ATV

Category: Lajme

  • Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Japoni, të mbijetuarit përballen me temperaturat e ulëta

    Rritet numri i viktimave nga tërmeti në Japoni, të mbijetuarit përballen me temperaturat e ulëta

    Ka shkuar në 64 numri i viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti shkatërrimtar në Japoni dy ditë më parë.

    Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur trupa të tjerë të pajetë nën rrënojat e ndërtesave.

    Ky konsiderohet tërmeti më vdekjeprurës në Japoni deri më tani, që nga viti 2016.

    Por autoritetet japoneze, përveç se janë në luftë me kohë, tashmë përballen edhe faktorin e klimës.

    Në rajonin e goditur nga tërmeti, temperaturat janë shumë të ulëta ndërsa për orët në vijim janë parashikuar reshje të dendura të shiut.

    Kjo rrit shqetësimin për të tjera rëshqitje të dherave, gjë që mund të pengojë punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit që kërkojnë për të mbijetuar nën gërmadha.

    Mbi 33 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa në shumë zona të tjera ka mungesë të energjisë elektrike dhe të ujit.

    Kryebashkiakët e qyteteve më të prekura nga tërmeti i kanë bërë thirrje qeverisë për të shpërndarë ndihma sa më shpejt dhe të pastrojnë rrugët, shumë prej të cilave janë bllokuar gjë që ka vështirësuar dërgimin e ndihmave ushqimore.

  • Vritet numri dy i Hamasit

    Vritet numri dy i Hamasit

    Është vrarë në kryeqytetin e Libanit, numri dy i Hamasit, Saleh al-Arouri.

    Vrasja e tij rrit rrezikun e mundshëm të përhapjes së luftës në Gaza përtej enklavës palestineze.

    57-vjeçari është lideri i parë i lartë politik i Hamasit që vritet që kur Izraeli nisi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër grupit militant pothuajse tre muaj më parë pas sulmeve të 7 Tetorit.

    Që nga fillimi i luftës në Gaza mes grupit Hezbollah dhe forcave izraelite është shkëmbyer vazhdimisht zjarr.

    Udhëheqësi i grupit të armatosur Hassan Nasrallah, ka paralajmëruar Tel Avivin kundër kryerjes së ndonjë atentati në tokën libaneze, duke u zotuar se do të kundërpërgjigjet në mënyrë të ashpër.

    Pas vrasjes së Arourit, Hezbollah pranoi se kishte shënjestruar me raketa një grup ushtarësh izraelitë në afërsi të qytetit Marj.

    Vrasja e numrit dy të Hamasit vjen para vizitës në rajon të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në kohën kur Shtetet e Bashkuara po tentojnë të parandalojnë përhapjen e konfliktit, duke paralajmëruar vazhdimisht Hezbollahun dhe Iranin që të mos e përshkallëzojnë konfliktin, sipas Kk.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do të vazhdojë me sulmet në Gaza derisa Hamasi të shkatërrohet dhe të lirohen mbi 100 pengje që ende mbahen nga grupi radikal palestinez.

    Sipas TvKlan.al, Netanyahu dhe zyrtarët e tjerë izraelitë vazhdimisht kanë kërcënuar se do të vrasin udhëheqësit e Hamasit kudo që ata ndodhen.

    Izraeli ka pretenduar se ka vrarë një numër të udhëheqësve të nivelit të mesëm të Hamasit në Gazë, por kjo është hera e parë që nëse merr përgjegjësinë për vrasjen e udhëheqësit të lartë të Hamasit kryen sulme në një shtet tjetër duke shënjestruar liderët e Hamasit.

  • Policia shpall konkurs për plotësimin e 28 vendeve të punës

    Policia shpall konkurs për plotësimin e 28 vendeve të punës

    Policia e Kosovës ka shpallur konkurs për plotësimin e 28 vendeve të punës.

    Konkursi është hapur për:

    Zyrtar i lartë në flotën operative (Automekanik)- dhjetë (10) vende të lira pune,

    Zyrtar i lartë në flotën operative (Autolimar)- Pesë (5) vende të lira pune,

    Zyrtar i lartë në flotën operative (Autoelektricist)- Tri  (3) vende të lira pune,

    Zyrtar i lartë në flotën operative (Teknik metalpunues -axhustator)- dhjetë (10) vende të lira pune.

  • Sulmoi fizikisht një grua, arrestohet i dyshuari në Graçanicë

    Sulmoi fizikisht një grua, arrestohet i dyshuari në Graçanicë

    Në Graçanicë është arrestuar një person i dyshuar pasi në ora 03:30 ka sulmuar fizikisht viktimën femër.

    Sipa raportit 24-orësh të Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

     

  • Mbyllen dy burgje në Kosovë

    Mbyllen dy burgje në Kosovë

    Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani ka njoftuar se gjatë këtij viti, do të mbyllen dy burgje.

    “Ne kemi dy burgje të cilat nuk i plotësojnë standardet më të mira evropiane për të funksionuar. Është burgu i Pejës dhe Burgu i Prizrenit për shkak të vjetërsisë dhe infrastruktura nuk i plotëson kriteret apo nevojat të cilat i kemi si shërbim. Ne kemi vendosur që këto dy burgje të mbyllen dhe të ndërtohet një burg i ri i cili i shërben të gjithë rajonit të Dukagjinit, përfshirë Gjakovën, Sukarekën, Prizrenin, Rahovecin, Ferizaj, Shtimen sepse nuk do të jetë vetëm qendër e paraburgimit, ku do të jetë edhe qendër korrektuese, në një masë do ta lehtësojë edhe Burgun e Dubravës , sepse familjarët nga vise të ndryshme, vise të largëta të Kosovës do ta kenë më të lehtë vizitimin e tyre në burgun e Prizrenit”, deklaron Dibrani për Kosovapress.

    Tutje, thekson se prioritete për këtë vit mbeten kompletimi i infrastrukturës, ndërtimi i burgjeve të reja, renovimi i burgjeve të vjetra dhe ngritja profesionale e stafit.

  • Mbi gjysmë ore pritje në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për dalje nga Kosova

    Mbi gjysmë ore pritje në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për dalje nga Kosova

    Nga 30 deri në 40 minuta janë duke pritur qytetarët për të dalë nga Kosova në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolona e veturave që janë duke pritur të dalin nga Kosova te Dheu i Bardhë është e gjatë 150 metra, ndërsa ajo në Merdarë është 100-150 metra.

    Sa i përket pikave tjera kufitare, nuk ka pritje as në hyrje e as në dalje.

  • Tërmeti në Japoni, Haradinaj: Mendja jonë është me popullin dhe shtetin japonez

    Tërmeti në Japoni, Haradinaj: Mendja jonë është me popullin dhe shtetin japonez

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me tërmetin në Japoni.

    Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se mbetet me shpresën që tërmeti të kalojë me sa më pak dëme.

    “Mendja jonë është me popullin dhe shtetin japonez!”, ka shkruar Haradinaj.

    Është duke u shtuar se numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit që goditi pjesën perëndimore të Japonisë.

    Mediet lokale kanë thënë se deri më tani 48 persona kanë humbur jetën. Ekipet e shpëtimit po përpiqen të shpëtojnë njerëzit e bllokuar nën rrënoja, ndërsa moti është tejet i ftohtë.

    Tërmeti me magnitudë 7.6 e pati epiqendrën në prefekturën Ishikava, zona që u godit më rëndë nga lëkundjet.

  • Vetëm 15% e izraelitëve duan që Netanyahu të mbajë postin pas luftës në Gaza

    Vetëm 15% e izraelitëve duan që Netanyahu të mbajë postin pas luftës në Gaza

    Sipas një sondazhi të publikuar të martën, vetëm 15% e izraelitëve duan që kryeministri Benjamin Netanyahu të qëndrojë në detyrë pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza, megjithëse shumë të tjerë ende mbështesin strategjinë e tij për të shtypur militantët në enklavën palestineze.

    Netanyahu premtoi të shtypë Hamasin pas sulmit të tij të 7 tetorit në jug të Izraelit, ku 1200 njerëz u vranë dhe 240 u rrëmbyen në Gaza. Forcat izraelite kanë shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës në ofensivën e tyre hakmarrëse gati tre-mujore.

    Netanyahu ka thënë se një presion i tillë intensiv ushtarak është gjithashtu jetik për të siguruar që 129 pengjet e mbetura që mbahen ende në Gaza të kthehen pasi rreth 100 u liruan në fund të nëntorit në një marrëveshje shkëmbimi që përfshin gjithashtu qindra të burgosur palestinezë.

    Në sondazhin e kryer nga Instituti i Demokracisë së Izraelit (IDI), 56% e të pyeturve thanë se vazhdimi i ofensivës ushtarake ishte mënyra më e mirë për të rimarrë pengjet, ndërsa 24% mendonin se më e mira do të ishte një marrëveshje shkëmbimi që përfshin lirimin e mijëra të burgosurve palestinezë nga burgjet e Izraelit.

  • Mustafa: Vështirë të krenohemi kur luftëtarët kryesorë të lirisë e kalojnë ndërrimin e moteve në burg

    Mustafa: Vështirë të krenohemi kur luftëtarët kryesorë të lirisë e kalojnë ndërrimin e moteve në burg

    Ish-kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka reaguar në lidhje me mbajtjen në burg të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në ndërrimin e moteve.

    Mustafa tha se është vështirë të krenohen këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesorë të lirisë dhe liderët që përmbysën diktaturën komuniste “e kalojnë ndërrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit.

    “Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë! Drejtësi shtetërore apo turp kombëtar?”, shkroi Mustafa.

    Aktualisht në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahen ish presidenti, Hashim Thaçi, ish kryetarët e kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, ish deputeti i VV-së Rexhep Selimi e luftëtarë të tjerë.

  • Turqia arreston 33 persona që dyshon se po spiunonin për Izraelin

    Turqia arreston 33 persona që dyshon se po spiunonin për Izraelin

    Autoritetet turke kanë ndaluar 33 persona që dyshohet se po spiunonin në emër të Izraelit, raportoi më 2 janar agjencia shtetërore e lajmeve turke.

    Autoritetet ende po kërkojnë edhe 13 persona të tjerë që besohet se kanë lidhje me shërbimin izraelit të inteligjencës, Mossad, raportoi agjencia Anadolu.

    Të dyshuarit u arrestuan gjatë bastisjeve në Stamboll dhe në shtatë provinca të tjera. Ata dyshohet se po planifikonin të kryenin aktivitete, përfshirë edhe “vëzhgim” dhe “ndjekje, sulm dhe rrëmbim” të shtetasve të huaj që jetojnë në Turqi, raportoi agjencia turke.

    Anadolu nuk dha informacione për të dyshuarit apo për shtetasit e huaj, që supozohet se ishin shënjestruar. Ky njoftim vjen disa javë pasi kreu i agjencisë së sigurisë në Izrael, Shin Bet, tha përmes një audio-incizimi, se organizata e tij është e përgatitur që ta shkatërrojë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – “në çdo vend”, përfshirë në Liban, Turqi dhe Katar.

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Izraelin për “pasoja serioze” nëse vazhdon me kërcënime që të sulmojë zyrtarët e Hamasit që gjenden në tokën turke.

    Turqia dhe Izraeli kanë normalizuar raportet më 2022, duke riemëruar ambasadorë në shtetet përkatëse pas vitesh raporte të tensionuara. Por, këto raporte shpejt u përkeqësuan pas luftës Izrael-Hamas dhe Ankaraja është një prej kritikeve më të zëshme të veprimeve të ushtrisë së Izraelit në Rripin e Gazës.

    Fillimisht, Izraeli tërhoqi diplomatët e tij nga Turqia për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe më pas njoftoi se po tërhiqte diplomatët për arsye politike, duke përmendur “rritjen e deklaratave të ashpra” nga zyrtarët në Turqi. Turqia po ashtu ka tërhequr ambasadorin e saj nga Izraeli.

    Erdogan ka shprehur një sërë kritikash ndaj Izraelit, duke i përshkruar veprimet e këtij shteti në Gazë si “gjenocid”. Ai ka bërë thirrje që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të ndiqet penalisht për “krime lufte” dhe e ka krahasuar atë me liderin nazist, Adolf Hitler.

    Erdogan, qeveria e të cilit në të kaluarën ka qenë nikoqire e disa zyrtarëve të Hamasit, po ashtu ka thënë se grupi radikal palestinez po lufton për çlirimin e tokave të tij dhe popullit të tij./REL