ATV

Category: Lajme

  • Belgjika nis kryesimin e BE-së

    Belgjika nis kryesimin e BE-së

    Belgjika nga sot merr kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian.

    Kështu Belgjika, vendi në të cilin edhe ndodhet selia e Bashkimit Evropian- Brukseli, dhe i cili ishte i pari që kishte rolin e kryesuesit kur ky sistem u vendos, do të kryesojë për të 13 herë me radhë.

    Kryesimi belg ndodh në kohën kur do të mbahen zgjedhjet evropiane, mes datave 6-9 qershor.

    Qeveria belge ka premtuar se do të ketë kapacitete të duhura dhe fokusin e mjaftueshëm për ta kryer detyrën e kryesuesit të radhës me sukses, por nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund 2022 kur kryesimin e kishte Republika Çeke.

    Qeveria e Belgjikës ka përmendur prioritetet, me të cilat do të merret gjatë gjashtë muajve.

    “Presidenca belge do të monitorojë proceset që janë në vazhdim e sipër me të gjitha vendet relevante, në përputhje me metodologjinë ekzistuese, bazuar në qasjen e meritave individuale, dhe progresin e secilit kandidat në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Do të inkurajojmë integrimin në BE duke promovuar reformat e domosdoshme transformative në fushat kyçe, posaçërisht sundimin e ligjit, institucionet demokratike, lirinë e mediave dhe të drejtat themelore”, thuhet në dokument.

    Gjatë kryesimit të Belgjikës, më 1 maj 2024, do të shënohet 20-vjetori i zgjerimit më të madh të BE-së. Belgjika do të merret edhe me definimin e një agjende strategjike për zhvillimin e BE-së ku zgjerimi do të ketë një vend të rëndësishëm. Kjo “agjendë strategjike” do ta vendosë bazën për veprimin e BE-së 2024-2029.

    Sa i përket procesit të zgjerimit të BE-së, gjatë kryesimit të Belgjikës, do të mund të nisin negociatat e aderimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Bosnja e Hercegovina do të vlerësohet në mars 2024, për të parë nëse i ka përmbushur kushtet për të nisur negociatat e aderimit.

  • Qeveria organizon udhëtimin e parë pa viza drejt BE-së

    Qeveria organizon udhëtimin e parë pa viza drejt BE-së

    Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese, organizon sot (e hënë) udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuiz-i i BE-së më 1 janar 2024.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla do të urojnë dhe përshëndesin qytetarët e parë që udhëtojnë pa viza.

    Takimi mbahet në terminalin kryesor të Aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, ora 10:00, ndërsa konferenca për media e Kurtit dhe Gërvallës në orën 10:30.

    Ndryshe, qytetarët e Kosovës nga sot do të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen.

    Faqja e Integrimit Evropian në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka përpiluar një listë të atyre së çfarë duhet të dinë qytetarët në mënyrë që të udhëtojnë pa viza.

    Aty thuhet se udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turistë, por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.

    Sa i përket kohës së qëndrimit, aty thuhet se qëndrimi është i mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda zonës Shengen. Ndërsa, për dokumentet e nevojshme, bëhet e ditur se qytetarët duhen të kenë pasaporta biometrike, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimit e udhëtimit. Për ata që udhëtojnë me veturë nevojitet edhe dokumentet, përfshirë kartonin e gjelbër.

  • 21 të lënduar me mjete piroteknike, dy prej tyre në gjendje të rëndë – njëri i plagosur me plumb qorr

    21 të lënduar me mjete piroteknike, dy prej tyre në gjendje të rëndë – njëri i plagosur me plumb qorr

    Gjatë orëve të fundit në Shërbimin Emergjent pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar 21 raste të lëndimit nga shpërthimi i mjeteve piroteknike.

    Dy prej janë në gjendje më të rëndë, ngase njëri pacient është plagosur nga një plumb qorr, ndërkaq tjetri ka marrë lëndime nga përdorimi i fishekzjarrëve, raporton Klankosova.tv.

    Njëri nga të lënduarit po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa një tjetër në atë të Oftamologjisë. Ndërkaq, të lënduarit e tjerë, pas trajtimit janë liruar për në shtëpi.

    Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit Emergjent, Naser Syla, derisa potencon se mosha e pacientëve që kanë marrë lëndime si shkas i përdorimit të mjeteve piroteknike fillon nga një 6-vjeçar deri te një i moshuar mbi 60-vjeç.

    Syla shtoi se gjatë 18 orëve të fundit në Shërbimin Emergjent janë pranuar rreth 217 pacientë.

    Ndryshe, Policia e Kosovës për menaxhimin e situatës së sigurisë gjatë festës së ndërrimit të mot-motit ka përgatitur urdhrin operativ “Fund Viti – 2023 dhe fillimi i 2024” ku është paraparë shtim i prezencës policore në rrugë dhe ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim të qytetarëve.

  • Nga ky moment udhëtojmë pa viza

    Nga ky moment udhëtojmë pa viza

    Më shumë se një dekadë u deshën që kosovarët më në fund ta gëzojnë të drejtën e udhëtimit në botën evropiane.

    E pikërisht sot, që nga ndërrimi i mot-moteve qytetarët kanë mundësinë ta festojnë fillimin e vitit 2024 në zonën Schengen.

    Rruga e Kosovës për të fituar liberalizimin

    Gjithçka nisi në janar të vitit të 2012. Fillimisht, negociatat e para për liberalizimin e vizave i filloi komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom, e cila vizitoi Kosovën me qëllimin që ta paraqiste një plan për dialog rreth kësaj çështje.

    Ndërkohë, qysh prej atëherë kanë filluar që ndaj Kosovës të vendosen kritere, në mënyrë që ato të plotësohen që qytetarët të kenë të drejtë udhëtimi. Kriteret vazhdimisht me kalimin e kohës ndryshonin, por përgjigja negative jo.

    Gjatë rrugës, për Kosovën këto kritere janë parë me “sy të ngopur” e janë cilësuar të tepërta për realizim. Përveç kushteve administrative e teknike, Kosova u detyrua nga BE që gjatë rrugës të përfshijë edhe çështjet politike.

    Katër vite më vonë, konkretisht më 4 maj të vitit 2016 për Kosovën ishte “i gatshëm” liberalizimi i vizave. Sipas Komisionit Evropian, qytetarët e Kosovës që atëherë do të udhëtonin lirshëm. Por, edhe pse Komisioni dhe Parlamenti Evropian i thanë “po” miratimit për liberalizim potencial të vizave, prapë Këshilli i Ministrave të BE-së nuk u bind.

    Anëtarët e Këshillit nuk u bindën me arsyetimin se disa nga vendet anëtare të BE-së vlerësonin se Kosova ende nuk kishte arritur lartësinë e rekomanduar sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    E premtimet për çdo vit se lëvizja e lirë do të nodhë nuk mungonin as nga udhëheqësit e institucionëve të Kosovës.

    Kosova, dikur arriti që ta vërtetojë se kishte plotësuar pothuajse të gjitha “kriteret e tepërta”, por gjatë rrugës sërish pati një tjetër kusht. Asaj radhe u kushtëzua me ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Drejtë realizimit të marrëveshjes u pa haptazi që kriteret ishin vendosur mbi çështje politike.

    Deri në vitin 2018, Kosova arriti që ta ratifikojë atë marrëveshje, por BE edhe asaj radhe “tradhtoi” marrëveshjen. Kështu BE veproi gjatë, duke mos e mbajtur premtimin për vite me radhë, që për pasojë la peng liberalizimin për qytetarët.

    Qysh nga ai vit, Kosova i kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, sipas Komisionit Evropian. Por, sërish ishin disa vende anëtare që shprehnin rezerva, që për pasojë prapë nuk u mundësua konfirmimi i plotë për liberalizim.

    Ndërkohë, Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), në vitin 2019 votoi për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur drejt liberalizimit. Më 28 mars u mbajt leximi i parë nga ana e Parlamentit Evropian. Në atë periudhë 331 eurodeputetët kanë votuar pro, 126 kundër dhe 12 kanë abstenuar. Si pasojë e kësaj, Këshilli nuk ka ndërmarrë mendimin e Parlamentit dhe rrjedhimisht procesi ishte bllokuar.

    Tri vite pas, saktësisht në tetor të 2022-tës, u realizua takimi i Grupit Punues për Viza. Në atë takim u diskutua për liberalizim brenda Këshillit, që Kosova asnjëherë më parë nuk kishte arritur deri në atë pikë, pra brenda procesit vendimmarrës të BE-së. Atë ditë të gjitha vendet anëtare kishin “mbështetur” e “mirëpritur” gjerësisht liberalizimin. Pas dy muajsh, ishin ambasadorët e BE-së që vulosën liberalizimin e vizave për Kosovën, si hapi i fundit.

    Gjatë atij viti, ajo vulë mbylli procedurën teknike për liberalizim, duke “shpresuar” që në muajt e ardhshëm të mbetej vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillit për Punë të Brendshme.

    Gjithashtu, në liberalizimin e vizave “mollë sherri” konsiderohej edhe procesi i dialogut Kosovë – Serbi, që sot e asaj kohe ende nuk është arritur normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes të dyja palëve.

    Kosova nuk u dorëzua deri në nënshkrimin e liberalizimit

    Kosovarët ishin të vetmit qytetarë të Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk mund të udhëtonin lirshëm.

    Por, Kosova nuk u dorëzua deri në miratimin e plotë për liberalizim, ku hapat përfundimtar arritën pas 12 viteve.

    Më 9 mars të 2023-tës, Këshilli i Ministrave ka miratuar njëzëri liberalizimin, ku pas këtij hapi kishte mbetur edhe miratimi në seancën plenare të Parlamentit Evropian, që parashikohej përsëri përkrahje me unanimitet. Derisa, dy javë më pas, me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, Komisioni për Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punët e Brendshme (LIBE) dha miratimin përfundimtar të legjislacionit që t’ia mundësojë qytetarëve lëvizjen e lirë.

    Kosova shënon rekord në historinë e procesit të liberalizimit

    Kosova është vendi i vetëm, procesi i të cilit zgjati me më së shumti vite në historinë e liberalizimit të vizave. Qysh prej fillimit të negociatave e deri në lëvizjen e lirë u dashen plot 12 vite. Përkundër që procesi i liberalizimit në Shqipëri ka zgjatur vetëm tri vite, ndërsa në Serbi dy.

    Qytetarëve të Kosovës, më 18 prill të 2023-tës Parlamenti Evropian ua miratoi përfundimisht liberalizimin e vizave. Miratimi u bë pa votim, pasi që nuk kishte asnjë kundërshtim. Gjithashtu, pas këtij miratimi ishte bërë e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se sot. Ky vendim kishte qenë i lidhur me Sistemin Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) të udhëtimit në Evropë.

    Rregullorja 2023/850 që mundëson liberalizimin, më 25 prill u publikua në gazetën zyrtare të BE-së e veçse hyri në fuqi më 15 maj 2023.

    Ndodhi heqja e vizave për shtetasit e Kosovës, por gjithashtu më pas KE propozoi që vizat të hiqen edhe për bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë, të cilët banojnë në Kosovë. Pra, Komisioni propozoi që të ndryshohet vendimi për liberalizimin e vizave për shtetin serb. Por kjo gjë u kundërshtua nga Qeveria e Kosovës, e cila tha se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë mund të lëvizin lirshëm në BE vetëm me pasaportën e Kosovës.

    Çfarë nënkupton liberalizimi?

    Liberalizimi i vizave nënkuptohet atëherë kur arrihet një marrëveshje mes një shteti dhe Bashkimit Evropian, ku më pas mundësohet leja e udhëtimit pa vizë. Kjo marrëveshje nuk përfshin leje pune të çfarëdoshme apo mundësi për të jetuar në një nga shtet që janë pjesëmarrëse në marrëveshje.

    Kosovarët që ia mësyjnë Evropës

    Me liberalizimin e vizave tashmë qytetarët e vendit kanë të drejtë të udhëtojnë lirshëm në shtetet e Bashkimit Evropian, sikurse Belgjika, Austria, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Greqia, Gjermania, Holanda, Hungaria, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Polonia, Portugalia, Qipro, Republika Çeke, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia. Po ashtu, kosovarët mund të udhëtojnë edhe në disa vende që janë nënshkruese të marrëveshjes, ani pse nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Islanda, Norvegjia, Zvicra e Lihteshtajni.

    Por, kosovarët nuk mund të udhëtojnë në Spanjë edhe pse është në zonën Schengen, pasi që ky vend nuk i njeh pasaportat e Kosovës.

    Kushtet për udhëtarët

    Qytetarët para se të udhëtojnë në zonën Schengen duhet të plotësojnë edhe disa kushte të tjera. Pasaporta biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit ose vendin ku do të qëndrojnë detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese e nëse udhëton me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës, e dëshmi se kanë mjete të mjaftueshme financiare.

    BE do ta vëzhgojë Kosovën

    Edhe përkundër marrëveshjes, Kosova vazhdimisht do të jetë nën vëzhgimin e BE-së. Sepse, liberalizimi i vizave nuk është vendim i vlefshëm pafundësisht, prandaj mbetet që situata të rivlerësohet.

    Bazuar në marrëveshje, Bashkimi Evropian ka “mekanizmin e pezullimit të vizave”. Pra, Kosova do jetë në rrezik të pezullimit të liberalizimit përkohësisht në qoftë se udhëtarët keqpërdorin lëvizjen pa viza.

  • Si u prit Viti i Ri 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Si u prit Viti i Ri 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Spektakël me drita dhe fishekzjarrë ndodhi në Emiratet e Bashkuara Arabe ndërsa vendi hyri në vitin 2024 me shpresën për një vit të ri të bukur.

    Qiejt e Abu Dabit u ndriçuan për me 40 minuta fishekzjarrë dhe një shfaqje të organizuar nga 5000 drone, ndërsa Burj Khalifa i Dubait shkëlqeu me shfaqjen e tij “më të ndritshme, më të madhe dhe më të gjallë” deri më tani.

    Ras Al Khaimah pati një fillim rekord të vitit të ri, me një qilim me mjete piroteknike ujore, drone LED dhe fishekzjarrë që ndriçojnë 4.5 km vijë bregdetare që shtrihet nga ishulli Al Marjan në fshatin Al Hamra.

    Ndërkohë shumë banorë festojnë fundin e vitit 2023, disa kanë zgjedhur të heshtin festimet në shenjë solidariteti me Gazën e shkatërruar nga lufta. /EuronewsAlbania

  • Pa viza, të hënën në orën 8:00 të mëngjesit bëhet fluturimi i parë

    Pa viza, të hënën në orën 8:00 të mëngjesit bëhet fluturimi i parë

    Kanë mbetur një orë nga liberalizimi i vizave, ku qytetarët e Kosovës do të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në 27 vende të zonës Shengen.

    Fluturimi i parë i kosovarëve do të jetë të hënën në orën 8:00 të mëngjesit. Një fluturim tjetër i veçantë të hënën do të jetë do të jetë me fillim nga ora 10:30.

    Kjo pasi Qeveria e Kosovës në kuadër të fushatës informuese e ka organizuar udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.

    Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të urojnë dhe përshëndesin qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza, dhe do të mbajnë konferencë për media.

  • Presidentja Osmani me portret familjar uron Vitin 2024

    Presidentja Osmani me portret familjar uron Vitin 2024

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka uruar Vitin e Ri 2024 me një portret familjar.

    Viti 2024 qoftë i mbushur me shëndet, dashuri e suksese shkruan, presidentja Osmani.

  • Urimi i Edi Ramës për Vitin e Ri me një video të krijuar përmes inteligjencës artificiale

    Urimi i Edi Ramës për Vitin e Ri me një video të krijuar përmes inteligjencës artificiale

    Në natën e ndërrimit të viteve, Kryeministri Edi Rama uroi mbarë shqiptarët për një vit të mbarë, meshëndet, paqe e dashuri, si dhe me mundësi të reja për realizimin e ëndrrave dhe përmbushjen e shpresave.

    Këtë herë, urimi tradicional i fundvitit u shoqërua me një video të krijuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t, dëshmi se progresi teknologjik, ashtu si në mbarë botën, po shënon një fazë të rëndësishme edhe për Shqipërinë.

  • Kurti, Konjufca e Sveçla i shkojnë në konak Hetemit

    Kurti, Konjufca e Sveçla i shkojnë në konak Hetemit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i kanë shkuar në konak kryetarit të Leposaviqit, Lulzim Hetemit.

    Kurti theksoi se Hetemi u tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar.

    “Para tri ditëve, kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, doli nga zyra e tij dhe e vizitoi kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës, Erden Atiqin. E ky ia ktheu sonte vizitën në shtëpinë e Lulzimit ku ishin mbledhur familja e gjerë e tij. Me Erdenin ishim edhe ne: Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe, unë”, shkroi Kurti.

    “Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor”, shtoi tutjej shefi i qeverisë.

    “Në festën e Vitit të Ri në gjirin familjar ishin edhe Kosovarja, vajza e Kryetarit, dhe Albaniku, të dy mbesë e nip të dëshmorës Fatime Hetemi, e që pardje u bënë pjesë e 325 rekrutëve të rinj të cilët iu bashkuan ushtrisë sonë, Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

    Ai theksoi se pasi e kanë përfunduar vizitën, Hetemi është kthyer në zyrën e tij në Leposaviq.

    “Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan”.

    “Viti 2023 ishte fort i veçantë për Lulzim Hetemin: nuk ia ka marrë mendja që do të bëhet kryetar komune e mandej aq më pak që do ta pres ndërrimin e motmoteve si kryetar komune. Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, është kryetari më i rëndësishëm, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm i komunës. Gëzuar 2024!”.

  • ATV-ja, televizioni bindshëm më i shikuar në Kosovë

    ATV-ja, televizioni bindshëm më i shikuar në Kosovë

    ATV mbyll vitin 2023 me rekord të video shikimeve të përmbajtjes në facebook.

    Të dhënat janë bazuar në analizat e CrowdTangle, ndërsa ky sukses i ATV-së është reflektim i strategjisë së shkëlqyer dhe përmbajtjes së përshtatshme të ofruar për shikuesit dhe ndjekësit e vet.

    Le të jetë ky sukses i jashtëzakonshëm dhe ky pozicion i palëkundur i ATV-së një dhuratë për shikuesit e vet dhe të gjithë shqiptarët kudo janë, për Vitin e Ri 2024!