshme nga Ligji për Sponsorizime

    Çeku thotë se janë duke u hetuar bizneset që dyshohen për përfitime të paligjshme nga Ligji për Sponsorizime

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, paralajmëroi bizneset dhe kubet se nuk do të mund t’i gëzojnë të drejtat nga Ligji i Sponsorizimit, në qoftë se klubet apo Federatat nuk kanë qenë të licencuara.

    “Rregulli dhe udhëzimi ka qenë shumë i qartë, për derisa nuk je i licencuar si klub, qoftë si Federatë, nuk mundesh të drejtat dhe benifitet që t’i jep Ligji në vendin tonë. Pra, as Ligji për Sponsorizime, sepse parakusht për me perfitu nga Ligji për Sponsorizime është që ti me zhvillu aktivitet legal sportiv, kjo i bjen me pasë licencë. Kur nuk ka licencë, nuk ka as sponsorizim. Dy komisionet tona, Komisioni për Sponsorizim dhe Komisioni për Licencim kanë komuniku njëra me tjetrën dhe këta të Licencimit iu kanë thënë këtyre të Sponsorizimit, këta që nuk kanë licencë, nuk mundeni me ua lëshu vërtetimin e Sponsorizimit. Marrëveshjen në të cilën kanë hyrë disa biznese me klube ose Federata pa qenë ato të licencuara, janë marrëveshje të paligjshme”, tha Çeku.

    Ai tha se nuk do të ketë dënim ndaj klubeve apo bizneseve nëse kanë bërë marrëveshje të paligjshme, por ndaj atyre nuk do të aplikohet heqja e tatimit.

    Çeku përmendi se janë duke u zhvilluar auditime nga ZKA-ja si dhe hetime nga Policia e Kosovës për listën e Sponsorizimeve sidomos të viteve të kaluara.

    “Janë tri procese të rëndësishme që po zhvillohen aktualisht në raport me Sponsorizimet. I pari është një auditim i veçantë që po e realizon Zyra Kombëtare e Auditimit vetëm për Sponsorizimet. I dyti proces janë hetimet që po zhvillohen nga Policia e Kosovës. Të dyja këto i kemi inicu ne, me kërkesën tonë, kemi kërku një auditim të veçantë nga ZKA-ja dhe kemi kërkuar hetime nga Policia për listën e Sponsorizimeve sidomos të viteve të kaluara, aty ku kemi dyshu që mund të ketë keq përdorime. I treti proces që po zhvillohet aktualisht është i Komisionit Parlamentar për Arsim, Kulturë dhe Sport. Janë bërë pesë vite nga hyrja në fuqi e këtij Ligji dhe Komisioni po bënë një raport të vlerësimit, zbatimit të këtij Ligji. Të tria këto, besoj shumë do të na ndihmojnë që vitin e ardhshëm ta bëjmë plotësim ndryshimin e këtij Ligji”, tha Çeku. /atvlive.tv

  • Çeku: Më së largu deri në qershor të vitit të ardhshëm do të përcaktohet lokacioni për ndërtimin e stadiumit nacional

    Çeku: Më së largu deri në qershor të vitit të ardhshëm do të përcaktohet lokacioni për ndërtimin e stadiumit nacional

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se lokacioni për stadiumin nacional të Kosovës duhet të përcaktohet më së largu deri në qershorin e vitit të ardhshëm.

    “Lokacioni i stadiumit nacional duhet të përcaktohet më së largu në verën e vitit të ardhshëm, sepse kemi nevojë me i nisë punimet për realizimin e atij stadium. Tash e kemi si obligim në kuadër të kontratës me Komitetin Ndërkombëtare të Lojërave Mesdhetare. Kur e kemi bërë aplikimin, pra kandidimin për 2023-tën, ne i kemi marrë disa obligime dhe disa zotime. Një nga këto është që Kosova deri atëherë duhet ta ketë stadiumin e vet nacional”, tha Çeku.

    Ai tha se për të vendosur për lokacionin se ku do të ndërtohet stadiumi nacional, së pari duhet hartuar një ligj i veçantë, i cili duhet të votohet në Kuvend.

    “Fillimisht është duke u hartuar ligji i veçantë për lojërat mesdhetare ë duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës, menjëherë pas asaj themelohet struktura organizative ose komiteti organizativ për lojërat mesdhetare dhe kjo pasohet me master planin, i cili është dokument që i jep përgjigje pyetjeve të mëdha, përfshi edhe pyetjes se ku duhet të ndërtohet stadium. Duhet të përfundojë deri në qershor”, tha Çeku. /atvlive.tv

  • Abdixhiku: Tarifat e rrymës janë rritur tri herë për tre vjet, paaftësia kushton

    Abdixhiku: Tarifat e rrymës janë rritur tri herë për tre vjet, paaftësia kushton

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka reaguar pas ankesave të qytetarëve për faturat e energjisë elektrike.

    Abdixhiku ka thënë se tarifat e rrymës janë rritur tri herë për tre vjet.

    Ai ka thënë se gjendja aktuale është rezultat i mosnjohjes së realitetit qytetar në vend.

    “Tarifat e energjisë elektrike, herën e fundit, janë rritur nga prilli i këtij viti. Para kësaj, ishin rritur edhe dy herë të tjera. Pra gjithsejtë 3 herë për 3 vjet. Gjendja e tanishme është produkt i mosnjohjes së realitetit qytetar në vend. Siç dhe thoshin vet, ‘qytetarët po shpenzojnë shumë sepse rryma është e lirë’”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

    Ai e ka akuzuar Qeverinë për paaftësi.

    “Do të gjejnë arsyetime; do të ju mbushin me ankesa, nga privatizimi e deri te luftërat nëpër botë, por e vërteta e vetme është si më poshtë. Paaftësia kushton! Shiheni vet”, ka shkruar Abdixhiku.

    Faturat e energjisë për muajin dhjetor kanë nxitur reagime të shumta të qytetarëve, të cilët përmes rrjeteve sociale janë ankuar në drejtim të KESCO-s për dyfishim deri në trefishim të tyre.

  • Lajmërohet nga burgu opozitari rus Alexei Navalny: Mund të quhem një Babagjysh ne regjim special

    Lajmërohet nga burgu opozitari rus Alexei Navalny: Mund të quhem një Babagjysh ne regjim special

    Lideri i opozitës ruse është bërë i gjallë pas disa javësh heshtjeje. Alexei Navalny është rikthyer në rrjetet e tij sociale nga burgu i largët në Arktik ku e kanë transferuar.

    “Mos u shqetësoni për mua, jam mirë”, shkroi kundërshtari i Vladimir Putinit në platformën “X” në një sërë postimesh me anë të të cilave përshkroi transferimin që zgjati 20 ditë dhe kushtet e paraburgimit.

    “Tani jetoj mbi Rrethin Arktik. Në fshatin Kharp në Yamal. Qyteti më i afërt ka emrin e bukur Labytnangi”, shkruan Navalny teksa thotë me ironi se tashmë mund të cilësohet një Babagjysh në regjim special. Për t’i ngjarë Babagjyshit e ndihmon mjekra e rritur dhe rrobat e trasha të dimrit.

    Siç tregon vetë, 20 ditët e udhëtimit kanë qenë mjaft rraskapitëse për të.

    “Por unë jam ende në humor të mirë”, shton ai.

    “Më sollën këtu të shtunën në mbrëmje. U transportova me aq masa paraprake dhe në një rrugë kaq të çuditshme (Vladimir – Moskë – Chelyabinsk – Yekaterinburg – Kirov – Vorkuta – Kharp) sa nuk prisja që të më gjenin para mesit të janarit. Për këtë arsye u habita shumë kur dje u hap dera e qelisë me fjalët: “Ja avokati është këtu për ju.”

    Kushtet e burgimit

    Në postimet e tij, 47-vjeçari përshkruan me detaje edhe kushtet e paraburgimit.

    “Për fat të keq drerë nuk ka, por kemi qen të mëdhenj stani. Hedh sytë nga dritarja nga ku mund të shoh natën pastaj pasditen, pastaj natën sërish. Gardhi është shumë pranë. Bëra dhe një shëtitje në oborrin me borë.”

    Kujtojmë se një ditë më parë, ekipi i liderit të opozitës ruse bëri të ditur se ishin vënë më në fund në kontakt me Navalny-n dhe se ai ndodhej në një burg të largët në veriperëndim të Siberisë./A2

  • Fourth Wave me aksion simbolik në Prishtinë, kundër dhunës në baza gjinore dhe femicidit

    Fourth Wave me aksion simbolik në Prishtinë, kundër dhunës në baza gjinore dhe femicidit

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    26 gra janë vrarë nga të afërm të tyre në Kosovë, në 15 vjetët e fundit, sipas organizatës joqeveritare Fourth Wave.

    Në përkujtim të tyre, kjo organizatë mbajti të martën një aksion simbolik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë me mbishkrime kundër femicidit.

    “Duke e parë numrin e rasteve të dhunës, ne sot zaptuam hapësirën publike përmes kukullave, ato mishërojnë idenë se si shteti i sheh qytetarët e tij”, tha Anita Mjeku, organizatore e aktivitetit.

    Nerimane Ferizi, aktiviste për të drejtat e grave, përmendi disa raste të vrasjes së grave, të cilat institucionet dështuan t’i parandalonin.

    “Kemi rastin e gruas e cila para ca javëve u vra nga burri i saj dhe organet kompetente deri vonë nuk ishin askund…”, tha Ferizi.

    Gjatë aksionit, pjesëmarrësit kërkuan më shumë angazhim nga institucionet.

    “Çfarë po na brengos është heshtja institucionale, kinse femrat të vriten është normale, duhet angazhim nga ta në këtë çështje serioze”, tha Ferizi.

    Aksioni simbolik që zgjati deri në orën 18:00 dhe ditët në vijim, pritet të mbahet edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

  • Faturat e larta për rrymë, ankohen qytetarët

    Faturat e larta për rrymë, ankohen qytetarët

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Edona Deliu, të martën erdhi në zyrat e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike në Prishtinë për t’u ankuar për vlerën e lartë të faturës së energjisë elektrike për muajin dhjetor.
    Ajo thotë se këtë muaj i është dyfishuar fatura e energjisë, pavarësisht se shpenzoi njësoj sikurse muajt paraprakë.

    “Më shumë m’ka ardhë rryma se që e marr rrogën, në tetor 102 euro, në nëntor 92 e për këtë muaj 269. Është e papërballueshme. Erdha me bo një ankesë, se nuk është normale”, thotë, Edona Deliu, qyetare.

    Me problem të njëjtë u përballën edhe qytetarë të tjerë, të cilët në Kosovë erdhën për festat e fundvitit.

    “Na nuk jetojmë ktu, jetojmë në Zvicër, gjithë rryma na ka ardhë 20 euro e tash për tri javë 240. Burri është mrena tu e bo ankesën”, tha Nazmije Pacolli, qytetare.

    Megjithatë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike ka mohuar se ka pasur rritje të tarifave fundore të energjisë elektrike. Nëpërmjet një komunikate sqaruese, KESCO-ja ka përmendur arsyet e ngritjes së vlerës së faturave të energjisë elektrike.

    “Rritja e vlerës së faturave në këtë muaj dimri, është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj, faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë të konsumatorëve. Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”, thuhet në reagimin e KESCO-s.

    Në anën tjetër, Zyra e Rregullatorit për Energji u ka bërë thirrje konsumatorëve që të kontaktojnë KESCO-n, në qoftë se kanë shqetësim lidhur me faturat e tyre. ZRRE-ja në një përgjigje me shkrim për ATV-në ka thënë që momentalisht nuk kanë pranuar ankesa të konsumatorëve për faturimin e këtij muaji.

    Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

    Ky institucion ka kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria si dhe trajtim të kësaj çështjeje, në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

  • Arrestohet personi që goditi me veturë policin në Pejë

    Arrestohet personi që goditi me veturë policin në Pejë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në këtë rrugë të fshatit Ozdrim, të hënën mbrëma zyrtarë policorë po kryenin kontrolle rutinore. Por, njëri prej ngasësve refuzoi t’i bindej urdhrit për ndalje, e madje edhe e goditi me veturë policin.

    “Nuk u është ndaluar zyrtarëve policorë. E ka sulmuar me veturë, duke i shkaktuar lëndime. Prokurori e ka cilësuar vrasje në tentativë”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

    Mbrëmë, pas kryerjes së veprës, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes, por vetëm përkohësisht.

    VOX: SHKODRAN NIKÇI, ZËDHËNËS I PROKURORISË SË PEJËS –
    “Prokurori ka dhënë urdhër që të arrestohet. Në këto momente kur po flasim, është arrestu dhe është sekuestru vetura… është cilësu si vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, tha Nikçi.

    Ky person, madje, ishte i njohur për policinë.

    Pavarësisht lëndimeve të marra nga goditja, zyrtari policor është jashtë rrezikut për jetë.

  • Ligji për Zgjedhje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

    Ligji për Zgjedhje mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Ligji për zgjedhje ka gjasa të përfundojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Sipas avokatit të Popullit, Naim Qelaj, vlerësimi i kushtetutshmërisë është i domosdoshëm, meqë në të nuk është përfshirë Ligji për barazinë gjinore në raport me listat zgjedhore të subjekteve politike.

    Ju e dini se Ligji për zgjedhje ka kaluar në seancë pa ndonjë, si të themi, diskutim publik që kishte me i shtjerrë të gjitha diskutimet në lidhje me temat që mund të jenë konsensuse. Në anën tjetër, ka pasur një konsensus politik, sepse është marrë numri i mjaftueshëm i votave për me kalu si ligj. Ligji ka kaluar pa i përfshirë një prej aspekteve të rëndësishme që e përcakton Kushtetuta, e ai është Ligji për barazi gjinore”, tha Qelaj.

    Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë ishte miratuar më 8 qershor në të dy leximet brenda ditës dhe ishte përkrahur edhe nga opozita.

    Ky ligj do të jetë një më shumë, të cilin Avokati i Popullit e dorëzon në Kushtetuese derisa gjatë 2023-s ky institucion ka dërguar pesë raste në këtë gjykatë.

    Këto të dhëna Avokati i Popullit i paraqiti në konferencën e fundvitit për media, ku shtoi se gjatë vitit ka pranuar mbi 1500 ankesa nga qytetarët dhe institucionet e ndryshme.

    “Prej 230 rekomandimeve vetëm 40 janë zbatuar, shtatë rekomandime janë pjesërisht të zbatuara dhe numri tjetër 183 janë në pritje për zbatim. Normalisht qysh në janar, ne kemi me intensifikua angazhimin tonë me pa se cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar më pas rënie të zbatimit të rekomandimeve”, tha Qelaj.

    Qelaj foli edhe për trajtimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë, duke shtuar se nuk ka komunikim të duhur me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale.

  • Qeverisë i propozohet krijimi i një zone ekonomike nacionale

    Qeverisë i propozohet krijimi i një zone ekonomike nacionale

    I papolitizuar, por me politikë dhe strategji ekonomike, Instituti Hulumtues për Ekonomi dhe Financa do të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

    Kështu u tha në një konferencë për media që ky institut e organizoi për fundvit.

    Ish-drejtori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, kërkoi që qeveria të shpallë një zonë ekonomike në nivel nacional, në mënyrë që investitorëve t’iu krijohen kushtet e favorshme.

    “Ne nuk kemi palë që të merremi me të kaluarën, por qëllimi është që t’i identifikojmë problemet dhe t’iu japim zgjidhje atyre. Dy sfidat që i ka pasur Kosova janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar. Prioritetet që duhet t’i ketë Qeveria për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave, janë që qeveria për të pasur zhvillim ekonomik dhe rritje ekonomike, nevojitet që qysh në fillim t’i formojë grupet punuese në nivel nacional të ekspertëve të ekonomisë, që të krijojnë strategjinë e zhvillimit ekonomik në nivel nacional”, tha drejtori ekzekutiv i IHEF-së, Fehmi Mehmeti.

    Pa një strategji të tillë, sipas ekonomistit Medain Hashani, investimet e huaja do të mungojnë.

    Ndërkaq, sfidat që e presin Qeverinë gjatë vitit 2024, vlerësohen të jenë të shumta.

    Ndryshe, roli i Institutit Hulumtues për Ekonomi dhe Financa është kryesisht orientues dhe rekomandues, në kuadër të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik të vendit. /atvlive.tv

  • Komunat po e përmbyllin vitin me përqindje të konsiderueshme të shfrytëzimit të buxhetit

    Komunat po e përmbyllin vitin me përqindje të konsiderueshme të shfrytëzimit të buxhetit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Për 9 muaj të këtij viti, 5 komuna shpenzuan mbi 50% të buxhetit për investime kapitale. Ndërkohë, dy të tjera, Malisheva e Obiliqi prinin në këtë aspekt me mbi 90%.

    Por, pas gati 3 muajsh deri në përfundim të vitit, sipas Asociacionit të Komunave, 14 komuna kanë arritur ta shpenzojnë buxhetin mbi 80%. Njëra prej tyre, është ajo e Lipjanit.

    “Viti që po e lëmë pas, besoj është një ndër vitet më të suksesshëm e parashikuar me realizmin e buxhetit, edhe pse kemi akoma kohë ditë deri në fund të vitit. Investimet kapitale janë realizuar 80%”, tha kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Por disa komuna qëndrojnë akoma më mirë, duke e përmbyllur vitin me shpenzim prej 100% të buxhetit.

    “Apo janë afër 100%, janë Obiliqi, Malisheva, Parteshi, Deçani, Rahoveci, Ferizaj Skenderaj, mirëpo edhe shumica janë që i kanë shpenzuar mbi 80%”, tha : Sazan Ibrahimi nga AKK.

    Sipas Ibrahimit, shumica e komunave të tjera kanë shpenzuar mbi 70% të buxhetit, derisa vetëm 4 komuna anëtare të asociacionit kanë shpenzuar më pak se 50%.

    “Kanë pasur probleme sa i përket shpenzimeve, sepse kanë pranuar buxhetin me vonesë nga niveli qendror ka pasur probleme nga të hyrat vetanake dhe kanë arritur rezultat jashtëzakonisht të mirë në raport me nivelin qendror”, tha Ibrahimi.

    Njëkohësisht, mesatarja e të gjitha komunave arrin në 67% të shfrytëzimit të buxhetit. Megjithatë, sipas institutit GAP, ka mbetur një numër i lartë i projekteve që nuk janë nisur gjatë këtij viti.

    “I kontraktojnë punët në gjysmën e dytë të vitit, çka nënkupton që pagesat e atyre projekteve i bëjnë pas muajit shtator, që nuk reflektojnë në këto përqindje, pra përqindja gjithsesi rritet deri në fund të vitit. Instituti GAP ka gjetur se janë 1700 projekte kapitale që nuk kanë nisur në terren gjatë këtij viti e 1100 janë të komunave”, tha Bekim Salihu nga Instituti GAP.

    Ndërkaq, 4 komunat veriore për shkak se nuk i raportojnë shpenzimet, figurojnë me 0% të shfrytëzimit të buxhetit për investime kapitale.