ATV

Category: Lajme

  • Vuçiqi thotë se pret presion të madh ndaj Serbisë për Kosovën në muajt e ardhshëm

    Vuçiqi thotë se pret presion të madh ndaj Serbisë për Kosovën në muajt e ardhshëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret që “presioni më i madh” për çështjen e Kosovës t’i bëhet Serbisë në janar dhe shkurt.

    Në një intervistë për “TV Prva”, Vuçiq ka thënë se ajo është periudha kur fushata e zgjedhjeve parlamentare në BE është në kulm.

    “Pasi ashtu mendojnë se do të fitojnë ndonjë votë shqiptare apo ku ta di se çfarë, pasi ata janë të gjithë njerëz që nuk mbështesin vetëm Kosovën e pavarur, por janë lobistë të dalluar shqiptarë. Vetëm këtë duhet ta dinë njerëzit në Serbi. Ata që janë në anën e një liste, ‘Serbia kundër dhunës’ e kritikojnë qeverinë në Beograd, 95 për qind e tyre janë lobistë të shquar shqiptarë”, tha Vuçiq, duke përmendur edhe raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

    Vuçiq tha se përgjigja e tij për zyrtarët evropianë mbetet e njëjtë “dhe s’mund të interepretohet në mënyrë tjetër”.

    Ai ka thënë se interesi i Serbisë është “Ballkani i Hapur”.

  • Policia bën apel për vigjilencë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike

    Policia bën apel për vigjilencë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike

    Policia e Kosovës ka bërë apel për të pasur kujdes dhe vigjilencë në parandalimin e përdorimit të parregullt të mjeteve piroteknike, sidomos nga fëmijët, me qëllim të shmangies së rrezikut që mund të shkaktojnë mjetet plasëse.

    Policia ka thënë se është e angazhuar me plan konkret që këtë fundvit festat të kalojnë të qeta dhe pa incidente.

    Policia ka thënë se do të ketë shtim të prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura.

    “Ndërmarrja e masave preventive policore për të siguruar që festat e fundvitit të kalojnë pa ndonjë incident, do të përfshijë edhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimi i dukurive negative që shkaktojnë jo stabilitet në vend në çfarëdo mase sa rrezikon rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, ku ngritja e prezencës policore do të bëhet në gjithë Republikën e Kosovës, përfshirë edhe zonat sensitive posaçërisht në ato lokacione me popullatë të përzier”, thuhet në njoftim.

  • AGK-ja: 2023-ta, viti me më së shumti kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve dhe mediave

    AGK-ja: 2023-ta, viti me më së shumti kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve dhe mediave

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se 2023-ta është viti me më së shumti raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve e mediave, që janë raportuar te AGK-ja.

    “Gazetarët dhe kameramanët, si asnjëherë më parë rrezikuan sigurinë e tyre fizike duke raportuar në kushte të jashtëzakonshme, në muajin maj dhe qershor nga veriu i Republikës së Kosovës. Andaj, ju jemi mirënjohës që misionin për informimin e qytetarëve, e bëtë në kushte tejet të rënduara, pa mjetet e nevojshme të punës, dhe e pa u frikësuar”, shkruan në njoftim.

    “Falënderim e mirënjohje edhe për të gjithë kolegët tjerë që kanë raportuar nga terrenet e tjera të ndryshme, e janë kërcënuar nga qytetarë, zyrtarë, pjesëtarë të sigurimit dhe persona publik”.

    Tutje AGK-ja ftoi që të mos hezitojnë as në të ardhmen t’i raportojnë rastet e ngjashme.

  • Mjekët e Emergjencës në QKUK të gatshëm për festat e fundvitit

    Mjekët e Emergjencës në QKUK të gatshëm për festat e fundvitit

    Në Klinikën e Emergjencës së QKUK-së janë bërë të gjitha përgatitjet që stafi të jetë sa më i plotësuar për t’u dalë në ndihmë mjekësore qytetarëve që kanë nevojë në natën e ndërrimit të moteve, raporton EO.

    Kështu ka deklaruar për Ekonomia Online, drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla.

    “Jemi në natën e Vitit të Ri dhe Qendra Emergjente si zakonisht është e përgatitur si në aspektin e personelit që janë ekipet kujdestare e po ashtu edhe në aspketin medikamenteve dhe materialeve hargjuese. Jemi të përgatitur që t’i trajtojmë të gjitha ato raste që kërkojnë trajtim emergjent dhe që kërkpjnë ndihmë në qendrën emergjente”, tha Syla.

    “Janë ekipet kujdestare të cilat e mbajnë atë barrën kryesore. Janë ekipet që kanë qenë, mirëpo thënë të drejtën nuk është bërë diçka ekstra që të përgatitemi më shumë edhe pse presim një rritje të madhe të pacientëve, dashtë Zoti të mos ketë. Pra kjo është diçka e zakonshme në emergjencë”, u shpreh Syla, teksa apeloi te qytetarët që të festojnë pa armë e pa mjete piroteknike.

  • Scholzi në fjalimin e Vitit të Ri përcjellë mesazh besimi: Bota jonë është bërë një vend më i paqëndrueshëm

    Scholzi në fjalimin e Vitit të Ri përcjellë mesazh besimi: Bota jonë është bërë një vend më i paqëndrueshëm

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka përdorur fjalimin e tij të Vitit të Ri për t’u bërë thirrje qytetarëve të vendit që të mos e humbin besimin në të ardhmen, ndërsa ata po përshtaten me një botë që përjeton kriza të shumta dhe që po ndryshon me ritëm gjithnjë më të shpejtë, shkruan agjencia “AP”.

    “Kaq shumë vuajtje; aq shumë gjakderdhje. Bota jonë është bërë një vend më i paqëndrueshëm dhe më i ashpër. Po ndryshon me një shpejtësi marramendëse”, ka thënë Scholz në një fjalim të regjistruar që do të transmetohet sot.

    Scholz po i referohej pushtimit rus të Ukrainës, që rezultoi me rritje të çmimeve të energjisë, po ashtu vuajtjes nga pandemia e koronavirusit si dhe sulmit të Hamasit ndaj Izraelit që nxiti ofensivën ushtarake izraelite në Gaza.

    “Rezultati është se ne, po ashtu, po kemi ndryshim. Është gjë shqetësuese për shumë prej nesh. Te disa, shkakton edhe pakënaqësi. Unë e kam afër zemrës. Por e di këtë: Ne në Gjermani do ta kalojmë këtë”, ka thënë Scholz.

    Kancelari ka vënë në dukje se, pavarësisht shqetësimeve që pati një vit më parë, gjermanët nuk mbetën pa ngrohje vitin e kaluar, pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz natyror për Evropën.

    “Gjërat dolën më ndryshe. Inflacioni ka rënë. Pagat dhe pensionet po rriten. Depozitat tona me gaz janë mbushur plotë për dimër”, tha Scholz.

    Qeveria e drejtuar nga Scholzi është bërë e njohur për grindjet e brendshme gjatë dy vjetëve të fundit dhe ka pasur rënie në sondazhe.

    Ekonomia e Gjermanisë po ashtu po performon dobët, por Scholz prapë u mundua ta “vizatojë” një pamje më pozitive të vitit të ardhshëm.

    Shumë familje do të duhet të paguajnë më pak taksa dhe Qeveria planifikon të investojë para në infrastrukturën e transportit dhe po ashtu energji të pastër.

    “’Kush do të menaxhojë, nëse jo ju në Gjermani’ – është diçka që dëgjojë nga shumë njerëz rreth nesh në Evropë dhe nëpër botë. Dhe ka diçka në këtë. Më tepër burra dhe gra kanë vende pune në Gjermani sot sesa që kishin në të kaluarën”, tha Scholz.

    Scholz po ashtu ka theksuar rëndësinë e Bashkimit Evropian, veçanërisht në kohë krize.

    “Forca jonë qëndron në Bashkimin Evropian. Kur BE-ja paraqet një front të bashkuar, ajo flet për më shumë se 400 milionë njerëz. Në një botë prej 8 miliardë banorëve, së shpejti 10 miliardë, është një pasuri e vërtetë”, tha Scholz.

    Mirëpo, Scholz ka thënë se Gjermanisë i duhet puna e gjithë njerëzve për ta shtyrë vendin para.

    “Bashkëqytetarët e mi, forca jonë qëndron në të kuptuar se secili prej nesh është i nevojshëm në vendin tonë – si shkencëtari më i mirë ashtu edhe kujdestari, si polici ashtu edhe shoferi i dërgesave, si pensionisti ashtu edhe praktikanti. Nëse e kuptojmë këtë, nëse e trajtojmë njëri-tjetrin në frymë respekti, atëherë nuk duhet të kemi frikë për të ardhmen. Atëherë viti 2024 do të jetë një vit i mirë për vendin tonë, edhe nëse disa gjëra dalin ndryshe nga mënyra se si i imagjinojmë sot, në prag të Vitit të Ri”, ka thënë Scholz.

  • Kurti në fjalën e fundit të vitit: Çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë

    Kurti në fjalën e fundit të vitit: Çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij të fundvitit ka folur për marrëdhëniet e ngushta të vendit me aleatët ndërkombëtarë dhe procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

    Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova ka bashkëpunim me aleatët në procesin e normalizimit me Serbinë me synim për të sjellë paqe e siguri dhe “për ta hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen e prosperitetin tonë”.

    “Do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë dhe integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të vendit tonë”, ka thënë Kurti, shkruan Sinjali.

    “Kosova jonë është në prag të një të ardhme që është më afër asaj se çka meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intenzivisht”.

    Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e kishin arritur më 27 shkurt të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Ndërsa, më 18 mars ishin pajtuar në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Por, ato marrëveshje nuk u nënshkruan pasi një gjë e tillë u refuzua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Mes tjerash marrëveshja kërkon respektimin e integritetit territorial mes palëve ndërsa neni 4 i saj, i cili tash është problematik për Serbinë, parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

  • Lajçak: Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të shpallen sa më shpejt

    Lajçak: Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të shpallen sa më shpejt

    “Presim që zgjedhjet e reja lokale në veri të Kosovës të shpallen pa vonesa të mëtejshme”.

    Kështu tha Miroslav Lajçak, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në një intervistë për Politika.

    Lajçak beson se funksionalizimi i plotë i përfaqësuesve lokalë në veri të Kosovës është i domosdoshëm për deeskalimin e situatës dhe për procesin më të gjerë të normalizimit.

    “Është e nevojshme edhe për vazhdimin e krijimit të bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, tha Lajçak për Politika.

    “Më vjen keq që regjistrimi i grupeve nismëtare fillimisht u përball me pengesa të papritura administrative, por që atëherë kam marrë garanci nga Kosova se këto probleme do të zgjidhen së shpejti në mënyrë që mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të fillojë menjëherë”, tha Lajçak

    Ai ka thënë se situata në Kosovë është e brishtë dhe se nuk mund të kemi njëkohësisht përshkallëzim apo tensione dhe progres në normalizimin e marrëdhënieve.

    Ai gjithashtu theksoi se dialogu është platforma e vetme për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.

  • Pa viza, Aeroporti i Prishtinës përgatitet për fluks më të madh të udhëtarëve

    Pa viza, Aeroporti i Prishtinës përgatitet për fluks më të madh të udhëtarëve

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka shënuar rritje të fluturimeve mbi 4% më shumë në krahasim me vitin 2022, duke kapur shifrën prej 40 mijë fluturime për vitin 2023. Po ashtu, për herë të parë në historinë e aeroportit, kanë udhëtuar rreth 3.4 milionë udhëtarë, si dhe këto shifra udhëtimesh priten të rriten gjatë këtij viti me liberalizimin e vizave për Kosovën. Aeroporti e sheh veten të përgatitur për këtë numër të udhëtarëve, por se janë duke investuar edhe në hapësira të reja për çfarëdo fluksi tjetër të mundshëm.

    Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, qytetarët janë shprehur të lumtur për këtë mundësi që tashmë e ka Kosova. Kurse, agjencionet turistike kanë thënë se procedura për udhëtime tashmë do të jetë shumë më e lehtë.

    Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka thënë për KosovaPress, se janë duke shtuar linja ajrore dhe destinacione të reja.

    Gara u ka bërë thirrje të gjithë udhëtarëve që dëshirojnë të udhëtojnë pa viza, të përgatisin të gjitha dokumentet e nevojshme në mënyrë që mos t’i anulohet fluturimi për mungesë të ndonjë dokumenti.

    Ndërkaq, qytetarët shprehen të lumtur për mundësin e udhëtimit pa viza. Ata thanë se Kosova e ka merituar liberalizimin e vizave dhe se do të vizitojnë të gjithë familjarët e tyre jashtë vendit.

    Elbasan Muja tha se Kosova ka qenë i vetmi vend pa liberalizim të vizave.

    Aferdita Zyliu tha se është e lumtur për heqjen e vizave dhe se shkon mysafir në Gjermani.

    Në anën tjetër, në Agjensionin Turistik “Fibula”, kanë thënë për KosovaPress, se heqja e vizvaë është lehtësim i madh si për qytetarët, ashtu edhe për vet ata.

    Fetije Sipahi nga kjo agjensioni, tha se qytetarët tashmë për udhëtime jashtë vendit, me liberalizimin e vizave do të paguajnë 100 euro më pak.

    Sipahi tha se rezervime më shumti ka për Gjermani dhe Zvicërr.

    Sipas të dhënave nga Aeroporti i Prishtinës, totali i udhëtarëve për vitin 2022, ishte mbi 2 milionë, si dhe destinacionet më të frekuentuara kanë qenë Gjermani dhe Zvicërr.

  • Sa shpenzojnë qytetarët dhe ku do ta presin natën më të hareshme të vitit?

    Sa shpenzojnë qytetarët dhe ku do ta presin natën më të hareshme të vitit?

    Pritja e ndërrimit të mot-motit është një ndjesi e veçantë, por për shumicën e qytetarëve nuk festohet njëjtë si vitet e kaluara. Qytetarët thonë se nuk shpenzojnë shumë për shkak të kushteve të rënduara ekonomike.

    Megjithatë disa restorante dhe klube të ndryshme në kryeqytet planifikojnë natë festive nga 30 dhjetori deri më 4 janar 2024, me oferta të ndryshme dhe këngëtarë të famshëm.

    Qytetari Agim Fushtica thotë për KosovaPress, se ai shpenzon vetëm për dhurata për fëmijët, teksa shton se nuk është e njëjta atmosferë si përpara.

    Ndërsa Ali Zhushi thotë se do të shpenzojë sipas mundësive, derisa Vitin e Ri do ta presë me të shoqen.

    Bajram Gashi thotë se shpenzon deri diku për festa, teksa Vitin e Ri do ta presë në shtëpi.

    Ruzhdi Cakiçi ankohet për pagat e ulëta teksa standardi i jetës është rritur dhe shpenzimet janë të mëdha.

    Një qytetar tjetër që nuk deshi të identifikohej tha natën më të hareshme të vitit do ta presë së bashku me bashkëshorten e tij në familje.

    Ndryshe, çmimet për organizimet festive në diskoteka e restorante për Vitin e Ri variojnë nga 20-30 euro për hyrje në diskoteka, ndërsa oferta në restorante nga 60 euro për person. Në diskotekat e kryeqytetit do të këndojnë emra të njohur si Tayna, Capital T, Butrint Imeri, Yll Limani, Dafina Zeqiri e shumë të tjerë.

  • Mehmeti e konsideron si të vështirë 2023-ën, përmend sulmin terrorist, problemet financiare e inflacionin

    Mehmeti e konsideron si të vështirë 2023-ën, përmend sulmin terrorist, problemet financiare e inflacionin

    Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka uruar qytetarët me rastin e Vitit të Ri 2024.

    Mehmeti e ka quajtur vitin 2023 si të vështirë për Kosovën për shkak të sulmit terrorist në shtator në Banjskë.

    Mehmeti ka përmendur gjithashtu edhe problemet financiare dhe inflacionin që sipas tij i ka vendosur nën presion bizneset dhe mirëqenien në familje..

    Postimi i plotë i tij:

    Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

    Urime viti i ri!

    Uroj që në familjet tuaja të mos mungoj shëndeti dhe harmonia. Një vit i ri është një mundësi e re për t’i lënë prapa gjërat e këqija dhe për të vazhduar përpara! Qoftë viti që po vjen vit i mbarë! Gëzuar!

    Të dashur qytetarë,

    Viti 2023 nuk ka qenë një vit i lehtë për Kosovën, për shkak se është sulmuar sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.

    Gjithashtu problemet financiare dhe inflacioni i ka vendosur nën presion bizneset dhe mirëqenien në familjet tona.

    Një vit gjatë të cilit agjenda politike dhe dialogu dominuan në Kosovë dhe ekonomia mbeti disi e anashkaluar. Dëshiroj që në vitin 2024 të shoh në Republikën e Kosovës një dialog konstruktiv në mes të pozitës dhe opozitës, në mes të nivelit qëndror dhe atij lokal, një avancim të dialogut publiko privat dhe një dialog social më aktiv në interes të qytetarëve dhe stabilitetit social në Republikën e Kosovës.

    Stabiliteti politik është parakusht i zhvillimit ekonomik dhe i tërheqjes së investimeve të huaja, por edhe i diasporës.

    Të pranohet realiteti se, vetëm një sektor privat i fuqishëm është garancë e qëndrueshmërisë ekonomiko sociale, prandaj partneriteti dhe bashkërënditja e aktiviteteve ekonomike në mes të institucioneve dhe biznesit është esenciale për Kosovën.

    Një diplomaci ekonomike, përcaktim i prioriteteve ekonomike për zëvendësimin e importit, funksionalizimin e një zone ekonomike nacionale, dhe kordinimi me shtetet mike siç janë SHBA-të dhe Europa, është më se e nevojshme, jo vetëm për promovim të mundësive për zhvillim ekonomik, por edhe për të përmirësuar imazhin e saj dhe për hjeqjen e masava të BE-së që iu vendosen Kosovës gjatë vitit 2023.