ATV

Category: Lajme

  • Osmani uron qytetarët për 2024: Qoftë vit i arritjeve pozitive

    Osmani uron qytetarët për 2024: Qoftë vit i arritjeve pozitive

    Presidentja Vjosa Osmani uron qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të mot-motit duke thënë se 2024-ta të jetë një vit në të cilin të gjithë do të ndihen të vlerësuar, duke mos u zmbrapsur përpara sfidave dhe duke përmbushur aspiratat si shoqëri dhe shtet.

    Ajo ka thënë se 2023-ta ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe shpirtit të palëkundur kundrejt sfidave, teksa 2024-ta është mundësi e mirë për të hapur perspektivë të re për të gjithë, për ta rritur shpresën, besimin dhe angazhimin se krahas me ndryshimin e viteve, do të jemi më mirë se në vitin e mëparshëm.

    “Të përkushtohemi që 2024-ta, të jetë vit në të cilin dëgjohet secili, vit në të cilin të gjithë do të ndihemi të vlerësuar e të përmbushur. Viti që po vjen, qoftë vit i përmbushjes së aspiratave tona si shoqëri dhe si shtet. Përpara sfidave nuk duhet të zmbrapsemi, por duhet të synojmë t’i arrijmë lartësitë.

    Urojmë që ky vit i ri t’i sjellë të gjitha të mirat për të gjithë qytetarët tanë. Më shumë dashuri për të vegjlit tanë, më shumë suksese për rininë tonë, më shumë begati për punëtorët e pensionistët tanë dhe më shumë kujdes, humanizëm e solidaritet për të pambrojturit dhe për ata që kanë më së shumti nevojë”, ka thënë Osmani.

    E para e shtetit tonë një falënderim të veçantë ka për të gjithë ata që në këtë natë ndërrimi të mot-motit kujdesen për shëndetin dhe sigurinë e vendit tonë, si dhe për të gjithë të tjerët në krye të detyrës.

    “Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri, suksese dhe shkëlqim në të gjitha fushat. Qoftë vit arritjesh pozitive, ku veprat flasin më shumë se fjalët, ku mundësitë janë pafund e ku gëzimi, mbarësia dhe hareja na rrethojnë në çdo anë! Shumë urime për vitin 2024! Gëzuar!”, përfundon urimi i presidentes Osmani.

  • Në arrest shtëpie, Berisha uron Vitin e Ri: Shqipëria humbi shumë këtë vit, dua të jap mesazh shprese

    Në arrest shtëpie, Berisha uron Vitin e Ri: Shqipëria humbi shumë këtë vit, dua të jap mesazh shprese

    GJKKO vendosi ditën e djeshme, 30 dhjetor, masën e sigurisë “arrest shtëpiak” për ish-kryeministrin Sali Berisha. Këtij të fundit nuk i lejohet as komunikimi me persona të tjerë, ndërsa do të kontrollohet periodikisht nga një oficer policie.

    Sot më 31 dhjetor, në natën e ndërrimit të viteve, Berisha uron gjithë shqiptarët përmes një postimi në Facebook.

    “Kjo natë magjike e ndërrimit të viteve, është nata e dashurisë, mirënjohjes dhe shpresës”, shkruan Berisha.

    Në urimin e tij, Berisha shpreh keqardhje dhe thotë se Shqipëria i është rikthyer rrugës së diktaturës.

    Por, sipas tij, shpresa është magjia e kësaj nate. Ai thotë se kurrë nuk do të dorëzohet së luftuari për të vërtetat që beson për Shqiprinë.

    Mesazhi i Berishës:

    Mesazh urimi për Vitin e Ri

    Të dashur qytetetarë dhe qytetare shqiptarë.

    Gëzuar vitin e ri 2024, kudo që po festoni sonte. Në vatrat tuaja familjare, në lokale, clube, udhëtime, spitale apo institucione të vuajtjes të dënimit. Kjo natë magjike e ndërrimit të viteve, është nata e dashurisë, mirënjohjes dhe shpresës.

    Për shumicën e shqiptarëve, mirënjohja dhe shpresa, mund të jenë të vështira në mbyllje të një viti si ky që po lejmë pas.

    Shqipëria nuk është më e njëjta. Vendi ynë është nxjerrë nga rruga e demokracisë dhe i është rikthyer udhës qorre të dikurshme. Diktaturës! Në retrospektivë Shqipëria humbi shumë këtë vit.

    Shqipëra u nda perfundimisht me votën e lirë. Në 2023 pamë një fushatë elektorale që nisi me tritol, u kontrollua nga bandat, dhe u mbyll me arrestime politike.

    Shqipëria humbi pluralizmin. Në 2023 pamë luftën më të egër ndaj opozitës që nga koha e Enver Hoxhës. Opozitës ju vodh logo e partisë. Ju ndalua emri i kryetarit në fletën e votimit. Dhe kreu i tyre u burgos, pa prova apo fakte.

    Opozites ju mohua e drejta kushtetuese e kontrollit mbi qeverisjen. Shqipëria humbi Parlamentarizmin. Humbi demokracinë.

    Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në kohë si këto.

    Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në vitin e 2 që Shqipëria ka më shumë vdekje se sa lindje.

    Mirënjohja dhe shpresa mund të jenë të vështira, në një kohë kur 81% e shqiptarëve duan të largohen.

    Por sonte unë dua ti jap çdo shqiptari një mesazh shprese. Sepse ne fakt shpresa është magjia e kësaj nate. Viti i ri është festa e fillimit të ri. Është festa e rikthimit të shpresës. Është festa që na kujton, se nuk ka të keqe të pafundme. Se gjithmonë ka një kohë më të mirë.

    Ky vit, pati të mirat e veta.

    Ky ishte viti ku nga errësira ne sollëm në dritë të vërtetën. Prandaj çdo demokrat sonte duhet të jetë krenar, dhe çdo shqiptar duhet të ketë shpresë. Sepse çdo e keqe sjell një të mirë.

    Zgjedhjet e 2023 ishin si ato të Rusisë së Putinit. Por 600.000 shqiptarë me votën e tyre na dhanë mesazhin se ka shpresë.

    Parlamenti shqiptar sot është si ai i Bjellorusisë së Lukashenkos. Por 43 deputetë qëndrestarë dhanë mesazhin se ka shpresë.

    U burgos padrejtësisht kreu i opozitës. Por ky është veçse inspirim sepse tregon se regjimi ka frikë. Prandaj do ju kujtoj se Sali Berisha kurrë nuk do dorëzohet së luftuari për të vërtetat që beson për Shqipërinë. Nuk do dorëzohet së luftuari për të rinjtë që largohen, për fermerët e braktisur, per minatorët e harruar, për arsimtarët me rrogat më të ulëta në rajon, për artistët që drejtohen nga patronazhistët, për mjekët e vjedhur nga koncesionet që zgjidhje të vetme shohin largimin, për intelektualët që mediat e reigjimit i kanë zëvendësuar me gramafonë të paguar, për ish-pronarët që shohin se si u vidhen pronat nga familjarët e ministrave si “investitorët strategjikë”, për studentët qe nuk shohin siguri për të ardhmen, për prodhuesit, mundi dhe djersa e të cilëve është shkatërruar nga paraja e zezë a narkotrafikut, për pensionistët që nuk kanë mundësi të blejnë as ilaçet, për të varfërit, të papunët dhe të majtët e tradhëtuar.

    Sepse në këtë diktaturë të re, ku shqiptarët janë të tradhëtuar nga të gjitha anët, antikomformistet, guximtarët dhe qëndrestarët janë shpresa e vetme për Shqipërinë.

    Dhe për të gjithë ata që mund ta kenë të vështirë të shohin dritë në këtë kohë të errët, kam vetëm një fjali për ta. Një shprehje të pavdekshme nga Nelson Mandela:

    “Çdo gjë duket e pamundur… deri sa realizohet.”

    Shqiptarët do të triumfojnë këtë vit të ri. Misioni ynë hyjnor për shpëtimin e Shqipërisë do realizohet.

    Prandaj uroj çdo shqiptar të hyj në 2024 krenarë, i buzëqeshur dhe me dy gishtat lartë. E ardhmja u takon atyre që guxojnë! Gëzuar miq. Gëzuar vitin e ri, 2024!

  • “Çmime të arsyeshme”- Sa po kushton nafta në ditën e fundit të 2023-ës

    “Çmime të arsyeshme”- Sa po kushton nafta në ditën e fundit të 2023-ës

    Në ditën e diel (31 dhjetor) çmimi I naftës dizel po lëviz nga 1.30-1.39 centë. Ndërkaq, benzina 1.26-1.30 centë.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, duke thënë se viti 2023 po lihet pas me çmime të arsyeshme.

    “Po e lam vitin 2023 me qmime te arsyshme: Dizelli 1.30 cent deri 1.39 cent, Benzina 1.26 cent deri 1.30 cent. Me shpres qe ne vitin 2024 trendi i ramjes te derivateve te jet ne ramje”, ka thënë ai.

    “Ne emer tim personal dhe te shoqates se naftarve te kosoves ju uroj vitin e ri 2024. Suksese Shendet . Vitin qe e lam pas ishte me shum sfida dhe problem. Deshiroj qe viti 2024 te jet ma i favorshem per ne”, ka thënë ai.

    Tutje, Berjani ka thënë se do të jetë me shpresë se tregu kosovar do t’i ketë çmimet më të ulëta në rajon.

    Më tej, ai thotë se derivate ka mjaftueshëm në Kosovë.

  • Mehaj tregon shifrën se sa u investuan në blerjen e sistemeve të armatimeve për dy vite

    Mehaj tregon shifrën se sa u investuan në blerjen e sistemeve të armatimeve për dy vite

    Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një grafike ka bërë të ditur se që nga vitit 2021 e deri më 2023, investimet në blerjen e sistemeve të armatimit kanë kaluar mbi 292 milionë euro.

    Ai është shprehur se të arrihet ky investim në Ushtrinë e Kosovës, sipas tij, ka qenë objektivi kryesor gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

    “Me arritë këtë investim në ushtrinë e Kosovës, ka qenë objektivi ynë kryesore gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes (mars 2021-gusht 2023). Jam i lumtur që gjatë periudhës 2021-2023 për fushën e mbrojtjes janë arritur shifra të larta të investohen në blerjen e armatimit për nevojat e ushtrisë së Kosovës”.

    “Kjo është arritur fal punës sonë, bashke me Kabinetin tim, Shtabin e FSK-së, personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe fal përkrahjes të kryeministrit Albin Kurti. Në këtë zinxhir të bashkëpunimit nuk harrojmë as aleatet tonë të NATO-së në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe marrëveshjet shtet me shtet që i bëra gjatë mandatit”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

    Mehaj u shpreh se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO sepse, sipas tij kjo është siguri për vet NATO-n.

    “Kosova, duhet të anëtarësohet në NATO sepse kjo është siguri për vet NATO-në, Ballkanin dhe Republikën e Kosovës. Uroj që objektivat e fushës së mbrojtjes të i arrinë edhe me tytje nga 2024. Konsideroj se e kam kryer një pjesë të amanetit në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe falënderoj dëshmorët e kombit, familjet e tyre, veteranët dhe invalidet e luftës”.

    “Uroj vitin e ri 2024 gjithë shqiptarëve ku do që janë dhe vendeve tona partnere, me shpresën për paqe, siguri e stabilitet në gjithë botën. Një fjalë e urtë popullore thotë: “punë shumë, e fjalë pak” e konsideroj se populli është vlerësuesi me i drejte i punës sime dhe punës sonë në shërbim të popullit”.

    “Në vizitë që ju kam bërë mbi 500 familjeve të dëshmorve gjithandej Kosovës dhe shqiprisë, kam theksuar se misioni im i vetëm është forcimi i ushtrisë së Kosovës, objektiv të cilën e kemi arritur si asnjëherë me parë. Atëherë kur e kërkon populli dhe shteti, unë si asnjëherë me parë jam i gatshëm të i shërbej atdheut tim”, ka shkruar tutje Mehaj.

  • Franca dhe Gjermania rrisin sigurinë përpara festimeve të Vitit të Ri mes frikës së sulmeve terroriste

    Franca dhe Gjermania rrisin sigurinë përpara festimeve të Vitit të Ri mes frikës së sulmeve terroriste

    Franca dhe Gjermania kanë shtuar sigurinë në prag të festimeve të Vitit të Ri pas paralajmërimeve se konflikti i vazhdueshëm midis Izraelit dhe Hamasit ka rritur rrezikun e sulmeve terroriste, shkruan CNN.

    Policia në qytetin gjerman të Këlnit po shton forcat e saj pas një raportimi se grupet islamike mund të planifikojnë një sulm në katedralen e famshme të qytetit në natën e Vitit të Ri.

    Oficeri Martin Lotz tha në një konferencë për shtyp mbi oficerët që mbanin automatikë dhe mbanin jelekë mbrojtës do të vendoseshin në qytet.

    Katedralja e qytetit njoftoi se do të hapet vetëm për shërbimet e kishës deri në njoftimin e mëtejshëm “për shkak të situatës aktuale të sigurisë”, sipas një deklarate të postuar në mediat sociale.

    Ndërkohë, në Berlin, policia po përpiqet të rrisë ndërgjegjësimin për rreziqet e fishekzjarreve përmes kanaleve të mediave sociale.

    “Mos na sulmoni. Mos na qëlloni me fishekzjarre dhe raketa. Shmangni dënimet ose disa vite burgim”, paralajmëroi policia e Berlinit në një video të publikuar në X, e njohur më parë si Twitter, në prag të natës së Vitit të Ri.

    Shqetësimet janë shtuar pasi festimet e Vitit të Ri të vitit të kaluar në Berlin u shndërruan në trazira të dhunshme. Disa u plagosën, duke përfshirë oficerë policie dhe zjarrfikës të cilët thanë se fishekzjarrët ishin drejtuar qëllimisht kundër tyre. Mjetet piroteknike ndezën edhe zjarre në rrugë.

    “Kërcënim shumë i lartë terrorist”

    Ndërkohë, Franca do të vendosë 90,000 oficerë pasi vendi përballet me “kërcënim shumë të lartë terrorist”, tha të premten Ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin.

    “Kam kërkuar një mobilizim shumë të fortë të policisë dhe xhandarëve tanë në një kontekst të një kërcënimi shumë të lartë terrorist, natyrisht për shkak të asaj që po ndodh në Izrael dhe Palestinë,” u tha Darmanin gazetarëve.

    Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme franceze, numri i policëve të mobilizuar është afërsisht i njëjtë me atë për natën e Vitit të Ri vitin e kaluar.

    Përveç kërcënimeve terroriste, Franca tradicionalisht sheh një rritje të shkeljeve të vogla, veçanërisht djegies së makinave, ndërsa njerëzit festojnë ardhjen e Vitit të Ri.

    Siguria e përforcuar vjen pasi masa të ngjashme u vendosën në disa vende evropiane përpara natës së Krishtlindjes.

    Vendet, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Austrinë, rritën kontrollet e sigurisë dhe mbrojtjen për kishat përpara meshës dhe festimeve të natës së Krishtlindjes.

    Më herët në dhjetor, katër anëtarë të dyshuar të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve terroriste në tokën evropiane u arrestuan nga autoritetet gjermane dhe holandeze.

  • Kryeministri Kurti: Afrim Bunjaku e Enver Zymeri, janë historia krenare e Republikës sonë

    Kryeministri Kurti: Afrim Bunjaku e Enver Zymeri, janë historia krenare e Republikës sonë

    Kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Afrim Bunjaku e Enver Zymeri janë dy emra heronjsh, që si oficerë policie ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

    Postimi i tij:

    Afrim Bunjaku e Enver Zymeri janë dy emra heronjsh, që si oficerë policie ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

    Bashkë me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, sot vizituam familjet e tyre në Vushtrri.

    Në Samadrexhë, gruas Lumnijes, vajzës Arbenitës dhe dy djemve Fatlumit e Jetlumit, motrës Fexhrijes si dhe të afërmve të tjerë, iu shprehëm edhe njëherë mirënjohjen e thellë për sakrificën dhe kontributin e rreshterit të Policisë, heroit tonë Afrimit. Aty shkuam bashkë me djalin e Enver Zymerit, Sokolin.

    Nga aty, me dy djemtë e Afrim Bunjakut, Fatlumin e Jetlumin vizituam familjen e Enver Zymerit. Na pritën vëllau Egzoni, gruaja Drita, djali Sokoli, vajzat Luljeta e Rinesa, axha Ramadani dhe shumë të tjerë.
    Enverin e kujtoj dy herë. Një herë për shërbimin dhe sakrificën e tij dhe një herë tjetër për Bacën Rremë, babain e tij, Muharremin, shokun tim të burgut, me të cilin e kam ndarë të njëjtën qeli për një vit, në burg të Serbisë, e i cili ndërroi jetë para dy vitesh.

    Festat e fundvitit do të ishin më të plota me Afrimin e Enverin, por ne nuk i harrojmë asnjëherë sepse ata janë historia krenare e Republikës sonë.

  • Osmani nga Stacioni Policor: Gratë dhe burrat në vijë të frontit e bëjnë shtetin më të sigurt

    Osmani nga Stacioni Policor: Gratë dhe burrat në vijë të frontit e bëjnë shtetin më të sigurt

    Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se në prag të Vitit të Ri, përveç Klinikës Emergjente dhe atë të Kardiologjisë, ka vizituar edhe Stacionin Policor në Qendër.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo është shprehur mirënjohëse ndaj puëntorëve në këto institucione, duke thënë se burrat dhe gratë që janë në vijë të frontit, e bëjnë shtetin më të sigurt.

    “Përkushtimi dhe devotshmëria e stafit mjekësor dhe atij policor në mbarë Kosovën ndaj qytetarëve tanë janë burim krenarie për Republikën tonë. Përderisa shumica festojmë pranë më të dashurve, policia, klinikat e shumë të tjerë do të jenë në krye të detyrës për t’u kujdesur për qytetarët tanë. Janë gratë dhe burrat në vijë të frontit ata që e bëjnë shtetin tonë më të sigurt çdo ditë të vitit”, ka shkruar Osmani.

  • KFOR-i kryen stërvitje në Ujman

    KFOR-i kryen stërvitje në Ujman

    Gjatë një periudhe katër orëshe toga e lagunarit simuloi një patrullë me aktivitete të tjera të kombinuara amfibe dhe gjithashtu simuloi një ulje në një mjedis jo lejues.

    “Lagunari italian, pjesë e Batalionit Rezervë Operacional të dislokuar në veri të Kosovës si pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO me Regjimentin 186-të Italian Paracadutisti “Folgore”, së fundi kreu stërvitje specifike në liqenin e Gazivodkos”, thuhet në njoftim të KFOR-it.

    KFOR-i njofton, si zakonisht, se “vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

  • Ekstradohet në Shqipëri i dyshuari për vrasjen e Adrian Nikulajt

    Ekstradohet në Shqipëri i dyshuari për vrasjen e Adrian Nikulajt

    Shtetasi portugez R.S. (28), i dyshuari për vrasjen e biznesmenit Adrian Nikulaj, është ekstraduar në Shqipëri nga Maroku të dielën.

    28-vjeçari u kap në Marok, dhe me kërkesë të Interpol Tiranës, u ekstradua.

    R.S. dyshohet se më 19 prill të këtij viti vrau me armë zjarri në lokalin e tij në Shëngjin.

    “Specialistët e Interpol Tiranës bënë të mundur ekstradimin në vendin tonë, të shtetasit R. S., 28 vjeç, lindur në Portugali. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Shtetasi R. S. dyshohet se më datë 19.04.2023, në ambientet e lokalit, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. N.. Falë bashkëpunimit mes Interpol Marokut dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur ekstradimi i këtij shtetasi, në vendin tonë. Më herët, si rezultat i reagimit në kohë, punës profesionale hetimore dhe gjurmuese, sigurimit të inteligjencës policore, shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët, si dhe falë bashkëpunimit të suksesshëm me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi dhe i shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale”, thuhet nga Policia e Shqipërisë.

  • Mbërrin viti i ri edhe në Australi

    Mbërrin viti i ri edhe në Australi

    Turma të mëdha u mblodhën në Syene të Australisë për një nga shfaqjet më spektakolare të fishekzjarrëve të Vitit të Ri në botë. Mijëra njerëz ndoqën nga afër eventin e organizuar nga autoritetet australiane për vitin 2024 ndërsa miliona të tjerë e ndoqën spektaklin nga televizioni.

    Mijëra njerëz dolën në qendër të qytetit për të ndjekur spektaklin e organizuar nga autoritetet e Zelandës se re.

    Spektakli i fishekzjarrëve ishte i mirëorganizuar nga qeveria e këtij vendi dhe i fokusuar në pjesët më të rëndësishme të Aukland. Qytetaret sfiduan motin me shi për të ndjekur nga afër festimet dhe për t’i uruar njeri-tjetrit një vit të ri të gëzuar.