ATV

Category: Lajme

  • Nga 1 janari 2024 Belgjika nis kryesimin e BE-së: Skepticizëm rreth procesit integrues të Kosovës

    Nga 1 janari 2024 Belgjika nis kryesimin e BE-së: Skepticizëm rreth procesit integrues të Kosovës

    Mandatin e udhëheqjes së Bashkimit Evropian në fillim të vitit 2024 pas Spanjës do ta marrë në dorë Belgjika. Me këtë rast, njohës të politikave ndërkombëtare në vend, nuk presin ndonjë progres të madh sa i përket trajtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Për këtë, arsyet janë të shumta

    Fundi i vitit 2023 ka sjellë edhe përfundim të mandatit të Spanjës në krye të Bashkimit Evropian.

    Nga 1 janari 2024, këtë përgjegjësi do ta marrë Belgjika, brenda të cilës gjendet edhe selia e BE-së.

    Gjatë udhëheqjes së Spanjës, e cila nuk njeh pavarësinë e Kosovës, nuk pati asnjë hap sa i përket aplikimit të vendit për anëtarësim në BE.

    Mirëpo, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare nuk presin progres në këtë drejtim as nën udhëheqjen belge.

    “Maksimumi që Kosova mund ta pret në këtë fazë është që fillimisht të largohen këto masa të cilat i ka marrë BE-ja në formë të sanksioneve e më pas të shihet se si do të rrjedhë procesi i negociatave Kosovë-Serbi, aq më tepër që ky proces ka filluar të përcaktohet edhe nga dinamika e dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë Dorajet Imeri – Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

    Se rruga e Kosovës drejt bllokut evropian do të jetë sfiduese po vlerëson edhe njohësi tjetër i politikave ndërkombëtare, Fidan Ukaj.

    Sipas tij, edhe zgjedhjet brenda BE-së do të ndikojnë në këtë proces.

    “Përkundër asaj që presidencën e radhës e merr një shtet njohës i Kosovës, megjithatë BE-ja do të jetë e angazhuar në proceset zgjedhore brenda saj dhe gjasat që të merret me aplikimin e Kosovës mendoj që janë minimaliste”, ka theksuar Fidan Ukaj – Analist.

    Belgjika do ta marrë kryesimin në moment kyç për BE-në, pasi në fund të mandatit të kësaj Presidence, në fillim të qershorit, do të zhvillohen zgjedhjet evropiane.

  • Berisha në “arrest shtëpie”, reagon Rama

    Berisha në “arrest shtëpie”, reagon Rama

    Teksa GJKKO mori vendimin për caktimin e masës arrest shtëpie ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha në të njëjtën kohë kryeministri Edi Rama mbante konferencën e fundvitit.

    Rama reagoi duke u shprehur se nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt, të cilësdo parti.

    “‘S’kam asnjë koment, nuk merrem me dikë që është shpallur non grata nga SHBA e kam thënë qysh në krye të herës. Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt, të cilësdo parti. Kjo është në parim, partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët.

    Kështu që nuk e shoh si një fitore të Partisë Socialiste apo si një fitore të Erionit apo Taulantit për këmbënguljen në detyrën e tyre.– tha Rama.

  • Mbi 80 aeroplanë me mërgimtarë pritet të vijnë sot në Kosovë

    Mbi 80 aeroplanë me mërgimtarë pritet të vijnë sot në Kosovë

    Pikat kufitare të Kosovës këto ditë të festave kanë qenë me kolona të gjata, shkak i ardhjes së mërgimtareve. Por, fluks të madh të udhëtarëve ka edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Zëdhënësja e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara ka thënë se presin që deri në fund të Vitit të Ri të arrijnë një shifër prej 3.4 milionë udhëtarësh, ndërsa vetëm sot janë planifikuar 81 fluturime.

    Ajo beri të ditur se edhe në ditën e fundit të vitit janë planifikuar mbi 60 fluturime vajtje- ardhje.

    “Ne kemi një trend të vazhdueshëm të rritjes së numrit të udhëtarëve. Gjatë sezonit të dimrit ky trend vërehet më së shumti me rastin e festave. Pra 34 janë në arritje me datën 31 dhjetor si dhe 35 në nisje po me datën 31 dhjetor”, ka thënë Gara për Zërin.

    Ajo ka shtuar se Zvicra mbetet njëri ndër destinacionet me numrin më të madh të fluturimeve dhe udhëtarëve.

  • Rusia rrëzon 32 dronë ukrainas

    Rusia rrëzon 32 dronë ukrainas

    Tridhjetë e dy dronë ukrainas u rrëzuan mbi Rusi, njoftuan zyrtarët e Moskës, një ditë pasi një breshëri ajrore 18-orëshe në të gjithë Ukrainën vrau të paktën 32 civilë.

    Dronët u panë në qiell mbi rajonet e Moskës, Bryansk, Oryol dhe Kursk të shtunën, tha në një deklaratë ministria e mbrojtjes e vendit.

    Ai tha se të gjithë dronët ishin shkatërruar nga mbrojtja ajrore.

    Sulmet ruse me dronë kundër Ukrainës vazhduan gjithashtu, me shtabin e përgjithshëm të forcave të armatosura të Ukrainës që raportuan se 10 drone Shahed të prodhuar nga Irani ishin rrëzuar në rajonet Kherson, Khmelnytskyi dhe Mykolaiv të shtunën.

  • Shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave në Zubin Potok, arrestohet një i dyshuar

    Shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave në Zubin Potok, arrestohet një i dyshuar

    Gjatë realizimit të detyrave e aktiviteteve policore, zyrtarë policorë nga Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, sot rreth orës 06:15, në Bube të Zubin Potokut, kanë vënë re lëvizje të dyshimta të disa automjeteve.

    Në përpjekje për t’i ndaluar dhe kontrolluar automjetet e dyshuara, policia ka hasur në rezistencë të armatosur nga persona të dyshuar.

    Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit D.I., (1981), serb nga Zubin Potoku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime.

    Gjatë kontrollit të kamionit, janë gjetur 40 copë dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabandë nga Serbia në Kosovë. Po ashtu janë hasur edhe dy automjete të braktisura, të cilat dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, përfshirë IPK-në dhe për rastin është njoftuar prokurori.

    Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti kundrejt dy veprave penale sulmi ndaj personit zyrtar dhe kontrabanda e mallrave.

    Kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy veturat e hasura në vend-ngjarje janë konfiskuar, ndërsa me aktvendim nga prokurori, i dyshuari dërgohet në mbajtje 48 orë.

  • Gjykata merr vendimin, arrest shtëpie për Sali Berishën

    Gjykata merr vendimin, arrest shtëpie për Sali Berishën

    Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GjKKO) ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për ish-kryeministrin Sali Berisha.

    Prokurorët që po hetojnë Berishën për korrupsion pasiv në aferën “Partizani” kërkojnë që ish-kryeministri të ruhet edhe me polic në derën e shtëpisë e të ketë kontakt vetëm me personat që jetojnë me të në të njëjtën banesë.

    Nën hetim dhe në masë arresti shtëpie për privatizimin e Partizanit është dhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi i cili ndërtoi kulla mbi territorin e kompleksit sportiv.

  • Ministrja Haxhiu i reagon Isufajt: Le të përgjigjet vetëm pse u tërhoq nga urdhërarresti për Radojiçiqin

    Ministrja Haxhiu i reagon Isufajt: Le të përgjigjet vetëm pse u tërhoq nga urdhërarresti për Radojiçiqin

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar menjëherë Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt, i cili për Gazetën Express, deklarimet e saj i quajti tendencë për të ndërhyrë në punën e sistemit prokurorial.

    Haxhiu ka thënë se Isufaj duhet të përgjigjet se pse dha pëlqimin për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radojiçiqit.

    Sipas Haxhiut, po të mos hiqej urdhërarresti në vitin 2021, ndoshta nuk do të ndodhte sulmi terrorist në Banjskë.

    “Në vend të reagimeve kundrejt deklarimeve tona, Blerim Isufaj, le të përgjigjet vetëm në pyetjen se pse u tërhoq urdhëarresti për kryekriminelin Radojçiq në vitin 2021? Po të mos hiqej fletarresti me 2021 ndoshta nuk do të kishte Bajnskë 2023. Mos të tentojë të ikë nga thelbi i çështjes!”, ka shkruar Haxhiu.

  • OKB: 100 mijë njerëz janë zhvendosur në Rafah ditët e fundit

    OKB: 100 mijë njerëz janë zhvendosur në Rafah ditët e fundit

    Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) vlerëson se të paktën 100.000 njerëz janë shpërngulur në Rafah, qyteti më jugor në Gaza, ditët e fundit ndërsa luftimet intensifikohen në Khan Younis dhe gjetkë.

    Izraeli u ka thënë njerëzve që të largohen nga pjesët e Khan Younis, të cilin e sheh si një bastion të Hamasit.

    OCHA thotë se fluksi i njerëzve e ka përkeqësuar mbipopullimin dhe ka bërë presion mbi burimet e kufizuara.

    Ekziston gjithashtu shqetësim për një rritje të përhapjes së sëmundjeve në Gaza, ku disa familje duhet të lëvizin disa herë. /BBC

  • Rama: Kosovës duhet t’i hiqen masat, Serbia duhet sanksionohet për aktin e Banjskës

    Rama: Kosovës duhet t’i hiqen masat, Serbia duhet sanksionohet për aktin e Banjskës

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e tij të fund vitit për media është pyetur për raportet që Shqipëria do të ketë me Serbinë përgjatë vitit 2024.

    Edi Rama ka thënë se qëndrimi i shtetit shqiptar ka qenë shumë i qartë dhe s’ka pasur luhatje, qoftë kur ka kërkuar që Serbia të mos sanksionohet shkaku i qëndrimit ndaj Rusisë, qoftë edhe kur Tirana zyrtare ka konstatuar se Serbia ka bërë akt flagrant kundër të gjitha vlerave evropiane dhe të bashkëjetesës kur ka shpallur ditë zie për kriminelët e Banjskës dhe për vetë aktin e sulmit.

    Rama ka thënë se Shqipëria ka kërkuar që Serbia të sanksionohet për aktin e terrorit në Banjskë dhe që Kosovës t’i hiqen masat, meqë Kosova e ka bërë hapin dhe s’ka sens që Kosovës t’i mbeten masat dhe Serbisë të mos i vendoset asnjë masë shtrënguese pas aktit në Banjskë.

    “Për sa i përket marrëdhënies me presidentin e Serbisë, është marrëdhënie që  s’ka asgjë tjetër përveç interesit të Shqipërisë dhe të rajonit. Natyrisht është raport që s’më pengon mua dhe neve t’i themi të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë. Qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë dhe s’ka pasur luhatje. Qoftë kur ka qenë rasti për të thënë me zë të lartë se Serbia nuk duhej sanksionuar si rezultat i mos sanksionimit të Rusisë meqë kjo do të sillte pasoja të rrezikshme për rajonin, ashtu edhe kur Serbia bëri një akt flagrant kundër të gjithë vlerave evropiane dhe të bashkëjetesës me shpalljen e zisë për kriminelët e Banjskës si edhe për vetë aktin e terrorit në Banjskë. Kështu që kemi qenë shumë të qartë për këtë. Kemi kërkuar haptazi që Serbia duhet sanksionuar dhe Kosovës i duhen hequr masat shtrënguese, sepse Kosova tashmë e ka bërë hapin, që duhej ta kishte bërë me kohë, por e ka bërë. S’ka sens që Kosovës ti mbeten masat dhe Serbisë të mos i vendoset asnjë masë shtrënguese pas aktit në Banjskë”, ka thënë Rama.

  • Dita e veteranit, Osmani: Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë

    Dita e veteranit, Osmani: Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e ditës së veteranëve të UÇK-së, ka thënë se guximi, sakrifica dhe angazhimi i tyre i palëkundur meritojnë respektin tonë maksimal.

    Osmani potencoi se në krye me kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tona.

    “Në Ditën e Veteranëve, shpreh mirënjohjen time të thellë për gratë dhe burrat trima të UÇK-së, të cilët i kanë shërbyer me vetëmohim luftës për lirinë e Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

    “Guximi, sakrifica dhe angazhimi i tyre i palëkundur meritojnë respektin tonë maksimal. Në krye me kryekomandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, ata kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Trimëria dhe sakrifica e tyre do të na frymëzojë përherë!”.