ATV

Category: Lajme

  • 27 vjet nga Masakra e Stagovës së Kaçanikut

    27 vjet nga Masakra e Stagovës së Kaçanikut

    Më 21 maj shënohet 27-vjetori i Masakrës së Stagovës të Kaçanikut.

    Rreth tri dekada më parë ranë dëshmorë Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi dhe martirët Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi dhe Fitim Gudaqi.

    21 maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

    Nga 180 shtëpi sa kishte ky fshat më 20 maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi 50 për qind të tyre.

  • Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare

    Osmani të dielën në Zvicër, takon mërgatën shqiptare

    Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka njoftuar se këtë të diel do të udhëtojë për në Cyrih të Zvicrës.

    Atje, Osmani bën të ditur se do të takohet me mërgatën shqiptare me fillim nga ora 14:00.

    “Të dashur motra e vëllezër në Zvicër. Ka disa rrugë që nuk maten me kilometra, janë rrugët e mallit, sakrificës dhe dashurisë për vendin”, tha ajo.

  • 20 vjet nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi

    20 vjet nga shpallja e pavarësisë së Malit të Zi

    Sot mbushen 20 vjet nga përfundimi zyrtar i funksionimit të Konfederatës Serbi dhe Mali i Zi.

    Më 21 maj të vitit 2006, qytetarët e këtij vendi, përmes votës në referendum, mbështetën pavarësinë nga Serbia.

    Për suksesin e referendumit ka qenë e nevojshme mbështetja e së paku 55% të votuesve.

    Vota pro pavarësisë e pakicës shqiptare ka qenë vendimtare. Kuvendi i Malit të Zi paraprakisht kishte miratuar ligjin për referendum, në përputhje me rekomandimin e Bashkimit Evropian.

    Pavarësia e Malit të Zi është shpallur më 3 qershor. Më 28 qershor 2006, Mali i Zi u bë anëtar i 192-të i Kombeve të Bashkuara, ndërsa më 11 maj 2007 anëtar i Këshillit të Evropës.

  • Votimi përmes postës, KQZ publikon hapat që duhet ndjekur diaspora

    Votimi përmes postës, KQZ publikon hapat që duhet ndjekur diaspora

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se nga sot, 21 maj, ka filluar periudha e votimit përmes postës për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit, ndërsa procesi do të zgjasë deri më 6 qershor 2026.

    Përmes një njoftimi në Facebook, KQZ ka sqaruar hapat që duhet ndjekur nga votuesit për realizimin e votimit me postë, ku planifikohet të shpërndahen rreth 105 mijë pako.

    Sipas institucionit, pakoja me fletëvotim do të dërgohet në adresën e banimit të votuesit.

    Pas pranimit të saj, qytetarët duhet të plotësojnë fletëvotimin, ta vendosin atë në zarfin e fshehtësisë dhe më pas bashkë me dëftesën e regjistrimit ta fusin në zarfin kthyes.

    KQZ ka bërë të ditur se votuesit duhet të shënojnë adresën e kutisë postare përkatëse dhe ta dërgojnë zarfin përmes postës, duke theksuar se ai duhet të arrijë në kutinë postare të vendit përkatës jo më larg se 6 qershor 2026.

    Ndiqni udhëzimet e plota:

  • Bllokimi i punimeve në Ishullin Urban, Rama mban konferencë për media

    Bllokimi i punimeve në Ishullin Urban, Rama mban konferencë për media

    Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, do të mbajë sot nga ora 09:30 një konferencë për media në Ishullin Urban.

    Konferenca do të fokusohet në bllokimin e punimeve nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore (ITK), ndërsa pritet të prezantohen qëndrimet dhe hapat e mëtejmë të Komunës së Prishtinës lidhur me këtë çështje.

  • Visar Ymeri: Kurti nuk synon stabilitet institucional pa i pasur institucionet nën kontroll

    Visar Ymeri: Kurti nuk synon stabilitet institucional pa i pasur institucionet nën kontroll

    Analisti politik Visar Ymeri ka deklaruar se qasja politike e kryeministrit Albin Kurti, sipas tij, nuk ka për qëllim ndërtimin e institucioneve stabile dhe funksionale, përveç në rastet kur ato kontrollohen nga pushteti.

    Ymeri tha se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për mënyrën se si, sipas tij, po funksionon qeverisja aktuale.

    “Qytetarët e Kosovës duhet me qenë të vetëdijshëm që sjellja politike e Kurtit nuk është për të bërë institucione dhe stabilitet institucional në Kosovë, përveç nëse i merr krejt nën kontroll”, deklaroi Ymeri.

    Ai shtoi se kjo qasje duhet të merret parasysh nga qytetarët kur flitet për stabilitet institucional dhe funksionimin e shtetit.

    “Kështu që në këtë drejtim, kur ta kesh këtë parasysh dhe në anën tjetër thu që po du institucione stabile, atëherë duhet me ndërru raportin mes forcave. Ose nëse po të pëlqen qekjo, atëherë në rregull jemi”, u shpreh ai.

  • Përkujtohen me krenari dëshmorët Myrte Zeneli dhe Faruk Zeneli

    Përkujtohen me krenari dëshmorët Myrte Zeneli dhe Faruk Zeneli

    Ish-luftëtari i UÇK-së, Lahi Brahimaj ka kujtuar me nder dhe krenari dëshmorët Myrte Zeneli dhe Faruk Zeneli.

    Përmes një postimi në Facebook, Brahimaj thotë se data 21 maj ishte një datë e rëndë për UÇK-në, por edhe një pikë kthese që dëshmoi se lufta për çlirim do të barte sakrifica e humbje të mëdha, si rënia e djemve si Myrta e Faruku.

    “Me Myrten ishim bashkëfshatarë, por edhe bashkërrugëtarë që nga fillimi i rezistencës. Myrta ishte model dhe frymëzim si luftëtar, me besimin e palëkundur se një ditë UÇK-ja do të triumfonte dhe ashtu doli. Edhe pse Myrta ra heroikisht, ne sot e gëzojmë lirinë falë gjakut dhe sakrificës së djemve si ai”.

    “Faruk Zeneli, si një i ri që fatin e vendit e kishte vendosur para fatit personal, e njoha që në fillim të luftës në Jabllanicë, duke u rreshtuar me djemtë dhe vajzat më të zotë të kësaj ane. Lavdi e përjetshme dëshmorëve!”, ka shkruar ai.

  • MASh për rastin e raportuar në Gjakovë: Inspektorati kontaktoi Policinë dhe DKA-në, drejtori u pezullua nga puna

    MASh për rastin e raportuar në Gjakovë: Inspektorati kontaktoi Policinë dhe DKA-në, drejtori u pezullua nga puna

    Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e raportuar në Komunën e Gjakovës për ngacmim seksual nga ana e drejtorit të shkollës “Pjetër Bogdani” në Demajn, duke theksuar se institucionet arsimore duhet të jenë mjedise të sigurta dhe mbrojtëse për çdo fëmijë.

    Në një postim në Facebook, MASh ka bërë të ditur se menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacione relevante për veprimet institucionale të ndërmarra.

    “ Menjëherë pas marrjes së informatave për rastin, Inspektorati i Arsimit ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Gjakovë për të siguruar informacionet relevante lidhur me veprimet institucionale të ndërmarra”, thuhet në njoftim.

    Sipas ministrisë, autoritetet komunale kanë informuar se komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës.

    “Sipas informatave të pranuara nga autoritetet kompetente komunale, Komisioni disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e drejtorit nga marrëdhënia e punës”, thuhet më tej.

    MASh ka theksuar se çdo formë e ngacmimit seksual, dhunës, abuzimit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është e papranueshme dhe e dënueshme.

    “Çdo formë e ngacmimit seksual dhe dhunës dhe abuzimit e keqpërdorimit të pozitës zyrtare në institucionet arsimore është i papranueshëm dhe i dënueshëm”, thuhet në postim.

    Ministria ka kërkuar që çdo veprim i dyshuar që cenon integritetin dhe dinjitetin e të miturve të trajtohet me seriozitetin më të lartë nga organet kompetente, ndërsa ka shprehur pritjen që rasti të trajtohet me prioritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    “MASh pret nga të gjitha institucionet përgjegjëse që rasti të trajtohet me prioritet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi deri në një dënim meritor”, thuhet në njoftim.

    Në fund, MASh ka bërë të ditur se do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me rastin dhe se do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj.

    “Ministria do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet lidhur me këtë rast dhe do të ofrojë mbështetjen e nevojshme institucionale në kuadër të kompetencave të saj”, thuhet në postim.

  • Një radio britanike jep gabimisht lajmin se mbreti Charles ka vdekur

    Një radio britanike jep gabimisht lajmin se mbreti Charles ka vdekur

    Një stacion radiofonik ka kërkuar falje për pasi njoftoi gabimisht se Mbreti Charles kishte vdekur.

    Njoftimi i gabuar u transmetua të martën pasdite për shkak të një gabimi kompjuterik në studion kryesore të Radio Caroline në Essex.

    Menaxheri i stacionit, Peter Moore, shkroi në Facebook: “Për shkak të një gabimi kompjuterik në studion tonë kryesore, procedura për vdekjen e Monarkut, të cilën të gjitha stacionet në Mbretërinë e Bashkuar e mbajnë gati duke shpresuar të mos kenë nevojë ta përdorin, u aktivizua aksidentalisht të martën pasdite (19 maj), duke njoftuar gabimisht se Madhëria e Tij Mbreti Charles kishte ndërruar jetë.

    “Radio Caroline më pas heshti, siç kërkohet në raste të tilla, gjë që na alarmoi për të rikthyer programin dhe për të dhënë një kërkimfalje në transmetim.

    “Caroline ka pasur kënaqësinë të transmetojë mesazhin e Krishtlindjeve të Madhërisë së Saj Mbretëreshës dhe tani të Mbretit, dhe shpresojmë ta bëjmë këtë për shumë vite të tjera.

    “I kërkojmë falje Madhërisë së Tij Mbretit dhe dëgjuesve tanë për çdo shqetësim të shkaktuar”, u tha në reagim, trasmeton gazeta online Reporteri.net

    Postimi nuk tregonte sa kohë kaloi para se gabimi të zbulohej, por të mërkurën pasdite, regjistrimi i transmetimit të së martës nga ora 13:58 deri në 17:00 nuk ishte i disponueshëm në faqen e internetit të stacionit.

    Incidenti ndodhi ndërsa mbreti dhe mbretëresha ndodheshin në Irlandën e Veriut, ku iu bashkuan një grupi folklorik për një performancë.

    Charles dhe Camilla gjithashtu panë valltarë dhe provuan uiski irlandez në lagjen Titanic të Belfastit në ditën e parë të udhëtimit të tyre.

    Pasi legjislacioni i vitit 1967 detyroi shumë transmetues piratë të mbylleshin, ai vazhdoi të funksiononte herë pas here para se t’i jepte fund transmetimeve detare në vitin 1990.

    Caroline dhe stacione të tjera të ngjashme pirate frymëzuan filmin komedi të vitit 2009 “The Boat that Rocked”, me aktorët Bill Nighy dhe Philip Seymour Hoffman, për një grup DJ-sh ekscentrikë që jetonin dhe punonin së bashku në det.

  • Sot varroset Alush Gashi

    Sot varroset Alush Gashi

    Sot i jepet lamtumira e fundit, Alush Gashi, njërit prej emrave historikë të Lidhja Demokratike e Kosovës dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit historik Ibrahim Rugova.

    Alush Gashi, i cili vdiq disa ditë më parë, ishte ndër themeluesit e strukturave institucionale të LDK-së në vitet ’90 dhe për shumë vite mbeti një nga figurat më të rëndësishme të krahut rugovist në skenën politike kosovare.

    Ai dha kontribut të veçantë në proceset politike dhe shtetformuese të Kosovës, ndërsa përveç angazhimit politik, shërbeu edhe si ministër i Shëndetësisë, duke qenë pjesë e institucioneve të vendit në periudha të rëndësishme të pasluftës.

    Në nderim të jetës dhe veprës së tij, sot mbahet mbledhje komemorative nën patronatin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Ceremonia e varrimit do të zhvillohet në ora 15:00, në vendlindjen e tij, në varrezat e fshatit Prigodë të Istog, ku familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe qytetarë do t’i japin lamtumirën e fundit.