ATV

Category: Lajme

  • Të shtëna me armë në mes familjarëve, një person i plagosur

    Të shtëna me armë në mes familjarëve, një person i plagosur

    Një person është plagosur dhe ka pranuar tretman mjekësor si pasojë e të shtëna me armë zjarrin nga dy të dyshuar, familjar në mes veti.

    Rasti ka ndodhur dje në fshatin Sopijë të Suharekës, ku dy pistoleta dhe 16 gëzhoja janë konfiskuar.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

  • Ia grabisin portofolin nën kërcënimin me thikë

    Ia grabisin portofolin nën kërcënimin me thikë

    Dy persona nën kërcënimin e thikës i kanë grabitur portofolin në të cilin kishte para dhe dokumente, një personi në Ferizaj.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmë dhe po hetohet.

  • Vrasësi i Ardian Nikulajt mbërrin sot në Shqipëri

    Vrasësi i Ardian Nikulajt mbërrin sot në Shqipëri

    Ky që po shihni në foto është Ruben Saraiva, i cili këtë të dielë në Shqipëri do të ekstradohet si i akuzuar si autor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e ndodhur pak muaj më parë në Shëngjin.

    Për këtë qëllim është angazhuar edhe Interpol, ndërsa një grup hetuesish shqiptarë kanë shkuar në marok për të ndjekur nga afër procesin. Kthimi në Shqipëri i tij do të bëhet në mbikëqyrje të lartë policore.

    Nikulaj u vra në 19 prill kur ishte duke qëndruar në lokalin e tij në Shëngjin. Një person me maskë farmacie dhe me kokore motori e qëlloi menjëherë sapo e ka konstatuar viktimën të ulur në tryezë.

    Pas kësaj ai u largua menjëherë duke tentuar të humbë gjurmët. Por nga analiza e të dhënave dhe hetimi i personave që kishin qëndruar në hotel në atë periudhë u zbulua dhe Saraiva si personi që kishte qëlluar

    Shkak dyshohet se është hakmarrja dhe vrasja u konsiderua e porositur. Për vrasjen e Nikulajt janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia si porositës.

  • ​Opozita kritikon qeverinë: Asnjë progres gjatë vitit 2023

    ​Opozita kritikon qeverinë: Asnjë progres gjatë vitit 2023

    Tri partitë opozitare në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK e quajnë të dështuar Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivi gjatë vitit 2023 ka stagnuar në të gjitha nivelet, pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim, ndërkaq, siç thonë opozitarët Kurti ka lënduar marrëdhëniet edhe me aleatët ndërkombëtarë, pasi vendi është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Por të kundërtën e thonë nga ekzekutivi, të cilët konsiderojnë se kanë përmbushur të gjitha prioritetet gjatë vitit 2023.

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti s’ka bërë asgjë pozitive gjatë këtij viti. Sipas tij, e njëjta më shumë është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës dhe se ka krijuar probleme artificiale në veri për të shmangur problemet reale në Kosovë.

    Kritik është edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti në shumë segmente ka dështuar dhe se vendi është afër një bumi social.

    Haziri përmend si të vetmen gjë pozitive reagimin e Policisë së Kosovës ndaj sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë.

    Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë për KosovaPress, se qeveria përmes propagandës vetëm po mashtron qytetarët, pasi s’ka asnjë rezultat konkret në asnjë sektor në vend.

    Po ashtu edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se qeveria Kurti ka stagnuar në të gjitha nivelet, krahas premtimeve të mëdha edhe entuziazmit që ka pasur kur ka ardhur në pushtet.

    Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, tha se synimi i të gjitha vendimeve qeveritare ka qenë qytetari dhe fuqizimi i shtetit.

    Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2023 ka mbajtur 62 mbledhje, derisa janë marrë gjithsej 526 vendime, ndërkaq janë miratuar 66 projektligje dhe pesë nisma legjislative.

  • Rreth 1 200 operacione u kryen në Torakale gjatë 2023-ës, shkurtimi i listës së pritjes e salla e dytë, prioritet i Kolgecit

    Rreth 1 200 operacione u kryen në Torakale gjatë 2023-ës, shkurtimi i listës së pritjes e salla e dytë, prioritet i Kolgecit

    1198 intervenime kirurgjikale janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë Torakale gjatë vitit 2023, e cila tash e sa kohë funksionon me vetëm një sallë operative. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci.

    Kolgeci ka thënë se punët që bëhen në këtë klinikë janë të mëdha, ndërsa ka ndarë sallën e madhe dhe të vogël.

    Në sallën e madhe bëhen intervenime me anestezion të përgjithshëm, ndërsa në të voglën me atë lokal.

    “Në pamundësi të gjithë pacientët me i fut në sallën e madhe, aty ku bëhet me anestezion të përgjithshëm, deri tash është 560 raste që janë kryer në sallën e madhe, ndërsa në sallën e vogël janë 201 rast i përfunduar dhe gjithashtu kemi pasur edhe drenazhi torakale që është edhe ai një intervenim kirurgjik afër 437 raste deri tash. Salla e madhe është aty ku bëhet intervenimi kirurgjik me anestezion të përgjithshëm, ndërsa salla e vogël janë ato raste kur janë operacionet që në pamundësi me i fut në sallën e madhe ne e bëjmë aty me anestezion lokal por edhe ky është intervenim kirurgjik”, ka thënë Kolgeci.

    Krahas numrit të madh të operacioneve të kryera në 2023-ën, Torakalja ka edhe numër të madh të listës së pritjes.

    E arsye për këtë është funksionimi me vetëm një sallë të operacioneve dhe janë të vetmit në tërë territorin e Kosovës.

    “Viti paraprak ka qenë me numër goxha shumë të madhe të operacioneve por ky vit ka qenë edhe më i suksesshëm duke pasur parasysh që ka qenë një volum shumë i madh i pacientëve. Te klinika jonë edhe pse kemi pasur kaq numër të madh të operacioneve, është një numër i madh i pacientëve që presin në listën e pritjes. Arsye e pritjes është sepse ne e disponojmë vetëm një sallë të operacionit dhe jemi e vetmja klinikë në tërë Republikën e Kosovës. Sidomos kanceri i gjirit që ne i kemi kushtuar një vëmendje shumë të madhe nuk presin shumë në listë të pritjes. Një mesatare pritja për kancer të gjirit është rreth tre javë për ndërhyrje kirurgjike, ndërsa kjo periudhë është shumë më gjatë”, ka thënë Kolgeci.

    E stabil qëndrojnë me numër të mjekëve por për shkak të komplikimit të operacionit, ndodh që brenda ditës të kryhet vetëm një operacion.

    “Numri i mjekëve që i kemi në klinikën tonë është i mjaftueshëm për tërë Kosovën por diçka duhet të kihet parasysh se operacionet në klinikën tonë janë operacione që shpesh herë zgjasin dhe në disa raste një operacion e merr komplet ditën për arsye se është operacion që zgjat shumë. Ndërsa për raste kur kemi operacione që janë biopsia ose operacione më të vogla, atëherë mund të kemi mundësi të arrijmë katër deri në pesë operacione brenda ditës por megjithatë është e pamjaftueshme një sallë e operacionit për gjithë Kosovën”, u shpreh Kolgeci për EO.

  • Krasniqi: Diplomaci e dështimit, Gërvalla e Bislimi e mbyllën vitin pa asnjë të arritur

    Krasniqi: Diplomaci e dështimit, Gërvalla e Bislimi e mbyllën vitin pa asnjë të arritur

    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi e ka quajtur të dështuar diplomacinë kosovare gjatë vitit 2023. Krasniqi ka thënë se kryediplomatja, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e mbyllën vitin pa asnjë arritje në fushën e diplomacisë.

    Ajo ka thënë se gjatë këtij viti nuk kishte asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare e nën anën tjetër mungesë të transparencës për dialogun me Serbinë.

    Krasniqi ka potencuar se i pasojë e keqqeverisjes Kosova këtë vit u përjashtua edhe nga “Defender Europe 23” e me vonë mori edhe disa masa kufizuese nga BE-ja, që bllokuan edhe disa projekte në vlerë prej 295 milionë eurove.

    Postimi i plotë:

    Diplomaci e dështimit!

    Zv/Kryeministri Besnik Bislimi dhe ministjra e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, e mbyllen vitin 2023 pa asnjë të arritur në fushën e diplomacisë.
    Për rrjedhojë as nuk e mbajtën konferencën e fundivitit, sepse nuk kishin çfarë të prezantonin si arritje, përveç skandaleve dhe abuzimit me paratë e qytetarëve.

    Lista e dështimeve është shumë e gjatë:
    ❌ Asnjë njohje e re për Pavarësinë e Republikës së Kosovës
    ❌ Asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare
    ❌ Mungesë e transparencës në dialog

    Në vend se të punohej në avancimin e vendit dhe fuqizimin e pozicionit në arenën ndërkombëtare, ky pushtet shfrytëzoi terë potencialin shtetëtror për të kënaqur apetitet personale duke abuzuar edhe me paranë publike, si rasti me kontratën e Gani Jakupit, të cilit i ndahen 7500 euro si pagë mujore.

    Si pasojë e keqqeverisjes Kosova këtë vit u përjashtua edhe nga nga “Defender Europe 23” e me vonë mori edhe disa masa kufizuese nga BE-ja, ku u bllokuan edhe disa projekte në vlerë prej 295 milionë eurove, para këto që e kanë demtuar mjaftë shumë ekonominë e vendit.
    Ndërkohë, sot pash se kryediplomatja ishte në Vushtrri për të bërë fushatë politike, duke harruar rolin e lobimit për njohje dhe fuqizim të vendit në arenën ndërkombëtare.

    Mbrapshtë e kanë nisur e mbrapshtë po e mbyllin. Fatkeqësi për popullin dhe shtetin që e kanë kthyer me dekada mbrapa.

  • Si do të mbajë moti në ditën e fundit të vitit?

    Si do të mbajë moti në ditën e fundit të vitit?

    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të shpeshta lokale. Mëngjesi do të jetë i ftohtë, vende-vende me mjegull dhe ngrica, ndërsa dita stabile, me alternime mes vranësirave e intervaleve kohore me diell.

    Mjegulla do të jetë prezente sidomos në lugina dhe ultësira dhe mund të qëndrojë edhe gjatë ditës në disa zona.

    Temperatura minimale do të ulet deri në -3 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale deri në 9 gradë Celsius. Në zonat me mjegull do të jetë dukshëm më ftohtë edhe gjatë ditës.

  • Krasniqi nuk pret rritje të migrimit pas 1 janarit, gjatë qeverisjes Kurti e lëshuan Kosovën 200 mijë qytetarë

    Krasniqi nuk pret rritje të migrimit pas 1 janarit, gjatë qeverisjes Kurti e lëshuan Kosovën 200 mijë qytetarë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nuk pret ikje më të madhe të qytetarëve pas 1 janarit 2024, kur nis qarkullimi i kosovarëve pa viza në zonën Shengen, sesa migrimi që ka ndodhur në dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

    Kreu i PDK-së ka thënë për Ekonomia Online se shqetësuese është largimi i 200 mijë njerëzve, shumica profesionistë e të punësuar, jo vetëm i nevojtarëve, që ka ndodhur para liberalizimit të vizave. Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi njerëzit po e humbin besimin në mundësitë që ofron Kosova.

    “Unë nuk e shoh shumë problem 1 janarin 2024 dhe lëvizjen pa viza. Kjo është e mirëseardhur, është e vonuar e stërvonuar dhe mirë që ka ndodhur përfundimisht”, ka thënë Krasniqi, në një intervistë për EO, e cila e plotë do të publikohet pas Vitit të Ri.

    “Ajo që ka qenë problematike është largimi i qytetarëve para liberalizimit të vizave, sepse lëvizja në zonën e Shengenit, vizita për të parë mundësitë, qofshin ato edukative, ndoshta edhe të punësimit, është më pak problematike dhe e dëmshme sesa fakti që në dy vitet e fundit, apo dy vitet e gjysmë qeverisje të Kurtit, e kanë lëshuar Kosovën mbi 200 mijë qytetarë. Shumica prej tyre me kontrata të punës, shumica prej tyre profesionistë, prej inxhinierëve, arkitektë e deri te mjekë, e cilido profesion tjetër. Kjo për mua është shqetësimi më i madh, sepse ka ndikuar që të ketë vërtet një shpopullim në disa prej viseve të Kosovës”.

    “Edhe më shqetësuese është që për herë të parë e kemi parë një largim të njerëzve nga të gjitha llojet e demografive, pra jo vetëm nga zonat rurale, por edhe nga zonat urbane; jo vetëm nga një rajon, por nga të gjitha rajonet; jo vetëm nga të papunët e nevojtarët, por edhe nga profesionistët dhe të punësuarit”.

    “Ka qenë pra një largim, i cili mua ma ka dhënë një frikë që ndoshta është një humbje e besimit në mundësitë që i ofron Kosova. Përgjegjësia e qeverisë është absolute në këtë drejtim”, thekson lideri opozitar.

    Sipas tij, kryeministri Kurti dhe ministrat e tij janë aktivë vetëm në propagandë.

    “Absurditetet e tij janë të jashtëzakonshme. Para disa ditësh, në dhjetor, dolën dhe thanë që ekonomia e Kosovës është e treta në Evropë. As fëmijët nuk mund ta besojnë një gjë të tillë. Sepse ekonomia e Kosovës duke qenë edhe ashtu e vogël, me rritjen 3.5 për qind, ndoshta mund të krahasohet me Ukrainën, e cila është në luftë… Nuk mund të krahasohet as me shtetet e rajonit. Kjo i bie që jemi më mirë se Shqipëria, kjo i bie që jemi më mirë se Mali i Zi, kjo i bie që jemi më mirë edhe se Sllovenia e si Kroacia. Por mendoj se është një absurditet në vete, por që është pjese e propagandës qeveritare e cila fatkeqësisht vazhdon që të jetë shumë aktive”.

    “Sikur të ishin punët mirë në këtë vend nuk kishin ikur 200 mijë qytetarë prej qeverisjes së Albin Kurtit. Nëse vërtet këta ministra e ky kryeministër besojnë që kanë bërë punë të mira, a munden me na dhënë përgjigje pse e kanë lëshuar vendin 200 mijë njerëz”, ka deklaruar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

  • Mjegull e dendur rrugëve të Kosovës, Policia del me apel

    Mjegull e dendur rrugëve të Kosovës, Policia del me apel

    Tash e disa ditë në vend mjegulla po është prezente, e cila po vështirëson vozitjen e shoferëve. Për këtë dukuri Policia e Kosovës u ka bërë apel të gjithë ngasësve të veturave që të kenë kujdes gjatë vozitjes.

    PK ka thënë se duhet të përdoren dritat e mjegullës duke shtuar dhe se mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë.

    “Përdorni dritat e mjegullës. Nëse automjeti juaj i ka këto drita kjo ju ndihmon të ndriçohet rruga para jush dhe këto drita e bëjnë automjetin tuaj më të dukshëm për shoferët e tjerë. Disa automjete kanë edhe dritat e pasme të mjegullës të cilat ndihmojnë shoferët që lëvizin mbrapa t’ju shohin juve edhe nga një distancë më e madhe.

    Mjegulla mund të krijojë një iluzion optik dhe t’i bëjë shoferët të mendojnë se po shkojnë më ngadalë seç janë. Mbani vëmendjen, mos shpejtoni!

    Ndizni dritat gjatë ngasjes, por mos ndizni dritat me rreze të gjatë!

    Ngasja e automjetit me drita të gjata mund të reflektojë jashtë mjegullës dhe mund të kthehet në automjetin tuaj, e cila gjithashtu e bën të pamundur që shoferët e tjerë t’ju shohin.

    Mbani ndezur dritat e shkurtra dhe të mjegullës!

    Mbani nën kontroll shpejtësinë e lëvizjes!

    Mbani krahun e djathtë të rrugës gjatë lëvizjes”

  • Policia del me detaje për shkëmbimin me armë zjarri dje në veri

    Policia del me detaje për shkëmbimin me armë zjarri dje në veri

    Policia në raportin e saj ditor njofton se gjatë patrullimit në veri dje, ka hasur në dis automjete.
    Dhe në përpjekjet e tyre për ti ndaluar, janë detyruar të përdorin edhe armët.

    Njëri nga ta është arrestuar, ndërsa të tjerët kanë ikur duke braktisur automjetet e tyre.

    Në automjetin e të arrestuarit janë gjetur 40 dele, ato janë dërguar në terminalin doganor.

    Njoftimi i policisë:

    Bube, Zubin Potok / 30.12.2023 – 06:15. Policia gjatë patrullimit kanë vërejtur disa automjete të dyshuar duke lëvizur dhe në përpjekje për ti ndaluar kanë hasur në rezistencë të armatosur nga personat e dyshuara me ç’rast policia në vetëmbrojtje janë obliguar të përdorin armët zyrtare duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej tyre të dyshuarin mashkull kosovar/s, ku gjatë kontrollit në kamion i janë gjetur 40 dele pa dokumente përcjellëse, ndërsa janë konfiskuar dy automjete tjera të cilat të dyshuarit tjerë i kanë braktisur dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Përveç dëmeve të shkaktuara në automjetin e policisë nuk raportohet për lëndime në njerëz. Me vendim të prokurorit delet me kamion janë dërguar në terminalin doganor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.